Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 July 2025Opinion.al

Trafiku nga Kolumbia në Europë, grupi i drogës del para GJKKO-së

By: e xh
27 July 2025 at 11:48

Gjashtë anëtarët e grupit të trafikut ndërkombëtar të drogës, që vepronte në vitet 2020-2021 mes Kolumbisë dhe Europës, kanë dalë sot, 27 korrik, në GJKKO për masat e sigurisë.

Mes tyre janë Erion Alibej dhe Plaurent Dervishaj. Ata janë nën hetim edhe për dosjen “Plumbi i Artë”.

SPAK njoftoi dje, 26 korrik, se si rezultat i këtij operacioni janë sekuestruar 6 ton lëndë narkotike (kokainë e kanabis) me një vlerë në treg prej 411 milionë eurosh.

“Vendimi u ekzekutua menjëherë në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit. Më datë 25.07.2025 u bë e mundur arrestimi i gjashtë personave në hetim: A. H, K. H, E.N, E. A, P. D, I. Ll. Gjatë ekzekutimit të masës së sigurisë, në banesën e shtetasit A. H. u gjetën dhe sekuestruan 3 armë zjarri të llojit pistoletë, të mbajtura pa leje, për të cilat është arrestuar në flagrancë. Një prej të dyshuarve, shtetasi D. P. (alias D. B., alias E. S.), është shpallur në kërkim, dhe po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tij në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë. Për interesat e hetimit,  Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dhe marrë miratimin e Gjykatës së Posaçme për kryerjen e kontrolleve në banesa, automjete dhe persona”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar shumë monetare (43 mijë euro), karta banke, automjete (një Mercedes Benz AMG G63, një Volkswagen Golf 7a, dhe një Volksëagen Sharan), tre pistoleta, celularë, karta banke, dornë, hard disqe, si dhe një skaf luksoz.

Në dorën e SPAK kanë rënë edhe dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama. /tvklan.al

Flakët në jug/ Ndërhyrjet nga ajri, niset nga Italia avioni zjarrfikës Canadair

By: e xh
27 July 2025 at 11:39

Në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, një avion zjarrfikës Canadair është nisur nga Italia dhe do të angazhohet në operacionet ajrore për shuarjen e flakëve në jug të vendit, në zonat Borsh, Piqeras dhe Lukovë.

Minisria e Mbrotjes në një njoftim të fundit thotë se ky mjet ajror do të forcojë ndërhyrjet në terrene të vështira dhe të paarritshme nga toka, duke dhënë ndihmë në përballimin e situatës së zjarreve që kanë përfshirë këto zona.

Ndërkohë, helikopterët e Forcës Ajrore do të angazhohen pranë fshatit Zhulat, në rajonin e Gjirokastrës, si dhe në zonën e Qafëbuallit, pranë Bulqizës.

Pak më parë MM njoftoi situatën e zjarreve në vend, ku gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë evidentuar 45 vatra zjarri, nga të cilat 21 mbeten aktive dhe 16 nën monitorim, ndërsa 8 janë shuar.

Situata mbetet kritike në zonat e Lurës, Bulqizës, Delvinës, Tiranës dhe Korçës, ku janë angazhuar mbi 1350 forca operacionale dhe 65 automjete zjarrfikëse. Përveç ndërhyrjeve nga toka, po përdoren edhe helikopterë nga Forcat e Armatosura dhe bashkëpunëtorët ndërkombëtarë për të frenuar përhapjen e flakëve.

SHBA/ Sulm me thikë në një supermarket, plagosen 11 persona në Michigan!

By: e xh
27 July 2025 at 11:21

Një burrë ka plagosur me thikë 11 persona, të cilët ishin klientë të rastësishëm në një supermarket Walmart në Traverse City, Michigan.

Ngjarja ka krijuar panik dhe tmerr, ndërkohë që siç shkruajnë mediat ndërkombëtare, autori është arrestuar nga policia, falë ndërhyrjes së disa qytetarëve që arritën ta neutralizonin para se të përshkallëzonte masakrën.

Sherifi i qarkut, Michael D. Shea, tha se “qytetarët i dhanë fund këtij sulmi brutal”.

Të plagosurit janë dërguar në Munson Medical Center dhe raportohen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, motivi i sulmit mbetet ende i paqartë.

Dëshmitarët flasin për skena tronditëse. “Gjaku rridhte kudo dhe njerëzit ulërinin,” tha një prej klienteve.

Autori u pa duke vrapuar nëpër korridore dhe duke goditur njerëzit njëri pas tjetrit, derisa u ndalua me forcë nga qytetarët. Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa policia ka kërkuar që banorët të shmangin zonën.

 

Zjarret, MM: 21 vatra aktive në vend/ Ndërhyrje nga ajri e qindra forca në terren

By: e xh
27 July 2025 at 11:14

Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë evidentuar 45 vatra zjarri, nga të cilat 21 mbeten aktive dhe 16 nën monitorim, ndërsa 8 janë shuar.

Situata mbetet kritike në zonat e Lurës, Bulqizës, Delvinës, Tiranës dhe Korçës, ku janë angazhuar mbi 1350 forca operacionale dhe 65 automjete zjarrfikëse. Përveç ndërhyrjeve nga toka, po përdoren edhe helikopterë nga Forcat e Armatosura dhe bashkëpunëtorët ndërkombëtarë për të frenuar përhapjen e flakëve.

Zjarret kanë rrezikuar banesa dhe zona urbane, duke detyruar evakuime në disa prej tyre. Autoritetet paralajmërojnë rrezik të lartë për zjarret në pyjet e vendit edhe për ditët në vijim.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes:

-Në Parkun Kombëtar Lurë, te “Liqeni i Luleve”, vazhdon aktive vatra në Gropën e Madhe dhe Pllau i Gjurës mbi fshatin Gurë-Lurë – janë angazhuar rreth 50 forca operacionale

-Në Zall Gjoçaj, bashkia Mat, zjarri ka një shtrirje mbi 14 km dhe vijon në tre kahe kryesore – në terren janë rreth 46 forca

-Në Qafë Buall, Bulqizë, zjarri është përhapur drejt Qytetit të Vjetër dhe Krastës – janë angazhuar 120 forca dhe 2 helikopterë, janë evakuuar 6 banesa

-Në malin mbi fshatin Kalasë, bashkia Delvinë, vijon ndërhyrja me 58 efektivë dhe 4 mjete FA – zjarri në zona të paarritshme nga toka

-Në Kopaçëz, Delvinë, zjarri mbetet aktiv – në terren janë 70 forca, një autoambulancë dhe helikopter Cougar

-Në fshatin Lugaxhi, Elbasan – mbi 50 forca në terren

-Në malin e Lisecit, Gramsh – vatra në zonë të vështirë, zjarri është sipërfaqësor dhe pa dëme

-Në Shkopet, në kufirin mes Kurbin–Mirditë–Mat – mbi 80 forca të angazhuara, nuk ka rrezik për banesat

-Në fshatin Fang, Mirditë – në operacion janë mbi 120 forca dhe 3 mjete

-Në Qeramicë, Devoll – vatër e re, rrezikon përhapje për shkak të erës

-Në Kriçkovë, Pogradec – forcat operacionale në terren

-Në Parkun Kombëtar Prespë, fshati Lajthizë, Pustec – sot priten të angazhohen 75 forca

-Në fshatin Galinë, Berat – zjarri është ende aktiv

-Në Fushëbardhë dhe pranë tunelit të Skërficës, Gjirokastër – zjarri përparon drejt zonës së mbrojtur “Bregu i Pamjes”, pritet ndërhyrje nga ajri

-Në Izvor i Vjetër dhe Duraj, Memaliaj – zjarri aktiv, por i izoluar në disa zona

-Në Malin me Gropa, Tiranë – rreth 55 forca në operacion, është arrestuar një i dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme

-Në fshatin Ibë, Tiranë – terren i vështirë, janë angazhuar 2 helikopterë, 6 mjete dhe 25 forca

-Në fshatin Shetel, Shijak – 40 forca në terren, pritet ndërhyrje nga ajri

-Në “Rraze Veshtit”, Malësi e Madhe – 35 forca të angazhuara, terren i pakalueshëm për mjete zjarrfikëse

Vatra të monitoruara:

Ulëz (Mat), Livadhet e Peladhisë (Bulqizë), Maja e Paliskës dhe Sashic (Vlorë), Markat (Konispol), pyjet e Gurakuqit (Librazhd), Dishnicë (Korçë), Strelcë (Maliq), Muzhakë (Skrapar), Konisbaltë (Dimal), Paftal (Berat), Zgërbonjë (Poliçan), Gryka e Motinës – Dragobi dhe Mamëz (Kukës)

Forcat në operacion:

1350 forca operacionale

65 automjete zjarrfikëse

5 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë të Forcave të Armatosura

2 helikopterë hungarezë

2 helikopterë Canadair nga Kroacia dhe Italia (në zonën e Vlorës)

Afër zgjidhjes? Von der Leyen takohet me Donald Trump

By: e xh
27 July 2025 at 10:50

A do të arrihet një marrëveshje në mosmarrëveshjen tregtare BE-SHBA? Presidentja e KE von der Leyen takohet sot me Presidentin e SHBA Trump. Trumpi beson se ka 50% mundësi për marrëveshje.

Në mosmarrëveshjen për tarifat midis Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen takohet sot në Turnberry të Skocisë me Presidentin e SHBA Donald Trump.

Vendimi u mor pas një “bisede të mirë telefonike” me Trumpin, shkroi von der Leyen në platformën X. Ata do të diskutojnë për “marrëdhëniet tregtare transatlantike” dhe si të mbahen ato të forta.

Trump sheh “mundësi 50%”

Para se të nisej për në Skoci, Trump i kishte vlerësuar mundësitë për të arritur një marrëveshje me BE me 50%. “Do të thoja se kemi 50% mundësi, ndoshta edhe më pak, por 50% mundësi për të arritur një marrëveshje me BE”, u tha republikani gazetarëve.

Pak çaste më vonë ai shtoi: “Mendoj se BE-ja ka një shans mjaft të mirë për të arritur një marrëveshje.”

Dy ditë më parë Trumpi premtoi të hiqte tarifat me të cilat kishte kërcënuar për importet evropiane, nëse Bashkimi Evropian hap më tej tregun e tij për Shtetet e Bashkuara. Përpara kësaj Kancelari gjerman Friedrich Merz kishte lënë të kuptohet se mund të jetë pranë një dakordim në mosmarrëveshjen tregtare.

Trumpi sapo kishte rënë dakord me Japoninë për tarifa prej 15%, shumë më poshtë se sa pritej fillimisht. Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë negociuar me BE për javë të tëra për një marrëveshje tregtare që do të shmangte tarifat prej 30% që Trump njoftoi për 1 gusht. Afati skadon pas një jave.

Konflikt doganor që nga prilli

Në fillim të prillit presidenti amerikan shkaktoi konflikt doganor me partnerët tregtarë në të gjithë botën. Ai njoftoi shtesa të larta për importet nga BEdhe shumë vende të tjera, por më vonë i uli ato në 10% për të lejuar negociatat.

Deri tani, medikamentet dhe produktet farmaceutike përjashtohen. Një tarifë doganore e lartë prej 25% vlen për automjetet dhe 50% për produktet e çelikut dhe aluminit. Në të njëjtën kohë, BE-ja ka përgatitur gjithashtu kundërdogana të mundshme për mallrat amerikane me vlerë 93 miliardë euro. DW

Shijak/ Djeg mbeturinat dhe zjarri del jashtë kontrollit, pranga 58 vjeçarit

By: e xh
27 July 2025 at 10:38

Identifikohet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i zjarrit që përfshiu një sipërfaqe të pyllëzuar në fshatin Shetel në Shijak, duke rrezikuar djegien e banesave.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, sapo morën njoftimin se mbrëmjen e djeshme në territorin e fshatit Shetel kishte rënë zjarr, i cili përfshiu një sipërfaqe të madhe të pyllëzuar dhe që rrezikonte të përfshinte edhe banesat, u nisën menjëherë drejt vendngjarjes.

‘Falë veprimeve të shpejta hetimore, në orët e para të mëngjesit të sotëm, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit I. B., 58 vjeç, banues në fshatin Shetel, Njësia Administrative Gjepalaj, Shijak.

Arrestimi i tij u bë pasi, mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, duke djegur mbeturina në tokën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përfshirë një sipërfaqe të madhe të pyllëzuar në fshatin Shetel, duke rrezikuar edhe banesat pranë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, mbi bazën e nenit 206/a të Kodit Penal, “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve ose i mjedisit pyjor”.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët të mos ndezin zjarr për djegien e mbeturinave apo të mbetjeve të prodhimeve bujqësore, si dhe për qytetarët të shmangin hedhjen e cigareve të ndezura pranë sipërfaqeve të pyllëzuara’, thuhet në njoftimin e policisë.

Zjarret, stabilizohet situata në Borsh dhe Lukovë

By: e xh
27 July 2025 at 10:23

Situata nga vatrat e zjarrit në zonat e Borshit dhe Lukovës është e stabilizuar.

Lajmin e bën të ditur ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ku ndër të tjera ka theksuar se forcat operacionale dhe Forcat e Armatosura vijojnë të jenë të pranishme në terren, duke monitoruar nga afër zhvillimet dhe mbajtur gatishmërinë maksimale për t’i paraprirë çdo përkeqësimi të mundshëm të situatës.

‘Aktualisht, situata nga vatrat e zjarrit në zonat e Borshit dhe Lukovës është e stabilizuar. Forcat operacionale dhe Forcat e Armatosura vijojnë të jenë të pranishme në terren, duke monitoruar nga afër zhvillimet dhe mbajtur gatishmërinë maksimale për t’i paraprirë çdo përkeqësimi të mundshëm të situatës’, shkruan Vengu në rrjetin social Facebook.

Mes krizës së thelluar të urisë/ Izraeli shpall “pauzë taktike” të luftimeve në Gaza

By: e xh
27 July 2025 at 10:13

Izraeli shpalli të dielën një “pauzë taktike” në luftime në disa pjesë të Gazës dhe tha se do ta lejonte OKB-në dhe agjencitë e ndihmës të hapnin rrugë tokësore të sigurta për ta trajtuar krizën e thelluar të urisë. Ushtria gjithashtu tha se kishte filluar hedhjen nga ajri të ushqimit në territor dhe hodhi poshtë akuzat se po përdorte urinë si armë kundër civilëve palestinezë.

Në një deklaratë, ushtria tha se vendimet e saj i kishte koordinuar me OKB-në dhe organizatat ndërkombëtare për të “rritur shkallën e ndihmës humanitare që hyn në Rripin e Gazës”.

Nuk pati ndonjë reagim zyrtar të menjëhershëm nga OKB-ja ose organizatat jofitimprurëse që operojnë në Gazë, dhe burime humanitare që mbeten skeptike thanë se po prisnin të shihnin rezultatet në terren.

Pauza në luftime do të kufizohet në zona ku ushtria thotë se trupat izraelite aktualisht nuk po operojnë — Al-Mawasi, Deir el-Balah dhe qyteti i Gazës — dhe do të zgjasë çdo ditë nga ora 10:00 e mëngjesit deri në 20:00 të mbrëmjes.

Por, deklarata izraelite shtoi se “rrugë të sigurta të caktuara” janë hapur në të gjithë Gazën për të mundësuar kalimin e sigurt të autokolonave të OKB-së dhe organizatave humanitare që shpërndajnë ushqim dhe ilaçe. Ushtria izraelite tha se këto operacione, së bashku me fushatën e saj të vazhdueshme kundër grupeve të armatosura palestineze, duhet të hedhin poshtë “pretendimin e rremë për uri të qëllimshme në Rripin e Gazës”.

Izraeli vendosi një bllokadë të plotë ndaj Gazës më 2 mars, pasi dështuan bisedimet për armëpushim. Në fund të majit filloi të lejonte një sasi të vogël ndihmash të rifillonte, mes paralajmërimeve për një valë urie.

Para se Izraeli të njoftonte dërgimin nga ajri të shtatë paletave me ushqim, Emiratet e Bashkuara Arabe kishin deklaruar se do të rifillonin hedhjet ajrore të ndihmave dhe Britania tha se do të punonte me partnerë përfshirë Jordaninë për t’i ndihmuar ato. Vetëm të shtunën, agjencia palestineze e mbrojtjes civile tha se mbi 50 palestinezë të tjerë ishin vrarë nga sulmet dhe të shtënat izraelite, disa ndërsa prisnin pranë qendrave të shpërndarjes së ndihmave.

 “Lusim Zotin dhe vëllezërit tanë arabë të punojnë më fort për të arritur një armëpushim para se të vdesim të gjithë,” tha banori i Gazës, Hossam Sobh, për AFP, duke shtuar se kishte pasur frikë për jetën e tij ndërsa merrte një thes me miell përballë një tanku izraelit.

Situata humanitare në territorin palestinez është përkeqësuar rëndë ditët e fundit, me mbi 100 OJQ që paralajmëruan këtë javë se “uria masive” po përhapej në Gazë. Në Telegram, ushtria izraelite njoftoi se “kishte realizuar një hedhje nga ajri të ndihmës humanitare si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të lejuar dhe lehtësuar hyrjen e ndihmës në Rripin e Gazës”.

Zyrtarët humanitarë janë thellësisht skeptikë se hedhjet ajrore mund të sigurojnë mjaftueshëm ushqim në mënyrë të sigurt për të përballuar krizën në përshkallëzim të urisë me të cilën përballen mbi dy milionë banorë të Gazës.

Por, kryeministri britanik Keir Starmer mbështeti idenë, duke premtuar se do të punonte me Jordaninë për të rifilluar hedhjet ajrore. Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se do t’i rifillonin hedhjet “menjëherë”.

Disa qeveri perëndimore dhe arabe kanë realizuar hedhje ajrore në Gaza në vitin 2024, kur dërgesat tokësore të ndihmave gjithashtu përballeshin me kufizime izraelite, por shumë në komunitetin humanitar i konsiderojnë ato joefektive. Ushtria izraelite këmbëngul se nuk kufizon numrin e kamionëve që hyjnë në Gaza dhe pretendon se agjencitë e OKB-së dhe organizatat e ndihmës nuk po mbledhin ndihmat pasi ato hyjnë në territor.

Por, organizatat humanitare e akuzojnë ushtrinë për vendosjen e kufizimeve të tepruara, ndërsa kontrollon ngushtë qasjen rrugore brenda Gazës. Një operacion tjetër ndihmash është duke u zhvilluar përmes Fondacionit Humanitar për Gazën, i mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-ja. Por, ky operacion është përballur me kritika të ashpra ndërkombëtare pasi të shtëna nga ushtria izraelite vranë qindra palestinezë pranë pikave të shpërndarjes.

Kufizimet mediatike në Gaza dhe vështirësitë për të hyrë në shumë zona nënkuptojnë se AFP-ja nuk është në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur të dhënat dhe detajet e ofruara nga agjencia e mbrojtjes civile dhe palë të tjera.

Izraeli nisi fushatën e tij ushtarake në Gaza pas sulmit të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – në tetor të vitit 2023, që rezultoi në vrasjen e 1.219 personave, shumica civilë, sipas një përllogaritjeje të AFP bazuar në të dhënat zyrtare. Fushata izraelite ka vrarë 59.733 palestinezë, shumica civilë, sipas ministrisë së shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi. REL

Përballë flakëve në Qafë-Buall të Bulqizës,Vengu: U punua për mbrojtjen e banesave..

By: e xh
27 July 2025 at 09:59

Është punuar pa u ndalur për të frenuar përhapjen e zjarreve dhe për të mbrojtur banesat e pyjet në zonën e Qafë-Buallit në Bulqizë.

Lajmi është dhënë në një postim në rrjetin social Facebook, nga ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ku shkruan se efektivët punuan pa u ndalur gjatë natës në lidhje me situatën.

Sipas Vengut janë përdorur mjetet dhe pajisjet në dispozicion dhe ndërhyrja nga toka ka vijuar në kushte të vështira nga terrini dhe erërat e forta.

‘Përballë flakëve që përfshinë zonën e Qafë Buallit në Bulqizë, efektivët tanë punuan pa u ndalur gjatë natës për të frenuar përhapjen e zjarreve dhe për të mbrojtur banesat dhe pyjet përreth.

Me mjetet dhe pajisjet në dispozicion, ndërhyrja nga toka ka vijuar në kushte të vështira terreni dhe erërash të forta’, shkruan Vengu.

Ndezi zjarr për pastrim, flakët përhapen në malin e Shashicës/ Ndalohet 33 vjeçari

By: e xh
27 July 2025 at 09:41

Ndezi zjarr për pastrim dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me bimësi në malin e Shashicës, ndalohet 33-vjeçari.

Si rezultat i punës hetimore dhe i veprimeve për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë ndaluan shtetasin E. F., 33 vjeç, banues në fshatin Kaninë, Vlorë.

‘33-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr për pastrimin e barërave, në një sipërfaqe toke kullotë në pronësi të tij, në vendin e quajtur “Gryka e Zguros”, në malin e Shashicës, ku si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme, me shkurre dhe bimësi të dendur. Zjarri është përhapur edhe në drejtim të territorit të fshatrave Kaninë dhe Sherishtë’, thuhet në njoftimin e Policisë Vlorë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

‘Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.

Në bashkëpunim me komisariatet në varësi, vijon intensivisht puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të çdo autori të zjarrvënieve në territorin e qarkut të Vlorës.

Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm’, thuhet në njoftimin e Policisë Vlorë.

Çfarë do të thotë njohja e Palestinës nga Franca?

By: e xh
27 July 2025 at 09:32

Emmanuel Macron dëshiron ta njohë Palestinën si shtet. Franca do të ishte vendi i parë i G7 që ndërmerr këtë hap. Po a do të sjellë kjo një dinamikë e re në procesin e paqes sikurse mendon Macron?

Emmanuel Macron e njoftoi vendimin vonë në mbrëmje në X (24.07). Në një postim të gjatë, presidenti francez deklaroi se vendi i tij do ta njihte shtetin palestinez. Njohja zyrtare, tha Macron, do të bëhej në shtator në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.  Macron e sheh këtë hap si reagim ndaj situatës gjithnjë e më të dëshpëruar në Gaza,  ndaj pamjeve dhe raportimeve të njerëzve të uritur dhe ndaj thirrjeve të përsëritura dhe dramatike nga organizata të shumta ndihme. “Ne kemi nevojë për një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e të gjithë pengjeve dhe ndihmë humanitare masive për popullin e Gazës”, shkruan Macron. Në të njëjtën kohë, ai bën thirrje për “demilitarizimin e Hamasit”  dhe të gjithë shtetit palestinez, pasi të njihet nga Franca, i cili duhet ta “njohë plotësisht Izraelin”. Kjo, tha ai, do të kontribuonte në sigurinë e të gjithëve në rajon. Nuk ka alternativë.

Njoftim i mëparshëm

Presidenti francez kishte premtuar edhe më parë njohjen e Palestinës, por më pas e kishte shtyrë këtë. Fillimisht ai donte ta njoftonte këtë në një konferencë të OKB-së mbi zgjidhjen me dy shtete në Nju Jork – por për shkak të sulmit izraelit ndaj Iranit, kjo konferencë u shty nga qershori në fund të këtij muaji.

Macron tani e rindez debatin ndërkombëtar të bllokuar mbi zgjidhjen me dy shtete. Franca ndjek shembullin e vendeve të tjera evropiane si Spanja, Irlanda dhe Norvegjia, të cilat gjithashtu e kanë njohur kohët e fundit Palestinën. Një total prej 147 shtetesh e kanë ndërmarrë këtë hap. Njohja nga Parisi do të kishte rëndësi të veçantë ndërkombëtare: Franca do të ishte shteti i parë i G7 që do të njihte Palestinën – dhe anëtari i parë perëndimor i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Njoftimi i presidentit francez motivohet edhe nga politika e brendshme. Kundërshtarët e tij politikë e kanë akuzuar prej kohësh se ka vepruar me shumë hezitim në konfliktin e Lindjes së Mesme dhe se nuk ka arritur të krijojë një vijë të qartë. Tani Macron sheh një mundësi për ta profilizuar Francën si një aktore të pavarur në konfliktin e Lindjes së Mesme. Ato pjesë të publikut francez që prej kohësh kanë kërkuar një rol më aktiv evropian në Lindjen e Mesme e mirëpresin veprimin e presidentit të tyre. Duhet thën se vështirë se ka një vend në Evropë ku konflikti i Lindjes së Mesme është aq polarizues sa është në Francë.

Kritika të ashpra nga Izraeli, vlerësime nga bota arabe, po perëndimi?

Reagimet nga Izraeli pas njoftimit nuk vonuan. Kryeministri Benjamin Netanyahu e dënoi ashpër vendimin e Macron, duke thënë se ai “shpërblente terrorizmin” dhe “rrezikonte krijimin e një shteti tjetër përfaqësues iranian, ashtu siç ishte bërë Gaza si  e tillë”. Një shtet palestinez në këto kushte, tha Netanyahu, “do të ishte një platformë startimi për shkatërrimin e Izraelit”.

Vetë organizata terroriste e Hamasit e mirëpriti vendimin e Macronit si një “hap në drejtimin e duhur”, edhe pse sigurisht nuk do të ishte dakord me kërkesën për “çmilitarizimin”. Vlerësime erdhën edhe nga bota arabe, veçanërisht nga Arabia Saudite, Ministria e Jashtme saudite e mirëpriti pozitivisht njoftimin e Macronit.

“Duke njohur Palestinën, Franca do të inkurajojë ose edhe do të ushtrojë presion mbi shtetet e tjera që të ndjekin shembullin e saj, qoftë Belgjika, Danimarka apo Luksemburgu. Apo edhe Britania e Madhe, Australia apo Kanadaja”, u shpreh për DW Hugh Lovatt, ekspert i Lindjes së Mesme në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë. Kryeministri britanik Keir Starmer shprehu gatishmërinë e tij ndaj një iniciative të re evropiane për t’i dhënë fund luftës në Gaza, por mbetet i kujdesshëm në çështjen e njohjes së Palestinës.

Qëndrimi politik i Berlinit zyrtar ndaj iniciativës së Macronit ka qenë gjithashtu i kujdesshëm dhe i baraspeshuar. Gjermania ende nuk e njeh Palestinën, ajo ruan qëndrimin e saj të mëparshëm, se një hap i tillë duhet të ndërmerret vetëm në përputhje me negociatat ndërkombëtare. Por iniciativa e Francës e vendos Berlinin në një pozicion të vështirë: Nga njëra anë, Gjermania kërkon unitet evropian, ndërsa nga ana tjetër, Gjermania është partnerja më e ngushtë e Izraelit në Evropë.

Në të kundërt, Shtetet e Bashkuara mbajtën qartë anën e Izraelit dhe e kritikuan ashpër njoftimin e presidentit francez. Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, postoi në X se vendimi “i shërben vetëm propagandës së Hamasit” dhe është “një shuplakë në fytyrë për viktimat e 7 tetorit”. Më 7 tetor 2023 Hamasi kreu një sulmi terrorist të paparë ndaj Izraelit, ku u vranë më shumë se 1,200 vetë dhe më shumë se 250 të tjerë u morën peng. Ky sulm ishte shkaku i drejtpërdrejtë për luftën aktuale në Rripin e Gazës.

Cilat janë pasojat praktike të njohjes së shtetit palestinez nga Franca?

Vendimi i Macron është kryesisht simbolik, pasi ai nuk ka ndonjë pasojë konkrete sipas ligjit ndërkombëtar përtej asaj të marrëdhënies dypalëshe midis Francës dhe një shteti palestinez. Por Franca mund të krijojë ose thellojë marrëdhënie të drejtpërdrejta me Autoritetin Palestinez në të ardhmen – për shembull, përmes ambasadave, marrëveshjeve tregtare ose programeve të ndihmës.

Ajo që diihet thjesht njohja e shtetit palestinez nuk ka gjasa të ndryshojë situatën në terren për momentin,, pasi çështje të rëndësishme mbeten të pazgjidhura, si psh: kufijtë brenda të cilëve do të njihej një shtet palestinez. Është gjithashtu e paqartë se si ideja e Macron për një “shtet të çmilitarizuar” që do të njihet nga Izraeli mund të pajtohet me idetë e qeverisë izraelite, por edhe të Hamasit. DW

Kuvendi i Kosovës në pauzë, të gjithë presin Kushtetuesen

By: e xh
27 July 2025 at 09:19

Nga sot (27 korrik) ka hyrë në fuqi masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese që ndalon deputetët e zgjedhur të ndërmarrin çdo hap drejt konstituimit të Kuvendit deri më 8 gusht.

Kjo masë vjen pasi më 26 korrik përfundoi afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata për formimin e legjislaturës së re. Deputetët kishin edhe të shtunën mundësinë e fundit për ta konstituar Kuvendin, por përpjekjet dështuan.

Të shtunën, ata u mblodhën dy herë – në orën 14:00 dhe në 22:00 – në vazhdim të seancës së nisur më 15 prill. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari (Lëvizja Vetëvendosje) kërkoi krijimin e një komisioni për të mundësuar votimin e fshehtë për kryetarin e Kuvendit, por kjo nuk gjeti pajtimin e shumicës.

Mosmarrëveshjet lidhen me kandidaturën e Albulena Haxhiut, e propozuar nga Vetëvendosje në koalicion me Guxo dhe Alternativa. Ajo nuk arriti të sigurojë asnjëherë shumicën e nevojshme prej 61 votash, duke dështuar gjashtë herë në votim të hapur. Tentimet për votim të fshehtë gjithashtu rezultuan pa sukses.

Gjykata Kushtetuese argumentoi se vendosja e masës ishte e domosdoshme, pasi çdo veprim pas datës 26 korrik “mund të shkaktonte dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Vendimi i saj lidhet me dy lëndë që ajo po shqyrton, të dorëzuara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), të cilat pretendojnë se vazhdimet e fundit të seancave janë zhvilluar në kundërshtim me Kushtetutën.

Në ditët e ardhshme, pritet që Gjykata Kushtetuese të sqarojë pasojat ligjore për deputetët dhe hapat që duhet të ndërmerren më tej. Koha.net

 

Java e punës 4-ditore: Përfitimet që askush nuk i priste

By: e xh
27 July 2025 at 09:09

Kur Juliet Schor publikoi librin e saj “The Overworked American” në vitin 1992, debati për reduktimin e orarit të punës mori vëmendje kombëtare në SHBA. Por entuziazmi u zbeh shpejt, derisa pandemia e vitit 2020 riktheu në qendër pyetjen thelbësore: A po punojmë shumë për një jetë që nuk na kënaq?

Schor, profesore e ekonomisë dhe sociologjisë në Boston College, është tashmë ndër zërat kryesorë në iniciativën globale “4 Day Week”, që ka pilotuar modele pune me 4 ditë (32 orë) pa ulje page në mbi 245 organizata me 8,700 punonjës në SHBA, Kanada, Europë e Australi.

Rezultatet? Punonjësit raportuan më pak stres, lodhje dhe ankth, përmirësim të shëndetit mendor dhe fizik, dhe një ndjesi më të fortë kontrolli mbi jetën. Produktiviteti u rrit, fitimet e bizneseve u përmirësuan dhe shkalla e dorëheqjeve u zhduk thuajse plotësisht.

“Nuk e prisnim këtë ndjesi mirëqenieje të përgjithshme që punonjësit kishin,” tregon Schor. “Ata ndihen më të freskët të hënave, më të motivuar dhe më të përkushtuar.”

Një tjetër surprizë? Asnjë rritje në numrin e punonjësve që gjejnë një punë të dytë. Në fakt, ai numër ra. Dhe ndryshe nga ç’pritej, ritmi i punës nuk u përshpejtua në 4 ditët e mbetura, ishte një riorganizim i përgjithshëm i proceseve, jo thjesht një ngjeshje orari.

Po pse atëherë nuk po e përqafojnë më shumë kompani këtë model?

Sipas Schor, pengesat kryesore janë kultura e kontrollit dhe frika nga ndryshimi. Shumë menaxherë ndihen të kërcënuar kur duhet të “lirojnë kohë” për stafin e tyre. Edhe kthimi me detyrim në zyrë, sipas saj, ka më shumë të bëjë me kontrollin sesa me produktivitetin real.

Nga ana tjetër, e premtja po bëhet gjithnjë e më shumë një ditë “gjysmë pushimi” në shumë kompani, çka tregon një tranzicion natyror drejt javës 4-ditore.

A ekziston rreziku që ky model të sjellë ulje page? Sipas rregullave të pilotimeve, jo. “Paga nuk mund të ulet,” thekson Schor. Uljet e pavullnetshme të pagës janë të papranueshme për shumicën e njerëzve. Por ka shqetësime se disa kompani mund të ngadalësojnë rritjen e pagave me kalimin e kohës, sidomos nëse rriten produktiviteti dhe përdorimi i teknologjisë.

Po roli i inteligjencës artificiale? Schor paralajmëron se nëse IA zëvendëson punonjësit pa një plan për reduktim të orarit të punës, rreziku i papunësisë masive është real. Alternativa më e qëndrueshme është ndarja e përfitimeve të produktivitetit duke ulur orët e punës, jo vendet e punës.

Ndërsa debati për legjislacionin mbetet i hapur, Schor beson se rruga drejt një jave 4-ditore kërkon më shumë përhapje praktike fillimisht. Vetëm atëherë do të jetë e mundur të bëhet një standard kombëtar.

Për momentin, është një ide që po ecën ngadalë, por me hapa të sigurt drejt normalitetit. /Monitor

Alarm i kuq edhe në Kosovë, mbi 100 zjarre përfshijnë vendin

By: e xh
27 July 2025 at 09:03

Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë të ditur se shkaku i temperaturave të larta dhe erërave të forta, në disa zona të Kosovës janë përhapur zjarre.

Agjencia njoftoi se një zjarrfikës është lënduar në Ferizaj gjatë intervenimit për shuarjen e zjarreve.

“Raporti i Qendrës Operative të Agjencisë tregon një rritje në numrin e vatrave të zjarrit, me gjithsej 101 raste të raportuara vetëm në gjashtë orët e fundit. Prej tyre, 48 janë ende aktive, ndërsa 53 janë lokalizuar”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjendja është e vështirë dhe kërkon veprim të shpejtë e të bashkërenduar nga të gjitha institucionet.

“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të mobilizuara për të ofruar ndihmën e nevojshme. FSK-ja është në gjendje gatishmërie të plotë dhe e gatshme të ofrojë mbështetje të menjëhershme në rast se kërkohet nga autoritetet komunale apo ato qendrore për emergjencat civile”, tha Osmani.

Në fshatin Zasellë të Komunës së Mitrovicës, ka pasur edhe intervenim me helikopter nga KFOR-i.

Agjencia u bëri thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre në ambiente të jashtme dhe të lajmërojnë zjarrvëniet në numrat emergjent 112, 193 dhe 192.

Më herët, kjo agjenci kishte thënë se shumica e zjarreve masive në Kosovë shkaktohen nga dora e njeriut.

Edhe pse Agjencia e Menaxhimit Emergjent nuk ka treguar se në cilat zona janë përhapur zjarre, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur për zjarre në disa fshatëra të kësaj komune.

“Kushdo që ka mundësi e që ka pajisje per shuarje të zjarrit, le të ndihmoj në hapësirën Dubravë – Sallagrazhdë – Mushtisht”, shkroi në Facebook, ku publikoi një video.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent raportoi edhe dje për gjithsej 23 zjarre, prej të cilat shtatë kishin qenë aktive deri në orën 15:00.

Ende nuk dihet se sa dëme janë shkaktuar, por më parë gjatë këtij muaji janë publikuar shumë video në rrjete sociale që tregonin se si arat e mbjella me drithëra si grurë kapeshin nga zjarret.

Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), gjatë vitit 2024 në Kosovë ishin regjistruar 94 zjarre, të cilat kishin djegur gjithsej 12.079 hektarë pyje dhe shkurre./REL

 

Rama për shefin e Policisë së Delvinës: Rrezikoi jetën të shpëtonte të tjerët

By: e xh
27 July 2025 at 08:50

Kryeministri Rama, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka reaguar në lidhje me situatën nga zjarret që kanë përfshirë vendin.

Në këtë postim kryeministri ka shprehur falenderime për efektivët e Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, të zjarrfikëses,  të urgjencës kombëtare dhe të Emergjencave Civile të cilët në këtë kohë janë në gatishmëri në lidhje me situatën e zjarreve.

Gjithashtu Rama ka veçuar një falenderim për shefin e Policisë së Delvinës, Agim Troci,  i cili sipas Ramës shpëtoi jetë duke rrezikuar të tijën.

Postimi i kryeministrit Rama.

MIRËMËNGJES

dhe me falënderimin me respekt për çdo efektiv të Forcave të Armatosura e të Policisë së Shtetit po ashtu, me një veçim plot admirim për shefin e policisë së Delvinës, Agim Troci që shpëtoi jetë duke rrezikuar të tijën, si edhe zjarrfikës, forca të Urgjencës Kombëtare e të Emergjencave Civile, të cilën janë në gatishmëri në këtë kohë të vështirë zjarresh në gjithë Europën Mesdhetare, ju uroj të diel të mbarë.

Vijon zjarri në Borsh, Piqeras dhe Sasaj/Helikopterët mbi flakë, 40 të evakuuar

By: e xh
27 July 2025 at 08:34

Në Borsh, Piqeras dhe Sasaj ka rinisur aksioni nga ajri me dy helikopterë të Forcës Ajrore për të neutralizuar zjarret që kanë kërcënuar banesat dhe bizneset e zonës për shkak të erës së fortë që favorizoi përhapjen e shpejtë të flakëve gjatë orëve të para të mëngjesit. Kështu shkruan në një postim në rrjetin social Facebook, ministri i Mbrojtes, Pirro Vengu.

‘Teksa zjarrëfikësit dhe Forcat e Armatosura të stacionuara në Borsh gjatë natës siguruan perimetra sigurie përreth banesave, Policia e Shtetit dhe punonjësit e emergjencave civile ndihmuan banorë dhe pushues të evakuohen nga zonat më të rrezikuara, duke shoqëruar drejt sigurisë 40 prej tyre’, shprehet ministri Vengu në këtë postim.

Sipas tij, zjarrfikësit e Himarës dhe Forcat e Armatosura vijojnë operacionin në terren duke bashkërenduar me ekuipazhet e helikopterëve për të eliminuar çdo rrezik.

Horoskopi për ditën e sotme, 27 korrik 2025

By: e xh
27 July 2025 at 08:16

Dashi

Dita e sotme sjell energji dhe vendosmëri. Mund të ndihesh më impulsiv se zakonisht, por nëse vepron me maturi, mund të arrish një sukses të papritur. Kujdes në marrëdhëniet me partnerin.

Demi

Fokusohu tek stabiliteti financiar dhe planet afatgjata. Një bisedë e rëndësishme mund të ndodhë në familje – dëgjo më shumë sesa flet. Dita është pozitive për çështje zemre.

Binjakët

Komunikimi është çelësi i suksesit sot. Një ide e re ose një takim i papritur mund të hapë dyer të reja. Kujdes me fjalët – dikush mund të keqkuptojë qëllimet e tua.

Gaforrja

Fokusohu tek mirëqenia emocionale. Disa çështje familjare kërkojnë vëmendjen tënde. Mos neglizho shëndetin – pushimet e vogla do të të bëjnë mirë.

Luani

Me Diellin në shenjën tënde, je në qendër të vëmendjes. Shfrytëzo këtë energji për të ndërtuar lidhje të reja apo për të përmirësuar imazhin tënd. Dita është shumë pozitive për dashurinë dhe krijimtarinë.

Virgjëresha

Sot je më reflektiv. Mund të ndjesh nevojën për qetësi dhe vetmi. Një projekt i vjetër mund të rikthehet në vëmendje – vlen ta rishikosh. Intuita është e fortë.

Peshorja

Miqësitë dhe bashkëpunimet janë në qendër të vëmendjes. Dita favorizon aktivitetet sociale dhe punën në grup. Në dashuri, kërko më shumë balancë dhe mirëkuptim.

Akrepi

Fokusi është te karriera. Mund të të ofrohet një mundësi për të treguar aftësitë. Bëhu i matur me vendimet – mos u nxit. Dikush mund të të vë në provë durimin.

Shigjetari

Dita e sotme frymëzon zgjerim dhe eksplorim. Mund të planifikosh një udhëtim apo të fillosh një projekt të ri mendor. Kujdes me premtimet – mbaj ato që bën.

Bricjapi

Sot ndihesh më i përqendruar në çështjet financiare ose emocionale. Një vendim i rëndësishëm mund të merret në lidhje me një partneritet. Mos e neglizho ndihmën që të ofrohet.

Ujori

Marrëdhëniet janë në fokus. Është një ditë e mirë për të sqaruar mosmarrëveshje ose për të forcuar lidhjet. Në punë, dikush mund të të ofrojë një aleancë të vlefshme.

Peshqit

Dita kërkon organizim. Shëndeti dhe rutina janë thelbësore – ndoshta duhet të ndryshosh diçka në stilin e jetës. Në mbrëmje, një bisedë intime do të të qetësojë shpirtin.

Kosova futet në bllokadë kushtetuese pas 3 muajsh krize

By: e xh
26 July 2025 at 23:08

Ka dështuar edhe përpjekja e fundit për ta funksionalizuar legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës, vetëm pak orë para hyrjes në fuqi të afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Pas orës 00:00 të së premtes, deputetët e zgjedhur nuk do të mund të marrin asnjë veprim për çështjen e konstituimit të Kuvendit deri më 8 gusht, për shkak të masës së përkohshme të vendosur nga Kushtetuesja.

Saga parlamentare, që vijon prej më shumë se tre muajsh, është shoqëruar me 54 tentativa për të thirrur dhe zhvilluar një seancë funksionale, të gjitha të dështuara.

Zjarri në malin Shashicë, flakët i afrohen shtëpive të banuara

By: e xh
26 July 2025 at 22:45

Zjarri vijon me intesitet në malin Shashicë. Pavarësisht se në majën e malit sipër Vlorës pati ndërhyrje nga toka dhe ajri, flakët ende nuk janë vendosur nën kontroll.
Jo vetëm që nuk janë vendosur nën kontroll, por mesa duket vatra e zjarrit është përhapur edhe më tej.

Flakët po i afrohen më tepër shtëpive të banuara të Kaninës, duke e bërë të rrezikshme situatën.

Ndërkohë, territori i djegur prej tyre është shtuar edhe më tepër. Ndërhyrja nga ajri është ndalur për shkak të errësirës. Flakët në terren po luftohen me forcat zjarrfikëse të Vlorës, të cilët pavarësisht punës së palodhur nuk po ia dalin dot t’i vendosin nën kontroll.

Ndërkohë, shtëllungat e tymit kanë mbuluar në total bregdetin e Vlorës, duke u dukur nga kilometra larg.

Holanda ndalon përdorimin e smartfonëve në shkolla, nxënësit më socialë

By: e xh
26 July 2025 at 22:20

Smartphonet shpërqendrojnë dhe ndikojnë negativisht në rezultatet shkollore. Kjo është një çështje e nxehtë që nuk njeh kufij dhe që ka bërë që Holanda të ndërmarrë një hap drastik, ndalimin e plotë të përdorimit të celularëve në shkolla.

Përfitimet janë të qarta, të qëndruarit larg pajisjeve elektronike gjatë mësimit apo edhe gjatë pushimeve sjell efekte pozitive jo vetëm në përvetësimin e dijes, por edhe në aspektin social.

Ky ndryshim i madh është bërë i mundur nga udhëzimet e reja të miratuara nga Ministria e Arsimit në janar 2024, të cilave tashmë i janë përshtatur shumica e shkollave në vend. Sot, afro dy të tretat e shkollave të mesme holandeze i kërkojnë nxënësve të lënë telefonat në shtëpi. Në disa shkolla, celularët vendosen në dollapë të posaçëm dhe qëndrojnë aty deri në fund të ditës shkollore.

Sipas intervistave të zhvilluara nga Instituti Kohnstamm, 75% e nxënësve thonë se përqendrohen më lehtë në mësim ose në detyra, ndërsa 59% raportojnë përmirësim të klimës në klasë dhe të marrëdhënieve me bashkëmoshatarët. Pa telefon në duar, të rinjtë flasin më shumë mes tyre, debatojnë, luajnë, lëvizin, shohin njëri-tjetrin në sy dhe lexojnë më shumë libra. Efektet pozitive ndihen edhe në luftën kundër bullizmit.

Disa nxënës tregojnë se edhe pasi kthehen në shtëpi, kanë më shumë dëshirë të ndërveprojnë me njerëzit përreth sesa të kontrollojnë njoftimet në telefon. “Tani që nuk mund të bësh më një foto fshehurazi dikujt në klasë dhe ta shpërndash në një grup WhatsApp, është rritur ndjesia e sigurisë sociale“, thotë doktori Alexander Krepel, studiues në Kohnstamm Instituut.

Por Holanda nuk është e vetmja që po vepron kundër përdorimit të celularëve në shkolla. Franca ishte ndër të parat, duke ndaluar përdorimin e telefonave për nxënësit nga mosha 11 deri në 15 vjeç që në vitin 2018. Për fëmijët më të vegjël, ndalimi ka qenë gjithmonë absolut. Nga viti i ardhshëm shkollor, Franca do ta ashpërsojë më tej masën: nxënësit nuk do të lejojnë vetëm të mos i përdorin, por do t’i dorëzojnë telefonat në dollapë të posaçëm të administruar nga mësuesit, për t’i marrë sërish vetëm në fund të ditës.

Kjo vjen pas një periudhe prove të quajtur “pushimi dixhital”, në të cilën morën pjesë rreth njëqind shkolla franceze gjatë gjashtë muajve të fundit.

Një studim i Universitetit të Birmingham mbi 1.227 nxënës në 30 shkolla, i publikuar në revistën Lancet, thekson se ndalimi i telefonave në shkollë nuk mjafton. Për të pasur një ndikim të qartë në mirëqenien mendore dhe fizike të adoleshentëve, është e nevojshme të kontrollohet edhe koha që kalojnë në rrjete sociale pas mësimit dhe në shtëpi.

Në Mbretërinë e Bashkuar, 90% e shkollave ndalojnë përdorimin e telefonave në klasë, por 79% e lejojnë që nxënësit t’i mbajnë me vete. Një raport i UNESCO-s i vitit 2024 vëren se edhe një shpërqendrim i vogël nga telefoni kërkon të paktën 20 minuta që një nxënës të rifitojë përqendrimin e mëparshëm – një kohë që në epokën e mbingarkesës së stimujve nuk është aspak e vogël.

Në Spanjë, rajoni Castilla y León ka ndaluar celularët në shkolla që nga viti 2007, dhe pjesa më e madhe e vendit është përshtatur me këtë praktikë.

Po Shqipëria? Në Itali, Ministri i Arsimit Giuseppe Valditara ka parashikuar ndalimin e telefonave në shkollat fillore dhe të mesme dhe ka nënshkruar një qarkore që do ta zgjerojë këtë ndalim edhe për shkollat e mesme të larta nga viti shkollor 2025/2026. Ministri ka cituar disa herë raportin e OECD, sipas të cilit 17% e adoleshentëve ndihen të shqetësuar dhe të stresuar kur u hiqen pajisjet dixhitale, një simptomë që ngjan me ato të varësisë.

❌
❌