Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 17 July 2026Opinion.al

Gonxhja publikon të dhënat e turizmit: Rritje në gjashtë muajt e parë

By: e xh
17 July 2026 at 21:32

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, ka publikuar të dhëna mbi ecurinë e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri, duke vlerësuar se sektori i turizmit vijon të jetë në territor pozitiv, por me një ngadalësim të ritmit të rritjes gjatë muajit qershor.

Sipas shifrave të paraqitura në postimin e ministrit, në qershor 2026 Shqipëria regjistroi 1,346,279 vizitorë të huaj, krahasuar me 1,329,204 në qershor 2025. Diferenca është 17,075 vizitorë më shumë, ose një rritje prej rreth 1.28%.

Për periudhën janar–qershor 2026, sipas të dhënave të publikuara nga Gonxhja, vendi regjistroi 5,059,069 vizitorë të huaj, nga 4,761,648 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo përbën një rritje prej 297,421 vizitorësh, ose 6.25%.

Postimi i Blendi Gonxhes

Ashtu siç kemi paralajmëruar, ekonomia e turizmit paguan situatën!

Shqipëria mbetet në territor pozitiv sa u takon hyrjeve të shtetasve të huaj, por të dhënat e qershorit tregojnë një ngadalësim të qartë të ritmit të rritjes.

Në qershor 2026, vendi regjistroi 1,346,279 vizitorë të huaj, krahasuar me 1,329,204 në qershor 2025. Kjo përfaqëson një rritje prej vetëm 17,075 vizitorësh, ose +1.28%. -1,223% më pak krahasuar me rritjen e muajit maj 2026 ose 12.2 herë më e ulët si rritje, dhe -638% më pak krahasuar me trendin e rritjes në 5-mujorin janar-maj 2026 ose 6.3 herë më e ulët si rritje!

Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, u regjistruan 5,059,069 vizitorë të huaj, krahasuar me 4,761,648 në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Rritja totale është 297,421 vizitorë, ose +6.25%.

Megjithatë, deri në muajin maj, rritja ishte +8.2%. Me përfshirjen e të dhënave të qershorit, ritmi i rritjes zbret në +6.25%, çka nënkupton një ngadalësim prej rreth -24% të dinamikës së rritjes.

Ky sinjal bëhet edhe më i qartë kur analizohen disa nga tregjet kryesore. Në qershor 2026, krahasuar me qershorin 2025, u regjistrua rënie e numrit të vizitorëve nga:

Kosova: 51,190 vizitorë më pak

Maqedonia: 15,223 vizitorë më pak

Gjermania: 13,165 vizitorë më pak

Turqia: 11,062 vizitorë më pak

Mali i Zi: 6,212 vizitorë më pak

Vetëm këto pesë tregje, të marra së bashku, sollën 96,852 vizitorë më pak, ose -13.00% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.

Në një sektor si turizmi, perceptimi i sigurisë, normalitetit dhe stabilitetit është vendimtar. Klima e krijuar nga protestat, tensioni publik dhe imazhi negativ i përcjellë në tregjet e huaja kanë rritur pasigurinë dhe kanë ndikuar në vendimmarrjen e vizitorëve, grupeve turistike dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Sinjalizimet nga operatorët turistikë, hotelierët dhe agjencitë e udhëtimit konfirmojnë shqetësimet për ngadalësimin e rezervimeve, anulimet dhe hezitimin nga tregjet e huaja.

Turizmi nuk është vetëm statistikë. Është ekonomi reale, vende pune, të ardhura për familjet dhe imazh kombëtar.

Prandaj, është thelbësore për të gjithë të mbrojmë industrinë turistike nga çdo axhendë destabilizuese e konfliktuale!

Shqipëria për herë të parë në “Genuine Cup”, FSHF çon ekipin e futbollistëve…

By: e xh
17 July 2026 at 21:26

Kombëtarja e Futbollit të personave me aftësi të kufizuara intelektuale do të përfaqësojë Shqipërinë në “Genuine Cup 2026”, që do të organizohet në Houston, Texas, SHBA, nga 26 korriku deri më 2 gusht. Për herë të parë Shqipëria merr pjesë në një kompeticion me përmasa të tilla ndërkombëtare me një ekip të të rinjve me aftësi të kufizuara. Kjo është një arritje sportive, por mbi të gjitha është një fitore për përfshirjen.

Prej disa muajsh, Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me organizatën Klubi Kombëtar i Prindërve të fëmijëve me CSA&P.A.K /Autizmi Flet ka punuar në mënyrë të vazhdueshme për të përgatitur pjesëmarrjen e të rinjve më aftësi të kufizuara intelektuale në “Genuine Cup 2026”. Skuadra shqiptare, e përbërë nga 12 futbollistë, po zhvillon përgatitjet e fundit përpara nisjes, ndërsa vijon stërvitjen në “Shtëpinë e Futbollit”.

Në seancën e radhës stërvitore ishin të pranishëm Zv.presidenti i FSHF-së, Geri Çipi, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Blendi Fevziu si dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala.

Në një prononcim për fshf.org, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, theksoi rëndësinë e përfshirjes sociale dhe kontributin që jep futbolli në këtë aspekt.

“Kjo është arritje shumë e madhe që për herë të parë një ekip shqiptar merr pjesë në “Genuine Cup 2026” se nuk janë të pakta këto arritje që duhet t’i njohim, por duhet thënë në të njëjtën kohë që edhe ne si Ministri e Politikave Sociale kemi bërë një hap të ri, kemi kaluar nga vetëm mbështetja ekonomike në një përfshirje sociale të vërtetë që shumë e rëndësishme, përfshirja në sport, në kulturë, në arsim, në jetën e përditshme dhe ashtu do vazhdojmë për të kaluar nga ndihma e thjeshtë sociale në përfshirjen në komunitet, aty ku dëgjohet fjala dhe me të drejta të barabarta”.

Zv.presidenti i FSHF-së, Geri Çipi, nënvizoi impaktin e futbollit në krijimin e mundësive për personat me aftësi të kufizuara që të zhvillojnë një aktivitet normal si gjithë të tjerët.

“Kjo arritje, që jemi ne këtu sot, është rezultat i një bashkëpunimi dhe angazhimi të Federatës Shqiptare të Futbollit me shoqatën. Dhe do të shtoja që, falë këtij bashkëpunimi, kemi arritur të krijojmë këtë ekip futbolli, që edhe këta persona me aftësi të kufizuara të përfaqësojnë vendin e tyre në aktivitete ndërkombëtare. Edhe një herë dua ta theksoj. Ky është një mesazh i qartë që futbolli është gjithëpërfshirës, që edhe këta persona të ndihen njësoj si gjithë të tjerët dhe të krijojnë e të zhvillojnë një aktivitet normal si të gjithë ne”.

Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Blendi Fevziu, falënderoi të gjitha strukturat që e bënë të mundur këtë përfaqësim të Shqipërisë, si dhe vlerësoi shembullin që jep kjo skuadër në tejkalimin e sfidave nëpërmjet futbollit.

“Meqenëse është një moment i veçantë që një përfaqësi e Shqipërisë po shkon të luajë në Houston, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të doja të falënderoja, së pari, të gjitha shoqatat e të rinjve me aftësi të kufizuara, mbi të gjitha për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm. Kjo tregon, së pari, se nuk ka pamundësi në jetë, pra se gjithçka është e mundur, dhe, së dyti, se futbolli është gjithëpërfshirës, si për ata që stërviten çdo ditë në futbollin profesionist, ashtu edhe për ata që janë amatorë, por edhe për këta të rinj që kanë pasur një vështirësi në jetën e tyre dhe përpiqen ta tejkalojnë pikërisht nëpërmjet futbollit. Falënderoj të gjitha shoqatat, falënderoj ministren dhe, natyrisht, përfaqësuesit e Federatës, të cilët kanë arritur t’i përfshijnë dhe t’i angazhojnë këta të rinj në strukturat e tyre, të cilët duhet të ndihen të barabartë me të gjithë të tjerët”.

Pjesëmarrja në “Genuine Cup 2026” është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet FSHF-së dhe Shoqatës ndër vite. Përmes këtij angazhimi është bërë i mundur krijimi, zhvillimi dhe mbështetja e këtij ekipi, duke u ofruar personave me aftësi të kufizuara intelektuale mundësinë të jenë pjesë aktive e futbollit dhe të përfaqësojnë Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare.

Ky projekt pasqyron angazhimin e FSHF-së për një futboll gjithëpërfshirës, ku secili ka mundësinë të luajë, të zhvillohet dhe të ndihet pjesë e komunitetit, pavarësisht aftësive apo sfidave që ka. Mesazhi është i qartë: futbolli është për të gjithë, pa dallime dhe pa kufizime, duke promovuar barazinë, përfshirjen dhe respektin për çdo individ.

Zjarr i madh pranë Madridit, përfshihen në flakë 700 hektarë me pyje

By: e xh
17 July 2026 at 20:32

Pamjet e publikuara me dron nga zjarrfikësit e Madridit të premten tregojnë pasojat e zjarrit pyjor që detyroi evakuimin dhe izolimin e banorëve në veri të kryeqytetit spanjoll.

Një burrë u arrestua të enjten (16 korrik), nën dyshimin se i vuri qëllimisht zjarrin që shpërtheu në komunën Lozoyuela, bëri të ditur për radion Cadena SER përfaqësuesi i qeverisë në Madrid.

Deri të premten, zjarri mbeti jashtë kontrollit, ndërsa autoritetet po monitoronin me kujdes kushtet e motit, të cilat konsiderohen faktor kyç në përpjekjet për vënien e flakëve nën kontroll.

Zjarri pyjor ka përfshirë rreth 700 hektarë sipërfaqe në zonën e Lozoyuelas.

Agjencia Meteorologjike e Spanjës (AEMET) paralajmëroi se temperaturat do të fillojnë të rriten sërish nga e shtuna, ndërsa në disa pjesë të brendshme të Andaluzisë pritet të kalojnë 40 gradë Celsius.

Shefi i CIA: Trupat e Putin nuk rezistojnë më shumë se 30 minuta në fushën e betejës

By: e xh
17 July 2026 at 19:32

Jetëgjatësia mesatare për një ushtar rus në Ukrainë është midis 20-30 minutash, sipas drejtoriy të CIA-s, John Ratcliffe.

Duke folur në një samit të mbrojtjes në Pensilvani, ai ia atribuoi kushtet vdekjeprurëse për forcat e Vladimir Putinit dronëve luftarakë të Ukrainës të pajisur me inteligjencë artificiale, shkruan Sky News.

“Ajo që do të thoja është se inteligjenca jonë është në përputhje me disa nga raportimet me burim të hapur që mund të keni parë në Ukrainë”, tha Ratcliffe.

“Pra, jetëgjatësia mesatare e një rekruti rus, që mbërrin tani në fushën e betejës në Ukrainë, vlerësohet të jetë midis 20 dhe 30 minutash.”

“Dhe kjo për shkak se dronët e mundësuar nga inteligjenca artificiale janë bërë makina vrasëse kaq të specializuara dhe me kosto të ulët. Dhe kjo është arsyeja pse tani jemi katër vjet e gjysmë në atë konflikt”, shtoi Ratcliffe.

Ukraina tha këtë muaj se Rusia ka humbur rreth 1.4 milion ushtarë që nga fillimi i pushtimit të saj në shkallë të plotë, me mbi 1,000 trupa të Kremlinit të vrarë ose të plagosur pothuajse çdo ditë.

Në maj, ministria e mbrojtjes e Ukrainës tha se po vriste afërsisht 200 ushtarë rusë për çdo kilometër territor që Moska pretendonte.

Botërori/ Presidenti i Argjentinës nuk shkon në SHBA: S’dua t’i sjell ters ekipit

By: e xh
17 July 2026 at 17:41

Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, ka vendosur të mos jetë i pranishëm në stadium për finalen e Kupës së Botës 2026 ndaj Spanjës (19 korrik, 21:00), duke zgjedhur të mos ndryshojë rutinën që, sipas tij, i ka sjellë fat kombëtares gjatë gjithë turneut.

Kreu i shtetit argjentinas i ka ndjekur të shtatë ndeshjet e ‘Albicelestes’ nga rezidenca presidenciale në Olivos dhe ka konfirmuar se do të veprojë njësoj edhe në finalen e madhe. “Do të vazhdoj t’i shoh të gjitha ndeshjet nga Olivos”, deklaroi Milei, duke hequr dorë nga mundësia për ta ndjekur sfidën në stadium përkrah presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.

Milei zbuloi edhe një nga besëtytnitë e tij gjatë këtij Botërori. Ai tregoi se ka veshur të njëjtën xhaketë në çdo ndeshje të Argjentinës, pasi në momentin që e hoqi gjatë sfidës ndaj Zvicrës, kundërshtarët arritën të shënonin gol.

Besëtytnitë janë pjesë e traditës së futbollit në Argjentinë dhe njihen si “cábalas”. Tifozët, por edhe figura publike, shpesh ruajnë të njëjtat rituale gjatë gjithë turneut, me bindjen se ato ndikojnë në fatin e ekipit.

Vendimi i Mileit lidhet edhe me një precedent historik. Që prej Botërorit të vitit 1990, shumë presidentë argjentinas kanë shmangur praninë në ndeshjet vendimtare të kombëtares. Kjo traditë lindi pasi vizita e presidentit të atëhershëm Carlos Menem para humbjes ndaj Kamerunit u konsiderua nga tifozët si ogur i keq, duke i vendosur atij etiketën “mufa”, një term që në Argjentinë përdoret për personat që besohet se sjellin ters.

Trump vendosi tarifa 25 përqind ndaj mallrave, Brazili: Nuk do t’i nënshtrohemi SHBA

By: e xh
17 July 2026 at 16:31

Brazili nuk do të bëjë lëshime ndaj Shteteve të Bashkuara dhe do të vazhdojë të mbrojë sovranitetin e vet ekonomik dhe politik, tha Presidenti Luiz Inacio Lula da Silva pasi Uashingtoni njoftoi tarifa të reja për mallrat braziliane.

“Brazili do të luftojë për sovranitetin e tij pa hezitim”, shkroi ai në rrjetin social X.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, njoftoi të mërkurën se vendi i tij po vendoste tarifa prej 25% për shumicën e mallrave të dërguara nga Brazili. Ministri i Jashtëm brazilian, Mauro Vieira, tha se Uashingtoni po i bënte ultimatume vendit të tij, duke kërkuar akses të lirë në tregun e brendshëm të vendit të Amerikës Jugore.

Messi dhe Yamal, të lidhur nga numri 19. Rastësia që po mahnit botën e futbollit

By: e xh
17 July 2026 at 14:31

Lionel Messi dhe Lamine Yamal do të përballen për herë të parë në karrierën e tyre në një finale të Kupës së Botës, por përpara këtij dueli mes dy gjeneratave të futbollit ekziston një seri e çuditshme përputhjesh që lidhen me numrin 19.

Rrugët e tyre u kryqëzuan për herë të parë 19 vite më parë, në një set fotografik të famshëm, ku një Messi i ri shfaqet duke larë një Lamine Yamal foshnjë. Fotografia u bë virale vite më vonë dhe tani ka marrë sërish vëmendje të jashtëzakonshme, pasi dy protagonistët e saj do të përballen në skenën më të madhe të futbollit: finalen e Botërorit.

Por përputhjet nuk ndalen këtu. Të dy lojtarët debutuan në Kupën e Botës në moshën 19-vjeçare. Messi e bëri këtë në Botërorin e vitit 2006, ndërsa Yamal në edicionin aktual, ku të dy kishin mbushur 19 vjeç gjatë turneut.

Një tjetër detaj interesant është se të dy kanë mbajtur fanellën me numrin 19 në Botëror. I njëjti numër që të dy e kanë veshur edhe te Barcelona. Messi nisi aventurën e tij me numrin 30, por më pas kaloi te 19-ta, ndërsa Yamal e mbajti këtë numër përpara se të merrte fanellën ikonike me numrin 10, atë që Messi e kishte mbajtur për shumë vite në klubin katalanas.

Dhe për t’i shtuar edhe më shumë mister kësaj historie, finalja ku Messi dhe Yamal do të luftojnë për titullin botëror do të zhvillohet më 19 korrik.

Këto përputhje kanë bërë që shumë tifozë në rrjetet sociale të flasin për një “magji të numrit 19”, duke kujtuar edhe filmin “23” të Joel Schumacher me Jim Carrey, ku protagonisti ishte i fiksuar pas një numri të caktuar. Ironikisht, ai film u publikua… 19 vite më parë.

Anglia ndalon shitjen e pijeve me përmbajtje kafeine për personat nën 16-vjeç

By: e xh
17 July 2026 at 14:23

Shitja e pijeve energjike me përmbajtje të lartë kafeine për fëmijët nën moshën 16 vjeç do të ndalohet në Angli duke filluar nga prilli i ardhshëm, sipas legjislacionit të ri qeveritar që synon përmirësimin e shëndetit të fëmijëve.

Në një deklaratë të qeverisë britanike thuhet se ligji do ta bëjë të paligjshme shitjen e pijeve energjike që përmbajnë më shumë se 150 miligramë kafeinë për litër për këdo nën moshën 16 vjeç.

Kufizimi do të zbatohet në të gjitha pikat e shitjes me pakicë, përfshirë supermarketet, dyqanet e lagjes, restorantet, kafenetë, makinat automatike të shitjes dhe shitësit online.

Sipas qeverisë, rreth 100 mijë fëmijë në Angli konsumojnë çdo ditë pije energjike me përmbajtje të lartë kafeine.

Zyrtarët thanë se provat tregojnë se konsumimi i rregullt mund të ketë efekte negative në shëndetin fizik dhe mendor të fëmijëve, si dhe të ndikojë në gjumin, përqendrimin dhe performancën në arsim.

Qeveria tha gjithashtu se fëmijët që jetojnë në komunitete më të varfra kanë më shumë gjasa t’i konsumojnë këto pije, duke rritur rreziqet për shëndetin dhe duke ndikuar potencialisht në të nxënit e tyre.

Ministrja e Shëndetit Publik, Sharon Hodgson, tha në një deklaratë se pijet energjike me përmbajtje të lartë kafeine “nuk kanë vend në duart e fëmijëve” dhe se provat tregojnë se ato mund të kontribuojnë në ankth, gjumë të dobët dhe ulje të përqendrimit.

Ndalimi vjen pas një konsultimi publik që mori afro 1.100 përgjigje nga bizneset, organizatat e shëndetit publik, organet zbatuese dhe qytetarët.

Legjislacioni do të zbatohet për të gjitha pijet, me përjashtim të çajit dhe kafesë.

SHBA kufizon vizat për studentët dhe gazetarët, hyjnë në fuqi rregullat e reja

By: e xh
17 July 2026 at 13:40

Administrata Trump ka vendosur të enjten ta shkurtojë kohëzgjatjen e vizave për studentët e huaj, pjesëmarrësit në programet e shkëmbimit arsimor dhe gazetarët.

Rregullorja e re përfundimtare e Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS) përcakton një periudhë fikse qëndrimi për vizat F (për studentët ndërkombëtarë), vizat J (që u lejojnë pjesëmarrësve në programet e shkëmbimit kulturor të punojnë në SHBA) dhe vizat I (për përfaqësuesit e mediave).

Aktualisht, këto viza janë të vlefshme për të gjithë kohëzgjatjen e programit të studimit ose të punësimit në SHBA.

Sipas rregullave të reja, periudha e vlefshmërisë për vizat e studentëve dhe të shkëmbimit nuk do të jetë më e gjatë se katër vjet.

Viza për gazetarët – e cila aktualisht mund të zgjasë për vite me radhë – do të kufizohet në 240 ditë, ose 90 ditë në rastin e shtetasve kinezë.

Rregullorja do të hyjë në fuqi 60 ditë pas publikimit në Regjistrin Federal, nëse nuk pengohet nga procesi i shqyrtimit në Kongres.

Presidenti Donald Trump nisi një fushatë të gjerë kundër emigracionit menjëherë pasi mori detyrën në janar 2025.

Administrata e tij ka shtuar kontrollin ndaj emigracionit të ligjshëm, duke revokuar vizat studentore dhe kartat e gjelbra (green cards) të studentëve universitarë për shkak të pikëpamjeve të tyre ideologjike dhe duke u hequr statusin ligjor qindra mijëra emigrantëve.

Veprimi më i fundit do të krijojë pengesa të reja për studentët ndërkombëtarë, punonjësit e programeve të shkëmbimit dhe gazetarët e huaj.

Sipas DHS, mbajtësit e këtyre vizave do të kenë mundësi të aplikojnë për zgjatje të afatit të qëndrimit.

Kufizime të reja për studentët

Rregullorja ua ndalon studentëve të ciklit pasuniversitar t’i ndryshojnë qëllimet e tyre arsimore në çfarëdo kohe, ose të transferohen në një universitet tjetër pa autorizim.

Gjithashtu, ajo përgjysmon afatin që studentët kanë për t’u larguar nga Shtetet e Bashkuara pas përfundimit të studimeve ose trajnimit, nga 60 ditë në 30 ditë.

“Shumica e amerikanëve e kuptojnë vlerën e mirëpritjes së studentëve ndërkombëtarë dhe të eliminimit të burokracive të panevojshme”, tha Doug Rand, ish-zyrtar i DHS.

“Kjo rregullore do të bëjë pikërisht të kundërtën”.

David J. Bier, drejtor i studimeve mbi emigracionin në Institutin Cato, tha se nuk ekziston asnjë bazë ligjore për kufizimet e reja që lidhen me studimet dhe transferimin e studentëve.

“Studentët ndërkombëtarë, shumë prej të cilëve do të kenë kaluar vite në SHBA, tani do të kenë vetëm 30 ditë kohë për të gjetur një punëdhënës që t’u sponsorizojë vizën ose, përndryshe, do të konsiderohen menjëherë si emigrantë të paligjshëm. A nuk e kuptojnë këta njerëz se si funksionon jeta?” shtoi ai.

Në njoftimin e tij, Departamenti përmendi rritjen e ndjeshme të numrit të këtyre vizave.

Sipas DHS, në vitin 2024 u regjistruan më shumë se 1.8 milionë hyrje me vizë studentore, një rritje prej mbi 11% krahasuar me një vit më parë.

Ky ndryshim në vizat studentore pritet t’i prekë edhe kosovarët që shkojnë për të studiuar në SHBA.

Çdo vit regjistrohen deri në 200 studentë nga Kosova në universitete në SHBA, sipas raporteve të Open Doors, të publikuar nga Instituti i Arsimit Ndërkombëtar (IIE).

Në vitin e kaluar u regjistruan 190 studentë nga Kosova, sipas raportit të fundit.

Gjithashtu, SHBA lëshoi viza për më shumë se 500.000 pjesëmarrës në programet e shkëmbimit dhe për 37.300 përfaqësues të mediave gjatë vitit fiskal 2024, i cili filloi më 1 tetor 2023.

DHS tha se rritja e konsiderueshme e numrit të këtyre vizitorëve “paraqet sfidë për aftësinë e Departamentit për të monitoruar dhe mbikëqyrur këta joemigrantë gjatë qëndrimit të tyre në Shtetet e Bashkuara”.

Departamenti shtoi se ka shumë raste të studentëve dhe pjesëmarrësve në programet e shkëmbimit që kanë qëndruar për dekada në SHBA me këto lloj vizash.

Sipas rregullave të reja, mbajtësit e vizave që dëshirojnë të qëndrojnë në SHBA edhe pas përfundimit të periudhës së lejuar të qëndrimit do të duhet të aplikojnë pranë DHS për zgjatje të afatit ose të largohen nga vendi dhe të rikthehen sërish për të marrë një leje të re hyrjeje./REL

“Dyfisho Sipërmarrjen”/Rama: Me financime deri në 2 mln euro, përkrahim sipërmarrjet

By: e xh
17 July 2026 at 13:33

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim më aktorë të sipërmarrjes dhe sistemit bankar në vend për promovuar dhe diskutuar ecurinë e programit të iniciuar nga Qeveria, “Dyfisho Sipërmarrjen tëndë”.

Shefi i ekzekutiit, theksoi ky program ka për qëllim përkrahjen financiare të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, për rritjen e tyre në një nivel tjetër. Me një tavan financimi prej 2 milionë eurosh, Rama theksoi se sipërmarrjet e mëdha janë të përjashtuara nga përfshirja në program.

“Ajo që ne synojmë me këtë program është që t’u japim krah ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të dyfishohen. Ato që janë të mesme të rriten dhe të bëhen thuajse të mëdha, ato që janë të vogla të bëhen të mesme”,- tha Rama.

Kreu i qeverisë vuri në pah rëndësinë themelore që ka përfshirja dhe gatishmëria e Bankës së Shqipërisë në implementimin e suksesshëm të programit “Dyfisho Sipërmarrjen tënde”.

“Ka qenë themelore që ne, nga ana jonë si qeveri e Shqipërisë, të kishim bashkëpunimin dhe vullnetin e Bankës së Shqipërisë dhe pastaj edhe të bankave të nivelit të dytë, që të paktën me fjalë na kanë garantuar që do të bëjnë pjesën e tyre si duhet për suksesin e këtij programi. Them të paktën me fjalë, sepse bankat janë futur në një zonë komforti të jashtëzakonshme, sepse, ndryshe nga të gjithë të tjerët që luftojnë për të fituar, bankat fitojnë pa luftuar”,- tha Rama.

Për perfeksionimin e programit, Rama tha se në vijim do të angazohen eskpertë ndërkombëtarë.

“Duke qenë se bankat kanë një kalvar të vjetër justifikimesh që i përdorin, dhe një ndër to është se planet e biznesit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nuk janë mjaftueshëm të arritura dhe bindëse, ne kemi angazhuar ekspertizë të padiskutueshme, që është Zyra e Kombeve të Bashkuara në Tiranë, përmes së cilës do të angazhojmë ekspertë ndërkombëtarë dhe do të kemi një grup të gatshëm për të asistuar bizneset që kanë ide interesante, të cilat kanë një plan të besueshëm, por nuk kanë kapacitetin për ta përkthyer në një projekt bindës për bankën. Dhe ky grup i gatshëm do të jetë në dispozicion të të gjithë bizneseve, ndërkohë Ministria e Ekonomisë do të bëjë punën e vet për të garantuar koordinimin midis subjekteve të biznesit dhe grupit të ekspertëve”,- tha Rama.

Për informimin i sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vend për ekzistencën e këtij programi, Rama tha se do të realizohet një fushatë reklamimi në mënyrë kapilare në mbarë vendin.

“Është planifikuar një cikël takimesh në territor për të takuar bizneset e interesuara që të përfshihen në këtë program. Nuk është vetëm Ministria e Ekonomisë, këtu është një skuadër që ka objektiva të përbashkëta. Pa diskutim, Ministria e Financave ka qenë kyçe dhe dua të falënderoj edhe ministrin”,- tha Rama.

Rama theksoi se qeveria është gati që të shkojë deri në 1 miliard euro mbështetje.

“Është krijuar një kompani interesante prsh, me djem 30 vjeç e poshtë dhe që bëjnë çobanin. Ai që e ka krijuar më tha se punëtorë kam, idenë e kam, por donte më shumë para. Edhe në Fier ka një kompani, që merret me produkte kozmetike. Kanë të njëjtin problem, atë të financimit. Ka ndërmarrje dhe në fushën e teknologjisë. Edhe këto kanë nevojë për financim për t’u rritur, për t’u dyfishuar apo shumëfishuar. Programi ka një tavan prej 2 milionë eurosh, që është shumë e konsiderueshme dhe do ketë gjithë mbështetjen tonë në mënyrë sistematike. Do ngremë një Task Forcë, për të parë se ku programi ka nevojë për më shumë ndërhyrje nga ana ekonomike.

Njerëzit tashmë janë mësuar me suksesin dhe nuk bëjnë krahasim me të shkuarën. Jemi në një fazë të re të zhvillimit, ku qeveria ndihmon aty ku duhet. Ky është një instrument, që qeveria përdor, për të ndihmuar bizneset edhe psikologjikisht. Ne jemi gati të shkojmë deri në 1 miliard euro mbështetje. 1 miliard euro për sipërmarrjen e vogël dhe të mesme, që askush mos të thotë se nuk kam mbështetje financiare, për të bërë plan. Ama duhet të ketë plan. Këto janë para njësoj si ato që vijnë nga BE. Kushdo që ka një ide biznesi, të aplikojë e do marrë 2 milionë euro me kredi me interes vetëm 2-3 përqind”, u shpreh kreu i qeverisë.

Shkodër, guri shkëputet nga një masiv shkëmbor dhe bie mbi makinën me turistë

By: e xh
17 July 2026 at 12:56

Një ngjarje që mund të kishte përfunduar në tragjedi është ‘shmangur’ për mrekulli në rrugën drejt Thethit, në Shkodër.

Një gur i madh është shkëputur nga një masiv shkëmbor në zonë, duke rënë mbi një automjet me të cilin po udhëtonin një grup turistësh.

Report Tv ka siguruar pamjet nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që fatmirësisht grupi i turistëve ka shpëtuar pa asnjë lëndim.

Rrëshqitja e gurëve dhe masiveve shkëmbore është kthyer në një problem në disa prej rrugëve të Shqipërisë, ku gjatë kohëve të fundit problematika janë shënuar kryesisht në qarkun e Elbasanit.

I nxehtë ekstrem dhe thatësirë, Holanda thirrje qytetarëve: Mos e shpërdoroni ujin

By: e xh
17 July 2026 at 12:53

Holanda përballet zyrtarisht me mungesë uji, njoftoi Ministria e Infrastrukturës dhe Menaxhimit të Ujërave, duke sinjalizuar në këtë mënyrë përkeqësimin e situatës si pasojë e thatësirës dhe temperaturave të larta.

Komiteti Kombëtar për Koordinimin e Shpërndarjes së Ujit, LCW, rekomandoi ngritjen e alarmit në nivelin e dytë për mungesë e ujit, e për rrjedhojë, autoritetet dhe kompanitë e furnizimit po shqyrtojnë mënyra të reja për menaxhimin dhe shpërndarjen e rezervave ujore, edhe pse masat konkrete ende nuk janë bërë publike.

Qeveria holandeze insistoi se furnizimi me ujë të pijshëm mbetet i qëndrueshëm, por u bën thirrje qytetarëve ta përdorin atë me kursim dhe të shmangin çdo lloj shpërdorimi. Sipas autoriteteve, pasojat e para të mungesës së ujit pritet të ndihen në transportin lumor, industri dhe bujqësi. Rënia e nivelit të lumenjve po e vështirëson lundrimin, duke detyruar anijet të transportojnë më pak ngarkesë për të shmangur ngecjen. Ndërkohë, fabrikat mund të përballen me kufizime në përdorimin dhe shkarkimin e ujit për ftohje, pasi ulja e nivelit të lumenjve rrisin temperaturën e ujit.

Në fillim të korrikut, Holanda u vendos në nivelin e parë të paralajmërimit për mungesë të mundshme uji. Tashmë vendi ka kaluar në nivelin e dytë të alarmit, ndërsa niveli i tretë do të nënkuptonte shpalljen e një krize të plotë ujore. Nivelet e ujit në lumenj kanë vijuar të bien si pasojë e mungesës së reshjeve dhe vapës së zgjatur.

Në disa rajone, kanalet dhe përrenjtë janë tharë plotësisht, ndërsa autoritetet po përgatitin masa shtesë, përfshirë përdorimin e digave dhe pompave, për të garantuar furnizimin me ujë të pijshëm gjatë muajve në vijim.

Hoxha takon Gjuriç: Deklaratat e ministres serbe për Kosovën janë të papranueshme

By: e xh
17 July 2026 at 12:50

Gjatë qëndrimit të tij në Uashington, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha u takua në margjinat e Ministerialit për ​​rikthimin e terrorizmit politik me Ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç.

Të dy ministrat shkëmbyen mendime mbi zhvillimet aktuale dhe perspektivat e ardhshme.

Në një postim në rrjetin social X, Hoxha njoftoi se gjatë takimit ripërsëriti qëndrimin e Shqipërisë në lidhje me deklaratat e papranueshme të një anëtareje të Qeverisë së Serbisë për Kosovën.

“Gjithashtu përsërita qëndrimin e qartë dhe të vendosur të Shqipërisë në lidhje me deklaratat e papranueshme dhe të papërgjegjshme të bëra së fundmi të një anëtareje të Qeverisë së Serbisë, si dhe theksova nevojën për të hedhur poshtë pa mëdyshje, retorikën që nxit tensionet, minon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal dhe që bie ndesh me frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane”, thekson Ministri i Jashtëm.

“Kjo është ajo që përfaqëson diplomacia: angazhimi në dialog të hapur, shikimi i njëri-tjetrit në sy, përballja me realitetin dhe adresimi i dallimeve me përgjegjësi”, shkruan Hoxha.

Irani raporton 38 viktima dhe mbi 400 të plagosur nga sulmet amerikane

By: e xh
17 July 2026 at 12:07

Ministria iraniane e Shëndetësisë ka njoftuar se 38 persona janë vrarë dhe më shumë se 400 të tjerë janë plagosur që nga 22 qershori, si pasojë e sulmeve amerikane ndaj Iranit.

Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i të plagosurve ka kaluar mbi 400, ndërsa mes viktimave janë edhe tre gra dhe një i mitur.

Autoritetet iraniane raportuan gjithashtu për viktima të tjera nga sulmet ndaj urave në Bandar Hamir, një qytet port në jug të Iranit. Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, shtatë persona humbën jetën në këto sulme, duke cituar të dhënat e Universitetit të Shkencave Mjekësore Hormozgan.

Ndërkohë, Kina dhe Pakistani kanë bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit dhe rikthimin në tryezën e negociatave.

Ministrat e Jashtëm të Kinës dhe Pakistanit, Wang Yi dhe Ishaq Dar, gjatë një takimi në Shangai, shprehën shqetësimin për përshkallëzimin e situatës dhe kërkuan që palët të ndërpresin armiqësitë dhe të rifillojnë dialogun.

Tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit vijojnë të rriten, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po bën thirrje për uljen e përshkallëzimit dhe shmangien e një konflikti më të gjerë në rajon.

Beqaj: SPAK pranoi se mu cenuan të drejtat gjatë hetimeve

By: e xh
17 July 2026 at 12:05

Pasi SPAK refuzoi 23 kërkesat e Ilir Beqajt i cili kundërshtonte akuzën dhe veprimet proceduriale të organit hetues, duke i cilësuar të pabazuara në ligj, ish-ministri deklaroi në seancën gjyqësore se SPAK ka pranuar se gjatë fazës së hetimeve që i janë cenuar të drejtat procedurale, duke pretenduar se kjo është reflektuar në përgjigjet e organit të akuzës ndaj kërkesave të tij.

Beqaj u shpreh se ende nuk ka qartësi mbi akuzat që rëndojnë ndaj tij dhe se kjo, sipas tij, e vështirëson mbrojtjen. Ai akuzoi prokurorët se po shkelin të drejtat procedurale dhe tha se kallëzimi mbi të cilin është ngritur çështja bazohet në pyetje, çka sipas tij duhej të ishte refuzuar.

Ish-ministri pretendoi gjithashtu se në periudhën 2019-2020 nuk janë kryer veprime hetimore paraprake dhe kërkoi që SPAK të sqarojë se cili laborator është përdorur për ekspertizat, si edhe nëse ai është i certifikuar.

Nga ana tjetër, avokati i Beqajt kërkoi kohë për t’u njohur me arsyetimin e përgjigjeve të SPAK lidhur me 23 kërkesat e paraqitura nga i pandehuri, përpara vijimit të shqyrtimit të çështjes.

“Faleminderit organit akuzës për përgjigjet. Pranoi që në fazën e hetimeve m’i ka cenuar hapur të drejtat e mia dhe kjo përgjithësisht në 10 kërkesat e para. Sot përsëri unë kam vështirë të bëjë mbrojtjes, nga SPAK nuk u nda që të ketë një konfirmim mbi qartësinë e akuzës, sot u përdor nga prokurorët për të dyja qëndrimet mbi akuzat. Unë kam kuptuar rreth 3 vjet që merrem që kodi i procedurës është garanci organi i akuzës është detyrim, sot me sa kuptoj prokurorët kanë fituar pavarësinë ndaj drejtuesit të prokurorisë, se dikur bën ok ça thoshte titullari, dikur vareshin prej tij por këtë pavarësi e përdorin sot për të shkelur të drejtat proceduriale dhe bëjnë çfarë të duan pas reformës në drejtësi. Vetë SPAK pranoi se kallëzimi bazohet në pyetje, ka kallëzim me pyetje? Ndaj duhej të refuzohej. Të paktën në dosje nga 2019-2020, nuk ka asnjë veprim hetimor, janë zero veprimet paraprake. Njoftimi i akuzës thotë deri në këtë fazë të hetimeve, nuk u tha përgjigje pse është kjo deri më këtë fazë të hetimeve. Nuk besoj se ka vjedhje para se të shkruhet kontrata, mund të ndodhin vepra të tjera penale. Kur më akuzon më thuaj një shifër ir-je nga 5 që pretendon.

Për laboratorin që kam pretenduar se është i pacertifikuar. I kërkoj gjykatës të urdhëroj SPAK të sjellë cila ISP u përdor nga laboratori i SPAK dhe a është i certifikuar

Organi i akuzës thotë se kjo është akuza ndaj teje por disa gjëra që janë këtu nuk janë të sakta, merre pra ndaje, dhe kjo s’është çështje themeli”, tha Beqaj.

Rama uron kryeministrin e ri të Ukrainës: Shqipëria qëndron fuqimisht në krahun tuaj

By: e xh
17 July 2026 at 10:37

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar publikisht kryeministrin e ri të Ukrainës, Serhii Koretskyi, pas emërimit të tij zyrtar nga parlamenti ukrainas (Verkhovna Rada).

Përmes një mesazhi në platformën sociale “X”, kreu i qeverisë shqiptare i uroi suksese homologut të tij të ri në këtë detyrë sfiduese, duke konfirmuar edhe një herë qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë në mbështetje të lirisë, sovranitetit dhe paqes së drejtë në Ukrainë.

“Urime Kryeministrit Serhii Koretskyi për emërimin e tij nga Verkhovna Rada e Ukrainës.

I uroj suksese të plota në këtë detyrë të rëndësishme, teksa i bashkohet Presidentit Volodymyr Zelenskyy në udhëheqjen e Ukrainës gjatë një prej periudhave më të vështira të historisë së saj, me guxim, qëndrueshmëri dhe vendosmëri.

Shqipëria qëndron fuqimisht në krah të Presidentit Zelenskyy, Qeverisë së Ukrainës dhe popullit ukrainas në luftën e tyre për liri, sovranitet, si dhe për një paqe të drejtë e të qëndrueshme”, shkroi Rama.

Sarandë/ Oficeri i Policisë përfshihet në sherr me disa persona

By: e xh
17 July 2026 at 09:37

Një oficer i Komisariatit të Policisë Sarandë është përfshirë në një konflikt fizik mbrëmjen e së enjtes në qytet, ndërsa policia ka zhvilluar kontrolle të shumta dhe ka shoqëruar disa persona në kuadër të hetimeve.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 3 të Sarandës. Sipas informacioneve paraprake, oficeri i krimeve Mihal Velço po lëvizte me motor kur është përballur me një grup personash. Fillimisht mes palëve ka pasur fyerje dhe kanosje verbale, ndërsa më pas situata ka degraduar në përplasje fizike.

Nga të dhënat paraprake, dyshohet se bëhet fjalë për një konflikt të çastit dhe jo për një sulm të planifikuar ndaj efektivit të policisë. Megjithatë, rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende nën hetim.

Pas incidentit, forca të shumta policie zhvilluan kontrolle në zona të ndryshme të qytetit deri në orët e para të mëngjesit. Gjatë operacionit janë kontrolluar banesa, lokale dhe ambiente publike, ndërsa disa persona janë shoqëruar dhe marrë në pyetje.

Deri në këtë fazë nuk ka informacion zyrtar për identifikimin apo arrestimin e autorëve të dyshuar, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Vrasja e Santiago Malko, Apeli lë në fuqi dënimin 28 vite burg për Ilir Selmanin

By: e xh
17 July 2026 at 09:25

Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi dënimin prej 28 vitesh burgim për Ilir Selmanin, i shpallur fajtor si pjesë e grupit kriminal që ekzekutoi ish-policin Santiago Malko. Selmani nuk u paraqit në seancë. Tashmë, nga arresti në shtëpi, ai duhet të dërgohet në një burg të sigurisë së lartë.

Kujtojmë se Selmani u lirua pak kohë më parë në “arrest shtëpie”, për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit.

Selmani është shpallur fajtor nga GJKKO për ekzekutimin e Santiago Malkos më 19 gusht 2019. Disa ditë më parë, pranë banesës së tij që ruhet nga forca të shumta policie, u arrestua me armë Emiljano Nina, një prej personave më të afërt të Ervis Martinajt. Ky episod çoi hetuesit të dyshojnë se po tentohej një atentat për hakmarrje.

SHBA: Përfundon vala e fundit e sulmeve të mëdha ndaj Iranit

By: e xh
17 July 2026 at 08:40

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka njoftuar se ka përfunduar valën e saj të fundit të sulmeve të mëdha kundër Iranit.

CENTCOM tha se aeroplanë luftarakë, dronë ajrorë dhe anije luftarake kishin lëshuar municione në dhjetëra objektiva ushtarake iraniane, me sulmet që përfunduan në orët e hershme të mëngjesit.

Në një deklaratë, Komanda Qendrore tha se kishte goditur objektiva duke përfshirë mbikëqyrjen bregdetare dhe vendet e mbrojtjes ajrore, infrastrukturën logjistike ushtarake dhe aftësitë detare.

Ndryshe, më herët u raportua se SHBA kishte goditur të paktën dy ura në Iranin jugor.

Është e mundur që Uashingtoni mund t’i ketë konsideruar këto ura si “infrastrukturë logjistike ushtarake”.

Kjo ishte nata e gjashtë radhazi e sulmeve amerikane kundër Iranit.

❌
❌