Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayCitizens.al

Në “The Albanian Files” gjendet Shqipëria që po vizaton Edi Rama

22 June 2026 at 17:52

Ketë javë kam lexuar një libër që shumë qytetarë nuk ja dinë ekzistencën. Një botim i rëndë prej 800 faqesh, ku pas kopertinës dikush ka shkruar, me dorën e Kryeministrit, “… nga një vrasës Flamingosh”.

Ndërsa shfletoj, pak më tutje dëgjohen thirrjet e mijëra njerëzve që marshojnë çdo ditë, disa prej tyre me flamingo në duar, shpendi që u bë simbol i çdo gjëje që kjo qeveri dhe kastë politike i ka zhvatur dhe shkatërruar vendit. Kryeministri e di mirë këtë, e megjithatë prapë zgjodhi t’i shkruajë ato fjalë.

Se si më ra në dorë ky libër është më vete një histori e shkurtër, që tregon një fotografi të qartë të Shqipërisë që ai po pikturon.

3 Qershor. Festivali “Bread&Heart” (Bukë dhe Zemër), hap edicionin e dytë këtë mbrëmje. Axhenda nis në orën 18:00, me një ekspozitë në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), galerinë që Rama ka krijuar brenda kryeministrisë, me paratë e taksapaguesve, projektuar nga 51N4E, një nga 60 studiot për të cilat do thellohemi më tej. Performanca fillon, në një skenë të cilën performuesit e kanë ndërtuar për veten.  

Në orën 19:00, të ftuarit, kryesisht arkitektë të huaj, do shkojnë tek Vila e Kuqe. Në program premtohet “mikpritje shqiptare” dhe prezantimi i librit “The Albanian Files” (Dosjet e Shqipërisë), i redaktuar nga Anneke Abhelakh. Libri përmban nga një kapitull për secilën nga 60 studiot ndërkombëtare të arkitekturës që po punojnë në Shqipëri.

Në të njëjtën kohë, me në sfond muret e kuqe të vilës, Kryeministri Rama po jep një intervistë për CNN, ku i nervozuar po i përgjigjet pyetjeve të gazetares mbi resortin në Nartë dhe protestat masive që kanë nisur prej katër ditësh. “Nuk ka projekt”, thotë me tone kërcënuese, “janë lajme të rreme, Shqipëria është nën një sulm hibrid nga ata që nuk duan të shohin ç’po ndodh vërtetë këtu”. Aty nis të tregojë se ç’po ndodh vërtetë pas shpinës së tij. “Qindra nga arkitektët më të mirë të botës janë këtu sot, prej këtij libri, kaq të trashë, plot me projektet e Shqipërisë së re që shumë njerëz nuk e duan të ndodhë”.

Në një shpërthim emocional, si orvatje për të justifikuar dhe relativizuar atë që planifikohet në Nartë,  na tregoi për herë të parë, diçka më të madhe se Narta. Vizionin e tij për Shqipërinë…

9 Qershor. Dita e dhjetë e protestave. Pasi kisha ndjekur intervistën e Kryeministrit për CNN, u takova me një grup gazetarësh evropianë që po vizitonin Shqipërinë. I pyeta, gjysmë me shaka, nëse dikush prej tyre mund ta ngacmojë Kryeministrin për librin e kuq, ju thashë që mendoj se edhe shqiptarët kanë të drejtë ta lexojnë. Një prej tyre, gazetarja irlandeze Flor Mac Carthy ia bëri këtë pyetje drejtpërdrejt pak orë më pas. Shkëmbimi mes tyre gjendet si “livestream” në faqen e Kryeministrit, i xhiruar dhe i montuar nga ekipi i tij i PR. Ai thotë se nuk e di se ç’po ndodh tamam me shpërndarjen dhe se nuk ka nga një kopje për të gjithë gazetarët e pranishëm. Pasi e pyet pse mendon se ajo e meriton ta ketë këtë libër tani, vendos t’i japë kopjen e tij.

Në një shfaqje për kamerat, ai nënshkruan: “Për lulen time irlandeze, nga një vrasës flamengosh”, duke shtuar se shpreson që bashkëshorti i saj të mos e keqkuptojë. Më vonë, Flor Mac Carthy më tha që u ndje në siklet nga gjithë situata, por ma dhuroi librin duke shtuar se e bëri për gazetarët shqiptarë, pasi ajo mendon se duhet ta dinë ç’ka brenda.

Kjo nuk është thjesht histori e një pasditeje të çuditshme qershori. Është edhe tregues i mekanizmit, një vend që qeveriset si performancë e vënë në skenë për një audiencë që zakonisht është e huaj. I njëjti mekanziëm, në shkallë më të madhe gjendet në libër, dhe për ta parë qartë duhet ta analizojmë, ta vendosim përballë asaj që po ndërtohet, të pyesim kush paguan, kush zotëron dhe nga vijnë paratë (hetimet e fundit të SPAK ndihmojnë veçanërisht për këtë të fundit).

Dosjet shqiptare

Libri tregon si rekrutimi i arkitektëve dhe studiove që po transformojnë vendin kalon në shumë pak duar. Arkitekti Belg Xaveer De Geyter, i studios XDGA shkruan në kapitullin rezervuar studios së tij se në vitin 2004, në kafenenë e universitetit Berlage në Roterdam, hyn një “person i gjatë” që prezantohet si kryebashkiaku i Tiranës. Dy dekada dhe 29 projekte më pas, firma e De Geyter vazhdon projekton për Tiranën dhe Vlorën. Një marinë prej 300,000m2 për Grupin BALFIN me brenda një hotel Mariott, kazino dhe rezidenca që shtrihen mbi të njëjtën vijë ku vite më parë, e njëjta studio, kishte projektuar lungomaren.

Studio milaneze Baukuh përshkruan takime të ngjashme, në një nga pasazhet më interesante të librit. Një nga arkitektët e tyre, Pier Polo Tamburelli, student po në universitetin Berlage, shkruan si e takoi kryebashkiakun me një grup studentësh, që kujton se i  argëtoi me barsoleta “të tregtarëve venecianë që guxonin të refuzonin mikpritjen shqiptare”. Pak muaj më pas e pyet drejtpërdrejtë: “A do të ndërtosh në Tiranë?”..  

Vite më pas, në gusht 2013 (kur Rama bëhet Kryeministër), të njëjtët arkitektë kujtojnë si Rama i mblodhi për të diskutuar “të ardhmen e mandatit të tij”, në një ecje në plazhin e Durrësit, shoqëruar nga një tufë socialistësh me rrobabanjo. Bukuh kujton se gazetat opozitare shkruan në atë kohë se Rama ja ka dhënë gjithë bregdetin miqve të tij të huaj.

Ndërsa rrugëtimi i Stefano Boerit nis ndryshe, por mbërrin në të njëjtin vend. Në 2008, përpara se të zhvillonte projekte në Shqipëri ai shkruan një ese ku e quan kryebashkiakun e Tiranës si një nga tre politikanët “që janë të aftë të ndryshojnë botën”. Pesë vite më pas, Rama bëhet kryeministër dhe Boeri fiton konkursin për të hartuar dy nga projektet më të kontestuara të kryeqytetit: Planin Urbanistik “Tirana 2030” dhe Tirana Riverside.

Foto: Projektet “Tirana 2030” dhe “Tirana River Side të studios Stefano Boeri

Historia përsëritet në kapitujt e tjerë ku Arkitektët, me fjalët e tyre, nuk e përshkruajnë veten si të punësuar, por të zgjedhur për të zhvilluar projekte në Shqipëri.

Le ta marrim nga fillimi. Parathënia e Ramës hapet me fjalën “dosje”, të cilës ia thërret kuptimin nga dosjet e survejimit komunist, sipas tij ato janë dosjet e shkruara për njerëzit pa i pyetur. “Instrumente frike”, i quan ai, ndërsa për dosjet e tij, thotë se janë e kundërta.

Pak faqje më tej, redaktorja Anneke Abhelakh bën të njëjtin truk, me një fjalë tjetër. Hyrjen e saj e ndërton rreth fjalës “shok” (comrade), që ajo e lidh me fjalën “dhomë”, si hapësirë e përbashkët. Për ta shtruar thjesht, këto dy pasazhe mundohen të na flasin për një vend ku arkitektët, zhvilluesit dhe shteti, bashkëjetojnë si një familje e lumtur.

Por Abhelakh e thotë hapur se nuk mund ta ndajë arkitekturën nga pushteti. Zhvilluesin e përshkruan thjesht: “investitor, nismëtar, negociator, ndonjëherë spekulator”. Dhe tregon si u ndërtua vetë libri: 60 studiot plotësuan secila pyetësorin e vet, me një fushë ku duhej të vendosnin zhvilluesin (apo porositësin). Por çdo studio vendosi vetë nëse do ta mbushte atë fushë, ose jo.

Kjo shpjegon shifrat dhe sfondin që do të lexojmë tani.

Databaza që ndërtova për ta shkruar këtë artikull, përdor si burim 60 tabelat teknike me 523 projekte të afishuara nga studiot, të dhënat janë kryqëzuar me dhjetëra artikuj të Citizens.al në rubrikën “Tirana Vertikale”, që përpiqet të shpjegojë ndërtimet në kryeqytet. 

Nga “The Albanian Files”, deri tani 57 projekte janë ndërtuar, 53 po ndërtohen, 47 presin lejen, ndërsa fati i shumë të tjrave nuk bëhet i ditur. Miliona metra katrorë ndërtim, në Tiranë dhe zonat më të lakmuara të bregdetit, nga veriu në jug.  Në 41% të projekteve nuk përmendet fare porositësi, kjo edhe sepse shtatë nga studiot kanë zgjedhur të mos tregojnë zhvilluesit në asnjë prej projekteve të tyre.

Mes tyre është edhe Bolles+Wilson, studio e dytë më e madhe e librit me 36 projekte, ku në asnjë rast nuk identifikohet zhvilluesi. Studio pranon se është ftuar drejtpërdrejt nga Kryeministri për konkursin e parë ndërkombëtar. Kur i përgjigjet pyetjes së redaktores, për si arkitekti duhet të përfshijë publikun në atë që ndërton, shprehet se konsultimi “është politikisht korrekt, por çdo anije ka nevojë për kapiten”. Studio e pranon vetë që nuk ka fituar asnjë konkurs në Shqipëri, por vetë kryeministri i ka dërguar investitorë për të bërë fasadën e kullës COIN, që nuk i kishte përmbushur pritshmëritë e tij estetike.

Foto: Fasada e “Coin”, “Tirana Intercontinental” dhe fshati qiellor prej floriri i Bolles +Willson

Një studio që klient ka kryesisht shtetin, “ka mësuar nga humbjet” dhe ka arritur të bëjë mbi 30 ndërtesa në Korçë dhe projekte me komisionim direkt. Në fund, as nuk e merr mundimin t’i listojë zhvilluesit dhe porositësit, pasi duket se ka të paktën sinqeritetin të mos shtiret sikur publiku po konsultohet.

Kjo vijë sinqeriteti shtrihet në gjithë librin. Studiove as nuk ju kërkohet ta justifikojnë mekanizmin dhe shumica as nuk përpiqen. Studio spanjolle ARQUITECTURA-G, madje e lavdëron procesin e lejeve si “dukshëm më të shpejtë dhe me më pak kufizime”, se kudo tjetër, të nxitur nga “një vizion i qartë, që vjen nga kryeministrit”. Firma izraelite Avner Yashar, i jep meritë “përfshirjes dhe përkushtimit të Kryeministrit dhe qeverisë në formësimin e projekteve që po zhvillohen”.

Vetëm një nga studiot e çon sinqeritetin në një nivel tjetër. Kuehn Mlvezzi me seli në Berlin dhe Paris, e përshkruan Ramën si dikush që “po kuron Shqipërinë si një ekspozitë artistike” dhe vëren se “të punosh nën një shtetar të zgjedhur demokratikisht si kurator, “prodhon ndjesi të rrallë përzierje mes pushtetit demokratik dhe vendimmarrjes kuratoriale”.

Një rast i çuditshëm është ai i zviceranit Valerio Olgiati, prezent në Shqipëri prej 21 vitesh, me 5 projekte: vetëm një i ndërtuar, Ardia Palace, brenda Parkut të Liqenit, ndërtuar nga Perxhola shpk. Po aty, një tjetër projekt, shumë herë më i madh po fillon tani nga ndërtimi: Grand Park Skyline në rrugën Adem Jashari.

Këtu ja vlen të ndalemi pak, pasi historia e kësaj cope territori pranë Parkut të Liqenit, e shpjegon më së miri mekanizmin.

Rruga gjendet aty ku deri pak vite më parë ishte vendosur Garda e Republikes, një tokë që Kryebashkiaku Veliaj premtoi se do ja rikthente qytetarëve në vitin 2018. Projekti quhet “Grand Park Skyline”, me tre kulla 40, 51 dhe 71 katëshe. Kompania që po e ndërton quhet X-One, dhe e ka marrë lejen në korrik 2024, pak muaj para se Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH) të hapte negociatat për Bibliotekën Kombëtare. Negociatat me KISH i siguruan kompanisë X-One 12 copëza toke publike një pjesë të të cilave as nuk i zotëronte ligjërisht kur nisën bisedimet. Garancia e këtij pazari: nëse X-One nuk e ndërton Bibliotekën dhe ngre vetëm kullat, do paguajë vetëm 2% të vlerës së projektit.

Foto: Kulla Adria Palace dhe “Grand Park Skyline” të arkitektit Oligati pranë liqenit të Tiranës

E njëjta zonë mban edhe kullën e Nova Construction, pronari i së cilës është një nga njëzet personat nën urdhër-arrestin e SPAK nën akuzat për pastrim parash nga trafiku i kokainës. Kulla e tretë që mbyll ansamblin i përket Artech, një kompani që shfaqet pas shumë prej projekteve të arkitektëve të huaj në libër.

Ky është vetëm një shembull se si po tjetërsohet toka e çmuar publike në Tiranë që u premtua se do i rikthehej qytetarëve si një “park i gjelbër, pa kulla”, nga vetë kryebashkiaku.

Ky nuk është një rast i izoluar. KISH po përdor të njëjtën formulë për Stadiumin Selman Stermasi, Pallatin e Kongreseve, Jetimoren Zyber Hallulli, Pallatin e Sportit, vila qeveritare në Velipojë dhe Vlorë. Pas projekteve gjenden të njëjtat emra projektuesish ndërsa shumë projektë po dështojnë të thithin investitorë.

Edhe vila ku Kryeministri dha intervistën për CNN ndjek një logjikë të ngjashme, me vetë shtetin si klient. Vila Nr. 5, një pronë e klasifikuar si “aset i sigurisë kombëtare” u rindërtua për rreth gjashtë milionë euro me tre kontrata të akorduara pa garë të hapur. Ofertuesit nuk zhgënjyen, secili kërkoi buxhetin maksimal projektuesi 98.5%, ndërtuesi 99% dhe supervizimi  (që u arrestua dy muaj më pas nga SPAK) 95%. Sekreti u justifikua mbi një procedurë prokurimesh që mbulon tenderat për çështje të mbrojtjes dhe sigurisë.

Studio që u pagua nga qeveria për të projektuar Vilën nuk i është përgjigjur asnjëherë kërkesave të përsëritura për informacion nga Citizens.al. Por nga ana tjetër, shfaqet Bofill Taller de Arquitectura, një nga 60 kontribuesit e librit, që shprehet se i dhuroi qeverisë shqiptare një koncept për vilën. Sot, materialet promovuese të festivalit Bukë e Zemër e paraqesin objektin  pa asnjë hezitim si “Vila No. Red nga Bofill Arquitectura”. Për të kuptuar këtë zemërgjerësi mjafton të lexosh si Bofill e përshkruan takimin me klientin e tyre. Studio shkruan se fillimisht menduan se po shkonin të takonin një politikan, “shumë shpejt u bë e qartë që në fakt po takonim një artist”, i cili e shëtit Tiranën “sikur të ishte një galeri e hapur”.

Në bregdet shifrat bëhen shqetësuese

Disa nga projektet e dosjeve kanë përmasa gjigande. Një “eko-resort” i projektuar nga CEBRA, ende i pandërtuar në Durrës, shtrihet në një sipërfaqe prej 1.46 milionë metrash katrorë dhe “Livadh Resorts në Himarë që shtrihet në 242,000m2.  “Orikum Oasis’ i studios XDGA, për kompaninë LAXMI Real Estate, zë 500 mijë metra katrorë në bregdetin e jugut dhe vazhdon të figurojë si projekt “në zhvillim”. Po e njëjta studio ka projektuar edhe marinën e Vlorës për BALFIN, që shtrihet në 300 mijë metra katrorë.

Bregdeti, duket se është territori ku mekanizmi bëhet më i dhunshëm. Një vlerësim mjedisor i vitit 2021 për zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, evidentonte mbi 1,500 hektarë tokë për zhvillim privat brenda lagunës. 600 hektarë zotërohen nga një bankë, 309 nga një bashkim shoqërish që fitoi koncensionin e Aroportit të Vlorës dhe 150 nga kompania Adhenis, në pronësi të Artur Shehut, sot i shpallur në kërkim nga SPAK. E njëjta kompani, në libër rezulton si zhvillues i dy projekteve të studios XDGA që po ndërtohen në Vlorë (Lungomare 2 dhe Pier Restorant).

Për Nartën dhe Zvërnecin, Dosjet Shqiptare tregojnë se planet dhe pazaret kanë nisur vite më parë. Libri liston dy projekte të Archea Associati, të komisionuara në 2022. “Zvërnec master plan,” me zhvillues Kastrati Group, dhe “Poro Valona,” me zhvillues Natura Resort shpk.

Edhe Parku Kombëtar i Divjakës, ka planin e tijnë këtë katalog prej 2024. “Kingscoast development,” i projektuar nga arkitektja indiane Anupama Kundoo për kompaninë NIU Invest, është në fazën e “master planit”  për t’u kthyer në resort me një “vizion bashkëjetese” me ligatinën.

Foto: Projekti “Kingcoast” dhe një nga masterplanet e Nartës, nga studiot Kundoo dhe Archea

Projektet për deltat dhe lagunat nuk mbarjonë me kaq. BALFIN, kompania pas Marinës së Vlorës porositi në heshtje një master-plan nga një studio që është pjesë e familjes së lumtur të librit. 639 hektarë nga MVRDV për një projekt të quajtur UMEA. Një tjetër projekt i tyre në anën tjetër të deltës është “New Apolonia” prej 600 hektarësh nga firma globale e resorteve WATG, i cili parashikon 1.52 milionë metra katrorë ndërtim të ri dhe një popullsi prej 45,755 banorësh. E pyetur nga Citizens.al pak ditë më parë, kompania i hodhi poshtë si koncepte të parealizuara, përgatitur për një panair pasurish të patundshme në Mynih, edhe pse kishte hapur 13 NIPT-e kompanish, të emërtuara sipas vetë lagjeve të projektit gjigand.

Hetimet e SPAK po zbulojnë lidhjet e parave të kokainës me kullat e Tiranës, por treguan dhe për një dokument të falsifikuar nga periudha osmane që përvetëson lagunën e Nartës, nëntë vila të sekuestruara në Palasë dhe dy të tjera të padeklaruara që i përkasin zyrtarëve të lartë të qeverisë.

Dosjet e Shqipërisë nuk ndalen këtu. Këto janë disa nga projektet që janë propozuar, me të njëjtin mekanizëm dhe aktorë, nëse hetimet apo humbja e pushtetit total nuk ja pengojnë rrugën.  

Në Gjipe, gjirin që nga shumë njihet si plazhi i fundit i virgjër i jugut, MVRDV ka skicuar prej 2016-ës një projekt të quajtur thjesht “Gorge(ous)”, me një hotel prej xhami mbi kanion. Projekti nuk ka zhvillues, nuk tregon kur do të ndërtohet, por mbetet një emër i listuar në faqet e librit.

Rana e Hedhun, zonë e mbrojtur dunash në veri, Álvaro Siza  e ka projektuar në një “master plan” për kompaninë Gruppo IDA, ndërsa pak faqe më tutje, Valerio Olgiati ka skicuar “kulla” në të njëjtën zonë. Ende pa zhvillues, ky projekt kullash gjendet pranë lagunës së Kune-Vainit që mban edhe planin e komisionuar nga BALFIN për Toyo Ito-n.

Foto: Projekti “Gorgeous” mbi Gjipe, Kullat e Oligatit dhe Sizas në Shengjin.

Më interesant është kapitulli i Luca Dini-t. Vetë projektuesi vjen nga bota e jahteve, dhe kapitulli i tij e tregon këtë qartë. Harta e projekteve të tij në bregdetin shqiptar është vizatuar si një udhëtim me jaht, me ilustrime në formë “comics” që e shoqërojnë lexuesin nga një gji në tjetrin. I pari, master-plani “Life Marina Complex,” që përfshin shtatë kilometra bregdet të virgjër pranë Sarandës, kompleksin “Atara” në Lukovë dhe një qytet më një marinë në “Krorëz”. Tre destinacione të udhëtimit të arkitektit me jaht ende pa një zhvillues të emërtuar.

Një tjetër plan e ka shtruar terrenin e itinerarit të jahtit, “Lukova PUITD,” një studim territorial nga studio XDGA për 45 kilometra katrorë, i financuar nga banka gjermane KfW dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që mbulon të gjithë brezin Lukovë-Borsh-Qeparo-Piqeras. Studimi “është konkluduar”, pra korniza ligjore tashmë ekziston.

Foto: Projektet e Luca Dini-t “Atara”, “Life Marina” dhe Masterplani i Krorëzës

Edhe larg detit, mekanzimi nuk ndalet. Në Pogradec, mbi Liqenin e Pogradecit, EMBT-ja e Miralles Tagliabue ka projektuar “Koran Village” për kompaninë Arlis Ndërtim, dhe “Hotel Millennium” për Millennium Group.

Asgjë nga kjo nuk është një skandal i veçantë. Është i njëjti mekanizëm: qeveria i shtron rrugën arkitektëve të huaj, ata shfrenojnë fantazinë nën vizionin e Kryeministrit dhe për t’i ndërtuar paratë gjenden, në çdo mënyrë.  Këta aktorë në publik bëjnë vetëm performancën, ndërsa punët i kryejnë në dhoma të mbyllura.

Vazhdimisht kthehem te dedikimi, “Një vrasës flamengosh”, mund të jetë fjalia e vetme e plotësisht e sinqertë që dikush ka shkruar në këtë libër. Një shaka e shkruar me dorë, nga një njeri që e dinte saktësisht ç’kuptim kishte shpendi për njerëzit që marshonin kundër tij dhe gjithsesi e gjeti me vend ta shkruante.

Parathënia e shkruar nga vetë Kryeministrit mundet ta shpjegojë, të paktën pjesërisht, vizionin e tij për Shqipërinë.  Ajo hapet me një pretendim për zotin dhe lirinë. Ai i quan kontribuesit e librit pjesë e diçkaje “të lirë nga rehatia mbytëse e mbi rregullimit,” një “liri nga ‘jo’ në të gjitha format e saj.” Një “jo” që mijëra njerëz po e bëratsin në shesh dhe ai refuzon me arrogancë ta dëgjojë. Ky libër, kur e lexon me kujdes, duket si një festë e gjatë prej tetëqind faqesh e zhdukjes së “jo”-së.

Në hapjen e vetë festivalit, Rama iu drejtua familjes së tij të arkitektëve si “fëmijët e privilegjuar të Zotit” dhe “të vetmit të cilëve Zoti u ka dhënë shansin të luajnë Zot.”

Nëse zot janë ata, ne të tjerët kush jemi? Duke dëgjuar qytetarët që për 22 netë rresht thërrasin dorëheqjen e tij, mendoj se më në fund e kuptova. Ne nuk jemi qytetarët e Shqipërisë së tij, jemi audienca e saj.

Lexo edhe:

Dy plane të fshehta resortesh në Darëzezë dhe deltën e Vjosës

Dokumentet e quajtura “Sazan” zbulojnë “masterplanin e fshehtë” të Zvërnecit

“Bukë e Zemër”, në shtëpinë e qelqtë të Edi Ramës

The post Në “The Albanian Files” gjendet Shqipëria që po vizaton Edi Rama appeared first on Citizens.al.

Dokumentet e quajtura “Sazan” zbulojnë “masterplanin e fshehtë” të Zvërnecit

11 June 2026 at 16:31

Ndërsa kryeministri Edi Rama këmbëngul se “nuk ka marrëveshje” dhe se pa marrëveshje s’ka as projekt, dokumente teknike të nëntorit 2025 tregojnë një masterplan të detajuar me 11 zona zhvillimi, 727 mijë metra katrorë ndërtim, hotele, vila, marina dhe kazino. Emri në kopertinë është “Sazan”, por harta tregon Zvërnecin.

Dokumentet e publikuara së fundmi hedhin dritë të re mbi atë që po përgatitet në Peizazhin e Mbrojtur Pishë–Poro–Nartë. Dy materialet me ëmërtime “Sazan Development” dhe “Sazan Peninsula” u bënë publike nga Eric Czuleger, kryeredaktori  The Under Report një ditë më parë. Por harta që i shoqëron nuk paraqet ishullin e Sazanit, ajo përputhet qartë me morfologjinë e zonës së Zvërnecit dhe Nartës dhe tregon një transformim rrënjësor të lagunës e brendshme dhe brezit bregdetar.

Dokumenti i quajtur “Sazan Peninsula” përshkruan, faqe pas faqeje, një projekt zhvillimi për Zvërnecin.

Kjo “zhvendosje” emërtimi nuk është detaj teknik. Ajo ka pasoja të drejtpërdrejta për debatin publik: ndërsa gazetarët, opinioni dhe madje edhe mediat e huaja i bëjnë pyetjet kryeministrit për Sazanin, materialet teknike tregojnë se projekti më i avancuar dhe më i detajuar është konceptuar për një zonë tjetër të mbrojtur, pikërisht aty ku disa javë më parë nisën të zhvillohen punime përgatitore, rrethime telash me gjemba dhe ku shpërtheu protesta që sot njihet si “Revolucioni Flamingo”.

Dokumenti i parë, “Sazan Development – Request for Proposal” (RfP), mban datën 6 nëntor 2025. Përmes tij kërkohen shërbime AOR/EOR (arkitekt dhe inxhinier i regjistruar përgjegjës) dhe shërbime inxhinierike: propozime teknike e financiare, staf, metodologji pune, eksperiencë të ngjashme, plan burimesh dhe shërbime projektimi për ndërtesa e infrastrukturë.

Në praktikën e zhvillimit imobiliar, një RFP i këtij lloji nuk i përket fazës fillestare apo vizionit për një projekt, por hartohet në momentin kur projekti kërkon të kalojë drejt zbatimit.

Po aty përmenden studime që lidhen drejtpërdrejt me territorin lagunor të Zvërnecit dhe Nartës, një modelim i cilësisë së ujit në lagunën e Nartës, studime për sedimentet,  vlerësim i rrezikut sizmik, studim për vijën bregdetare dhe vlerësim për distancat e sigurta nga skarpatet.

Dokumenti i dytë, “Vision Masterplan – Book 2”, mban datën 14 nëntor 2025 dhe etiketohet në kopertinë si  dorëzim draft. Ai është hartuar nga studioja ndërkombëtare e arkitekturës LAVA (Laboratory for Visionary Architecture), me strategjinë e mobilitetit të punuar nga kompania e planifikimit të transportit Systematica. Masterplani bazohet, siç thuhet në vetë dokumentin, mbi një përmbeledhje të porositësit të mëparshëm: “Sazan Masterplan Brief V1.5 – AA”, të datës 20 gusht 2025.

Pra, para se LAVA të vizatonte qoftë edhe një vijë, dikush e kishte porositur dhe përcaktuar kornizën e këtij zhvillimi.

Masterplani organizon territorin në 11 zona programore, me 254.8 hektarë tokë dhe 727,527 metra katrorë sipërfaqe të ndërtuar. Zonat mbajnë emra si “Sazan Citadel & Marina”, “Cheval Blanc”, “Sazan Cove”, “Sazan Yacht Club”, “Sazan Beach Villas”, “Sazan Lake Villas”, “Sazan Hills”, “Casa Cipriani” dhe “Atlantis”.

Brenda tyre, sipas tabelave të vetë dokumentit, parashikohen rreth 3,200 njësi banimi e hotelerie: qindra vila “të markës”, mes tyre edhe kategoria e quajtur “Billionaires”; hotele të brendeve Aman, Cheval Blanc dhe Cipriani; një hotel “Atlantis” me 500 dhoma; kazino; fusha golfi; qendër kalërimi; klube plazhi dhe një “citadelë” e konceptuar për 5 deri në 10 mijë vizitorë në ditë, me rreth 3,000 vende parkimi.

Pjesa jugore e projektit rezervohet, sipas vetë dokumentit, përUltra High Net Worth Individuals”, individë me pasuri ultra të lartë, me akses të mbyllur, pika kontrolli sigurie dhe plazhe private. Dokumenti e përmend hapur edhe rolin e projektit si “levë për ambiciet e Shqipërisë për Golden Visa”.

Dokumenti pranon ndërhyrje të rënda në ekosistem

Masterplani nuk e fsheh shkallën e ndërhyrjes fizike në territor. Ai parashikon drenazhim dhe thellim të shtratit të lagunës, vlerësuar paraprakisht në 6 milionë metra kub, mbi një sipërfaqe prej rreth 525 mijë metrash katrorë, si dhe mbushje toke prej rreth 2 milionë metrash kub për të ngritur artificialisht terrenin ku do të vendosen vilat.

Projekti parashikon liqene artificiale, kanale të lundrueshme, marina të gërmuara në tokë, të gjitha në një lagunë që vetë dokumenti e përshkruan si “një nga ligatinat më të rëndësishme ekologjike të Shqipërisë”.

Madje, plani shkon më tej dhe pranon me shkrim rreziqet: drenazhimi i pakontrolluar, thuhet aty, rrezikon të destabilizojë hidrologjinë e lagunës, të rrisë erozionin dhe të prishë balancën e sedimenteve.

Autorët identifikojnë si “rrezik për zhvillimin” faktin që organizata si Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë dhe Eco-Albania po shtyjnë për kufizimin e ndërtimeve në zonat e mbrojtura. Mbrojtja ligjore e natyrës trajtohet jo si kusht, por si pengesë për t’u menaxhuar.

Një tjetër element bie në sy. Parimet e masterplanit flasin për “më pak se 8% sipërfaqe toke” të zënë nga ndërtesat, e njëjta shifër e përdorur publikisht edhe për Sazanin. Por tabela e përdorimit të tokës në të njëjtin dokument tregon se 53% e territorit klasifikohet si “zonë zhvillimi” dhe vetëm 5% si “e pazhvillueshme dhe e mbrojtur”, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes hapësirave rekreative (29%) dhe liqeneve e marinave (13%).

Dy shifrat masin gjëra të ndryshme, e para gjurmën fizike të ndërtesave dhe e dyta territorin që organizohet në funksion të zhvillimit. Pikërisht këtë hendek e ka dokumentuar Citizens.al që në muajin mars 2026, duke argumentuar pse narrativa e “8 përqindëshit” nuk shpjegon mënyrën se si projekti e ndryshon funksionin e të gjithë territorit.

Çfarë thotë studio LAVA?

E pyetur nga Citizens.al, studioja LAVA konfirmoi autorësinë e dokumentit, duke e cilësuar atë si studim paraprak.

“Dokumenti në qarkullim është një studim draft i zhvilluar nga LAVA, si një prej disa studimeve për Gadishullin e Sazanit”, thuhet në përgjigjen e dërguar me shkrim. Sipas kompanisë, ai përfaqëson “një dorëzim draft – jo një plan final apo të miratuar”, studimi “i dha përparësi përgjegjësisë ekologjike, biodiversitetit dhe balancës mes ruajtjes së tokës dhe zhvillimit”, ndërsa angazhimi i LAVA-s në projekt “nuk vazhdoi përtej kësaj faze”.

Përgjigjja e LAVA-s konfirmon dy fakte thelbësore: dokumenti është autentik dhe ai është vetëm njëri prej “disa studimeve” të porositura për këtë projekt. Studio nuk iu përgjigj pyetjes së çfarë ka ndodhur me projektin pas largimit të tyre.

Studio nuk iu përgjigj pyetjeve të Citizens.al se kush e porositi studimin dhe kush e hartoi “brief”-in “AA” të gushtit 2025. LAVA deklaroi se u largua nga projekti, po kush e mori stafetën?

Kjo përgjigje mund të gjendet, të paktën pjesërisht, në dokumentet e Qendrës Kombëtare të Biznesit. Siç raportoi Citizens.al vetëm pak ditë më parë, kompanitë e lidhura me Zvërnecin dhe Sazanin po konsolidohen rreth strukturave të grupit Al-Khayyat nga Katari, kompanitë e të cilit në Doha mbajnë pikërisht emrat “Sazan Development Holding” dhe “Sazan Operations Holding”.

I njëjti emërtim “Sazan” që në dokumentet teknike mbulon Zvërnecin, shfaqet edhe në skemën e korporatatave të pronarëve të rinj.

Rama përballë dokumenteve

Gjatë një takimi me gazetarë evropianë këtë javë, kryeministri Edi Rama u pyet me këmbëngulje nga një gazetare rumune nëse ekziston një projekt për Sazanin.

“Nuk ka një marrëveshje, nuk mund të bëjmë marrëveshje pa pasur projekt. Nuk kemi as marrëveshje për Sazanin. Pse? Sepse po negociojmë prej dy vitesh”, u përgjigj ai, duke shtuar se nuk bëhet fjalë për shitje të ishullit, por për një “sipërmarrje të përbashkët”, ku ndërtimet do të kenë tituj pronësie “ashtu sikurse edhe këtu përballë bulevardit”.

Në të njëjtën përgjigje, megjithatë, kryeministri pranoi se plane zhvillimi ekzistojnë: “Plan për t’u zhvilluar? Po, ka dy vendndodhje”, tha ai, pa e përmendur me emër vendndodhjen e dytë.

Për Zvërnecin, përgjigjja e tij ishte edhe më e shkurtër: “Për ishullin nuk kam asnjë skicë të paraqitur sepse nuk ka asnjë marrëveshje, në Zvërnec ka një marrëveshje me pronarët e tokës dhe po vazhdojnë, është normale, nuk kam çfarë t’ju them për të”.

Por deklaratat e kryeministrit nuk i përgjigjen pyetjes që ngrenë dokumentet. Pyetja nuk është nëse ekziston një marrëveshje finale e firmosur. Pyetja është: si shpjegohet që, ndërsa zyrtarisht mohohet ekzistenca e një projekti të përcaktuar, në nëntor 2025 qarkullonin dokumente teknike me datë, autor, zona ndërtimi, tabela sipërfaqesh, strategji parkimi, faza zbatimi dhe kërkesa për oferta inxhinierike, të gjitha mbi territorin e Zvërnecit?

Cila është “vendndodhja e dytë” me plan zhvillimi, që kryeministri e pranon por nuk e emërton?

Dokumentet nuk provojnë se projekti është miratuar nga institucionet shqiptare, as se punimet në terren janë autorizuar mbi bazën e këtij masterplani. Por ato provojnë diçka tjetër, po aq të rëndësishme: se Zvërneci, brenda një peizazhi të mbrojtur, është trajtuar prej muajsh në materiale teknike si një projekt i strukturuar zhvillimi, me investitorë, arkitektë, inxhinierë dhe afate, të gjitha larg syve të publikut.

Vlen të theksohet se masterplani parashikon edhe një fazë “0 – enabling works”, punime përgatitore në pjesën veriore të territorit. Pikërisht punime përgatitore, rrethime me gardh dhe roje private ka dokumentuar Citizens.al në terren gjatë javëve të fundit në Zvërnec, përfshirë ngjarjen e 30 majit, kur një qytetar u tërhoq zvarrë nga rojet private në prani të Policisë së Shtetit, pamje që ndezën protestat mbarëkombëtare.

Si arritëm deri këtu?

Dokumentet e publikuara nga The Under Report shtojnë një hallkë të re në një zinxhir që Citizens.al e ka ndjekur prej më shumë se një viti.

Në qershor 2025, Citizens.al raportoi se qeveria krijoi kompaninë shtetërore ASDRE për t’u bërë ortake në zhvillimin e resortit të propozuar nga Affinity Partners e Jared Kushner, ndërsa institucionet nuk bënin transparencë për propozimin në Zvërnec.

Në janar 2026, vizita e Ivanka Trump dhe Jared Kushner në Vlorë, me darka private me kryeministrin dhe takime me dhjetëra arkitektë, ngriti pyetjen nëse Sazani dhe Zvërneci po trajtoheshin si pasuri publike apo si asete të vendosura në tryezë përmes negociatash direkte, pa garë dhe pa transparencë. Vizita përfshiu edhe Zvërnecin, një zonë që, zyrtarisht, “nuk ishte pjesë e projektit”.

Në mars 2026, Citizens.al publikoi dokumentet mbi përmasat reale të projektit në Sazan, duke treguar se narrativa e “8% ndërtim” fshihte privatizimin funksional të të gjithë ishullit.

Më 8 qershor, dokumentet e QKB-së treguan se kompanitë ndërmjetëse po dilnin nga struktura e pronësisë, ndërsa grupi Al-Khayyat nga Katari po shfaqej gjithnjë e më drejtpërdrejt në kontrollin e aseteve dhe projekteve.

Sot, dokumentet e reja tregojnë se për Zvërnecin ekziston një masterplan teknik i detajuar.

Edhe pas këtyre dokumenteve, thelbi i çështjes mbetet i njëjtë me atë që Citizens.al ka ngritur prej muajsh: vendimet për dy prej territoreve më të vlefshme natyrore të vendit po merren në mënyrë jo transparente, larg garës dhe po aq larg publikut.

Deri më sot, asnjë institucion nuk ka bërë ende transparencë rreth projekteve. Dokumentet, ndërkohë, flasin vetë.

Lexo edhe:

Dokumentet që zbulojnë kush po e merr në kontroll Zvërnecin dhe Sazanin

Një ishull tërësisht privat: Përmasat reale të projektit në Sazan

Darka e Sazanit: Si u vu pasuria publike në tryezë

Kushner dhe Sazani: Qeveria krijon kompani për zhvillimin e resortit luksoz

The post Dokumentet e quajtura “Sazan” zbulojnë “masterplanin e fshehtë” të Zvërnecit appeared first on Citizens.al.

“Zvërnec Watch”, platforma që dokumenton kauzën e Nartës

10 June 2026 at 15:59

Në ditët kur protesta për Nartën u kthye në një kauzë kombëtare, një platformë online nisi të mbledhë të dhëna, pamje, kronologji, harta dhe materiale që tentojnë të hedhin dritë mbi hijet jo-transparente të asaj që po ndodhte në peizazhin e mbrojtur.

“Zvërnec Watch” u krijua nga Glixhon Toci, 29 vjeç, i cili jeton në Çeki.

Platforma mbledh në një vend hartën e zonës së prekur, kronologjinë e protestës, të dhëna për ekosistemin, rreziqet nga tërmetet, erozioni dhe rritja e nivelit të detit, aktorët e përfshirë, raportimet mediatike, videot nga terreni, burimet publike dhe mënyrat se si qytetarët mund të angazhohen.

Xhoni thotë se u nxit për ta krijuar platformën erdhi pasi pa pamjet e qytetarit të tërhequr zvarrë nga rojet private gjatë protestës në Nartë. Për të, ky moment tregoi nevojën për një hapësirë ku pamjet dhe rastet e dhunës të ruhen, dokumentohen dhe të mos humbasin në rrjedhën e rrjeteve sociale.

Doja të krijoja një hapësirë timen ku të mund të dokumentoja sidomos rastet e dhunës, sepse këto materiale në rrjete sociale apo në YouTube shpesh filtrohen”, tha ai për Citizens.al.

Sipas tij, platforma nuk synon të prodhojë domosdoshmërisht informacion të ri, por të ndihmojë në organizimin e materialeve që qarkullojnë online dhe në dallimin e fakteve nga dezinformimi.

“Sot online ka shumë informacion dhe nuk është se unë jap diçka të re. Por pikërisht ngaqë ka kaq shumë informacion, shpesh është e vështirë të ndash gënjeshtrat dhe thashethemet nga e vërteta”, shprehet Xhoni.

Ai thotë se kjo është veçanërisht e rëndësishme për shqiptarët jashtë vendit dhe për të huajt, të cilët shpesh hasin pamje të shkëputura nga konteksti apo të shoqëruara me përshkrime të pasakta.

Platforma është menduar edhe si një hapësirë e hapur për qytetarët që kanë materiale nga terreni.

“Nëse qytetarët kanë materiale, mund të m’i dërgojnë mua dhe unë do t’i hedh në platformë”, shprehet Xhoni.

Për të, përfshirja e diasporës në kauzën për Nartën tregon se largimi fizik nga Shqipëria nuk e ndërpret lidhjen me vendin.

“Qytetarët, edhe pse janë larguar nga Shqipëria me vite, edhe pse kanë hallet dhe burokracitë e një vendi të huaj, edhe pse punojnë ditë e natë, prapë e gjejnë kohën për të mbrojtur të drejtat e bashkatdhetarëve në Shqipëri dhe natyrën tonë”, thotë ai.

Xhoni mori pjesë edhe në protestën e organizuar në Vjenë, ku thotë se e impresionoi reagimi i qytetarëve austriakë, veçanërisht për shkak të natyrës paqësore të protestës.

“Ajo që më bëri shumë përshtypje ishte si na përshëndesnin dhe duartrokisnin austriakët nga dritaret e tramvajit kur kalonin pranë nesh”, rrëfen ai.

Në një moment kur protesta për Nartën ka prodhuar mobilizim, por edhe shumë përplasje informacioni dhe dezinformim, “Zvërnec Watch” shfaqet si një nismë qytetare dokumentimi nga distanca.

Platforma nuk zëvendëson verifikimin institucional apo hetimin gazetaresk, por synon të ruajë gjurmët e protestës dhe t’i bëjë më të aksesueshme për publikun brenda dhe jashtë Shqipërisë..

Linku i platformës gjendet këtu.

The post “Zvërnec Watch”, platforma që dokumenton kauzën e Nartës appeared first on Citizens.al.

Nga ligji te gardhi me gjemba: si u dorëzuan zonat e mbrojtura

1 June 2026 at 13:07

Ajo që sot po ndodh në Zvërnec, Pishë–Poro–Nartë dhe në zonat e mbrojtura të Shqipërisë nuk është rastësi e as vullnet i muajve të fundit. Zhveshja e natyrës nga mbrojtja në favor të ndërtimit vjen pas një procesi disa vjeçar ku ligjet që duhet të mbronin natyrën, po përdoren për ta shkatërruar atë.

Qeveria shqiptare po vë në jetë vizionin e saj duke injoruar çdo kundërshti. Ruajtja e mjedisit u zëvendësua nga logjika e “zhvillimit”, resorteve masive dhe investimeve strategjike nga veriu në jug të vendit. Ky vizion u vu në jetë duke përdorur pushtetin e përqendruar, mungesën e transparencës dhe konsultimeve reale, për t’i dhënë avantazhe të padrejta klienteliste dhe fuqi mbiligjore një grupi të ngushtë investitorësh.

Paralajmërimi i parë erdhi në dhjetor 2023. Citizens.al raportoi se ndryshimet e propozuara në ligjin “Për zonat e mbrojtura” nuk ishin thjesht ndërhyrje teknike. Ato preknin nenin 16 të ligjit, duke hapur mundësinë që projekte të miratuara nga KKT, të cilësuara me “rëndësi kombëtare”, të ndërhynin në zona ku më parë ndaloheshin ndërtimet urbane, infrastruktura energjetike, hidrocentralet apo sistemet e naftës dhe gazit.

Me këtë formulim, përjashtimi kthehej në rrugë zhvillimi dhe mbrojtja e natyrës bëhej e negociueshme.

Një muaj më vonë, në janar 2024, paralajmërimi mori formën e një gare me kohën. Ndryshimet për zonat e mbrojtura, të propozuara nga 12 deputetë të Partisë Socialiste, u programuan për shqyrtim vetëm në dy komisione parlamentare, ndërsa deputetja Jorida Tabaku kërkoi që diskutimi të zgjerohej edhe në Komisionin e Çështjeve Evropiane.

Shqetësimi kryesor ishte se projektligji nuk merrte në konsideratë përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ndërsa organizata mjedisore, akademikë dhe grupe interesi kërkonin më shumë kohë, dëgjesa publike dhe transparencë.

Në vend të një debati të thelluar për të ardhmen e parqeve kombëtare dhe peizazheve të mbrojtura, procesi po ecte me ritëm të përshpejtuar. Kjo e bëri edhe më të qartë se ndryshimet në ligji nuk kishin për qëllim të mbronin natyrën, por ti hapnin rrugë ndërtimit në territore që deri atëherë kishin mbrojtje të posaçme.

“Paralajmërimi i parë vjen nga Divjaka”

Sinjalet e para të etjes për ndërtim në zonat e mbrojtura kishin nisur, 12 deputetë socialistë kërkonin ndryshimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura që rrëzonte zonimet.  Resorti “Kingcoast Divjaka” (ende i parealizuar), për herë të parë trajton Parkun Kombëtar Divjakë–Karavasta si një destinacion turistik të integruar, me ndërhyrje që shtriheshin në të gjithë territorin e tij.

Projekti, në një material 200 faqesh, parashikonte transformime të gjera në peizazh, me ndërtime, rrugë të asfaltuara, platforma artificiale dhe vegjetacion të kultivuar, duke rrezikuar pishat mesdhetare, zonën qendrore me mbrojtje strikte dhe vetë karakterin ekologjik të parkut.

Edhe pse projekti nuk është konkretizuar ende, ai tregoi si argumenti i “zhvillimit” dhe “rikthimit të shqiptarëve” mund të përdorej për të paraqitur ndërhyrjet brenda parqeve kombëtare si shpëtim ekonomik, në një moment kur ndryshimet e propozuara në ligjin për zonat e mbrojtura po e bënin më të lehtë këtë lloj ndërhyrjeje.

Delta e Vjosës jashtë mbrojtjes së plotë

Në prill 2024, presioni mbi natyrën u bë edhe më i qartë në deltën e Vjosës, një nga ekosistemet më të ndjeshme bregdetare të vendit. Delta, pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Pishë–Poro–Nartë, ishte lënë jashtë Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, ndërsa sipërfaqja ku po ndërtohet Aeroporti i Vlorës ishte hequr tërësisht nga harta e zonave të mbrojtura.

Në të njëjtën kohë nisën të artikuloheshin edhe projekte resortesh luksoze në zonat e mbrojtura, ndërsa projekti i Jared Kushner për Sazanin e forconte edhe më shumë idenë se bregdeti dhe pasuritë publike po trajtoheshin si portofol zhvillimi privat.

Kështu, Vjosa shpallej e mbrojtur si lumë, por delta e saj mbetej e ekspozuar nga ndërtimi i aeroportit, dhe resorteve të turizmit masiv.

Kur Peizazhet e Mbrojtura iu dorëzuan investitorëve

Në korrik 2024, paralajmërimi u kthye në mekanizëm konkret. Pas muajsh tentativa për të fshehur të vërtetën, qeveria publikoi projektaktet që tregonin natyrën e vërtetë të ndryshimeve ligjore. Peizazhet e Mbrojtura u hapën për ndërtime, infrastrukturë dhe aktivitete ekonomike që binin ndesh me vetë logjikën e mbrojtjes.

Në rastin e Pishë–Poro–Nartës, projektvendimi lejonte struktura akomoduese agroturizmi, kampingje, instalime të energjisë së rinovueshme, qendra për mbarështimin e peshkut, si dhe, me leje të KKT-së, ndërtimin e zonave urbane dhe autostradave.

Më e rëndësishmja, akti i ri shfuqizonte zonimin e vitit 2022, ku pjesë të territorit kishin shkallë më të lartë mbrojtjeje, dhe e trajtonte të gjithë Peizazhin si një trup të vetëm, me më pak ndarje mbrojtëse dhe më shumë veprimtari të lejuara.

Kjo ishte pika ku mbrojtja ra, dhe mori jetë vizioni i zhvillimit. Një territor që në letër mbetet i mbrojtur, por në praktikë bëhet shesh për rrugë, energji, struktura turistike dhe më pas resorte.

Ajo që shihet sot në Nartë me gardhe, leje të pazbardhura dhe projekte turistike nuk është devijim nga ligji, por pasojë e një sërë vendimesh që e bënë natyrën të negociueshme.

Në dhjetor 2025, kontradikta u bë edhe më e qartë, aktorë që duhet të mbronin natyrën nisën të mos e fshehin më publikisht nevojën për “zhvillim” e saj.

Në vend që institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e natyrës të vendosnin kufij ndaj presionit ndërtimor, gjuha e tyre iu afrua gjithnjë e më shumë asaj të investitorëve, turizmit dhe shfrytëzimit ekonomik.

Kjo e zhvendosi debatin nga pyetja si ruhen zonat e mbrojtura, te pyetja se sa mund të zhvillohen ato pa e humbur emrin “të mbrojtura”.

Lexo edhe: “Mbrojtës që kërkojnë zhvillim!”

Investimet strategjike si rrugë tjetër drejt privatizimit

Nëse ndryshimet për zonat e mbrojtura hapën rrugën për zhvillim brenda territoreve natyrore, ligji për investimet strategjike krijoi një tjetër kanal për t’i dhënë territorit publik status të veçantë zhvillimi.

Në mars 2026, rasti i Sazanit e tregoi këtë më qartë. Citizens.al raportoi se projekti i Jared Kushner për Sazanin, i shpallur si investim strategjik, nuk ishte një ndërhyrje e kufizuar në “8% të ishullit”, siç ishte komunikuar publikisht, por një plan që e konceptonte ishullin si kompleks të integruar privat, me rreth 448,000 m² ndërtime dhe afërsisht 970 njësi rezidenciale/hotelerie.

Projekti nuk kaloi përmes një gare të hapur ndërkombëtare, por përmes negociatash të drejtpërdrejta dhe të zgjatura, ku dokumentet, detyrimet ekonomike dhe kushtet e përdorimit të territorit mbeteshin të paqarta për publikun.

Në këtë kuptim, Sazani shërben si shembulli i qartë se si “zhvillimi strategjik” mund të kthehet në formulë për privatizimin faktik të territorit publik. Në të njëjtën kohë, firmoseshin dhjetëra vendime të Këshillit Kombëtar të Territorit për ndërtime resortesh, hotelesh dhe vilash nga veriu në jug të Shqipëirsë, shumë prej tyre me statusin e “Investimit Strategjik”.

Nga mbrjotja tek gardhi me gjemba

Në Zvërnec, logjika e zhvillimit ka kaluar më tej, duke u konkretizuar me të paktën tre leje apo miratime me kusht për resorte turistike në Nartë dhe Zvërnec.

Për shkak të mungesës së transparencës dhe moszbardhjes së vendimeve të plota, nuk ka ende informacion të qartë mbi vendndodhjen dhe shtrirjen konkrete të secilit projekt në terren.

Dokumentet zyrtare përmendin “Salterra 2”, kompleks turistik, hoteleri dhe shërbime 11 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, me subjekt zhvillues “Turi M.Z.P.”; “Arte Marea 1”, kompleks turistik me shtëpi pushimi, shërbime dhe hoteleri, me subjekt “Green Investment”; si dhe “Resort Turistik në Gadishullin e Zvërnecit”, me subjekt “Zvërnec South Adriatic Development”.

Dokumentet tregojnë se zona është futur tashmë në një cikël miratimi të lejeve nga Këshilli Kombëtar i Territorit, ngjashëm me atë që shihet masivisht në jug të vendit, në Rrjoll dhe Shengjin.  

Kështu, nga veriu në jug, e njëjta përplasje po përsëritet, por me emra të ndryshëm. Në Rrjoll, konflikti mbi bregdetin dhe tokat e banorëve, në Sazan një ishull i konceptuar si resort privat, në Zvërnec dhe Pishë–Poro–Nartë, leje të pazbardhura, gardhe me gjemba, roje private që dhunojnë qytetarët.

Prona, bregdeti dhe natyra po trajtohen si hapësira të negociueshme për pak investitorë, ndërsa qytetarëve u mbetet të mësojnë për fatin e tyre kur në terren shfaqen tabelat, telat me gjemba apo fadromat.  Në Shqipëri po ndërtohet një precedent i rrezikshëm: natyra shpallet pasuri publike, por negociohet si pronë private.

The post Nga ligji te gardhi me gjemba: si u dorëzuan zonat e mbrojtura appeared first on Citizens.al.

❌
❌