Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 July 2025Main stream

Gjirokastër/ Zjarr pranë nënstacionit të vjetër elektrik

By: b b
11 July 2025 at 23:02

Një vatër zjarri është regjistruar mbrëmjen e sotme pranë nënstacionit të vjetër elektrik në Gjirokastër.

Sipas informacioneve të para, zjarrfikësit kanë shkuar në vendngjarje dhe konstatuan se zjarri ndodhej jashtë rrethimit të nënstacionit dhe kishte përfshirë barishte të thata.

Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me shpejtësi për të vënë flakët nën kontroll, me qëllim parandalimin e përhapjes drejt nënstacionit dhe banesave përreth.

Si pasojë e zjarrit, u dogj një sipërfaqe prej rreth 200 metrash katrorë me barishte.

Srebrenica në shërbim të politikës së Vuçiç

By: b b
11 July 2025 at 22:29

“Ka ardhur koha për të vërtetën” – kështu i paralajmëruan mediat proqeveritare në Serbi filmat dhe “emisionet speciale” që mohuan gjenocidin në Srebrenicë.

Ato u transmetuan gjatë ditëve që shënuan 30-vjetorin e vrasjes së më shumë se 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë.

Për gjenocidin si “mashtrim” folën presidenti i entitetit Republika Sërpska të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, dhe krimineli i dënuar i luftës, Vojisllav Sheshel.

Në televizionet “Informer” dhe “Prva” – me frekuencë kombëtare – u transmetua një serial që “zbulon manipulimin më të madh politik të drejtuar kundër popullit serb”.

Pas serialit qëndron organizata “Qendra për Stabilitet Shoqëror”, autore edhe e një filmi të mëhershëm që mohon krimin ndaj shqiptarëve të Kosovës në fshatin Reçak, më 1999.

“Ky narrativ tani është veçanërisht i theksuar. Përveç faktit që këtë vit bëhen 30 vjet nga gjenocidi, ai shfrytëzohet edhe për të goditur kundërshtarët politikë të pushtetit”, thotë për Radion Evropa e Lirë historiani dhe autori i një libri për gjenocidin në Srebrenicë, Dragan Popoviq.

Përvjetori i gjenocidit po zhvillohet në një atmosferë protestash studentore dhe qytetare në Serbi, që kanë tronditur Qeverinë e presidentit populist, Aleksandar Vuçiq.

Ai u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave boshnjake dhe tha se e kaluara nuk mund të ndryshohet, por e ardhmja mund të ndërtohet me bindjen që krimet e tilla të mos përsëriten më.

Edhe pse nuk janë shprehur drejtpërdrejt për Srebrenicën, pushteti dhe mediat proqeveritare i akuzojnë protestuesit se duan ta shpallin popullin serb si gjenocidial.

Ky ishte edhe mesazhi kryesor i fushatës shtetërore kundër miratimit të Rezolutës së Kombeve të Bashkuara për Srebrenicën në vitin 2024, edhe pse dokumenti nuk përmend asnjë popull apo shtet.

Një vit më vonë, me sulme u përballën edhe disa deputetë të opozitës që paraqitën në Kuvendin e Serbisë një tjetër propozim për rezolutë për dënimin e gjenocidit.

Kush bën thirrje për t’i dhënë fund politikës së mohimit?
“Përgjigje nga Parlamenti nuk ka ende”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ahmedin Shkrijel, anëtar i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA) të Sanxhakut.

Një grup parlamentar, që përfshin këtë parti të pakicës boshnjake, Partinë Shqiptare për Veprim Demokratik dhe Lëvizjen opozitare të Qytetarëve të Lirë, dorëzoi më 3 korrik një propozim-rezolutë që kërkon ndërprerjen e politikës së mohimit të gjenocidit, të pandëshkueshmërisë dhe të madhërimit të krimeve dhe kriminelëve.

“Në propozim-rezolutë, në disa pika theksojmë se populli serb nuk është gjenocidial, por ata që nuk duan të përballen me pasojat e politikës së tyre shkatërruese – e ata janë regjimi aktual në pushtet,” thotë Shkrijel.

Ai kujton se që nga viti 2015, SDA-ja e Sanxhakut ka paraqitur në Kuvend propozime për rezoluta për njohjen e gjenocidit në Srebrenicë, por thotë se ato kanë mbetur pa përgjigje.

Vendimi në duar të autoriteteve
Një propozim-rezolutë mund të paraqitet nga çdo deputet, por shumica qeverisëse vendos nëse ajo do të jetë në rend të ditës ose jo.

Shumica përbëhet nga Partia Përparimtare Serbe dhe Partia Socialiste e Serbisë.

Ato nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse do ta përfshinin në rend dite projekt-rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë me procedurë urgjente, siç kërkuan propozuesit.

Qeveria e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq nuk e pranon që forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska, të udhëhequra nga Ratko Mlladiq, kanë kryer gjenocid kundër popullsisë boshnjake në korrik të vitit 1995.

Ai e cilëson masakrën si “krim të rëndë”.

Pasi Mlladiq u dënua me burgim të përjetshëm në Hagë, disa deputetë të pushtetit në Serbi e mbështetën publikisht atë, ndërsa një mural që e madhëronte, qëndroi për gati dy vjet në fasadën e një ndërtese në qendër të Beogradit.

“Politikat që çuan në Srebrenicë, sot janë në pushtet në Serbi. Kur ata e relativizojnë dhe mohojnë gjenocidin, ata mbrojnë veten. Jo nga përgjegjësia kriminale, por nga përgjegjësia politike dhe morale”, thotë historiani Popoviq.

Mesazhi i Vuçiqit, të cilin ai e dërgoi nga foltorja e Kuvendit si zyrtar i Partisë Radikale Serbe të Sheshelit në vitet 1990, mbetet i paharrueshëm: “Vritni një serb, ne do të vrasim njëqind myslimanë”.

Një pikë kthese në paraqitjet e tij publike ndodhi në vitin 2015, kur mori pjesë në shënimin e përvjetorit të gjenocidit në Potoçari.

Gjatë rrugës për në varreza, të mbledhurit e përcollën me fishkëllima, e disa hodhën edhe gurë në drejtim të tij.

Tabloidët në Serbi, edhe sot e kësaj dite, e përshkruajnë këtë ngjarje si një përpjekje “për të vrarë presidentin e Serbisë”.

Mediat proqeveritare në fushatë
Propozimin e rezolutës për Srebrenicën e dorëzuan gjashtë deputetë – aq sa numëron grupi i tyre parlamentar – dhe, në të njëjtën ditë, ata u bënë cak sulmesh nga mediat proqeveritare.

“Informer” e quajti propozimin “të turpshëm”, ndërsa mbështetësit i cilësoi si “bllokues antiserbë, të cilët kërkojnë që Serbia të shpallet shtet gjenocidial”.

Pika e propozimit, në të cilën thuhet se Kuvendi i Serbisë “shpreh ngushëllime dhe u kërkon falje familjeve të viktimave, për faktin që Serbia nuk e ka ndaluar gjenocidin në Srebrenicë dhe nuk i ka dënuar kryesit”, u cilësua si veçanërisht “e turpshme”.

Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se Serbia nuk ka ndërmarrë asgjë për të parandaluar vrasjen e më shumë se 8.000 boshnjakëve.

“Nuk ka asnjë argument që mund të përdorni për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë”, thotë deputeti i SDA-së së Sanxhakut, Shkrijel, për Radion Evropa e Lirë.

“Serbia dhe populli serb kanë nevojë që kjo rezolutë të dërgojë një mesazh, se kombet dhe shtetet e tjera nuk i shohin ata si kërcënim apo rrezik, por, përkundrazi, si ata që do të përqendrohen në ndërtimin e paqes dhe rivendosjen e besimit në ish-Jugosllavi”, shton ai.

Propozim-rezoluta bazohet në vendimet e Tribunalit të Hagës, si dhe në Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila e shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës.

Në pano në të gjithë Serbinë, edhe sot mund të shihen mesazhe nga fushata shtetërore e vitit 2024, që thonë se “serbët nuk janë një popull gjenocidial”, edhe pse në dokumentin e miratuar nga Kombet e Bashkuara nuk përmendet as populli serb, as përgjegjësia kolektive.

Çka thonë studentët protestues?
Këtë vit, në kontekstin e Srebrenicës u përfshinë edhe studentët në bllokadë, që organizojnë protesta antiqeveritare tash e sa muaj, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e një strehe betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.

“Bllokuesit duan ta shpallin Serbinë gjenocidiale, ndërsa Vuçiq luftoi si luan kundër miratimit të rezolutës së turpshme për Srebrenicën në OKB”, ishte ballina e “Informer”-it më 25 qershor.

Studentët në bllokadë, të cilët nuk kanë liderë, nuk kanë dhënë qëndrime për gjenocidin në Srebrenicë.

Ata nuk deshën të flasin për Radion Evropa e Lirë për këtë temë, ndërsa më herët kanë thënë se, për shkak të heterogjenitetit të lëvizjes studentore, nuk do të flasin për çështje që nuk janë pjesë e kërkesave të tyre.

“Besoj se shumica e tyre nuk kanë informacion të mjaftueshëm për atë që ndodhi në Srebrenicë. Por, gjithashtu, besoj se ky nuk është momenti kur kjo mund t’u shpjegohet të rinjve”, thotë historiani Popoviq.

Për shkak të qëndrimeve personale për gjenocidin, disa studentë u përballën me sulme nga mediat.

“Besoj se, së pari, duhet hapur një hapësirë në shoqëri për dialog, të largohen regjimi autokratik dhe kontrolli i tij mbi mediat… Vetëm pastaj mund të ndërmerren hapa të tjerë që nuk do të jenë të lehtë – t’u shpjegohet njerëzve se çfarë ka qenë Srebrenica dhe përse është e rëndësishme ta kujtojmë”, shton Popoviq.

Qëndrimet e opozitës në Serbi
Disa parti opozitare, të cilat – pas thirrjes së studentëve – janë duke bojkotuar punën e Kuvendit, bëjnë deklarata të ngjashme.

“Asgjë nuk do të ndryshojë në këtë përbërje të Kuvendit për aq kohë sa Aleksandar Vuçiq është në pushtet dhe ne e konsiderojmë atë të paligjshëm për momentin. Kur të ndryshojnë rrethanat, ne mund të diskutojmë edhe dokumentet e propozuara nga partitë e tjera politike”, thotë për Radion Evropa e Lirë kreu i Partisë Demokratike, Sërgjan Millivojeviq.

Ai kujton se, me iniciativën e kësaj partie, Kuvendi serb ka miratuar Deklaratën për Srebrenicën në vitin 2010, në përputhje me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Edhe pse ky dokument i referohet vendimit që vërtetoi se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, ky term nuk përmendet.

Propozim-rezoluta e re nuk u shqyrtua as nga Fronti i Majtë i Gjelbër në opozitë, pasi nuk merr pjesë në punën e Kuvendit.

“Ne kurrë nuk kemi hezituar të themi se ajo që ndodhi në Srebrenicë, ishte gjenocid, dhe kemi folur për këtë publikisht në Kuvend. Por, gjatë gjithë kohës kemi një situatë në të cilën regjimi na sulmon për pretendimet se serbët janë një popull gjenocidial – gjë që askush prej nesh nuk e thotë”, shprehet për Radion Evropa e Lirë Bilana Gjorgjeviq nga kjo parti.

Të pyetura nëse do ta mbështesnin rezolutën e propozuar për gjenocidin në Srebrenicë, Partia për Liri dhe Drejtësi, Lëvizja Popullore e Serbisë dhe Partia e Re Demokratike e Serbisë, të cilat morën pjesë në fushatën kundër miratimit të dokumentit të OKB-së në vitin 2024, nuk u përgjigjën.

Udhëheqësi i Lëvizjes Popullore, Mirosllav Alleksiq, ka deklaruar më herët se “në Srebrenicë ndodhi një krim, por jo gjenocid”.

“Edhe pse nuk do të ndodhë asgjë lidhur me këtë nismë të re, është e rëndësishme që ajo të jetë në Kuvend dhe të mbetet e shënuar se dikush, megjithatë, e ka kërkuar”, thotë historiani Popoviq.

A i ndëshkoi Serbia ata që ishin përgjegjës?
Propozim-rezoluta e detyron Serbinë të kryejë hetime dhe t’i ndëshkojë të gjithë ata që janë përgjegjës për gjenocidin.

Vetëm dhjetë ditë para 30-vjetorit të gjenocidit, një gjykatë në Beograd e liroi ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Sërpska, Millenko Zhivanoviq, nga akuzat për krime lufte kundër popullsisë civile në Srebrenicë.

Deri më sot, në Serbi janë dhënë edhe tri aktgjykime të tjera, pa përmendur gjenocidin.

Dy janë rezultat i marrëveshjeve për pranimin e fajësisë që prokuroria i arriti me të akuzuarit, menjëherë pasi Bosnje dhe Hercegovina ngriti aktakuza kundër tyre.

Një tjetër rast që lidhet me Srebrenicën, po zhvillohet në Gjykatën e Lartë në Beograd.

Gjyqi për vrasjen e më shumë se 1.300 civilëve boshnjakë në fshatin Kravicë, i cili filloi në fund të vitit 2016, është ende në fazën e provave.

Të gjithë të pandehurit mbrohen në liri./rel

Përplasjet mes policisë dhe banorëve në Theth,Kisha Katolike:Të mbizotërojë paqja!

By: b b
11 July 2025 at 22:03

Kisha Katolike ka reaguar lidhur me situatën në Theth, ku pati përplasje mes banorëve dhe policisë së bashku me zyrtarët e IKMT, pas aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonë.

Në deklaratën zyrtare thuhet se Kisha Katolike qëndron gjithmonë në anën e paqes dhe të arsyes, duke bërë thirrje për qetësi, dialog dhe respekt për jetën njerëzore.

Po ashtu, në deklaratë thuhet po ashtu se themelore është mbrojtja e mjedisit, si dhuratë e çmuar nga Zoti, e cila duhet mbrojtur me punë dhe përkushtim.

Reagimi i plotë:

ARQIPESHKEVIA METROPOLITANE

SHKODËR-PULT

Prot. N 63/2025

Shkodër, 11.07.2025

DEKLARATË

Nisur nga zhvillimet e fundit në zonën e Thethit dhe duke parë situatën e tensionuar ndërmjet banorëve dhe autoriteteve shtetërore, jemi të shqetësuar për çka po ndodh dhe përveç lutjeve tona, ndihemi të detyruar të shprehim edhe qëndrimin tonë.

Si Kishë Katolike jemi dhe do të jemi gjithmonë në anën e paqes dhe të arsyes. Në këtë kohë u bëjmë thirrje të gjithëve të ruajnë qetësinë, të angazhohen për dialog dhe të respektojnë jetën.

Dënojmë me vendosmëri të gjitha format e dhunës, nga cilado palë që të vijë ajo. Jemi në krah të të gjithë njerëzve vullnetmirë, të atyre që punojnë me ndershmëri, sakrificë e dinjitet, shpesh në vuajtje dhe në heshtje. Respekti për ligjin dhe drejtësinë është një detyrë thelbësore për të gjithë.

Ne besojmë se është themelore ta mbrojmë mjedisin, një dhuratë e çmuar nga Zoti, por në të njëjtën kohë, është gjithashtu e nevojshme të mbrojmë ata që, me punë të palodhur dhe me përkushtim, përpiqen të jetojnë ndershmërisht dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre.

Lutem me zemer që kjo situatë të marrë zgjidhje sa më të shpejtë.

 

Yesterday — 11 July 2025Main stream

Vijon aksioni i IKMT-së në Theth, pavarësisht orëve të vona

By: b b
11 July 2025 at 21:45

Pavarësisht orëve të vona, nata nuk do të jetë e qetë për Thethin. Atje vijon zhvendosja dhe prishja e subjekteve pa leje.

Forcat e IKMT-së kanë hapur katër fronte ku po prishin objektet. Aksioni do të vijojë përgjatë gjithë natës për të vazhduar edhe ditën e nesërme.

Ndërkohë siç raportoi gazetarja Emi Kalaja për Klan News harta e objekteve për t’u prishur sa vjen e shtohet. Fillimisht u fol për 40, por tani ky numër ka shkuar në 120 objekte që do rrafshohen.

Një pjesë e strukturave janë të çmontueshme, si ato që duken në këto pamje. Ndërkohë në lartësinë e maleve janë vendosur struktura të ndërtuara me gurë dhe me beton.

Në Theth janë vendosur nëntë furgonë policie të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Shqiponjave. Lëvizja e uniformave blu vjen pas incidentit të rëndë në mesditë ku u hodh molotov.

Fatmirësisht nga ngjarja nuk pati të lënduar apo dëme materiale.

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe Arqipeshkevia Metropolitane Shkodër-Pult e cila shprehet e “shqetësuar për çka po ndodh”.

Ajo i bën thirrje të gjitha palëve që të ruajnë qetësinë, të angazhohen për dialog dhe të respektojnë jetën.

“Dënojmë me vendosmëri të gjitha format e dhunës, nga cilado palë që të vijë ajo. Jemi në krah të të gjithë njerëzve vullnetmirë, të atyre që punojnë me ndershmëri, sakrificë e dinjitet, shpesh në vuajtje dhe në heshtje. Respekti për ligjin dhe drejtësinë është një detyrë thelbësore për të gjithë. Ne besojmë se është themelore ta mbrojmë mjedisin, një dhuratë e çmuar nga Zoti, por në të njëjtën kohë, është gjithashtu e nevojshme të mbrojmë ata që, me punë të palodhur dhe me përkushtim, përpiqen të jetojnë ndershmërisht dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre”, thuhet në deklaratën e Arqipeshkvit Giovanni Peragine./tvklan.al

Përmbytjet vdekjeprurëse, Donald Trump viziton Teksasin

By: b b
11 July 2025 at 21:30

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mbërriti këtë pasdite në Teksas, shteti i zhytur në zi pas përmbytjeve që vranë të paktën 120 persona, ndërsa autoritetet lokale dhe federale po kritikohen ashpër për reagimin e tyre ndaj katastrofës.

Presidenti i SHBA-së dhe bashkëshortja e tij Melania do të bëjnë një vizitë disa-orëshe, saktësisht një javë pas përmbytjeve, teksa më shumë se 170 persona mbeten të zhdukur.

Më 4 korrik, Ditën e Pavarësisë, Teksasi qendror u godit nga shira të rrëmbyeshëm që shkaktuan përmbytje të menjëhershme, duke zgjuar shumë banorë nga gjumi. Deri më tani, 120 persona janë konfirmuar të vdekur, me Qarkun Kerr më të goditurin, me 96 vdekje – 36 nga viktimat ishin fëmijë.

Do të jem në qark “për të qenë me disa nga familjet”, u tha Trump gazetarëve përpara se të largohej nga Uashingtoni.

Vizita vjen në një kohë kur po ngrihen shumë pyetje në lidhje me mënyrën se si autoritetet e kanë trajtuar krizën dhe ndikimin që shkurtimet buxhetore – të ndjekura nga administrata Trump – kanë pasur në sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe shërbimet e shpëtimit.

Kur u pyet menjëherë pas katastrofës nëse ai ende synon të shfuqizojë Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave (FEMA), Donald Trump u përgjigj se “nuk ishte koha e duhur” për të diskutuar një gjë të tillë.

Presidenti republikan ka thënë në të kaluarën se shtetet duhet të marrin përsipër menaxhimin e fatkeqësive. Megjithatë, në këtë rast, ai shpalli gjendje të jashtëzakonshme në Teksas për të çliruar burimet federale.

Përgjigja federale ishte “e shpejtë dhe efektive”, këmbënguli Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kristi Noem në një postim në Platformën X. Sipas CNN, përpjekjet e shpëtimit të FEMA-s janë vonuar nga pengesat burokratike, pasi sekretari i shtetit ka miratuar një rregull të ri që synon frenimin e shpenzimeve.

Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë u detyrua t’i përgjigjej kritikave se shkurtimet në Shërbimin Kombëtar të Motit kanë ndikuar në aftësinë e tij për të ofruar parashikime të sakta dhe paralajmërime të hershme. Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë tha se NWS lëshoi ​​”një parashikim dhe paralajmërim” që ishte i saktë dhe në kohë. Por Sherifi i Qarkut Kerr, Larry Litha, tha se ishte njoftuar “rreth orës 4 ose 5 të mëngjesit” për thirrjet për ndihmë nga banorët dhe pushuesit.

Sipas stacionit televiziv lokal KSAT, një zjarrfikës kërkoi në orën 4:22 të mëngjesit që një mesazh emergjence të dërgohej në celularët e banorëve të komunitetit të Hunt, sepse ujërat e lumit Guadalupe po rriteshin në mënyrë të rrezikshme. Por zyra e sherifit i kërkoi atij të priste derisa të jepej miratimi nga një drejtues më i lartë. Mesazhet (sq. “alarm i kuq”) u dërguan më në fund të paktën 90 minuta më vonë, rreth orës 6 të mëngjesit. Disa banorë të komunitetit të Hunt, zona më e goditur, i morën ato gjashtë orë më vonë.

Më shumë se 2,000 shpëtimtarë dhe oficerë policie, me qen të trajnuar posaçërisht dhe të mbështetur nga helikopterë, kanë qenë duke kontrolluar zonën për shtatë ditë, duke u përpjekur të gjejnë të zhdukurit. Megjithatë, shpresat për t’i gjetur ata gjallë konsiderohen të papërfillshme.

Urdhri i Ramës, Mëlyshi: Asnjë kryebashkiak nuk duhet ta zbatojë

By: b b
11 July 2025 at 21:14

Në një takim me kryetarët e bashkive, kryeministri Edi Rama u kërkoi atyre që të shkarkojnë të gjithë drejtuesit e njësive administrative.

Por duket se kjo thirrje e tij nuk është marrë parasysh nga kryetarët që drejtojnë bashkitë e fituara nga e djathta. Albert Mëlyshi, kryetari i Bashkisë së Mirditës, tha në një intervistë për Klan News se kjo deklaratë e Ramës është shkelje e autonomisë vendore.

Sipas tij, asnjë kryetar bashkie në vend nuk duhet ta zbatojë atë urdhër. Ai theksoi se personalisht bën analizë çdo tre muaj për stafin e tij dhe vepron sipas perfomancës së secilit punonjës.

“Që në fillim të fjalës sime e përmenda që është një shkelje e autonomisë vendore. Pra është vetë titullari dhe institucioni që merr iniciativa për të matur performancën e punonjësve të saj, administratorëve, drejtorëve dhe stafit. Jam duke vazhduar periodikisht punën time të përditshme dhe diskutimet tre mujore për arritjen e rezultateve ose jo në njësi administrative ose në bashki. Ky është një urdhër që mund të zbatohet nga asnjë kryetar bashkie qoftë edhe të majta. Unë personalisht jam duke bërë analizën time sa i përket stafit. Aty ku shoh mangësi patjetër që marr hapat e duhura. Aty ku performohet mirë, do vazhdojnë në detyrë. Kjo nuk ka lidhje me urdhra që mund të japë kryeministri, të paktën në bashkinë që drejtoj unë. Kjo as që vihet në diskutim”, tha Mëlyshi për gazetarin Besard Jacaj.

Ai deklaroi se kryetarët e bashkive të djathta kanë rënë dakord që të marrin pjesë në takime të tilla, pasi kanë në fokus qytetarët që përfaqësojnë.

“Ne si grup i kryetarëve të bashkive të djathta, bashkëbisedojmë me njëri-tjetrin dhe marrim vendime konsensuale të përbashkëta për të marrë pjesë ose jo në takime të tilla. Përgjithësisht kemi qenë në një mendje që si kryetarë të djathtë të Bashkive duhet të jemi bashkëpunues dhe duhet të jemi aty për të ngritur zërin për qytetarët të cilët përfaqësojmë. Në këtë kontekst mendoj që duhet të jemi përtej atyre që janë takime politike, por në vëmendjen tonë duhet të jetë ideja që ne të përcjellim zërin e qytetarëve në takime me qeverinë, kryeministrin apo ministrat e qeverisë”, tha ai./tvklan.al

Popullsia e BE-së arrin rritje rekord, 450 milionë banorë në 2024

By: b b
11 July 2025 at 20:59

Migrimi drejt Bashkimit Evropian e ka ngritur popullsinë e saj në një shifër rekord prej 450.4 milionë banorë vitin e kaluar, duke kompensuar një rënie natyrore për të katërtin vit radhazi.

Të dhënat e publikuara sot tregojnë se që nga viti 2012, BE-ja ka regjistruar më shumë vdekje sesa lindje çdo vit, kështu që migrimi është i vetmi faktor në rritjen e popullsisë.

Ky trend paralajmëron për sfida të mëdha demografike, pasi një popullsi në plakje dhe norma të ulëta të fertilitetit po e çojnë shtetin e mirëqenies në prag të kolapsit dhe mungesës së fuqisë punëtore.

Vitin e kaluar, popullsia e BE-së u rrit me 1.07 milion, me një migrim neto pozitiv prej 2.3 milion banorësh. Kjo kompensoi një rënie natyrore të popullsisë prej 1.3 milion, pasi vdekjet prej 4.82 milion tejkaluan lindjet prej 3.56 milion.

Gjermania, Franca dhe Italia janë ende vendet më të populluara të BE-së, duke përbërë 47 përqind të popullsisë totale të bllokut. Nëntëmbëdhjetë shtete anëtare arritën rritje rekord në vitin 2024, ndërsa tetë regjistruan një rënie të popullsisë.

Malta kishte shkallën më të lartë të rritjes prej 19 për 1,000 banorë, e ndjekur nga Irlanda (16.3) dhe Luksemburgu (14.7).

Ndër vendet me rënie të popullsisë, Letonia qëndron në pozita më të këqija (-9.9), e ndjekur nga Hungaria (-4.7) dhe Polonia e Estonia, të dyja me -3.4.

Popullsia e Unionit është rritur nga 354.5 milionë në vitin 1960, megjithëse normat e rritjes kanë rënë ndjeshëm nga tre milionë në vit gjatë viteve 1960 në 0.9 milionë nga viti 2005-2024.

“Rritja e vëzhguar e popullsisë mund t’i atribuohet kryesisht rritjes së lëvizjeve të migracionit pas COVID-19”, tha Eurostat. Të 27 shtetet anëtare panë tkurrjen e popullsive të tyre gjatë pandemisë së koronavirusit.

Përveç kësaj, disa qeveri evropiane shtrënguan kontrollet kufitare për shkak të frikës së publikut nga migracioni, megjithëse kalimet e paligjshme ranë me 38 përqind në vitin 2024 dhe ishin më të ulëtat që nga viti 2021.

Belgjika, Polonia, Gjermania dhe Holanda vendosën kontrolle të përkohshme kufitare vitin e kaluar, dhe BE-ja gjithashtu ka shtrënguar sistemin e saj të migracionit për të zvogëluar numrin e mbërritjeve të paligjshme dhe për të përshpejtuar procesin e azilit.

Festivali “Umbria Jazz”, policia shqiptare në ndihmë të autoriteteve italiane

By: b b
11 July 2025 at 20:38

Dy oficerë të Policisë së Shtetit Shqiptar do të angazhohen në shërbimet e rendit dhe sigurisë publike gjatë festivalit të njohur ndërkombëtar “Umbria Jazz”, që zhvillohet çdo verë në qytetin italian të Perugias.

Lajmi u konfirmua nga autoritetet italiane, pasi drejtori i Policisë së Perugias, Dario Sallustio, priti në një takim zyrtar oficerët shqiptarë që do të punojnë krah për krah me kolegët italianë në terren.

Bashkëpunimi është pjesë e një marrëveshjeje ndërkombëtare të koordinuar nga Departamenti i Sigurisë Publike në Itali dhe Shërbimi për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë.

Pjesëmarrja e policëve shqiptarë vjen pas përvojës pozitive të dy viteve të fundit dhe ka për qëllim jo vetëm forcimin e sigurisë gjatë aktiviteteve me pjesëmarrje të gjerë, por edhe asistimin e shtetasve shqiptarë që ndodhen në Itali për pushime apo për të ndjekur festivalin.

Gjatë qëndrimit të tyre, efektivët shqiptarë do të patrullojnë së bashku me oficerët italianë dhe do të ndihmojnë në lehtësimin e komunikimit mes qytetarëve shqiptarë dhe Policisë italiane.

Gjenocidi i Srebrenicës, Marta Kos: Plagë e thellë në historinë europiane!

By: b b
11 July 2025 at 20:24

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ka përkujtuar viktimat e gjenocidit të Srebrenicës, në 30-vjetorin e masakrës që tronditi Ballkanin dhe gjithë botën.

“Srebrenica mbetet një plagë e thellë në historinë europiane,” shkroi Kos në një deklaratë publike, duke shtuar se ndihej “e prekur dhe e nderuar” që mori pjesë në ceremoninë përkujtimore për të nderuar viktimat dhe për të ndarë dhimbjen me familjarët e tyre.

“Të mbrojmë gjithmonë të drejtat që atyre iu mohuan, është mënyra më e mirë për të nderuar kujtimin e tyre”, theksoi zyrtarja e lartë e BE-së.

Masakra e Srebrenicës, e njohur gjerësisht si gjenocidi më i rëndë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, ndodhi në korrik të vitit 1995, kur forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë.

Srebrenica remains a deep scar on European history.

Moved and honoured to have taken part in today’s commemoration to pay tribute to the victims and share the grief of their loved ones.

Let us uphold their memory by always defending the rights they were denied.#Srebrenica30 pic.twitter.com/ULAqFsbsTl

— Marta Kos (@MartaKosEU) July 11, 2025

Mjekët pa Kufij: Ka rritje të madhe të kequshqyerjes në Gazë

By: b b
11 July 2025 at 20:08

Mjekët pa Kufij kanë paralajmëruar se popullsia në Rripin e Gazës, që po përjeton luftime të rënda, po vuan gjithnjë e më shumë nga uria.

Ekipet në terren kanë vërejtur “një rritje të shpejtë dhe të paparë të kequshqyerjes akute tek njerëzit në Gazë”, thanë ata.

Në dy qendrat e saj shëndetësore në qytetin e Gazës dhe në qytetin bregdetar Al-Mavasi, aktualisht janë duke marrë trajtim ambulator më shumë se 700 gra shtatzëna dhe gjidhënëse si dhe gati 500 fëmijë me kequshqyerje të rëndë dhe të moderuar.

Numri i rasteve të kequshqyerjes në qendrën e saj në qytetin e Gazës është katërfishuar pothuajse për më pak se dy muaj, nga 293 raste në maj në 983 raste në fillim të korrikut. Prej tyre, 326 raste përfshijnë fëmijë të moshës nga 6 deri në 23 muaj, theksuan ata.

“Kjo është hera e parë që shohim një shkallë kaq të rëndë të rasteve të kequshqyerjes në Gazë”, thuhet në komunikatën e tyre.

“Zia e bukës në Gazë është e qëllimshme, mund të përfundojë që nesër nëse autoritetet izraelite lejojnë hyrjen e ushqimit në sasi të mëdha”, sipas tyre.

Izraeli kufizon në minimumin e mundshëm futjen e ushqimit në Gazë, si dhe e mbikëqyr shpërndarjen e mëvonshme të tij.

Mjekët pa Kufij i bënë thirrje Izraelit të lejojë menjëherë qasje të pakufizuar në ndihmat humanitare, përfshirë ushqimin dhe ilaçet, si dhe mbrojtjen e popullsisë civile.

Izraeli kontrollon të gjitha pikat e hyrjes në Rripin e Gazës dhe rrjedhimisht edhe rrugët e transportit për ndihmat humanitare.

Izraeli e justifikon kufizimin e ndihmave duke pretenduar se Hamasi – grupi i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – i plaçkit ato.

Sipas organizatave të OKB-së, nuk ka asnjë provë që kjo të ketë ndodhur.

Ministria e Drejtësisë e Serbisë thotë se ishin në shënjestre të sulmi hakerësh

By: b b
11 July 2025 at 19:57

Ministria e Drejtësisë e Serbisë tha të premten se ka qenë shënjestër e sulmeve nga hakerët që nga 4 korriku, dhe se “sulmet kulmuan” me një sulm të hakerëve ndaj qendrës së saj për të dhënat gjyqësore.

Në një komunikatë për media, ajo tha se e ka çaktivizuar plotësisht qasjen në rrjet në qendrën e të dhënave “për t’i parandaluar pasojat e paparashikueshme, siç janë fshirja e bazave të të dhënave ose bllokimi i të dhënave nga hakerët dhe shantazhi i mëvonshëm”.

“Kjo është masë parandaluese për shkak të rritjes së rrezikut të aktiviteteve dashakeqe brenda të gjithë infrastrukturës gjyqësore që lidh të gjitha sistemet gjyqësore dhe shtetërore”, thuhet në komunikatë.

Ministria shtoi se do t’i njoftojë përdoruesit e sistemit për rifillimin e punës pasi të jetë stabilizuar sistemi.

Ky është “një sulm i qartë ndaj gjyqësorit serb”, sipas Ministrisë, e cila shprehu shqetësimin se sulmet ndaj bazave të të dhënave gjyqësore “mund të lidhen me gjendjen e tanishme politike në vend dhe format e luftës hibride”.

Në Serbi, bllokada të trafikut dhe kryqëzimeve janë organizuar prej ditësh, duke kërkuar, ndër të tjera, zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Bllokimi i rrugëve filloi pasi studentët protestues kanë bërë thirrje për “mosbindje civile” pas një proteste në Beograd më 28 qershor.

Protestat disamujore të udhëhequra nga studentët në Serbi filluan fillimisht pasi shembjes së një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 njerëz më 1 nëntor.

Autoritetet në Serbi i kundërshtojnë këto protesta, duke i quajtur ato një përpjekje për një “revolucion me ngjyra”.

Ka pasur raste të sulmeve të hakerëve ndaj institucioneve shtetërore në Serbi në vitet e mëparshme.

Në dhjetor 2023, kompania energjetike e Serbisë, Elektroprivreda Srbije, ishte shënjestër e një sulmi dhe shantazhi nga një grup hakerësh që pretendonte se kishte vjedhur një pjesë të madhe të të dhënave private të kompanisë.

Një sulm hakerësh u raportua gjithashtu nga Autoriteti Gjeodezik i Republikës (RGZ) në qershor 2022, kur i gjithë sistemi i këtij autoriteti, përmes të cilit kryhen blerjet dhe shitjet dhe transaksionet e tjera që lidhen me pasuritë e paluajtshme, u bllokua./rel

Incidenti në Theth,përfaqësuesi i IKMT-banorëve:S’ka Zot të vrasë punonjësit e…

By: b b
11 July 2025 at 19:35

Një ditë e tensionuar ka qenë kjo e sotmja në Theth, ku nuk kanë munguar përplasjet e herëpashershme mes banorëve dhe punonjësve të IKMT-së.

Fillimisht ka qenë një banor, i cili hodhi një shishe benzinë në urën e fshatit duke tentuar ta djegë. Po ashtu, një situatë e tillë ndodhi edhe me një fadromë të IKMT-së.

Pas këtij rasti, mes banorëve dhe një përfaqësuesi të IKMT-së ka pasur një debat. Ky i fundit është shprehur se ndaj punonjësve është qëlluar me armë dhe është hedhur molotov.

Pjesë nga debati:

“Po ti nuk ke ndërmend të hedhësh molotov të vrasësh punonjësit e shtetit. Asi, as Zoti. As ka Zot të vrasë punonjësit e shtetit. Ke ndërtuar pa leje, je i paligjshëm. Kjo të jep të drejtë të vrasësh njerëzit? Është krim.

Mund të ishte dhe vëllai jot, nuk është normale. Mund të ishe dhe ti atje. Më fal, të lutem. Çfarë faji ju ka fëmija atij punëtorit që merr 400 mijë lekë, ta vrisni juve? Më thoni çfarë faji ka? Juve të na prisnit, të bisedonim, hajde të japim një zgjidhje, jo me molotov mo zotëri. Nuk e kthen dot shtetin as me molotov, as me armë e as me kallash.  Na keni qëlluar me armë dhe me molotov”, shprehet ai.

Aksioni për shembjen e objekteve pa leje në Theth nisi pas denoncimit publik që bëri kryeministri Edi Rama se atje ishte ndërtuar “një fshat pa leje”. Prej asaj kohe, e deri më tani, ka vijuar aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje.

Bundestagu Gjerman shtyn votimin për emërimin e gjyqtarëve

By: b b
11 July 2025 at 19:19

Bundestagu Gjerman shtyu votimin për emërimin e tre gjyqtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese Federale të premten, pas një kërkese të diskutueshme nga partia Bashkimi Kristian Demokrat (CDU) e KancelaritFriedrich Merz për të shtyrë votimin për vetëm një kandidat.

Blloku konservator, i përbërë nga CDU dhe partia e saj simotër bavareze, Bashkimi Kristian Social (CSU), kërkoi shtyrjen e votimit për emërimin e Frauke Brosius-Gersdorf-it, për shkak të dyshimeve për plagjiaturë. Kandidatura e Brosius-Gersdorf-it u propozua nga Partia Socialdemokrate (SPD), partnerja e vogël në koalicionin qeveritar.

Konservatorët kishin shprehur edhe më parë skepticizëm në lidhje me qëndrimin liberal të Brosius-Gersdorf-it mbi abortin dhe mbështetjen e saj për vaksinimin e detyrueshëm gjatë pandemisë COVID-19.

Vendimi i partive unioniste për të shtyrë votimin shkaktoi zemërim te të Gjelbrit dhe SPD, të cilët thanë se kjo dëmtonte legjitimitetin e gjykatës.

Si rezultat, Partia e Gjelbër kërkoi shtyrjen e votimit për tre gjyqtarët.

Zhvillimet konkrete në Bundestag
Blloku konservator në pushtet, i cili kishte propozuar nga ana e tij gjyqtarin e Gjykatës Federale të Punës Günter Spinner, vendosi të shtyjë votimin për kandidaten e SPD-së, duke përmendur dyshimet për plagjiaturë. Konservatorët e konsiderojnë Brosius-Gersdorfin të diskutueshme për qëndrimin e saj liberal mbi abortin.

Drejtueset e Partisë së Gjelbër në Bundestag, Britta Hasselmann dhe Katharina Dröge, thanë se ishte e papranueshme dhe mungesë respekti të shtyhej votimi vetëm për Frauke Brosius-Gersdorf.

“Është e turpshme që për një kandidat të shpifet hapur dhe të baltoset në këtë mënyrë”, tha Hasselmann. “Kjo prek integritetin e gjykatës sonë më të lartë”.

Që gjyqtarët të zgjidhen në gjykatën më të lartë, kërkohet një shumicë prej dy të tretash të votave. Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) kishte thënë se do të mbështesë Spinnerin, por jo kandidatët e SPD-së.

Konservatorët mund të mbështeten në votat e AfD-së për zgjedhjen e kandidatit të tyre, pasi deri tani kanë refuzuar bisedimet me Partinë e Majtë. Megjithatë, votat janë të fshehta, kështu që nuk do të jetë e qartë nëse do të jenë votat e AfD-së ato që do t’i japin Spinnerit fitoren.

Me seli në qytetin jugor gjerman të Karlsruhe-s, Gjykata Kushtetuese Federale zbaton Kushtetutën e vendit, të njohur si Ligji Themelor./dw

“Ndani plehrat në burim”/Rama-kryebashkiakëve: Po kalojmë në një shekull tjetër…

By: b b
11 July 2025 at 16:24

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me kryebashkiakët e vendit në qytetin e Durrësit.

Gjatë fjalës së tij, Rama kërkoi që pushteti vendor të përqëndrohet më shumë në trajtimin e mbetjeve.

Ai tha që kryebashkiakët duhet të fillojnë të punojnë për ndarjen në burim, për riciklim e ripërdorim të mbetjeve.

“Të filloni të punoni për ndarjen në burim për riciklim e ripërdorim, se nuk mund të jetë kjo histori: hidh plehrat, mbulo kazanët me plehra dhe më pas merri e çoji në venddepozitim…

Kjo është një sfidë e kalimit nga fshati në qytet, në kuptimin e të bërit nga një vend fshat në një vend qytet i Europës dhe i kalimit nga një shekull në një shekull tjetër në sensin e përkatësisë europiane.

Një eksperiencë jashtëzakonisht të mirë në këtë drejtim, jo për plehrat e fshatit, por për plehrat urbane, ka Berati, që ka ndërtuar një pikë shumë mbresëlënëse riciklimi, dhe ajo duhet parë se nuk është një shkencë shumë e madhe”, tha Rama.

Plot plehra dhe minj, ndotja e lumit Lana në nivele alarmante

By: b b
11 July 2025 at 16:08

Një kanal i ujërave të zeza që kalon mespërmes Tiranës.

Kjo është ajo në çfarë është shndërruar lumi i Lanës.

Ndotja këtu është përtej çdo imagjinate. Mbeturinat që sjell rrjedha e ujit përzihen me plehrat që qëndrojnë aty prej kohësh, duke e kthyer shtratin e Lanës në një vendgrumbullim të hapur.

Ngado të hedhësh sytë, sheh minj.

Me këtë ndotje që përshkon Tiranën nga lindja në perëndim përballen çdo ditë qytetarët dhe turistët.

Përveç pamjes skandaloze që ofron lumi, ajo që e bën situatën edhe më të rëndë është era e padurueshme që vjen prej tij dhe që ka pushtuar gjithë zonën përreth.

“Skëterr”, u shpreh dikush.
“Erë e keqe…”, shtoi dikush tjetër.

“Mban erë të keqe, nuk ka erë të këndshme, por Tirana është një qytet i bukur”, tha një turist.

Ndotja urbane që ka prekur Tiranën është në nivele alarmante, me rrugë, trotuare e parqe të papastruara prej kohësh.

Pak kohë më parë Bashkia e Tiranës prezantoi projektin për rehabilitimin e Lanës, por deri tani ka mbetur vetëm në letra.

Tv Klan

Ndërtimet në Theth/ Manja: Kam kërkuar hetim disiplinor për prokuroren Elsa Gjeli

By: b b
11 July 2025 at 15:26

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka dalë këtë të premte në një deklaratë për mediat, pas refuzimit të prokurores Elsa Gjeli për të hetuar rastin e Thethit.

Gjatë fjalës së tij, Manja tha se ka kërkuar hetim disiplinor për prokuroren.

Sipas tij, mosngritja e hetimit ndaj rastit të Thethit tregon nxitim, paaftësi profesionale.

“Si Ministër drejtësie, bazuar në kompetencat që më jep ligji, kërkuar zyrtarisht dje nisjen e hetimit disiplinor për një rast flagrant të mosushtrimit të ndjekjes penale dhe hetimit që ka të bëjë me ndërtimin pa lehje të një parku turistik në zemër të Thethit.

Prokurorja Elsa Gjeli, nga momenti i referimit nga Policia gjyqësore, të një materiali kallëzues në lidhje me ndërtimin e paligjshëm të këtij parku të paligj në zemër të Thethit, pa kryer asnjë hetim, ka vendosur mosfillimin e procedimit penal.

Duke analizuar vendimin e mosfillimit, duke ballafaquar argumentet e dhëna në hetim me Kushtetutën dhe ligjin, ne mendojmë se ky vendim bie ndesh me parimin e ligjshmërisë. Prokurorja ka marrë përsipër, pa kryer asnjë veprim, ka arritur në konkluzionin se mungon faji.

Gjë e cila tregon nxitim, paaftësi profesionale dhe tendenca për të mos ushtruar ndjekjen penale dhe hetimin e këtij ndërtimi të paligjshëm në zemër të Thethit. Absurdi qëndron në faktin që prokurorja Elsa Gjeli, kur analizon kuadrin ligjor i referohet një ligji të shfuqizuar. Dihet publikisht që ligji për legalizimet është shfuqizuar”, tha Manja.

Kombëtarja U-21 luan miqësore me Gjermaninë, më 5 shtator në “Elbasan Arena”

By: b b
11 July 2025 at 14:58

Kombëtarja shqiptare U-21 do të zhvillojë një ndeshje miqësore prestigjioze ndaj Gjermanisë U-21 në muajin shtator.

Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur marrëveshjen me Federatën Gjermane të Futbollit që kjo ndeshje të luhet më datë 5 shtator në stadiumin “Elbasan Arena”. Orari i takimit do të përcaktohet në vijim.

Kjo ndeshje miqësore është një test i rëndësishëm për trajnerin Alban Bushi dhe stafin teknik, për të vëzhguar nga afër lojtarët e grumbulluar dhe për të ndërtuar një grup sa më konkurrues në funksion të Europianit U-21 2027.

Kombëtarja U-21 është e kualifikuar automatikisht në këtë turne madhor, pasi Shqipëria është përzgjedhur si një nga vendet mikpritëse të Kampionatit Europian U-21 2027.

I dënuar për vrasje, 32-vjeçarit i sekuestrohen pasuri me vlerë 875 mijë euro

By: b b
11 July 2025 at 14:44

Policia i ka sekuestruar pasuri me vlerë 875 000 euro një 32-vjeçari, të dënuar me burg për vrasje me paramendim dhe pjesëmarrje në grup kriminal për trafikim të lëndëve narkotike.

Sipas uniformve blu mësohet se pasuritë e sekuestruara janë 2 garazhe, 1 apartament, 1 sipërfaqe truall dhe 1 subjekt tregtar, që ishin të regjistruara në emër të 32-vjeçarit ose të familjarëve të tij.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave, në bashkëpunim me specialistët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në kuadër të një procedimi penal të drejtuar nga Prokuroria e Tiranës, ekzekutuan në kuadër të operacionit “Asset lock”, vendimin e Gjykatës së Tiranës, për sekuestrimin e 5 pasurive në pronësi të shtetasit P. P., 32 vjeç, i cili aktualisht po vuan dënimin, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike” kryer në kuadër të grupit të struktuar kriminal.

Pasuritë e sekuestruara, konkretisht: 2 garazhe, 1 apartament, 1 sipërfaqe truall dhe 1 subjekt tregtar ishin të regjistruara në emër të 32-vjeçarit ose të familjarëve të tij.

Vijon puna për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që dyshohet se kanë burim veprimtartë kriminale të këtij shtetasi”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Zbulohet qendra e prostitucionit në Vlorë, procedohen 3 shtetase nga Venezuela

By: b b
11 July 2025 at 14:16

Policia ka goditur një rast të shfrytëzimit të shtetaseve të huaja, për prostitucion.

Uniformat blu kanë shpallur në kërkim shtetasen spanjolle që organizonte këtë veprimtari kriminale në apartamentin që ajo kishte marrë me qira, për këtë qëllim.

Janë proceduar penalisht 3 shtetase nga Venezuela që ushtronin prostitucion në apartamentin e marrë me qira.

“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Vlorë, në vijim të punës për goditjen e rasteve të shfrytëzimit të prostitucionit, kanë evidentuar dhe goditur një rast të kësaj veprimtarie kriminale. Në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast:

-u shpall në kërkim shtetasja A. A., 43 vjeçe, banuese në Spanjë. Kjo shtetase kishte marrë me qira një apartament në lagjen “Pavarësia 3”, Vlorë, në të cilin dyshohet se shfrytëzonte për prostitucion, shtetase të huaja;

-u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset venezuelase R. L., 25 vjeçe, K. C., 30 vjeçe dhe H. S., 30 vjeçe, banuese në Vlorë.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetases së shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së saj kriminale”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

❌
❌