Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 July 2025Main stream

Tërmeti i fortë godet Kretën, ja sa ishte magnituda

By: b b
23 July 2025 at 17:16

Një tërmet me magnitudë 5.2 ballë të shkallës Rihter ndodhi mesditën e së mërkurës në zonën midis Kretës dhe Antiquityra në Greqi.

Sipas Institutit Grek Gjeodinamik, epiqendra e tërmetit ishte 22 kilometra në juglindje të Antiquityra-s, ndërsa vatra e tërmetit ndodhej në një thellësi prej 50.7 kilometrash.

Tërmeti u ndje më shumë në Hanja.

Përdoruesit e telefonave inteligjentë që përdorin sistemin operativ Android kanë marrë një njoftim për tërmet, si dhe udhëzime sigurie në rast të tërmeteve më të forta.

“Shqipëria, një vend jashtëzakonisht piktoresk”

By: b b
23 July 2025 at 17:07

Shqipëria, një vend ballkanik jashtëzakonisht piktoresk, si Kroacia, nuk është vetëm një destinacion bregdetar, por edhe një trashëgimi e rëndësishme kulturore. Kështu e nis artikullin për vendin tonë një nga platformat italiane të udhëtimeve që është prezente në mbi 10 shtete të ndryshme të botës, “Piratiinviaggio.it”.

Kjo platformë u sugjeron lexuesve të saj se, nëse ëndërroni plazhe kristal, paketa pushimesh gjithëpërfshirëse në vendpushime ideale për ata që udhëtojnë me fëmijë, hotele bregdetare me kosto të ulët këtë verë, Shqipëria është destinacioni për ju.

Por çfarë të vizitoni në Shqipëri?

“Piratiinviaggio.it” shkruan se, pavarësisht nëse po kërkoni pushime në plazh, pushime në mal, një qytet me histori apo aventura, jemi të bindur se Shqipëria do të jetë destinacioni ideal për pushimet tuaja verore, falë shumëllojshmërisë së mundësive që i përshtaten çdo vizitori.

“Nëse keni vendosur të shijoni pushime të rehatshme dhe plazhet, ja një listë e tyre që nuk duhet t’i humbisni: Dhërmiu, një nga zonat më të njohura në Rivierën Shqiptare, ne ju rekomandojmë ta vizitoni me patjetër”. Gjithashtu, platforma italiane e udhëtimeve rendit në listë edhe Vlorën, ndër zonat më të bukura në vend, ku mund të gjeni gjithçka që kërkoni, nga plazhet e bukura e deri te restorantet dhe hotelet luksoze.

Saranda dhe Ksamili janë destinacione që rekomandohen nga “Piratiinviaggio.it”, destinacionet më tërheqëse turistike, e sidomos Ksamili i famshëm për ujërat e tij të kristalta që kujtojnë Maldivet. Pjesë të plazheve më të bukura të Rivierës Shqiptare, platforma italiane rendit edhe Velipojën dhe Shëngjinin, e veçanërisht Ranën e Hedhun.

Jo vetëm plazhet piktoreske të vendit tonë, por “Piratiinviaggio.it” sugjeron edhe qytetet si Berati, që mahnit me historinë dhe pamjet e tij marramendëse. Gjithashtu, në listën e sugjerimeve për t’u vizituar, platforma e udhëtimeve përfshin edhe Tiranën e Gjirokastrën si dy qytete që kanë shumë për të ofruar për vizitorët.

Klan News

KQZ ia dha mandatin Kleana Xhuvelit, reagon Shabani: U mbars mali dhe…

By: b b
23 July 2025 at 16:51

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha fund dilemës se kujt i takon mandati i Koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, duke ia dhënë Kleana Xhuvelit, e cila është familjare e Adriatik Lapajt.

Pas këtij vendimi të KQZ-sëë ka reaguar Endri Shabani.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shabani shkruan se pa votat e Nismës Thurje, motra e Lapajt nuk do të kishte marrë mandat.

Shabani e mbyll shkrimin duke theksuar se e ka faluar Lapajn.

Reagimi i Endri Shabanit:

U mbars mali dhe…Njëmijë akuza.

Ndërkohë sot, njeriu im më i afërt dha dorëheqjen dhe mandatin e mori Kleana Xhuveli. Kleana nuk është daja im po motra e Adriatik Lapajt!

Deri dje na akuzonte do bëheshim vota e 84 e Ramës.

Sot që mori mandatin për motrën, Adriatiku na thotë që i qenka lutur Rama për bashkëqeverisje.

Medemek Rama që mezi e përzuri LSI-në kur kishte 74, po i lutet Adriatikut fiks tani që ka 83 dhe ka gllabëruar çdo pushtet!

Me sa duket, tullumbaci i 71 mandateve që Adriatiku përbetohej se do merrte, ende nuk qenka shfryrë në kokën e tij nga gjilpëra e realitetit të 11 majit, ku pa votat tona do kishte mbetur edhe e motra pa mandat.

Nejse, kjo ishte kostoja krejt e panevojshme që ne të Nismës morëm për ndershmërinë dhe seriozitetin tonë në koalicion me një politikan të ri që më mirë se sa ne, njeh të gjitha metodat e vjetra.

Megjithatë ne nuk e djegim jorganin për një plesht, kur për më tepër kemi njohur dhe vlerësojmë plot djem e vajza në radhët e Shqipëria Bëhet.

Ndërsa Adriatikut ia kam falur se nuk diti se ç’bëri dhe uroj të nxjerrë edhe ai mësimet e veta siç kam nxjerrë unë të miat.

Britania sanksionon dhjetëra persona, përfshirë një shqiptar

By: b b
23 July 2025 at 16:35

Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione ndaj dhjetëra personave, grupeve dhe furnizuesve nga Ballkani, Lindja e Mesme dhe Kina, të cilët akuzohet se kanë ndihmuar migrantët që të kalojnë Kanalin e La Manshit. Në mesin e të sanksionuarve është edhe një shqiptar.

Njoftimi për vendosjen e sanksioneve vjen në një kohë kur Qeveria britanike po përballet me presion politik për të ndalur valën arritjeve në shifra rekorde të migrantëve, të cilët po shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla nga veriu i Francës.

Kush u sanksionua nga Ballkani?
Kjo është hera e parë që Mbretëria e Bashkuar përdor regjimin e ri të sanksioneve për migrimin e paligjshëm global.

Në total, 20 individë dhe katër banda u sanksionuan – dy grupe nga Ballkani dhe dy me origjinë nga Afrika e Veriut që operonin në Ballkan, si dhe kompania kineze, Weihai Yamar Outdoor Product Co.

Në mesin e të sanksionuarve është shqiptari Bledar Lala. Sipas Mbretërisë së Bashkuar, ai kontrollon “operacionet belge” të një grupi të organizuar kriminal që është i përfshirë në kalimet e paligjshme.

Po ashtu është sanksionuar banda Kavaç, një grup i krimit të organizuar nga Ballkani, që njihet për përdorimin e pasaportave false për të kontrabanuar anëtarët e tij nga Ballkani në Turqi.

Po ashtu, banda Shkalari, një grup i krimit të organizuar në Mal të Zi që kontrabandën kriminelë mes Ballkanit dhe Turqisë është në listën e sanksioneve.

Mbretëria e Bashkuar po ashtu ka shënjestruar Alen Basil, ish-përkthyes policor, i cili akuzohet se aktualisht drejton një rrjet të madh të trafikimit të migrantëve në Serbi, duke “terrorizuar refugjatët me ndihmën e policëve të korruptuar”.

Po ashtu, sanksione janë vendosur ndaj Mohammed Tetwani, të cilin autoritetet britanike e përshkruajnë si “mbret të Horgoshit”, për shkak të mënyrës brutale me të cilën, sipas Londrës, menaxhon një kamp migrantësh në qytetin serb Horgosh.

Personat e sanksionuar dhe entitetet përballen me ngrirje të aseteve dhe ndalesë të udhëtimeve, tha Zyra për Punë të Jashtme e Britanisë.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, e quajti këtë “një moment historik të punës së Qeverisë për të luftuar krimin e organizuar sa i përket migrimit”, që tha se po prek Mbretëinë e Bashkuar.

Pothuajse 24.000 migrantë kanë kaluar Kanalin e La Manshit deri më tani më 2025 – që është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit./rel

Hapja e grupkapitullit të 5-të për integrimin, reagon Spiropali: Kuvendi do të…

By: b b
23 July 2025 at 16:27

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me vendimin e sotëm të Brukselit, për hapjen e negociatave për grupkapitullin e pestë me Shqipërinë, i cili përfshin Bujqësinë dhe Kohezionin.

Spiropali shkruan se Shqipëria është pranë përmbylljes së hapjes së të gjithë kapitujve të negociatave me BE-në.

Ajo shtoi se Kuvendi do të mbështesë fuqishëm këtë proces dhe do të intensifikojë diplomacinë parlamentare për anëtarësimin e vendit në BE deri në vitin 2030.

Reagimi i Spiropalit:

Ftesa e Presidencës Daneze për paraqitjen e Pozicionit Negociues për Grupkapitullin 5 “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni” dhe Konferenca Ndërqeveritare që do të mbahet së shpejti përmbyllin çeljen e të gjithë kapitujve të negociatave.

Kuvendi do të vijojë të mbështesë maksimalisht paraqitjen e Pozicionit Negociues dhe përpjekjet, kontributet dhe investimet për zhvillimin e qëndrueshëm rural, modernizimin e bujqësisë dhe kohezionin social e territorial të Shqipërisë, si dhe do të intensifikojë diplomacinë parlamentare për arritjen e objektivit tonë kombëtar për Shqipërinë 2030 në BE.

Euro prek rekordin historik, zbret në 96 lekë. Ekspertët zbulojnë shkaqet

By: b b
23 July 2025 at 16:15

Euro ka zbritur në nivelin më të ulët historik në tregun vendas, duke u këmbyer këtë të mërkurë në nivelet e 96 lekëve, një rekord historik që vjen në mes të sezonit turistik dhe lë ekonomistët të shqetësuar.

Fluksi i turistëve, remitancat dhe sezonaliteti tradicional e kanë rritur ndjeshëm ofertën, duke ulur vlerën e monedhës europiane.

Sezoni turistik dhe përdorimi masiv i euros për pagesa po e mbajnë në presion të vazhdueshëm monedhën europiane.

Edhe dërgesat nga emigrantët kanë arritur kulmin gjatë kësaj periudhe, duke forcuar më tej lekun.

Ekspertët paralajmërojnë se, pa ndërhyrje të Bankës së Shqipërisë, euro mund të vijojë rënien deri në fund të sezonit.

Por në shtator pritet një rikthim gradual, teksa sezonaliteti mbaron dhe kërkesa për valutë rritet sërish.

Tv Klan

Yesterday — 22 July 2025Main stream

Temperaturat e larta, Akropoli i Athinës mbyllet përsëri për turistët

By: b b
22 July 2025 at 19:22

Qeveria greke u ka kërkuar punonjësve në natyrë të pezullojnë aktivitetet e tyre dhe gjithashtu ka mbyllur Akropolin për shkak të valës së tretë të të nxehtit që ka goditur vendin këtë verë.

Ministria e Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile e Greqisë paralajmëroi se temperaturat do të arrijnë kulmin nga e marta deri të premten, duke arritur deri në +43°C në disa rajone.

Autoritetet dhe shërbimet e shpëtimit janë në gatishmëri të lartë. Punëtorëve u këshillohet të pezullojnë punën në natyrë gjatë pjesës më të nxehtë të ditës. Në qershor, një zjarr masiv pyjor shkatërroi pyjet dhe ullishtat në ishullin e Kretës.

Qeveria gjithashtu u bën thirrje turistëve dhe banorëve të shmangin nxehtësinë dhe turmat, të përdorin ventilatorë ose kondicionerë, të veshin rroba të lehta që marrin frymë, të hanë ushqime të lehta, të pinë shumë ujë dhe të shmangin alkoolin.

Akropoli, vendi historik më i famshëm i Greqisë, do të jetë i mbyllur nga ora 12:00 deri në orën 17:00 të martën dhe të mërkurën.

Ministria e Punës u këshilloi individëve me sëmundje kronike të punojnë nga distanca.

Ministria gjithashtu urdhëroi korrierët, punëtorët e shpërndarjes së ushqimit dhe punëtorët e ndërtimit në Athinë të ndërpresin punën nga ora 12:00 deri në 17:00.

Dorëheqjet, Tabaku: Bashkitë nuk mund të trajtohen si zyra varësie të …

By: b b
22 July 2025 at 19:03

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka reaguar në rrjetin e saj social në Facebook, lidhur me dorëheqjet masive të kryetrarëve të njësive administrative dhe nënkryetarëve në bashkitë e vendit tonë pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e tyre.

Sipas Tabakut, ajo që po ndodh me bashkitë dhe show-n e radhës të maxhorancës është një ndërhyrje e paprecedentë në pushtetin vendor dhe një shkelje flagrante e autonomisë vendore.

Tabaku e konsideron si shkelje ligjore dhe institucionale faktin që ministrat e qeverisë marrin në intervistë punonjës të bashkive apo ndërhyjnë në strukturat e tyre përmes rekrutimeve të reja dhe pushimeve nga puna.

Ajo nënvizon se pushteti lokal është një pushtet i pavarur nga ai qendror, i zgjedhur me votë nga qytetarët dhe i mandatuar për të ushtruar funksione të caktuara në përputhje me ligjin dhe interesin publik.

“Bashkitë nuk mund të trajtohen si zyra varësie të Partisë Socialiste apo të ndonjë ministrie. Ministrat nuk mund të vihen në radhë për të marrë në intervistë stafet e bashkive, të cilët janë të zgjedhur me votën e qytetarëve. Kjo është një shkelje e rëndë e parimeve të ndarjes së pushteteve dhe rrezikon thellësisht demokracinë,” – u shpreh Tabaku.

Deputetja demokrate shtoi se situata aktuale, ku pushteti qendror po tenton të mbledhë çdo fuqi në një dorë të vetme, është e rrezikshme për vendin. Sipas saj, vendosja e strukturave, përcaktimi i pagave dhe imponimi i stafit kalojnë çdo kompetencë që një qeveri duhet të ketë në raport me pushtetin lokal.

Tabaku u shpreh se respektimi ndarjes së pushteteve dhe mbrojtja e autonomisë së pushtetit vendor si janë themel i demokracisë funksionale.

Shërbimet kroate: Përshkallëzimi i tensioneve në Kosovë, rrezik i vazhdueshëm

By: b b
22 July 2025 at 18:44

Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës e Kroacisë (SOA) vlerëson se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten të paqëndrueshme dhe se, në këto rrethana, përshkallëzimi i tensioneve në Kosovë paraqet një rrezik të vazhdueshëm.

Në raportin e saj vjetor, SOA hedh dritë jo vetëm mbi situatën e sigurisë në Kroaci, por edhe mbi zhvillimet në Ballkanin Perëndimor – një rajon që, sipas saj, vazhdon të përballet me sfida të thella politike dhe të sigurisë, të lidhura ngushtë me çështjet e pazgjidhura ndërshtetërore.

Edhe pse BE-ja dhe SHBA-ja mbeten të përfshira në përpjekjet për stabilizim, raporti nënvizon se zgjidhja e këtyre çështjeve vazhdon të jetë e vështirë.

Kjo klimë pasigurie, sipas SOA-s, ndikon drejtpërdrejt edhe në procesin e integrimit evropian të rajonit, i cili po ec me ritme të ngadalta.

Kroacia sheh kërcënime të vazhdueshme në veri
Në vlerësimin e saj për Kosovën, SOA thekson ekzistencën e grupeve që synojnë destabilizimin e situatës në veri të vendit, ku shumica e popullsisë është serbe.

Si shembull për këtë, raporti përmend sulmin e armatosur të formacioneve serbe ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, më 24 shtator të vitit 2023, në të cilin mbeti i vrarë një polic.

Prishtina e ka akuzuar Beogradin për këtë sulm, ndërsa zyrtarët serbë kanë mohuar çdo përgjegjësi.

Raporti vëren se ende nuk është e qartë se si është organizuar ky formacion paraushtarak dhe si është armatosur me armë të rënda me origjinë ushtarake.

Për Millan Radoiçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit dhe ka qenë pjesëmarrës në të, raportohet se është larguar në Serbi, ku është marrë në pyetje, por ende pritet ngritja e procedurave penale kundër tij.

Raporti i SOA-s përmend edhe përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për të shuar institucionet paralele serbe në veri, me qëllim forcimin e sovranitetit të shtetit dhe kufizimin e ndikimit të Beogradit në këtë zonë.

“Në rrethana të tilla, përshkallëzimi i tensioneve në Kosovë mbetet një rrezik i vazhdueshëm. Ndaj, rolin e garantuesit të sigurisë vazhdon ta luajë prania ushtarake e forcave ndërkombëtare”, përfundon SOA.

Balancimi strategjik i Serbisë
Për fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, SOA thekson vazhdimësinë e politikës së balancimit midis Perëndimit, Rusisë dhe Kinës.

Kjo strategji përfshin edhe promovimin e konceptit të “botës serbe”, i cili synon bashkimin e serbëve në vendet fqinje – sidomos në Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë – nën ombrellën e unifikuar politike të Beogradit zyrtar.

Në nivelin e brendshëm, SOA vëren se Serbia ka përjetuar disa valë protestash antiqeveritare, të organizuara kryesisht nga studentët, të cilët kërkojnë demokratizim të shoqërisë, depolitizim të institucioneve shtetërore, forcim të lirisë së medias dhe luftë kundër korrupsionit.

Raporti thekson se – në një situatë të tillë të ndërlikuar, me polarizim shoqëror në rritje – mediat pranë strukturave qeverisëse përforcojnë një narrativ që identifikon armiq të jashtëm dhe të brendshëm.

Sipas raportit, kjo krijon një atmosferë të kërcënimit kombëtar dhe përdoret për të diskredituar protestat studentore.

Në këtë kontekst, Republika e Kroacisë përmendet si një “faktor i përhershëm antiserb”, thekson SOA.

Sfida të tjera
Agjencia kroate vëren se në Bosnje dhe Hercegovinë vazhdon paqëndrueshmëria politike, e shkaktuar nga mosmarrëveshjet midis entiteteve dhe komuniteteve për rregullimin kushtetues dhe politikën e jashtme.

Konflikti kryesor qëndron midis udhëheqjes së Republikës Sërpska dhe Përfaqësuesit të Lartë mbi juridiksionin.

SOA vlerëson se udhëheqja e Republikës Sërpska mbështet hapur shpërbërjen e Bosnje dhe Hercegovinës dhe kërkon mbështetje politike nga Rusia – gjë që do të vazhdojë të krijojë sfida serioze politike dhe të sigurisë.

Në Mal të Zi, sipas raportit, vazhdon po ashtu ndarja socio-politike mes opsionit proevropian dhe atij serb, i cili është njëkohësisht prorus dhe antiperëndimor.

Partitë radikale serbe janë pjesë e koalicionit aktual qeverisës, dhe megjithëse Qeveria malazeze synon të demonstrojë angazhim evropian, ndikimi i politikave nacionaliste dhe antiperëndimore të opsionit serb mund të pengojë integrimin evropian dhe t’i ndikojë negativisht marrëdhëniet me BE-në, vlerëson raporti i SOA-s.

Ai përmend edhe Kishën Ortodokse Serbe, që përveç rolit fetar, thotë se ka edhe ndikim të fuqishëm politik – kombëtar dhe rajonal.

Udhëheqësit e Kishës promovojnë konceptin e “botës serbe”, duke përfshirë veçanërisht Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën si pjesë të kësaj hapësire, vë në dukje raporti.

I njëjti paralajmëron, gjithashtu, se organizatat kriminale të Ballkanit Perëndimor, sidomos ato serbo-malazeze, janë shumë aktive në trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.

Roli destabilizues i Rusisë
Në një pjesë të raportit, SOA thekson edhe ndikimin e vazhdueshëm dhe destabilizues të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

Moska, sipas raportit, përdor një gamë mjetesh – sidomos lidhjet tradicionale me Serbinë – për të ruajtur dhe zgjeruar ndikimin e saj në rajon.

Agjencia vëren, gjithashtu, praninë aktive të shërbimeve ruse të inteligjencës në Serbi, të cilat, sipas SOA-s, përfshijnë edhe strehimin e agjentëve të larguar nga vendet perëndimore.

Raporti thekson se nga territori serb operojnë edhe mjete hibride ruse dhe përmend në mënyrë të veçantë RT-në dhe Sputnik-un.

Këto media “shërbejnë për të përhapur narrativë prorusë dhe antiperëndimorë në Ballkanin Perëndimor”, thekson raporti.

“Demokraci e sigurt”
Për vetë Kroacinë, SOA vlerëson se është një “demokraci e sigurt dhe e qëndrueshme në një mjedis sfidues të sigurisë”.

Ajo thekson se ndryshimet e shpejta globale, zhvillimet teknologjike dhe pasojat e luftës në Ukrainë kanë ndikuar në përkeqësimin e sigurisë në Evropë.

Por Kroacia, aktualisht, nuk përballet me kërcënime serioze të drejtpërdrejta ndaj sigurisë kombëtare apo rendit demokratik kushtetues, konstaton SOA.

Ukraina ashpërson kontrollin ndaj agjencive kundër korrupsionit

By: b b
22 July 2025 at 18:28

Ligjvënësit ukrainas kanë vendosur për ashpërsimin e kufizimeve ndaj dy agjencive kryesore kundër korrupsionit, duke rritur shqetësimet lidhur me zotimet e shtetit për të çrrënjosur korrupsionin.

Në Parlamentin prej 450 ulësesh, 263 deputetë votuan për ligjin që kufizon pavarësinë e Byrosë Kombëtare të Ukrainës Kundër Korrupsionit (NABU) dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar Kundër Korrupsionit (SAPO).

Ligji, që u propozua nga Partia Shërbëtorët e Popullit e presidentit Volodymyr Zelensky, bën që prokurori i Përgjithshëm të jetë de facto kreu i SAPO-s, duke ia hequr autoritetin kreut të agjencisë.

Ligji po ashtu lejon që prokurori i Përgjithshëm në mënyrë të njëanshme të mbyllë raste ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë dhe i jep atij të drejtën të transferojë rastet që po hetohen nga NABU-ja tek agjenci të tjera.

“Me këtë vendim, Parlamenti jo vetëm që ia heq shoqërisë njërën nga arritjet më të mëdha që nga Revolucioni i Dinjitetit – institucionet e pavarura kundër korrupsionit – por, gjithashtu minon besimin e partnerëve ndërkombëtarë të Ukrainës”, tha Transparency International Ukrainë në një njoftim pas votimit.

“E vetmja mënyrë për të zhbërë dëmin është që presidenti ta vendosë veton ndaj ligjit. Përndryshe, presidenti Volodymyr Zelensky do ta ndajë përgjegjësinë me Parlamentin për shkatërrimin e infrastrukturës kundër korrupsionit në Ukrainë”.

Këto sfida ligjore vijnë kur NABU-ja është përballur me disa sfida po ashtu. Më 21 korrik, agjencia për siguri të brendshme, SBU, arrestoi dy zyrtarë të NABU-së – një për spiunim ndaj Rusisë dhe një për lidhje të dyshuara biznesore me entitete ruse – dhe autoritetet kanë kryer bastisje duke shënjestruar punonjësit e kësaj agjencie.

SBU pretendoi se disa zyrtarë kishin lidhje me grupe të ndaluara politike, përfshirë edhe ish-partinë e një deputeti ukrainas në arrati.

NABU, e cila ka udhëhequr hetime të profilit të lartë, tha se operacioni i SBU-së shkoi përtej shqetësimeve legjitime të sigurisë, duke përfshirë çështje të palidhura si shkelje trafiku të kryera viteve më parë.

Transparency International i cilësoi bastisjet si një shembull të “presionit masiv” ndaj institucioneve kundër korrupsionit në Ukrainë.

Ambasadorët e vendeve të Grupit të Shtatë (G7) në Kiev, të cilët u takuan me drejtuesit e NABU-së menjëherë pas ngjarjes, lëshuan një deklaratë ku shprehën “shqetësime serioze” dhe thanë se do ta ngrinin çështjen drejtpërdrejt me udhëheqësit e Qeverisë.

Lëvizjet e fundit kanë ringjallur frikën më të gjerë se problemet e thella të Ukrainës me korrupsionin nuk po adresohen, ndërsa përpjekjet për të promovuar llogaridhënien dhe transparencën po përballen me kundërshtime.

Ish-mbrojtës i Fiorentinës gjendet i vdekur në shtëpi, dyshohet për vetëvrasje

By: b b
22 July 2025 at 18:12

Celeste Pin, ish-mbrojtës i njohur i Fiorentinës, ka ndërruar jetë në moshën 64-vjeçare.

Mediat italiane raportojnë se Pin dyshohet t’i ketë dhënë fund jetës së tij mëngjesin e së martës, më 22 korrik, në banesën e tij në zonën kodrinore të Careggi-t, në Firence.

Lajmi tronditës u konfirmua pasi një i afërm, që nuk kishte më kontakt me të prej disa ditësh, ngriti alarmin.

Ekipet e urgjencës dhe policia mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, por fatkeqësisht e gjetën pa jetë. Në banesë nuk u gjet asnjë letër apo mesazh lamtumire, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes tragjike.

Nëpërmjet një postimi prekës në rrjetet sociale, Fiorentina shprehu ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të një prej figurave të saj historike:

“Presidenti Commisso, bashkëshortja e tij Catherine, drejtori i përgjithshëm Alessandro Ferrari, drejtori sportiv Daniele Pradè, trajneri Stefano Pioli dhe i gjithë klubi i Fiorentinës bashkohen me familjen Pin në këtë moment të dhimbshëm dhe shprehin ngushëllimet e tyre më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Celeste.”

Celeste Pin nisi karrierën si profesionist me Perugian, por u bë figurë kyçe e Fiorentinës gjatë viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990. Ai ishte pjesë e ekipit që luajti finalen e Kupës UEFA në sezonin 1989-1990, të cilën e humbën ndaj Juventusit.

Gjatë kohës te Viola, ai ndau fushën me emra të mëdhenj si Roberto Baggio dhe trajneri aktual i Fiorentinës, Stefano Pioli.

Më pas luajti për Veronën dhe Sienën, ku përfundoi edhe karrierën si futbollist. Pas tërheqjes nga fusha, ai mbeti pranë futbollit duke punuar si trajner për ekipe të moshave në Firence dhe më vonë si komentator sportiv. Përveç angazhimeve në sport, Pin punonte edhe në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Humbja e tij lë një boshllëk të madh në komunitetin sportiv të Firences dhe jo vetëm. Ai do të mbahet mend jo vetëm për kontributin e tij në fushë, por edhe për përkushtimin dhe pasionin e tij të vazhdueshëm ndaj futbollit italian.

Deklarata e Lapajt, reagon Shabani: Unë nuk dua më të bëhem deputet!

By: b b
22 July 2025 at 17:49

Endrit Shabani i është përgjigjur Adriatik Lapajt, i cili sot e ftoi të që të heqin dorë nga mandati i deputetit në Qarkun Tiranë, dhe atë ta marrë gruaja më e votuar në listën e hapur të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Përmes një reagimi të gjatë, Shabani thekson se nuk mund ta detyrojë dajën të tërhiqet, pasi është person më vete, dhe nuk pranon që Lapaj ta bëjë atë përgjegjës për vendimet e dikujt tjetër.

Po ashtu, ai shkruan ndër të tjera se nuk aspiron të bëhet deputet.

Postimi i Endrit Shabanit:

Një përgjigje për deklaratën e sotme të Z. Adriatik Lapaj

Në mënyrë të përsëritur dhe fatkeqësisht për turpin e “politikës së re”, jam thirrur në një duel publik me mjete të pabarabarta nga Adriatik Lapaj.

Theksoj “me mjete të pabarabarta” sepse shpifja, gënjeshtra, fabrikimi i të vërtetës janë mjete që kanë një epërsi të caktuar mbi atë që nuk di dhe nuk do që t’i përdorë.

Adriatik Lapaj po shpif ndaj meje, po gënjen për mua dhe po përpiqet të fabrikojë një të vërtetë të tijën, duke u përpjekur të dalë i larë nga një çorbë që e ka gatuar vetë.

Unë nuk kam pasur, nuk kam dhe s’kam pse apo si të kem ndonjë qëllim për të penguar Adriatikun të hyjë në Parlament.

E kam bërë të qartë publikisht dhe privatisht me të, se për mua ai, apo kushdo tjetër që ai do (përfshi Greta Ambelin apo Kleana Xhuvelin), mund të shkojë dhe të marrë mandatin.

Nga ana tjetër, ia kam bërë të qartë po ashtu Adriatikut se unë nuk e bind dot dajën tim që të harrojë kërcënimet me jetë, apo dhunën publike dhe mediatike të frymëzuar, në mos porositur, nga Adriatiku.

Përpara se të kalohej në dhunë e kërcënime, Adriatiku është dëshmitar që jam ulur bashkë me të për t’i kërkuar dajës t’i hapë rrugën, dhe nuk ia kemi dalë.

Unë nuk jam Zeqiri dhe as dua të bëj avokatin e tij, por nuk kemi argumente as unë, as Adriatiku për ta bindur që ai të mos i kërkojë hesap Adriatikut për sa i përket fjalës së dhënë.

Kur kemi folur me Zeqirin, ai na ka thënë troç që nuk është politikan dhe premtimet i merr seriozisht. Prandaj edhe e kishte besuar Adriatikun kur thoshte se do të jepte dorëheqjen nëse do të ishte deputet i vetëm.

Kështu si shkuan gjërat, sidomos pas kërcënimeve nga njerëz të partisë së Adriatikut, ai ndihet edhe më i bindur që nuk duhet të dorëzohet përballë presionit, sepse sipas tij, Adriatiku është një gënjeshtar si çdo politikan i vjetër.

Ajo që unë nuk kuptoj është përse Adriatiku kërkon të më bëjë mua përgjegjës për vendimet individuale të dikujt që, po, është i afërmi im, por ka kokën e vet, kur Adriatiku vetë nuk mban përgjegjësi as për familjarët e tij që kërcënojnë në emër të tij.

Unë besoj njësoj si Adriatiku që ai s’ka përgjegjësi për vjehrrin që nuk e kaloi Vettingun. Por nuk është problemi im nëse ai beson që përgjegjësia e dikujt tjetër është e imja – dhe kjo nuk ka ku të rrijë!

Më vjen keq që një lider i ri si Adriatiku nuk merr asnjë përgjegjësi vetë për këtë teatër politik me familjarët, të cilin na e sugjeroi si një “gjetje gjeniale”. Ky truk ekstra-ligjor kishte padyshim risk, sepse varej te vullneti i atyre që pranonin të përdoreshin si “placeholders” (mbajtës rradhe). Prandaj edhe duhej menaxhuar me shumë kujdes.

Megjithatë, do të doja që ky absurd të mbaronte. Dhe personalisht, së bashku me ata familjarë që mendojnë si unë, e kam hapur krahun pa asnjë problem.

Motra e Adriatikut po bëhet deputete sot vetëm sepse njeriu im më i afërt ka pranuar t’ia lirojë vendin asaj.

Ndërsa Adriatikut do t’i lutesha që çfarë ka me dajën, të mos ma kërkojë mua, sepse për më tepër, sado qesharake të duket, dajës tim iu lut ta përfshinte në listë në minutën e fundit, kur nuk gjente dot kandidatë për të mbushur listat.

Unë nuk kam asnjë lidhje me këtë histori.

As jam deputet dhe as dua më të bëhem deputet.

Këtë e di Adriatiku dhe e dinë të gjithë ata që duhet ta dinë, me gojë dhe me shkrim.

Prandaj, mos më tërhiqni mua në një valle që duhet të mbyllet sa më parë. Jo për mua, por për të shpëtuar sadopak nga fytyra e zhgarravitur tashmë e “politikës së re”!

Avokatët e ish-krerëve të UÇK ankohen se kanë pak kohë për përgatitjen e mbrojtjes

By: b b
22 July 2025 at 17:37

Në Dhomat e Specializuara në Hagë është mbajtur konferenca statusore për rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), me mbrojtjen që është ankuar se nuk ka kohë të mjaftueshme për përgatitjen e rastin dhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar që ka kërkuar më shumë detaje për dëshmitarët që do të paraqiten.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

Përveç Krasniqit, që ndoqi seancën përmes video-lidhjes, ish-krerët e tjerë të UÇK-së janë të pranishëm në gjykatë.

Avokati i Thaçit, Lluka Misetiq, u ankua se trupi gjykues ka refuzuar kërkesën prej 10 javësh që mbrojtja të përgatisë çështjen e saj, duke thënë se më 25 gusht mbrojtja duhet të nisë rastin.

“Gjykata ka ulur kohën për përgatitjen e mbrojtjes nga 10 javë në 2 javë”, tha ai duke shtuar se ky afat është barrë e madhe për ekipin e tij.

Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se kjo është kohë e mjaftueshme për mbrojtjen. Ndërkaq, trupi gjykues tha se mbrojtja në tetor të vitit të kaluar ishte pyetur se sa kohë i duhet për rastin, dhe ajo kishte deklaruar se i duhen 4-6 javë.

Mbrojtja e Thaçit tha se problemi i paraqitjes së dëshmitarëve më 25 gusht ka të bëjë me autorizimet që kërkohen për dëshmitarë, sipas rregullit 107. Ky rregull ka të bëjë me zbulimin e identitetit të dëshmitarit apo informacionit të ndjeshëm.

Mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit, sipas trupit gjykues, një ditë më parë kanë dorëzuar një listë dëshmitarësh dhe materialesh që synojnë të përdorin gjatë çështjes.

Megjithatë, ZPS-ja tha se nga lista e dëshmitarëve, vetëm tre prej tyre janë të identifikuar.

Trupi gjykues pyeti disa herë mbrojtjen pse tani po deklaron se nuk është gati t’i paraqesë këta dëshmitarë, pasi në të kaluarën ka publikuar edhe një listë dëshmitarësh. Mishetiq e cilësoi si praktikë të gabuar nxjerrjen e një liste dëshmitarësh, teksa shtoi se tani duhet të ndiqen hapat dhe të merren autorizimet e duhura.

Gjykata pyeti avokatin e Krasniqit, Aidan Ellis, nëse ekipi i tij është gati të nisë paraqitjen e dëshmitarëve më 25 gusht në mënyrë që ekipi i Thaçit të përgatitet, por ai tha që nuk është gati.

Trupi gjykues pyeti se sa dëshmitarë planifikon mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit të thërrasë. Mbrojtja e Thaçit tha se 12 dëshmitarë planifikon t’i ftojë, 11 prej të cilëve synojnë të japin dëshminë në gjykatë dhe një përmes dëshmisë me shkrim. Ndërkaq, mbrojtja e Krasniqit tha se synon të thërrasë pesë dëshmitarë.

Mbrojtja e Thaçit u shpreh se vetëm për një dëshmitar ka nevojë për masa mbrojtëse.

“Duam mbrojtjen e identitetit të tyre deri në dhënien e dëshmisë së tyre”, tha Mishetiq sa i përket dëshmitarëve.

ZPS-ja u ankua se mbrojtja nuk po jep renditjen e dëshmitarëve që do të paraqiten në Hagë, në mënyrë që të përgatitet për ta, por Mishetiq tha se renditja do të jepet tre javë – ashtu siç edhe lejohet në bazë të rregullave të gjykatës.

Mbrojtja e Thaçit tha se janë afër 30 dokumente që planifikon t’i paraqesë e për të cilat kërkohet autorizimi, që ka të bëjë me informacione të marra në mënyrë konfidenciale dhe burimi i të cilave mbrohet. Materiale të tilla mbrojtja e Krasniqit tha se ka pesë sosh.

Në fund të seancës, trupi gjykues tha se do të vendosë për kërkesën e mbrojtjes që të nisë me paraqitjen e dëshmitarëve më 15 shtator.

Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, që të katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.

ZPS-ja deklaroi më 16 prill se ka përmbyllur paraqitjen e provave ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Pas prokurorisë, radhën do ta kenë ekipet mbrojtëse për të paraqitur çështjen e tyre.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.

Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.

Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale – janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./rel

Kryeministri Rama ndan pamjet: Thethi pas operacionit nga kanceri i paligjshmërisë!

By: b b
22 July 2025 at 17:20

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pasditen e sotme në rrjetet sociale një video nga Thethi, pas përfundimit të aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje.

Rama e cilësoi pamjen e re të Thethit si operacioni pas kancerit të paligjshmërisë.

“Thethi pas operacionit nga kanceri i paligjshmërisë”, shkruan Rama.

Kujtojmë se operacioni i IKMT-së për prishjen e godinave pa leje u mbyll më 15 korrik. Gjatë aksionit një javor u shembën rreth 100 ndërtesa pa leje të ngritura në një zonë të mbrojtur.

Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës, Osmani i drejtohet Kushtetueses

By: b b
22 July 2025 at 17:08

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se çfarë ndodh nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi. Ajo po ashtu ka kërkuar një masë të përkohshme sa i përket afatit.

“Kërkesa jonë sot, në esencë, është kërkesë për sqarim të pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh”, tha Osmani në një konferencë për media.

Osmani kujtoi se në atkgjykimin paraprak të Kushtetueses lidhur me moskonstituimin e organit ligjvënës pas zgjedhjeve të shkurtit nuk janë sqaruar pasojat juridike.

Sipas saj, qëllimi është që të sqarohet situata e moskonstituimit brenda afati, por edhe se si ushtrohen kompetencat e secilit institucion kushtetues, në mungesë të konstituimit të një prej shtyllave kryesore të parimit të ndarjes së pushteteve, që është Kuvendi.

Po ashtu, “duhet të sqarohet se çfarë ndodh nëse Kuvendi konstituohet pas 26 korrikut”, tha ajo, duke shtuar se me këtë kërkesë po synohet të parandalohen dëmet që do të mund të shkaktoheshin.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 26 qershor ka obliguar deputetët që ta konstituojnë organin ligjvënës deri më 26 korrik.

Osmani tha se në kërkesën e dërguar në Kushtetuese, që ka të bëjë me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave, ka paraqitur edhe kërkesën për masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor të Kushtetutës.

“Kërkesa për masë të përkohshme është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në një bllokadë pa fund, dhe hyrja në një situatë ku institucionet do të mund të konstituoheshin në një mënyrë jokzushtetuese dhe do të ishin të pasafatshme”, tha e para e shtetit.

Ajo shtoi se një pezullim i afatit do të parandalonte shkeljen e Kushtetutës nga deputetët, konstituimin e Kuvendit pas afatit, që do të ishte jokushtetues dhe mundësinë e zgjedhjes së një qeverie, e cila po ashtu do të ishte në kundërshtim me aktin më të lartë ligjor.

Presidenca do ta tërheqë kërkesën nëse deputetët deri para kalimit të afatit të 26 korrikut arrijnë ndonjë marrëveshje për konstituimin e Kuvendit, sqaroi Osmani.

Më 21 korrik, deputetët për herë të 50-të dështuan të konstituonin Kuvendin e Kosovës, pasi partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë po kundërshtojnë ndryshimin e mënyrës së votimit për kryeparlamentar nga i hapur në të mbyllur.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë cilësuar si figurë përçarëse të propozuarën e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiun. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të votojë asnjë të propozuar nga LVV-ja për kryeparlamentar.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se partia e tij ka gatishmëri për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt, parti së cilës tha se i ka bërë ofertë konkrete.

Kreu i LVV-së, partisë fituese të zgjedhjeve të shkurtit, tha se shpreson që bisedimet me partinë e Limajt të finalizohen gjatë kësaj jave.

“Këtë fundjavë do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur ose mungesën e saj”, tha ai.

Kush sa vota i ka?
Në Kuvendin e Kosovës me 120 ulëse, nevojiten 61 vota për të votuar me sukses emrin e ri të kryekuvendarit.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituesja e më së shumti votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, i ka 48 ulëse në Kuvend, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 24, Lidhja Demokratike e Kosovës me 20, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9 dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla. Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.

Vetëm Nisma Socialdemokrate i ka tre deputetë në Kuvend. Përveç Limajt kjo parti përfaqësohet nga Xhevahire Izmaku dhe Arbëreshë Kryeziu.

Ministri në detyrë i Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe kryetari i Iniciativës së re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, ka sinjalizuar më parë se shtatë deputetë të pakicave joserbe do të votonin pro konstitutimit të Kuvendit të ri dhe një qeverie të re të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në një skenar kur Lëvizja Vetëvendosje, deputetët e Nismës dhe shtatë të pakicave do të votonin për konstituim të Kuvendit, do të duheshin edhe tri vota për finalizim të procesit me sukses.

Deri më tani, deputetët e pakicave, Duda Balje, Veton Berisha dhe Adem Hoxha janë deklaruar se nuk ofrojnë mbështetje pa u plotësuar kushtet e tyre./rel

Shkeljet me tenderat e UBT-së, SPAK dërgon për gjykim 29 të pandehur

By: b b
22 July 2025 at 16:59

SPAK ka dërguar për gjykim 29 persona nga Universiteti Bujqësor të Tiranës, të akuzuar për shkelje në 9 tenderë publikë gjatë vitit 2022, me një vlerë totale prej 90 milionë lekësh.

Zyrtarë të UBT, mes tyre ish-zëvendësrektorët Romina Koto dhe Ilir Kapaj, si dhe Administratori Edmond Tërthorja, kanë bashkëpunuar për të ideuar projekte fiktive, duke përfshirë në këtë proces edhe kompanitë që do të shpalleshin fituese.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar paraqiti sot (22.07.2025) kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.13/1 të vitit 2022 (i ndarë nga procedimi penal nr.13 të vitit 2022), në ngarkim të 27 personave, zyrtarë të Univeristetit Bujqësor të Tiranës (UBT) dhe dy personave, përfaqësues të operatorit ekonomik “Krijon” sh.p.k.

Zyrtarët e Universitetit Bujqësor të Tiranës janë akuzuar për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 e 25 të Kodit Penal.

Ndërsa dy përfaqësuesit e operatorit ekonomik “Krijon” sh.p.k, akuzohen për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.

Në kuadër të këtij procedimi penal janë hetuar 9 (nëntë) procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë të fondit limit 90.000.000 (nëntëdhjetë milionë) lekë.

Hetimet proaktive janë zhvilluar me metoda speciale, të cilat përfshijnë përgjimin e bisedave telefonike të zyrtarëve të UBT, vëzhgime dhe administrimin e dokumentacionit të procedurave të prokurimit me autoritet kontraktor, UBT.

Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të personave përgjegjës të stafit akademik në UBT, të pandehurit: Romina Koto dhe Ilir Kapaj në detyrën e zëvendës/rektorit, Bejo Bizhga, me detyrë Përgjegjës i Departamentit të Moduleve Paraklinike, që konsistojnë në ideimin e projekteve dhe sigurimin e fondeve pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI), si edhe veprime të kundraligjshme të kryera në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, të pandehurin Edmond Tërthorja, me detyrë Administrator i UBT-së.

Këta persona kanë përgatitur të dhëna fiktive të projekteve, me specifikime të përgatitura nga vetë operatorët ekonomik konkurrues dhe fitues në këto procedura prokurimi. Pas sigurimit të fondeve nga AKKSHI, kanë vijuar veprimet e kundraligjshme të autoritetit kontraktor, në fazën e përgatitjes dhe kryerjes së procedurave të prokurimit. Komisioni që përllogariti fondin limit dhe përgatiti specifikimet teknike ka bashkëpunuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të paligjshme me njësinë e prokurimit dhe komisionin e vlerësimit të ofertave.

Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave nga të pandehurit: Amarildo Lleshi, Mehmet Qoshja, Altin Murto, Enkeleida Sallaku, Klara Jahollari, Agim Sefa, Arjan Buliqi, Serafin Skënderi, Ilir Kusi, Dritan Laçi, Azem Parllaku, Artur Koleci, Radion Dhromi, Blenard Spaho, Tedi Proda, Erjola Kopali, Klea Lekoçaj, Etleva Shore, Mimoza Shehu, Elvira Shtogu, Tone Vukaj, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, të pandehurin, Edmond Tërthorja, të cilët kanë krijuar kushte dhe favorizuar shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë “Krijon”sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k, “Malvina Visoka PF”.

Gjatë hetimit rezultoi se të dhënat e përgatitjes së fondit limit, specifikimet teknike, termat e referencës, si dhe hartimi i dokumenteve standarde të tenderit, janë bërë nga zyrtarët përgjegjës të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me operatorët ekonomikë fitues “Krijon”sh.p.k, “Zero Group”sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF”.

Në të gjitha procedurat e prokurimit të mësipërm, operatorët ekonomikë fitues, “Krijon”sh.p.k, “Zero Group”sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF”, kanë siguruar oferta ekonomike të falsifikuara, në emër të shoqërive tregtare të tjera, që janë përdorur nga autoriteti kontraktor dhe kanë ndikuar në fryrjen e fondit limit, pa kryer asnjë studim tregu.

Janë evidentuar raste të kryerjes së procedurës së prokurimit me operator eknomik të paracaktuar fitues, për pajisje me mallra të tjera, të vëna në dispozicion të autoritetit kontraktor disa muaj para shpalljes së procedurave të prokurimit, (procedura prokurimi të zhvilluara pas administrimit më parë të këtyre paisjeve, për të cilat më pas, janë kryer procedurat fiktive të prokurimit dhe marrje e tyre në dorëzim).

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryen hetime të në kuadër të procedimit penal nr.13 të vitit 2022, për të evidentuar çdo fakt tjetër penal, përgjegjësinë e çdo personi tjetër, që ka vepruar me dokumentacionin e këtyre procedurave të prokurimit, si dhe fakte të tjera penale në kuadër të këtij procedimi penal.

Përfshihet nga flakët e zjarrit pylli i fshatit Leminot në Maliq

By: b b
22 July 2025 at 16:43

Pylli i fshatit Leminot në bashkinë e Maliqit është përfshirë nga zjarri pasditen e sotme.

Sipas informacioneve të para, zjarri ka disa minuta që ka rënë dhe po djeg një sipërfaqe pyjore.

Në terren ndodhen forcat e zjarrfikëse të Maliqit, banorë të zonës dhe policia e shtetit.

Ende nuk ka të dhëna nëse është zjarrvënie e qëllimshme, pasi momentalisht po ndërhyhet për të izoluar zjarrin.

 

Lirimi i hapësirave publike, sekuestrohen 78 çadra në plazhin e Gjirit të Lalzit

By: b b
22 July 2025 at 16:31

Edhe gjatë ditës së sotme ka vijuar aksioni për lirimin e hapësirave publike në vend.

Sipas njoftimit të policisë, aksioni është zhvilluar në plazhin e Gjirit të Lalzit, ku janë liruar më shumë hapësira publike si dhe janë sekuestruar 78 komplete me çadra dhe shezlongë.

Si pasojë janë proceduar penalisht dy persona.

Njoftimi i plotë:

Vijojnë kontrollet në vijën bregdetare, në vijim të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike.

Lirohen hapësira të tjera në plazhin e Gjirit të Lalzit, që ishin zënë në mënyrë të paligjshme.

Hiqen dhe sekuestrohen 78 komplete me çadra dhe shezlongë.

Procedohen penalisht 2 shtetas.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.

Gjatë kontrolleve, në hapësira publike, në plazhin e Gjirit të Lalzit, u hoqën dhe u sekuestruan në total 78 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme nga 2 shtetas.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Ll. M., 66 vjeç dhe E. P., 36 të dy banues në Ishëm, Durrës.

Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.

Autoritetet spitalore: 21 fëmijë të vdekur nga kequshqyerja dhe uria në Gazë

By: b b
22 July 2025 at 16:19

Kreu i spitalit Al-Shifa në Qytetin e Gazës tha se 21 fëmijë kanë vdekur në mbarë territorin palestinez në tre ditët e fundit “për shkak të kequshqyerjes dhe nga uria”.

“Këto vdekje janë regjistruar në spitale në Gazë, përfshirë në Al-Shifa në Qytetin e Gazës në Spitalin Martirët e Al-Aksës në Deir el-Balah dhe në Spitalin Naser në Han Junis… gjatë 72 orëve të fundit”, tha Mohammed Abu Salmiya për gazetarët.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, paralajmëroi të hënën mbrëma se “institucionet e fundit që po mbajnë gjallë njerëzit janë duke kolapsuar” në Gazë, duke shtuar se gjithnjë e më shumë ka raportime për raste të kequshqyerjes së fëmijëve dhe të rriturve.

Abu Salmiya u tha gazetarëve se rastet e reja të kequshqyerjes dhe urisë po arrijnë në spitalet e mbetura të Gazës “çdo moment”.

“Ne po shkojmë drejt numrave alarmues të vdekjeve për shkak të urisë me të cilën po përballen njerëzit në Gazë”, tha ai.

Pasi dështuan bisedimet për zgjatjen e armëpushimit gjashtëjavor, Izraeli vendosi bllokadë të plotë në Gazë më 2 mars, duke mos lejuar asnjë kamion me ndihma deri në fund të majit.

Por, furnizimet që hyn më pas shpejt u harxhuan, duke bërë që mbi 2 milionë banorët e Gazës të përballen me mungesën më të madhe të furnizimeve që nga nisja e luftës në tetor të vitit 2023.

Javën e kaluar, agjencia për mbrojtje civile në Gazë ka raportuar për vdekjen e tre foshnjave “për shkak të urisë dhe kequshqyerjes”.

Ndërkaq, të hënën dhjetëra shtete, përfshirë Britania, Franca, Australia dhe Kanadaja bënë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftës, lirimin e pengjeve dhe lejimin e hyrjes së ndihmave në Gazë.

Izraeli e ka nisur fushatën ushtarake në Gazë në përgjigje të sulmit të kryer nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, si pasojë e të cilit janë vrarë 1.200 njerëz dhe janë marrë peng rreth 240 të tjerë.

Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, mbi 59.000 palestinezë janë vrarë në Gazë prej atëherë./rel

Atentati ndaj Gentjan Bejtjas, lirohet nga qelia Edison Haxhiu

By: b b
22 July 2025 at 16:07

Gjykata e Tiranës ka liruar ditën e sotme nga qelia Edison Haxhiun, i akuzuar si pjesëmarrës në atentatin ndaj Gentjan Bejtjas.

Haxhiu akuzohet nga prokuroria si bashkëpunëtor i Ilir Beqarajt, ky i fundit I dyshuar për vrasjen e Gentjan Bejtjas.

Ndaj Haxhiut, prokuroria kishte ngritur akuzë për krijim të kushteve për të kryer vrasje, por për shkak të përfundimit të afateve të mbajtjes në paraburgim, atij iu shua masa e arrestit në burg.

Gentian Bejtja u ekzekutua në mars të vitit 2024 në banesën tij. Haxhiu u arrestua nën akuzën për “sigurim kushtesh për të kryer vrasje, dhe Ilir Beqari, i akuzuar për mbajtje pa leje të armëve” dhe “falsifikim dokumentesh”.

❌
❌