Akuzoi Dumanin për sherr brenda SPAK, GJKKO përgënjeshtron Sali Berishën: Asnjë konflikt institucional
Gazeta Si – GJKKO ka përgënjeshtruar Sali Berishën, i cili në një deklarate para SPAK këtë të hënë, tha se Altin Dumani gati sa nuk u përlesh fizikisht me një gjyqtare, të cilën shkuan t’i marrin kompjuterin.
Pasi zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” si i pandehur në çështjen “Partizani”, kreu i PD, tha se drejtuesi i institucionit, kishte qenë pranë një përplasjeje fizike me një gjyqtare gjatë një operacioni për sekuestrimin e një kompjuteri.
“Këto ditë vetëm sa nuk është përleshur fizikisht (Altin Dumani) me një gjyqtare, që nuk ia ka zbatuar urdhrat, ka shkuar ia ka rrëmbyer kompjuterin. Këtu ka skena!”, deklaroi Berisha.
Por në një deklaratë zyrtare për mediat, GJKKO thotë se nuk ka pasur asnjë përplasje apo tension në SPAK.
“Gjykata e Posaçme përgënjeshtron kategorikisht çdo pretendim që aludon për përplasje apo tensione ndërinstitucionale me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila, në përputhje me rolin e saj kushtetues dhe ligjor, është palë në procesin gjyqësor dhe si e tillë, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë kompetencë për të ndikuar në vendimmarrjen e gjykatës”, thuhet në deklaratën e GJKKO.
Në reagimin e saj, Gjykata e Posaçme thekson se nuk ekziston asnjë konflikt institucional apo personal, përfshirë Prokurorinë e Posaçme.
“Marrëdhënia midis gjykatës dhe të gjitha palëve është e bazuar në respektimin e rolit dhe kompetencave përkatëse të secilit subjekt procedural, në funksion të zhvillimit të një procesi të rregullt dhe të drejtë gjyqësor”, – vijon reagimi.
Pretendimet e Berishës dhe Malltezit se GJKKO është e kontrolluar nga SPAK, Gjykata e Posaçme i përgjigjet se ajo gjykon mbi bazën e provave, duke interpretuar ligjin me paanësi, profesionalizëm dhe integritet të lartë.
Më herët, avokatët e Berishës kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese të dosjes “Partizani”, duke thënë se gjyqtarët nuk janë të pavarur, pasi janë të kapur nga SPAK. Seanca u shty për në datën 15 shtator.
REAGIMI i SPAK
Në përgjigje të interesit publik/mediatik mbi dosjen “Partizani”, në ngarkim të të pandehurve Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja, Andia Pustina, “Studio Pustina”, “Studio Homeplan” dhe “Shoqëria Kontakt”, si dhe raportimeve të ditës së sotme në disa media lidhur me një konflikt institucional të supozuar, ndërmjet Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar z. Altin Dumani dhe një prej gjyqtareve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kjo gjykatë sqaron me vendosmëri dhe qartësi se një konflikt i tillë nuk ekziston dhe as nuk ka ekzistuar.
Gjykata e Posaçme përgënjeshtron kategorikisht çdo pretendim që aludon për përplasje apo tensione ndërinstitucionale me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila, në përputhje me rolin e saj kushtetues dhe ligjor, është palë në procesin gjyqësor dhe si e tillë, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë kompetencë për të ndikuar në vendimmarrjen e gjykatës. Gjykata e Posaçme thekson se nuk ekziston asnjë konflikt institucional apo personal me ndonjërën prej palëve në çështjen penale të sipërcituar, përfshirë Prokurorinë e Posaçme. Marrëdhënia midis gjykatës dhe të gjitha palëve është e bazuar në respektimin e rolit dhe kompetencave përkatëse të secilit subjekt procedural, në funksion të zhvillimit të një procesi të rregullt dhe të drejtë gjyqësor.
Kjo gjykatë funksionon si një organ gjyqësor tërësisht i pavarur dhe i paanshëm, në përputhje me parimet themelore kushtetuese dhe ligjore të shtetit të së drejtës. Pavarësia e gjyqtarëve është e sanksionuar në nenin 145 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në legjislacionin organik për sistemin e drejtësisë, përfshirë ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Gjyqtarët e kësaj gjykate gjykojnë mbi bazën e provave, duke interpretuar ligjin me paanësi, profesionalizëm dhe integritet të lartë, të udhëhequr vetëm nga bindja e tyre e brendshme dhe nga ligji, të lirë nga çdo ndikim i jashtëm apo trysni politike dhe mediatike. Theksojmë se çdo ndërhyrje e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në punën e gjykatës përbën jo vetëm cenim të rëndë të parimit të ndarjes së pushteteve, por edhe shkelje të rendit kushtetues dhe ligjor në vend.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar mbetet e palëkundur në misionin e saj për të garantuar një drejtësi të drejtë, të barabartë dhe të pavarur për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë. Ne do të vijojmë me vendosmëri punën tonë në respekt të plotë të Kushtetutës dhe ligjit, duke garantuar transparencë dhe llogaridhënie ndaj publikut, por pa lejuar në asnjë rast që kjo transparencë të kthehet në mjet presioni apo cënimi të integritetit të vendimmarrjes gjyqësore.
The post Akuzoi Dumanin për sherr brenda SPAK, GJKKO përgënjeshtron Sali Berishën: Asnjë konflikt institucional appeared first on Gazeta Si.