Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 August 2025Main stream

Pesë gazetarë në mesin e 20 të vrarëve nga sulmet izraelite në Gazë

By: b b
25 August 2025 at 14:49

Agjencia e Gazës për Mbrojtje Civile ka thënë se pesë gazetarë janë në mesin e të paktën 20 personave të vrarë të hënën, si pasojë e sulmeve izraelite në një spital në jug të enklavës.

Agjencitë Reuters, Associated press dhe televizioni Al Jazeera kanë konfirmuar se në mesin e të vrarëve janë gazetarë që kanë kontribuuar për këto mediume.

Zëdhënësi i agjencisë, Mahmud Bassal, ka thënë se “numri ka shkuar në 20 martirë, përfshirë pesë gazetarë dhe një pjesëtar të Mbrojtjes Civile”, pas sulmeve në spitalin Nasser në Han Junis- një kompleks i madh mjekësor në jug qe është shënjestruar disa herë nga Izraeli prej nisjes së luftës.

Sipas vëzhguesve të mediave, rreth 200 gazetarë janë vrarë përgjatë dy vjetëve të luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.

Ushtria izraelite ka konfirmuar se trupat e saj ushtarake kanë kryer sulme në zonën e spitalit në Han Junis.

“Shefi i shtabit të përgjithshëm urdhëroi që të kryhet hetim fillestar sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë ushtria përmes një deklarate, duke shtuar se “ndjen keqardhje për dëmet ndaj individëve të papërfshirë” dhe që “nuk i shënjestron gazetarët”.

Spitali Nasser është ndër qendrat e vetme shëndetësore në Rripin e Gazës që është të paktën pjesërisht funksional.

Lufta në Gazë është nxitur nga sulmet e Hamasit në tokën izraelite, në tetor të vitit 2023, duke lënë të paktën 1.200 njerëz të vrarë, kryesisht civilë.

Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë të paktën 62.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore në Gazë.

Organizata ndërkombëtare të ndihmës kanë ngritur alarmin për zi buke në Gazë, teksa shumica e hyrjeve për ndihma mbesin të bllokuara.

Izraeli, në anën tjetër, i hedh poshtë këto vlerësime./rel

PD, a do të shkojë në Parlament?Berisha: Do ketë një Komision Hetimor për krimin …

By: b b
25 August 2025 at 14:33

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha thotë se pas nisjes së punimeve të Kuvendit të ri në shtator, do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet.

Gjatë fjalës së tij në një konferencë me gazetarët, Berisha vazhdoi akuzat ndaj kreut të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) Altin Dumani, të cilin e quan “Altin Troplini”, duke e akuzuar se është i marrë peng nga qeveria dhe nuk heton dot për krimet zgjedhore.

“Padiskutim që do të ketë komision. Natyrisht, Altin Troplini nuk heton dot, sepse Altin Troplini është i marrë peng nga Edi Rama, për arsye se është personi i vetëm me një rrogë me 4 apartamente, 3 të regjistruara në emrin e tij, dhe të katërtin thotë banoj me qira, kollovar, tek vjehrri.  Punonjës tjetër shtetëror me rrogë shteti që të mund të ketë siguruar jo tre, por qoftë edhe më shumë se një apartament, nuk ekziston, përveç atij, i cili për hir të së vërtetës përflitet.”, tha Berisha.

Berisha përmendi gjithashtu edhe çështjen shumë të diskutuar të pengmarrjes dhe vrasjes së Jan Prengës, duke akuzuar drejtësinë dhe qeverinë për mbrojtjen e të “fortëve” dhe lënien në harresë të viktimave.

“Unë e kam thënë këtu. Kanë qarkulluar të dhëna, lajme, se Altin Hajri është i lirë sot, pothuaj i lirë, në kërkim gjoja, që bënte fushatë elektorale lirshëm. Jan Prengën, i cili u gjet i bërë copa, u akuzua kopshtari, apo kuzhinieri, apo roja. Kurse, i zoti që ishte kryesori, jo. Dha 700 mijë euro thonë dhe dy kostume atij Olsit, Ulusiut i thoshte Olsi për t’ia maskuar emrin.”, deklaroi Berisha.

Kryetari i PD-së theksoi se ai kurrë nuk do t’i njihte rezultatet e zgjedhjeve të 11 Majit: “Po afrohet momenti kur, PD do të marrë vendimet përkatëse. Një gjë është e sigurt që, PD këto zgjedhje nuk do t’i njohë kurrë.  Unë të kuptoj, por të imagjinosh për një moment të njohësh këto zgjedhje, do të thotë të bëhesh bashkëautor në krim, në krimin më të madh elektoral në historinë e Shqipërisë pas 1946.”

Kosovë/ Policia arreston dy të dyshuar për trafikim emigrantësh

By: b b
25 August 2025 at 14:18

Dy persona janë arrestuar të dielën e 25 korrikut nën dyshimin për trafikim me emigrantë, njoftoi Policia e Kosovës këtë të hënë.

Policia tha se ka ndaluar një autobus të linjës Mitrovicë–Beograd pikëkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë, i cili po bartte 18 emigrantë të paligjshëm nga vende të Azisë Jugore dhe Afrikës.

“Gjatë kontrollit të detajuar të mjetit, është konstatuar se në katin e parë të autobusit ndodheshin 8 udhëtarë të rregullt të regjistruar në listën zyrtare, ndërsa në katin e dytë u gjetën 18 shtetas të huaj, të paregjistruar dhe pa të drejtë hyrjeje apo kalimi në territorin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Policia theksoi se hetimet e para dhe marrja në pyetje e të dyshuarve tregojnë se ka pasur “përpjekje të qëllimshme për kontrabandë me emigrantë”.

Sipas njoftimit, i arrestuar është pronari i kompanisë së autobusëve dhe shoferi i autobusit që po bartte emigrantët.

Të dyshuarit, të identifikuar vetëm me inicialet G. A., dhe B. D., dyshohen për përfshirje të drejtpërdrejtë në organizimin e transportit të emigrantëve në mënyrë të paligjshme.

Policia theksoi se emigrantët “janë trajtuar sipas procedurave ligjore nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj e Policisë së Kosovës”, ndërsa të dyshuarit ndodhen në paraburgim.

Hiqej si shoferi i kancelares së SPAK-ut, arrestohet një person në Tiranë

By: b b
25 August 2025 at 14:05

Policia e Tiranës ka arrestuar një persona në Tiranë, i cili hiqej si shofer i kancelares së Prokurorisë së Posaçme.

Sipas asaj që ka mësuar gazetarja Glidona Daci, R.I., kishte ndërtuar pa leje një banesë. Kur i kanë shkuar inspektorët e IMT-së për verifikimin e dokumentacionit, ai i ka kërcënuar duke u thënë se punonte si shofer i kancelares së SPAK.

Pas kryerjes së verifikimeve, ka rezultuar se R.I. nuk ka punuar asnjëherë në SPAK.

Pas konstatimit të objektit pa leje IMT-ja ka referuar rastin në organet ligjzbatuese për verime të tjera hetimore.

Ndërtimet pa leje, Rama paralajmëron: Masa goditëse brenda ditësh për “symbyllurit”

By: b b
25 August 2025 at 13:37

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se shembja e objekteve të paligjshme nuk është vetëm një aksion i përkohshëm, por një proces i vazhdueshëm që nuk do të ndalet derisa të eliminohet plotësisht ky fenomen.

Në një postim të publikuar këtë të hënë, Rama thekson se ky proces do të shoqërohet në ditët në vijim me një paketë të re masash ligjore.

“Shembja e objekteve të paligjshme, e cila ka nisur kudo, nuk është një aksion, po një proces që jo vetëm s’do të ndalet deri në eliminimin e këtij fenomeni, por edhe do të shoqërohet ditët në vijim me paketën e re të masave për tkurrjen e këtij fenomeni, duke rritur forcën goditëse të ligjit mbi fajtorët dhe personat përgjegjës të nivele të ndryshme, përfshirë edhe ‘symbyllurit’ në inspektoriate, polici e me radhë.”, shkruan Rama.

Këtë postim kryeministri e shoqëron edhe me një video nga një aksion që po kryhet sot në qytetin bregdetar të Durrësit.

“Këto pamje janë nga operacioni i nisur sot në Kepin e Rodonit, Bashkia Durrës, ku një tjetër mrekulli e natyrës është abuzuar për qëllime fitimi nga ndërtime të paligjshme.”, shkruan ai.

Gjatë kësaj vere kryeministri Rama është shprehur i vendosur për të luftuar ndërtimet pa leje, që kanë qenë një problem i madh në Shqipëri, duke dëmtuar jo vetëm mjedisin por edhe rendin urbanistik dhe investimet e ligjshme. Ai madje ka paralajmëruar edhe ndryshime në Ligjin për ndërtimet.

Cilët do të jenë deputetët e Kuvendit, kush rikthehet dhe kush ulet për herë të parë

By: b b
25 August 2025 at 13:18

Kolegji Zgjedhor vendosi sot të rrëzojë kërkesën e Adriatik Lapajt dhe la në fuqi vendimin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve që mandati i Nismës Shqipëria Bëhet t’i jepet Ana Dajkos. Ajo ishte e para në listën e mbyllur të Tiranës për koalicionin në fjalë, mandati i të cilit krijoi një përplasje mes dy palëve, Adriatik Lapajt dhe Endrit Shabani.

Megjithatë, vendimi i sotëm është një lajm i mirë pasi i hap rrugë certifikimit përfundimtar të zgjedhjeve të 11 majit. Pas pushimeve të gjata të verës, pritet që politika shqiptare të rikthehet në skenë në shtator.

Mandati i Kuvendit aktual mbyllet më 9 shtator. Kushtetuta thotë që parlamenti i ri do t’i hapë dyert pasi Presidenti të përcaktojë datën me një dekret dhe ajo nuk mund të vonohet më shumë se 10 ditë. Pra brenda 20 shtatorit, shqiptarët do të kenë Kuvendin e ri.

Por kush do të jenë deputetët që do t’i përfaqësojnë?

Rezultati i zgjedhjeve të 11 majit la në pushtet sërish Partinë Socialiste, kësaj here me një mazhorancë më të madhe, me 83 mandate të fituara. Partia Demokratike mori 50 mandate. Partia Socialdemokrate fitoi tre mandate, ndërsa dy i mori Partia e Agron Shehajt, “Mundësia”. Nga një mandat morën Lëvizja Bashkë dhe Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet.

Për këtë të fundit, vendosi sot Kolegji dhe përfundimisht do të jetë Ana Dajko ajo që do i përfaqësojë në Kuvend. Nga Lëvizja Bashkë, deputet do të jetë Redi Muçi.

Agron Shehaj do të rikthehet në karrigen e Kuvendit, por si kryetar i partisë së tij teksa bashkë me të do të jetë edhe Erald Kapri, i renditur i dyti në listën e mbyllur.

Partia Socialdemokrate do të ketë një përfaqësuese në Tiranë, Albana Pëllumbin ndërsa dy në Shkodër, Tom Doshin dhe Sabina Jorgon.

Siç e përmendëm edhe më lart, “peshën” më të madhe të karrigeve të kuvendit do ta mbajë Partia Socialiste me 83 mandate. 30 prej tyre kanë qenë në legjislaturën që po lëmë pas ndërsa 53 emra të rinj do të ulet për herë të parë në parlamentin shqiptar.

Emra të rinj mund të përmend si ai Marjana Koçekut, nga Shkodra. 24-vjeçarja është edhe deputetja më e re në moshë. Një tjetër emër që bëri bujë është edhe ajo e Zegjine Çaushit, e cila u bërë virale në rrjetet sociale pas përplasjes me Gazment Bardhin.

Nga Partia Demokratike, do të jenë 14 deputetë të rinj teksa pjesa të tjerë do ta rigjejnë sërish ulësen në Kuvend, po nga ana e opozitës. Nga radhët e selisë blu është deputeti më i vjetër i Kuvendit, Sali Berisha

Cilët janë deputetët që do të rikthehen në Kuvend?

Nga PS-ja

Edi Rama, Ogerta Manastirliu, Elisa Spiropali, Bledi Çuçi, Lindita Nikolla, Ulsi Manja, Taulant Balla, Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Fadil Nasufi, Hatixhe Konomi, Blendi Klosi, Klodiana Spahiu, Milva Ikonomi, Aurora Mara, Evis Kushi, Saimir Hasalla, Belinda Balluku, Antoneta Dhima, Niko Peleshi, Ilirina Pendavinji, Eduart Shalsi, Ornaldo Rakipi, Anila Denaj, Olta Xhaçka, Damian Gjiknuri, Vullnet Sinaj

Nga PD

Sali Berisha, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edi Paloka, Jorida Tabaku, Xhelal Mziu, Oerd Bylykbashi, Tomor Alizoti, Gazment Bardhi, Luan Baçi, Saimir Korreshi, Tritan Shehu, Bledjon Nallbati, Flamur Hoxha, Isuf Çelaj, Agron Gjekmarkaj, Elda Hoti, Luçiano Boçi, Greta Bardeli, Ramadan Likaj, Bujar Lesaj, Ina Zhupa, Vangjel Dule (aleat), Fatmir Mediu (aleat)/tvklan.al

Izraeli godet një spital në Gaza: 15 persona të vrarë, përfshirë dhe gazetarë

By: b b
25 August 2025 at 12:58

Sulmet izraelite kanë goditur në Spitalin Nasser në Gaza këtë të hënë. Nga ky sulm u vranë të paktën 15 persona, përfshirë tre gazetarë, thanë zyrtarët palestinezë të shëndetësisë.

Sipas dëshmitarëve, një nga gazetarët e vrarë në sulme sipas zyrtarëve, ishte kontraktor për Reuters. Fotografi Hatem Khaled, i cili ishte gjithashtu kontraktor i Reuters, i cili u plagos.

Ushtria izraelite dhe Zyra e Kryeministrit nuk dhanë asnjë koment të menjëhershëm në lidhje me sulmet.

A do t’i blejë Serbia aksionet ruse në NIS?

By: b b
25 August 2025 at 12:42

A ka bërë Serbia zyrtarisht ofertë për blerjen e aksioneve të Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS)?

Kësaj pyetjeje nuk i është përgjigjur Ministria e Minierave dhe Energjisë, megjithëse kështu kishte deklaruar më herët gjatë gushtit drejtori i ndërmarrjes Srbijagas, Dushan Bajatoviq.

Bajatoviq, sipas mediave, në fillim të gushtit tha se Serbia do ta blinte këtë kompani, por pala ruse thotë se NIS-i nuk është në shitje.

As Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë nuk ka marrë përgjigje nga drejtori i Srbijagas-it për më shumë detaje se çfarë ka ofruar Serbia. Përgjigje nuk ka pranuar as nga NIS-i.

NIS-i është futur në listën e sanksioneve amerikane në janar, për shkak të lidhjeve me Gazprom Neft-in rus, i cili ndodhet nën sanksionet perëndimore për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Më 28 korrik, SHBA e shtyu për herë të pestë zbatimin e sanksioneve.

Çfarë ka ndërmarrë pala serbe dhe çfarë ajo ruse?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në janar se po kërkohet “dalja e plotë e Rusisë nga pronësia e NIS-it”, për çka do të jetë e nevojshme një transformim i pronësisë.

Më 14 mars, NIS-i i ka paraqitur Departamentit amerikan të Thesarit një kërkesë për heqjen nga lista e sanksioneve, ndërkohë që Gazprom Neft ka transferuar rreth 5 për qind të pjesës së vet te Gazprom, një kompani ruse që nuk është e përfshirë në sanksionet perëndimore.

Aktualisht, pjesëmarrja pronësore e Gazprom Neft-it në NIS është rreth 44.9 për qind, shteti i Serbisë ka 29.9 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom rreth 11 për qind. Aksionet e tjera u takojnë aksionarëve më të vegjël.

Ministrja e Energjisë së Serbisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, tha më 12 gusht se, duke e parë në aspektin afatgjatë, gjendja aktuale me shtyrjen e sanksioneve ndaj NIS-it në baza mujore “po sjell shumë pasiguri”.

“E vetmja zgjidhje afatgjatë për NIS-in është heqja nga lista e sanksioneve”, theksoi ajo.

Ajo më herët, në korrik, kishte thënë se po ndërmerren “masa konkrete për të ulur pasiguritë në funksionimin e NIS-it”.

Ndër të tjera, siç deklaroi atëbotë, është në proces zgjedhja e dy anëtarëve të pavarur të Bordit të Drejtorëve “me qëllim përmbushjen e kërkesave të OFAC-ut [Zyra për Kontrollin e Pasurisë së Huaj në Departamentin amerikan të Thesarit] lidhur me menaxhimin e kompanisë”.

NIS është e vetmja kompani në Serbi që merret me kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e naftës si dhe prodhimin e gazit natyror.

“Blerja e detyruar ose riorganizim”
Millan Kovaçeviq, ekspert për investime të huaja, thotë për Radion Evropa e Lirë se Serbia ka mundësinë që ta detyrojë “palën ruse” të shesë në paketën aksionet që ka në NIS, por nuk e bën këtë për interesa politike.

“Nëse ndonjë anëtar i kompanisë e vështirëson suksesin thjesht duke qenë anëtar, tërë veprimtaria e kompanisë duhet të jetë nënshtruar suksesit të saj. Pra, ekziston mundësia që dikush të ‘detyrohet’ të dalë nga pronësia, por pyetja është nëse Serbia do të ndjekë këtë rrugë”, thotë ai.

Serbia, megjithëse është shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, refuzon të harmonizohet me sanksionet perëndimore ndaj Rusisë. Zyrtarët e Serbisë mbajnë kontakte me homologët rusë edhe gjatë kohës kur pushtimit rus i Ukrainës po vazhdon, ndërsa Serbia shpreson në mbështetjen e Rusisë në negociatat për Kosovën, ish-provincën e saj, të cilën nuk e njeh si shtet të pavarur.

Kovaçeviq thekson se ekziston edhe mundësia e riorganizimit të NIS-it, ku “biznesi transferohet në një kompani me pronësi të ndryshme”.

Sipas tij, është i kuptueshëm pozicioni i partnerit rus, i cili nuk dëshiron të shesë pjesën e aksioneve.

Sipas të dhënave të NIS-it, vëllimi i investimeve në këtë kompani që nga viti 2008, kur kompania u privatizua, arrin mbi 4 miliardë euro.

“Në kushte normale, një transaksion varet nga fakti nëse shitësi është i gatshëm të shesë. Megjithatë, këtu nuk bëhet fjalë për një transaksion të thjeshtë. Duhet parë sa e dëmshme është për kompaninë që ata [partnerët rusë] mbeten”, thotë ai.

Një nga skenarët e përmendur më parë për NIS-in është edhe nacionalizimi. Ai do të ndodhte nëpërmjet një ligji të veçantë të Kuvendit të Serbisë, që parashikon një transaksion me kompensim të caktuar për aksionet.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e hodhi poshtë në janar mundësinë e nacionalizimit të NIS-it, duke shtuar se Serbia nuk do të marrë pjesë në konfiskimin e pasurisë ruse.

“Strategjia e tërheqjes”
Ekonomisti Millan Kovaçeviq vlerëson se për momentin nuk duket që Qeveria e Serbisë po ndërmerr hapa që do të zgjidhnin problemin e NIS-it.

“Kam frikë se [zyrtarët e Serbisë] do të vazhdojnë të përpiqen të tejkalojnë të tjerët dhe të ulen ‘në më shumë se një karrige’. Nga kjo mund të dalin kushte edhe më të këqija se tani”, thotë ai.

Ministrja e Minierave dhe Energjetikës, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, tha në korrik se ministria që ajo udhëheq i kishte kërkuar SHBA-së shtyrjen e sanksioneve për 180 ditë, por SHBA-ja i shtyn ato vetëm për 30 ditë secilën herë.

Sipas saj, qëllimi përfundimtar është heqja e NIS-it nga lista e sanksioneve amerikane. Ajo shtoi se për këtë, më e rëndësishme është “progresi në dialogun mes SHBA-së dhe Rusisë”.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte sugjeruar se mund të arrihej një marrëveshje me Rusinë për luftën në Ukrainë në të ardhmen e afërt pas takimit të tij me presidentin rus, Vladimir Putin, në Alaskë më 15 gusht.

Megjithatë, në këtë takim nuk u arrit marrëveshje për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Ekonomisti Millan Kovaçeviq vlerëson se për Serbinë nuk është e zgjuar të presë që negociatat mes SHBA-së dhe Rusisë do ta zgjidhin çështjen e NIS-it.

“Këtu mund të arrihet vetëm një shtyrje, jo heqja e sanksioneve. Në varësi të marrëveshjes që do të arrihet për Ukrainën, me kalimin e kohës mund të ketë disa rregullime dhe lehtësime të sanksioneve, por jo heqje radikale”, thotë ai.

Biznesi i NIS-it
Përfaqësuesit e NIS-it njoftuan në gusht se kompania përfundoi gjysmën e parë të vitit me një humbje prej 3.6 miliardë dinarësh (30 milionë euro).

Drejtori financiar i NIS-it tha se, përveç sanksioneve të SHBA-së, në rezultatet e kompanisë ndikuan edhe rënia e çmimeve të naftës në tregun botëror, efekti i stokut të shtrenjtë të naftës dhe produkteve të saj, si dhe rezultati financiar negativ i HIP Petrohemisë, të cilën NIS e mori në pronësi më 2023.

Udhëheqësit e NIS-it gjithashtu njoftuan se do të vazhdojnë të punojnë për heqjen e kompanisë nga lista e sanksioneve të SHBA-së.

Serbia, në vitin 2008, shiti 51 për qind të aksioneve të NIS-it kompanisë Gasprom Neft për 400 milionë euro./REL

Homazhet për Zhejin/ Bulku: Të deshëm dhe të duam shumë! Flloko: Ike shumë shpejt!

By: b b
25 August 2025 at 12:34

Ditën e sotme, në Univeritetin e Arteve të Bukura po i jepet lamtumira e fundit gazetarit dhe publicistit të njohur, Artur Zhejit.

Personazhe publike, të medias por edhe të kinemasë kanë marrë pjesë në homazhe.

Aktorja e mirënjohur, Rajmonda Bulku, e prekur nga ndarja e mikut të saj, Artur Zheji, ka dhënë një deklaratë të shkurtër për media.

Lindi nga dy prindër me shpirt të lirë, nga atdhetarë, nga një artiste të mrekullueshme Besa Imami dhe Petro Zheji, mendje ndritur, i njerëzve të shquar shqiptarë. Lindi i lirë nga këta të dy, lindi i mençur, i kulturuar. Luftoi tërë jetën e tij për të thënë fjalën e drejtë, të mençur. Elokuenca e tij ishte e jashtëzakonshme dhe e pa krahasuar.

Do na mungojë shumë, shumë… jo vetëm ne që e kishim afër, që e donim dhe e vlerësonim, por të gjithë atyre që donin ta dëgjonin zërin e Turit. Zë të lirë, fjalë të drejtë, mençur, pa thyerje, dhe besoj se do ta kërkojë gjithmonë e do ta mbaj në mendje ashtu siç ishte gjithmonë, i drejtë, i mençur. Unë Turin e njoh, gjyshërit tanë janë kushërinj dhe kanë gjak Gjakove. Ne e donim shumë Kosovën të trashëguar nga dashuria e gjyshërve tanë”,  tha Bulku.

Turi, u prehsh në paqe, të deshëm shumë, dhe do të duam shumë”, përmbylli aktorja e prekur.

Pjesë e homazheve ishte dhe aktori i madh shqiptar, Timo Flloko, i cili përshkroi Zhejin si një personalitet të jashtëzakonshëm dhe një erudit të rrallë.

Ishte personalitet i dimensioneve të jashtëzakonshme. Nuk flas në prerjen politike të çështjes, apo si një analist i jashtëzakonshëm në televizione e në media. Arturi ishte një artist i madh në shpirt, me një sensibilitet të padallueshëm, të dukshëm, por të thellë e të brendshëm. Një erudit i përmasave të mëdha. Unë i kam dhënë mësim, leksionet i përgatisja për të më shumë, sepse dijet e tij ishin të tilla sa dinte gjithçka. Ishte djali i Petro Zhejit, por Arturi ishte një bir i tij, kishte edhe një nënë të nderuar, një artiste të madhe. Kam pasur miqësi të afërt. Iku shumë shpejt”, tha Flloko.

Kolegji Zgjedhor rrëzon Adriatik Lapajn, mandati i takon Ana Dajkos

By: b b
25 August 2025 at 12:21

Kolegji Zgjedhor rrëzon Adriatik Lapajn, mandati i takon Ana Dajkos

Mandati i vetëm që fitoi Nisma Shqipëria Bëhet në zgjedhjet e 11 majit i takon Ana Dajkos. Vendimin përfundimtar e dha Kolegji Zgjedhor që zgjidhi në këtë mënyrë përplasjen mes Adriatik Lapajt të Shqipëria Bëhet dhe Endrit Shabani nga Nisma Thurje.

Të dy u futën në koalicion në zgjedhje, por rezultati me vetëm një mandat solli mosmarrëveshje mes palëve. Zeqir Kordhoni, i afërmi i Endrit Shabanit, i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mos merrte parasysh një firmë që ai kishte dërguar para zgjedhjeve që hiqte dorë nga mandati i listës së mbyllur.

Por kjo krijoi konflikt pasi plani i dakordësuar mes palëve ishte që emrat në listat e mbyllura që janë familjarë të përfaqësuesve të partisë të jepnin dorëheqjen dhe gara të zhvillohej vetëm mes emrave në listat e hapura.

Ky vendim i Kolegjit i hap rrugë certifikimit përfundimtar të zgjedhjeve.

Politika shqiptare pritet të rikthehet në skenë në Shtator. Mandati i Kuvendit aktual mbyllet më 9 shtator, ndërsa parlamenti i ri pritet të nisë jo më shumë se 10 ditë më vonë.

Seanca hapëse do të jetë vetëm konstituive, pa axhendë dhe pa debate. Rregullorja e Kuvendit përcakton që drejtimin e seancës së parë e merr deputeti më i vjetër në moshë. Edhe në këtë legjislaturë, radha i takon Sali Berishës, i cili është 81 vjeç.

Në rast refuzimi, stafetën e marrin Tritan Shehu ose Vasil Llajo, deputeti socialist i listës së Vlorës. Menjëherë pas hapjes, Kuvendi nis verifikimin e mandateve dhe më pas 140 deputetët e rinj do të bëjnë betimin.

Homazhet për Artur Zhejin, Berisha: Personalitet i gazetarisë dhe publicistikës!

By: b b
25 August 2025 at 12:08

Ish-kryeministri dhe kreu i PD-së Sali Berisha ka marrë pjesë në homazhet e zhvilluara në nder të gazetarit dhe publicistit të njohur, Artur Zheji, i cili u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare.

Në një deklaratë për mediat, Berisha ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Zhejit dhe vlerësoi figurën e tij si një personalitet të spikatur në fushën e gazetarisë dhe analizës politike.

Ai shtoi se ndan dhimbjen me familjen dhe të afërmit e Zhejit në këtë moment të vështirë, duke i uruar që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar.

“Erdha të shpreh ngushëllimet më të ndjera dhe nderimin tim të thellë për Artur Zhejin, një personalitet i mirënjohur i gazetarisë me një eksperiencë të gjatë, i analizës, publicistikës, botimeve.

Artur Zheji ishte një zë në vete në analizat e tij, në të cilat edhe po të mos ishe dakord me pikëpamjen, mënyrën civile të servirjes dhe të shtruar të mbrojtjes që ai bënte, do ta respektoje patjetër.

Me këtë rast shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së tij të nderuar, miqve, shokëve dhe lutem së bashku me ta që shpirti i tij, shpirti i Artur Zhejit të gjejë paqen e merituar”, tha Berisha.

Punimet në aksin Shirokë-Zogaj, Rama ndan pamjet: Investim i rëndësishëm …

By: b b
25 August 2025 at 11:54

Puna në kantierin e ndërtimit në aksin rrugor Shirokë – Zogaj, vijon me ritme të shpejta.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë paraditen e sotme pamje nga ecuria e punimeve në këtë aks. Bashkangjitur me pamjet, Rama shkruan se ky është një investim i rëndësishëm që do të lehtësojë qarkullimin, por do të shërbejë edhe si një kthesë e re për turizmin.

“Vijon me ritme të mira puna në kantierin e rrugës, një investim i rëndësishëm që jo vetëm do të lehtësojë qarkullimin, por do të shërbejë si një kthesë e re për turizmin, me lidhjen që do të krijojë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke e pozicionuar Shkodrën në kryeqendër të rajonit”, shkruan kreu i qeverisë.

Berlini dhe Memoriali për Viktimat e Komunizmit

By: b b
25 August 2025 at 11:47

Që në vitin 2019, Bundestagu kishte miratuar ndërtimin e një memoriali përkujtimor qendror për viktimat e diktaturës komuniste në Gjermani. Deri më tani ka ndodhur pak, më në fund planet po konkretizohen.

Është një lëndinë e gjelbër e mirëmbajtur me disa pemë të reja. Përpara saj tre stola parku. Çdo ditë, mijëra njerëz kalojnë në të ashtuquajturin Spreebogen (Harku i Spresë) në qendër të Berlinit. Ata janë turistë nga e gjithë bota, punonjës të Kancelarisë Federale aty pranë ose të Bundestagut, në udhëtimin e tyre të shkurtër për në ose nga Stacioni Qendror i Berlinit. Trualli i zbrazët do të jetë vendi i një prej memorialeve më të rëndësishme në Republikën Federale të Gjermanisë. Që nga vjeshta e vitit 2024, ai është caktuar si vendi për “Memorialin në Kujtim dhe Përkujtimin e Viktimave të Diktaturës Komuniste në Gjermani”. Ai ka për qëllim të përkujtojë viktimat e shumta të tiranisë komuniste në Gjermani.

Deri në vitin 1989, një kufi ndante Gjermaninë midis Perëndimit dhe Lindjes, midis qeverive demokratike në Perëndim dhe qeverive komuniste në Lindje. Në Gjermaninë Lindore, Zona e Pushtimit Sovjetik (SBZ), e cila kishte ekzistuar që nga fundi i luftës në vitin 1945, u shpall Republika Demokratike Gjermane (RDGJ), e themeluar më 7 tetor 1949.

Sistemi diktatorial i persekutoi vazhdimisht disidentët dhe shtypi lirinë e udhëtimit dhe të shprehjes deri në rënien e tij në vjeshtën e vitit 1989 dhe ribashkimin e Gjermanisë vitin pasardhës. Më shumë se 600 njerëz humbën jetën gjatë viteve të RDGJ-së duke u përpjekur të arratiseshin në Perëndim përtej kufirit të brendshëm gjerman ose përtej Murit të Berlinit. Këtë persekutim kërkon të kujtojë memoriali. Projekti tani po merr formë. Në shtator, Parlamenti do të debatojë buxhetin federal të vitit 2026 dhe do ta miratojë atë në nëntor. Buxheti i Ministrit të Shtetit për Kulturën synon të sigurojë financimin për ndërtimin e memorialit. Pastaj mund të fillojë konkursi për dizajnin e tij.

Shoqatat e viktimave: Memoriali i vonuar
“Ngritja e këtij memoriali është madje e vonuar prej kohësh”, tha Dieter Dombrowski për DW. 74-vjeçari me origjinë nga Berlini Lindor është kryetar i “Unionit të Shoqatave të Viktimave të Tiranisë Komuniste”. Në vitin 1974, ai u dënua me katër vjet burg nga Gjykata e Qarkut Schwerin në Gjermaninë Lindore për “kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “vendosje kontaktesh subversive”. Dombrowski vuajti 20 muaj të dënimit të tij dhe më vonë iu lejua të emigronte në Gjermaninë Perëndimore, dhe u rehabilitua në vitin 1994.

Memoriali, thotë 74-vjeçari, do mund të përkujtojë edhe ata të burgosur që kanë ndërruar jetë. “Shumë njerëz nuk jetuan për të parë rënien e Murit në vitin 1989, por e pritën me padurim.” Për të mbijetuarit, ai ofron mbështetje psikologjike dhe tregon se nuk ishin vetëm. “Ne jemi ndoshta të fundit në ish-Bllokun Lindor që ngremë një memorial kombëtar për këtë. Kjo flet vetë”, thotë Dombrowski. Ai thekson se kujtimi i viktimave të “diktaturës së dytë gjermane”, viteve të RDGJ-së deri në vitin 1989, nuk duhet ta zvogëlojë “rëndësinë e veçantë” të diktaturës së parë gjermane, epokës naziste. “Por komunizmi do të thotë gjithmonë diktaturë”, thotë ai.

Deri më sot, më shumë se 900 vende përkujtimore dhe muze në Gjermani kujtojnë diktaturën në RDGJ. Shumë prej tyre janë iniciativa lokale ose rajonale, ndërsa disa kanë rëndësi përetj -rajonale, siç janë “Memoriali Berlin-Hohenschönhausen” ose “Memoriali i Burgut Cottbus”, të cilët të dy përkujtojnë burgjet e Stasit.

Përgjegjës për memorialin do të jetë Fondacioni Federal për Përballimin me Diktaturën SED. Drejtoresha e tij, Anna Kaminsky, shpreson që sapo të sqarohet buxheti, projekti do të bëhet më konkret dhe memoriali do të bëhet realitet “sa më shpejt të jetë e mundur”. Është e rëndësishme që “sa më shumë viktima dhe të prekur, veçanërisht ata të viteve të para”, ta shohin ende memorialin e përfunduar. Në këtë mënyrë, ata mund të ndiejnë se vuajtjet e tyre kujtohen përgjithmonë, tha historiani për DW.

Të tregohen dallimet mes diktaturës dhe demokracisë
Kaminsky i referohet kryengritjes popullore në RDGJ në qershor të vitit 1953 dhe ndërtimit të Murit të Berlinit në gusht të vitit 1961, Perdes së Hekurt midis Lindjes dhe Perëndimit në Evropë dhe kujtimin konkret e sheh si të nevojshëm “urgjentisht sot për të identifikuar ndryshimet midis diktaturës dhe demokracisë”.

Ende duhet miratuar buxheti federal i vitit 2026. Ajo që është sqaruar vetë është çështja e truallit. Fondacioni Federal për Rivlerësimin e Diktaturës SED, stafi i Ministrit të Shtetit për Kulturën dhe Zyra Federale për Ndërtimin punojnë aktualisht për tenderin e konkurrimit për projektimin e memorialit të ardhshëm. Pritet që punimet të fillojnë pa vonesa sapo të miratohet financimi. Nëse konkursi vendoset në vitin 2026, ndërtimi mund të fillojë në vitin 2027 – 38 vjet pas rënies së Murit.

Dombrowski thotë se shoqatat e viktimave nuk janë të interesuara thjesht për një vend përkujtimor ku zhvillohet një ceremoni shtetërore një herë në vit ose ku vendosen kurora herë pas here. Ai do të donte të shihte një “memorial interaktiv”, të cilin Fondacioni Federal për Përballimin me Diktaturën e SED mund ta ofronte edhe në internet – një vend përkujtimor tredimensional që ofron një sërë veçorish shtesë duke përdorur kode QR. Në këtë mënyrë, vendi mund të bëhet një qendër mësimi për klasat shkollore, grupet rinore ose institucionet arsimore, thotë Dombrowski. “Atëherë ai nuk do të ishte vetëm një memorial, por edhe një kontribut më i gjerë për edukimin qytetar.”/DW

Netanyahu: Izraeli mund të tërhiqet nga Libani, nëse Hezbollahu çarmatoset

By: b b
25 August 2025 at 11:29

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se e ka mirëpritur “vendimin historik” të kabinetit libanez në fillim të këtij muaji për të punuar drejt çarmatosjes së Hezbollahut deri në fund të vitit 2025, dhe se ky vendim mund të çojë në tërheqjen e trupave izraelite nga vendi.

Ai tha se, nëse Libani i ndërmerr hapat e nevojshëm për ta çarmatosur Hezbollahun, atëherë Izraeli do të përgjigjet me masa të ndërsjella, duke përfshirë zvogëlimin dalëngadalë të pranisë ushtarake të Izraelit në Libanin jugor.

Që nga përfundimi i luftës mes Izraelit dhe Hezbollahut në nëntor falë një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, zyrtarët e Hezbollahut kanë thënë se grupi nuk do të diskutojë për çarmatimin e tij derisa Izraeli të tërhiqet nga pesë kodra që kontrollon brenda Libanit dhe t’i ndalë sulmet ajrore pothuajse të përditshme që kanë vrarë ose plagosur qindra njerëz, shumica prej tyre anëtarë të Hezbollahut.

Bejruti përballet me trysni nga SHBA-ja për ta çarmatosur grupin që së fundmi luftoi një luftë 14-mujore me Izraelin, pas të cilës mbeti plotësisht i dobësuar, sepse shumë nga udhëheqësit e tij politikë dhe ushtarakë u vranë.

Udhëheqja e Hezbollahut është zotuar se nuk do të çarmatoset, duke thënë se vendimi i Qeverisë kombëtare për t’ia hequr armët grupit të mbështetur nga Irani deri në fund të vitit, i shërben interesave të Izraelit.

Izraeli e ka akuzuar Hezbollahun se po përpiqet t’i rindërtojë kapacitetet e tij ushtarake, ndërsa ushtria izraelite ka thënë se pesë kodrat në Liban ofrojnë pika vëzhgimi ose ndodhen përballë komuniteteve në veri të Izraelit, ku rreth 60.000 izraelitë u zhvendosën gjatë luftës.

Që nga përfundimi i luftës, Hezbollahu ka tërhequr shumicën e luftëtarëve dhe armëve të tij nga zona përgjatë kufirit me Izraelin.

Marrëveshja e armëpushimit është e paqartë se si duhet trajtuar çështja e armëve dhe objekteve ushtarake të Hezbollahut në veri të lumit Litan, duke thënë se autoritetet libaneze duhet të çmontojnë objektet e paautorizuara duke filluar nga zona në jug të lumit.

Hezbollahu këmbëngul se marrëveshja mbulon vetëm zonën në jug të Litanit, ndërsa Izraeli dhe SHBA thonë se ajo kërkon çarmatosjen e grupit në të gjithë Libanin.

Lufta Izrael–Hezbollah filloi një ditë pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi kundër Izraelit nga Gaza më 7 tetor 2023. Ajo la mbi 4.000 njerëz të vdekur dhe shkaktoi dëme me vlerë 11 miliardë dollarë.

Ilir Meta ankimon vendimin që e la arrest në burg

By: b b
25 August 2025 at 11:17

Ish-presidenti Ilir Meta ka ankimuar vendimin e datës 13 gusht të Apelit të Gjykatës së Posaçme, që e la në burg.

Meta kërkoi lirimin në fillim të muajit gusht, duke argumentuar se hetimet janë përfunduar dhe nuk ka arsye për të qëndruar në izolim.

Por gjyqtari Erjon Çela e rrëzoi kërkesën e ish-presidentit për të ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest në burg” në një masë më të butë, siç është ajo e “arrestit në shtëpi” ose “detyrim paraqitjeje’.

Kjo me argumentin se ekziston rreziku për të prishur provat, për të intimiduar dëshmitarët dhe për rëndimin e pozitës procedural.

Pas publikimit të argumentit të plotë të Gjykatës së Posaçme, kreu i Partisë së Lirisë reagoi nga qelia përmes një postimi në rrjetet sociale duke u shprehur i revoltuar kundër vendimit të gjyqtarit, të cilin e akuzoi se po vepron si “noter i SPAK-ut” dhe se po zbaton “diktatin e Afërmendshit”, një nofkë që Meta ia atribuon drejtuesit të SPAK-ut, Altin Dumani.

Meta kundërshtoi arsyetimin e gjykatës, sipas të cilit lirimi i tij do të përbënte rrezik për intimidim të dëshmitarëve, të cilët pretendohet se janë pjesë e Partisë së Lirisë. Ai e cilëson këtë si “mashtrim publik”.

SPAK ka marrë të pandehur Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin për disa vepra penale, mes të cilave korrupsion, pastrim parash dhe fshehje e pasurisë, teksa ata kanë mohuar akuzat duke konsideruar hetimin si politik. Ilir Meta u arrestua në 21 tetor të vitit të shkuar me vendim të Gjykatës së Posaçme.

Produktiviteti i punës, Shqipëria ngelet e fundit në rajon

By: b b
25 August 2025 at 11:02

Shqipëria edhe vitin e kaluar kishte nivelin më të ulët të produktivitetit të punës në Rajon dhe një ndër më të ulëtit në Europë. Sipas të dhënave nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), Prodhimi i Brendshëm Bruto për orë pune në Shqipëri vitin e kaluar vlerësohej në 16.5 dollarë ndërkombëtarë. Ky tregues është rritur me 18.2% krahasuar me vitin 2023, por hendeku me vendet fqinjë të rajonit ende ngelet i konsiderueshëm.

Zakonisht, produktiviteti i punës matet si raport i vlerës së prodhimit me kohën e shpenzuar për ta prodhuar. Statistikat krahasuese përdorin si njësi matëse dollarin ndërkombëtar, njësi monetare hipotetike që përdoret në funksion të paritetit të fuqisë blerëse.

Mes vendeve të rajonit, Shqipëria paraprihet nga Bosnje Hercegovina, me 26.5 dollarë, Serbia, me 28.8 dollarë, Maqedonia e Veriut, me 33.6 dollarë dhe Mali i Zi, me 37.5 dollarë.

Statistikat e ILO nuk japin informacion për Kosovën.

Shqipëria renditet e parafundit në gjithë Europën, duke lënë pas vetëm Moldavinë.

Faktorët kryesorë që përcaktojnë nivelin e produktivitetit janë investimet në teknologji dhe automatizim, inovacioni dhe cilësia e kapitalit njerëzor ose aftësitë e forcës së punës. Një ndikim gjithashtu mund të ketë edhe struktura e ekonomisë dhe pesha në të e sektorëve që në përgjithësi mundësojnë një vlerë më të madhe të shtuar për njësi kohë pune.

Shtetet me produktivitetin më të lartë të punës në Botë janë Luksemburgu, me 166.1 dollarë në orë, i ndjekur nga Irlanda, me 139.1 dollarë në orë dhe Norvegjia, me 123.6 dollarë.

Të dhënat e ILO tregojnë se në përgjithësi ato shtete që mund të kenë në dispozicion një forcë pune më të kosto të ulët kanë edhe produktivitet më të ulët të punës. Për shembull, Kina, megjithëse është një nga ekonomitë më të mëdha në Botë, ka një produktivitet puna pothuajse në të njëjtin nivel me Shqipërinë.

Edhe në vendin tonë, kosto e ulët e krahut të punës dhe informaliteti i lartë nuk kanë krijuar shumë stimuj për të rritur produktivitetin në dekadat pas rënies së komunizmit. Për shkak të pagave të ulëta, ndërmarrjet kanë ndier pak presion për të investuar në pajisje dhe teknologji, çka do të mundësonte rritje të prodhimit pa shtuar kostot e punës.

Në vitet e fundit, rënia e peshës së fasonerisë dhe rritja e peshës së turizmit në strukturën e ekonomisë duket se ka ndikuar pozitivisht produktivitetin në ekonominë shqiptare. Megjithatë, Shqipëria ngelet ende dukshëm mbrapa ekonomive të rajonit dhe Europës.

Problem tjetër për ekonominë shqiptare se ka qenë aftësia e fuqisë punëtore. Cilësia në rënie e sistemit arsimor, mospërputhja mes kërkesës dhe ofertës dhe emigracioni i lartë mes të rinjve kanë ndikuar negativisht aftësinë e forcës së punës.

Përmirësimi i produktivitetit të punës është i lidhur me ngushtë me nivelin e pagave. Produktiviteti i ulët nuk krijon mundësi reale për paga të larta, ndaj përmirësimi i këtij treguesi është thelbësor për rritjen e mirëqenies së një vendi. Nga ana tjetër, tyrsnia nga tregu i punës për rritjen e pagave (siç ka ndodhur në Shqipëri në vitet e fundit) mund të krijojë më shumë presione për nevojën e rritjes së produktivitetit të punës, në mënyrë që bizneset të arrijnë në ruajnë konkurrueshmërinë./monitor.al

Aksidenti në aksin Sarandë-Delvinë ku humbën jetën dy motrat, arrestohet 23-vjeçari

By: b b
25 August 2025 at 10:50

Policia ka arrestuar shoferin e “Audit”, një 23-vjeçar, në lidhje me aksidentin e rëndë mbrëmjen e 24 gusht ku në Sarandë humbën jetën dy motra.

Uniformat blu njoftuan se i riu me iniciale K.N ka qenë duke e drejtuar mjetin e tij në gjendje të dehur.

“Nga verifikimet e kryera në vendngjarje ka rezultuar: testi i parë i alkoolit në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l”, njoftoi policia.

Ai u përplas me një makinë tip “Lancia” ku udhëtonin dy motrat dhe një shoqe e tyre.

Për pasojë humbën jetën dy motrat E.Dh, 22 vjeçe, që ishte edhe shofere dhe R. Dh, 20 vjeçe. E dëmtuar mbeti A.Zh, 24 vjeçe, e cila ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Fier/ Shiste kokainë në doza, arrestohet 30-vjeçari

By: b b
25 August 2025 at 10:30

Një 30-vjeçar është arrestuar nga policia e Fierit, pasi akuzohet se shiste lëndë narkotike të ndara në doza nëpër qytet.

Uniformat blu bëjnë me dije se kanë sekuestruar 13 doza kokaine, të cilat ky shtetas i hodhi në tokë, në momentin që u konstatua nga punonjësit e Policisë.

Mbi 30-vjeçarin rëndon vepra penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Njoftimi i Policisë:

Fier- Shiste kokainë në doza, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 30-vjeçari.

Sekuestrohen 13 doza kokaine të cilat ky shtetas i hodhi në tokë, në momentin që u konstatua nga punonjësit e Policisë.

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Fier, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë policore për një shtetas që shiste lëndë narkotike, kanë organizuar punën për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e tij. Si rezultat, u identifikua dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:
A. T., 30 vjeç, banues në Fier.

Ky shtetas, kur është konstatuar nga punonjësit e Policisë, në lagjen “Konferenca e Pezës”, ka hedhur dozat e lëndës narkotike kokainë, në tokë, dhe ka tentuar të largohet, por është kapur dhe vënë në pranga pas ndjekjes nga punonjësit e Policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Nisin homazhet në nder të gazetarit Artur Zheji

By: b b
25 August 2025 at 10:24

Kanë nisur këtë të hënë në orën 10:00 në ambientet e Universitetit të Arteve të Bukura homazhet në nder të gazetarit dhe publicistit të njohur, Artur Zheji.

Gazetarja Ermelinda Hoxhaj e cila ndodhet pranë universitetit, raportoi për “Klan News” se sapo “Kanë ardhur dhe personat e parë që po i japin lamtumirën gazetarit dhe publicistit të njohur z.Zheji, i cili u nda nga jeta të shutnën e 23 gushtit”.

Gazetari, analisti dhe ish-drejtori i përgjithshëm i ATSH-së, Artur Zheji u nda dje nga të shtunën në moshën 64-vjeçare. Ai ndërroi jetë në qytetin e Sarandës, ku ndodhej për pushime së bashku me familjen.

Zheji njihej si një nga figurat e spikatura në gazetari dhe publicistikë.

Me një karrierë të gjatë në media, Zheji u bë një nga zërat dhe penat më të spikatur të gazetarisë dhe debatit publik në Shqipëri. Ai ka shërbyer në funksione drejtuese në disa media, në Radio Televizionin Shqiptar dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).

Për vite me radhë, Zheji ka dhënë kontributin e tij si analist, drejtues emisioni, por edhe si editorialist dhe komentues politik, duke lënë gjurmë në mendimin mediatik shqiptar.

Shqipëri–Letoni, dalin në shitje biletat fizike pranë stadiumit “Air Albania”

By: b b
25 August 2025 at 10:17

Federata e Futbollit njofton se nga sot të gjithë futbolldashësit dhe tifozët e Kombëtares kanë mundësi të blejnë biletat edhe fizikisht për ndeshjen e 9 shtatorit, Shqipëri – Letoni, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se biletat mund të sigurohen pranë pikës së shitjes që ndodhet tek hyrja e tribunës kryesore të stadiumit “Air Albania”.

Pika fizike do të jetë e hapur çdo ditë nga ora 10:00 deri në 18:00.

Ky vendim vjen për shkak të kërkesave të vazhdueshme të tifozëve për bileta fizike, ndërkohë, vazhdon edhe shitja online e biletave në ebileta.al në këtë link .

❌
❌