Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 August 2025Main stream

“Përvëlim në vjeshtë”/ Një Shtator me temperatura jashtë normales

By: Ke Si
12 August 2025 at 14:52

Grafikët e Meteo që paraqesin devijimet e temperaturës mesatare për shtatorin – Vlerat më të larta në Evropë shënohen në Francë dhe në Ballkan, ku tejkalojnë +1°C. Shtatori i këtij viti pritet të jetë shumë më i ngrohtë se normalja në Evropën Juglindore, përfshirë Shqipërinë, sipas të dhënave të Meteo, të cilat bazohen në 400 skenarë parashikimi, raporton noa.al.

Kujtojmë se korriku ishte muaji i tretë më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, sipas observatorit evropian Copernicus. Parashikimet afatgjata (periudha e vlefshme: gusht – shtator) u publikuan në fillim të muajit. Sipas 83% të skenarëve të disponueshëm, temperatura mesatare e shtatorit do të jetë më e lartë se mesatarja sezonale (periudha e referencës: 1993–2016).

Më konkretisht, probabiliteti për devijime pozitive:

Midis 0 dhe 1°C: 42%

Midis 1 dhe 2°C: 32%

Mbi 2°C: 9%

Ndërsa probabiliteti për devijime negative:

Midis 0 dhe 1°C: 16%

Mbi 1°C: 1%

Mesatarja e 400 skenarëve është +0.84°C.

Devijime pozitive në të gjithë Evropën

Sipas analizës së Meteo, devijime pozitive priten në të gjithë kontinentin evropian. Vlerat më të larta shënohen në Francë dhe Ballkan, ku tejkalojnë +1°C. Ky parashikim bazohet në gjithsej 400 skenarë të mundshëm nga tetë qendra parashikimi:

ECMWF (Evropë)

UKMO (Britania e Madhe)

Meteo-France (Francë)

JMA (Japoni)

NCEP (SHBA)

DWD (Gjermani)

CMCC (Itali)

BOM (Australi)

Të gjitha këto të dhëna janë siguruar nga Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus i Komisionit Evropian.

Kujdes me interpretimin e parashikimeve afatgjata

Parashikimet afatgjata kanë një nivel të lartë pasigurie dhe synojnë vetëm të japin një vlerësim të prirjes së kushteve mesatare mujore dhe sezonale. Devijimet e temperaturës në bazë ditore ose në zona të kufizuara mund të ndryshojnë dukshëm nga devijimi mesatar i një muaji për një rajon të gjerë, për shkak të ndikimit të sistemeve të ndryshme atmosferike.

Çfarë ndodhi në korrik

Në korrik, devijimi mesatar i temperaturës në Evropën Juglindore ishte +1.61°C, ndërsa mesatarja e të gjithë skenarëve të parashikimit afatgjatë të publikuar në qershor 2025 ishte +1.04°C. Devijimi që u regjistrua kishte një probabilitet prej 41% dhe ishte fusha e dytë më e mundshme e vlerave sipas parashikimit afatgjatë./e.t

Fabrikat e armëve trefishohen, Europa armatoset deri në ‘dhëmbë’

By: Ke Si
12 August 2025 at 14:41

Fabrikat e armëve në Europë po trefishohen duke mbuluar mbi 7 milionë metra katrorë të zhvillimit të ri industrial. Ky hov përfaqëson një shkallë historike riarmatimesh pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në 2022. Analiza e të dhënave të radarëve satelitorë nga 150 ndërtesa në 37 kompani tregon se ripërtëritja e mbrojtjes së Europës po bëhe e prekshme përmes ndërtimit, përtej premtimeve të politikave dhe angazhimeve për shpenzimet, raporton Financial Times.

Rritja e aktivitetit ndërtues funksionon falë një përzierjeje anashkalimesh publike dhe nevojave të menjëhershme ushtarake. Qeveritë e BE po debatojnë si të ruajnë dërgesat e armëve në Kiev ndërkohë që rimbushin stoqet e tyre për shkak të pasigurisë së mbështetjes nga SHBA. Përmes 1 mijë kalimeve të radarëve satelitorë, FT gjurmoi ndryshimet në vendet e përqendruara te prodhimi i municioneve dhe bombave, dy pika kritike në mbështetjen perëndimore ndaj Ukrainës.

Të dhënat e radarëve nga satelitët Sentinel të ESA tregojnë se një e treta e vendeve të studiuara kanë kaluar nën zgjerim ose rindërtim. Kjo shkallë e lartë e rritjes industriale sinjalizon një ndryshim brezash që e zhvendos Europën nga prodhimi në kohë paqeje për të qenë të përgatitur drejt një baze industriale të gatshme që mund të sigurojë vazhdimisht armë. Ekspertët thonë se ky shndërrim do të pakësojë kostot dhe ndërlikimet e prodhimit të armëve si bombat.

Një nga zgjerimet më të mëdha është një projekt në Hungari nga kompania gjigante gjermane Rheinmetall dhe N7 Holding në Hungari. Vendi i tyre i prodhimit është në Várpalota, i përfunduar në mes të 2024-ës ku prodhohen municione 30mm dhe planifikon të prodhojë predha dhe armatime për tanke. Këto zhvillime nënvizojnë sesi imazhet e radarëve mund të dallojnë ndryshime të lehta, por   domethënëse si gërmimet dhe ndërtimet e reja që shpesh humbasin nga fotot e zakonshme satelitore.

Programi i BE për Aktin e Mbështetjes së Prodhimit të Armëve (ASAP) ka investuar 500 milionë dollarë  për të lehtësuar pikat e vështira të prodhimit. Analiza e FT tregon se fabrikat e mbështetura nga ASAP janë zgjeruar më shpejt se të tjerat me fabrika, rrugë dhe infrastrukturë të re. Por jo i gjithë zhvillimi lidhet me financimin nga BE pasi shpenzimet e tjera publike dhe rritja e urdhrave ushtarakë kanë përshpejtuar zgjerimet e fabrikave në Europë.

Kompani si MBDA në Gjermani dhe Kongsberg në Norveegji kanë rritur prodhimin e bombave falë financimit të ASAP dhe kontratave të mëdha, përfshirë marrëveshjen prej 5,6 miliardë dollarë me NATO-n për bombat Patriot. Ndërkohë BAR Systems në Mbretërinë e Bashkuar kanë investuar fuqishëm në fabrikat e municioneve duke synuar të shumëfishojnë kapacitetin prodhues. Këto zhvillime reflketojnë përpjekje më të mëdha për të rritur prodhimin e armëve mbrojtëse në Europë për t’iu përgjigjur luftërave.

Komisioni Europian po negocion një program të ri mbrojtjeje prej 1,5 milionë dollarësh duke shtuar suksesin e ASAP dhe synuar që të incentivojë zgjerimin industrial në prodhimin e armëve, mbrojtjes ajrore, artilerisë dhe dronëve. Liderët e industrisë lëvdojnë ASAP që ka mundësuar investimet e rëndëishme por paralajmërojnë se prodhimi i elementëve si motorët e vegjël të avionëve dhe mbushësit  e eksplozivëve mbeten një problem për prodhimin e armëve.

Ekspertët thonë se prodhimi  i armëve është i rëndësishëm për strategjinë e NATO-s kundrejt aftësive ushtarake të Rusisë. Teksa zgjerimi vazhdon, sfidat janë të pranishme për kapacitetin që duhet për t’u përballur me  mobilizimin  rus.  Programeve të ardhshme  të BE për shpenzimet mund t’u nevojitet  të shënjestrojë këto hendeqe të veçanta teknologjike  për  të siguruar gatishmërinë mbrojtëse të Europës në planin afatgjatë./e.t

The Times: Rusia synon zhdukjen e Ukrainës, shkëmbimi i territoreve nuk e ndal luftën

By: Ke Si
12 August 2025 at 14:34

Që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në vitin 2022, ka pasur dy fraza që kanë qenë shtyllat kryesore të fjalimeve të përditshme të presidentit Zelensky drejtuar kombit: “fitore” dhe “një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme”.

Para samitit të presidentit Putin dhe presidentit Trump në Alaska, e para duket se i ka shpëtuar kontrollit të Ukrainës, ndërsa e dyta, nëse udhëheqësi rus ia del mbanë, ka pak shanse të bëhet realitet.

Edhe nëse Zelensky pranon kërkesat e pritura të Putinit për të lëshuar tokë, diçka që është e ndaluar nga kushtetuta e Ukrainës, nuk ka indikacione se udhëheqësi rus do të jetë i kënaqur me fitime të kufizuara territoriale.

Putin nuk ka bërë luftë për më shumë se tre vjet për të pushtuar vetëm minierat e qymyrit të Ukrainës lindore dhe “pronën e saj bregdetare”, siç i përshkroi Trump zonat e pushtuara nga Rusia përgjatë Detit të Zi dhe Detit Azov. Ndërsa makina e propagandës së Kremlinit do të ishte në gjendje t’i paraqiste fitime të tilla relativisht modeste si një fitore të lavdishme për popullin e Rusisë, Putini nuk do të ishte në gjendje ta mashtronte veten.

Siç e kanë bërë të qartë në shumë raste ish-oficeri i KGB-së dhe aleatët e tij në Moskë, Rusia nuk po lufton vetëm për tokë, ajo po kërkon të eliminojë Ukrainën si shtet të pavarur. “Ukraina nuk është as vend”, thuhet se Putini i ka thënë George W. Bush, presidentit të atëhershëm të SHBA-së, në vitin 2008. Qëllimi i tij i pandryshueshëm është të nënshtrojë Kievin, sado kohë të duhet dhe me çdo mjet të nevojshëm.

Pavarësisht ekonomisë së dobësuar të Rusisë, Putini ka pak nxitje për të bërë paqe ndërsa trupat e tij vazhdojnë të përparojnë në rajonin e Donjetskut, epiqendrën e luftës. Të hënën, forcat e Rusisë depërtuan nëpër mbrojtjet e Ukrainës pranë Dobropillia-s, një qytet i rrethuar, duke përparuar gjashtë milje dhe duke marrë kontrollin e një rruge kyçe, sipas raporteve ukrainase.

“Deri më tani, nuk ka asnjë tregues se rusët kanë marrë sinjale për t’u përgatitur për një situatë pas luftës. Përkundrazi, ata po ripozicionojnë trupat dhe forcat e tyre në mënyra që sugjerojnë përgatitje për operacione të reja ofensive”, tha Zelensky të hënën.

Edhe pas muajsh bisedimesh, është e paqartë nëse Trump dhe administrata e tij e kanë kuptuar plotësisht se sa i fiksuar është Putini me Ukrainën. Agresioni ushtarak i udhëheqësit rus nuk filloi në vitin 2022, kur bota u trondit nga imazhet e raketave ruse në qytetet evropiane, por në vitin 2014, kur protestuesit në Kiev rrëzuan udhëheqësin pro-Moskës të vendit, Viktor Janukoviç.

Në përgjigje, Putini aneksoi Krimenë dhe nisi një operacion të fshehtë ushtarak në Ukrainën lindore. “Putin është një person dinak. Ai i thotë të gjithë botës se nuk ka trupa ruse atje. Por pastaj na thotë ‘hajdeni, hajdeni’”, tha një ushtar rus i quajtur Dorji Batomunkuyev për gazetën opozitare Novaya Gazeta në vitin 2015 pasi pësoi plagë të rënda në rajonin Donbas të Ukrainës.

Vitet në vijim ishin një rrëshqitje e vazhdueshme drejt një lufte të përgjithshme që u shoqërua me një fushatë në rritje të shtypjes politike në vend dhe propagandës që i lejoi Putinit t’ua linte drejtimin e përditshëm të Rusisë vartësve të tij, ndërsa ai u përqendrua pothuajse ekskluzivisht në politikën e jashtme.

Në vitin 2021, Putini akuzoi Perëndimin për transformimin e Ukrainës në një projekt “anti-rus” që do të përdorej si trampolinë për sulme të ardhshme ndaj Moskës, edhe pse NATO kishte refuzuar t’i jepte Kievit një hartë të qartë rrugore për anëtarësim.

Një vit më vonë, në prag të luftës, Putini u dha leksione rusëve për orë të tëra mbi atë që ai e quajti trillim të shtetësisë ukrainase dhe “çmendurinë” që i kishte lejuar asaj të bëhej e pavarur nga Moska në vitin 1991, kur ukrainasit votuan me shumicë dërrmuese për t’u shkëputur nga Bashkimi Sovjetik.

“E kam thënë shumë herë se i konsideroj popujt rusë dhe ukrainas si një popull të vetëm. Në këtë kuptim, e gjithë Ukraina është e jona”, tha Putini në qershor. Muajin e kaluar, ai e korrigjoi Aleksandër Lukashenkon, diktatorin bjellorus, kur paralajmëroi se Rusia mund të “kapte” më shumë tokë në Ukrainë. “Kthehuni, është e jona”, i tha Putini.

Edhe nëse arrihet një marrëveshje për armëpushim, Putini pothuajse me siguri do ta përdorë kohën për të rindërtuar ushtrinë e tij të shkatërruar dhe për të ringjallur ekonominë e dobësuar të Rusisë përpara se të sulmojë përsëri, veçanërisht nëse Ukraina nuk merr garanci të forta perëndimore për sigurinë në këmbim të çfarëdo lëshimi që mund të detyrohet të bëjë.

Mes mungesës së qartësisë mbi samitin, një gjë është e sigurt: Putini do të preferonte që Trump ta harronte plotësisht Ukrainën. Analistët kanë sugjeruar se interesi kryesor i udhëheqësit rus për marrëdhënie të mira me Trumpin është sepse ai shpreson që Moska dhe Uashingtoni të mund të bien dakord të krijojnë sfera ekskluzive ndikimi që do t’i lejonin Kremlinit një dorë të lirë në atë që e sheh si oborrin e vet. Të flasësh për Ukrainën në Alaska nuk i kushton asgjë Putinit, veçanërisht nëse ai mund ta ngatërrojë Trumpin me detajet e konfliktit.

Vitin e kaluar, gjatë një interviste me Tucker Carlson, e para e Putinit me median perëndimore që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë, udhëheqësi i Kremlinit injoroi mundësinë për ta paraqitur veten si një njeri i arsyeshëm, duke nisur në vend të kësaj një leksion të gjatë rreth asaj që ai e sheh si rrënjët historike të konfliktit.

“Më falni, a mund të na tregoni se në cilën periudhë… Po humbas gjurmët se ku ndodhemi në histori”, pyeti Carlson i hutuar në një moment. Putin ndaloi shkurt: “Ishte në shekullin e 13-të”, u përgjigj ai, përpara se të vazhdonte përsëri. Të tilla janë thellësitë e obsesionit të udhëheqësit rus./e.t

Zjarret në Gramsh, policia: Flakët i ndezi 80-vjeçari që vdiq në kopshtin e banesës

By: Ke Si
12 August 2025 at 14:28

Policia e Elbasanit ka njoftuar zyrtarisht se zjarri i përmasave të mëdha në fshatrat e Gramshit është shkaktuar nga një 80-vjeçar, i cili fatkeqësisht humbi jetën edhe vetë si pasojë e asfiksisë.

I moshuari, sipas policisë, ndezi zjarr në kopshtin e banesës, e për pasojë flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën në të gjitha fshatrat e Gramshit.

Për shkak të situatës që ka dalë nga kontrolli, Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin e banorëve të 3 fshatrave.

“Rreth orës 11:00, dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën. Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët. Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po heton për të zbardhur dhe dokumentuar shkakun e zjarrit dhe rrethanat e tjera të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Elbasanit./E.T

Regjistrohet viktima e parë nga zjarret

By: Ke Si
12 August 2025 at 14:14

Paraditen e sotme u regjistrua viktima e parë nga zjarret në vendin tonë.

Rreth orës 11:00, dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën.

Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët.

Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po heton për të zbardhur dhe dokumentuar shkakun e zjarrit dhe rrethanat e tjera të rastit./E.T

Mbi 20 të vrarë në Gaza. Avionët dhe tanket izraelite, breshëri sulmesh në enklavë

By: Ke Si
12 August 2025 at 14:06

Avionët dhe tanket izraelite vijuan bombardimet në zonat lindore të qytetit të Gazës përgjatë natës, duke vrarë të paktën 11 vetë.

Në jug të enklavës, pesë persona të tjerë, përfshirë një çift dhe fëmijën e tyre, humbën jetën pas shënjestrimit të banesës së tyre nga predha izralite në Khan Junis, ndërsa 4 të tjerë u vranë në një kamp të afërt, në zonën bregdetare të Mawasi.

Ushtria izraelite tha se po verifikonte raportimet dhe se forcat e veta po merrnin masa për të minimizuar dëmet civile. Në një tjetër deklaratë gjatë së martës, IDF bëri të ditur se kishte vrarë dhjetëra militant në Rripin e Gazës gjatë muajit të fundit dhe se kishte shkatërruar më shumë tunele të përdorura prej tyre.

Izraeli ka intensifikuar bombardimet në enklavë pasi njoftoi planet për nisjen e një ofensive të re, për pushtimin e qytetit të Gazës. Lëvizja ka nxitur reagime të ashpra rreth botës, mes frikës për përshkallëzim të vuajtjeve për palestinezët atje. 5 persona të tjerë, përfshirë 2 fëmijë, thuhet të kenë humbur jetën si pasojë e urisë gjatë 24 orëve të fundit.

Vdekjet e tjera e çojnë në 227 numrin total të viktimave nga kequshqyerja, mes të cilëve 103 fëmijë.

Teksa lufta bëhet gjithmonë e më e egër në Gaza, lideri i Hamasit, Khalil Al-Hayya, udhëton në Kajro për të rigjallësuar planin e armëpushimit të mbështetur nga SHBA. Raundi i fundit i bisedimeve në Katar përfundoi pa asnjë rezultat në fund të korrikut, me Hamasin dhe Izraelin që shkëmbyen akuza për mungesën e progresit, lidhur me propozimin amerikan për 60 ditë armëpushim dhe lirim të pengjeve. /E.T

Kur merr fund i nxehti afrikan në Shqipëri?

By: Ke Si
12 August 2025 at 14:01

Pas disa ditësh të mbizotërimit të temperaturave përvëluese, vendi ynë pritet të përjetojë një rënie graduale të valës së të nxehtit duke nisur nga dita e enjte.

Kjo u bë e ditur nga meteorologia Anira Gjoni gjatë një prononcimi për Euronews Albania, ku analizoi situatën e motit dhe ndikimin e tij në përhapjen e zjarreve.

Nga dita e enjte, vala e të nxehtit do të fillojë të tërhiqet më ndjeshëm, me temperatura që pritet të zbresin në 34 gradë Celsius, ndërsa të premten ato do të bien deri në 32 gradë. Një rritje e lehtë pritet të shtunën, me vlera rreth 35 gradë Celsius.

“Temperaturat ekstreme që kemi parë këtë gusht nuk do të rikthehen në ditët në vijim,” u shpreh Gjoni.

Sipas Gjonit, të martën temperaturat arritën në 41 gradë Celsius në zonat e ulëta, 37 gradë në bregdet dhe 34 gradë në zonat malore.

Për ditën e mërkurë parashikohen vlera pak më të ulëta, 39 gradë Celsius në zonat e ulëta, 35 gradë Celsius në bregdet dhe 32 gradë Celsius në relievet malore.

Zonat më të rrezikuara nga i nxehti mbeten ato të ultësirës perëndimore, ku temperaturat gjatë orëve të pasdites qëndrojnë në vlera të larta dhe mund të përkeqësojnë më tej situatën.

“Për javën e fundit të gushtit, parashikimet tregojnë se do të kemi ende ditë të nxehta, me temperatura në intervalin 35–36 gradë Celsius, por jo vlera ekstreme si javët e mëparshme,” shtoi ajo.

“Nuk mund të themi se është viti më i nxehtë, por jemi ende brenda një prej viteve më të nxehta të regjistruara. 2024, në nivel global, vijon të jetë viti më i nxehtë deri tani,” tha meteorologia.

E pyetur për situatën e zjarreve, Gjoni tha se faktori njeri vijon të mbetet shkaku kryesor i vatrave aktive dhe rrezikshmërisë së lartë në shumë zona të vendit.

“Nuk janë temperaturat 41–42 gradë Celsius që shkaktojnë zjarrëvënien, nuk kemi kushtet ideale për vetëndezje, shkaku kryesor vijon të mbetet veprimi i qëllimshëm apo pakujdesia njerëzore,” u shpreh ajo.

Ndërsa vala e të nxehtit tregon shenja të tërheqjes, situata me zjarret mbetet serioze dhe shqetësuese në disa pjesë të territorit.

Sipas Gjonit, të gjitha qarqet e vendit paraqesin rrezikshmëri të lartë për përhapje zjarresh, përfshirë Shkodrën (veçanërisht në jug të saj), Lezhën, Kukësin, Elbasanin dhe Tiranën, ku zonat jugore janë më të ekspozuara.

“Megjithatë, rënia e temperaturave gjatë fundjavës pritet të ndihmojë në stabilizimin gradual të situatës së zjarreve,” përfundoi meteorologia./E.T

Flakët kanë bllokuar fshatrat e Gramshit, Ministria thirrje urgjente banorëve: Largohuni

By: Ke Si
12 August 2025 at 13:57

Ministria e Mbrojtjes ju bën thirrje banorëve të fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë të Gramshit që të evakuohen menjëherë nga banesat e tyre për shkak të flakëve të zjarreve të cilat kanë rrethuar zonën.

“THIRRJE URGJENTE! Për shkak të zjarreve, u bëjmë thirrje banorëve të fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë të largohen menjëherë nga banesat e tyre dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt”.

Ndërkohë katër helikopterë janë nisur drejt Gramshit për shuarjen e dy vatrave masive të zjarrit, të cilat paraqesin rrezikshmëri të lartë dhe kanë detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuimin e fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë.

Aaktualisht fshati Kullollas dhe Bletëz mbeten të bllokuar nga flakët. Deri më tani askush nuk mund të konfirmojë nëse ka të lënduar apo viktima nga zjarri pasi fshati është rrethuar nga flakët.

Deri në qetësimin e situatës që t’i hapë rrugë hyrjes së zjarrfikëses dhe ambulancës askush nuk konfirmon fatin e banorëve të këtyre fshatrave.

Aktualisht ekipet që kanë shkuar nga toka për të evakuuar banorët e kësaj zone janë të bllokuara dhe e kanë të pamundur avancimin më tej.

Sakaq, drejt Gramshit është nisur me urgjencë edhe Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako, për të monitoruar nga afër operacionin për shuarjen e flakëve./E.T

Shpëtoi 3 të aksidentuarit, Proda i akordon certifikatën inspektorit Klajdi Mustaj

By: Ke Si
12 August 2025 at 12:58

Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua ceremonia për dorëzimin e certifikatës së akorduar nga Drejtori i Përgjithshëm, punonjësit të Policisë Klajdi Mustaj. Në ceremoni morën pjesë drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe të DVP Vlorë, ku punonjësi i Policisë është i komanduar për sezonin turistik, si dhe eprorë dhe kolegë të tij.

Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm ka vlerësuar aktin e guximshëm të punonjësit të Policisë, akt që mishëron më së miri misionin e Policisë së Shtetit, të jemi aty ku qytetarët kanë më shumë nevojë për ne.

Ilir Proda:

“Veprimi i Inspektor Klajdi Mustaj, i cili ndërhyri me profesionalizëm dhe vendosmëri për të shpëtuar tre bashkëqytetarë të përfshirë në një aksident rrugor, është një shembull frymëzues për çdo efektiv policie. Guximi, reagimi i shpejtë dhe zemra e madhe që tregoi, janë vlerat që ne duam të shohim te çdo punonjës i Policisë së Shtetit. Në emrin tim dhe të gjithë trupës sonë policore, i shpreh mirënjohjen më të thellë dhe e përgëzoj për këtë akt të lartë human, për t’u dhënë ndihmën e parë, në kushte të vështira, tre shtetasve që u përfshinë në një aksident rrugor. 15-vjeçari që Klajdi mori në duar mes tymit dhe flakëve, për ta shpëtuar, fatkeqësisht humbi jetën në spital, kështu që gjej rastin t’i shpreh familjes, ngushëllimet e mia të sinqerta.

Klajdi nuk është i vetmi shembull. Këto dy muaj kemi parë shumë raste të tjera kur kolegët tanë kanë vënë jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar jetën e të tjerëve. Dua të përmend këtu rastin e Shefit të Komisariatit të Policisë Delvinë, Agim Troci dhe të Nënkomisar Eridionit, të cilët, së bashku me trupën e tyre dhe me mbështetjen e kolegëve të Sarandës, bënë të mundur evakuimin e dhjetëra banorëve, nga zjarret që rrezikonin jetën e tyre, dhe shpëtuan njerëz në rrethana tepër të vështira. Vetë këta dy protagonistë mbetën të dëmtuar, njëri më rëndë e tjetri më lehtë, nga zjarri.

Gjithashtu, nuk mund të lë pa përmendur veprimin e tre punonjësve të Patrullës së Përgjithshme në Korçë, Laura Leka, Aurel Jesku dhe Klodian Dulellari, të cilët, me përkushtim dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie, rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar një qytetar të moshuar nga flakët, të cilët do të vlerësohen po njësoj si ju.

Këto nuk janë thjesht ngjarje, por dëshmi të gjalla të asaj që do të thotë të jesh pjesë e Policisë së Shtetit. Shërbimi ndaj qytetarëve nuk është vetëm një detyrë ligjore apo institucionale, është një mision i shenjtë. Gjitashtu, është një thirrje e përditshme për të qenë aty, sidomos kur jeta, shpresa dhe siguria e njerëzve janë në rrezik.

Prandaj, sot, përmes këtij vlerësimi për Inspektor Klajdi Mustaj, ne nderojmë jo vetëm atë, por të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që me përkushtim, guxim dhe humanizëm, i japin kuptim dhe dinjitet uniformës sonë.

Si Klajdi, po njësoj do të nderohen kolegët që përmenda më lart, si dhe çdo punonjës policie që do të demonstrojë këto vlera të larta njerëzore dhe përgjegjshmëri ndaj detyrës. Çdo punonjës policie që do ta përmbushë me dinjitet, ndershmëri, përkushtim, sakrificë dhe humanizëm detyrën, ka mbështetjen time të plotë.

Jam krenar për ju. Faleminderit që çdo ditë e bëni Policinë e Shtetit, një institucion ku qytetarët mund të besojnë dhe të mbështeten.”

Më tej, punonjësi i Policisë Klajdi Mustaj ka falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm, për vlerësimin dhe mbështetjen, dhe ka theksuar se ka bërë detyrën dhe do vijojë ta bëjë sa herë t’i jepet rasti, duke uruar që të tilla raste të mos ndodhin më. Ai ka apeluar për drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të mbrojnë jetën.

Klajdi Mustaj:

“Ky vlerësim nuk është vetëm një motivim personal, por edhe një mesazh inkurajues që tregon se puna, përkushtimi dhe ndershmëria vlerësohen, dhe do të mbetet për mua një nxitje për të vazhduar të jap më të mirën në shërbim të qytetarëve dhe të vendit. Mbështetja juaj ndaj çdo punonjësi policie që përmbush me ndershmëri, përkushtim, sakrificë dhe humanizëm detyrën në shërbim të qytetarëve dhe atdheut, është më shumë se një certifikatë apo vlerë monetare, është një tregues i qartë që puna e sakrifica vlerësohen.

Ndjej shumë keqardhje që 15-vjeçari, të cilin u përpoqa me gjithë zemër ta shpëtoja, humbi jetën në spital. Shpirti i tij u prehtë në paqe!

Sot, kam një mesazh për të gjithë përdoruesit e rrugës, jeta është thesari ynë, mbrojeni atë duke zbatuar ligjshmërinë.”/e.t

Përballja e shumëpritur: “Manipuluesi” Putin kundër “emocionalit” Trump

By: Ke Si
12 August 2025 at 12:53

Financial Times

Donald Trump dhe Vladimir Putin kanë një histori takimesh të çuditshme.

Ishte takimi i tyre i parë në Gjermani, kur Trump ia konfiskoi shënimet përkthyesit të tij për të fshehur çdo provë se çfarë kishte ndodhur në dhomë. Rasti në Vietnam kur Trump e mori për të vërtetë deklaratën e Putinit se Moska nuk ishte përfshirë në zgjedhjet e vitit 2016. Dhe samiti i tyre në Helsinki, kur Trump vuri në dyshim analizën e shërbimeve të tij të inteligjencës, duke iu referuar mohimit të fortë të Putin-it.

Tani, ndërsa të dy liderët po përgatiten për takimin e tyre të parë ballë për ballë që prej kthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, politikanët dhe analistët po përgatiten për një takim jo konvencional, ku Trump do të shfaqet më pak i kufizuar se në mandatin e tij të parë.

Shumëkush frikësohet se, nëse takimet e mëparshme janë ndonjë tregues, do të jetë Putin-i, (operativi i vjetër i KGB-së i kthyer në autocrat) ai që do të ketë përparësi, jo e kundërta.

“Nuk ka asnjë mënyrë që të kalosh nga zero progres në një samit që i jep fund luftës për më pak se një javë,” tha Samuel Charap, shkencëtar politik në Rand Corporation.

“Por Trump ka këtë besim të pandalshëm në karizmën e tij dhe aftësinë për të bindur homologët e vet për atë që ai e konsideron logjike dhe të drejtë.”

Ish-presidenti francez François Hollande, i cili në vitin 2015 bashkë-udhëhoqi negociatat e paqes me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Putinin për Ukrainën, ka një paralajmërim për presidentin amerikan: “Teknika e Putinit është gënjeshtra profesionale.”

“Do të ishte mirë për Trump-in të tregonte se ka njohuri të detajuara për situatën në terren,” i tha Hollande gazetës Financial Times.

Kur Trump dhe Putin u takuan për herë të parë, në korrik të vitit 2017, Trump ishte i rënduar nga hetimet për ndërhyrjen e mundshme ruse në zgjedhje dhe kishte një mosbesim të ndërsjellë mes tij dhe këshilltarëve të vet të politikës së jashtme.

Të dy presidentët u takuan në margjinat e samitit të G20-ës në Hamburg, të shoqëruar nga ministri i Jashtëm rus dhe sekretari amerikan i Shtetit, si dhe dy përkthyes. Më vonë, Trump mori shënimet e përkthyesit dhe i kërkoi atij të mos i tregonte askujt për përmbajtjen e takimit.

Në darkën e asaj nate, Trump iu afrua Putin-it për një bisedë dytësore, ku ishte i pranishëm vetëm përkthyesi i Putin-it dhe asnjë zyrtar amerikan.

Në takimin e tyre të ardhshëm në Forumin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në Vietnam në nëntor të po atij viti, Trump përsëriti pretendimin e Putin-it se Rusia nuk kishte ndërhyrë në zgjedhjet amerikane.

Të dy u takuan sërish në Helsinki, në korrik të vitit 2018, vetëm me përkthyesit përkatës. Kur u pyet në një konferencë shtypi nëse i besonte më shumë agjencive të tij të inteligjencës apo presidentit rus, Trump tha se i besonte të dyve, por shtoi: “Presidenti Putin thotë se nuk është Rusia. Nuk shoh ndonjë arsye pse do të ishte.”

Ata u takuan sërish, joformalisht, në margjinat e samitit të G20-ës në Buenos Aires më vonë atë vit, ku Trump përsëri nuk mori me vete asnjë përkthyes apo person që të mbante shënime.

Samiti i kësaj jave përfaqëson mundësinë më të fundit që Trump të riformulojë marrëdhënien e tij me Putinin dhe të marrë një qëndrim më të ashpër ndaj presidentit rus. Por pak e presin këtë.

“Putini do të përpiqet ta bindë Trumpin se (pozicioni rus) është më i mirë nga sa është në të vërtetë. Ndërkohë që për Trump-in është shumë më e rëndësishme ta bëjë këtë marrëveshje dhe ta paraqesë si një fitore të re në ruajtjen e paqes,” tha Kirill Rogov, sociolog dhe studiues në Institutin për Shkencat Humane në Vjenë. “Kjo nuk sjell asgjë, por Trump shmang nevojën për të ndërmarrë veprime vendimtare.”

Hollande, i cili kaloi 17 orë në kryeqytetin e Bjellorusisë në shkurt të vitit 2015 për të nënshkruar të ashtuquajturën marrëveshje Minsk 2 për armëpushim në rajonin lindor të Donbasit në Ukrainë, tha se Putini ndoshta do të luajë për kohë.

“Ai nuk ka nxitim,” tha ish-presidenti francez. “E di që do të jetë ende në pushtet pas një muaji, dy vjetësh, ndoshta deri në fund të jetës së tij. Trump e ka me nxitim sepse ka premtuar të zgjidhë të gjitha konfliktet botërore dhe do rezultate.”

Edhe zgjatja e tepërt e diskutimeve ishte një model, kujton Hollande. “Putin do të nisë takimin duke treguar gjithë historinë nga fillimi. Mund të zgjasë një orë, më shumë, nëse nuk e ndërpret. Metoda ruse e negociatave është që të zgjasin shumë por të mos ndodhë ndonjë gjë me rëndësi,” tha ai.

“Por në fund, ai gjithmonë ofronte një hapjje, një ndërmjetësim, një takim tjetër, një grup pune, në mënyrë që pala tjetër të mund të thoshte: shikoni, Putin ka lëvizur pak.”

Shpallja e gënjeshtrave të pastra ishte gjithashtu një nga truket e liderit rus, tha Hollande. Për shembull, Putin këmbëngulte se nuk kishte asnjë kontakt me separatistët pro-rusë në Ukrainën Lindore, megjithëse i financonte dhe i mbështeste ushtarakisht. “Ishte një gënjeshtër aq e madhe sa ishte mbresëlënëse,” tha Hollande.

Një diplomat gjerman i përfshirë në negociatat e Minskut e përshkroi Putinin si “një nga negociatorët më të zotë”. “Ai i di të gjitha temat, arsyetimet ligjore në detaje, por gjithmonë manipulon faktet. Duhet t’i njohësh faktet po aq mirë sa ai.”

Por faktet nuk janë pika e fortë e Trumpit, tha ai. Në fillim të vitit 2017, Merkel organizoi një telefonatë me presidentin amerikan për t’i shpjeguar se si Putin refuzonte të zbatonte marrëveshjen e Minskut. Trump thjesht e falënderoi dhe mbylli telefonin. Më vonë këshilltarët amerikanë i thanë ekipit të Merkel-it se Trump ishte zemëruar sepse ajo e kishte “qortuar”. “Jo vetëm që nuk i do faktet, por gjithashtu ka paragjykimet e veta, dhe Putin e di këtë,” tha diplomati.

Në kujtimet e saj, Merkel shkruan se ajo dhe Trump “flisnin në dy nivele të ndryshme: Trump-i në emocionalen; unë në faktualen.”

Putin ka një “keqbesim shumë të strukturuar, shumë të kujdesshëm”, tha një ish-këshilltar francez në ekipin negociator të Hollandes. Kur lideri rus refuzoi të pranonte çdo monitorim të jashtëm të kufirit Ukrainë-Rusi, ai “pretendoi se nuk ishte shkelur”, tha këshilltari. “Por sigurisht që kjo ishte sepse rusët e kalonin kurdo që donin.”

Për takimin në Alaskë, këshilltari tha: “Rusët nuk do të bëjnë ndonjë marrëveshje. Putin vetëm ka nevojë që Trump të ndalojë mbështetjen për Ukrainën, gjë që është natyrisht prirje e Trump-it.”

Sociologu Rogov tha se Putin mund të jetë më i interesuar për negociata tani se më parë, pasi ofensiva ruse verore në Ukrainë nuk ishte po aq e suksesshme sa vitin e kaluar. Perspektiva që Trump mund të trembë Indinë nga blerjet e naftës me kërcënimin e tarifave i ka ndërlikuar punët edhe më shumë.

Duke e krahasuar me administratën e tij të parë, kur Trump ishte i kufizuar nga një Kongres i ashpër dhe nga zyrtarë që donin të vendosnin kufij në marrëdhënie me Putin-in, tani presidenti amerikan tani përballet me më pak kontrolle mbi pushtetin e tij. Ligjvënësit republikanë janë të frikësuar dhe aparati i politikës së jashtme është lënë mënjanë.

“Ai është i pakufizuar”, tha një zyrtar i lartë amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti.

Trump dhe Steve Witkoff, i dërguari i tij special, e kanë drejtuar operacionin si dy “anët e tavolinës”, tha Andrew Weiss, nënkryetar në Carnegie Endowment for International Peace.

“Tani kemi Trump-in pa pengesa ose kundërpesha në administratën e vet të ulur me Putinin, i cili ka qenë në atë pozicion për rreth një dekadë pa pasur kolegë në afërsi të tij të menjëhershme”, tha Weiss./e.t

Pesë çështje para BE-së këtë vjeshtë

By: Ke Si
12 August 2025 at 12:34

Bashkimi Evropian pjesën më të madhe të gushtit është në pushim të verës, pa seanca plenare të Parlamentit Evropian, pa mbledhje të Këshillit dhe pa takime të komisioneve.

Me pak fjalë, gjatë këtyre javëve nuk diskutohet – e aq më pak vendoset – për ndonjë çështje të rëndësishme.

Por, sapo diplomatët dhe zyrtarët të kthehen në zyrat e tyre në shtator, BE-ja do të përballet me vendime të mundshme të vështira dhe dilema gjatë vjeshtës, përcjell A2.

Radio Evropa e Lirë sjell pesë çështjet kryesore që pritet të jenë në qendër të vëmendjes në muajt në vijim.

A do të zhbllokohen asetet e Rusisë?

Mbi 200 miliardë euro asete të ngrira të Rusisë ndodhen në Bashkimin Evropian që nga shkurti i vitit 2022, kur blloku filloi të vendoste sanksione ndaj Moskës pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Që atëherë, ka vazhduar debati i ashpër se çfarë duhet bërë me këto para.

Më 29-30 gusht, ministrat e Jashtëm të BE-së mblidhen në Danimarkë për një takim joformal të njohur si “Gymnich”, që shpesh shënon hapjen e sesionit të vjeshtës për bllokun.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e ka bërë të qartë se ky është momenti për të vendosur për fatin e aseteve – duke i cilësuar si një mjet të fuqishëm pazari për të ardhmen, por edhe një burim dilemash ligjore.

Shumë shtete anëtare të BE-së, veçanërisht ato në lindje që kanë një qasje më të ashpër ndaj Moskës, kërkojnë që paratë të konfiskohen për të financuar armët për Ukrainën ose për të rimbushur arsenalin e bllokut. Argumenti i tyre është se kjo mund të mbulojë mungesën e mundshme të financimit nga SHBA-ja dhe se është më e drejtë që këto para të Rusisë të përdoren për këtë qëllim, në vend të taksapaguesve evropianë.

Të tjerë, sidomos shtetet më të mëdha, nuk janë të gatshëm për konfiskim ende. Ata thonë se këto para mund të shërbejnë si kartë negociuese për paqe ose armëpushim, pasi Moska kërkon të rimarrë një pjesë të tyre. Po ashtu, përmendet mundësia që të përdoren si mjet presioni ndaj Kremlinit për bashkëpunim me tribunalin e ri për luftën. Një tjetër opsion është që asetet të mbeten të ngrira për të financuar rindërtimin e Ukrainës pas përfundimit të luftës.

Banka Qendrore Evropiane ka shprehur frikën se konfiskimi i aseteve mund të dëmtojë reputacionin e euros si monedhë globale dhe të dekurajojë vendet të investojnë në Eurozonë.

Belgjika, ku ndodhet depozita qendrore e sigurisë “Euroclear” – që mban shumicën e këtyre aseteve sovrane – është po ashtu e kujdesshme ndaj veprimeve të njëanshme. Argumenti belg është se asetet e ngrira janë një “mundësi e artë”, pasi fitimet e papritura që ato gjenerojnë, rreth 1-2 miliardë euro çdo tre muaj, shkojnë drejtpërdrejt në arkën e Ukrainës.

A do të ndahen Moldavia dhe Ukraina në rrugën e tyre drejt integrimit në BE?

Deri më tani, Ukraina dhe Moldavia kanë ecur së bashku në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Të dyja morën statusin e vendit kandidat në vitin 2022 dhe, në fund të vitit 2023, vendet anëtare të BE-së ranë dakord të nisin bisedimet e anëtarësimit me to.

Shumica e diplomatëve evropianë prisnin që gjysma e parë e këtij viti të sillte hapjen e kapitujve të parë nga 33 sa janë gjithsej, si për Kishinjevin, ashtu edhe për Kievin. Por, Hungaria po e bllokon nisjen e këtyre negociatave, duke pretenduar se Ukraina nuk garanton të drejtat e pakicës hungareze.

Meqë Moldavia dhe Ukraina janë “të lidhura” deri tani në këtë proces, bllokada prek edhe Kishinjevin. Këtë pranverë pati diskutime për t’i ndarë këto dy vende në procesin e anëtarësimit, në mënyrë që të paktën Moldavia të ecte përpara, por nuk u arrit ndonjë konsensus.

Hungaria ka sinjalizuar se nuk do të tërhiqet nga ky qëndrim, sidomos pas një referendumi jodetyrues më herët këtë vit, në të cilin 95 për qind e pjesëmarrësve u shprehën kundër anëtarësimit të Ukrainës në BE. Shumë zyrtarë të BE-së besojnë se ky pozicion nuk do të ndryshojë deri pas zgjedhjeve parlamentare hungareze në prill 2026.

Ndërkohë, Moldavia mban zgjedhje më 28 shtator, ku Qeveria proevropiane kërkon një mandat të ri. Në Bruksel po qarkullojnë zëra se Ukraina dhe mbështetësit e saj kanë pranuar një ndarje të procesit, ku Moldavia do të avanconte e vetme. Një vendim i tillë mund të merret në fillim të shtatorit, për të ndikuar potencialisht në favor të forcave pro BE-së në zgjedhjet moldave.

Çfarë do të bëjë BE-ja për Gjeorgjinë?

Brukseli pritet të vazhdojë këtë vjeshtë përballjen me kthimin prapa të demokracisë në Gjeorgji, dhe disa vendime mund të pasqyrojnë këtë realitet. Komisioni Evropian i dërgoi një letër Qeverisë gjeorgjiane në korrik, duke i kërkuar që deri në fund të gushtit të përmbushë tetë kushtet e vendosura në fund të vitit 2024 – përfshirë shfuqizimin e Ligjit të diskutueshëm për “agjentët e huaj” dhe paketën po aq të kontestuar ligjore për “vlerat familjare dhe mbrojtjen e të miturve”.

Pak në Bruksel presin që Tbilisi të bëjë lëvizje të mëdha në këto çështje, ndaj mbetet pyetja: si dhe kur do të përgjigjet BE-ja?

Deri më tani nuk ka pasur sanksione ndaj zyrtarëve të partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane apo gjyqtarëve të konsideruar përgjegjës për shënjestrimin e opozitës dhe protestuesve, pasi Hungaria dhe Sllovakia i kanë bllokuar ato – dhe pritet ta bëjnë sërish.

Në Bruksel po punohet për pezullimin e liberalizimit të vizave të Gjeorgjisë me bllokun. Për këtë masë nevojitet vetëm një shumicë e kualifikuar e vendeve anëtare të BE-së (55 për qind e shteteve anëtare që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së BE-së), dhe kjo shumicë duket se është siguruar. Do të ishte hera e parë që BE-ja pezullon liberalizimin e vizave për një vend kandidat, por Brukseli duket se po përgatit kuadrin e nevojshëm ligjor.

Mund të shohim gjithashtu pezullimin e disa pjesëve të marrëveshjes së asociimit BE-Gjeorgji, përfshirë aspektet e saj të tregtisë së lirë. Pyetja mbetet sa i përket kohës: ministrat e Jashtëm të BE-së nuk mblidhen zyrtarisht në format Këshilli deri në fund të tetorit, duke i lënë Tbilisit më shumë kohë për t’u përgjigjur. Deri atëherë, Gjeorgjia do të ketë mbajtur edhe zgjedhjet lokale më 4 tetor – një tregues tjetër i drejtimit që po merr kjo republikë e Kaukazit të Jugut.

Zbatimi i sistemit të ri të udhëtimeve

Pas shumë vonesash, më 12 tetor, Bashkimi Evropian do të nisë më në fund zbatimin e Sistemit të hyrje-daljeve (EES). Ky sistem ka rëndësi për të gjithë shtetasit që nuk janë nga vendet e BE-së dhe që udhëtojnë në 24 shtetet anëtare pjesëmarrëse (të gjitha vendet e BE-së përveç Qipros dhe Irlandës, ndërsa Danimarka mund t’i bashkohet më vonë), si dhe në katër vende joanëtare të BE-së – Norvegji, Islandë, Zvicër dhe Lihtenshtajn.

EES-i i jep fund vulosjes manuale të pasaportave dhe synon ta zëvendësojë atë me një sistem të sofistikuar teknologjik në çdo aeroport ndërkombëtar, port dhe pikë kufitare tokësore, që regjistron hyrjet, daljet, shenjat e gishtërinjve dhe imazhet e fytyrës.

Zbatimi do të bëhet gradualisht gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Shtetet anëtare të BE-së që kanë qendra të mëdha ndërkombëtare udhëtimi frikësohen se një nisje e menjëhershme dhe e plotë e këtij sistemi do të shkaktonte kolaps. Për një kohë të gjatë besohej se sistemi teknologjik i EES-it nuk ishte teknikisht i qëndrueshëm, por zyrtarët e BE-së tani shprehen të bindur se gjithçka është gati për funksionim.

Nëse zbatimi i plotë i EES-it përfundon në tremujorin e parë të vitit 2026, mund të pritet që edhe ETIAS-i (Sistemi Evropian për Informacion dhe Autorizim të Udhëtimit) të nisë më vonë gjatë atij viti, pasi të dy sistemet janë të ndërlidhura.

ETIAS-i është ekuivalenti i BE-së për Sistemin Elektronik të Autorizimit të Udhëtimit (ESTA) të Shteteve të Bashkuara dhe pritet të ketë ndikim të madh te udhëtarët që hyjnë në BE pa viza.

Rreth 1.4 miliard persona – përfshirë qytetarë të Britanisë së Madhe, Gjeorgjisë, Moldavisë, Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë pjesë e BE-së – do të kenë nevojë për këtë autorizim para se të hyjnë për herë të parë në bllok. Ai do të vlejë për tre vjet dhe do të kushtojë shtatë euro.

Ku priten zgjedhje?

Këtë vjeshtë nuk priten shumë zgjedhje në Evropë, çka është diçka e rrallë. Moldavia mban një votim vendimtar në shtator, ndërsa në fund të tetorit në Holandë do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme, ku pritet që partia populiste e djathtë PVV të dalë e para, por ka gjasa që një koalicion i qendrës së majtë dhe i të gjelbërve të formojë Qeverinë.

Ndoshta votimi më interesant do të jetë në Çeki më 3-4 tetor. Të gjitha sondazhet tregojnë se populisti Andrej Babish do të rikthehet në pushtet. Çështja kryesore për t’u ndjekur është nëse partia e tij ANO do të qeverisë e vetme, me mbështetjen e forcave edhe më radikale në të majtë dhe të djathtë të spektrit politik, apo nëse ndonjë parti nga koalicioni aktual proevropian do t’i japë mbështetje. Kjo do të përcaktojë se çfarë lloj Çekie do të paraqitet në skenën evropiane.

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, dhe ai i Hungarisë, Viktor Orban, ka gjasa të mirëprisin një partner në Pragë, me të cilin ndajnë qëndrimet. Ndërkohë, pasi populisti Karol Nawrocki u betua së fundmi si president i Polonisë me pritshmërinë për të bllokuar legjislacionin e kryeministrit më liberal Donald Tusk, në Varshavë po qarkullojnë zëra se Qeveria e tij mund të bjerë, duke hapur rrugën për rikthimin e partisë konservatore Ligj dhe Drejtësi.

Nga e gjitha kjo po del sërish në pah një Grup i Vishegradit (V4), që ka qëndrime të ngjashme. Ky bllok prej katër vendesh të Evropës Qendrore për vite me radhë ka luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e politikave të BE-së. Por, për shkak të dallimeve të fundit politike, V4 kishte mbetur kryesisht një koncept pasiv. Tani, ai mund të rikthehet si një faktor, që duhet ndjekur me vëmendje.

Natyrisht, ende ka dallime – sidomos sa i përket marrëdhënieve me Rusinë – dhe Varshava vazhdon të jetë disi përjashtim, pasi pritet që Tusk të vazhdojë kursin e tij. Por, nëse Babish rikthehet këtë vjeshtë me një mandat të qartë popullor, atëherë do të kemi tre kryeqytete të Evropës Qendrore me qëndrim skeptik si ndaj Brukselit, ashtu edhe ndaj Kievit.

Kjo, sigurisht, mund të ndryshojë sërish kur Hungaria të mbajë zgjedhjet e shumëpritura parlamentare në pranverën e vitit 2026, por në një moment kyç për Evropën, vendet e Vishegradit mund të shndërrohen në një burim surprizash të mëdha për zhvillimet që do të vijnë./ REL

Situatë kritike nga zjarret në Gramsh, urdhërohet evakuimi i tre fshatrave

By: Ke Si
12 August 2025 at 12:33

Situata nga zjarret paraqitet kritike edhe në zonën e Gramshit. Pavarësisht ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, flakët kanë avancuar drejt zonave të banuara në të paktën tre fshatra.

Ministria e Mbrojtjes njofton se për shkak të situatës kritike nga zjarri, është dhënë urdhër evakuimi për për banorët e fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë.

Në njoftim sqarohet se zona prej orëve të para të mëngjesit po përballet me dy fronte të rrezikshme zjarri.

“Në terren janë dislokuar 80 trupa të Forcave të Armatosura në mbështetje të forcave vendore, të cilat po punojnë pa ndërprerje për izolimin e flakëve. Në vijim pritet të nisë mbështetja nga ajri për të frenuar përhapjen e zjarrit”, bën me dije ministria e Mbrojtjes./e.t

Pse duhet të jemi kaq të veçantë për të prodhuar një budallallëk?

By: Ke Si
12 August 2025 at 12:22

Nga Petro Koçi

Kjo estrada serioze me Pilincin eshte vertet per te qeshur me dhimbje. Them me dhimbje sepse eshte e pamundur te mos turperohesh per kete produkt te lajthitjes made in Albania. Pse dreqin ndodh kjo ne shoqerine tone? Te pakten une nuk di qe te kete bere vakí diku tjeter. Pse duhet te jemi kaq te veçante per te prodhuar nje budallallek ku perzihet groteskja spektakolare me naivitetin pasionant.

Ku na shpie mushka te ciles i kane vene edhe ca fjongo me ngjyrat dhe simbolet e flamurit amerikan?

E pertej kesaj, traplleku arrin majat kur qeverria teknike eunuke, por e paligjshme pretendon se do beje arrestime e nderkohe nuk e kupton kjo qeverri qe ne fakt eshte duke kryer nje veper penale. Nje grup privat qe pretendon nje “grusht qesharak shteti”. Per me teper qe ky grushti pilinciar i shtetit do shtrihet ne 3 shtete njekohesisht, pra ne Shqiperi, Kosove dhe Maqedoni te Veriut.

I vetmi grusht i vertete shteti qe pati sukses njevjecar ishte ai i Saliut ne 26 Maj 96. Sepse ai i 14 Shtatorit deshtoi brenda dites.

Ky pilinciari eshte nje venie publike ne skene e nje vepre me subjektin e nje grushti shteti e shkruar ne nje psikiatri sociale nga me shume se 1 autor.

Si kjo qeveri teknike mund te ngrihen disa dhjetera ne mendje te percartura bashkeatdhetare.
Nese prokuroria do vepronte ligjerisht me siguri qe do humbisnim nje shfaqje me humor nga me seriozet.

Humori gjithmone e ka privilegjin e amnistise sociale.

Sidoqofte eshte ceshtje zgjedhjeje, jo zgjedhjesh./e.t

Shqipëria pushtohet nga zjarret/ 50 vatra në 24 orë, ku paraqitet situata më problematike

By: Ke Si
12 August 2025 at 12:13

Shqipëria është rrethuar nga zjarret nga veriu në jug. Ministria e Mbrojtjes ka dalë me përditësimete fundit lidhur me situatën, ku bëhet me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 50 vatra zjarri, 19 ndër të cilat mbeten ende aktive.

Në qarkun e Vlorës, situata paraqitet më problematike në bashkinë Finiq dhe Delvinë, pranë Parkut Natyror të Syrit të Kaltër, ku po operohet me 8 mjete zjarrfikëse, 2 avionë grekë PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak.

Në qarkun e Beratit, flakët janë afruar pranë Azilit të Moshuarve. Në fshatrat Plirëz, Poliçan dhe Rehovë janë evakuuar banorët, ndërsa zjarri është afruar banesave.

Në fshatin Ferraj dhe Zall-Herr, bashkia Tiranë, në zjarrin e përhapur në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, po operojnë në automjete zjarrfikëse nga MZSH, por situata paraqitet e ndërlikuar dhe rrezikohen banesa. Forcave në terren u janë bashkuar 2 helikopterë Blackhaëk të Emirateve të Bshkuara Arabe.

Në qarkun e Gjirokastrës, në fshatin Turan, raportohet se zjarri ka djegur dy stalla por me dëm minimale në bagëti. Ne terren operuan rreth 100 forca dhe mjete nga gjithë qarku Gjirokastër, dhe sot vijon puna, të cilat janë nga dy helikopterët e disa dhe sllovak. Ministria njofton se rreziku “shumë i lartë” për zjarret në qarkun e Shkodrës, Lezhës dhe Elbasanit.

NJOFTIMI I PLOTË: 

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 50 vatra zjarri, 19 ndër të cilat mbeten ende aktive.
Vatrat aktive janë si më poshtë:

– Qarku Vlorë, në bashkinë Finiq dhe Delvinë, pranë Parkut Natyror të Syrit të Kaltër vazhdon të jetë aktive dhe problematike, ndërsa në terren po operojnë 8 mjete zjarrfikëse, 4 ndër të cilat janë të FA dhe rreth 90 forca operacionale, mbçshterur edhe nga helikopteri i Forcës Ajrore si dhe 2 avionë grek PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak. Sot pritet të vazhdojë puna me të njëjtat kapacitete, të ndihmuara edhe nga 1 helikopter Black hawk i Forcës Ajrore.
– Në parkun e “Rëzom” (zonë e mbrojtur), te maja e “Lucës”, mbi tunelin e Skërficës vazhdon zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pyje, terreni i thyer e bën të pamundur ndërhyrjen nga toka. Situata po monitorohet dhe paraqitet e qëndrueshme.

– Qarku Dibër, në Malin me Gropa në Biz të Martaneshit, Bashkia Bulqizë në zonë të mbrojtur vazhdon aktive kjo vatër zjarri, që është zhvilluar me intensitet mbi fshatin Val, larg zonave të banuara në një zonë shkëmbore ku digjen, bimë më të rralla dhe barishte.. Situata po mbikëqyret nga autoritetet vendore.
– Në fshatin Xibër, bashkia Klos vatra e zjarrit është izoluar dhe po mbahet në monitorim nga autoritetet vendore.

– Qarku Berat, në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, vazhdon aktive vatra e zjarrit. Në vendngjarje po punojnë pesë mjete dhe rreth 75 forca operacionale, mbështetur nga ajri me helikopterin e Forcës Ajrore.
– Në fshatin Rehovë, bashkia Poliçan, zjarri ka përparuar në afërsi të banesave. Është bërë evakuimi i banorëve gjatë dhe kanë operuar forca operacionale vendore.

– Qarku Tiranë, vijon aktiv zjarri në vendin e quajtur “Mali i Bërzhitës”, fshati Ibë, ku po forcat operacionale vijojnë punën për shuarjen e tij.
– Në fshatin Stërbeg, bashkia Rrogozhinë, ku zjarri ka kaluar në fshatin Spanesh. Në vendngjarje ndodhen forca dhe mjete nga MZSH Rrogozhinë të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit.
– Në fshatin Hajdaraj, bashkia Kavajë, vatrat janë drejt shuarjes së plotë, ku forcat në terren janë mbështetur edhe nga ajri, me një avion, që po punon aktualisht për shuarjen e vatrës së fundit.
– Në lartësitë dominuese të fshatit Damjan dhe Isufaj, zona Arbanë, njësia administrative Vaqarr, ka rënë një zjarr i përmasave të mëdha. Aktualisht, edhe pse terreni është i vështirë, po veprojnë 6 mjete dhe rreth 40 forca nga strukturat operacionale si dhe një avion Canadair kroat.
– Në fshatin Ferraj dhe Zall-Herr, bashkia Tiranë, në zjarrin e përhapur në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, po operojnë në automjete zjarrfikëse nga MZSH, por situata paraqitet e ndërlikuar dhe rrezikohen banesa. Forcave në terren u janë bashkuar 2 helikopterë Blackhawk të Emirateve të Bshkuara Arabe.
– Në kodrat e Selitës, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Nuk ka akses për kalueshmëri mjetesh. Situata po monitorohet nga forcat bashkiake.

– Qarku Durrës, në fshatin Barkanesh, bashkia Krujë është aktivizuar një vatër zjarri në terren të vështirë, ku po veprojnë mjete dhe forca operacionale vendore.

– Qarku Gjirokastër, në fshatin Turan, bashkia Tepelenë, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit, i cili u përhap në drejtim të fshatit Lekel dhe Koder, ku u dogjën dy stalla, por me dëme minimale në bagëti. Ne terren operuan rreth 100 forca dhe mjete nga gjithë qarku Gjirokastër, dhe sot vijon puna, të ndihmuar nga dy helikopterët çek dhe sllovak.

– Qarku Elbasan, në fshatin Mukaj dhe fshatin Sojnik, bashkia Gramsh, zjarri vijon aktiv në sipërfaqe me shkurre dhe ferr, ku operuan forcat operacionale punuan të MZSH Gramsh të mbështetur nga 25 efektivë të FA Elbasan.

– Qarku Shkodër, është aktivizuar vatër zjarri në hyrje të qytetit Pukë, vijojnë punën forcat operacionale vendore. Situata është në kontroll dhe nuk paraqet rrezik.
– Në fshatin Xath, bashkia Fushë Arrëz ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pisha, që nuk e mundëson ndërhyrjen nga forcat tokësore. Situata ka qenë shumë e vështirë dhe zjarri ka marrë përmasa. Përveç afro 80 forcave operacionale vendore sot po operojnë edhe 65 forca të FA, me 2 mjete zjarrfikëse.

– Qarku Kukës, është aktivizuar një vatër zjarri në fshatin Gegaj, bashkia Tropojë, pa rrezik për banesat. Janë angazhuar rreth 60 forca nga strukturat operacionale vendore dhe 5 mjete zjarrfikëse. Vatra ngelet aktive por e izoluar dhe pa rrezik për përhapje.
– Në bashkinë Kukës, një vatër zjarri në zonë pyjore në vendin e quajtur Maja e Zezë, fshati Shëmri vazhdon të jetë në monitorim.

– Qarku Korçë, në fshatin Gërmenj, bashkia Kolonjë është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe me pyje pishe. Terreni është i vështirë dhe forcat operacionale e kanë të pamundur ndërhyrjen. Situata është në mbikëqyrje nga MZSH Kolonjë.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 82 automjete zjarrfikëse dhe 1080 forca operacionale.
Mjete ajrore që kanë operuar gjatë ditës së djeshme:
– 1 Avion Canadair kroat
– 2 Avionë PZL grekë
– 1 Black Hawk nga Republika Çeke
– 1 Black Hawk nga Sllovakia
– 2 Black Hawk nga Forcat e Armatosura te Shqipërisë

Pritet të operojnë sot :
– 2 Black Hawk nga Emiratet e Bashkuara Arabe
– 1 Black Hawk nga Republika Çeke
– 1 Black Hawk nga Sllovakia
– 2 Black Hawk nga Forcat e Armatosura te Shqipërisë

Sipas informacionit të IGJEO-s, sot nuk priten reshje.
Sa u përket zjarreve në pyje, pritet nivel rrezik I “LARTË” në të gjitha qarqet. Nё disa qarqe pritet rrezik “SHUMË I LARTË” vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Shkodër (Jug), qarku Lezhë (Veri), qarku Elbasan (Perëndim).
Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 41 °C në vendet e ulët, ndaj përsërisim thirrjen për qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar dhe të njoftojnë çdo vatër zjarri pranë autoriteteve vendore.

“Vorbulla zjarri” përfshijnë Spanjën, flakët kërcënojnë parkun e mbrojtur nga UNESCO

By: Ke Si
12 August 2025 at 12:06

Nxehtësia ekstreme dhe erërat e forta kanë shkaktuar “vorbulla zjarri” të fuqishme, ndërsa flakët kanë përfshirë disa shtëpi dhe kanë detyruar evakuimin e qindra personave pranë një parku kombëtar të mbrojtur nga UNESCO në Spanjën veriore, njoftuan autoritetet dje.

Sipas tyre, trembëdhjetë vatra të ndara zjarri kanë shpërthyer në rajonin verior të Castile dhe Leon, duke bërë që rreth 700 banorë të evakuohen në gjashtë fshatra të prekur.

Situata është përkeqësuar ndjeshëm nga temperaturat në rritje, të cilat kanë nxitur përhapjen e flakëve në afërsi të parkut Las Medallas, duke i detyruar zjarrfikësit të tërhiqeshin dhe duke lejuar që zjarret të përpinin shtëpitë në fshatin ngjitur, shtoi Suarez-Quinones.

“Kjo ndodh kur temperaturat arrijnë rreth 40 gradë Celsius (104 gradë Fahrenheit) në një luginë shumë të kufizuar dhe pastaj papritmas zjarri hyn në një zonë më të hapur dhe të oksigjenuar. Kjo prodhon një top zjarri, një vorbull zjarri”, tha ai.

“Ky fenomen shpërthyes dhe i habitshëm ishte shumë i rrezikshëm. Ai ndërpreu të gjithë punën që ishte bërë, duke na detyruar të fillonim praktikisht nga e para”, shtoi ai.

Sipas shkencëtarëve, verat më të nxehta dhe më të thata të rajonit të Mesdheut e vënë atë në rrezik të lartë për zjarre. Sapo fillojnë zjarret, bimësia e thatë dhe erërat e forta mund të shkaktojnë përhapjen e tyre me shpejtësi dhe djegien jashtë kontrollit, duke provokuar ndonjëherë vorbulla zjarri.

Ndërkohë, vala e të nxehtit në Spanjë vijonë me temperatura që pritet të arrijnë deri në 42 gradë Celsius në disa rajone të vendit./e.t

Deputetja përjashtohet nga Parlamenti i Zelandës së Re, pasi kërkon ndëshkimin e Izraelit

By: Ke Si
12 August 2025 at 12:02

Deputetja në Zelandën e Re, Chloe Swarbrick, u urdhërua që të largohej nga Parlamenti gjatë një debati të nxehtë lidhur me përgjigjen e Qeverisë sa i përket palestinezëve.

Debati parlamentar u thirr pasi Qeveria e qendrës së djathtë tha se po peshon qëndrimin e saj nëse duhet të njohë ose jo një shtet palestinez.

Aleatja e ngushtë, Australia, të hënën iu bashkua Francës, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke njoftuar se do të njohë shtetin palestinez në shtator, kur do të mbahet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Swarbrick, bashkëudhëheqëse e Partisë së Gjelbër, tha se Zelanda e Re është “vonuar” dhe mungesa e marrjes së një vendimi është e papranueshme, duke kërkuar nga anëtarët e Qeverisë që të mbështesin një projektligj “për të sanksionuar Izraelin për krime të luftës”.

Ky projektligj ishte propozuar nga partia e saj në mars dhe është mbështetur nga të gjitha partitë opozitare.

“Nëse ne gjejmë gjashtë nga 68 deputetët e Qeverisë që kanë shtyllë kurrizore, ne mund të jemi në anën e drejt të historisë”, tha Swarbrick.

Kryeparlamentari Gerry Brownlee thse kjo deklaratë ishte “krejtësisht e papranueshme”, duke i kërkuar deputetes që të tërheqë këto fjalë dhe të kërkojë falje. Swarbrick refuzoi të bëjë një gjë të tillë dhe më pas u urdhërua që të largohej nga Parlamenti.

Brownlee më vonë sqaroi se Swarbrick mund t’i kthehet punimeve të seancës plenare të mërkurën, por nëse deputetja sërish refuzon të kërkojë falje, ajo do të përjashtohet nga Parlamenti.

Zelanda e Re ka thënë se do të vendosë në shtator nëse do të njohë ose jo një shtet palestinez. Ministri i Jashtëm, Winston Peters, i tha Parlamentit se muajin e ardhshëm Qeveria do të mbledhë informacione dhe do të bisedojë me partnerët dhe më pas do të marrë vendim për këtë çështje.

“Ne do ta peshojmë këtë vendim me kujdes dhe nuk do të ngutemi”, tha Peters.

Së bashku me Partinë e Gjelbër, partitë e tjera opozitare, Partia Laburiste dhe Te Pati Maori, mbështesin njohjen e shtetit palestinez. Deputeti laburist, Peeni Henare, tha se Zelanda e Re ka një histori të fortë të qëndrimit mbi parimet dhe vlerat e saj dhe në këtë rast “po mbetet pas”. REL/

Konsumatorët në rrezik/ Italia zhduk nga supermarketet brokolin e stilit napoletan

By: Ke Si
12 August 2025 at 10:33

Masat u ndërmorën pas shqetësimit në rritje në lidhje me një kanaçe një kilogramëshe të destinuar kryesisht për industrinë e restoranteve dhe me origjinë nga një fabrikë në Scafati, në provincën e Salernos.

Ministria italiane e Shëndetësisë ka tërhequr urgjent katër seri të brokolit nga tregjet për shkak të një rreziku të dyshuar të kontaminimit nga botulizmi.

Produktet tregtohen nën markat Bel Sapore dhe Vittoria dhe tashmë janë njoftuar shpërndarësit për tërheqje të menjëhershme të tyre nga raftet e supermarketeve.

Ndërsa autoritetet shëndetësore përsërisin rëndësinë e moskonsumimit të serive të prekura, komuna e Diamante, në Kalabri, ka lëshuar një mesazh qetësues në lidhje me rastet e raportuara së fundmi të botulizmit.

“Fenomeni është i kufizuar dhe nuk ka rrezik”, deklaron kryetari i bashkisë.

Pronari i kompanisë që dyshohet se ka shërbyer ushqimin e kontaminuar është nën hetim jo vetëm për burimin e dyshuar të helmimit, por edhe për përdorimin e dyshuar të një ene kuzhine të vetme për të trajtuar ushqime të shumta, duke nxitur kështu kontaminimin e kryqëzuar.

Masa e ministrisë ka të bëjë me katër grupe të veçanta. Për markën Bel Sapore, grupet e prekura janë ato me datë skadimi 6 mars 2028 dhe me datë skadimi 28 mars 2028.

Për markën Vittoria, grupet nën vëzhgim janë me datë skadimi 28 mars 2028 dhe me datë skadimi 29 prill 2028. Në të gjitha rastet, produktet janë pako një kilogramëshe, të shitura kryesisht në restorante dhe shitës ushqimi në rrugë.

Tërheqja u urdhërua si masë paraprake për shkak të mundësisë së kontaminimit nga Clostridium botulinum, bakteri përgjegjës për botulizmin, një sëmundje serioze që transmetohet nga ushqimi.

Sipas mediave italiane tërheqja e brokolit të kontaminuar nga tregu është pjesë e një sërë kontrollesh dhe inspektimesh të nisura pas incidenteve të helmimit në resortin turistik të Diamante, në provincën e Kozencës.

Fillimisht, hetimet kishin dyshuar për përfshirjen e perimeve të tjera, por gjetjet e mëvonshme çuan në tërheqjen e brokolit rabe napolitan të prodhuar në fabrikën e Campanias.

Autoritetet shëndetësore kanë specifikuar se, deri më sot, nuk janë raportuar raste të reja që lidhen me seritë në fjalë dhe se alarmi është aktivizuar për të siguruar mbrojtjen maksimale të shëndetit publik./e.t

“Ndalo aty”/ Ndjekje si në filma, oficerja e policisë zhytet në ujë për të kapur hajdutin

By: Ke Si
12 August 2025 at 10:30

Ngjarja u kap nga kamera në trupin e njërit prej dy oficerëve të Departamentit të Policisë së Nju Jorkut (NYPD) të përfshirë në incident.

Momente dramatike u zhvilluan gjatë ndjekjes së një të dyshuari për vjedhje makinash në Queens, e cila përfundoi në mënyrë të pazakontë — me një zhytje në ujë.

Videoja fillon me 24-vjeçarin Matthew Swafford, i cili shihet duke ecur përgjatë një moli. Pavarësisht thirrjeve të një policeje që i bërtiste “Ndalo aty!”, ai nuk e ndaloi ecjen dhe u hodh në ujë.

Oficerja, e vendosur për të mos lejuar arratisjen, hoqi pajisjet e saj dhe u zhyt menjëherë pas tij, ndërsa kolegu i saj kërkoi përforcime përmes radios. Në pamjet filmike shihet momenti kur Swafford përpiqet ta mbysë policen, duke e kapur dhe zhytur nën ujë.

Kjo shkaktoi ndërhyrjen e menjëhershme të oficerit të dytë, i cili gjithashtu u hodh në ujë për ta shpëtuar kolegen dhe për të neutralizuar të dyshuarin. Falë reagimit të shpejtë dhe vendosmërisë së tyre, Swafford u arrestua në vendngjarje.

Pas arrestimit, një nga oficerët i tha Swafford-it: “E përjetuam gjithë këtë për një makinë të vjedhur?”
Në përgjigje, 24-vjeçari pranoi: “Po, e di… ishte budallallëk.”

Departamenti i Policisë së Nju Jorkut reagoi me një deklaratë: “Një i dyshuar për vjedhje makinash u përpoq të arratisej duke u zhytur në ujë. Ai nuk e priste që oficerët e @NYPD101Pct do ta ndiqnin pa hezitim, duke vënë veten në rrezik. Veprimi i tyre i shpejtë dhe vendimtar i dha fund ndjekjes në mënyrë të sigurt, duke sjellë të dyshuarin në breg dhe në pranga.”

Ky nuk ishte incidenti i tij i parë me policinë. Më 29 qershor, ai u arrestua sërish pasi u kap me dy automjete të vjedhura, një motoçikletë Kawasaki (2018) dhe një Honda Civic (2017). Po ashtu, më 22 prill ai ishte i dyshuar për vjedhjen e tre automjeteve të tjera — një Honda sedan, një minivan Honda dhe një BMW sedan./e.t

Digjet Turqia/ Shpërthimi i zjarrit i kthen shtëpitë në hi, helmohen dhjetëra banorë

By: Ke Si
12 August 2025 at 10:29

Më shumë se 2,000 njerëz u evakuuan nga shtëpitë e tyre në provincën veriperëndimore turke të Çanakalasë të hënën, ku një zjarr kishte shpërthyer që nga mesdita, me flakët që i kthyen shtëpitë dhe automjetet në hi dhe helmuan dhjetëra banorë që thithën tym.

“Si masë paraprake, 2,090 qytetarë u evakuuan nga zonat me rrezik të lartë nga deti dhe toka”, tha guvernatori i Çanakalasë, Emer Toraman, duke shtuar se 77 persona që thithën tym u dërguan në spitale ku po trajtohen.

Zjarri i përhapur nga erërat e forta, përfshiu komunitetet pranë Hellespontit (një zonë e njohur edhe si Dardanele), një ngushticë e ngarkuar, përfshirë fshatin shumë turistik të Guzalgiali, ku popullsia rritet ndjeshëm gjatë verës.

Në këtë komunitet, shtëpive dhe automjeteve të parkuara iu vu flaka midis pemëve të djegura, sipas materialeve vizuale nga mediat turke. Më shumë se 760 zjarrfikës janë vendosur në vend dhe po operojnë me mbështetjen e dhjetë avionëve, nëntë helikopterëve dhe më shumë se 200 automjeteve, sipas autoriteteve.

Turqia, e cila përjetoi korrikun e saj më të nxehtë që nga fillimi i regjistrimeve sistematike meteorologjike 55 vjet më parë, është përballur me zjarre masive në javët e fundit. Katërmbëdhjetë persona humbën jetën duke luftuar me flakët në korrik në pjesën perëndimore të vendit./e.t

Fshihnin të ardhurat nga këmbimi i valutave, procedohen administratorët e 3 Exchange-ve

By: Ke Si
12 August 2025 at 10:23

Policia e Elbasanit ka nisur hetimet për administratorët e 3 Exchange-ve, pasi fshihnin të ardhurat që përfitonin nga këmbimi i valutave.

Gjatë kontrollit të kryer blutë sekuestruan nga këto subjekte, rreth 6 152 430 lekë në valuta të ndryshme: euro, dollarë amerikanë, franga zvicerane, paunde etj.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me struktura të tjera të DVP Elbasan, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e krimeve ekonomike dhe financiare, organizuan dhe finalizuan në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, operacionin policor të koduar “The Script 2”.

Gjatë operacionit, janë ushtruar kontrolle në subjektet për këmbimin e valutave (exchange), në qytetin e Elbasanit. Nga kontrollet rezultoi se administratorët e 3 subjekteve të tilla nuk deklaronin të ardhurat që përfitonin.

Në përfundim të veprimeve për këto raate, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për administratorët e 3 subjekteve, shtetasit R. K., 62 vjeç, B. L., 63 vjeç, dhe A. N., 58 vjeç.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar rreth 6 152 430 lekë në valuta të ndryshme (lekë, euro, dollarë amerikanë, franga zvicerane, paunde etj).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme./E.T

❌
❌