Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 11 August 2025Main stream

SHBA i pezullon për 90 ditë të tjera tarifat treshifrore tregtare ndaj Kinës

By: b b
11 August 2025 at 22:45

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për zgjatjen e armëpushimit tarifor me Kinën për 90 ditë tjera, ka thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë të hënën, disa orë para se të skadonte afati për vendosjen e tarifave treshifrore amerikane në mallrat kineze.

Urdhri ka ardhur pak pasi Trump e ka dhënë një përgjigje jozyrtare për gazetarët, teksa i ka kërkuar Pekinit t’i katërfishojë blerjet e sojës amerikane.

Armëpushimi tarifor mes Pekinit dhe Uashingtonit pritej të skadonte të martën.

Urdhri tani parandalon vendosjen e tarifave amerikane prej 145 për qind në mallrat kineze, dhe vendosjen e tarifave kineze prej 125 për qind në mallrat amerikane – shifra që do të mund të rezultonin me embargo virtuale tregtare.

“Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Trump në një konferencë për media, kur është pyetur nëse planifikon ta vazhdojë masën.

“Ata kanë negociuar goxha mirë. Marrëdhëniet janë shumë të mira mes Presidentit Xi [Jinping] dhe meje”.

Aktualisht, importet prej Kinës janë subjekte të tarifave amerikane prej 30 për qind, përfshirë tarifën bazë 10 për qind dhe tarifën prej 20 për qind të vendosur nga Uashingtoni në shkurt dhe mars, për shkak të fentanolit.

Kina është kundërpërgjigjur, duke ulur normën tarifore në 10 për qind në importet amerikane.

Dy palët janë pajtuar për t’i pezulluar masat tregtare pas bisedimeve që kanë zhvilluar në muajin maj në Gjenevë, duke u pajtuar për një pauzë 90-ditore derisa të zhvillohen negociatat.

Palët janë takuar sërish në Suedi në fund të korrikut, mirëpo nuk kanë bërë të ditur ndonjë marrëveshje.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka thënë se Uashingtoni është “optimist” për rrugën përpara./REL

Disa zjarre në kryeqytet, flakët përfshijnë kodrat e Selitës dhe Zall-Herrin

By: b b
11 August 2025 at 22:14

Një tjetër vatër zjarri është raportuar mbrëmjen e kësaj të hëne, më 11 gusht, në kodrat e Selitës në Tiranë, duke ngritur alarmin për rrezik të përhapjes së flakëve në zonat e banuara.

Kjo është vatra e dytë aktive në territorin e kryeqytetit, pas asaj që është shfaqur më herët në zonën e Zall Herrit.

Në një raportim live nga terreni, gazetari Besar Bajraktaraj, ka raportuar për Klan News se “Në Zall-Herr është bërë e mundur dhe shuarja e flakëve, ku flakët kanë rrezikuar disa banesa.”

Një tjetër vatër aktive është edhe në zonën e Petrelës, si edhe në Malin e Bërzhitës.

Zjarret e këtyre ditëve, të nxitura nga temperaturat e larta dhe thatësira, po përbëjnë një sfidë serioze për strukturat e emergjencës në të gjithë vendin. Kujtojmë se situate me zjarret paraqitet më problematike kryesisht në jug të vendit, konkretisht në qarkun e Vlorës.

Ministria e Mbrojtjes bëri me dije më herët se gjatë orëve të fundit janë evidentuar 30 vatra zjarri aktive në disa qarqe të vendit, ku ndërhyrja vijon me mjete tokësore dhe ajrore, por në shumë zona puna vështirësohet nga terreni i thyer dhe erërat e forta.

Në ndihmë të operacioneve të shuarjes së zjarreve janë angazhuar avionë dhe helikopterë të Forcës Ajrore shqiptare, si edhe mjete ajrore nga Kroacia, Greqia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Autoritetet paralajmërojnë se për shkak të temperaturave të larta rreziku për zjarre mbetet i lartë dhe kërkohet kujdes maksimal nga qytetarët.

Presidenti iranian: Rindërtimi bërthamor pa bisedime me SHBA-në, i kotë

By: b b
11 August 2025 at 21:58

Presidenti iranian, Masud Pezeshkian, ka paralajmëruar se shteti i tij përballet me përshkallëzim konflikti me Shtetet e Bashkuara, nëse nuk ndiqet rruga e diplomacisë.

Duke folur me udhëheqës mediash më 10 gusht, Pezeshkian i ka kritikuar kundërshtarët e bisedimeve me Uashingtonin për programin bërthamor të Teheranit, duke thënë se Shtetet e Bashkuara do t’i sulmojnë sërish objektet bërthamore iraniane, nëse ato rindërtohen.

SHBA-ja i është bashkuar fushatës ajrore të Izraelit kundër Iranit më 22 qershor, duke bombarduar qendrat bërthamore, Fordov, Natanz dhe Isfahan me bombarduesit B-2 dhe raketa Tomahavk.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se qendrat bërthamore iraniane janë “shkatërruar plotësisht”.

Pezeshkian ka thënë se dorëzimi “nuk është në natyrën tonë”, por as grindjet nuk do ta çojnë Teheranin askund.

“Të supozojmë se nuk dëshironi të negociohet, atëherë çfarë dëshironi të bëni? Të shkoni në luftë?”, ka pyetur Pezeshkian.

Deklaratat e tij i ka kritikuar menjëherë agjencia e lajmeve Tasnim, e cila shërben si krah i Gardës Revolucionare Islamike.

“Kur armiqtë t’i dëgjojnë këto fjalë, çfarë vendimi do të marrin ata dhe çfarë bindjesh do të krijojnë për Iranin? Qartazi, përshtypja e vetme është për ‘dobësinë’ iraniane”, ka shkruar Tasnim në një editorial.

Sipas agjencisë, qëndrimi i presidentit iranian e tregon një shtet “të dobët dhe të dëshpëruar”.

Hossein Shariatmadari, kryeredaktor i agjencisë Kayhan, dhe i emëruar nga lideri suprem Iranian, Ayatollah Ali Khamenei në atë pozitë, e ka kritikuar Pezeshkianin për synimet e tij që të diskutojë me Uashingtonin.

Ai ka pretenduar, pa ndonjë dëshmi, që Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli “e kanë pranuar hapur humbjen” në luftën 12-ditore në qershor dhe që Uashingtoni “e ka lutur” Iranin për të biseduar.

Muajin e kaluar Irani ka zhvilluar bisedime me fuqitë evropiane lidhur me programin e vet bërthamor.

Zyrtarët iranianë kanë thënë se bisedimet do të vazhdojnë, por pa treguar datën e re.

Qeveritë evropiane kanë paralajmëruar që nëse nuk arrihet përparim i rëndësishëm në bisedimet mes Teheranit dhe Uashingtonit deri në fund të gushtit, ata do t’i rivendosin sanksionet e Kombeve të Bashkuara kundër Iranit – veprim që Irani e ka përshkruar si “dhënie fund” të rolit të Evropës në kapitullin bërthamor.

Irani dhe SHBA-ja ishte planifikuar të zhvillonin rundin e ri të bisedimeve më 15 qershor, mirëpo takimi është anuluar për shkak të luftës.

Dy palët ende nuk janë pajtuar për t’u takuar. Teherani deklaron se nuk mund t’i besojë Uashingtonit, ndërsa Shtëpia e Bardhë vë në pikëpyetje nëse ka logjikë të zhvillohen bisedime, duke marrë parasysh dëmin që u është shkaktuar qendrave bërthamore iraniane./REL

Trump angazhon Gardën Kombëtare në Uashington për të luftuar krimin

By: b b
11 August 2025 at 21:30

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka angazhuar të hënën ushtrinë për ta luftuar krimin e dhunshëm në Uashington, teksa përmbush edhe një tjetër zotim të bërë në fushatën presidenciale për “ligj dhe rregull”.

Lideri republikan ka thënë se do ta vendosë policinë e qytetit të Uashingtonit nën kontrollin e Qeverisë federale, dhe do të angazhojë Gardën Kombëtare në rrugët e kryeqytetit amerikan.

Uashingtoni – qytet me numër të madh të banorëve demokratë – është akuzuar nga politikanët republikanë se udhëhiqet prej krimit, se është mbushur me persona të pastrehë dhe që keqmenaxhohet financiarisht.

“Kjo është Dita e Çlirimit të Uashingtonit, do ta kthejmë kryeqytetin sërish në formë”, ka thënë Trump.

Presidenti amerikan është ankuar se policia lokale dhe prokurorët nuk janë mjaftueshëm të ashpër.

Ai ka thënë se fillimisht do t’i angazhojë 800 trupa të Gardës Kombëtare dhe “shumë më tepër” nëse do të jetë e nevojshme në qytetin me 700.000 banorë.

Teksa Trumpi e ka bërë të ditur vendimin nga Shtëpia e Bardhë, dhjetëra protestues janë mbledhur jashtë saj.

“Nuk ka asnjë nevojë për Gardën Kombëtare këtu”, ka thënë 62-vjeçarja, Ezabeth Critchley.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka qenë në mesin e zyrtarëve të kabinetit që ka thënë se edhe njësite më të specializuara të Gardës Kombëtare do të mund të angazhohen.

“Ata do të jenë të fuqishëm, të ashpër, dhe do të jenë bashkë me partnerë tjerë për zbatim të ligjit”.

Kryetarja e Uashingtonit, Muriel Bowser, demokrate, i ka hedhur poshtë pretendimet e Trumpit./REL

Akuzohen për zjarrvënie/Arrestohet një person, nis hetimi për dy të tjerë

By: b b
11 August 2025 at 21:12

Policia ka ndaluar 1 shtetas dhe ka nisur procedimin penali për 2 të tjerë, pasi akuzohen për 3 raste zjarrvënie, përkatësisht në Lukovë, Bolenë dhe Tragjas.

“Lukovë/Ndalohet një 43-vjeçar që shkaktoi zjarr nga pakujdesia, duke hedhur cigaren në tokë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë bënë ndalimin për veprat penale “Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, për shtetasin B. A., 43 vjeç, banues në fshatin Lukovë. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, më datë 10.08.2025, në vendin e quajtur “Lapardha”, pasi ka konsumuar cigare, e ka hedhur në tokë dhe nga pakujdesia ka shkaktuar zjarr, ku si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 30 rrënjë ullinj, si edhe një sipërfaqe toke me shkurre dhe ferra.

Bolenë/Procedohet penalisht një 34-vjeçar, i dyshuar për djegien e një sipërfaqeje toke me shkurre, bimësi dhe pisha.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, pas veprimeve hetimore, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimin penal për veprën penale “Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”, për shtetasin E. T., 34 vjeç, banues në fshatin Bolenë.

Ky shtetas dyshohet se më datë 09.08.2025, në afërsi të varrezave të fshatit, ka ndezur zjarr për pastrimin e kullotës që kishte në përdorim dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe disa pisha.

Tragjas/Procedohet penalisht një 58-vjeçar, i dyshuar për djegien e një sipërfaqeje toke me bimësi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Orikum referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, për shtetasin G. Gj., 58 vjeç, banues në fshatin Tragjas.

Ky shtetas dyshohet se është autori i zjarrvënies së datës 08.08.2025, në fshatin Tragjas, ku u dogj një sipërfaqe me bimësi”, njofton policia.

Materialet procedurale për këto raste i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme./Opinion.al

Korriku i këtij viti, muaji më i nxehtë ndonjëherë në Kosovë

By: b b
11 August 2025 at 20:53

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur të hënën se në muajin korrik është regjistruar temperature rekorde – mbi 40 gradë Celsius.

“Vlerat maksimale prej 42.4°C në Klinë dhe 42.3°C në Han të Elezit janë të pashembullta në historinë klimatike të vendit dhe tregojnë një devijim të madh nga mesatarja shumëvjeçare për këtë muaj”, ka thënë Instituti përmes një postimi në Facebook, duke treguar se mesatarja e korrikut në Kosovë shkonte mes 30-35 gradë Celsius.

Para korrikut të vitit 2025, temperatura më e lartë ndonjëherë ishte regjistruar në Prizren më 1987 – 40.8 gradë Celsius.

Sipas Institutit, shifrat e korrikut të këtij viti janë konfirmim i paralajmërimeve shkencore për përshpejtimin e ndryshimeve klimatike.

“Rritja e temperaturave ekstreme është një nga pasojat më të drejtpërdrejta të ngrohjes globale. Modelet klimatike dhe raportet ndërkombëtare (p.sh., IPCC) parashikojnë se Evropa Juglindore, përfshirë Ballkanin, do të përballet me më shumë valë të të nxehtit, thatësira të gjata dhe reshje të rralla por intensive.

Korriku 2025 përkon me këtë tendencë, duke reflektuar një klimë gjithnjë e më të paqëndrueshme dhe të ngarkuar me energji termike”, është thënë në postimin në Facebook.

Instituti ka përmendur edhe pasojat e temperaturave të larta, duke thënë se ato ndikojnë në rritje të sëmundjeve me të nxehtin – goditje termike, probleme kardiovaskulare – më pas në stres për bimësinë, kafshët dhe ekostetmet ujore, si dhe në dëme ekonomike, për shkak të dëmeve në bujqësi dhe rritjes së konsumit të energjisë për ftohje dhe rrezik për infrastrukturën.

“Ngjarjet klimatike të korrikut 2025 përbëjnë një sinjal të qartë për domosdoshmërinë e veprimit të menjëhershëm dhe të koordinuar për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike.

Institucionet përgjegjëse duhet të fuqizojnë monitorimin meteorologjik, planifikimin urban, sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe politikat mjedisore për të minimizuar rreziqet në të ardhmen”.

Ky njoftim vjen teksa Kosova po përballet me dhjetëra zjarre aktive, si pasojë e temperaturave të nxehta.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë u ka rekomanduar institucioneve publike dhe private që t’i zbatojnë masat për mbrojtjen e punëtorëve nga i nxehti i madh.

Kosova ka miratuar strategji për mjedisin dhe klimën, të cilat përfshijnë masa për të reduktuar ndotjen dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm, mirëpo ambientalistët bëjnë thirrje të vazhdueshme për më shumë fokus në këtë sektor.

Sipas një studimi të kryer më herët gjatë vitit nga hulumtues prej Mbretërisë së Bashkuar, Danimarkës, Holandës dhe Zvicrës, është vërtetuar se ndryshimet klimatike pothuajse kanë trefishuar numrin e vdekjeve të lidhura me të nxehtin në qytetet e mëdha evropiane, gjatë valës së të nxehtit ekstrem, nga fundi i qershorit deri në fillimin e korrikut.

Shkencëtarët për klimën kanë thënë disa herë se disa dekada të nxjerrjes së gazrave serrë në atmosferë, kanë ndikuar në rritje të temperaturave globale.

Bota është ngrohur për 1.1 gradë Celsius në krahasim me epokën industriale, ndërsa shtetet synojnë që ta mbajë atë nën 1.5 gradë Celsius, për të shmangur katastrofa të mëdha natyrore./REL

Shqipëria në luftë me flakët, terreni i vështirë pengon ndërhyrjen e autoriteteve

By: b b
11 August 2025 at 20:25

Ministria e Mbrojtjes bën me dije gjatë orëve të fundit në vendin tonë janë evidentuar 30 vatra zjarri aktive në zonat:

Qarku Vlorë

Bashkia Finiq – Zjarri ka kaluar në fshatin Krane, njësia administrative Mesopotam. Kjo vatër është përballë Syrit të Kaltër.

Në këtë zonë janë problematikë fshatrat Krane, Krongj dhe Leshnicë e poshtme. Në terren po operojnë 3 mjete zjarrfikëse me 12 efektivë të MZSH Finiq, të ndihmuar nga FA me 4 mjete zjarrfikëse dhe 30 fefektivë të FA, 1 grup FNSH.

Në këtë zonë ka operuar edhe Helikopteri i Forcës Ajrore të FA si dhe 2 avionë grekë PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak.

Parku “Rëzom” – maja e “Lucës”, njësia Vergo – Terren i thyer, e pamundur ndërhyrja me mjete tokësore. Në vendngjarje punonjës të AdZM.

Bashkia Himarë – fshatrat Bolenë dhe Tërbaç – Zjarri në pyll me pisha. Në terren: 3 mjete zjarrfikëse, 10 efektivë MZSH Himarë e Vlorë, forca vullnetare dhe 20 efektivë të FA.

Fshati Lukovë – Të angazhuar në operacion 3 mjete zjarrfikëse me 11 efektivë MZSH Himarë e Sarandë, avioni Canadair kroat, 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë MZSH Fier.

Fshati Ninat, Bashkia Konispol – Zjarri me drejtim nga fshati Bistricë. Në terren 2 mjete dhe 19 punonjës.

Qarku Lezhë

Fshati Malaj i Epërm, Bashkia Mirditë – Zjarri izoluar, në monitorim nga 6 efektivë MZSH, 6 forca pyjore, 17 forca bashkiake, 2 vullnetarë.

Fshati Kolsh, Bashkia Lezhë – Zjarr në sipërfaqe pyjore, 2 mjete zjarrfikëse Lezhë dhe 1 nga Mirdita.

Qarku Dibër

Mali i Allushit, Bashkia Klos – Zjarri është sën kontroll, digjen trungje brenda vatrës. Po punohet nga 6 efektivë MZSH dhe 1 mjet zjarrfikës.

Mali i Kovashicës, Bashkia Bulqizë – Vatra në monitorim nga 2 mjete zjarrfikëse me 7 efektivë MZSH.

Fshati Kabe, Bashkia Dibër.Vatra e zjarrit po zhvillohet në sipërfaqe me shkurre, ferra, barishte dhe bimësi të ulët, në kah të fshatit. Në terren janë angazhuar 1 mjet zjarrfikës dhe 6 efektivë zjarrfikës.

Qarku Berat

Vijon zjarri në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike.

Zjarri ka kaluar mbi ujësjellësin, pranë një grupi banesash dhe pranë qytetit tek Azili i të Moshuarve. Situata është përkeqësuar në fshatin Plirëz, Poliçan dhe po evakuohen banorët.

Në vendngjarje po punojnë MZSH Poliçan 3 mjete, 15 efektivë dhe 2 mjete, 10 efektivë Berat, 60 forca të ushtrisë si dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë të policisë. Në mbështetje të situatës është edhe Helikopteri i Forcës Ajrore.

Fshati Rehovë, Bashkia Poliçan – Zjarr pranë banesave, një banesë 2-katëshe ka marrë flakë. Po kryhet evakuim.

Fshati Backë, Bashkia Skrapar –Po punohet për shmangiene rrezikut për banesat.

Qarku Tiranë

Mali i Bërzhitës, Bashkia Tiranë, po punohet për shuarjen e zjarrit.

Fshati Stërbeg, Bashkia Rrogozhinë –Forcave zjarrfikëse vendore u janë bashkuar edhe përforcime nga Peqini.

Fshati Okshtun, Bashkia Rrogozhinë –Zjarri në sipërfaqe me shkurre e ferra është vënë nën kontroll. Po punohet për shuarjen e plotë të vatrës.

Fshati Peqinaj, Bashkia Kavajë – Avioni Canadair kroat në operim.

Fshati Hajdaraj, Bashkia Kavajë – Drejt shuarjes, angazhuar 1 mjet dhe 7 forca.

Zona Arbanë, Bashkia Tiranë. Zjarri ka marrë përmasa, por aktualisht, në terren po veprojnë 20 forca zjarrfikëse me 6 mjete, të mbështetura nga 8 forca të APR-së, 8 forca të Policisë Bashkiake si dhe 5 forca të Policisë së Shtetit.

Në këtë vatër zjarri ka shkuar edhe një helikopter Canadair kroat.

Qarku Durrës

Mali i Krujës, Bashkia Krujë, ku pati riaktivizim të zjarrit në pyll pishe, 15 forca operacionale dhe mbështetje nga policia gjatë aksionit për shuarjen e vatrës.

Fshati Barkanesh, Bashkia Krujë. Terreni vështirëson punën.

Qarku Gjirokastër

Rreziku nga zjarri ka kaluar në fshatin Lekël të Tepelenës, pa shkaktuar pasoja për banorët apo banesat e tyre.

Zjarri vijon të jetë aktiv në dy drejtime: poshtë fshatit, në drejtim të fshatit Hormovë, si dhe lart, në faqen e malit të Golikut.

Forcat zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura janë të angazhuara në terren dhe po punojnë me intensitet për izolimin e vatrës së zjarrit.

Qarku Elbasan

Në fshatrat Mukaj dhe Sojnik, Bashkia Gramsh. Në terren MZSH Gramsh dhe 25 efektivë të FA.

Qyteti Cërrik – Është arritur të izolohet zjarri në shkurre. Po mbahet në monitorim nga 20 efektivë e 2 mjete zjarrfikëse.

Fshati Hotolisht, Bashkia Librazhd. Forcat po punojnë me intensitet për të shmagur rrezikun për banesat.

Qarku Shkodër

Zona Koderboks, Bashkia Shkodër. Monitorim nga forcat e pyjores dhe zjarrfikësit.

Fshati Stajkë, Bashkia Vau Dejës. Era favorizon flakët, 1 mjet zjarrfikës në terren.

Qyteti Pukë – Situata në kontroll. Në terren janë 2 mjete zjarrfikëse dhe forca policore.

Fshati Xath, Bashkia Fushë Arrëz. sore. Situata është e vështirë dhe zjarri ka marrë përmasa. Po evakuohen banorët.

Qarku Kukës

Fshati Gegaj, Bashkia Tropojë – Pa rrezik për banesat. Të angazhuara janë 7 forca MZSH, 15 pyjore, 1 emergjenca civile, 18 forca bashkiake, policë dhe 20 vullnetarë.

Mjete ajrore që kanë operuar sot:

1 Canadair (Kroacia)

2 avionë PZL (Greqi)

1 Black Hawk (Republika Çeke)

1 Black Hawk (Sllovakia)

2 Black Hawk (Forcat e Armatosura të Shqipërisë)

Pritet të operojnë:

2 Black Hawk (Emiratet e Bashkuara Arabe)

Aksident në aksin Levan-Mifol, makina përmbyset në kanal

By: b b
11 August 2025 at 20:12

Një aksident ka ndodhur pasditen e sotme në aksin e vjetër Levan–Mifol, në vendin e quajtur “Ferras”.

Sipas informacioneve, mësohet se një automjet ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar i përmbysur në kanalin anësor.

Si pasojë e aksidentit, janë plagosur tre persona të cilët janë dërguar menjëherë në spital, ku po marrin ndihmën mjekësore.

Ndërkohë në vendngjarje ndodhen forcat e policisë, të cilët po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.

Zjarri në Lekël të Tepelenës vihet nën kontroll, përballja me flakët në dy drejtime

By: b b
11 August 2025 at 20:00

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se rreziku për banorët në fshatin Lekël të Tepelenës tashmë ka kaluar, ndërsa zjarri nuk ka shkaktuar dëme në banesa apo pasoja për jetën e banorëve.

Sipas njoftimit zyrtar, vatra e zjarrit vazhdon të jetë aktive në dy drejtime të ndryshme.

“Rreziku nga zjarri ka kaluar në fshatin Lekël të Tepelenës, pa shkaktuar pasoja për banorët apo banesat e tyre. Zjarri vijon të jetë aktiv në dy drejtime: poshtë fshatit, në drejtim të fshatit Hormovë, si dhe lart, në faqen e malit të Golikut.

Forcat zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura janë të angazhuara në terren dhe po punojnë me intensitet për izolimin e vatrës së zjarrit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Terreni i vështirë malor dhe temperaturat e larta e bëjnë sfidues operacionin, por autoritetet mbeten të vendosura për të mos lejuar përhapjen e flakëve në zona të tjera të banuara apo me rëndësi natyrore.

Ndërkohë situatë e vështirë paraqitet pranë monumentit të mbrojtur natyror të “Syrit të Kaltër”, një prej destinacioneve më të famshme turistike në jug të Shqipërisë.

Rreth 400 turistë dhe punonjës të parkut janë evakuuar sot atje, për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve.

Forcat zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura janë në terren, por për shkak të situatës së vështirë ndërhyrja nga toka është e pamundur dhe për këtë arsye po punohet për ndërhyrje nga ajri.

Ndërkohë, për shkak se antenat telefonike ndodhen në zonën ku ka rënë zjarri, kjo ka shkaktuar edhe probleme me komunikimin./tvklan

Trump: Do të tentoj t’ia kthej Ukrainës tokën e vet

By: b b
11 August 2025 at 19:40

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se do të tentojë t’ia kthejë Ukrainës një pjesë të territorit të vet në takimin që do ta ketë me presidentin rus, Vladimir Putin më 15 gusht.

“Rusia e ka pushtuar një pjesë të madhe të Ukrainës. Ata e kanë pushtuar territorin kryesor. Ne do të tentojmë t’ia kthejmë mbrapsht Ukrainës një pjesë të atij territori”, ka thënë Trump në një konferencë për media.

Trump ka thënë se bisedimet në Alaskë do të jenë të natyrës fillestare, dhe kanë për qëllim të bindin Putinin për t’i dhënë fund luftës, dhe që do të ketë “disa shkëmbime territoresh”.

Kjo nuk është hera e parë që presidenti amerikan e ka përdorur shprehjen “shkëmbim territoresh”, ndonëse nuk është e qartë se çfarë toke mund t’i japë Rusia Ukrainës.

Kievi nuk ka pretenduar kontroll asnjëherë në territorin rus.

Trump ka thënë se do t’i njoftojë liderët evropianë nëse Putin propozon “marrëveshje të drejtë” gjatë bisedimeve, dhe që do të bisedojë fillimisht me presidentin ukrainas, Volodolyr Zelensky.

“Do ta thërras atë të parin… do ta thërras pas takimit dhe mund t’i them ‘paç fat, vazhdoje luftën’, ose do t’i them ‘mund ta kemi një marrëveshje”.

Trump ka thënë, gjithashtu, se ndonëse ai dhe Zelensky kanë raporte të mira, ai ka “mospajtime të thella me atë që ka bërë”.

Trump e ka bërë të ditur datën e takimit të premten e kaluar, ditën kur ka skaduar afati që Rusia të pajtohet për armëpushim, apo në të kundërtën përballej me më shumë sanksione amerikane.

Në përgjigje të lajmit për samitin në Alaskë, Zelensky ka thënë se çdo marrëveshje pa kontributin e Kievit, do të rezultojë me “vendime të vdekura”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Ambasada e SHBA dhe Italisë bëjnë thirrje për respektimin e vendimit të Kushtetueses

By: b b
11 August 2025 at 19:08

Ambasadat e Shteteve të Bashkuara dhe Italisë në Kosovë u kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta respektojnë vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituim të Kuvendit, pasi nga bllokada vendi është duke humbur shumë mundësi.

Ato i janë referuar dispozitivit të 8 gushtit të Gjykatës Kushtetuese në të cilin është thënë se kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet me votim të hapur brenda 30 ditëve, dhe që partia, e cila ka fituar më së shumti vota – të cilës i takon pozita e kryeparlamentarit – mund ta propozojë një kandidat deri në tri herë.

Ambasada e Italisë në Prishtinë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë në vendimin e saj.

“Të gjitha forcat politike duhet të pajtohen për ta zgjidhur ngërçin institucional për të mirën e Kosovës dhe qytetarëve të saj”, është thënë në përgjigje.

Ambasada amerikane në Prishtinë i ka thënë mediumit lokal në Kosovë, KOHA, se bllokimi i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën.

“Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e tyre t’i përmbushin angazhimet për të punuar në interesin më të mirë të vendit. Ky bllokim i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që lidershipi të prioritizojë progresin dhe stabilitetin në dobi të qytetarëve”, është cituar të ketë thënë ambasada.

Seanca konstituive nuk mund të thirret pa u publikuar aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), partia që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, e ka parë vendimin e Kushtetueses si “devijim të rrezikshëm nga roli kushtetues” dhe që, sipas saj, është “në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve”.

Partitë tjera të mëdha shqiptare, që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë, e kanë mirëpritur vendimin duke e konsideruar fitore kushtetuese dhe demokratike.

Janë bërë muaj që partitë nuk kanë arritur të gjejnë një kompromis për konstitutim të Kuvendit, fillimisht sepse partitë e mëdha shqiptare e konsideronin të propozuarën e LVV-së për kryeparlamnetare, Albulena Haxhiun, figurë “përçarëse” dhe më vonë për shkak të ndryshimit të mënyrës së votimit nga të hapur në të fshehtë.

Një ditë para publikimit të vendimit të gjykatës, Ambasada britanike në Kosovë ka vlerësuar që funksionimi i Gjykatës Kushtetuese në mënyrë të pavarur është jetik për demokracinë dhe që të gjitha vendimet e saj duhet të respektohen dhe zbatohen.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë ditë më parë se dispozitivi është shumë i qartë dhe nëse palët kanë vullnet, mund ta finalizojnë lehtësisht procesin e konstituimit, ndonëse në të i ka vërejtur “dy defekte”: urdhrin që seancën ta vazhdojë Avni Dehari, edhe pse, sipas Hasanit, ai ka kryer shkelje kushtetuese, dhe pse deputetët janë urdhëruar të marrin pjesë në seancë dhe të votojnë, por pa u bërë publike masat ndëshkuese.

Që Kuvendi të konsiderohet i konstituuar, duhet që të zgjidhet kryetari dhe pesë nënkryetarët.

Vetëm pas kësaj, nisin afatet për formimin e Qeverisë së re të Kosovës./REL

Zjarr në zonën e minuar “Piramida 12”, vështirësohet ndërhyrja e autoriteteve

By: b b
11 August 2025 at 18:47

Një vatër zjarri aktive është regjistruar në zonën e njohur si Piramida 12, pranë Leskovikut, në kufirin me Greqinë.

Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë nisur nga toka greke dhe po përparojnë drejt territorit shqiptar në zonën e Kamenikut.

Ndërhyrja e zjarrfikësve dhe forcave përkatëse po has vështirësi për shkak të terrenit të vështirë malor dhe pranisë së minave në këtë zonë kufitare, që pengojnë operacionet e shuarjes së zjarrit.

Autoritetet lokale dhe forcat e emergjencës janë në gatishmëri të plotë për të ndihmuar në menaxhimin e situatës dhe parandalimin e përhapjes së flakëve në zonat përreth./tvklan

Zjarr pranë “Syrit të Kaltër”, evakuohen rreth 400 turistë

By: b b
11 August 2025 at 18:31

Një zjarr i madh ka përfshirë këtë të hënë, zonën pranë monumentit të mbrojtur natyror të “Syrit të Kaltër”, një prej destinacioneve më të famshme turistike në jug të Shqipërisë.

Rreth 400 turistë dhe punonjës të parkut janë evakuuar, për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve.

Sipas raportimeve nga terreni, zjarri po avancon me shpejtësi për shkak të erës dhe temperaturave të larta.

Forcat zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura janë në terren, por për shkak të situatës së vështirë ndërhyrja nga toka është e pamundur dhe për këtë arsye po punohet për ndërhyrje nga ajri.

Gazetarja Dorina Muhaj, duke raportuar për Klan News nga terreni, bëri me dije se për shkak se antenat telefonike ndodhen në zonën ku ka rënë zjarri, kjo ka shkaktuar edhe probleme me komunikimin.

“Edhe për shkak të sinjalit të dobët dhe për shkak të situatës janë marrë masat, se përsa i përket operatorëve të telefonit, aty ku ndodhen dhe antenat, aty ku është zjarri më i madh dhe ka probleme dhe në mënyrën e komunikimit.

Po thoja që po ndërhyhet nga ajri sepse nga toka është terren i vështirë. Forcat zjarrfikëse janë në terren prej momentit kur zjarri ka rënë.

Edhe turistët dhe punonjësit që janë në parkun natyror të ‘Syrit të Kaltër’, janë larguar si masë paraprake, siç ndodhi dhe ditën e djeshme. Ata u evakuuan për arsye sigurie.”, tha gazetarja.

Ndërkohë, është bllokuar totalisht qarkullimi në aksin rrugor Sarandë – Qafë Muzinë, për arsye sigurie.

“I bllokuar tashmë është aksi rrugor Sarandë Qafë-Muzinë. Aty në këto momente nuk po qarkullojnë automjetet. Edhe kjo si masë sigurie. I ndaluar totalisht qarkullimi.

Sa i përket ‘Syrit të Kaltër’ situata është më problematike, gati prej një jave tashmë Finiqi dhe fshatrat rreth tij, po luftojnë me flakët, aty ku zjarri ka bërë dëme të mëdha. Vazhdojnë të luftojnë me flakët forcat zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura që ndodhen në terren. Dihet që pjesa më e madhe e qyteteve të jugut po lufton me flakët.

Çdo bashki ka prezencë të vatrave të zjarrit. Një zjarr tjetër i ndezur sërish është ai midis Skërficës dhe Gjirokastrës.”, shtoi gazetarja./tvklan

Pesë çështje para BE-së këtë vjeshtë

By: b b
11 August 2025 at 18:18

Bashkimi Evropian pjesën më të madhe të gushtit është në pushim të verës, pa seanca plenare të Parlamentit Evropian, pa mbledhje të Këshillit dhe pa takime të komisioneve.

Me pak fjalë, gjatë këtyre javëve nuk diskutohet – e aq më pak vendoset – për ndonjë çështje të rëndësishme.

Por, sapo diplomatët dhe zyrtarët të kthehen në zyrat e tyre në shtator, BE-ja do të përballet me vendime të mundshme të vështira dhe dilema gjatë vjeshtës.

Radio Evropa e Lirë sjell pesë çështjet kryesore që pritet të jenë në qendër të vëmendjes në muajt në vijim.

A do të zhbllokohen asetet e Rusisë?

Mbi 200 miliardë euro asete të ngrira të Rusisë ndodhen në Bashkimin Evropian që nga shkurti i vitit 2022, kur blloku filloi të vendoste sanksione ndaj Moskës pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Që atëherë, ka vazhduar debati i ashpër se çfarë duhet bërë me këto para.

Më 29-30 gusht, ministrat e Jashtëm të BE-së mblidhen në Danimarkë për një takim joformal të njohur si “Gymnich”, që shpesh shënon hapjen e sesionit të vjeshtës për bllokun.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e ka bërë të qartë se ky është momenti për të vendosur për fatin e aseteve – duke i cilësuar si një mjet të fuqishëm pazari për të ardhmen, por edhe një burim dilemash ligjore.

Shumë shtete anëtare të BE-së, veçanërisht ato në lindje që kanë një qasje më të ashpër ndaj Moskës, kërkojnë që paratë të konfiskohen për të financuar armët për Ukrainën ose për të rimbushur arsenalin e bllokut.

Argumenti i tyre është se kjo mund të mbulojë mungesën e mundshme të financimit nga SHBA-ja dhe se është më e drejtë që këto para të Rusisë të përdoren për këtë qëllim, në vend të taksapaguesve evropianë.

Të tjerë, sidomos shtetet më të mëdha, nuk janë të gatshëm për konfiskim ende. Ata thonë se këto para mund të shërbejnë si kartë negociuese për paqe ose armëpushim, pasi Moska kërkon të rimarrë një pjesë të tyre.

Po ashtu, përmendet mundësia që të përdoren si mjet presioni ndaj Kremlinit për bashkëpunim me tribunalin e ri për luftën. Një tjetër opsion është që asetet të mbeten të ngrira për të financuar rindërtimin e Ukrainës pas përfundimit të luftës.

Banka Qendrore Evropiane ka shprehur frikën se konfiskimi i aseteve mund të dëmtojë reputacionin e euros si monedhë globale dhe të dekurajojë vendet të investojnë në Eurozonë.

Belgjika, ku ndodhet depozita qendrore e sigurisë “Euroclear” – që mban shumicën e këtyre aseteve sovrane – është po ashtu e kujdesshme ndaj veprimeve të njëanshme. Argumenti belg është se asetet e ngrira janë një “mundësi e artë”, pasi fitimet e papritura që ato gjenerojnë, rreth 1-2 miliardë euro çdo tre muaj, shkojnë drejtpërdrejt në arkën e Ukrainës.

A do të ndahen Moldavia dhe Ukraina në rrugën e tyre drejt integrimit në BE?

Deri më tani, Ukraina dhe Moldavia kanë ecur së bashku në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Të dyja morën statusin e vendit kandidat në vitin 2022 dhe, në fund të vitit 2023, vendet anëtare të BE-së ranë dakord të nisin bisedimet e anëtarësimit me to.

Shumica e diplomatëve evropianë prisnin që gjysma e parë e këtij viti të sillte hapjen e kapitujve të parë nga 33 sa janë gjithsej, si për Kishinjevin, ashtu edhe për Kievin. Por, Hungaria po e bllokon nisjen e këtyre negociatave, duke pretenduar se Ukraina nuk garanton të drejtat e pakicës hungareze.

Meqë Moldavia dhe Ukraina janë “të lidhura” deri tani në këtë proces, bllokada prek edhe Kishinjevin. Këtë pranverë pati diskutime për t’i ndarë këto dy vende në procesin e anëtarësimit, në mënyrë që të paktën Moldavia të ecte përpara, por nuk u arrit ndonjë konsensus.

Hungaria ka sinjalizuar se nuk do të tërhiqet nga ky qëndrim, sidomos pas një referendumi jodetyrues më herët këtë vit, në të cilin 95 për qind e pjesëmarrësve u shprehën kundër anëtarësimit të Ukrainës në BE. Shumë zyrtarë të BE-së besojnë se ky pozicion nuk do të ndryshojë deri pas zgjedhjeve parlamentare hungareze në prill 2026.

Ndërkohë, Moldavia mban zgjedhje më 28 shtator, ku Qeveria proevropiane kërkon një mandat të ri. Në Bruksel po qarkullojnë zëra se Ukraina dhe mbështetësit e saj kanë pranuar një ndarje të procesit, ku Moldavia do të avanconte e vetme. Një vendim i tillë mund të merret në fillim të shtatorit, për të ndikuar potencialisht në favor të forcave pro BE-së në zgjedhjet moldave.

Çfarë do të bëjë BE-ja për Gjeorgjinë?

Brukseli pritet të vazhdojë këtë vjeshtë përballjen me kthimin prapa të demokracisë në Gjeorgji, dhe disa vendime mund të pasqyrojnë këtë realitet. Komisioni Evropian i dërgoi një letër Qeverisë gjeorgjiane në korrik, duke i kërkuar që deri në fund të gushtit të përmbushë tetë kushtet e vendosura në fund të vitit 2024 – përfshirë shfuqizimin e Ligjit të diskutueshëm për “agjentët e huaj” dhe paketën po aq të kontestuar ligjore për “vlerat familjare dhe mbrojtjen e të miturve”.

Pak në Bruksel presin që Tbilisi të bëjë lëvizje të mëdha në këto çështje, ndaj mbetet pyetja: si dhe kur do të përgjigjet BE-ja?

Deri më tani nuk ka pasur sanksione ndaj zyrtarëve të partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane apo gjyqtarëve të konsideruar përgjegjës për shënjestrimin e opozitës dhe protestuesve, pasi Hungaria dhe Sllovakia i kanë bllokuar ato – dhe pritet ta bëjnë sërish.

Në Bruksel po punohet për pezullimin e liberalizimit të vizave të Gjeorgjisë me bllokun. Për këtë masë nevojitet vetëm një shumicë e kualifikuar e vendeve anëtare të BE-së (55 për qind e shteteve anëtare që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së BE-së), dhe kjo shumicë duket se është siguruar. Do të ishte hera e parë që BE-ja pezullon liberalizimin e vizave për një vend kandidat, por Brukseli duket se po përgatit kuadrin e nevojshëm ligjor.

Mund të shohim gjithashtu pezullimin e disa pjesëve të marrëveshjes së asociimit BE-Gjeorgji, përfshirë aspektet e saj të tregtisë së lirë. Pyetja mbetet sa i përket kohës: ministrat e Jashtëm të BE-së nuk mblidhen zyrtarisht në format Këshilli deri në fund të tetorit, duke i lënë Tbilisit më shumë kohë për t’u përgjigjur. Deri atëherë, Gjeorgjia do të ketë mbajtur edhe zgjedhjet lokale më 4 tetor – një tregues tjetër i drejtimit që po merr kjo republikë e Kaukazit të Jugut.

Zbatimi i sistemit të ri të udhëtimeve

Pas shumë vonesash, më 12 tetor, Bashkimi Evropian do të nisë më në fund zbatimin e Sistemit të hyrje-daljeve (EES). Ky sistem ka rëndësi për të gjithë shtetasit që nuk janë nga vendet e BE-së dhe që udhëtojnë në 24 shtetet anëtare pjesëmarrëse (të gjitha vendet e BE-së përveç Qipros dhe Irlandës, ndërsa Danimarka mund t’i bashkohet më vonë), si dhe në katër vende joanëtare të BE-së – Norvegji, Islandë, Zvicër dhe Lihtenshtajn.

EES-i i jep fund vulosjes manuale të pasaportave dhe synon ta zëvendësojë atë me një sistem të sofistikuar teknologjik në çdo aeroport ndërkombëtar, port dhe pikë kufitare tokësore, që regjistron hyrjet, daljet, shenjat e gishtërinjve dhe imazhet e fytyrës.

Zbatimi do të bëhet gradualisht gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Shtetet anëtare të BE-së që kanë qendra të mëdha ndërkombëtare udhëtimi frikësohen se një nisje e menjëhershme dhe e plotë e këtij sistemi do të shkaktonte kolaps. Për një kohë të gjatë besohej se sistemi teknologjik i EES-it nuk ishte teknikisht i qëndrueshëm, por zyrtarët e BE-së tani shprehen të bindur se gjithçka është gati për funksionim.

Nëse zbatimi i plotë i EES-it përfundon në tremujorin e parë të vitit 2026, mund të pritet që edhe ETIAS-i (Sistemi Evropian për Informacion dhe Autorizim të Udhëtimit) të nisë më vonë gjatë atij viti, pasi të dy sistemet janë të ndërlidhura.

ETIAS-i është ekuivalenti i BE-së për Sistemin Elektronik të Autorizimit të Udhëtimit (ESTA) të Shteteve të Bashkuara dhe pritet të ketë ndikim të madh te udhëtarët që hyjnë në BE pa viza.

Rreth 1.4 miliard persona – përfshirë qytetarë të Britanisë së Madhe, Gjeorgjisë, Moldavisë, Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë pjesë e BE-së – do të kenë nevojë për këtë autorizim para se të hyjnë për herë të parë në bllok. Ai do të vlejë për tre vjet dhe do të kushtojë shtatë euro.

Ku priten zgjedhje?

Këtë vjeshtë nuk priten shumë zgjedhje në Evropë, çka është diçka e rrallë. Moldavia mban një votim vendimtar në shtator, ndërsa në fund të tetorit në Holandë do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme, ku pritet që partia populiste e djathtë PVV të dalë e para, por ka gjasa që një koalicion i qendrës së majtë dhe i të gjelbërve të formojë Qeverinë.

Ndoshta votimi më interesant do të jetë në Çeki më 3-4 tetor. Të gjitha sondazhet tregojnë se populisti Andrej Babish do të rikthehet në pushtet. Çështja kryesore për t’u ndjekur është nëse partia e tij ANO do të qeverisë e vetme, me mbështetjen e forcave edhe më radikale në të majtë dhe të djathtë të spektrit politik, apo nëse ndonjë parti nga koalicioni aktual proevropian do t’i japë mbështetje. Kjo do të përcaktojë se çfarë lloj Çekie do të paraqitet në skenën evropiane.

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, dhe ai i Hungarisë, Viktor Orban, ka gjasa të mirëprisin një partner në Pragë, me të cilin ndajnë qëndrimet. Ndërkohë, pasi populisti Karol Nawrocki u betua së fundmi si president i Polonisë me pritshmërinë për të bllokuar legjislacionin e kryeministrit më liberal Donald Tusk, në Varshavë po qarkullojnë zëra se Qeveria e tij mund të bjerë, duke hapur rrugën për rikthimin e partisë konservatore Ligj dhe Drejtësi.

Nga e gjitha kjo po del sërish në pah një Grup i Vishegradit (V4), që ka qëndrime të ngjashme. Ky bllok prej katër vendesh të Evropës Qendrore për vite me radhë ka luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e politikave të BE-së. Por, për shkak të dallimeve të fundit politike, V4 kishte mbetur kryesisht një koncept pasiv. Tani, ai mund të rikthehet si një faktor, që duhet ndjekur me vëmendje.

Natyrisht, ende ka dallime – sidomos sa i përket marrëdhënieve me Rusinë – dhe Varshava vazhdon të jetë disi përjashtim, pasi pritet që Tusk të vazhdojë kursin e tij. Por, nëse Babish rikthehet këtë vjeshtë me një mandat të qartë popullor, atëherë do të kemi tre kryeqytete të Evropës Qendrore me qëndrim skeptik si ndaj Brukselit, ashtu edhe ndaj Kievit.

Kjo, sigurisht, mund të ndryshojë sërish kur Hungaria të mbajë zgjedhjet e shumëpritura parlamentare në pranverën e vitit 2026, por në një moment kyç për Evropën, vendet e Vishegradit mund të shndërrohen në një burim surprizash të mëdha për zhvillimet që do të vijnë./REL

Shtohen rastet e ndërhyrjeve në zemër/Shkak, kequshqyerja dhe mungesa e aktivitetit

By: b b
11 August 2025 at 18:00

Rritja e sëmundshmërisë në popullatën shqiptare kryesisht të sëmundjeve kardiovaskulare ka sjellë edhe rritje të numrit të interventeve për këtë lloj sëmundje.

QSUT ka edhe   peshën më të madhe të ndërhyrjeve kardiovaskulare, kryesisht by pass aoro koronare dhe by pass valvul mekanike, por nuk mungojnë edhe ndërhyrjet e tjera të përfshira në paketat kardiologjike.

Patologjitë dhe ndërhyrjet kirurgjikale të zemrës po njohin rritje nga viti në vit. Të dhënat e fondit të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor tregojnë se numri i paketave të kardiokirurgjisë të kryera për vitin e shkuar janë rritur me 11 %.

Pjesa më e madhe e tyre prej 67.77 % janë kryer në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ndërsa të tjerat në spitalin Shefqet Ndroqi.

Rritje kanë shënuar edhe vizitat kardiologjike dhe ndërhyrjet emergjente. tabele

Nga kjo sëmundje nuk janë të prekur vetem moshat e treta por tashmë ndërhyrjet kirurgjikale po vihen re edhe tek moshat e reja.

Sipas mjekëve kjo rritje e sëmundshmërisë dhe ndërhyrjeve vjen si pasojë e kequshqyerjes dhe mungesës së aktivitetit fizik.

Bluzat e bardha rekomandojnë të tregohet kujdes i shtuar në drejtim të jetesës si dhe një kontroll rutinë mjekësore për të gjithë personat mbi 40 vjeç.

Tv Klan

Temperaturat e larta/Situatë e vështirë me zjarret edhe në Kosovë

By: b b
11 August 2025 at 17:47

Agjencia e Menaxhimit Emergjent në Kosovë ka bërë të ditur të hënën se në vend janë të regjistruara 38 vatra zjarri dhe prej tyre 24 vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 14 të tjera janë lokalizuar.

Ajo ka thënë se është duke e menaxhuar situatën në koordinim të plotë me njësitet e zjarrfikjes dhe shpëtimit, por nuk ka treguar saktësisht se në cilën zonë janë aktive zjarret.

Sipas raportimeve në media lokale, situatë e rënduar është në fshatin Kçiq të Mitrovicës, pasi aty janë djegur edhe shtëpi banimi.

Kosova dhe gjithë rajoni i Ballkanit po përballen me temperatura mbi 30 gradë Celsius këtë javë.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë u ka rekomanduar institucioneve publike dhe private që t’i zbatojnë masat për mbrojtjen e punëtorëve nga i nxehti i madh.

“Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht te grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërkohë, zjarret pyjore kanë rezultuar me evakuim të banorëve në disa zona të Shqipërisë, teksa zjarrfikësit kanë tentuar t’i shuajnë ato.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në Shqipëri kanë qenë aktive 40 zjarre në 24 orët e fundit.

Situata më kritike është raportuar në zonën bregdetare të Finiqit, afër Vlorës, ku 10 persona janë evakuuar dhe disa shtëpi janë djegur, sipas raportimeve të mediave lokale.

Autoritetet shqiptare kanë angazhuar ushtrinë që me aeroplanë dhe helikopterë t’i luftojnë zjarret.

Prej fillimit të muajit korrik raportohet të jenë djegur rreth 34.000 hektarë në gjithë Shqipërinë.

Policia dyshon se disa zjarre janë ndezur me qëllim dhe që 20 persona janë arrestuar në javët e fundit.

“Ndezja e qëllimshme e zjarrit nuk është krim, por tradhti” , ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Për zjarre është raportuar edhe në Kroaci, sidomos në qytetin-port, Split./REL

Balluku dhe Kumbaro inspektojnë punimet në aksin rrugor Berat–Ballaban

By: b b
11 August 2025 at 17:21

Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, kanë inspektuar kantierin e aksit rrugor Berat–Ballaban.

Gjatë inspektimit, Balluku ka thënë se ka akoma punë për të përfunduar.

Ajo theksoi se ky aks do të hapë një faqe të re për të gjithë zonën, duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe turistik.

“Rruga është totalisht e dukshme. Nga Këlcyra drejt urës së Ballabanit për t’ju drejtuar Beratit, po shikoja që është bërë punë shumë e mirë, përsa i përket skarpateve, të cilat janë pothuajse të gjitha të përfunduara.

Ka zona ku po punohet akoma. Nga i gjithë informacioni që kam për sa i përket këtij segmenti nga ana e Beratit në lotin 1 dhe 2 ne kemi nisur dhe shtrimin e asfaltit,” tha Balluku.

Ndërsa Kumbaro theksoi se ky punim është shumë i rëndësishëm për të gjithë aksin Leskovik-Përmet-Këlcyrë-Memaliaj, që e lidh me Beratin.

“Kur ende nuk ishte hapur traseja në zonë kanë filluar iniciativat e para të turizmit. Unë nuk e shikoj vetëm si një aks të rëndësishëm për banorët e zonës, padyshim për zonën e Ballabanit, por është shumë e rëndësishme për të gjithë aksin Leskovik-Përmet-Këlcyrë-Memaliaj që e lidh me Beratin përsa i përket turizmit”, tha Kumbaro.

Vrasja në Gjilan/Sveçla kërkon hetim për lidhje të policëve me të dyshuarin

By: b b
11 August 2025 at 16:59

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës që të angazhohet në hetimin e çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në atë që e ka përshkruar si “veprimtari kriminale të Mefail Shkodrës”.

Shkodra është shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan, që është raportuar më 10 gusht. Sipas Policisë, ai ka të kaluar kriminale.

Përveç Shkodrës, si i dyshuar kryesor, në kërkim janë edhe në dy persona tjerë.

“Në çdo deklarim publik dhe në çdo takim me mekanizmat që drejtoj, kam theksuar dhe kërkuar angazhimin maksimal të të gjitha strukturave për garantimin e integritetit personal dhe profesional të çdo shërbyesi publik në vendin tonë.

Askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm veçanërisht brenda një institucioni që ka për mandat parandalimin, hetimin dhe luftimin e çdo veprimtarie ilegale në vendin tonë”, ka thënë Sveçla përmes një postimi në Facebook.

Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur se cilat janë motivet e vrasjeve.

Lidhur me këtë rast kanë reaguar edhe zyrtarë tjerë të lartë shtetërorë, përfshirë presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

“Presidentja kërkon nga organet kompetente që autorët e këtij akti makabër të kapen sa më shpejt dhe të dalin para drejtësisë, për t’u përballur me përgjegjësinë e plotë ligjore.

Është për keqardhje që vitin e kaluar të njëjtit ishin lënë të lirë nga institucionet e drejtësisë, pas një kohe të shkurtër të kaluar në paraburgim, përkundër veprave të rënda për të cilat akuzoheshin”, është thënë në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca.

Edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka kritikuar sistemin e drejtësisë, duke thënë se bazuar në informacionet e siguruara nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, dy nga të dyshuarit për vrasjen e trefishtë kanë qëndruar vetëm pak muaj në paraburgim vitin e kaluar për shkeljet e kryera.

“Sistemi i drejtësisë duhet të tregojë përgjegjësi maksimale për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve”, ka thënë Haxhiu përmes një postimi në Facebook.

Përveç këtyre tri vrasjeve, në Kosovë ka ndodhur edhe një tjetër vrasje po më 10 gusht, veçse në qytetin e Prizrenit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ësht arrestuari i dyshuari dhe që gjatë bastisjes është gjetur edhe thika që dyshohet se është përdorur në rast./REL

Ndërprerja e transmetimit të News 24, gazetarët në protestë para godinës

By: b b
11 August 2025 at 16:44

Pas tre ditë ndërprerje të transmetimit së kanalit televiziv News 24, gazetarët kanë dalë në protestë para godinës së kësaj media.

Protesta e mbajtur në orën 12:00, është thirrur nga Asocioni i Gazetarëve, të cilët kërkojnë që të mos pengohet puna e punonjësve së kësaj media.

“Demokracia vdes në errësirë”, ishte slogani i kësaj proteste solidarizuese i asocionit së gazetarëve me punonjësit e “Focus Media News”. Asocioni e ka cilësuar aktin e ndërprerjes së veprimit të këtij grupi mediatik si shkelje flagrante e parimeve themelore të demokracisë e të lirisë së shprehjes.

Të pranishmit, mbajtën dhe disa fjalime. Drejtoresha e televizionit, Anila Jole, u shpreh se çështja konfliktuale për pronën nuk duhet të sjellë mbylljen e një mediaje.

“Të shtunen në mengjes, pa paralajmërim, u ndërpre sinjali ynë dhe u bllokua hyrja e gazetarëve në vendin e tyre të punës. Na u tha se ishte një çështje kontrate qiraje, por të gjithë e dimë se marrëdhëniet kontraktuale nuk mund dhe nuk duhet të shërbejnë si pretekst për të mbyllur një zë të lirë informimi. Konfliktet civile zgjidhen në gjykata, jo duke fikur ekranin e një televizioni që i shërben publikut”, tha ajo.

Kujtojmë se më 9 gusht 2025, godina e “Focus Media News” u rrethua në mëngjes nga forcat policore, duke kërkuar lirimin e saj, si dhe u ndërpre sinjali i televizionit. Në këtë godinë ndodhen edhe redaksitë e Balkan Web, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.

Ky aksion policor vjen për shkak se kontrata e grupit mediatik për godinën, ka përfunduar që prej vitit 2022, e që atëhere çështja ka kaluar nëpër shkallët e gjyqësorit.

Avokatura e Shtetit, përmes një reagimi zyrtar, u shpreh se ka një vendim gjykate lidhur me rastin, në të cilën thuhet se grupi mediatik duhet të lirojë ambientin menjëherë./tvklan

Yesterday — 10 August 2025Main stream

Rrjedhje lave në 3 mijë metra lartësi nga Etna, alarm portokalli për fluturimet

By: b b
10 August 2025 at 22:31

Një krater efuziv, me pasojë një rrjedhje lave, është hapur këtë të dielë në 3 mijë metra në anën jugore të kraterit Bocca Nuova të vullkanit Etna.

Sipas Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, Observatori të Etnës mësohet se rrjedha po shkon drejt jugut.

Burimi i dridhjeve vullkanike ndodhet në një lartësi prej 2,800 metrash, midis humnerës dhe kraterit verilindor, ndërkohë bëhet e ditur se nuk ka emetim hiri.

Më tej, mediat italiane theksojnë se aeroporti i Catanias mbetet funksional, megjithëse është në fuqi një alarm fluturimi në nivel portokalli.

❌
❌