U përdhunua nga 50 burra për mbi 10 vite pasi drogohej nga bashkëshorti/ Gisele Pelicot nderohet me titullin më të lartë të Francës

Gisele Pelicot, gruaja franceze që ka fituar vëmendje ndërkombëtare pasi ka dëshmuar publikisht në gjyqin për dhunimin masiv që ka përjetuar, i është ndarë titulli më i lartë i Francës.
Kjo 72-vjeçare është emëruar Kalorëse e Legjionit të Nderit, sipas një liste të publikuar para Ditës Kombëtare të Francës.
Pelicot ka hequr dorë nga e drejta për anonimitet në një gjyq të profilit të lartë kundër burrit të saj, i cili e ka droguar dhe dhunuar, si dhe i ka ftuar dhjetëra burra tjerë të huaj që të abuzojnë me të për gati një dekadë.
Pelicot është në mesin e 589 personave që u është ndarë ky çmim prestigjioz.
Ajo ka marrë pjesë në seancat gjyqësore pothuajse çdo ditë.
Ato kanë përfunduar në dhjetor të vitit të kaluar dhe Dominique Pelicotit, 72-vjeçar, i është dhënë dënim maksimal prej 20 vjetësh burgim për dhunim, pasi e ka pranuar se e ka dhunuar Giselen dhe i ka rekrutuar rreth 50 burra për ta dhunuar, derisa ajo ka qenë pa vetëdije në shtrat.
“Dua që të gjitha gratë që janë dhunuar të thonë: Zonja Pelicot ia ka dalë, mundem edhe unë”, u ka thënë më parë ajo gazetarëve, duke treguar se ka vendosur ta bëjë të hapur procesin gjyqësor për “t’ia ndërruar vendin turpit” duke e bartur nga viktima te dhunuesi.
Presidenti francez, Emmanuel Macron e ka nderuar publikisht figurën e saj, duke thënë se “dinjiteti dhe kuraja e saj e kanë inspiruar Francën dhe botën”.
Sipas avokates së saj, një libër me hollësi për përjetimet e Gisele Pelicotit do të publikohet në fillim të vitit të ardhshëm./ REL/ KultPlus.com
