Në zemër të qytetit, `Prizren Fest` po sjell shfaqje tërësisht të ndryshme në formë, por të lidhura për nga fuqia artistike dhe mesazhi i thellë.
Në një vend simbolik si Burgu i Qytetit, u dha shfaqja “Bëje ose vdis”, prodhim i Teatrit të Qytetit “Hadi Shehu” nga Gjakova.
Me tekst të autorit të njohur Jeton Neziraj dhe regji nga Blerta Rrustemi-Neziraj, kjo vepër thellësisht politike dhe njerëzore ishte një homazh për Ukshin Hotin – intelektualin e shquar dhe simbolin e qëndresës shqiptare.
Një shfaqje që e rikujtoi publikun për sakrificat që ndërtuan themelet e lirisë sonë.Vetëm pak minuta më pas, buzë lumit, u mbajt shfaqja për fëmijë “Tomi e Xheri II”. Një histori dinamike dhe interaktive, ku fëmijët ishin pjesë aktive e skenës, duke mësuar për miqësinë, tolerancën dhe dashurinë – përmes ndjekjes klasike dhe argëtuese të dy personazheve shumë të dashur për publikun.
Ndërkohë, gjatë gjithë javës, ‘Prizren Fest Kids Workshop’ u zhvillua në Shkollën e Muzikës “Lorenc Antoni”. Fëmijët 10–13 vjeç, përmes workshop-it, mësuan të shprehen përmes gjuhës trupore, pantomimës dhe lojës kreative – nën udhëheqjen e artistëve ndërkombëtarë Ayla Kazaz dhe Vojo Cvetanovski, me mbështetjen e OSBE-së.Shfaqja “Oranges and Stones” nga Palestina, e planifikuar të mbahej mbrëmë, është shtyrë për datën 28.07.2025, në mbyllje të ‘Prizren Fest’.
Sot, artdashësit kanë mundësi të shohin shfaqjen “Drunks” nga Bullgaria, duke filluar nga ora 19:30 në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu”. Më pas, nga Maqedonia e Veriut vjen shfaqja teatrore dokumentare-verbatim “8%” te Autostrada Biennale Hangar II, duke filluar nga ora 21:30.
Ndërkaq, në Prizren Fest Kids vjen shfaqja e parë profesionale për fëmijë në gjuhën e shenjave, “TRE”, nga Maqedonia e Veriut, nga ora 20:30 te Teatri mbi Lum.
Nga kujtesa historike te humori i pastër fëmijëror, skena e festivalit mbetet e gjallë dhe shumëdimensionale.
Dita e pestë e festivalit Prizren Fest nisi me workshopin kreativ për fëmijë, i cili ka filluar që nga data 21 korrik. Ky aktivitet ka krijuar një hapësirë ku zëri dhe imagjinata e të vegjëlve janë bërë pjesë e udhës artistike që po ndërtohet ndërkombëtarisht në qytetin historik të Prizrenit.
Në mbrëmje, skena teatrore u ndez me dy shfaqje të fuqishme dhe përmbajtësore, të cilat trajtuan tema si identiteti, liria dhe e kaluara e vështirë.
Në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu” u dha shfaqja “Unë jam vetë grua”, me regji nga Kushtrim Koliqi dhe interpretim të fuqishëm nga Adrian Morina. Shfaqja solli në skenë historinë e Charlotte von Mahlsdorf, një grua transgjinore gjermane që i mbijetoi nazizmit dhe regjimit komunist.
Bazuar në dramën fituese të çmimeve Pulitzer dhe Tony të Doug Wright, kjo vepër sjell këtë figurë të jashtëzakonshme përmes më shumë se 30 personazheve të interpretuar nga një aktor i vetëm – një dëshmi artistike e transformimit, qëndresës dhe të vërtetës personale.
Shfaqja “P’tit Jean Le Géant” nga Franca u prezantua në oborrin e Katedrales Katolike. Në një skenografi simbolike dhe hapësirë shpirtërore, trupa franceze Compagnie Liria solli shfaqjen “I vogli Zhan gjigandi” – një rrëfim i thellë për një ish-gjeneral që përpiqet të fshijë të kaluarën përmes një ekzistence të re në periferi.
Ngarkuar me fantazmat e fajit dhe kujtimeve, shfaqja përshkoi kufirin e hollë mes realitetit dhe imagjinatës, me gratë si figura të forta që mbajnë peshën e historisë dhe sfidën për bashkëjetesë në kohë krize.
Gjithashtu, skena e fëmijëve mirëpriti performanca nga Bullgaria dhe Kosova, duke mbajtur të gjallë dimensionin e lojës, edukimit dhe bashkëpunimit kulturor mes kombeve.
E gjithë mbrëmja u mbyll me zërin e këngëtares së njohur Vesa Smolica.
Sonte, festivali vazhdon me një program të pasur artistik, duke përforcuar mesazhin se teatri është zë që sfidon harresën, heshtjen dhe frikën./KultPlus.com
Edicioni i nëntë i Zâ Fest nisi midis artit, historisë dhe muzikës.
Zâ Fest është një festival që prej vitesh bashkon zërat më të veçantë të rajonit në një dialog të gjallë mes traditës dhe modernes.
Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, për të nëntin vit radhazi, ky festival mbetet një shembull i diplomacisë kulturore, ku kultura bëhet ura që lidh komunitetet, nxit përfshirjen dhe forcon identitetin evropian të Shqipërisë.
Pikërisht në këtë frymë, një nga pikat kulmore të mbrëmjes së parë ishte hapja e ekspozitës “Me rrojt pa ik?” një koleksion nomad me 15 piktura nga artistë të rinj të rajonit adriatiko-jonian, që trajtojnë sfidat dhe ëndrrat e rinisë sot.
Një prej tyre, Ema Bregu nga Shqipëria, solli një qasje të guximshme mbi trashëgiminë kulturore shqiptare.
Pas një nate të mbushur me tregime, dokumentarë dhe muzikë, festa vazhdon.
Dy netë të bukura presin qytetarët sot dhe nesër në Kalanë e Shkodrës, me muzikë e atmosferë që vetëm Zâ Fest mund t’i sjellë.
Edhe kryeparlamentarja, Elisa Spiropali ftoi qytetarët që ta ndjekin këtë festival.
“Mos e humbisni Zâ Fest sot dhe nesër, në Kalanë e mrekullueshme të Shkodrës”, shkroi Spiropali në rrjetet sociale.
TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Edicioni i nëntë i Zâ Fest nisi midis artit, historisë dhe muzikës.
Zâ Fest është një festival që prej vitesh bashkon zërat më të veçantë të rajonit në një dialog të gjallë mes traditës dhe modernes.
Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, për të nëntin vit radhazi, ky festival mbetet një shembull i diplomacisë kulturore, ku kultura bëhet ura që lidh komunitetet, nxit përfshirjen dhe forcon identitetin evropian të Shqipërisë.
Pikërisht në këtë frymë, një nga pikat kulmore të mbrëmjes së parë ishte hapja e ekspozitës “Me rrojt pa ik?” një koleksion nomad me 15 piktura nga artistë të rinj të rajonit adriatiko-jonian, që trajtojnë sfidat dhe ëndrrat e rinisë sot.
Një prej tyre, Ema Bregu nga Shqipëria, solli një qasje të guximshme mbi trashëgiminë kulturore shqiptare.
Pas një nate të mbushur me tregime, dokumentarë dhe muzikë, festa vazhdon.
Dy netë të bukura presin qytetarët sot dhe nesër në Kalanë e Shkodrës, me muzikë e atmosferë që vetëm Zâ Fest mund t’i sjellë.
Edhe kryeparlamentarja, Elisa Spiropali ftoi qytetarët që ta ndjekin këtë festival.
“Mos e humbisni Zâ Fest sot dhe nesër, në Kalanë e mrekullueshme të Shkodrës”, shkroi Spiropali në rrjetet sociale.
Mbrëmja e 23 korrikut në kuadër të Prizren Fest 2025, solli një përvojë të veçantë kulturore, ku katër shfaqje të ndryshme u shpalosën si një mozaik emocionesh të thella, ngjyrash artistike dhe zërash që sfidojnë kohën. Nga përrallat mitologjike, te humori edukativ, nga heshtjet e dhimbshme të abuzimit, tek hakmarrja e përgjakshme e tragjedisë antike.
Mbrëmja nisi me një magji vizuale nga kompania turke “Ucaneller Kuklaevi”, e cila përmes kukullave solli histori mitologjike.Përmes personazheve të njohura si Perëndësha e Dashurisë dhe Bukurisë Afërdita, kutia e pandorës dhe fija e Ariadës krijuan një atmosferë shprese dhe ëndërrimtare që preku imagjinatën e të rriturve po aq sa të fëmijëve.
Pas saj, në një tjetër skenë, “Libri Magjik” e cila dhuroi humor, energji dhe një mesazh edukativ mbi rëndësinë e librit.
Ndërkohë, në teatrin “Bekim Fehmiu”, zëri i artit mori një ton më të errët, më të thellë, heshtja fliste me pesë fytyra të ndryshme , një dramë rrënqethëse nga Shqipëria që tronditi publikun, me të vërtetën e dhimbshme për dhunën në familje dhe trashëgiminë e saj psikologjike.
Në fundin e kësaj mbrëmje, publiku u zhvendos në Katedralen Katolike, ku tragjedia antike “Elektra” e Sofokliut u kthye në jetë përmes një regjie të fuqishme dhe interpretimesh tronditëse. – “Elektra” e Sofokliut na kujtoi se tragjedia nuk plaket kurrë, dhe se hakmarrja mbetet një plagë e hapur që pikon gjak edhe në heshtje!
PRIZREN FEST do të vazhdoj deri më 28.07.2025 me shumë shfaqje tjera./ KultPlus.com
Festivali i njohur i artit dhe muzikës, ZA Fest, do të fillojë sonte në Shkodër dhe do të vazhdojë edhe në datat 25 dhe 26 korrik 2025. Ky festival i veçantë, i krijuar nga artisti i njohur Vlashent Sata, do të sjellë një kombinim të pabesueshëm mes artit modern dhe traditës, duke krijuar një eksperiencë unike për të gjithë adhuruesit e muzikës dhe kulturës.
Në këtë edicion të nëntë, skena e festivalit është vendosur në disa prej vendeve më ikonike të Shkodrës, përfshirë Kalanë e Rozafës, shtëpitë muze në Shkodër, dhe luginën e Thethit, duke ofruar një mjedis magjik për të gjithë ata që do të marrin pjesë. Ky ambient historik do të bashkohet me tingujt e artistëve të njohur dhe do të krijojë një atmosferë të paharrueshme për të gjithë, shkruan KultPlus.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të shijojnë performancat e artistëve të njohur si Armend Rexhepagiqi, Rednex, MC Kresha & Lyrical Son, Casadilego, Petrit Çarkaxhiu, Arbër Agalliu, Lorik Cana, Rafael Hoxhaj dhe shumë të tjerë. Ky është një lineup i larmishëm dhe i pasur, që do të ofrojë një gamë të gjerë tingujsh dhe energjie për të gjithë të pranishmit.
ZA Fest është një ngjarje që ka fituar popullaritet vit pas viti, duke u shndërruar në një aktivitet kulturor të pashmangshëm, i cili sjell së bashku dashamirësit e artit dhe muzikës në një festë të vërtetë kulturore./KultPlus.com
Në orët e para të mëngjesit, atmosfera e qytetit u ngjyros me energjinë e punëtorisë për fëmijë, një aktivitet i dedikuar krijimtarisë dhe ndërveprimit të të vegjëlve. Ky program edukativ synon të ndërtojë ura mes brezave përmes artit dhe lojës.
Më pas, në ambientet e Teatrit “Bekim Fehmiu”, u hap ekspozita “Teatri Ilegal”, një projekt që trajton jetën artistike në Kosovën e viteve ’90. Përmes rrëfimeve të aktorëve dhe materialeve dokumentare, dokumentari sjell në vëmendje një periudhë të vështirë, kur institucionet kulturore u mbyllën për shqiptarët, por arti vazhdoi të bëhej në shtëpi private – si akt rezistence dhe mbijetese. Realizuar nga Humanitarian Law Center Kosovo dhe Can and Cam, me autor Sovran Nrecaj.
Mbrëmja vazhdoi në hapësirën publike pranë Sinan Pasha Kejit, ku kompania britanike Linden Dance solli performancën e vallezimit bashkëkohor “UNBOXED”. Dueti fizikisht intensiv dhe emocionalisht i ngarkuar u përball me temën e paragjykimeve dhe gjykimeve përmes një koreografie dinamike që ndërthur stilin afro-fusion dhe lëvizjen moderne. Performanca u prit ngrohtësisht nga publiku, duke sjell një ndjesi të freskët të bashkëkohësisë në skenën e Sinan Pasha Key.
Aktivitetet e ditës u mbyllën me komedinë klasike britanike “Komedia e Zezë” të autorit Peter Shaffer, e cila u shfaq në mjediset e mbrendshme të Teatrit “Bekim Fehmiu”. Me një strukturë të pazakontë skenike – ku errësira interpretohet me dritë dhe anasjelltas – shfaqja solli një përvojë unike teatrale, duke ngjallur të qeshura dhe habi në të njëjtën kohë.
Mbrëmë po ashtu u hap zyrtarisht dhe pjesa e dedikuar për fëmijë PRIZREN FEST KIDS me shfaqjen “Pleshti dhe Xixëllonja”, për të vazhduar me shfaqje të shumta tjera deri më datën 27 korrik./ KultPlus.com
Edicioni i nëntë i ZA Fest do të vijë për publikun përsëri nga Shkodra në datat 24, 25, dhe 26 korrik. Zëri që kumbon prej kalasë së Shkodrës për tri net do të sjellë artistët më në zë të momentit duke bashkuar arti modern me traditën, në një skenë plot emocione, intimitet e energji shpërthyese njëherësh.
Pjesë e këtij festivali do të jenë emra si Armend Rexhepagiqi, Rednex, MC Kresha & Lyrical Son, Casadilego, Petrit Çarkaxhiu, Arbër Agalliu, Lorik Cana, Rafael Hoxhaj etj.
ZA Fest është aktivitet kulturor i përvitshëm, krijuar nga pasioni i artistit Vlashent Sata.
Skenë e këtij eventi është bërë Kalaja e Rozafës, shtëpitë muze në Shkodër, lugina e Thethit etj. “A jeni gati të përjetuar kujtime të paharrueshme në netët plot art, muzikë të mirë dhe ju, publiku më zemërbardhë?”, thotë drejtuesi i festivalit, Vlashent Sata nga Kalaja e Rozafës, në videon promovuese të aktivitetit./atsh/
Për edicionin e 24-të, DokuNights rikthehet jo vetëm si një program muzikor, por si një pulsim i pandashëm i DokuFest-it, duke u rritë, duke ndryshu, duke andrru gjithmonë diçka më të madhe. Bashkë, i drejtojmë sytë nga yjet dhe takohemi çdo natë në skenën tonë në Sonar, në kalanë e Prizrenit. Të rrethuar nga gurët e lashtë e dritat, bashkë do e presim lindjen e diellit.
Një frymë, një frymëmarrje, një rrahje zemre, një tingull, në kohë. Kuruar nga Nita Deda dhe Leart Rama, programi i këtij viti sjell një plejadë të gjerë artistësh: nga këngë ceremoniale shekullore deri te tinguj të guximshëm bashkëkohorë që na e riformësojnë ndjenjën e ritmit dhe pranisë. Bashkë shënojmë një kohë muzike, shënojmë magjiken, kujtesën dhe lëvizjen.
Me 2 gusht, hapim dyert e Sonarit me një natë që vazhdon deri në mëngjes, pret rrezet e para të dritës kur ato mbërrijnë malet. Do të jemi nën qiell e re, teksa ndëgjojmë melodi të thella nga disa nga artistët më vizionarë të skenës elektronike.
Byron Yeates, gjeniu pas Radiant Record, dhe dyshja rrezatuese australiane IN2STELLAR takohen përmes orbitës së Rebiswan në një natë të pafund, pa kufij. Mezi po e presim njërën ndër netët që premton ndjesi të thella, në performancën prekëse të kuartetit ukrainas Dakha Brakha, që s’ka frikë t’i sdifojë të gjitha zhanret. Duke bashkuar traditat popullore me energjinë teatrale, na pret një spektakël i rrallë tingulli dhe vizioni, duke udhëtuar përtej kohës, kufijve, shekujve.
Kërkimet tona ndër yje, s’do të ishin të plota pa i bërë dritë muzikës vendase të Ylli Limanit, këngë të cilat do t’i këndojmë të gjithë së bashku, duke përshkuar të gjitha brezat. Vazhdojmë me shndritë, shndritë, shndritë me retro-futurizmin emocionues të Shkodra Elektronike teksa ata hedhin dritë në kalanë tonë, në neve, në zemrat tona me interpretimet e tyre moderne të këngëve tradicionale të Shkodrës.
Një rikthim i përmallshëm në shtëpi me Ibadet Ramadanin, ndërsa ajo lason albumin e saj të ri solo, një projekt që rrugëton të gjejë audiencën e tij të parë në qytetin, kalanë, qiellin tonë, më të gjitha këngët për dashurinë dhe mallin.
Cinna Peyghamy, YAAND dhe urbau na bashkohen, për të na ofruar performanca të papërpunuara dhe bashkëkohore që zbehin vijat midis akustikës dhe elektronikës, urbanes dhe rurales, traditës dhe transformimit. Një tjetër moment të rëndësishëm e shënojmë me upsammy, e cila do të prezantojë albumin e saj të ri Strange Meridians me një shfaqje live audio/vizuale. Një përzierje e pasur melodish gjithë ndriçim dhe pamjesh reaktive, që shpalosen qartazi, me plot besim. Por, para gjithë kësaj na pret LUXE. Ajo na drejton, na shoqëron, e na zhytë drejt e në një terren me andrra, andrrime.
DokuNights do e përmbyllin me performancën e këngëtarëve legjendarë e performuesve virtuozë Orkestra e Beratit, të cilët na ftojnë këndojmë e vallëzojmë me muzikën e pasur tradicionale shqiptare. Nata s’ndalet këtu. Vazhdon lart në kala me një festë të pafund: 10-vjetori i Sound Metaphors dhe edicioni i 24-të i DokuFest, me kolonën zanore të DJ-ve të Sound Metaphors, Sleep D që na sjell një dritare në universin e Butter Sessions, dhe për një vit tjetër magjik, i vetmi, i dashtuni jonë Genc Elezaj.
Tri shtigje, një destinacion. Një andërr e përbashkët për me vallëzu deri në mëngjes, në të ardhmen, derisa dritat të ndizen përsëri për edicionin e 25-të të festivalit tonë, dhe DokuNights kthehet me andrrën e tij më ambicioze deri më tani! /Telegrafi/
Në ambientin e fshatit piktoresk Kukaj, mbrëmë u shënua nata përmbyllëse e festivalit Etno Fest, edicionit të XV-të, përcjell KultPlus.
Në edicionin i cili erdhi me moton ‘Identiteti’, mbrëmë u ndanë edhe çmimet në kategori të ndryshme.
Në vijim, KultPlus ua sjell njoftimin e plotë të Etno Fest:
Etno Fest – Edicioni XV
IDENTITETI
Nata e fundit
U nisëm në këmbë drejt vendit ku kishte nisur gjithçka. Rrugicat prej guri, oborret e heshtura dhe muret që ruajnë kujtime, na pritën si të ktheheshim pas shumë vitesh jo si mysafirë, por si bij të shtëpisë.
Fshati Kukaj, dikur i braktisur, sot rreh si një zemër kulturore e gjallë dhe mikpritëse.
Më pas, u futëm në Etno Kompleks, aty ku gurët, druri dhe hija e lisit mbajnë frymën e kohës.
Brenda kompleksit, në kuadër të festivalit shijuam për herë të fundit për këtë edicion ekspozitat, si një tribut për artin bashkëkohor që buron nga rrënja: piktura, vizatime, skulptura, dhe instalacione që flisnin me materialet e dheut, ngjyrat e shpirtit dhe gjuhën e heshtur të kujtesës. Arti ishte bërë një me hapësirën jo si dekor, por si zë.
Në një mbrëmje të mbushur me emocion, u nderuan artistët që i dhanë zë, trup dhe shpirt këtij edicioni. Çmimet u dhanë jo vetëm për mjeshtërinë, por për ndjeshmërinë që ngjalli secili prej tyre në zemrat tona. Ishte një falënderim i heshtur dhe një duartrokitje që zgjati më shumë se tingulli i saj.
Pas dhjetë ditëve të mbushura me emocione, art dhe shpirt tradite, juria profesionale e përbërë nga:
Klara Shehu (profesoreshë e antikës në Sorbonë – Kryetare), Agron Gërguri (dramaturg), Skënder Boshtrakaj (skulptor), Dilaver Kryeziu (koreograf), dhe Albin Kushnini (dramaturg),
ndau me vlerësim të thellë 16 çmime për arritjet më të dalluara artistike të këtij edicioni.
Nga fusha e teatrit:
Aktorja më e mirë: Vefi Redhi – për interpretimin e saj në shfaqjen “Engjëjt”,
Aktori më i mirë: Mentor Zymberaj – për interpretimin e tij në shfaqjen “Arka”,
Skenografia më e mirë: Bekim Korça – për punën skenike në shfaqjen “Jam unë ajo”,
Regjia më e mirë: Naser Shatrolli – për regjinë e shfaqjes “Engjëjt”,
Shfaqja më e mirë: “Sarakasi Trust” – shfaqje e dance teatrit, Kenia.
Nga fusha e etnokulturës:
Vallëtarja më e mirë: Viola Aqifi – SH.K.A. “Jahi Hasani”, Gostivar,
Vallëtari më i mirë: Sako Murati – SH.K.A. “Vaçe Zela”, Lushnje,
Këngëtarja më e mirë: Ceylan Taci,
Këngëtari më i mirë: Servet Jeshili – SH.K.A. “Vaçe Zela”, Lushnje,
Instrumentisti më i mirë: Leonard Cakolli,
Kostumografia më e mirë: Mercedes Pereira,
Etnokoreografia më e mirë: Ansambli “Dibra e madhe”,
Etnoansambli më i mirë: SH.K.A. “Jahi Hasani” – Gostivar,
Etnoperformanca më e mirë: “Dialog me traditën”.
Çmimet speciale:
Çmimi special i Etno Festit: Liburn Jupolli Ensemble,
Çmimi i karrierës: Drita Krasniqi.
Defatorët nga Gjakova, Shpejtim Smaqi dhe Besnik Qeli, të shoqëruar nga mjeshtri i ritmit Leonard Cakolli në bateri, u ngjitën përsëri në skenë si një forcë natyrore që zgjon dheun dhe zemrat.
Me çdo goditje, me çdo valë drite që lëshonin krahët e defit, ata sollën jo vetëm muzikë, por një histori të lashtë që pulson në damarët e kohës. Ritmi i tyre ishte një thirrje e zjarrtë, një përqafim i traditës dhe i së tashmes, që i bëri veshët të tundeshin dhe shpirtin të kërcente.
Në tingujt e tyre ndjeje se një energji e papërshkrueshme fluturonte në ajër, duke lidhur çdo dëgjues me rrënjët e thella dhe me ëndrrat e reja.
Leonard Cakolli në bateri dha zemrën e rrahjes së gjallë, që mbështeti dhe ngjalli frymën e defatorëve, duke krijuar kështu një urë mes të kaluarës dhe të ardhmes. Ishte një performancë që la mbresa, një festë e ritmit që do të mbahet gjatë në kujtesën e të gjithëve.
Pastaj… për të mbyllur natën, zëri i Edonës u ngjit butë mbi qiellin e Kukajt.
I kthjellët, i ngrohtë, i ngjashëm me ajrin e freskët të mbrëmjes, atë ajër që mban brenda vetes kujtime, zëra të vjetër dhe fryma që nuk janë shuar kurrë.
Ajo nuk këndoi për të ndalur asgjë. Përkundrazi, këndoi që ritmi të mbetej gjallë, si një rrymë e brendshme që pulson edhe kur gjithçka hesht.
Zëri i saj përhapej ngadalë, si një dritë që zbret mbi fytyrat tona, si një frymë që përqafon njerëzit me tokën, me vendin, me kujtesën.
E bukur në theksin vokal të saj, e gjallë në çdo fjalë, Edona solli një energji që nuk shteron por veç rritet.
Rritet në heshtje, në thellësi, si gjithçka që lind nga rrënja, nga dhimbja, nga dashuria e paemër që na lidh me njëri-tjetrin.
Dhe pasi Edona përfundoi koncertin, dritat u fikën, skena heshti, por shpirti i tregimit po fluturon me qylymin e gjyshes, për t’u kthyer kur të ndizen dritat sërish vitin tjetër. Deri atëherë… mirëmbetshi, publik i dashur!
Nga Albin Kushnini Fotografitë nga Adi Beqiri./ KultPlus.com
Pjesëmarrëja e mysafirëve ndërkombëtar sa po vjenë e shtohet. Thuaja secili prej tyre vjenë me tema kosovare. Në natën e nëntë u prezentua Mercedes Pereira nga Spanja me ekspoziten me kostume në temën “Krusha ime” që për burim inspirimi e kishte Fahrie Hotin si simbol i rimarrjes së vullnetit për jetë pas një tragjedie të madhe. Fahria sot drejton një organizatë të grave e cila prodhon ushqime të veçanta frutash. Të gjitha ato produkte Mercedes Pereira i kishte stilizuar në kostume.
Ekspozita e artistes nga Spanja me një fotografi të përbashkët me skulpturën e Nënës Salë. Një fotografi emocionuese plotë mallëgjim e krenari.
Debat e folmja në oda E folmja në oda kishte një dramaturgji të organizuar mirë dhe me një rend vleror të fjalës tha në nisje të debatit Fadil Hysaj.
Mënyra e komunikimit sot është stërkeq dhe është banalizuar deri në thuaja një betejë e humbur për të restauruar dialigun e dikurshëm.
Për të ilustruar me përmbajtje debatin apo të folmen me rrotlla Sali Zogjani tregoj disa anekdota që argumentonin këtë mënyrë të komunikimit ku mesazhet e koduara kanë mbërri në destinim pa e lënduar askë. Për aspekte krahasuse të ligjërimit debatuan Skender Boshtrakaj Inis Gjoni, Klara Shehu, Inis Gjoni, Agron Gërguri.
Shfaqja “Engjëjt” si identitet i dhembjes Reflektimi i s’brendshmës me hijen e pasqyrës për të shpreh përmbajtjen e tragjikës që mbanë në shpirt Hana personazhi i dramës “Engjëjt” autor Odise Plaku.
Derisa ndër vite përsëritet e njëjta pyetje që pret përgjigje ku janë…Nënë Hana i kthehet vetvetes e zhytur në lotët e dhembjes.
Loti nuk është ujë por çekan i gjykatores që pret ta rrah dikush për ta quar në vend drejtësinë e munguar. Në vend të drejtësisë ndërtojnë përmendore që ngrehin lartë zbuluesit në një akt solemn derisa dhembja gërryen?
Përmendoren e përjeton si pajtesë me vdekjen, si keqpërdorim të tragjikës derisa dhembja nuk shërohet përkundrazi nëna vazhdimisht kthehet tek ngjarja e trisht kur i kanë marrë fëmijët dhe ngre dilema e dyshime për veprimet e saja a ishin të duhura apo jo. Flet me ndërgjegjen e saj e vetëngarkon veten me fajin që nuk e ka derisa në jetën publike bëhen pazare me dhembjen. Loti shpërthen si vërshim i dhembjes mbush kovat dhe zbraz por pa ndryshim në gjendjen e saj, pritja vazhdon …Nëna nuk ndalet s’kërkuari rrugë për të mbërri deri te fati i fëmijëve.
E këputur shprese nga ndotësit e kohës që nuk dëgjojnë për kë bien këmbët ajo këlthet “A bëjmë mëkat që kërkojmë ata që kemi lindur”. Vuajtja e saj bëhet provë që gërruen ndërgjegjen e kujtëdo qoft apo secilit…e tëra është fatale sepse ka kaluar në psikologji nga vetmia në vetmim…por Hana del përtej dhe nis të rinovojë jetën për të dal tek fuqia e vullnetit për jetën duke r firmosë me shpirtin e saj IDENTITETIN e dhembjes.
Autori i shfaqjes Naser Shatrolli e kishte zbërthyer estetikisht dhembjen duke nxjerr disa idioma teatrore që përqonin emocione të fuqishme . Mizinskena e organizuar mirëm temporitmi, dinamika e shfaqjes ishin në shërbim të rrëfimit.
Aktorja Vafi Redhi e kishte mishëruar personazhin e Hënës nga niveli i reagimit social deri në nivel psikologjik. Ajo me veprime foljore plotë ngjyra të dhembjes, fuqi emocionale, veprime fizike që zbërthenin gjendjen e personazhit duke nxjerr në dritën e skenës përmbajtjen e dhembjes fuqishëm dhe të latuar estetikisht.
Muzika, skenogragia dhe ndriçimi kontribuuan në pataqitjen dhe zbërthimin e temës së shfaqjes.
Në Etno nejë mysafirët i argëtoj grupi Rilindja.
Etno fest me përmbajtjen e programeve po e përmbushë misionin në organizimin, prezantimin dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore dhe trajtimin e saj modern përmes arteve të ndryshme që e ushqejnë njëra tjetren dhe krijojnë identitetin e Etno Festit./ KultPlus.com
Edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur PrizrenFest do të mbahet sivjet nga data 21 deri më 28 korrik në Prizren.
Për tetë ditë, njëmbëdhjetë lokacione të shpërndara gjithandej qytetit do të shndërrohen në skena teatrore për të pritur mbi 20 shfaqje e performanca nga Palestina, Franca, Anglia, Italia, Greqia, Turqia, Bullgaria, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Kosova.
Programi i sivjetëm i festivalit përpos që i bën konak botës në Prizren, na fton ta imagjinojmë dhe pranojmë teatrin në të gjitha mënyrat e bërjes së tij, por mbi të gjitha ta njohim e ta ritheksojmë fuqinë e shprehjes teatrore për të krijuar hapësira të përbashkëta për reflektim shoqëror.
Edhe në këtë edicion, nderojmë trashëgiminë kulturore e historike të qytetit tonë, duke e shndërruar atë në një skenë teatri dhe duke e sjellë teatrin e botës në të.
Prej formave më klasike të shprehjes teatrore deri tek ato më alternative e eksperimentale, ky program që ju flet të gjitha grupeve të audiencave, navigon nëpër tema që lidhen me luftën, shërimin, kujtesën, identitetin, rezistencën, heshtjen, shëndetin mendor, ambientin e dhunën shtetërore.
I sjellim këto tema në skenat e sivjetme të PrizrenFestit, jo për të rikonfirmuar atë që tashmë e dijmë për gjendjen në të cilën ndodhet sot bota përreth nesh, por për të treguar se ashtu siç brengat dhe tragjeditë shoqërore nuk njohin kufij, njëlloj nuk njeh kufij as këmbëngulja dhe shpresa jonë për t’u bërë bashkë nëpërmjet teatrit – gjuhës që ne e flasim më së miri. Pra ne, së bashku, nuk i frikësohemi territ që e kemi përreth nesh, por i bëjmë ballë me publikun dhe artistë nga anembanë botës, për të nderuar tregimet që na bëjnë bashkë.
Programi i sivjetëm i PrizrenFest përmban shfaqje për të rritur e për fëmijë si dhe një program edukativ e diskursiv. Gjithashtu, sivjet afrohemi me publikun, jo vetëm nëpërmjet skenave të ngritura nëpër qytet dhe formave tradicionale të tij, por edhe duke e dërguar teatrin tek ata që nuk mund të vijnë në teatër dhe duke e bërë teatrin të qasshëm për të gjithë, nëpërmjet një programi të posaçëm në shtëpinë e të moshuarve, me shfaqjen “La Beauté du Souvenir” nga Franca si dhe nëpërmjet teatrit me gjuhë të shenjave me shfaqjen e programit për fëmijë “Three”.
PrizrenFest 2025 nis më 21 korrik nga ora 21:00 në Teatrin mbi Lumë, me shfaqjen e baletit “Muzg” nën koreografinë e balerinit shqiptar të njohur ndërkombëtarisht Eno Peçi, ndërsa përmbyllet me shfaqjen “Monologët e Gazës” nën regjinë e artistes palestineze Iman Aoun më 28 korrik nga ora 21:00 në Teatrin mbi Lumë.
Përgjatë tetë ditëve të festivalit, në Teatrin “Bekim Fehmiu” të Qytetit të Prizrenit do të jipen shfaqjet “Komedia e zezë” nga Kosova, “5 fytyrat e heshtjes” nga Shqipëria, “Unë jam vet grua” nga Kosova, “Drunks” nga Bullgaria.
Skena e ngritur në oborrin e Kishës së Zojës Ndihmëtare do të bëhet nikoçire e shfaqjeve “Elettra” nga Italia dhe “P’tit Jean Le Géant” nga Franca.
Në Amfiteatrin e Autostradës Bienale do të jipet shfaqja “Oedipus Rex” nga Greqia ndërsa “8%” nga Maqedonia e Veriut jipet në Autostrada Hangar.
Lidhja e Prizrenit do të bëhet skenë për shfaqjen “Oranges and Stones” nga Palestina, e Burgu i qytetit të Prizrenit për shfaqjen “Bëje ose vdis” nga Kosova, ndërsa që në Kejin pranë xhamisë së Sinan Pashës do të zë vend shfaqja “Unboxed – Unpacking Prejudice” nga Anglia.
Ekspozita “Teatri Ilegal” gjithashtu do të jetë e hapur përgjatë gjithë festivalit në hollin e Teatrit “Bekim Fehmiu”. Të gjitha shfaqjet e programit për fëmijë do të jipen në Teatrin mbi Lumë.
Hyrja në të gjitha ngjarjet e edicionit të sivjetëm të PrizrenFest është falas! Ndërsa pas përfundimit të shfaqjeve, për çdo mbrëmje mblidhemi e festojmë bashkë me muzikë të përzgjedhur në pikëtakimin e festivalit në Kejin e Sinan Pashës.
Nga 21 deri më 28 korrik, shihemi në skenat e ngritura teatrore të PrizrenFestit!
Për më shumë detaje në lidhje me programin e sivjetëm, lokacionet dhe oraret, mund të ndiqni faqet në rrjetet sociale në Instagram – PrizrenFest dhe Facebook – PrizrenFest./ KultPlus.com
Edicioni i shtatë i Etno Fest 2025 solli një përballje të thellë me çështjen e identitetit shqiptar në Sanxhak, përmes debatit, artit skenik dhe trashëgimisë kulturore. Në një atmosferë të ngrohtë, pjesëmarrësit u përfshinë në diskutime thelbësore mbi ruajtjen e identitetit kombëtar në rajonet që ndodhen përballë sfidave të asimilimit dhe harresës historike.
Debati u mbajt me temën “Identiteti i zhbërë në Sanxhak” dhe mblodhi në një panel emra të njohur si Ismet Azizi, kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, Ali Daci, profesor nga Rozhaja, dhe Qazim Namani, arkeolog e ekspert i trashëgimisë kulturore.
Përmes shembujsh historikë dhe dëshmive autentike, u trajtua procesi i zbehjes së identitetit shqiptar në rajonet si Rizhaja, Tregu i Ri dhe Tutini. Ismet Azizi prezantoi një ekspozitë me fotografi që dokumentojnë ndrydhjen dhe asimilimin e shqiptarëve në këto zona, ndërsa Ali Daci solli dëshminë e udhëtares britanike Edit Durham, e cila në fillim të shekullit XX kishte vërejtur se vetëm dy familje nuk flisnin shqip në Rozhajë.
Në këtë kontekst, u përmend edhe Okarina – një instrument muzikor i periudhës së neolitit i zbuluar në Runik më 1968 – si dëshmi e lashtësisë dhe autoktonisë shqiptare në këto troje. Rikonstruksioni i saj u realizua nga mjeshtri Shaqir Hoti.
Arkeologu Qazim Namani përshkroi me saktësi fazat historike të asimilimit të shqiptarëve nga shekulli XVIII deri më sot, duke theksuar edhe mungesën e vullnetit institucional për të ndriçuar këtë pjesë të rëndësishme të historisë.
Konkluzioni i debatit ishte i qartë: duhet të qëndrojmë vertikalisht në etnokulturë për të ruajtur dhe pasuruar identitetin kombëtar.
Pjesë e veçantë e festivalit ishte performanca e Ansamblit “Vaçe Zela” nga Lushnja, i cili solli këngë e valle tradicionale, si dhe veshje kombëtare që pasqyrojnë mozaikun e pasur të identitetit kulturor shqiptar. Atmosfera festive u pasurua me bashkëpunimin e ngrohtë mes mysafirëve dhe anëtarëve të ansamblit, të cilët kënduan dhe vallëzuan së bashku.
Një tjetër moment kulmor i Etno Fest ishte monodrama “Arka” me autor dhe interpretues aktorin Mentor Zymberaj. Përmes një rrëfimi emocional që zhvillohet në kohë reale në skenë, personazhi përballet me kujtimet e tij familjare – nga babai intelektual deri tek vëllai i vogël i dashuruar pas figurës së Charlie Chaplinit.
Kostumet familjare, ora e ndalur dhe një letër e nënës tërheqin emocionin e publikut, duke e kthyer skenën në një arkë të kujtesës që secili nga ne e mban brenda vetes. Me një lojë të saktë, pa teprime, Zymberaj e udhëhoqi shfaqjen deri në kulm, ku dhimbja dhe qeshja u shkrinë në një emocion të përbashkët, të përshëndetur me duartrokitje të gjata.
Etno Fest 2025 dëshmoi edhe njëherë se arti dhe kultura janë forca jetike në mbrojtjen e identitetit. Me diskutime të thella, prezantime të pasura kulturore dhe vepra artistike që prekin shpirtin, festivali mbetet një thirrje për vetëdijesim dhe veprim në ruajtjen e trashëgimisë sonë./KultPlus.com
Nga data 21 deri më 28 korrik 2025, qyteti i Prizrenit do të shndërrohet në një skenë të hapur ndërkombëtare arti, me mbajtjen e Edicionit të IV-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur “Prizren Fest”.
Ceremonia solemne e hapjes do të zhvillohet më 21 korrik në ora 21:00, në hapësirën simbolike të Teatrit mbi Lum, ku do të prezantohet një performancë e veçantë e baletit nga Eno Peçi dhe Trupa e Baletit e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë – një produksion që pritet të sjellë emocione të forta dhe estetikë të lartë artistike.
Në këtë edicion, festivali do të sjellë një program të pasur artistik me pjesëmarrjen e trupave teatrore nga Italia, Franca, Palestina, Çekia, Maqedonia e Veriut, Greqia, Bullgaria, Turqia, Shqipëria dhe Kosova. Përveç shfaqjeve teatrale, festivali do të përfshijë punëtori, konferenca dhe panele diskutimi mbi temat më aktuale të teatrit bashkëkohor dhe atij tradicional.
Drejtori i festivalit, Shkelzen Veseli, thekson se “Prizren Fest” është një takim ku arti takon shpirtin, ku kreativiteti nuk njeh kufij, dhe ku Prizreni kthehet në një skenë të hapur ndërkombëtare. Ai fton publikun dhe komunitetin artistik që të jenë pjesë e këtij rrugëtimi të veçantë kulturor.
Për të konfirmuar pjesëmarrjen në festival, organizatorët ftojnë të interesuarit të kontaktojnë përmes emailit: contact@prizrenfest.org ose në numrin: +383 44 113 326.
“Prizren Fest” po afirmohet gjithnjë e më shumë si një festival i rëndësishëm rajonal që lidh artistët me publikun në një atmosferë magjike, mes teatrit, muzikës dhe trashëgimisë kulturore./KultPlus.com
Në natën e gjashtë të Etno Fest 2025, publiku pati mundësinë të shijojë një program të larmishëm artistik me theks në trashëgiminë kulturore dhe identitetin gjinor.
Në programin e traditës u prezantua SHKA “Dibra e Madhe”, e drejtuar nga Miço Duka. Grupi i burrave vallëzoi katër variante të valles dyshe, një formë e rrallë e trashëguar brez pas brezi, që ruhet prej shekujsh si manifestim i jetës dhe festës.
Në pjesën teatrore, u dha drama “Jam unë ajo”, me autore Valmira Thaqi dhe Diturie Neziraj. Në qendër të shfaqjes ishte beteja për identitetin e gruas. Dy gra lehona shpalosën natyrën e gruas së ndrydhur në paragjykim, me theks te “barra” e të qenurit nënë dhe përpjekja për të formësuar identitetin GRUA. Kujdesi, frika dhe dashuria shfaqen përmes një trajtimi paragjykues që, jo rrallë, nis që në djep.
Drama ngre pyetjen thelbësore: Nëse nëna është “doktor i zemrës së fëmijës e burrit”, kush është doktor i zemrës së saj? Ritmi i lojës i përgjigjej monotonisë së përditshmërisë së përsëritshme – një jetë e stereotipizuar e gruas në sytë e të tjerëve.
Drama “Jam unë ajo” shtron dilemën se kur është momenti për të kapur dimensione të tjera të jetës jashtë obligimeve të të qenit nënë dhe bashkëshorte, në një kohë kur karriera personale dhe mëvetësia ende konsiderohen arsye për divorc. Mbase pyetja më thelbësore që shtrohet është: a është fëmija esenca e martesës, apo është dashuria që e mirëmban qenien e gruas si identitet në çdo raport njerëzor?
Aktorët Semira Latifi dhe Tringa Hasani tipizuan karakteret e dy grave të ndryshme në formim, por të njëjta në problem. Regjisori Erson Zymberi e kishte zbërthyer mirë materien letrare përmes shenjave teatrore, ndërsa skenografia dhe kolonat muzikore ishin në funksion të plotë të shtjellimit të temës.
Drama është shkruar nga Valmira Thaqi dhe Diturie Neziraj, ndërsa regjia mban firmën e Erson Zymberit. Rolin e dy grave e sollën në skenë aktoret Tringa Hasani dhe Semira Latifi. Skenografia u realizua nga Bekim Korça, kostumet nga Njomëza Luci, ndërsa koreografia u përgatit nga Gjergj Prevazi. Për kompozimin e muzikës u kujdes Tomor Kuçi dhe ndriçimi u realizua nga Burim Baftiu.
Mbrëmja u përmbyll me atmosferën festive të “Etno Neja”, ku mysafirët u argëtuan nga Florent Abrashi dhe DJ Filip.
Programet artistike, takimet midis artistëve dhe spektatorëve, debatet, fotografitë, vallëzimet, këngët dhe ushqimet tradicionale po e formësojnë identitetin e kompleksit të Etno Festit, i cili po shndërrohet në një pikëtakim të vlerave kulturore dhe artistike në nivel kombëtar./KultPlus.com
ETNO FEST 2025 Nata e pestë Janet Reincek dhe hrpi nga Opoja Liburn Jupolli Ensamble Shfaqja “ADN” e Fatos Berishës TK Shkup
Agron Gërguri
Janet Reincek antropologe amerikane prezantoj grupin e Opojës dhe nevojen e përfshirjes të gjeneratave të reja në përtritjen e valleve të traditës ndër to prezantoj vallen “Kalçoja” e cila në strukturën e saj ka 12 valle. Janet Reincek në Kosovë ka aktivizuar grupe që vallëzojnë valle të popujve të ndryshëm për me përhapë paqe përmes vallëzimit. Në finale të prezantimit u bë një vallëzim i përbashkët që kulmoj me vibrime të mira emocionale.
Muzika si shteg për të dalë nga kaosi Liburn Jupolli Ensemble performuan muzikë e cila përkufizohet post-zhanër, që për bazë ka folklorin shqiptar ngjyrat muzikore të instrumenteve dhe zërave që Ansambli i ekzekuton me instrumenta tradicionale me tone të ripërpunuara me një qasje moderne dhe elektronike. Paraqitja e Liburnit ishte një polifoni zërash me ngjyrime folklorike me kontributin e efektshëm të instrumenteve frymore dhe perkusione, që nxirrnin tinguj unik që prekin të kaluren si kujtesë dhe të tashmen si pretendim i arritshmërisë në komunikimin muzikor. E tëra tingëllonte si një kërkim identiti në shumësinë kaotike të zërave që ofrohen si mundësi identifikimi me përkatësinë. Brenda muzikës së Libunit ka dramë, kërkim, frikë, emocion që është në proces të artikulimit. Muzikë jo e popullarizuar por që cyt në meditim dhe shtron pyetje se ku nis e ku mbaron tingulli. I kujt është dhe sa ne jemi pjesë e tij. Ai jo vetëm se luanë në instrumenta por interpreton gjendje kaotike të galaktikes ku jemi apo nuk jemi por ka disa tinguj që na thërrasin dhe nusja me vello të zezë nis të artikuloj zëra që bëheshin thirrje shpirtnore apo si lexim kodesh kosmike. Shfaqje muzikore e jashtëzakonshme që të shqetëson kënaqshëm.
Shfaqja “ADN” e Fatos Berishës
Shfaqje me energji, temë, probleme e dilema rinore. Në një atmosferë ku disa të rinjë mundohen të fshehin një vdekje e cila duket se ka lidhje me ta….pastaj në fragmente apo pamje që ndërrohen shpesh ku ata debatojnë, planifikojnë, gjykojnë dhe shtiren, ekzaltohen e stërkeqen bulizojnë por ku një vajzë thërret për dashuri derisa partneri i saj heshtë…ajo rrëfen, flet sa për të folur, qesh, improvizon edhe varjen, qanë por partneri i saj nuk flet se nuk flet. Një fakt kjo i jep frymë njerëzore një ambienti të kontaminuar ku bëhet një lojë me krimin që duan ta fshehin por që nuk duanë dikush tjeter të akuzohet pa faj. Si kontrapunkt i qiftit një qift tjeter drogohet dhe për ta shqetësimi është krejt i relativizuar. Në përgjithësi rrëfimi tingëllon si një trillë që edhe mund të mos ketë ndodhur, e tëra është një mospërfillje e rregullave të jetës ku duket se gjithçka ka rënë përtoke si kur bien gjethet e vjeshtës në pranëverë. Një jetë virtuale ku provokohen edhe gjëra me potencial tragjik duke menduar se me një status a klikim në aparat lojërash gjërat kthehen aty ku ishinë. Eli lufton të mbetet normale, reagon përpëlitet që të ruaj adn-në njerëzore derisa Timi i dashuri i saj kryesisht heshtë dhe nuk dihet a po reflekton për gjendjen apo po planifikon diçka që do ta pëlcas shkaku i veprimeve që nuk e kanë menduar pasojën. Një gjendje krejt e pakuptimit ku secila fjalë i drejtohet moskuptimit ngjashëm si kur hamendsojmë për kosmosin dhe mundësinë e jetës atje..Një gjendje e përzier mendimesh të pasistemuara që mbesin në provë. Rotuali i heshtjes Timin e dërgon në vetëvrasje të “pakuptimit” vrasje e cila e forcon dilemën deri në ç’masë është dëmtuar ADN e njerëzores. Shfaqja sikur na dërgon rrugës njëdrejtimëshe me sinjalistikë të prishur, ku ka hyrje pa dalje shkaku se e gjelbërta nuk ndizet…E gjitha sikur e pret që personazhi Elit në interpretim të Sara Bajramit ta thonte fjalën “të dua Tim” si një litar shpëtimi nga gjendja e zvetnimit dhe tjetërsimit apo ndoshta bota njerëzore(lexo rinore) po shkon dikah që nuk ka më frikë motivuese por vetëm udhëtim pa adresë.
Regjisori Berisha ka “shfrytëzuar” mirë energjinë e moshës së personazheve dhe ka mizenakenuar me një tempo-ritëm i cili i korespondonte me temën. Hyrje daljet e shpeshta e përshpejtonin rrëfimin dhe dukej sikur nuk kishte nevojë për ato errësime të shpeshta ndarje në tabllo meqë ambienti ku zhvillohej ngjarja ishte gjithëherë i njëjët.
Interpretimi i Visar Ademit, Sabina Memishit, Fisnik Zeqirit, Mentor Kurtit, Gentiana Ramadanit, Genci Mrizos, Arben Rasimit, Hetem Etemit, Abedin Alimit ishte shprehje e një loje kolektive harmonike
Skenografia e verfër por funksionale e Bujar Muçës dhe kostumet e Alma Krasniqit ishin në funksion të rrëfimit teatror.
Në Etno nejë sonte mysafirët e shumtë të festivalit i kënaqi me këngë grupi Strings Stings.
Tradita e interpretuar në mënyrë moderne po ndodhë fuqishëm e përmbajtshëm në Etno Fest 2025./ KultPlus.com
Në datat 2 dhe 3 gusht 2025, Hora e Arbëreshëve do të mirëpresë edicionin e parë të ‘Buka Buskers Fest’, një festë e veçantë që bashkon traditën e bukës, artet e rrugës, dhe kulturën arbëreshe, në një atmosferë të gjallë dhe përfshirëse për të gjitha moshat, përcjell KultPlus.
Ky festival unik është një ide origjinale e Federica Cuccia, realizuar në bashkëpunim me Giusi Maria Puglia dhe dedikuar komunitetit të banorëve të Horës. Në qendër të ngjarjes do të jetë buka – simbol i jetës dhe mikpritjes – por gjithashtu do të ndërthuren muzika live, cirku, poezia, performancat artistike dhe teatri rrugor, për të krijuar një përvojë të paharrueshme.
Aktivitete kryesore të festivalit do të jenë koncerte dhe performanca muzikore live, cirk modern dhe teatro rruge, poezi dhe mikrofon i hapur në oborr poetik, punëtori dhe aktivitete për fëmijë, të rinj dhe të rritur.
Po ashtu përgjatë këtyre ditëve do të ketë edhe punëtori dhe bashkëpunime të veçanta si punëtori vallesh folklorikë. Italia Carroccio, aktore dhe trajnuese e njohur, do të sjellë punëtorinë e improvizimit teatror “Biografi Urbane”. Miriam Palma udhëheq punëtorinë e këndimit “Trupi i zërit”. Spazio Euphoria organizon punëtori cirku për fëmijët dhe të rinjtë nga 3 deri në 18 vjeç./KultPlus.com
Promovim i librit ” Memorie lufte” Koncert recital i Gjejlan Tacit “Zëri i rrënjëve” Shfaqja “Streha e nemun” e Ilir Bokshit Grupi “Jericho” Etno neja
Agron Gërguri
Lufta është sëmundje dhe se pasojat e kësaj sëmundjeje mund të shërohen edhe përmes artit të poezisë tha midis tjerash Halil Matoshi për librin hulumtues “Memorie lufte” e autores Blerina Gaxha – Rugova e cilësuar si stidiuese e ftoht pa patos emocional duke përfillur maksimen se “memoria letrare i plakë shekujt si një proces i riprodhimit të kujtesës për mos me e lënë të vërteten me vdekë. Në librin e studimit të dhembjes ku kurohet trauma e luftës Blerina ka trajtuar mbi 40 autorë kosovar kryesisht poet. Në këtë kontekst të trajtimit të pasojave të luftës Fadil Hysaj shtroj se mos jemi vonuar me trajtimin e rrënjëve identitare qofshin edhe të dhimshme rrjedhimisht kësaj mos jemi vonuar në riparimin e asaj që është identitet i ynë. Sigurisht se trajtimit objektiv historik të luftës i duhet një distancë kohore porse kjo distancë do duhej të shkurtohet kur flasim për kurimin e traumave të luftës të cilat nganjëherë eklipsohen nga narrativa e heroizmit ndërsa zëri i viktimave nuk dëgjohet. Autorja në libër ka trajtuar disa autorë që përmbajtshëm tematizojnl traumat e luftës. Letërsia në këtë rast përveçse një akt i rezistencës bëhet edhe proces i kurimit të pasojave të luftës. Skender Boshtrakaj akcentoi çështjen e ndjeshme të grave të dhunuara në luftë dhe procesin e vështirë të gjetjes dhe rehabilimit të pasojave duke nxjerr një rrëfim prekës të një puntoreje sociale e cila tinëz opinionit kishte mbushur notesin me emra e rrëfime grash të dhunuara që mbaheshin larg opinionit.
Nga debati për dhimbjen dolëm tek pasqyrimi i asaj dhimbje përmes poezisë dhe këngës në koncertin “Zëri i rrënjëve” i Gjejlan Tacit e cila rrugëtimi saj identitar si një jehonë e mallit për rrënjët u tha me këngë. Familja e saj kishte ikur në Turqi pasta nga atje në Belgjikë me baule plotë rrëfime të cilat aq ndjeshëm i tregoj përmes këngës Gjejlane Taci. Secila këngë sikur nxirrej nga thellësi të shpirtit, si ndjesi të ndrydhura që dolnin përmes zërit të saj plotë ndjenja që prodhonin vibrime emocionesh përshpirtëruese te spektatorët. Nuk mundesh me u largu askund pa u takuar me vehten me botën shpirtnore aty ku rrinë e vërteta shpesh e ndrydhur dhe e frikuar si një ëndërrë që është e jona por dikush tjetër e tregon shumë para nesh. Programi i këngëtares Gjejlane Taci ishte në fonin e debatit për librin e Bletina Gaxha Rugova me fuqinë që zien brenda e do të shprehet për të treguar rrënjët e dhembjes aty ku dashuria e gjenë vehten dhe bëhet identitet. Këtë bukuri komunikimi e solli në Etno Fest artistja Gjejlane Taci duke e fuqizuar ndjenjën e përkatësisë deri në lot që e këthjellin kujtesen dhe ne themi po e gjeta kuptimin se çka është identiteti. Transmetimun e fuqishëm të ndjenjave të estetizuara në art e ndihmuan me instrumentimin e tyre Adorel Haxhijaj, Astrit Stafaj dhe Xhemil Gjini.
Shfaqja e Ilir Bokshit “Streha e nemun” tragjikomedi bazuar në veprën “Liza në Maj” nga Zsolt Pozgaj
Kryepersonazhi Liza(Albulena Kryeziu Bokshi) në kërkim të kuptimit të jetës: Pjepëri në supë, peshku, pija, rubineti i prishur, tjetërsimi dhe sistem i prishur i vlerave që pret riparim njohje e rinjohje pikësëpari të vetevetes, një grua e cila kërkon një burrë të munguar ideal i cili nuk ekziston andaj asaj të gjithë mëtonjësit “aksidentalisht” i vdesin apo ajo i vret në përpjekje për ta vrarë pakënaqësinë me jetën. Kur trupi mbetet e vetmja shprehje e dashurisë atëherë ajo është në dhimbjet e saj të vdekjes. Liza është një produkt i jetës me një ritëm të pabërballueshëm që prodhon stres andaj në ato kushte nuk mbinë dashuria. Dhe ate e lë edhe vetja … Këtë rrëfim skenik Ilir Bokshi kishte zbërthyer me elemente të humor të zi dhe ironisë së fatit edhe psr secila skenë përfundonte në vrasje sado në dukje aksidentale situatat ishin të besueshme ngase zbërtheheshin domethënëshëm përmes lojës së aktorëve me mizanskenë të organizuar mirë dhe veprime miniaturiale që fuqizonin reagimin e publikut. Loja e aktorëve dhe regjisura zbërthyese deri në detaje miniaturale e karakterizonin rrëfimin skenik plotë ritëm dhe dinamikë për të nxjerr fuqishëm mesazhin se të vërtetën martesore apo martesen ideale e gjenë vetëm në vdekje….Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Albulena Kryeziu Bokshi, Ledion Zoi dhe Adrian Morina. Pas ilaritetit që provokoj shfaqja spektatorët u mblodhën tek “qilimi fluturues i gjyshes” në koncertin e grupit “Jericho” që ishin nikoqir të mbrëmjes duke kënaqur mysafirët me këngë rok me bazë etnike duke krijuar atmosferë festive, hare dhe vallëzim.
Etno fest po përmbushë përmbajtësisht pritshmërit e audiencës me programe të koncipuara të cilat plotësojnë njëra tjetren në rrëfimin për identitetin dhe poashtu japin kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e një sistemi vlerash pa të cilin nuk ka as identitet të konsoliduar/ KultPlus.com
Në Natën e tretë të Etno Fest 2025 u prezantuan: Vjosa Robelli Mripa, këngëtare “Sarakassi dancer” grup i vallëzimit nga Keni “Melodia e vjetër” i Nezafete Shalës
Agron Gërguri
Natën e tretë të Etno Fest 2025 e nisi këngëtarja Vjosa Robelli – Mripa me këngë të njohura të përpunuara në jazz. Shumë këngë të mia janë investim në identitet dhe vijnë nga trashëgima e pasur e identitetit tonë kulturor tha në nisje të koncertit të saj këngëtarja Vjosa Robelli. Këngët e përpunura në jazz preknin thellësin e vlerave të etnosit dhe përpikshmërisht intehrohesjin në ambientet dhe frymen e Etno Fest-it i cili po bëhet vendakim jo vetëm i artistëve dhe traditës por tashmë edhe me artistë e arye të kombeve tjera Këngëtarja me një.zë.të ëmbël të cilën e përcillte trio e instrumentistëve:Nikos Ziarkas (gitarë), Theodoros Ziarkas (kontrabas), Gizem Altınordu (perkusion) përveç tjerash solli një rrëfim për vitet e 90 – ta kur pësuan shumë fëmijë me një kënga dedikuar atyre që shkaktojë emocione të fuqishme. Vjosa këndoj për Nënën si mbretëreshë e jetës, vajzërinë e dashurinë duke përmbushë kënaqësin e spektatorëve të cilët disa nga këngët i kënduan bashkë me Vjosën.
Spektakël i vallëzimit dhe akrobacioneve mahnitëse të grupit ” Sarkassi dancer” nga Kenia
Në skenën e re të Etno Festit në platon e së cilës dominon piktura “Qilimi fluturues i gjyshes” u paraqiten dance grupi “Sarakassi Dancer” nga Kenia të cilët me vallëzim e akribacione mahnitëse rrëfyen për jetën, dashurinë, vdekjen, lirinë, gëzimin, pikëllimin të gjitha me një ritëm.të “çmendur” si shprehje fundamentale e mundësive fizike, duke krijuar figura të kuptueshme që prodhonin emocione dhe krahasueshëm shtrohej pyetja njerëzit gjithëandej kanë kaluar nëpër shumë ravgime e krajata për ta dëshmuar identitetin dhe se ky pikëtakim sonte në etno fest ishte madhështor. Përveçse një spektakël i lëvizjes harmonisë ritmit dhe shprehjes plotë ndjenja përmes vallëzimit dhe akrobaconeve në fund vallëzuan bashkë me grupin të gjithë spektatorët që ishinë sonte në Etno Fest, edicioni i 25 -të. Një pamje madhështore që krijoj emocione gëzimi e hareje e cila e përligjte thënien ” ate që s’ta them dot me fjalë ta tregoj me vallëzim”.
Për të vazhduar etno nejen me grupin e Nezafete Shalës “Melodia e vjetër” të cilët e kapen emocionin aty ku e la danc grupi nga Keni, vallëzimi e kënga vazhduan duke u bërë një me dëshirat e shumë spektatorëve të etnofestit i cili sivjet po prek dimensione të reja të vlerave të etnosit si urë komunikimi midis popujve në shërbim të identitetit njerëzor ku dashuria dhe respekti për tjetrin bëhen mënyrë e komunikimit. Konstatojmë se në natën e tretë të Etno Festit përmes muzikës, vallëzimit dhe zërit dhe gjuhës së trupit dhe melodisë u prekën rrënjët e identitetit njerëzor./ KultPlus.com
Agron Gërguri Natën e tretë të Etno Fest 2025 e nisi këngëtarja Vjosa Robelli – Mripa me këngë të njohura të përpunuara në jazz.
Shumë këngë të mia janë investim në identitet dhe vijnë nga trashëgima e pasur e identitetit tonë kulturor tha në nisje të koncertit të saj këngëtarja Vjosa Robelli. Këngët e përpunura në jazz preknin thellësin e vlerave të etnosit dhe përpikshmërisht intehrohesjin në ambientet dhe frymen e Etno Fest-it i cili po bëhet vendtakim jo vetëm i artistëve dhe traditës por tashmë edhe me artistë e arye të kombeve tjera.
Këngëtarja me një zë të ëmbël të cilën e përcillte trio e instrumentistëve: Nikos Ziarkas (gitarë), Theodoros Ziarkas (kontrabas), Gizem Altınordu (perkusion) përveç tjerash solli një rrëfim për vitet e 90 – ta kur pësuan shumë fëmijë me një kënga dedikuar atyre që shkaktojë emocione të fuqishme. Vjosa këndoj për Nënën si mbretëreshë e jetës, vajzërinë e dashurinë duke përmbushë kënaqësin e spektatorëve të cilët disa nga këngët i kënduan bashkë me Vjosën.
Spektakël i vallëzimit dhe akrobacioneve mahnitëse të grupit ” Sarkassi dancer” nga Kenia
Në skenën e re të Etno Festit në platon e së cilës dominon piktura “Qilimi fluturues i gjyshes” u paraqiten dance grupi “Sarakassi Dancer” nga Kenia të cilët me vallëzim e akribacione mahnitëse rrëfyen për jetën, dashurinë, vdekjen, lirinë, gëzimin, pikëllimin të gjitha me një ritëm.të “çmendur” si shprehje fundamentale e mundësive fizike, duke krijuar figura të kuptueshme që prodhonin emocione dhe krahasueshëm shtrohej pyetja njerëzit gjithëandej kanë kaluar nëpër shumë ravgime e krajata për ta dëshmuar identitetin dhe se ky pikëtakim sonte në etno fest ishte madhështor. Përveçse një spektakël i lëvizjes harmonisë ritmit dhe shprehjes plotë ndjenja përmes vallëzimit dhe akrobaconeve në fund vallëzuan bashkë me grupin të gjithë spektatorët që ishinë sonte në Etno Fest, edicioni i 25 -të. Një pamje madhështore që krijoj emocione gëzimi e hareje e cila e përligjte thënien ” ate që s’ta them dot me fjalë ta tregoj me vallëzim”.
Për të vazhduar etno nejen me grupin e Nezafete Shalës “Melodia e vjetër” të cilët e kapen emocionin aty ku e la danc grupi nga Keni, vallëzimi e kënga vazhduan duke u bërë një me dëshirat e shumë spektatorëve të etnofestit i cili sivjet po prek dimensione të reja të vlerave të etnosit si urë komunikimi midis popujve në shërbim të identitetit njerëzor ku dashuria dhe respekti për tjetrin bëhen mënyrë e komunikimit.
Konstatojmë se në natën e tretë të Etno Festit përmes muzikës, vallëzimit dhe zërit dhe gjuhës së trupit dhe melodisë u prekën rrënjët e identitetit njerëzor.