Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 18 July 2025Main stream

Partizani e bën dramë, humbet penallti dhe e pëson në fund, eliminohet nga Conference League

By: A R
17 July 2025 at 23:00

Partizani është eliminuar në mënyrë dramatike nga Conference League nga estonezët e Nome Kalju. Të kuqtë zhvilluan një ndeshje me shumë raste, por pa efikasitet dhe u ndëshkuan në minutat shtesë me një gol që i dha fund ëndrrës europiane.

Sfida në “Arenën Albania” nisi me dominim të Partizanit, që krijoi disa mundësi shënimi që në minutat e para me Isgandarlin, Skukën dhe Bytyçin. Megjithatë, fati nuk ishte në anën e tyre. Momentet kyçe erdhën në pjesën e dytë, ku në minutën e 77-të, Partizani fitoi një penallti pas rrëzimit të Skukës në zonë, por sulmuesi gaboi nga pika e bardhë.

Pas barazimit pa gola në kohën e rregullt, sfida shkoi në shtesa, pasi ndeshja e parë ishte mbyllur në barazim 1-1. Në minutën e 104-t, pas një aksioni të rrjedhshëm, Ivanov i miqve shënoi golin e vetëm të takimit, duke kaluar Kaljun në avantazh 1-0.

Pavarësisht përpjekjeve të shumta të Partizanit për të barazuar, mungesa e qetësisë në finalizim dhe një mbrojtje e organizuar e estonezëve e bënë të pamundur rikthimin.

Kështu, Partizani largohet që në turin e parë nga Europa, pas një ndeshjeje ku humbi shumë dhe në fund u ndëshkua rëndë.

The post Partizani e bën dramë, humbet penallti dhe e pëson në fund, eliminohet nga Conference League first appeared on JavaNews.al.

Yesterday — 17 July 2025Main stream

Curi “ndahet” me Lapajn: E kam mik, por nuk mbajti fjalën! Ta linte mandatin se po i ikin njerëzit

By: A R
17 July 2025 at 22:53

Analisti Arjan Curi, gjatë diskutimit këtë mbrëmje në studion e “Top Story”, tregoi se Adriatik Lapajn e ka mik, por nuk e miraton vendimin e tij për të mos u tërhequr nga ambicia për karrigen e deputetit.

Sipas Curit, reagimet e fundit të Lapajt, ku ndaj kundërshtarëve përdori edhe termin ‘kënetë’, ashtu sikurse kryeministri Edi Rama i drejtohet opozitës, janë zhgënjyese.

“Adriatikun e kam mik, por më mik kam të vërtetën. Përveç faktit të përdorimit të një termi që është marrë nga Rama (Këneta), edhe viktimizimi i tij ngjan si ai i Ramës kur do të shpëtojë nga një situatë. Jam në një pozitë të vështirë tani, se Shabanin s’e njoh fare. Por thashë, filozofia na jep këtë parim, që nëse do të gjykosh drejt, bëhu empatik, çfarë do bëje po të ishe në këpucët e Shabanit, dhe çfarë do të bëje po të ishe në këpucët e Lapajt. A do ndodhte kjo e gjitha nëse Lapaj do mbante fjalën, kur disa herë thoshte s’do e marr mandatin”.

Fakti që Lapaj donte ta niste politikën me një shkelje premtimi, është shqetësuese, vijoi Curi.

“E them këtë dhe pse e kam mik. Domethënë si mund të kërkosh ta mbajnë fjalën të gjithë, përveç teje. O ta mbajnë të gjithë, ose mos e kërko mbajtjen e fjalës. Vjen një moment që duhet të bësh atë që ke thënë. Dhe politika e vjetër me politikën e re këtu ndahej. Se politika e vjetër, të tjera gjëra thoshte, të tjera bënte. Unë për fjalë të pambajtur, kam djegur karrierën, kam ikur nga shumë vende se e kam parë që dikush nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë”.

Lapaj do lacohej shumë fuqishëm politikisht, nëse do të mbante fjalën, theksoi analisti në “Top Story”.

The post Curi “ndahet” me Lapajn: E kam mik, por nuk mbajti fjalën! Ta linte mandatin se po i ikin njerëzit first appeared on JavaNews.al.

Sulmi ndaj kishës në Gazë, Trump telefonon Netanjahun. Izraeli: Ishte gabimi ynë!

By: A R
17 July 2025 at 22:45

Presidenti amerikan Donald Trump ka telefonuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu pas sulmeve izraelite brenda një kishe katolike në qytetin e Gazës, ku mbetën të vrarë tre persona ndërsa mbeti i plagosur edhe famullitari, Ati Gabriel Romanelli.

Sulmi ka ngjallur reagime të forta ndërkombëtare, ndërsa zyrtarë izraelitë e justifikuan ngjarjen si “një gabim në të shtëna”.

Gjatë telefonatës mes Trumpit dhe Netanjahut mësohet se ky i fundit ka deklaruar se sulmi ka qenë një gabim në objektiv.

Megjithatë, vetë Netanjahu ende nuk ka folur në vetë të parë për këtë ngjarje lëshuar një deklaratë të tillë, por zyra e tij ka lëshuar një deklaratë për mediat ku theksohet se ““Izraeli pendohet thellësisht për sulmin ndaj Kishës së Shenjtë në Gazë”

Deklarata, e cila nuk lëshohet nën emrin e kryeministrit Benjamin Netanyahu i shpreh mirënjohjen Papa Leones XIV, ndërsa thekson se “Izraeli po heton incidentin dhe mbetet i përkushtuar për mbrojtjen e civilëve dhe vendeve të shenjta”.

Deklarata vjen menjëherë pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi se Netanyahu ra dakord për një telefonatë me Presidentin e SHBA Donald Trump për të reaguar me një deklaratë duke theksuar se sulmi ndaj kishës ishte gabim në objektiv.

I pyetur se cili ishte reagimi i Trump ndaj sulmit izraelit, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Leavitt u përgjigj: “Nuk ishte një reagim pozitiv. ”

The post Sulmi ndaj kishës në Gazë, Trump telefonon Netanjahun. Izraeli: Ishte gabimi ynë! first appeared on JavaNews.al.

Këlliçi: Ja kush është Nesti Angoni…. Ka ambicie për Bashkinë e Tiranës

By: A R
17 July 2025 at 22:37

Një deklaratë të fortë ka bërë demokrati Belind Këlliçi në studion e Debat në A2 CNN, duke thënë se sipas mendimit të tij një prej 3 ministrave që ka caktuar kryeministri Rama për të monitoruar punët e bashkisë Tiranë, është denoncuesi anonim Nesti Angoni, që çoi dhe kryebashkiakun Veliaj pas hekurave.

Sipas Këlliçit, ministrat Balluku, Gonxhja dhe Manastirliu kanë ambicie për të drejtuar bashkinë e Tiranës, duke përjashtuar Petrit Malaj.

“A do të kemi zgjedhje në Tiranë… Ende nuk dihet. Kryeministri u shpreh se nuk ishte i sigurt çfarë do të ndodhte me vendimin e Gjykatës së Lartë. Dhe mesa duket do të kemi zgjedhje dhe në bashkinë e Tiranës. Tani do të shohim raportin e Ballukut, me vlerësimin e punës së aparatit të Bashkisë së Tiranës. Balluku ka afrimitetin më të lartë me Veliajn, mendoj se Rama i ka bërë një qokë duke vendosur motrën e tij. Të njëjtin aparat që ka pasur në bashki, Rama e ka zhvendosur atë dhe në qeveri.

Nuk e di se kë Rama do të përcaktojë për Tiranën, por do të jetë kukulla e tij. Duhet të demontojmë atë që ka ndodhur në 11 maj dhe t’ua bëjmë të ditur qytetarëve. I takon PD të gjejë modalitetet për të rezultuar e suksesshme në zgjedhjet e pjesshme lokale. Unë dhe në 2023 isha i vetëdijshëm që po hyja në një garë të pabarabartë. Gjatë fushatës kam bërë shumë denoncime aferash. Unë e kam bërë detyrën dhe jam anatemuar, më është kërkuar mua se përse vidhte 5D.

Nesti Angoni duhet të jetë mes 4-ëshe që drejton punët në Bashki. E gjithë veprimtaria e Nestit është për të arritur në këtë ditë. Të katërt kanë ambicie për Tiranë. Malajn e përjashtoj. 3 janë për hir të vërtetës. Njëri prej tyre është Nesti Angoni”, tha Balluku.

The post Këlliçi: Ja kush është Nesti Angoni…. Ka ambicie për Bashkinë e Tiranës first appeared on JavaNews.al.

Rritet rreziku për sulme ndaj kabllove nënujore të internetit, të mbështetura nga Rusia dhe Kina

By: A R
17 July 2025 at 22:30

Rreziku për sulme të mbështetura nga Rusia dhe Kina ndaj kabllove nënujore që mbajnë trafikun global të internetit pritet të rritet, paralajmëron një raport i kompanisë amerikane të sigurisë kibernetike Recorded Future.

Kabllot nënujore mbartin rreth 99% të trafikut ndërkontinental të të dhënave, duke i kthyer ato në objektiva të ndjeshme strategjikisht. Në 18 muajt e fundit janë shënuar disa incidente të dyshimta në Detin Baltik dhe rreth Tajvanit, të cilat sipas ekspertëve mund të jenë pjesë e një taktike për të krijuar presion pa përfshirje të drejtpërdrejtë ushtarake.

Sipas raportit, ndër incidentet më të rëndësishme janë:

-Prerja e dy kabllove nënujore mes Lituanisë dhe Suedisë në nëntor 2024, ngjarje që sipas hetimeve lidhet me një anije kineze që ka tërhequr gabimisht spirancën mbi kabllo.

-Një anije ruse që transportonte naftë shkaktoi dëme në kabllot mes Finlandës dhe Estonisë.

-Në ujërat pranë Tajvanit, një anije kineze ka prerë kabllot duke lëvizur në mënyrë të përsëritur sipër tyre në formë zig-zagu.

Në total, Recorded Future ka regjistruar 44 dëmtime kabllosh në 18 muajt e fundit. Rreth 25% janë shkaktuar nga “tërheqje spirancash”, ndërsa një e treta e rasteve mbeten me shkaqe të panjohura.

Raporti paralajmëron se nëse ndodhin sulme të koordinuara në disa kabllo njëherësh, mund të shkaktohen ndërprerje të gjata të internetit, veçanërisht në zonat ku mungojnë alternativa dhe ekspertiza për riparime të shpejta. Kjo taktikë, sipas analistëve, është e lehtë për t’u maskuar si aksident dhe mund të realizohet nga anije civile, duke e bërë të vështirë përgjegjësinë e drejtpërdrejtë.

Pikat më të prekshme janë vendet ishullore dhe rajonet me infrastrukturë të kufizuar, si Malta, Qipro dhe Irlanda, të cilat varen gati plotësisht nga kabllot nënujore për komunikimet ndërkombëtare.

Edhe pse incidentet në Detin Baltik dhe rreth Tajvanit janë ndër më të spikaturat politikisht, ndërprerjet më të rënda kanë ndodhur diku tjetër:

-Në Detin e Kuq në shkurt 2024, kur një raketë Houthi shkaktoi dëmtim të kabllove përmes një anijeje që humbi kontrollin.

-Në Afrikën Perëndimore, ku një rrëshqitje nënujore shkaktoi dëmtime të konsiderueshme.

-Në brigjet e Afrikës së Jugut në maj 2024 për shkak të një incidenti me kabllo tërhequr nga një anije.

Përballë këtyre rreziqeve, qeveritë perëndimore po rrisin masat e sigurisë. Mbretëria e Bashkuar ka paralajmëruar një rol të ri për Marinën Mbretërore për të mbrojtur infrastrukturën nënujore, përfshirë kabllot dhe tubacionet e energjisë.

The post Rritet rreziku për sulme ndaj kabllove nënujore të internetit, të mbështetura nga Rusia dhe Kina first appeared on JavaNews.al.

Këlliçi: Ja pse Edi Rama përbën rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA

By: A R
17 July 2025 at 22:22

Belind Këlliçi, drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Tiranë, ka ngritur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si një kërcënim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë në emisionin Debat me Alba Alishanin në A2 CNN, Këlliçi i referohet zhvillimeve të fundit mes SHBA-së dhe drejtësisë shqiptare, për të përforcuar akuzat e tij.

“Javën e kaluar, e ngarkuara me punë e SHBA-së dorëzoi një letër në SPAK ku kërkohej intensifikimi i luftës kundër karteleve të drogës, të njëjtave që presidenti Trump i ka shpallur organizata terroriste,” tha Këlliçi.

Ai theksoi se vetë kjo kërkesë është një tregues se autoritetet shqiptare po dështojnë në përballjen me këtë fenomen. Sipas tij, Shqipëria është kthyer në një qendër të trafikut ndërkombëtar të drogës, dhe porti i Durrësit është bërë një pikë strategjike për qarkullimin e kokainës në Europë.

“Në katër vitet e fundit nuk është kapur asnjë kilogram kokainë në portin e Durrësit. Rama ka kthyer Shqipërinë në një Pazar të gjësë së gjallë dhe në një narkoshtet, siç e kanë cilësuar edhe media të mëdha ndërkombëtare,” deklaroi ai.

Këlliçi përmendi gjithashtu edhe skandalin me ish-agjentin e FBI-së në Nju-Jork, të cilin Rama sipas tij e ka korruptuar, duke shtuar: “Një kryeministër që ka marrëdhënie me kartelet dhe që korrupton agjentë të lartë të zbulimit amerikan, përbën rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të SHBA-së.”

The post Këlliçi: Ja pse Edi Rama përbën rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA first appeared on JavaNews.al.

Spahiu: Në Shqipëri ka të dënuar që kanë më shumë lekë se buxheti vjetor i burgjeve

By: A R
17 July 2025 at 22:15

Juristi Kreshnik Spahiu, ka deklaruar se në Shqipëri, ka të burgosur që kanë më shumë lekë, se buxheti vjetor i burgjeve.

I ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Frontline’, në Report Tv, ku u diskutua lidhur me kontrollet blitz në burgje për mjetet e paligjshme në qeli, sigurinë dhe takimet speciale, ai tha se problem sot në burgje është futja e telefonave dhe e sendeve të tjera të paligjshme.

‘Ndodh që 99% e publikut se dinë se kush janë realisht kushtet në burgje. Sot në Shqipëri nuk i kanë prioritet burgjet. Ne vijmë nga zgjedhjet dhe s’kemi parë asnjë parti që të flas për burgjet se cili është buxheti dhe nëse duhet që të investohet në to. Publiku nuk është koshient se sa është kosto për të mirëmbajtur paraburgimin ose burgjet në Shqipëri. Sot ke të burgosur në Shqipëri që kanë të ardhura më shumë se buxheti vjetor i burgjeve në Shqipëri.

Por a është sot problem takimi i një të burgosuri nga një vajzë e shoëbizit. Nëse ajo me vullnetin e saj shkon ta takojë dhe të bëjë edhe marrëdhënie intime me të, s’ka asgjë, pro nëse kemi korruptim ai është problem tjetër, si për futjen e telefonave apo të tjera sende këtu funksionon ligji pastaj. Por, Drejtoria e Burgjeve i konsideron të barabartë të burgosurit për vizita?’, tha ai.

The post Spahiu: Në Shqipëri ka të dënuar që kanë më shumë lekë se buxheti vjetor i burgjeve first appeared on JavaNews.al.

Kusht për kapitullin e 30 të negociatave, Shqipëria forcon kontrollin e armëve dhe teknologjive

By: A R
17 July 2025 at 22:07

Qeveria shqiptare ka prezantuar një projektligj të rëndësishëm që synon të modernizojë kuadrin ligjor për kontrollin e eksporteve të armëve dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë. Ky akt është një hap strategjik dhe i domosdoshëm për të përafruar legjislacionin e vendit me standardet e Bashkimit Evropian, si pjesë e procesit të negociatave për anëtarësim.

Projektligji reflekton ndryshimet e reja që burojnë nga Rregullorja (BE) 2021/821 dhe është parashikuar si një piketë thelbësore për mbylljen e Kapitullit 30 të negociatave.

Ndryshimet kryesore dhe objektivat

Drafti i ri ligjor sjell disa përmirësime dhe shtesa thelbësore, duke adresuar boshllëqet e identifikuara në ligjin ekzistues dhe duke rritur efikasitetin e sistemit kombëtar të kontrollit. Përveç forcimit të sigurisë kombëtare, projektligji synon të bëjë Shqipërinë një partner më të besueshëm në tregtinë ndërkombëtare të mallrave strategjikë.

Ndryshimet kryesore përfshijnë kontrollin e mallrave jo të listuara. Vendoset një klauzolë e re, e quajtur “catch-all”, e cila lejon kontrollin e mallrave që nuk janë të regjistruara në listën zyrtare, por që dyshohet se mund të përdoren për zhvillimin e armëve të ndaluara ose qëllime të tjera të papërshtatshme.

Projektligji përcakton rregulla specifike për kontrollin e eksportit të pajisjeve të mbikëqyrjes kibernetike. Kjo siguron që teknologjia nga Shqipëria të mos përdoret për represion politik, censurë ose abuzime të të drejtave themelore të njeriut në vende të tjera.

Lidhur me përafrimin me standardet e BE-së, shtohen në ligj tetë kritere të përcaktuara nga BE-ja, të cilat do të shërbejnë si bazë për vlerësimin e riskut dhe vendimmarrjen për çdo kërkesë licencimi.

Projektligji parashikon lehtësimin e procedurave, duke zgjatur afatin e vlefshmërisë së licencave nga një në dy vjet, duke rritur sigurinë juridike për operatorët ekonomikë dhe duke rregulluar më qartë llojet e ndryshme të licencave.

Zbatimi i ligjit të ri do të realizohet me kapacitetet aktuale të institucioneve dhe nuk pritet të sjellë kosto shtesë në buxhetin e shtetit. Për zbatimin e tij do të angazhohen Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE), Ministria e Punëve të Jashtme, Policia e Shtetit, Doganat dhe agjenci të tjera kyçe.

The post Kusht për kapitullin e 30 të negociatave, Shqipëria forcon kontrollin e armëve dhe teknologjive first appeared on JavaNews.al.

“U habita kur e mora vesh për shkrirjen”, ish-drejtori i AKU: U ndryshuan 12 drejtues dhe filloi të degjenerojë

By: A R
17 July 2025 at 21:59

Ish-drejtori i AKU-së Genc Juka u shpreh se është ndjerë i surprizuar kur mori vesh lajmin për shkrirjen e institucionit që ka drejtuar më parë.

Në Log, News 24 ai thekson se ky institucion në ngritjen e tij pati një mbështetje të madhe financiare dhe ligjore nga Bashkimi Evropian.

Sipas tij, gjithçka filloi të degjenerojë kur u ndryshuan 12 drejtorë të këtij institucioni në pak vite.

AKU u sulmua shumë, shton Juka, në një kohë kur po konsolidohej veprimtaria e saj. Tanimë, sipas tij është e paqartë si do bëhen kontrollet ndaj ushqimeve në treg.

Genc Juka: U surprizova kur dëgjove lajmin. Në vitin 2009 isha në atë kohë deputet dhe kam qenë moderator i ligjit të ushqimi. Ishte një nga kërkesat kur ishim kandidat potencial për në BE. Ishin dy kërkesa, ndërtimi i ligjit të ushqimit, e dyta për agjencinë e pagesave, politika bujqësore evropiane. Jam emëruar drejtori i parë i AKU. Kaloi në dy stade në atë kohë AKU me mbështetje serioze dhe vëmendje të BE, ku ishte një strukturë e BE-së për ndërtimin e sistemit me vlerë konsulence 3 mln e ca euro.

Faza e dytë konsolidimi i sistemit me po kaq vlerë. Më vonë BE dha edhe 10 mln euro për ndërtimin e selive të AKU-së në 10 qarqe. Ishte një punë serioze dhe AKU ishte i sapolindur. U sulmua mjaft por krijoi një lloj identiteti. Pikërisht në këtë moment u sulmua. Iu morën zyrat. Më vonë, në kronologji janë gati 12 drejtorë, AKU duhej të suportohet nga qeveria, nga të gjithë institucionet që kishin marrëdhënie.

Nga publiku shqiptar, ishte sistemi që do i ndërronte ato. Sulmi i fundit ishte ky. Kur ndërrohen 12 drejtorë fillon dhe ndryshon sistemi, fillon degjeneron. Ishte një inkompetencë e vazhdueshme. U bën ndryshime në ligjin veterinar. Nuk mund t’ja lësh të gjithë të drejtat një institucioni për sigurinë ushqimore.

The post “U habita kur e mora vesh për shkrirjen”, ish-drejtori i AKU: U ndryshuan 12 drejtues dhe filloi të degjenerojë first appeared on JavaNews.al.

“Basha ishte ministër i Ramës për opozitën”, Këlliçi: SHBA ende nuk e ka uruar Ramën

By: A R
17 July 2025 at 21:52

Belind Këlliçi ka lëshuar akuza të ashpra ndaj ish-kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke e cilësuar atë një ministër shtetit për opozitën të kabinetit Rama.

Deputeti i sapozgjedhur rishtazi demokrat, insiston se faktet kanë treguar se Rama ka vjedhur dhe zgjedhjet e 2021, por se Basha nuk reaguar.

Në lidhje me zgjedhjet e 11 majit, demokrati Këlliçi shton se Rama ende nuk ka marrë një përshëndetje zyrtare nga Shtetet e Bashkuara.

“Të njëjtin mendim kam dhe për zgjedhjet e vitit 2021, të cilat mendoj se janë vjedhur nga kryeministri në detyrë. Atë tren që nuk e morëm në 2021 për denoncimin e zgjedhjeve, këtë herë nuk e lemë të na shkojë. Ne kemi për detyrë që para qytetarëve, institucioneve ndërkombëtare dhe para raportit të OSBE, duhet të bëjmë punën për të treguar që këtu ka pasur farsë. DASH refuzon të japë një përshëndetje për zgjedhje në Shqipëri.

Në 2021 kishim një tjetër performancë, ku përpara se vetë kryeministri të shpallte fitoren ka dalë ish ambasadorja Kim dhe e ka uruar dhe ka komplimentuar ministrin e shtetit për opozitën, zotin Basha për performancën e tij në zgjedhje dhe për heshtjen që pasoi më pas. Pasi foli guvernatorja, ministri për opozitën nuk pati asnjë reagim”, tha Këlliçi.

The post “Basha ishte ministër i Ramës për opozitën”, Këlliçi: SHBA ende nuk e ka uruar Ramën first appeared on JavaNews.al.

Spiunë dhe pjestarë të SAS mes 100 britanikëve të prekur nga rrjedhja e të dhënave të afganëve të evakuuar

By: A R
17 July 2025 at 21:45

Mbi 100 britanikë, përfshirë anëtarë të shërbimit sekret MI6 dhe të forcave speciale SAS, rezultojnë të jenë ekspozuar në një rrjedhje masive të të dhënave që lidhet me zhvendosjen e fshehtë të mijëra afganëve në Mbretërinë e Bashkuar pas rikthimit të Talibanëve në pushtet.

Burime të mbrojtjes britanike konfirmuan se të dhënat e agjentëve të inteligjencës dhe forcave speciale ishin përfshirë në një tabelë të madhe me emra, pasi këta kishin rekomanduar aplikime të afganëve për programin Arap (Afghan Relocations and Assistance Policy).

Databaza, e cila përmbante informacion personal për rreth 19,000 persona që aplikuan për këtë skemë, është shpërndarë gabimisht në shkurt të vitit 2022 nga një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes. Skandali u bë i njohur publikisht vetëm pasi fragmente të dokumentit u publikuan në një grup të mbyllur në Facebook në gusht 2023.

Përveç emrave të aplikantëve afganë dhe familjarëve të tyre, në rrjedhjen e të dhënave përfshiheshin edhe kontaktet e tyre dhe, në disa raste, detaje të përkrahësve britanikë të aplikimeve, përfshirë deputetë, oficerë të lartë ushtarakë dhe zyrtarë të qeverisë.

Pas heqjes së një superndalese nga gjykata e lartë britanike, ministri i Mbrojtjes, John Healey, kërkoi ndjesë publike në emër të qeverisë dhe e cilësoi incidentin si “një gabim serioz departamental”.

Opozita kërkoi gjithashtu ndjesë për faktin që qeveria konservatore e asaj kohe, jo vetëm që bëri rrjedhjen, por edhe e zbuloi më shumë se një vit më vonë. Gjithashtu, sipas raportimeve, dikush tjetër përveç personit që shkaktoi rrjedhjen mund të ketë tentuar shantazh duke përdorur të dhënat e ekspozuara.

The post Spiunë dhe pjestarë të SAS mes 100 britanikëve të prekur nga rrjedhja e të dhënave të afganëve të evakuuar first appeared on JavaNews.al.

Vodhën dy herë të njëjtën tabakino, arrestohen dy të rinj, procedohen dhe 2 të mitur

By: A R
17 July 2025 at 14:51

Dy vjedhje të ndodhura brenda pak ditëve në të njëjtën tabakino në kryeqytet janë zbardhur nga policia.

Blutë e Tiranës kanë arrestuar 2 prej autorëve të dyshuar dhe ka proceduar penalisht 2 të tjerë, të mitur.

“Në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të vjedhjes së pronës/pasurisë, identifikimin e autorëve, kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Tabachino”, për zbardhjen e 2 rasteve të vjedhjes në një tabakino.  Si rezultat i operacionit janë identifikuar 4 autorët e dyshuar, shtetasit: E. S., 22 vjeç dhe A. A., 19 vjeç, të cilët janë kapur dhe vënë në pranga, dhe 2 shtetas të mitur të moshave 16 dhe 17 vjeç, për të cilët ka nisur procedimi në gjendje të lirë”, njofton policia.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datat 16.07.2025 dhe 30.06.2025, kanë vjedhur artikuj të ndryshëm me vlerë rreth 80.000 lekë, në tabakinon e shtetases B. K.

The post Vodhën dy herë të njëjtën tabakino, arrestohen dy të rinj, procedohen dhe 2 të mitur first appeared on JavaNews.al.

Apeli i GJKKO e la në qeli, reagon Meta: Asnjë zhgënjim, mezi pres gjyqin të përballem

By: A R
17 July 2025 at 14:37

Ilir Meta ka reaguar nga qelia pas vendimit të Apelit të GJKKO, që la në fuqi masën e sigurisë arrest në burg.

Në një reagim nga qelia në Facebook, Meta shkruan se kjo është një “drejtësi me regji”. Kreu i Partisë së Lirisë shton se nuk ka asnjë arsye që ai mos të lirohet, pasi nuk përbën rrezik për prishje të provave.

Reagimi i Ilir Metës:

Asnjë zhgënjim nga telenovela “Drejtësi me Regji”.

Falenderim për avokatin e paepur, z. Kujtim Cakrani, që ka harxhuar dy orë frymë për ata që nuk kanë as veshë të dëgjojnë dhe as integritet për të treguar në respekt të Kushtetutës, të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, dhe të ligjit.

Por avokati ka parimin që edhe muret dëgjojnë, ndaj e falenderoj edhe njëherë për frymën e harxhuar, e cila sidoqoftë është regjistruar për arsye të shterimit të të gjithë procedurave të brendshme, të një sistemi gjyqësor që është nën përgjimin permanent të SPAK-ut, i cili afërmendsh urdhrat dhe akuzat i merr nga tribuna e Asamblesë së PS-së.

As kanë patur ndonjë provë, as kanë gjetur ndonjë provë, as kanë shans të shpikin ndonjë provë, pavarësisht nga provokimet e shëmtuara edhe këtu te 313-ta.

Sado t’i zvarrisin hetimet, sado të fshehin prova që rrëzojnë të gjitha mashtrimet e tyre, përballja është e pashmangshme dhe ne mezi presim të nisi gjykimi, që e gjithë Shqipëria edhe bota ta dijë se kush janë ata që dinë anglishten e Charles McGonigalit, i cili bashkë me Edi Ramën dhe Altin Dumanin, regjistruan që në Dhjetor 2019 çështjen CEZ-DIA për të më shantazhuar dhe hetuar mua si President i Republikës, çështje e gjykuar në Shqipëri dhe në Arbitrazhin e Vjenës, në kulmin e konfliktit për Gjykatën Kushtetuese.

Nuk jam unë që rrezikoj provat, por janë ata që kanë fshehur prova.

Nuk janë unë që intimidoj dëshimtarë, por janë ata që kanë intimiduar dhe rekrutuar dëshimtarë, dhe që me shantazhe i kanë konvertuar në përkrahës të PS.

Kjo është një përballje që ne do ta fitojmë në emër të të gjithë shqiptarëve që paguajnë sot shumë shtrenjtë për drejtësinë, që nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës dhe as me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Shumë qartë këtë e kanë kuptuar së fundmi banorët e Thethit, por shumë më qartë do ta kuptojnë të gjithë shqiptarët në të ardhmen.

Ilir Meta dhe Partia e Lirisë do të jenë gjithmonë në anën e shqiptarëve, në mbrojtje të Kushtetutës dhe sovranitetit, kundër mercenarëve shqipfolës që kanë vetëm një projekt, shpopullimin e Shqipërisë.

Meqënëse disa nga këto qëndrime i keni dëgjuar më përpara, mos përtoni të lexoni lajmin e freskët se si 270 milion euro të USAID u përdorën nga sorosistët për kapjen e sistemit të drejtësisë.

The post Apeli i GJKKO e la në qeli, reagon Meta: Asnjë zhgënjim, mezi pres gjyqin të përballem first appeared on JavaNews.al.

Erion Veliaj dërgohet në spitalin e Durrësit, mediat: Shfaq probleme shëndetësore…

By: A R
17 July 2025 at 14:30

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shoqërua me forca të shumta policie nga burgu i Durrësit në spitalin rajonal, pas shqetësimeve shëndetësore.

Burimet bëjnë me dije se Veliajt i janë bërë disa analiza dhe rreth orës 13.30 ka lënë ambientet e këtij spitali.

Siç përshkruan burime të Anila Hoxhës të pranishme në spitalin rajonal kryebashkiaku u shoqërua nga forcat qendrore të policisë së burgjeve dhe jo ato të këtij burgu. Veliaj ka shfaqur temperaturë të lartë mbrëmë.

Një javë më parë, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e tij për ndryshimin e masës së sigurisë. Veliaj pretendonte se nuk kishte rrezikshmëri, se nuk kishte premisa të arratisej, ishte i zgjedhur lokal dhe duhet të përfaqësonte interesat e qytetarëve në detyrën e tij.

The post Erion Veliaj dërgohet në spitalin e Durrësit, mediat: Shfaq probleme shëndetësore… first appeared on JavaNews.al.

TABELA / Blofi i Berishës, si qëndron e vërteta e votave të Thethit?

By: A R
17 July 2025 at 14:27

Kreu i PD, Sali Berisha, u shpreh ditën e sotme se Edi Rama u hakmorr ndaj banorëve të Thethit, sepse në zgjedhjet e 11 Majit ata votuan PD.

Që Berisha gënjen nuk është as e re, as çudi, por si qëndron e vërteta e votave në kutinë e Thethit?

Sipas të dhënave të KQZ, në Theth PD ka dalë e dyta, e ndjekur nga PSD e Tom Doshit, ndërsa PS ka marrë 388 vota.

Ndërkohë që PD ka marrë 259.

Nëse shifra e Berishës, është më e lartë se ajo e PS në Theth, kjo pastaj ngelet për të ndryshuar konceptet matematikore, që PD e drejtuar prej tij edhe mund t’i bëj në të ardhmen.

Berisha është mjeshtër i manipulimit, edhe kur faktet janë të qarta. Madje, nëse faktet ekzistojnë, sipas filozofisë së tij, aq më keq për faktet.

/temA

Berisha tha që Rama mori hak se votuan PD - Si qëndron e vërteta

The post TABELA / Blofi i Berishës, si qëndron e vërteta e votave të Thethit? first appeared on JavaNews.al.

Hodhën mbeturinat e lokaleve në trotuar, procedohet penalisht 4 shtetas

By: A R
17 July 2025 at 14:10

Policia e Durrësit ka proceduar penalisht 4 persona të cilët hodhën në trotuar mbeturinat e lokaleve të tyre, duke shkaktuar ndotje të mjedisit. Sipas Policisë këta shtetas dyshohet se kanë hedhur vazhdimisht në rrugë, jashtë koshave, mbeturina të ndryshme të lokaleve të tyre.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, nga kontrollet e vazhdueshme në terren, për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, bazuar dhe në ankesat e qytetarëve, kanë konstatuar se në lagjen nr. 1, Durrës, ishin hedhur mbeturina të ndryshme në rrugë, që kishin shkaktuar ndotje të mjedisit. Në vijim të veprimeve për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit K. K., 42 vjeç, M. Ç., 50 vjeç, P. M., 45 vjeç dhe R. U., 35 vjeç, banues në Tiranë dhe në Durrës, pasi dyshohet se kanë hedhur vazhdimisht në rrugë, jashtë koshave, mbeturina të ndryshme të lokaleve të tyre”, njofton policia.

Hodhën mbeturinat e lokaleve në trotuar, procedohet penalisht 4

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

The post Hodhën mbeturinat e lokaleve në trotuar, procedohet penalisht 4 shtetas first appeared on JavaNews.al.

Horoskopi ditor për nesër, e Premte 18 Korrik 2025

By: A R
17 July 2025 at 14:01

Dashi

Dashuria: Mos harxhoni më shumë kohë duke sqaruar një çështje që është e dashur për ju. Vetëm atëherë mund të gjesh harmoninë në jetën tënde private dhe të çlirohesh nga ajo që të mundon. Beqarët do kenë kthime dashurore dhe do të jenë në gjendje të rimarrin entuziazmin për të ardhmen.

Puna: Ju duhet të rimerrni vendosmërinë dhe këmbënguljen që keni humbur për një kohë. Sidoqoftë, një lajm interesant po vjen.

Demi

Dashuria: Shumë çifte mund të planifikojnë një bashkëjetesë ose dasmë: do të jetë ëndrra e atyre që e presin këtë moment për kaq shumë kohë! Beqarët, nga ana tjetër, nuk do të ndalojnë së argëtuari dhe gjithmonë do të duan partnerë të rinj, pa lidhje serioze.

Puna: Energjia do të jetë e domosdoshme për ju për të arritur të gjitha qëllimet e përcaktuara falë mbrojtjes së Jupiterit.

Binjakët

Dashuria: Do të keni një dëshirë të madhe për të gjetur dikë që mund t’ju dëgjojë, sot mund të jetë dita e duhur. Do t’ju sjellin dobi nga disa këshilla të vlefshme se çfarë të bëni në jetën private. Çiftet e konsoliduara mund të bëjnë plane për të ardhmen.

Puna: Puna do të jetë një nga fushat e pakta në të cilat do të shkoni me dyahime përpara, por gjithçka shkon për mrekulli.

Gaforrja

Dashuria: Për shumë nga shenja do të ketë histori të reja që mund të nënkuptojnë aq shumë në jetën e tyre. Disa do ta gjejnë personin e duhur përgjithmonë. Beqarët që kërkojnë një aventurë do të jenë të kënaqur dhe mund të përjetojnë emocione të jashtëzakonshme.

Puna: Mos vononi dhe merrni ato vendime që janë të rëndësishme për karrierën tuaj dhe projektet.

Luani

Dashuria: Krizat e çiftit do të kalojnë dhe do ‘jaa lënë vendin një bashkimi të ri. Venusi këmbëngul të garantojë shanse të reja për ata që janë lidhje! Kthime të papritura për beqarët, por edhe dëshira për t’u shoqëruar me njerëz të rinj dhe për të kaluar mbrëmje me miqtë.

Puna: Marsi njofton ndryshime rrënjësore. Do të ketë shumë shanse për të udhëtuar jashtë vendit për punë, në kënaqësinë e madhe të portofolit.

Virgjëresha

Dashuria: Marsi në shenjë e bën këtë ditë të zjarrtë dhe plot me pasion. Ata që janë të lidhur tashmë me dashuri do të përjetojnë emocione të papërshkrueshme! Një lajm i shkëlqyeshëm për zemrat e vetmuara që do të bëjnë takime të rëndësishme, të gatshëm për të bërë ndryshime në jetën e tyre.

Puna: Nëse gjërat nuk shkojnë në rrugën e duhur akoma, mos u shqetësoni, yjet kanë kaq shumë mundësi të reja, shfrytëzoni sa më shumë prej tyre.

Peshorja

Dashuria: Sot do të lini pas dore shumë nga miqësitë tuaja për shkak të ndonjë zhgënjimi, megjithatë nëse keni një lidhje të fortë do të keni mundësi të gjeni kohë për ta jetuar sa më shumë. Beqarët do duhet t’u kushtojnë vëmendje vizitave të këqija.

Puna: Puna vazhdon me një ritëm të kohës së lirë, dhe madje edhe nëse ka rrethana të paparashikuara, do të dini si t’i përballoni.

Akrepi

Dashuria: Sot do të keni mundësi të kuptoni nëse partneri aktual do të jetë personi që do t’ju shoqërojë në jetën tuaj për një kohë të gjatë, apo nëse do të arrini në një pikë thyerjeje. Beqarët mund të bëjnë takime me fat dhe shpresojnë të fillojnë histori të reja.

Puna: Mundësitë e mundësive sot nuk do të mungojnë për të bërë biznes dhe për të negociuar.

Shigjetari

Dashuria: Jetë më të qetë, sot gjërat do të shkojnë më mirë në dashuri dhe tensioni i ditëve të kaluara do të braktisë gradualisht. Në mbrëmje mund të përjetoni momente të gëzueshme. Ditë e mirë për ata që janë vetëm, do të ketë lajme të mira.

Puna: Aktivitetet e punës sot do të jenë shumë stimuluese, projektet e filluara do të zhvillohen mirë dhe kjo do t’ju bëjë të lumtur.

Bricjapi

Dashuria: Harmonia dhe qetësia do të mbretërojnë mes çifteve: është një kohë e mirë për ata që mendojnë se po bëjnë hapin e madh, ekzistojnë të gjitha parakushtet për të thënë po. Për beqarët, ka ende kohë, ata nuk do duan të jenë seriozë, por vetëm të argëtohen.

Puna: Do të jeni sipërmarrës dhe do të jeni në gjendje të mahnitni eprorët tuaj duke parashikuar lëvizjet e tyre. Kujdes nga investimet me rrezik!

Ujori

Dashuria: Në krahasim me ditët e kaluara do të jeni shumë më luftues dhe nuk do të hiqni dorë as për një diskutim të vogël. Partneri do jetë në anën tuaj dhe kjo do të jetë shpërblyese. Një lajm i shkëlqyeshëm për beqarët, edhe ata do të ngarkohen dhe do të jenë gati për të zgjidhur gjithçka.

Puna: Hapen perspektiva të reja për shumë nga ju, e ardhmja shfaqet nën kujdesin e mirë.

Peshqit

Dashuria: Do të ketë mundësi të shkëlqyera sot për të bërë zgjedhje përfundimtare në jetën e dashurisë. Ju do të duhet të vendosni se cilën anë do të merrni dhe të dëshmoni ndjenjat tuaja. Beqarët mund t’i zbulojnë anën e tyre të fshehur një personi.

Puna: Puna do t’ju japë një kënaqësi ekonomike, falë faljes suaj të kursimit dhe gjithashtu për një humor shumë të mirë.

The post Horoskopi ditor për nesër, e Premte 18 Korrik 2025 first appeared on JavaNews.al.

Patriarkana e Jeruzalemit pas sulmit në Gaza: Kishat janë strehë, jo objektivë lufte

By: A R
17 July 2025 at 13:52

Patriarkana e Jeruzalemit ka reaguar përmes një deklarate për shtyp lidhur me sulmin e sotëm, 17 korrik, ndaj një Kishe Katolike në Rripin e Gazës, që ka lënë të paktën tetë të plagosur rëndë deri më tani.

Patriarkana e Jerusalemit shpreh “dënimin dhe indinjatën më të thellë” për sulmin që kishte në shënjestër Kishën Katolike të Familjes së Shenjtë, që shkaktoi dëme të mëdha dhe viktima në kompleksin famullitar, “duke vënë në rrezik jetën e njerëzve të pafajshëm, veçanërisht personave me aftësi të kufizuara dhe të zhvendosurve që kishin kërkuar strehim të sigurt brenda kishës”.

Siç bën me dije Patriarkana, në këtë kishë aktualisht ishin të strehuar rreth 600 persona të zhvendosur, shumica prej të cilëve janë fëmijë dhe 54 janë persona me nevoja të veçanta. Bombardimi shkatërroi pjesë të mëdha të kompleksit, dhe personat me nevoja të veçanta u detyruan të evakuohen nga zona, disa prej të cilëve nuk mundën të merrnin aparaturat e frymëmarrjes nga të cilat varen për mbijetesë, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre.

“Ky sulm përbën një shkelje të hapur të dinjitetit njerëzor dhe një shkelje të rëndë të shenjtërisë së jetës dhe të vendeve të shenjta fetare, të cilat në kohë lufte duhet të shërbejnë si strehë e sigurt.” thuhet në deklaratë.

Patriarkana i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe agjencive të OKB-së që të ndërhyjnë menjëherë për të ofruar mbrojtje për institucionet fetare dhe qendrat humanitare në Rripin e Gazës. Ajo kërkon respektim të plotë të ligjit ndërkombëtar, që ndalon shënjestrimin e civilëve dhe të vendeve të adhurimit.

Në këtë moment kritik, Patriarkana thekson se “kishat janë pishtarë shpirtërorë dhe humanitarë, që u shërbejnë të gjithëve pa diskriminim”.

Ky incident vjen në një kohë të rënduar nga përshkallëzimi i luftimeve në Gaza, ku civilët dhe objektet fetare kanë qenë gjithnjë e më shpesh në shënjestër të sulmeve.

The post Patriarkana e Jeruzalemit pas sulmit në Gaza: Kishat janë strehë, jo objektivë lufte first appeared on JavaNews.al.

“Nuk jam zyrtar i lartë”, Apeli i GJKKO-së vendos për Alqi Bllakon më 23 korrik

By: A R
17 July 2025 at 13:44

Ka përfunduar pas dy orësh seanca në Apelin e Posaçëm në ngarkim të ish-deputetit socialist Alqi Bllako, i cili ka ankimuar vendimin e Shkallës së Parë për dënimin e tij me 4 vite burg lidhur me inceneratorin e Tiranës.

Siç raporton gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, në sallën e gjyqit ishin të pranishëm avokatët e Bllakos, si dhe vetë ky i fundit, i cili kërkoi pafajësi me argumentin se posti i tij nuk futet tek zyrtarët e lartë dhe nuk mund të ngrihet akuza në atë formë.

Por, organi i akuzës i kërkoi Shkallës së Dytë të gjyqësorit ka vendosur që të qëndrojë në fuqi vendimi i GJKKO-së, sepse Alqi Bllako është funksionar i lartë ndërsa në postin si Sekretar i Përgjithshëm vetëm ka përcjellë shkresa.

Pasi togat e zeza dëgjuan pretendimet e prokurorëve dhe kërkesën e avokatëve të Bllakos, caktuan datën 23 korrik për të shpallur vendimin për ish-deputetin socialist.

Bllako u dënua nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion në 11 mars të këtij viti me 4 vite burg, dënim i cili u zbrit në 2 vite e 8 muaj për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, pasi u gjet fajtor për kryerjen e veprës penale “korrupsion pasiv” në dy raste.

Ish-deputeti është dënuar më herët me vendim të formës së prerë edhe për inceneratorin e Elbasanit me 2 vite e 8 muaj burg, ndërsa për inceneratorin e Fierit çështja është rikthyer për rigjykim nga Apeli në shkallë të parë.

The post “Nuk jam zyrtar i lartë”, Apeli i GJKKO-së vendos për Alqi Bllakon më 23 korrik first appeared on JavaNews.al.

Mbi 1 mijë miliardë euro dhe taksa për koorporatat, Von der Leyen prezanton buxhetin e BE-së

By: A R
17 July 2025 at 13:37

Komisioni Europian ka paraqitur propozimin për buxhetin e ardhshëm afatgjatë të Bashkimit Europian pas vitit 2027, me një shumë rekord prej rreth 2 mijë miliardë euro. Presidentja Ursula von der Leyen e quajti këtë “buxheti më ambicioz ndonjëherë”, por propozimi nuk është mirëpritur nga shumë pale, nga Parlamenti Europian, Komiteti i Rajoneve, shtetet anëtare dhe vetë komisionerët.

Drafti, i cili u prezantua me vonesë për shkak të tensioneve të brendshme, përfshin 1.260 miliardë euro buxhet bazë dhe rreth 168 miliardë euro për të shlyer detyrimet e planit Next Generation EU. Von der Leyen synon një model më modern dhe fleksibël, që përfshin edhe një mekanizëm të ri për krizat, i cili do të ofrojë hua për vendet anëtare në raste emergjente, por me miratimin e Këshillit.

Për të mos rritur kontributet e shteteve anëtare, Komisioni propozon burime të reja të ardhurash, përfshirë taksa ndaj kompanive të mëdha dhe taksa të reja mbi produktet e duhanit, që pritet të sjellin deri në 400 miliardë euro të ardhura shtesë.

Por Gjermania dhe Holanda e kanë refuzuar menjëherë këtë qasje, duke e cilësuar buxhetin “të tepruar” dhe “të papranueshëm”.

Struktura e re parashikon thjeshtimin e kapitujve buxhetorë, nga shtatë në katër, dhe bashkimin e fondeve të mëdha si ato për kohezionin dhe bujqësinë në një kapitull të vetëm me vlerë 865 miliardë euro, ku përfshihen gjithashtu fondet për emigracionin, sigurinë dhe mbrojtjen.

Nga këto, 300 miliardë euro janë parashikuar për pagesa direkte për fermerët, ndërsa 218 miliardë euro për zhvillimin e rajoneve më të varfra të BE-së. Rajonet, megjithatë, janë të pakënaqura, guvernatori i Abruzzos dhe përfaqësues i Komitetit Europian të Rajoneve, Marco Marsilio, e quajti propozimin “të papranueshëm”, duke kritikuar injorimin e rolit të qyteteve dhe rajoneve në politikat e përbashkëta.

Për të përfituar fondet, çdo shtet do të duhet të dorëzojë një Plan Partneriteti Kombëtar dhe Rajonal, duke reduktuar ndjeshëm burokracinë, nga qindra plane aktualisht, në vetëm 27.

Skepticizëm ka edhe nga Parlamenti Europian. Eurodeputeti rumun Siegfried Mureșan, bashkë-relator për buxhetin, u shpreh se ky projekt duket si “mbledhje e 27 buxheteve kombëtare” dhe rrezikon të kthehet në një “bankomat”, duke e çuar drejt rinacionalizimit të financave të BE-së. Edhe Socialistët ndajnë këtë shqetësim dhe e kanë cilësuar propozimin si “të papërshtatshëm”.

The post Mbi 1 mijë miliardë euro dhe taksa për koorporatat, Von der Leyen prezanton buxhetin e BE-së first appeared on JavaNews.al.

❌
❌