Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 4 August 2025Main stream

Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet/Berisha: PS presion ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë

By: b b
4 August 2025 at 13:26

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka hedhur akuza se mazhoranca ka kërcënuar vëzhguesit ndërkombëtarë që të ndryshojnë raportin lidhur me zgjedhjet e 11 Majit.

Në një konferencë pë media, Berisha ka publikuar letrën e dërguar nga Ministri Igli Hasani dejt koordinatores speciale të OSBE-së Farah Karimi më 12 Maj, sipas tij, pasi u lexua raportoi i vëzhguesve ndërkombëtare për zgjedhjet parlamentare.

Sali Berisha: Farsa elektorale e 11 majit 2025 është procesi elektoral më i shëmtuar në 32 vite pas rënies së Perdes së Hekurt. Është procesi më i diskredituar. Është procesi më i korruptuar.

Këtu në mënyrë të vazhdueshme kemi paraqitur qindra fakte dhe dokumente të pakundërshtueshme të përdorimit të mbi 1 miliard e 20 milionë euro para të buxhetit me qëllim blerjen dhe influencën e votës.

Të organizimit të mbi 4 mijë e 500 aktiviteteve më shumë se tre vite të tjera të marra së bashku, në 4 muajt e fundit para zgjedhjeve, të ndaluara me ligj. Të gjysëm miliardi prokurime të ndaluara me ligj para zgjedhjeve.

Të armatosjes së terroristëve elektoralë patronazhistë me të dhënat e qytetarëve për t’i mikluar dhe kërcënuar ata. Firmosjen e licencave për mbjelljen e kanabisit në përmasa 140 herë më të mëdha se sa ç’parashikon ligji. Kemi paraqitur para jush manipulimin ekstrem të votës së diasporës.

Por ju jeni dëshmitarë se këtu, nga kjo sallë, nga Parlamenti Europian dhe asambleja parlamentare e OSBE, kam denoncuar me forcën më të madhe këcënimet, presionet e Edi Ramës dhe ministrit Igli Hasani ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë me qëllim që ata të ndryshojnë raportin.

Siç unë u kam njoftuar, laptopi po bën transparencë të madhe.

Këtu para jush kam sjellë sot letrën kërcënuese që ministri i jashtëm i narkoshtetit, Igli Hasani, iu drejton me datën 12 maj, sapo lexohet raporti, zonjës Farah Karimi, koordinatore speciale dhe lider i misionit afatshkurtër të OSBE-së.

Ambasadorit Lamberto Zannier, kryetar i misionit të vëzhguesve të ODIHR-it.

Zotit Bjorn Soder, kryetar i delegacionit të asamblesë parlamentare të OSBE.

Zoti Simone Billi, kryetar i delegacionit të asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës.

Dhe zotit Michael Gahler, kryetar i delegacionit të Parlamentit Europian.

Shikoni çfarë banditizmi, sapo kanë lëshuar komunikatën, atyre iu drejtohet kjo letër.

Pas kortezisë, në letër thuhet: ‘Lidhur me deklaratën e gjetjeve dhe konkluzioneve paraprake, dua t’ju përcjell pritshmërinë që këto raporte të pasqyrojnë me saktësi realitetet e observuara në terren gjatë procesit elektoral’.

Dhe vazhdon: ‘Në këtë drejtim, dua të shpreh shqetësimin serioz (imagjinoni ju çfarë mafiozësh janë këta, ata sa e kanë lexuar raportin, dhe ky sikur t’ua ketë marrë kopjen para) lidhur me paragrafin hyrës të deklaratës, në të cilin bëhet një paraqitje thellësisht negative në pikëpamjen tonë dhe e pabalancuar e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025’.

Java nis me mot të paqëndrueshëm, priten reshje shiu dhe rrebeshe

By: b b
4 August 2025 at 12:55

Reshje shiu dhe rrebeshe afatshkurtra parashikohen gjatë fillimit të kësaj jave.

Nga e mërkura rikthehen kthjellimet dhe moti i qëndrueshëm me rritje temperaturash.

Kjo javë do të nisë me mot të paqëndrueshëm. Sinoptikanët parashikojnë reshje shiu dhe rrebeshe afatshkurtra në zonat qendrore dhe lindore të vendit.

“Jo vetëm dita e sotme, po ashtu edhe dita e martë mbetet nën mbizotërimin e motit të paqëndrueshëm, mund të kemi vranësira të dendura, reshje të shiut pasi kemi rritje të lagështirës në ajër. Kryesisht reshjet e shiut do të kenë formën e rrebesheve, ndërsa në zonat qendrore dhe veriore reshjet e shiut do të jenë në sasi më të pakta”, thotë meteorologu Hakil Osmani.

Rikthehen kthjellimet nga e mërkura, ndërsa temperaturat do të ngjiten mbi 35 gradë Celsius.

“Duke filluar dita e mërkurë, e enjte dhe dita e premte orët e para të mëngjesit dhe të mesditës do të jenë në dominim të intervaleve të gjata me diell, ndërsa pasdite edhe pse do të sjellin kalime të shpeshta të vranësirave, kryesisht do të jenë në zonat malore. Në orët e mesditës temperaturat e ajrit do të regjistrohen shumë pranë vlerave 38 gradë Celsius, apo ndonjë zonë e izoluar në qarkun e Elbasanit dhe Beratit edhe në 39 gradë Celsius.”

Gjatë fundjavës temperaturat pritet të rikthehen në vlerat e tyre normale të gushtit.

Klan News

Restaurimi i Muzeut Historik/Gonxhja: Do e rikthejmë në një institucion të…

By: b b
4 August 2025 at 12:29

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka publikuar pamjet e punimeve nga restaurimi i Muzeut Historik Kombëtar.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Gonxhja ka publikuar videon ku tregon gjendjen në të cilën ndodhej Muzeu dhe se si do të bëhet.

Më tej, ai thotë se po rikthejnë Muzeun Historik Kombëtar në një institucion dinjitoz dhe bashkëkohor, të denjë për të ruajtur dhe treguar historinë kombëtare.

“Mirëmëngjes nga Muzeu Historik Kombëtar, ku pas një kohe të gjatë sfidash dhe dëmtimesh, përfshirë tërmetin e 2019-tës, ka nisur restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi më i rëndësishëm i këtij institucioni simbol, me një ndërhyrje madhore në kuadër të programit #EU4Culture, nën drejtimin e UNOPS, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe MEKI.

Aktualisht në fazën e parë, punimet përfshijnë:

Paketim dhe evakuim të artefakteve,

Konsolidim dhe përforcim strukturor,

Rinovim të fasadave dhe izolimin e çatisë,

Instalimin e sistemit të monitorimit CAM,

Restaurimin e fasadës me teknologji moderne (fibra karboni dhe xhaketim kolonash).

Ndërkohë, MEKI është në proces buxhetimi për Fazën e II-të, për të garantuar vijimin e këtij transformimi rrënjësor, që do të përfshijë:

Shtesa nëntokësore me laboratorë e hapësira teknike;

Fasadën e brendshme “Oculus” prej xhami dhe mbulesën ikonike;

Sisteme moderne MEP, mbrojtje nga zjarri, muzeologji bashkëkohore dhe mobilim tërësor.

Po rikthejmë Muzeun Historik Kombëtar në një institucion dinjitoz dhe bashkëkohor, të denjë për të ruajtur dhe treguar historinë tonë kombëtare”, shkruan Gonxhja në rrjete sociale.

Durrës/Dy vëllezër qëllojnë me armë zjarri 35-vjeçarin për shkak të një parakalimi

By: b b
4 August 2025 at 12:09

Policia e Durrësit ka shpallur në kërkim 2 shtetas, pasi pas një konflikti për motive të dobëta qëlluan me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte një 35-vjeçar.

Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 të datës 03.08.2025, në autostradën “Durrës-Tiranë”.

Mësohet se janë shpallur në kërkim shtetasit E. D., 46 vjeç dhe E. D., 40 vjeç, vëllezës, të dy banues në fshatin Xhafzotaj.

“Në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 01:00 të datës 03.08.2025, në autostradën “Durrës-Tiranë”, ku u qëllua me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte shtetasi L. Sh., 35 vjeç, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës identifikuan dhe shpallën në kërkim shtetasit E. D., 46 vjeç dhe E. D., 40 vjeç, vëllezës, të dy banues në fshatin Xhafzotaj.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se pasi janë konfliktuar verbalisht, me 35-vjeçarin, për parakalimin me automjet, vëllezërit kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte ai.

Nga të shtënat u dëmtua 35-vjeçari, i cili është jashtë rrezikut për jetën.

Punohet intensivisht për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme./Opinion.al

Tentoi të korruptonte punonjësin e Policisë Rrugore,arrestohet 35-vjeçari në Elbasan

By: b b
4 August 2025 at 11:39

Policia ka vënë në pranga një 35-vjeçar, pasi tentoi të korruptonte punonjësin e Policisë Rrugore, për të shmangur gjobën për mungesë dokumentacioni.

Sipas uniformave blu mësohet se 35-vjeçari nuk ishte i pajisur me autorizim për përdorimin e targave të përkohshme që mbante automjeti në momentin e ndalimit.

“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, arrestuan në flagrancë shtetasin E. A., 35 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Nga verifikimet e kryera nga punonjësi i Policisë Rrugore, rezultoi se 35-vjeçari nuk ishte i pajisur me autorizim për përdorimin e targave të përkohshme që mbante automjeti në momentin e ndalimit.

Gjatë kryerjes së veprimeve administrative për shkeljen, shtetasi E. A. ka tentuar të korruptojë me një shumë parash, punonjësin e Policisë, për të shmangur masën.

Në përfundim të veprimeve administrative për shkeljen rrugore të kryer, 35-vjeçari u ndëshkua me masë administrative 1000 lekë, në bazë të gërmave a dhe d të pikës 1 të nenit 178 të Kodit Rrugor”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për  veprime të mëtejshme./Opinion.al

“Përgjegjësi kryesor…”/Berisha për ’21 Janarin’: Ishte krim shtetëror pa dashje

By: b b
4 August 2025 at 11:30

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka folur për mediat jashtë godinës së SPAK, pasi u paraqit në zbatim të masës detyrim paraqitje për çështjen “Partizani”.

I pyetur nga gazetarët nëse ndan të njëjtin qëndrim me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut që e ka konsideruar krim shtetëror “21 Janarin”, Berisha tha se e pranon që është krim shtetëror, por sipas tij ‘pa dashje’.

“A mund të lexosh fjalimet e Sali Berishës vite me radhë përpara i cili e ka quajtur krim shtetëror. E kam quajtur unë përpara. Pse? Se unë nuk mund të them që ata nuk u vranë nga njerëz të shtetit. Por krimi shtetëror është krim shtetëror me dashje dhe krim shtetëror pa dashje. Ka klasifikim krimi shtetëror. Krimi shtetëror me dashje ka rregullat e veta kur quhet, kur shteti e merr të pafajshëm dhe e pushkaton. Kur shteti jep urdhër këtë-këtë, kur s’duhet ta bëjë kurrë atë.

Krim shtetëror pa dashje është kur ndodh nga rikosheta, ndodh nga detyra, sepse garda ka patur një ligj. Unë e kam thënë 5-6 vjet para, që është krim shtetëror, krim shtetëror pa dashje. Në rastin e krimit shtetëror, dëmshpërblimi nga shteti i viktimës është më i madh. Këta, siç di unë, janë dëmshpërblyer me shuma, nuk di të them afrohen në shkallën e duhur apo jo.

Ata u vranë nga armët e shtetit, por nuk ishte qëllim vrasja. Dhe është faktuar kjo që them. Nuk ka patur absolutisht asnjë urdhër. Aq sa është përgjegjës Edi Rama direkt që i solli aty. Ka një deklaratë të qeverisë amerikane aty, që thotë të hetohet nga polici, tek organizatori. Ka një deklaratë tjetër, që demonstrata ishte e dhunshme dhe kishte axhendë politike. Edi Rama është përgjegjësi kryesor”, tha Berisha.

VIDEO/Momenti i arrestimit të Flodian Plakut, policia rrethoi hotelin në Vlorë…

By: b b
4 August 2025 at 11:15

Janë publikuar pamjet e arrestimit të Flodian Plakut, ekzekutorit të ish policit Gentian Bejtja, ngjarje e ndodhur më 15 mars 2024, në Larushk të Fushë-Krujës.

Në pamje shihet momenti i operacionit policor si dhe koordinimet që bëhen nga efektivet me qëllim kapjen e 42-vjeçarit.

Në momentin e arrestimit, Floridan Plaku, me 3 identitete, alias Florjan Serjani alias Florjan Mamo, iu është gjetur një pistoletë me një krehër dhe 17 fishekë, 25 mijë euro cash dhe shtatë celularë. Gjatë operacionit për kapjen e plakut u kap edhe Julian Aliaj alias Julian Pashaj, 43 vjeç.

Në pranga për këtë rast janë vënë edhe tre persona të tjerë për “përkrahje të autorit të krimit”.

“Gjatë hetimeve të thelluara mbi këtë rast, u evidentua se shtetasit A. L, 36 vjeç, banues ne Vlorë, A. D, 31 vjeç banues ne Vlore dhe L. D, 57 vjeç, banues në Tiranë, kanë ndihmuar në strehimin, komunikimin dhe lëvizjen e shtetasit në kërkim Flodian Plaku. Ata u arrestuan ne flagrancë për veprën  penale “Përkrahja e autorit të krimit””, njoftoi policia.

I njohur me nofkën “Pole Qorri”, Plaku është i dyshuar për vrasjen e Gentian Bejtjes.

Më herët në pranga e policisë ka rënë edhe dy bashkëpunëtorët e tij, Edison Haxhiun dhe Ilir Beqaraj. Këta të fundit mendohet se ndihmuan që Plaku të largohej jashtë vendit.

Gentian Bejtja u ekzekutua me mbi 30 plumba pasditen e 15 marsit, brenda serës në oborrin e banesës së tij në fshatin Larushk të Fushë-Krujës.

Rregullat e reja për lëngjet në avion rrisin kaosin dhe kostot për udhëtarët

By: b b
3 August 2025 at 22:43

Vetëm pak ditë pas vendimit të Bashkimit Europian për të lejuar deri në dy litra lëngje në bagazhet e dorës, udhëtarët janë përballur me një tjetër shqetësim: çmimet e larta shtesë për transportin e tyre.

Shoqata italiane e mbrojtjes së konsumatorëve, Assoutenti, paralajmëron se mungesa e qartësisë dhe zbatimi i ndryshëm i rregullit nëpër aeroporte mund të shkaktojë kosto deri në 130 euro për pasagjerët.

Sipas Assoutenti-t, aeroportet europiane nuk kanë një qasje të unifikuar.

Edhe pse skanerët e rinj që lejojnë kontrollin e sigurt të lëngjeve në shishe mbi 100 ml janë instaluar në disa aeroporte si Milano Malpensa, Linate, Roma Fiumicino, Bologna dhe Torino, disa prej këtyre ende nuk e kanë zbatuar rregullin e ri.

Pasagjerët, të paqartë mbi rregulloren që zbatohet në secilin aeroport, detyrohen shpesh të dorëzojnë bagazhet e dorës në stivë në moment të fundit, me tarifa të kripura.

Tarifat variojnë nga 35 deri në 75 euro për Ryanair, deri në 70 euro për WizzAir, 65 euro për Easyjet dhe deri në 130 euro për fluturimet ndërkombëtare me ITA Airways.

“Kjo është një situatë totale kaosi që mund të rëndojë ndjeshëm mbi xhepat e pasagjerëve,” deklaroi presidenti i Assoutenti-t, Gabriele Melluso.

Ai kërkoi nga autoriteti italian i aviacionit civil, ENAC, që të publikojë një listë të përditësuar të aeroporteve që lejojnë transportin e lëngjeve mbi 100 ml në bagazhet e dorës, për të shmangur surprizat dhe kostot e papritura.

Në mungesë të një standardi të përbashkët në të gjithë BE-në, udhëtarët këshillohen të informohen paraprakisht për rregullat që zbatohen në aeroportin e nisjes dhe të mbërritjes, për të shmangur humbjen e produkteve apo pagesat e shtuara gjatë pushimeve verore./tvklan

Ra nga tribuna e koncerit të Oasis në Wembley, humb jetën 40-vjeçari

By: b b
3 August 2025 at 22:21

Një burrë ka vdekur pasi ka rënë nga tribuna në një koncert të Oasis të shtunën.

Mësohet se 40-vjeçari ra nga tribunat e sipërme të stadiumit, përpara syve të dhjetëra mijëra spektatorëve, duke humbur jetën në vendngjarje.

Në një deklaratë zyrtare, Policia Metropolitane e Londrës tha se forcat e sigurisë, personeli mjekësor dhe ekipet e emergjencës u mobilizuan menjëherë, por fatkeqësisht burri u gjet pa shenja jete.

Autoritetet kanë nisur një hetim për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe bëjnë apel ndaj çdo dëshmitari ose personave që mund të kenë regjistruar video me celular, që të kontaktojë policinë.

Oasis tha në një deklaratë se ishin “të tronditur dhe të trishtuar” kur dëgjuan për vdekjen e një fansi.

Ata shtuan: “Oasis dëshiron t’u shprehë ngushëllimet tona të sinqerta familjes dhe miqve të viktimës.”

Policia tha se stadiumi ishte i mbushur me njerëz dhe ata “besojnë se ka të ngjarë që një numër njerëzish ta kenë parë incidentin, ose me vetëdije ose mund ta kenë kapur atë në pamjet video të telefonit celular”.

Shfaqja e Oasis ishte planifikuar të fillonte në orën 20:15 dhe të mbaronte në orën 22:15, sipas orareve në faqen e internetit të stadiumit Wembley.

Koncerti i së shtunës ishte pjesë e shtatë koncerteve të ribashkimit të shitura në stadiumin Wembley, i cili ka një kapacitet prej 90,000 personash në tre nivele.

Stadiumi Wembley tha në një deklaratë se mjekët, policia dhe shërbimi i ambulancës së Londrës u kujdesën për 40-vjeçarin.

“Pavarësisht përpjekjeve të tyre, tifozi ndërroi jetë. Ngushëllimet tona shkojnë për familjen e tij, të cilët janë informuar dhe po mbështeten nga oficerë policie.”

Yesterday — 3 August 2025Main stream

“The National”: Tirana, perla e Ballkanit

By: b b
3 August 2025 at 21:41

Me fluturime direkte nga Abu Dhabi që do të vazhdojnë deri në fund të gushtit, tani është koha ideale për të zbuluar qytetet interesante të Ballkanit me kosto të përballueshme, shkruan Phil Johnson në një artikull të botuar në të përditshmen “The National” – në pronësi të shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, që botohet në Abu Dhabi.

Kryeqyteti dinamik i Shqipërisë ofron një ndërthurje magjepsëse të ndikimeve osmane, të epokës komuniste dhe bashkëkohore, perla e Ballkanit e rrethuar nga vargmali Skënderbej është një destinacion interesant.

Qendra e qytetit është vetëm gjysmë ore larg aeroportit me autobus dhe mjaft kompakte për të lëvizur tërësisht në këmbë.

Por, në muajin gusht mund të jetë vapë, rreth 8°C më freskët se në Abu Dhabi në verë, kështu që të ecësh përreth për të parë pamjet është e realizueshme.

Dhe ka shumë atraksione interesante për vizitorët kuriozë për 48 orë, veçanërisht ata me një buxhet të kufizuar.

1-Sheshi Skënderbej: Zemra e qytetit

Shumica e librave udhëzues rekomandojnë fillimin e një aventure në Tiranë në Sheshin Skënderbej, sheshin qendror që mban emrin e heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbej.

Komandanti ushtarak vdiq në vitin 1468 dhe kujtohet për udhëheqjen e një rebelimi kundër Perandorisë Osmane.

Ky shesh, është i rrethuar nga monumente si Muzeu Historik Kombëtar dhe Teatri i Operas.

Statuja e vetë Skënderbeut mbi kalë është një pikë qendrore e sheshit, sfondi i saj i fasadave në ndryshim pasqyron një qytet që ka një të kaluar komplekse dhe një të tashme të gjallë.

2-Xhamia e Et’hem Beut: Një dëshmi e qëndrueshmërisë

Ngjitur me Sheshin Skënderbej ndodhet Xhamia e mrekullueshme e Et’hem Beut, një dëshmi e qëndrueshmërisë fetare.

E ndërtuar në fund të shekullit XVIII dhe fillim të shekullit XIX – afresket e saj të ndërlikuara dhe arti delikat janë një pamje e rrallë në arkitekturën islame, duke përshkruar peizazhe natyrore dhe jetën e qetë.

Xhamia i mbijetoi mrekullisht politikave ateiste të regjimit totalitar, duke shërbyer si një simbol i fuqishëm i shpirtit elastik të Shqipërisë dhe ringjalljes së lirisë fetare.

Hyrja është falas dhe një vështrim përreth nuk zgjat më shumë se gjysmë ore.

3-Bunk’Art 1: Zbulimi i një të kaluare të fshehur

Duhen vetëm disa minuta për të ecur nga xhamia në një nga atraksionet turistike më interesante të qytetit.

Bunk’Art 1, një rrjet bunkerësh nëntokësorë të ndërtuar fillimisht për elitën politike – në rast të një sulmi bërthamor, është transformuar në një muze dhe hapësirë arti bashkëkohor magjepsës.

Vizitorët mund të zhyten në historinë komuniste të Shqipërisë dhe të eksplorojnë korridoret dhe dhomat e saj të ftohta.

Ekspozitat detajojnë paranojën dhe shtypjen e regjimit të Hoxhës në vend, duke ofruar një pasqyrë të fuqishme të një epoke të kaluar.

Hyrja është 500 lekë dhe rekomandohet të paktën një orë për ta shijuar të gjithën.

4-Ngjitja e piramidës: Historia me një pamje

Nevojiten 10 minuta për të ecur në atraksionin që ofron një pamje të horizontit të qytetit nga lart.

Ngjitja e Piramidës së Tiranës – një aktivitet tjetër falas – ndihet si ngjitja në një relike betoni të historisë, anët e saj të pjerrëta, por krenare.

Fillimisht, e ndërtuar në vitin 1988 si një muze për të nderuar diktatorin komunist Enver Hoxha, struktura dikur madhështore – tani simbolizon me guxim identitetin në ndryshim të Shqipërisë.

Çdo hap në ngjitje zbulon më shumë nga sharmi kaotik i qytetit, i rrethuar nga grafiti. Në majë, hapet panorama, me qytetin e shtrirë poshtë dhe vargmalin e bukur në distancë.

5-Turneu i stadiumit “Air Albania”: Një pikë referimi moderne sportive

Stadiumi kombëtar i futbollit përfaqëson me krenari arkitekturën më moderne të qytetit.

Për adhuruesit e sportit, një turne në stadiumin “Air Albania” ia vlen dhe është vetëm 10 minuta larg nga Piramida në këmbë.

Stadiumi, i hapur në vitin 2019, ndodhet në ish-stadiumin Qemal Stafa.

I ndërtuar si një vend kompakt në stilin anglez me spektatorë të ulur afër fushës, ai ka një kapacitet prej 22,000 vendesh dhe biletat shiten për çdo ndeshje të ekipit kombëtar.

6-Shëtitje në Parkun e Madh dhe liqen: Një oaz i gjelbër

Parku i Madh i Tiranës dhe liqeni i tij artificial janë vetëm pesë minuta larg në këmbë, nëpërmjet Sheshit Nënë Tereza, nga stadiumi.

Kjo hapësirë e gjerë dhe e qetë është një vend i preferuar për vendasit, duke ofruar shtigje për ecje dhe vrap, kafene dhe vende të qeta për t’u çlodhur dhe për t’i shpëtuar zhurmës urbane.

Ecja në unazën prej 5,3 km rreth liqenit zgjat rreth 45 minuta. I formuar nga një digë në mesin e shekullit XX, liqeni ofron një pamje piktoreske.

Pse duhet ta vizitoni tani

Nga bunkerët e Luftës së Ftohtë, te shëtitjet buzë liqenit dhe pamjet e horizontit nga çatitë plot me grafite, Tirana ofron një gamë të gjerë atraksionesh për t’u vizituar.

Një mbrëmje e kaluar në Bllok, zona elegante dhe e gjallë e kafeneve dhe restoranteve të qytetit, është mënyra perfekte për të përfunduar ditën tuaj.

Udhëtimi drejt majës së malit të Dajtit me teleferik; vizita në tregun e Pazarit të Ri; dhe shëtitja nëpër Kalanë e Tiranës – një fortesë mesjetare – e cila tani është një rrugë për këmbësorë me një sërë restorantesh dhe dyqanesh artizanale – janë disa nga vendet kryesore që mund të zbuloni.

Tirana është një perlë e Mesdheut – e lehtë për t’u eksploruar.

Me linjën direkte të “Wizz Air” nga Abu Dhabi në kryeqytetin shqiptar – mund të shijoni pushime cilësore me një kosto të përballueshme./ATSH

Përmbyset varka në brigjet e Jemenit/Mbi 50 emigrantë të vdekur, dhjetëra të zhdukur

By: b b
3 August 2025 at 21:13

Të paktën 54 emigrantë kanë humbur jetën, teksa një varkë u fundos në brigjet e Jemenit për shkak të motit të keq.

Sipas mediave të huaja mësohet se më shumë se 100 emigrantë janë zhdukur, teksa konfirmojnë se vijonin kërkimet për dhjetëra persona të tjerë të zhdukur.

Varka e cila kishte në bord 150 persona, ishte nisur drejt bregdetit të provincës Abyan të Jemenit. Sipas autoriteteve vendase, shumica e emigrantëve ishin shtetas etiopianë.

Varka me dhjetëra emigrantë u fundos në brigjet e provincës Abyan në Jemenin jugor në agim për shkak të kushteve të këqija të motit.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), më shumë se 60,000 migrantë të parregullt kanë mbërritur në Jemen vetëm në vitin 2024.

Jemeni është një destinacion i zakonshëm për qindra migrantë të parregullt nga Briri i Afrikës, veçanërisht Somalia dhe Etiopia, të cilët ndërmarrin këtë udhëtim të rrezikshëm me shpresën për të arritur në vendet e Gjirit për të kërkuar kushte më të mira jetese.

Miqësorja në Greqi, Elbasani mposht Tiranën

By: b b
3 August 2025 at 20:47

Elbasani ka mposhtur me rezultatin 2-1 Tiranën, në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Greqi, aty ku dy ekipet po zhvillojnë fazën përgatitore.

Sfida u zhvillua në stadiumin “Ptolemaida”, ndërsa pjesë e parë rezultoi tepër e luftuar, ku u shënuan edhe tre golat e takimit.

Patsatsia zhbllokoi takimin në minutën e 3-të, por Elbasani përmbysi gjithçka me golat e Ze Gomes dhe Diallo.

Fraksioni i dytë ishte disi më i qetë për të dyja skuadrat, që nuk shënuan më.

Elbasani tregon forcën në prag të nisjes së kampionatit, ndërsa Tirana në krahun tjetër regjistron një tjetër miqësore pa fitore./tvklan

Udhëtoi me vajzën 2-vjeçare të mbyllur në valixhe,arrestohet e reja në Zelandën e Re

By: b b
3 August 2025 at 20:32

Një grua nga Zelanda e Re u arrestua ditën e sotme, pasi teksa po udhëtonte me autobus kishte futur një vajzë 2-vjeçare brenda një çante në bagazh.

Inspektori i Policisë, Simon Harrison tha se gruaja 27-vjeçare ishte akuzuar për keqtrajtim dhe neglizhencë ndaj një fëmije.

Ngjarja ndodhi në një stacion autobusësh në Kaiwaka, 100 km në veri të Auckland, pasi shoferi i autobusit u shqetësua për një çantë që lëvizte gjatë një ndalese të planifikuar.

“Kur shoferi hapi valixhen, zbuloi vajzën 2-vjeçare të bllokuar,” tha Harrison.

“Vajza e vogël u raportua se ishte shumë e nxehtë, por dukej e padëmtuar fizikisht.”

Bagazhet ishin ruajtur poshtë pasagjerëve të autobusit, në një ndarje të veçantë.

Harisson tha se vajza u dërgua në spital duke iu nënshtruar një vlerësimi të gjerë mjekësor.

Ndërkohë mësohet se është njoftuar edhe ministria e Zelandës së Re për Fëmijët.

Afrohet vala e të nxehtit, gjendje alarmi në Spanjë e Portugali

By: b b
3 August 2025 at 20:04

Spanja dhe Portugalia ditën e sotme u përgatitën për një valë të re të nxehti, që pritet të përfshijë gadishullin Iberik, me Lisbonën që paralajmëron për një rrezik shumë të lartë të zjarreve.

Temperaturat parashikohen të jenë midis 5 dhe 10 gradë Celsius mbi normat sezonale.

Agjencia e motit Aemet të Spanjës ka paralajmëruar se është “e mundshme që vala e të nxehtit të zgjasë shumë dhe të vazhdojë të paktën deri të dielën e ardhshme”.

Pjesë të Spanjës perëndimore dhe Andaluzisë në jug u përballën me temperatura të mundshme deri në 42 °C, ndërsa Portugalia zgjati një alarm për zjarre deri të enjten.

Ndërkohë, zjarrfikësit spanjollë po punojnë për të kontrolluar një zjarr që kishte shkatërruar tashmë rreth 570 hektarë (1,400 akra) pranë qytetit veriperëndimor të Vilardevos.

Shpërthen një vullkan rus për herë të parë pas 500 vjetësh

By: b b
3 August 2025 at 19:48

Një vullkan në lindje të Rusisë ka shpërthyer për herë të parë pas gati 500 vjetësh.

Ekspertët besojnë se shpërthimi mund të jetë i lidhur me tërmetin masiv të disa ditëve më parë.

Vullkani Krasheninikov në Kamçatka ka nxjerrë hi në distancë prej gjashtë kilometrash gjatë natës. Ministria ruse për Emergjenca ka thënë se nuk ekziston rrezik te zonat e banueshme.

Disa orë më vonë, një tjetër tërmet e ka shkundur Rusinë, duke nxitur paralajmërime për cunami.

Të dyja zhvillimet mund të jenë të lidhura me tërmetin 8.8 shkallësh të Rihterit që e ka goditur atë zonë ditë më parë.

Ekspertët rusë kanë paralajmëruar se dridhje tjera të fuqishme mund të regjistrohen për disa javë pas tërmetit të 30 korrikut – i cili ka qenë ndër më të fuqishmit që është regjistruar.

Për pasojë, miliona njerëz janë detyruar të evakuohen.

Tërmeti i së dielës, 7.0 shkallë i Rihterit, i ka goditur ishullit Kuril dhe mund të krijojë valë deri në 18 centimetra, sipas autoriteteve ruse.

Banorëve të tri zonave në Kamçatka u është bërë thirrje që të qëndrojnë larg brigjeve.

Herën e fundit kur ka shpërthyer vullkani Krasheninikov ka qenë shekulli i 15-të, sipas autoriteteve ruse.

Gadishulli Kamçatka gjendet në të ashtuquajturën “Unazë e zjarrit në Paqësor” – për shkak të numrit të madh të tërmeteve dhe vullkaneve që regjistrohen në atë pjesë./REL

Bllokohen 20 mjete lundruese, përbënin rrezik për pushuesit

By: b b
3 August 2025 at 19:32

Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare, gjatë monitorimeve për rritjen e sigurisë detare gjatë kësaj jave, kanë bllokuar 20 mjete lundruese për shkelje të ndryshme.

8 prej mjeteve lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve.

Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative prej 100.000 lekësh secili.

Ndërkohë, nga Ksamil në Velipojë, Policia Kufitare ka ndërhyrë në 8 raste emergjente, për t’u ardhur në ndihmë 11 shtetasve, që kishin mbetur në rrezik për shkak të dallgëve të forta apo defekteve në mjetet e tyre lundruese.

Thirrjet raciste ndaj shqiptarëve në Kumanovë/Spiropali: Gjuha e urrejtjes…

By: b b
3 August 2025 at 18:56

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut, ku gjatë një ndeshjeje basketbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë u dëgjuan thirrje raciste dhe fyese ndaj shqiptarëve.

Përmes një reagimi në rrjete sociale, Spiropali e cilëson incidentin si të papranueshë.

Sipas saj, ky incident sjell në kujtesë të hidhur se rruga drejt një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse kërkon përkushtim të vazhdueshëm.

Reagimi i Spiropalit:

Ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë.

Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit.

Vlerësoj reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik.

Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon, përmes veprimit, qëndrimeve dhe shembullit.

Sjellja korrekte në fusha, në tribuna dhe në institucione flet shumë për vizionin tonë për të ardhmen.

Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje.

Dyshohet se ekzekutoi Gentian Bejtjan, arrestohet Flodian Plaku

By: b b
3 August 2025 at 18:25

Është arrestuar në Orikum Flodian Plaku,  i njohur me mbiemrat Mamo e Serjani dhe me nofkën “Pole Qorri”, i dyshuar për vrasjen e Gentian Bejtjas.

Gjatë kontrollit, atij iu gjetën dy armë zjarri që kishte me vete në momentin e ndalimit.

Më herët në pranga e policisë ka rënë edhe dy bashkëpunëtorët e tij, Edison Haxhiun dhe Ilir Beqaraj. Këta të fundit mendohet se ndihmuan që Plaku të largohej jasht vendit,

Gentian Bejtja u ekzekutua me mbi 30 plumba pasditen e 15 marsit, brenda serës në oborrin e banesës së tij në fshatin Larushk të Fushë-Krujës.

Tre persona zbritën nga automjeti “Land Rover Discover” dhe zbrazën kallashnikovët drejt viktimës, dhe më pas u larguan drejt fshatit Hasan e Bubq.

Nga dinamika e ngjarjes dhe provat e gjetura në vendin e krimit, policia beson se ekzekutorët janë vrasës me pagesë./tvklan

A do ta ndryshojë presioni amerikan rrjedhën e luftës në Ukrainë?

By: b b
3 August 2025 at 18:03

Pak kohë pasi i dha Rusisë një afat prej dhjetë ditësh për ta ndalur luftën në Ukrainë, presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi qartë më 31 korrik se Shtetet e Bashkuara do të “vendosin sanksione” ndaj Moskës për shkak të mungesës së përparimit drejt një armëpushimi apo marrëveshjeje paqeje me Kievin.

Në të njëjtën kohë, ai tha se nuk është e qartë nëse ndëshkimet financiare do ta shtyjnë presidentin rus, Vladimir Putin, drejt një armëpushimi dhe u tha gazetarëve se i dërguari i tij i posaçëm, Steve Witkoff, do të udhëtojë drejt Moskës pas një vizite në Izrael, ku kishte arritur më 1 gusht.

Nëse Trumpi vendos sanksione ndaj Rusisë para ose pas afatit dhjetëditor, që pritet të skadojë më 8 gusht, do të ishte hera e parë që ai do të penalizonte Kremlinin pas më shumë se gjashtë muajsh që kur nisi mandatin e dytë presidencial. Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, Trump kishte premtuar se shpejt do të ndërmjetësonte përfundimin e luftës më të madhe në Evropë që nga viti 1945.

Kërcënimi për sanksione të reja vjen teksa Rusia po përparon në fushëbetejë dhe po godet qytetet ukrainase me sulme ajrore, përfshirë një sulm me raketa dhe dronë që vrau të paktën 31 persona – pesë prej tyre fëmijë – në Kiev gjatë kësaj jave. Këto sulme të vazhdueshme Trump i quajti “të neveritshme” gjatë një deklarimi më 31 korrik.

A mund të çojë kjo në një pikë kthese në luftë? Ja çfarë duhet përcjellë me vëmendje.

A do të bëjë Witkoff ndryshimin?

Teksa Trump la të kuptohet se vendosja e sanksioneve tani është e pashmangshme, dërgimi i Witkoffit në Rusi – i cili që nga janari është takuar disa herë me Putinin – mund të jetë përpjekja e fundit për ta shtyrë Kremlinin të lëvizë nga qëndrimet para skadimit të afatit.

Por, gjasat për këtë duken të vogla, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se bisedimet e paparalajmëruara gjatë kësaj jave “me disa njerëz të afërt të Putinit” nuk sollën asnjë përparim “në arritjen e një mirëkuptimi për një rrugë përpara që do të çonte drejt paqes”.

Tri runde bisedimesh të drejtpërdrejta në Stamboll gjatë majit dhe qershorit po ashtu nuk i afruan Rusinë dhe Ukrainën në çështjet kryesore që pengojnë arritjen e një armëpushimi apo të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të paqes.

“Rusia nuk do të bëjë më asnjë lëshim”, tha për Current Time më 1 gusht komentatori politik me seli në Pragë, Ivan Preobrazhensky.

“Kremlini e kuptoi se Trumpi e ka marrë vesh që po e mashtrojnë. Si rezultat, Moska po përgatitet për një prishje të marrëdhënieve – duke u kthyer në formatin që ishte rreth gjashtë muaj më parë, gjatë presidencës së Joe Bidenit”.

Ana tjetër e medaljes: Putin mund ta shohë vizitën e Witkoffit si një mundësi për të bindur Shtëpinë e Bardhë që të tërhiqet nga kërcënimi për sanksione ose të ndryshojë rrjedhën aktuale, duke vendosur një pjesë të madhe të fajit te Kievi për mungesën e përparimit drejt paqes, siç kishte bërë Trumpi deri në javët e fundit, kur nisi të shprehte gjithnjë e më shumë zemërim ndaj Rusisë.

Edhe pse kohët e fundit Trump ka drejtuar kritikat e tij ndaj Moskës, ai ka theksuar gjithashtu se për të arritur një marrëveshje duhen dy palë, dhe se Ukraina duhet të bëjë “atë që duhet bërë” për t’i dhënë fund luftës.

“Të dyja palët, si Rusia ashtu edhe Ukraina, duhet të negociojnë një armëpushim dhe një paqe të qëndrueshme. Ka ardhur koha për marrëveshje”, tha më 31 korrik John Kelley, ushtrues i detyrës së përfaqësuesit të SHBA-së në Kombet e Bashkuara.

Edhe pse Ukraina është pajtuar me një armëpushim të propozuar nga Trumpi, Rusia nuk është pajtuar. Por, Moska mund ta shohë si mundësi këtë që ta shtyjë Uashingtonin për t’i bërë presion Kievit për koncesione.

Çfarë sanksionesh, dhe a do të funksionojnë?

Trump nuk ka treguar saktësisht se çfarë sanksionesh planifikon të vendosë, por ka bërë të qartë se ato mund të përfshijnë “tarifa shumë të ashpra” ndaj vetë Rusisë dhe, siç tha më 28 korrik, “ndoshta… tarifa dytësore” ndaj vendeve që tregtojnë me Moskën.

Të parat, pra tarifat ndaj Rusisë, do të kishin pak ndikim, sipas analistëve, pasi ata argumentojnë se vëllimi i tregtisë SHBA-Rusi është i vogël. Por, tarifat dytësore mund të jenë shumë më domethënëse, sidomos kur bëhet fjalë për naftën dhe gazin, eksportet më fitimprurëse të Rusisë. Në një intervistë për Fox News Radio, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se eksportet e naftës i sjellin Rusisë “një pjesë të madhe” të të ardhurave.

Megjithatë, ka rreziqe: Kina, India dhe Turqia janë blerësit më të mëdhenj të naftës së papërpunuar ruse dhe gjithashtu ndër klientët kryesorë për produktet e saj të rafinuara. Prandaj, tarifat dytësore mund të ndërlikojnë marrëdhëniet me këto vende.

Ndërkaq, përfitimet nga këto veprime mbeten të pasigurta, pasi Kremlini nuk po jep asnjë shenjë se është i gatshëm të bëjë lëshime, ndërsa Kina duket e painteresuar të heqë dorë nga mbështetja për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Rubio tha se presidenti Trump ka “shumë opsione,” përfshirë sanksionet dytësore ndaj shitjeve të naftës ruse dhe “sanksione sektoriale ndaj sistemit bankar, që do të ishin gjithashtu shumë të fuqishme”.

Por, gjatë deklarimit më 31 korrik, vetë Trump e minimizoi mundësinë që masat ndëshkuese ta bindin Putinin.

“Nuk e di nëse sanksionet e shqetësojnë atë”, tha ai.

A do të tregojë interes Trumpi apo do të tërhiqet?

Përveç sanksioneve, një pyetje thelbësore është nëse Trump do të vazhdojë të tregojë interes për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës në muajt në vijim, apo do të tërhiqet, siç ai vetë dhe zyrtarë të tjerë të administratës amerikane kanë sugjeruar vazhdimisht se mund të ndodhë.

Në një moment të caktuar, Trump do të duhet të vendosë “nëse ia vlen të vazhdohen përpjekjet për të arritur armëpushim, nëse njëra nga dy palët nuk është e interesuar për të”, tha Rubio, duke shtuar se “është e qartë se presidenti nuk do të presë në pafundësi”.

Që para zgjedhjes së tij në postin e presidentit, Trump kishte lënë të kuptohej se mund të përdorte një kombinim të sanksioneve ndaj Rusisë dhe mbështetjes për Kievin, kryesisht përmes furnizimit me armë, për të shtyrë të dyja vendet drejt një marrëveshjeje të paqes.

Sa i përket çështjes së armëve për Kievin, mbetet e paqartë se sa larg është i gatshëm të shkojë presidenti Trump. Më 14 korrik, kur ai vendosi një afat prej 50 ditësh për paqe – afat që këtë javë e shkurtoi në 10 ditë – ai po ashtu njoftoi për plane për të forcuar arsenalin e Ukrainës, por jo përmes dërgesave të drejtpërdrejta të armëve.

Në vend të kësaj, ai përmendi një marrëveshje, sipas së cilës vendet anëtare të NATO-s do të dërgonin armët ekzistuese, si sistemet raketore Patriot, në Ukrainë dhe më pas do t’i zëvendësonin ato duke blerë armë të reja nga SHBA-ja, ose thjesht do të blinin armë amerikane dhe do t’ia dërgonin ato Kievit.

Por, ka pikëpyetje se sa armë do të arrijnë në Ukrainë në këtë mënyrë në të ardhmen e afërt, dhe sa shpejt do të dorëzohen ato.

Ndërkohë, Trump nuk ka autorizuar ende dërgesa të reja armësh për Ukrainën përmes një programi që ishte përdorur shpesh nga paraardhësi i tij, Joe Biden, e që i jep presidentit të drejtën të dërgojë armë nga stoqet ekzistuese. Kur Trump mori detyrën, ishin rreth 4 miliardë dollarë në Autoritetin Presidencial (PDA).

Çfarë do të ndodhë në fushëbetejë?

Forcat ukrainase kanë bërë pak përparim në fushëbetejë që nga dështimi i kundërofensivës së madhe në vitin 2023. Që atëherë, Rusia ka vazhduar të marrë territore shtesë, megjithëse ka përparuar ngadalë dhe me një kosto të madhe në njerëz.

Kur Trump vendosi afatin 50-ditor më 14 korrik, kritikët paralajmëruan se kjo do t’i jepte Rusisë më shumë kohë për të përparuar edhe më tej, përpara se të përballej me sanksione apo masa të tjera, duke e dobësuar pozicionin e Kievit në çdo bisedim rreth territoreve.

Afati më i shkurtër i ul këto shqetësime dhe analistët thanë se, në çdo rast, Rusia nuk e ka kapacitetin që të marrë në tërësi atë që në mënyrë të pabazuar pretendon se është territor i saj – rajonet ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhjës dhe Hersonit, përveç Krimesë – në një të ardhme të afërt.

Megjithatë, deri tani, Rusia nuk ka treguar asnjë shenjë se do të tërhiqet nga përpjekjet për të avancuar në terren dhe nuk ka asnjë tregues se afati i 8 korrikut – apo sanksionet që me gjasë do të pasojnë – do ta ndryshojnë qasjen e saj.

AFP, më 1 gusht, duke cituar një hulumtim që ka kryer, raportoi se Rusia ka lëshuar më shumë dronë ndaj Ukrainës në korrik sesa në cilindo muaj tjetër që nga fillimi i pushtimit në vitin 2022.

Po atë ditë, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se objektivat e Moskës në këtë luftë mbeten të pandryshuara, ndërsa pohoi se forcat ruse po përparojnë përgjatë gjithë vijës së frontit, pavarësisht, siç e quajti ai, dëshirës së Perëndimit për të ndalur avancimin e tyre.

“Në muajt e ardhshëm, Rusia do ta rrisë presionin ndaj Ukrainës dhe, natyrisht, do të përpiqet të nisë një ofensivë të re para se të nisë i ftohti”, tha Ivan Preobrazhensky për Current Time, rrjetin televiziv në gjuhën ruse që udhëhiqet nga Radio Evropa e Lirë./REL

Proda vizitë zyrtare në Arabinë Saudite: Prioritet forcimi i marrëdhënieve…

By: b b
3 August 2025 at 17:38

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, me ftesë të homologut të tij, zhvilloi një vizitë zyrtare në Policinë e Arabisë Saudite.

Drejtori i Përgjithshëm i Sigurisë Publike Al-Bassami i tha Prodës se janë të interesuar ta thellojnë bashkëpunimin me Policinë shqiptare, jo vetëm në fushën e rendit dhe sigurisë publike, por në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Proda – Al-Bassamit:

“Policia e Shtetit shqiptar ka prioritet shtrirjen dhe forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare me të gjithë partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese. Jemi të vendosur për të luftuar së bashku krimin e organizuar, terrorizmin, krimet ekonomike dhe kibernetike që tashmë janë globale.”

Drejtori Proda dhe delegacioni që e shoqëronte u pritën në një takim tejet miqësor nga Drejtori i Përgjithshëm i Sigurisë Publike, Gjeneral Lejtnant Mohammed bin Abdullah Al-Bassami, dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Arabisë Saudite.

Gjatë takimit, dy drejtorët theksuan nevojën e zgjerimit të marrëdhënieve mes dy policive, në fusha me interes të përbashkët.

Proda:

“Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e sigurisë, e nënshkruar më parë, ka krijuar një bazë solide për të avancuar në mënyrë konkrete dhe të qëndrueshme drejt një partneriteti strategjik.

Policia e Shtetit shqiptar e sheh me shumë interes shkëmbimin e përvojës me Policinë e Arabisë Saudite, në fusha jetike si menaxhimi i rendit publik, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, siguria kibernetike dhe mbrojtja e hapësirave të ndjeshme.

Eksperienca saudite, sidomos në menaxhimin e sigurisë gjatë pelegrinazheve masive dhe përdorimi i inteligjencës artificiale në parandalimin e rreziqeve, përbën një model nga i cili ne duam të mësojmë dhe të bashkëpunojmë ngushtësisht.

Jemi të gatshëm të intensifikojmë trajnimet e përbashkëta, të zhvillojmë projekte pilot dhe të punojmë në ngritjen e kapaciteteve teknike dhe profesionale, në dobi të të dyja vendeve tona. Propozimi për të ndërtuar ura komunikimi të drejtpërdrejta ndërmjet strukturave operative të dy policive, përmes planeve të përbashkëta të veprimit dhe nismave të trajnimit, përbën një hap konkret për thellimin e bashkëpunimit.

Shqipëria mbetet një partnere e besueshme në rajonin e Ballkanit dhe ka një angazhim të qartë euroatlantik. Jemi të vendosur të ndërtojmë me Policinë Saudite një marrëdhënie të qëndrueshme dhe afatgjatë, të bazuar në respekt të ndërsjellë, besim institucional dhe interes të përbashkët për siguri dhe stabilitet.

Shpreh bindjen time të plotë se kjo vizitë do të jetë një gur themeli për hapat e ardhshëm që do të ndërmarrim së bashku, në dobi të shoqërive tona dhe të sigurisë së qytetarëve tanë.”

Drejtori i Përgjithshëm i Sigurisë Publike, Gjeneral Lejtnant Mohammed bin Abdullah Al-Bassami, vlerësoi gatishmërinë dhe vendosmërinë e Drejtor Prodës për të bashkëpunuar pa barriera me partnerët ndërkombëtarë, dhe veçanërisht me Arabinë Saudite, në të gjitha fushat që kanë interes të përbashkët.

Ai e garantoi Drejtor Prodën se do ta mbështesë Policinë shqiptare me trajnime, logjistikë dhe në veprime të përbashkëta hetimore në luftën kundër krimeve globale, në zbatim të marrëveshjes që është nënshkruar në vitin 2023, ndërmjet dy vendeve, për bashkëpunim në fushën e sigurisë.

Gjatë vizitës në Mbretërinë e Arabisë Saudite, delegacioni shqiptar zhvilloi takime me drejtues të sigurisë publike të Mekës dhe të Medinës, me të cilët shkëmbyen eksperienca për menaxhimin e aktiviteteve masive.

❌
❌