Kumbaro: Revista “Escapade” e paraqet Shqipërinë si yllin e ri të turizmit të qëndrueshëm

Revista prestigjioze franceze e udhëtimeve, “Escapade” i ka kushtuar një artikull të veçantë Shqipërisë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përcolli sot, artikullin e revistës franceze, që e cilëson Shqipërinë si një destinacion të ri në qendër të hartës së turizmit të qëndrueshëm.
Sipas Kumbaros, revista “Escapade” e paraqet Shqipërinë, si yllin e ri të turizmit të qëndrueshëm, mes natyrës së paprekur, kulturës autentike dhe mikpritjes tradicionale.
“Një tjetër dëshmi se këto vlera po e kthejnë Shqipërinë në destinacionin që po frymëzon udhëtarët, e sidomos ata francezë, të cilët janë ndër grupet me rritjen më të lartë”, tha Kumbaro.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit theksoi se 107 mijë vizitorë nga Franca janë mirëpritur 6 muajt e parë të vitit 2025, ose rritje me 44% krahasuar me vitin e kaluar.
Gjatë muajit qershor 2025, u shënua një rritje e ndjeshme e lëvizjeve së shtetasve shqiptarë dhe të huaj, duke reflektuar një sezon turistik të gjallëruar dhe një interes të shtuar për vendin.
Sipas të dhënave zyrtare, në territorin shqiptar kanë hyrë gjithsej 2.062.775 shtetas, një rritje prej 7,6% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Kjo rritje është ndikuar nga një numër i lartë i turistëve të huaj, por edhe nga lëvizjet e shtetasve shqiptarë, të cilët në masë janë rikthyer për pushime apo vizita familjare.
Nga kjo shifër, 733.571 janë shtetas shqiptarë që kanë hyrë në vend, një numër që përfaqëson një rritje prej 8,5% krahasuar me qershorin e vitit 2024. Kjo lëvizje pritet të jetë ndikuar nga sezoni veror dhe kthimi i emigrantëve për të kaluar pushimet pranë familjeve të tyre.
Nga ana tjetër, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri kanë arritur në 1.329.204, me një rritje prej 7,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke konfirmuar tendencën e rritjes së Shqipërisë si një destinacion i preferuar turistik në rajon.
Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se 94% e të huajve vijnë nga kontinenti evropian. Brenda këtij kontingjenti, Evropa Jugore zë vendin kryesor me 70% të hyrjeve, duke u ndjekur nga Evropa Perëndimore dhe ajo Qendrore/Lindore, secila me nga 11%.
