Zjarre të mëdha përfshinë këtë muaj disa vende mesdhetare, duke i detyruar mijëra banorë në Katalonjë të Spanjës të izolohen dhe duke rrezikuar qytetin e dytë më të madh të Francës, Marsejën.
Që nga fillimi i vitit, zjarret dogjën 227.000 hektarë tokë – më shumë se dyfishin e mesatares për këtë periudhë gjatë dy dekadave të fundit, sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).
Megjithëse kjo shifër është shumë mbi mesataren, nuk është rekordi më i lartë në regjistrimet e EFFIS-it, që datojnë nga viti 2002.
Evropa përjetoi sezonet më të këqija të zjarreve në vitet 2003 dhe 2017, kur ato dogjën mbi 1.100.000 hektarë në secilin prej këtyre dy viteve – një sipërfaqe kjo e barabartë me ishullin e Xhamajkës.
Nuk dihet ende nëse 2025-a do të jetë një vit i rekordeve, pasi kjo varet nga mënyra se si do të zhvillohet sezoni i zjarreve në muajt në vijim.
Numri i zjarreve në Evropë u rrit ndjeshëm këtë vit – me 1.118 zjarre të regjistruara deri më 8 korrik, krahasuar me 716 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas EFFIS-it.
Vala e nxehtësisë në Evropë këtë muaj nxiti zjarre në rajonin e Mesdheut, përfshirë Sirinë, ku ato dogjën më shumë se 3% të mbulesës pyjore të vendit, sipas OKB-së.
Në ishujt grekë të Evias dhe Kretës, zjarret detyruan mijëra njerëz të evakuohen.
Megjithatë, shkencëtarët që i monitorojnë ato, thonë se zjarret në rajonin e Mesdheut ishin relativisht të izoluara, pavarësisht dëmeve që shkaktuan.
Çka i nxit zjarret?
Shkencëtarët thonë se verat më të nxehta dhe më të thata në rajonin e Mesdheut, e bëjnë atë shumë të rrezikuar nga zjarret në natyrë.
Pasi fillojnë, bimësia e thatë dhe era e fortë në rajon bëjnë që zjarret të përhapen shpejt dhe të dalin jashtë kontrollit.
Këtë rrezik e rrisin edhe ndryshimet klimatike, duke krijuar kushte më të nxehta dhe më të thata.
Në vendet që kufizohen me detin Mesdhe, kjo ndikoi që sezoni i zjarreve të niste më herët viteve të fundit, të thyheshin rekorde për intensitetin e zjarreve dhe të digjej më shumë tokë.
Emetimet e gazrave serrë, kryesisht nga djegia e qymyrit, naftës dhe gazit, e ngrohën planetin për rreth 1.3 gradë Celsius që nga koha para-industriale.
Sipas Organizatës Botërore të Meteorologjisë, Evropa u ngroh dy herë më shumë sesa mesatarja globale që nga vitet 1980.
Ngrohja e tillë bën që gjatë valëve të nxehtësisë, temperaturat të rriten më shumë. Dhe, për shkak të ndryshimeve klimatike, këto valë të nxehtësisë janë më të shpeshta.
Këtë e konfirmoi edhe Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike – një panel global i shkencëtarëve i Kombeve të Bashkuara.
Pjesa tjetër e verës
Vendet janë duke u përgatitur për zjarre më të mëdha.
Sipas EFFIS-it, temperatura më të ngrohta se mesatarja parashikohen në të gjithë Evropën gjatë gushtit, që do të thotë se rreziku i zjarreve do të mbetet i lartë në shumë pjesë të Evropës jugore dhe lindore.
Ndërsa në Evropën jugore priten reshje normale, pjesa tjetër e kontinentit pritet të jetë më e thatë se zakonisht në gusht, duke rritur kështu rrezikun e zjarreve edhe në rajone të tjera.
Qeveritë po përpiqen të përshtaten.
Greqia mobilizoi këtë vit një numër rekord prej 18.000 zjarrfikësish dhe ndryshoi taktikat dhe patrullat e saj, për t’i zbuluar zjarret më herët dhe për t’i kufizuar dëmet.
Faktorët tjerë që rrisin rrezikun e zjarreve, përfshijnë menaxhimin e pyjeve.
Në zonat rurale të vendeve si Spanja, ku popullsia po zvogëlohet për shkak të largimit drejt qyteteve, ka më pak njerëz që merren me pastrimin e bimësisë.
Kjo bën që materiali djegës të grumbullohet, duke krijuar kushte më të favorshme për zjarret.
OKB-ja kërkoi nga qeveritë që të investojnë më shumë në parandalimin e zjarreve, në vend se të përqendrohen kryesisht te reagimi pas shpërthimit të tyre.
OKB-ja paralajmëroi, gjithashtu, se ndryshimet klimatike pritet të rrisin numrin e zjarreve të rënda në botë deri në 14% deri në fund të kësaj dekade.
Sipas OKB-së, parandalimi i zjarreve mund të përfshijë djegiet e kontrolluara para sezonit të verës, për të pastruar materialin që nxit zjarret, si dhe rikthimin e zonave të lagështa dhe moçaleve./REL/kb