Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 20 August 2025Main stream

Vjena do të presë festivalin europian 2026, me logon e re…

20 August 2025 at 13:10

Nga Gazeta “SI”- Kryeqyteti austriak, Vjena, do të jetë mikpritësi i edicionit të ardhshëm të “Eurovisionit”, njoftoi webfaqja zyrtare e Festivalit Evropian të Këngës. Transmetuesi ORF dhe rrjeti EBU kanë zgjedhur qytetin për konkursin e këngëve më të mira europiane që do të mbahet në maj të vitit 2026.

Vjena do të presë “Eurovisionin” për herë të tretë, pas viteve 1967 dhe 2015. Finalja e madhe do të zhvillohet më 16 maj në sallën “Wiener”, ndërsa gjysmëfinalet janë planifikuar më 12 dhe 14 maj. Vetëm Dublini, Londra dhe Luksemburgu kanë organizuar më shumë edicione të këtij festivali.

J.J fitues i Eurovision 2025

Përveç Vjenës, në garë për të organizuar festivalin e uropian ishin edhe qytetet Graz, Innsbruck dhe Oberwart.

Eurosongu  prezanton logon e re

EBU prezantoi një logo dhe identitet krejt të ri vizual për “Eurovision 2026”, për të festuar edicionin e 70-të të konkursit. Logoja ruan zemrën e njohur që ngjall nostalgji tek fansat, ndërsa fjalët “Konkursi i Këngës” janë bërë më të mëdha, duke i dhënë markës një fokus më të qartë tek vetë konkursi. Skajet e fontit janë zbutur, duke i dhënë një pamje më moderne.

Së shpejti do të publikohet edhe fonti i ri i Eurovisionit, ‘Singing Sans’, si dhe identiteti vizual i plotë i edicionit të ardhshëm.

The post Vjena do të presë festivalin europian 2026, me logon e re… appeared first on Gazeta Si.

Shkrimtarja nga Kosova, Jehona Kicaj, në garë për Çmimin Gjerman të Librit 2025

20 August 2025 at 11:14

Nga Gazeta “SI”- Shoqata e Botuesve Gjermanë ka shpallur listën e gjatë të veprave që konkurrojnë për Çmimin Gjerman të Librit 2025, një nga çmimet më prestigjioze të letërsisë gjermanofolëse. Mes 20 autorëve të përzgjedhur është edhe shkrimtarja me origjinë nga Kosova, Jehona Kicaj, me romanin e saj “ë”.

E lindur më 1991 në Kosovë dhe e rritur në Göttingen, Kicaj ka studiuar Letërsi Gjermane Moderne në Hannover. Përvoja e saj si fëmijë i refugjatëve nga Kosova e ka ndikuar thellësisht në krijimtarinë letrare.

Autorja duke shpjeguar brendinë e romanit thekson se titulli i romanit, “ë”, vjen nga shkronja e tetë e alfabetit shqip dhe më e përdorura në gjuhën shqipe.

“ Veçantia e saj është se, kur ndodhet në fund të fjalës, nuk shqiptohet, por megjithatë ndryshon theksin. Pikërisht për këtë arsye është zgjedhur si metaforë e heshtjes , një nga pasojat më të dhimbshme të luftës së Kosovës

Në shumë familje shqiptare viktimat përmenden pak, sepse dhimbja është e madhe. Edhe në Gjermani, shpesh është harruar se në vitin 1999 ky shtet mori pjesë për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore në një ndërhyrje ushtarake,  atë të NATO-s në Kosovë- thotë Kicaj për mediat.

Romani sjell rrëfimin e një vajze të re që përjeton luftën nga diaspora gjermane. Ajo mëson hap pas hapi përmasat e tragjedisë , masakrat, dhunimet, torturat, zhdukjet masive dhe njëkohësisht përjeton diskriminim në shoqërinë gjermane, ku shpesh has në heshtje dhe mosdije.

Jehona Kicaj thekson se libri nuk është historia e saj personale, por historia e shumë shqiptarëve. Ajo është bazuar në biseda, dëshmi, libra, artikuj, intervista dhe ditarë për të shndërruar kujtimet e luftës në letërsi.

“E kam shkruar këtë roman për të kujtuar vuajtjen e pamasë të një populli të tërë  me bindjen se vetëm kush e njeh të kaluarën, mund ta kuptojë të tashmen dhe ta ndërtojë të ardhmen”, thotë ajo.

Përveç Kicajt, në listë janë edhe emra të njohur si Gesa Olkusz (Bremerhaven), Peter Waëerzinek (Rostock) dhe Feridun Zaimoglu (Kiel). Çmimi, i cili shoqërohet me shpërblim prej 25 mijë eurosh, do të dorëzohet më 13 tetor në kuadër të Panairit të Librit në Frankfurt. Juria ka përzgjedhur 20 romane nga 200 dorëshkrime të dorëzuara nga shtëpitë botuese, ndërsa më 16 shtator do të shpallet lista e shkurtër me vetëm gjashtë autorë.

The post Shkrimtarja nga Kosova, Jehona Kicaj, në garë për Çmimin Gjerman të Librit 2025 appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Hapet në Prishtinë edicioni i 43-të i ‘Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare’

19 August 2025 at 12:05

Nga Gazeta “Si”- Në Prishtinë ka nisur punimet edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i cili do të zgjasë deri më 29 gusht dhe ku do të marrin pjesë rreth 200 studiues nga vende të ndryshme të botës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi seminarin si ngjarjen më jetëgjatë në jetën kulturore të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e gjuhës shqipe si themel i kujtesës dhe imagjinatës njerëzore në kohën e zhvillimeve të shpejta teknologjike.

“Entuziazmi ynë për gjuhën shqipe, kulturën dhe artin duhet vetëm të rritet, ndërsa unë si kryeministër shpreh gatishmërinë për të mbështetur institucionet që kanë këtë detyrë fisnike,” tha Kurti.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, nënvizoi se ky seminar është “ngjarja më jetëgjatë” në historinë akademike të universitetit dhe ka për qëllim ruajtjen e rrënjëve të gjuhës e kulturës shqipe, duke shtuar se këtë vit do të zhvillohen 34 orë mësimi të shqipes për pjesëmarrësit e huaj.

Gjithashtu Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, theksoi se seminari është ngjarja kulturore më jetëgjatë në mbarë hapësirën shqiptare që nga viti 1974, ndërsa dekani i Fakultetit të Filologjisë, Abdullah Rexhepi, bëri të ditur se gjatë dy javëve do të mbahen 11 ligjërata, 84 referime dhe 50 kumtesa shkencore.

Aleksandar Rusakov

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, i pranishëm në ceremoninë hapëse tha se seminari është shndërruar në një platformë të rëndësishme ndërkombëtare për studimet albanologjike, duke e cilësuar gjuhën shqipe si “një nga më të vjetrat në Evropë”.

Drejtoresha e seminarit, Lindita Sejdiu, e përmbylli hapjen duke e vlerësuar këtë aktivitet si “konceptin më të fortë të ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë”.

Disa prej studiuesve dhe shkencëtarëve të gjuhës më në zë do të referojnë mbi tema të letërsisë, gjuhësisë dhe kulturës shqiptare, parë nga këndvështrime të brendshmë por edhe universale, të cilat vinë nëpërmjet kumtesave nga studiues dhe albanologë të huaj.

I themeluar në vitet 70 , ky seminar pati disa vite ndërprerje gjatë viteve të luftës, për tu rikthyer sërish tashmë si një nga organizimet më dinjitoze në shërbim të gjuhës dhe kulturës shqiptare.

The post Hapet në Prishtinë edicioni i 43-të i ‘Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare’ appeared first on Gazeta Si.

Muzeu i Arbëreshëve do të ngrihet në Vuno, Himarë

19 August 2025 at 10:32

Nga Gazeta “Si”- Në Vuno të Himarës, një nga zonat nga ku nisi dikur eksodi i arbëreshëve, do të ngrihet së shpejti Muzeu i Arbëreshëve, një projekt që synon të sjellë në atdhe kujtesën, gjuhën dhe shpirtin e një komuniteti që ka ruajtur identitetin shqiptar për më shumë se pesë shekuj larg trojeve amtare.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Në projekt përfshihet edhe restaurimi i dy kishave simbol në qendrën historike të Vunoit.

“I vendosur simbolikisht në zemër të qendrës historike të Vunoit, pranë kishave të Shën Spiridhonit dhe Shën Mëhillit, projekti parashikon gjithashtu restaurimin e këtyre monumenteve të çmuara, duke e kthyer zonën në një ansambel mozaik të gjallë ku trashëgimia shpirtërore ndërthuret me muzealizimin bashkëkohor”- shkruan Ministria e Kulturës.

The post Muzeu i Arbëreshëve do të ngrihet në Vuno, Himarë appeared first on Gazeta Si.

A është fotografia art?

19 August 2025 at 10:21

Nga Gazeta “SI”– “Dita Botërore e Fotografisë” është caktuar data 19 gusht dhe është dita kur qeveria franceze bleu patentën për procesin daguerreotype në vitin 1839 . Louis Daguerre e zhvilloi këtë proces revolucionar fotografik, i cili më pas iu ofrua falas botës përmes patentës.  

Ndryshe nga fotografitë moderne, daguerreotypet realizoheshin në pllaka metalike të ngurta. Ishte sistemi i parë i suksesshëm komercial i fotografisë. Për shumë fotografë, kjo ishte pika e kthesës dhe hapi drejt krijimit të shumë llojeve të fotografisë.

Procesi daguerreotype është një proces fotografik që krijon imazhe shumë të detajuara mbi një pllakë bakri të veshur hollë me argjend. Në këtë ditë, pjesëmarrësit inkurajohen të ndajnë një foto të botës së tyre, e cila mund të jetë çfarëdo që fotografi zgjedh.

Në vitin 1839, u shpikën dy proceset e para fotografike komercialisht të praktikueshme: Daguerreotipi i Louis-Jacques-Mandé Daguerre dhe procesi negativ-pozitiv i William Henry Fox Talbot. Ato u paraqitën kryesisht si mënyra për të prodhuar regjistrime praktike të botës. Nga të dy, Daguerreotipi ishte më i popullarizuar për disa dekada, kryesisht për shkak se procesi i Talbot ishte i kufizuar nga patentat. Përmirësimet në metodën e Talbotit e bënë më pas Daguerreotipin të pavlefshëm .

Louis Daguerre

Portretet ishin një nga faktorët kryesorë për pranimin e hershëm të kamerave. Po si atëherë, ashtu edhe sot, njerëzit e shijonin mundësinë për të pasur fotografi të miqve, të dashurve dhe paraardhësve të tyre. Piktura e portretit ishte e mundur  vetëm për aristokratët dhe të pasurit. Në shekullin e 18-të, u zhvilluan disa alternativa të lira, si silueta, një përfaqësim i konturit të një individi, zakonisht e prerë me dorë nga një artizan në letër të zezë.

Daguerreotipi ofronte një mënyrë ekonomike për të krijuar një portret realist. Ai ishte shumë i ngadaltë dhe kërkonte që të mbaheshin kokat e subjekteve të fiksuara në vend për disa minuta, me një mbajtëse koke, ndërsa subjekti rrinte i palëvizur  në karrige. Megjithatë, shumë studio daguerreotipi u hapën dhe u bënë të zakonshme ndërsa teknologjia përmirësohej, dhe shumë portretistë kaluan në këtë teknologji të re.

“A është fotografia art?”

Artistët dhe kritikët debatuan për shumë dekada nëse fotografia është art. Tre përfundime  kryesore dolën nga ky debat.

Së pari, shumë njerëz besonin se fotografia nuk mund të ishte art, sepse ajo ishte krijuar nga një makinë dhe jo nga krijimtaria njerëzore. Që nga fillimi, artistët ishin të përbuzur ndaj fotografisë dhe e shihnin atë si një kërcënim për “artin e vërtetë.” Edhe në prezantimet e para të vitit 1839, piktori klasik Paul Delaroche thuhet shpërtheu me fjalët “Nga sot, piktura është e vdekur!” Dy dekada më vonë, poeti Charles Baudelaire shkruante, në një rishikim të Salonit të vitit 1859:

““Po të lejohet që fotografia të plotësojë artin në disa prej funksioneve të tij, ajo do ta zëvendësojë ose do ta korruptojë krejtësisht, falë budallallëkut të shumicës, që është aleati i saj natyral.”

Gjithsesi arritjet e fotografëve të kohës e bënë gjithnjë e më të vështirë mohimin e  kontributeve artistike të fotografisë e cila  kulmoi me “Ekspozitën e Buffalo-s,” të organizuar nga Alfred Stieglitz në Galerinë “Albright: në Buffalo, NY, ekspozita e parë fotografike në një muze arti amerikan, në vitin 1910. Fotografia u vulos si një formë arti.

The post A është fotografia art? appeared first on Gazeta Si.

‘Nën yjet e kinemasë’ e kthen ‘Piazza Maggiore’ të Bolonjas, në një nga kinematë më të mëdha në botë

18 August 2025 at 11:54

Nga Gazeta “SI”- Bolonja çdo verë shndërrohet në një sallë gjigande kinemaje nën qiell të hapur. Piazza Maggiore, sheshi kryesor i qytetit, mirëpret mijëra spektatorë për të ndjekur filma klasikë, restaurime të rralla dhe ngjarje unike, në kuadër të festivalit të famshëm “Sotto le stelle del cinema” ( Nën yjet e kinemasë)

Eventi zhvillohet këtë vit nga 16 qershori deri më 14 gusht 2025, për gjithsej 56 netë filmash. Programi ndërthuret shpesh me festivalin prestigjioz Il Cinema Ritrovato, duke sjellë jo vetëm filma artistikë e të dashur për publikun, por edhe restaurime të jashtëzakonshme dhe kinekoncerte të shoqëruara nga muzikë live.

Një nga veçantitë e këtij festivali është se hyrja është falas për të gjithë. Shfaqjet mbahen në gjuhën origjinale, të shoqëruara me titra në italisht dhe anglisht, duke e bërë përvojën të aksesueshme për vizitorë nga e gjithë bota. Atmosfera shpesh përshkruhet si “magjike”, e krahasuar me një prej kinemave më të bukura në botë.

Edicioni i këtij viti ka thyer çdo rekord me rreth 230 mijë spektatorë që morën pjesë në shfaqje, me një mesatare prej 4 100 spektatorësh çdo mbrëmje, edhe në netët kur shiu nuk mungoi. Ky numër e kthen Piazza Maggiore në një nga sallat më të mëdha e më të gjalla të kinemasë botërore.

The post ‘Nën yjet e kinemasë’ e kthen ‘Piazza Maggiore’ të Bolonjas, në një nga kinematë më të mëdha në botë appeared first on Gazeta Si.

‘Ferma e kafshëve’ mbush 80 vjet/ Pse George Orwell besonte se kafshët kanë ndjesi?

18 August 2025 at 10:43

Nga Gazeta “SI”- Romani “Ferma e kafshëve” (“Animal Farm”), i botuar në vitin 1945 nga George Orwell, mbush sot 80 vjet.

Çdo student i historisë ose i politikës e di se kjo vepër nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me kafshët. Sigurisht, personazhet kryesore janë derrat dhe kuajt, por siç na shpjegohet, fabula në të vërtetë është një alegori për Bashkimin Sovjetik dhe mënyrën se si idealet e komunizmit u deformuan nën sundimin e korruptuar të Josif Stalinit.

Vetë Orwell, i përfshirë në brezin e autorëve britanikë që flisnin hapur dhe pa drojë, nuk e kishte dëgjuar ende teorinë e Roland Barthes mbi “vdekjen e autorit” idenë se fjalët duhet të flasin vetë dhe qëllimet e autorit nuk kanë rëndësi. Megjithatë, Orwell e shpjegoi qartë se romani duhej lexuar si një rrëfim politik.

Po sikur t’i marrim kafshët më seriozisht?

Orwell e shkroi këtë vepër të shkurtër dhe tronditëse në një kohë kur konsiderohej shkencërisht e papranueshme që kafshët të kishin mendime ose ndjenja. Që nga viti 1859, kur Çarls Darvini theksoi lidhjen e ngushtë mes njerëzve dhe specieve të tjera, kishte një mundësi për të reflektuar mbi ngjashmëritë e thella mes tyre. Por në kohën e Orwell, psikologët e kafshëve këmbëngulnin në ekzistencën e një hendeku të pakalueshëm midis “njerëzve” dhe “kafshëve”.

George Orwell

Antropologët dhe studiuesit e shkencave shoqërore e përdorën shpesh këtë ndarje. Në vitin 1962, Claude Lévi-Strauss shkroi se kafshët “janë të mira për të menduar”, pra se përmes besimeve njerëzore rreth tyre mund të zbulohen vlerat e fshehura të shoqërisë. Sot, në epokën e krizës mjedisore dhe zhdukjes masive të specieve, kjo duket një qasje e kufizuar. Studimet bashkëkohore e kundërshtojnë idenë se kafshët ekzistojnë vetëm si burim për njerëzit.

Në të vërtetë, shumë kultura në botë kanë tradita të hershme të bashkëjetesës me kafshët, duke i njohur ato si qenie me personalitet dhe inteligjencë. Shoqëritë që jetojnë pranë specieve të tjera, madje edhe kur i gjuajnë, kanë zhvilluar aftësi për të kuptuar sjelljet e tyre në mënyrë të thellë.

Një projekt akademik në Britaninë e Madhe, i quajtur “Rimendimi i fabulave në epokën e krizës mjedisore”, po eksploron pikërisht këtë marrëdhënie. Ai synon të sjellë bashkë studiues, shkrimtarë e artistë për të krijuar përfytyrime të botëve të ndryshme të specieve ,  nga kuajt e deri te sorrat, minjtë apo merimangat , në mjedise gjithnjë e më të pasigurta.

Orwell dhe vuajtja e kafshëve

Në kohën e Orwell bujqësia industriale nuk ishte përhapur në përmasa të mëdha dhe njerëzit kishin ende njohuri të thella për kafshët. Shkrimi i tij i vitit 1936 mbi vrasjen e një elefanti në Birmani dëshmon shqetësimin e tij për vuajtjen e një kafshe reale.

Edhe në Fermën e Kafshëve, nisja e rrëfimit është pikërisht vuajtja e kafshëve nën sundimin e një fermeri mizor. Derr i moshuar, Plaku Major, i paralajmëron kafshët: “Secili prej jush do të japë jetën e vet në punë të lodhshme e të kotë.” Pavarësisht mëvonë tradhtisë së derrit Napoleon, kauza e kafshëve mbetet e drejtë dhe tirania njerëzore shihet si armiku i tyre i përhershëm.

Ëndrrat e kafshëve

Revolucioni i Orwell-it nis me ëndrrën e Plakut Major, i cili sheh një botë ku njeriu nuk ekziston më dhe kafshët jetojnë të lira. Një ide e tillë, në shekullin XX, konsiderohej absurde: kafshë që ëndërrojnë? Por çdo pronar qeni e di se kafsha e tij sheh ëndrra. Për dekada, shkenca e mohoi këtë realitet.

Në librin How Forests Think (2013), antropologu Eduardo Kohn argumenton se kafshët mendojnë, imagjinojnë dhe projektojnë të ardhmen e tyre,  një aftësi themelore për mbijetesën. Ai përshkruan sesi një majmun duhet të interpretojë tingujt e pyllit për të kuptuar nëse e pret rreziku apo jo. Kështu, bota e kafshëve është po aq e mbushur me kuptim sa edhe ajo e njerëzve.

Në Fermën e Kafshëve, ëndrrat përsëriten gjatë gjithë rrëfimit, por gradualisht zhduken kur fjalët marrin vendin e tyre. Rregullat e shkruara në hambar ndryshohen një nga një, duke justifikuar korrupsionin e derrave. Fjalët manipulojnë kujtesën dhe e deformojnë të kaluarën, duke e lënë botën e kafshëve pa ëndrra dhe pa shpresë.

Burimi: Theconversation.com

The post ‘Ferma e kafshëve’ mbush 80 vjet/ Pse George Orwell besonte se kafshët kanë ndjesi? appeared first on Gazeta Si.

Çfarë shkruante Viktor Hygo, në natën e vdekjes së Honore De Balzak

18 August 2025 at 10:16

Nga Gazeta “SI”- Honoré de Balzak, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XIX, lindi më 20 maj 1799 në Tours. Ai është krijuesi i veprës monumentale Komedia Njerëzore, një univers i gjallë ku përzihen fisnikë, borgjezë, mashtrues e kontesha, duke i dhënë letërsisë evropiane një pasuri personazhesh e temash të papërsëritshme.

Në një kohë kur romani nuk gëzonte prestigj, Balzaku iu përkushtua prozës me këmbëngulje, duke e ngritur atë në një art të madh. Pena e tij përshkruan me realizëm të mprehtë pasionet, ambiciet dhe plagët e shoqërisë franceze.

Sharl Bodleri do të thoshte se “të gjitha personazhet e tij janë të pajisur me zjarrin jetësor” , një reflektim i pasionit që e përshkonte edhe vetë autorin.

Edhe pse jeta e tij nuk ishte e lehtë  mes vështirësish ekonomike, dështimeve dhe lodhjes së pafundme  Balzaku mbeti një krijues i palodhur: romancier, gazetar, botues, kritik, sipërmarrës. Ai ndërtoi me vullnet dhe disiplinë një “katedrale librash”, që sot mbetet një nga dëshmitë më madhështore të letërsisë botërore.

Honore De Balzak

Balzaku u shua në Paris, më 18 gusht 1850, por trashëgimia e tij letrare vazhdon të ndriçojë botën e ideve dhe artit. Ai mbetet një dëshmitar i pakrahasueshëm i shpirtit njerëzor dhe një monument i pavdekshëm i letërsisë franceze.

Dhimbja e Hygoit për vdekjen e Honore De Balzak

Ishte mbrëmja e 18 gushtit të vitit 1850. Viktor Hygo kishte pak kohë që ishte bërë mik i Balzakut, tregon Stefan Cvajg, një mik i mirë, një mik që e përcolli deri në pragun e fundit tokësoren e këtij “shenjtori” pa altar. Ishte ai, që do të mbetej kontakti i fundit i një gjeniu. Një gjeni që do të fliste dhe do të kujtonte për një gjeni tjetër.

***

I rashë ziles. Hëna doli përmes reve. Rruga ishte e shkretë. Nuk u duk njeri. I rashë ziles për herë të dytë. U hap dera. U duk një shërbyese me një qiri në dorë.

“Ç’dëshironi zotëri?”

Ajo po qante. I tregova se kush isha. Më lanë të hyja në sallonin që ndodhej në katin e parë, ku mbi konsolë, përballë oxhakut është busti i madh prej mermeri i Balzakut, vepër e David D’Anzherit. Një qiri po digjej në tryezën e shtrenjtë në mes të sallonit, këmbëzat e së cilës përbëheshin nga gjashtë statueta të lara në flori, dhe të punuara me shijen më të hollë që bëhet. Hyri edhe një grua tjetër. Edhe ajo po qante.

“Ai po mbaron. Zonja Evelin iku në vendin e saj. Mjekët që dje i humbën shpresat. Ai ka një plagë në këmbën e majtë, i’u bë gangrenë. Mjekët s’dinë ç’të bëjnë. Hidropozia shkakton ënjtjen e këmbës. Mishi dhe lëkura duken si të prishura, prandaj është e pamundur të bëhet injeksion. Këtu e një muaj të shkuar zotëria u pengua në një mobilie të skalitur dhe u dëmtua. Që në orën 9 të mëngjesit ai nuk po flet më. E ëma dërgoi të thërriste një prift. Ai erdhi dhe e mirosi. Zotëria bëri një shenj që e kuptoi se ç’ndodhi. Pas një ore ai i dha dorën zonjës Dë Syrvil, së motrës. Ai ka që në orën 11 që po gulçon. Sontë mbaron. Në dëshironi, unë shkoj e thërras zotin Dë Survil. Ai s’ka rënë akoma për të pushuar”. dhe gruaja doli.

Unë prita disa çaste. Qiriri mezi ndriçonte mobilieritë e salloni dhe tablotë e mrekullueshme të Porbusit dhe të Holbanit që vareshin mureve. Busti i mermertë tundej në gjysmerrësirë si fantazma e një njeriu që po vdes. Një erë kufome mbushte shtëpinë. Hyri zoti Dë Syrvil dhe mi vërtetoi të gjithë ato që më kishte thënë shërbëtorja.

Ne kaluam nëpër korridor, i ngjitëm shkallët e shtruara me sixhade të kuqe dhe të stolisura me statueta, me vazo, me tabllo mureve. Prapë kaluam nëpër një korridor ku pash një derë të hapur. Dëgjova një gulç të fortë ogurzi.

Viktor Hygo

Hyra në dhomën e Balzakut. Shtrati i tij ishte në mes të dhomës. Ishte një shtrat prej druri të kuq me shufërza dhe rripa te koka e te këmbët, mjet për të ngritur të sëmurin. Balzaku dergjej në këtë shtrat dhe kokën e kishte mbështetur mbi një pirg jastëkësh, mbi të cilët kishte vënë edhe jastëkun me damask të kuq të divanit të dhomës. Fytyrën e kishte të mavijosur, thuajse të nxirë, të anuar djathtas, mjekrën të parruar, flokët e thinjur dhe të shkurtër. Sytë e hapur e të ngulët.

Një infermiere e moshuar dhe një shërbëtor qëndronin në dy anët e shtratit. Një qiri digjej mbi një tryezë aty pranë, kurse një tjetër në komonë afër derës. Shërbëtori dhe infermierja heshtnin me njëfarë frike dhe mbanin vesh gulçin e atij që po vdiste. Një erë e padurueshme dilte nga shtrati. Ngrita batanijen dhe kapa dorën e Balzakut. Ishte e djersitur. E shtrëngova, ai nuk i’u përgjigj këtij gjesti… Infermierja më tha: “Ndaj të gdhirë ai mbaron” Zbrita poshtë dhe mora me vete kujtimin e asaj fytyre të zbehtë. Kur po kaloja përmes sallonit, pashë sërish atë bustin e palëvizshëm dhe të ftohtë, krenar, të rrezatuar nga ajo dritë e vagëlluar dhe bëra padashur një krahasim midis vdekjes dhe pavdekësisë.

Ishte fundi, momentet e shterrimit të frymës së një gjeniu, i një njeriu të jashtëzakonshëm. Pak orë më vonë ai u dorëzua. Vdekja qe aq e mëshirshme sa të mos e linte më në atë gjendje, të vuante ende në atë tmerr. Kishte vdekur Honore de Balzak”

Ndërsa në varrimin e gjeniut, Hygoi mes të tjerash do të shprehej në fjalimin e lamtumirës:

“Zotërinj,

Njeriu që zbriti në këtë varr ishte një nga ata për të cilët, dhimbja publike mban kortezh. Në kohërat në të cilat ndodhemi, të gjitha trillimet janë zhdukur. Tani, sytë janë fiksuar jo më mbi kokat që mbretërojnë, por mbi ato që mendojnë dhe i gjithë vendi dridhet kur njëra prej këtyre kokave zhduket. Sot, zija popullore është vdekja e njeriut të talentuar; zija kombëtare është vdekja e njeriut gjenial.

Zotërinj, emri i Balzakut do të përzihet me gjurmën e ndritshme, që epoka jonë do të lërë në të ardhmen”

The post Çfarë shkruante Viktor Hygo, në natën e vdekjes së Honore De Balzak appeared first on Gazeta Si.

Dollia shqiptare, tradita që institucionalizon respektin dhe mikpritjen

16 August 2025 at 12:57

Gazeta “SI”- “…Të dashur dhe të respektuar miq, të gjithë të gëzuar dhe mirë se na keni ardhur! Ne jemi jashtëzakonisht të nderuar nga pjesëmarrja juaj, ndaj në shenjë dashurie dhe respekti dua të ngre një dolli me disa shëndete: shëndetin e parë, në krye të herës, e kam për çiftin e të sapomartuarve, për sebepçinjtë”; “dua të ngre një shëndet të dytë për krushqit që sollën nusen”…

Vetëm para pak ditësh, Dollia u shpall si vlerë kombëtare e trashëgimisë. Ky ritual si një nga elementët më të  rëndësishme të  traditës sonë, ka qënë dhe mbetet një nga kulmet e sëndërtimit të asaj çka mund të thuhet skaletë e gëzimeve familjare shqiptare.

Ky ritual kaq popullor në shtëpitë e shqiptarëve, shpesh është tejkaluar edhe nga vëmendja e studiuesve apo kulturologëve të cilët janë marrë gjërësisht me traditat shqiptare, duke mbetur disi në hije.

Kjo ka qënë dhe spuntoja e cila e ka shtyrë profesor Sherif Bundon, të shkruajë një monografi studimore mbi rolin e dollisë në jetën shoqërore shqiptare.

Në lbrin e tij “Dollia shqiptare, Institucioni shpirtëror i mikpritjes” Bundo paraqet me qartësi elemëntët e dollisë, që nga rregullat dhe nderimet që kryhen nëpërmjet saj e deri te hierarkia dhe roli insitucionalizues.

Rregulli i dollisë

Rregulli i dollisë në sofër është një institucion që garanton dhe institucionalizon vendin e nderit dhe të respektit për mikun në shtëpi, për vizitorin apo për të ftuarit në përgjithësi.

Në çdo sofër/tavolinë, në çdo gosti, në çdo dasmë, në çdo dialog, ka gjithnjë dy palë: pala pritëse dhe pala e ftuar.

Sipas traditës, pala pritëse bën maksimumin e mundshëm që të ftuarve, apo miqve, t’u bëhen të gjitha nderimet dhe ata të ndihen sikur janë në shtëpinë e tyre. Respektin dhe nderimin maksimal ndaj mikut, tradita shqiptare e ka të kultivuar në gjenezën e saj, e ka çështje të gjenit dhe të vazhdimësisë, e ka brumin e filozofisë së ekzistencës”

Hierarkia e vlerave dhe përgjegjësive në sofër

Në një darkë, në një odë të pritjes së miqve, në një sofër, tavolinë, në një festë, në një ngjarje, në një dasmë apo në një tjetër gëzim të çdo natyre, jo të gjithë të pranishmit kanë të njëjtin status.

Vetë familja shqiptare ka qenë dhe mbështetet te dashuria, te mirëkuptimi, te barazia dhe te hierarkia e vlerave dhe e përgjegjësive.

Ka një kryefamiljar, të cilin e respektojnë të gjithë, që luan rolin e timonierit dhe të përgjegjësit kryesor të familjes. Të paktën kështu ka funksionuar familja tradicionale shqiptare.

Etimologjikisht, termi kryefamiljar shpjegohet me përgjegjësinë që ka një njeri për personat që ka në ngarkim dhe detyrohet të kujdeset për ta (kuptohet, familja moderne ka “kushtetutë moderne”).

Por, ka me radhë edhe pjesëtarë të tjerë të familjes, të barabartë në të drejta, por me mosha të ndryshme, me gjini të ndryshme, me status civil të ndryshëm, me status arsimor dhe kulturor të ndryshëm, me status pasuror të ndryshëm.

Njerëzit janë të ndryshëm sepse lindin të tillë. Po kështu, brenda familjes jo të gjithë kanë talente të njëjta, janë njëlloj oratorë, janë njëlloj socialë apo njëlloj të ndjeshëm.

Ndërkohë që jeta, ndër vite dhe shekuj, ka diferencuar natyrshëm edhe personat me prirje, me talent, me aftësi fizike dhe trimërore të ndryshme apo me aftësi të mira dhe qëndrueshmëri të lartë rezistence, pse jo edhe ndaj alkoolit. Nga pala e të ftuarve, e miqve, ka gjithashtu një hierarki të nënkuptuar.

Monografia ” Dollia Shqiptare” botim i MediaPrint

Ka një renditje, një prioritet vlerash, një protokoll të heshtur, jo zyrtar, të gjithëpranuar, ka një diferencim të individëve që përfaqësojnë palën e të ftuarve.

Kur bëhet fjala për dasmën, pala e të ftuarve janë krushqit që vijnë të marrin nusen. Po t’i referohemi traditës, krushqit përbënin një kompozim shumë mirë të menduar dhe të harmonizuar individësh, të cilët kishin një mision të caktuar dhe vetëm nëse do të kombinoheshin shumë mirë cilësitë dhe karakteristikat individuale të tyre në gjithë grupin dhe ai të funksiononte si një ekip, si një bashkim kompakt dhe unik, misioni përmbushej me sukses dhe me dinjitet.

Gjeografia e dollisë

“Për këto arsye, institucioni i dollisë ka funksionuar më mirë në ish-Principatën e Muzakajve, në periudhën mesjetare të Bizantit, të viteve 1280-1444 (qarqet e sotme Berat, Gjirokastër, Vlorë dhe Korçë) apo në trojet e sotme të krahinave si: Skrapari, Dëshnica (Këlcyrë), Tomorrica, Turbohova dhe Potomi (rrethi i Skraparit); Cerja (Përmet); Dangëllia-Frashëri (Përmet); zona e Malëshovës (Këlcyrë), Zheperit dhe Çajupit apo Lunxhërisë (Gjirokastër) si dhe Opari, Kolonja, Leskoviku, Gramshi, Mbrakulla dhe Shpiragu (rrethi i Beratit); Mallakastra, Labëria, Bregu (i detit) si dhe Librazhdi e Pogradeci (Mokra, Gora) etj.

Sigurisht, elemente të dollisë hasen edhe në zona të tjera periferike të këtyre krahinave, por ato kanë qenë të pjesshme, sporadike, jorigoroze dhe në to dollia nuk ka funksionuar si institucion i mirëfilltë rregullator.

Në ngjarje të nivelit të lartë të mikpritjes, si dasmat, apo ceremonitë me pjesëmarrje në numër të madh të të ftuarve, dollia është përhapur si ritual që përdoret tashmë si traditë e mirë në të gjitha hapësirat shqiptare.

Dollia është pjesë e asaj etnokulture, e cila ka si tipar dallues unitetin kombëtar, të shprehur përmes diversitetit krahinor dhe lokal, të ngulitura kaq fort dhe të materializuara kaq mirë në ndërgjegjen e brezave, saqë krijojnë një atmosferë dhe emocion të paimagjinueshëm për cilindo që nuk e njeh dhe nuk e ka provuar atë”

Sherif Bundo

Pushteti i dollisë: rotacioni dhe përkohshmëria

Si fillon apo çelet biseda në një sofër/tavolinë ku konsumohet ushqim dhe alkool? Paraprakisht shtrohet sofra, ulen të pranishmit sipas hierarkisë, vendosen mbi sofër pjatat me mezetë, shërbehen gotat e rakisë për secilin, gjendet vendi i përshtatshëm për sakun dhe gjithçka është gati.

Në fillim e merr fjalën kryefamiljari, apo personi që është ulur në krye të palës pritëse, Kryezoti. Ai prezanton shkurt të pranishmit, një për një, sipas hierarkisë dhe vendit ku janë ulur, apo ku ndodhen, duke përmendur me dy fjalë lidhjet e gjakut, karakteristikat, punën që bën, funksionin që mban, vendin ku banon, statusin i martuar apo jo, numrin e fëmijëve, vlerat dhe meritat e çdonjërit.

Kur e mbaron këtë prezantim fton Kryemikun të bëjë të njëjtën gjë. Palët duhet të njihen mirë me njëra-tjetrën. Të pranishmit duhet të njohin këdo që është ulur në tavolinë.

Në sofër/tavolinë nuk mund të ketë dhe nuk ka një person të ulur për të cilin nuk kemi asnjë lloj informacioni apo njohjeje. Kjo nuk mund të ndodhë.

Pastaj, pasi mbaron ky prezantim, ku të gjithë të pranishmit familjarizohen me mjedisin dhe mësojnë edhe hierarkinë e secilës palë, përsëri kryefamiljari i palës pritëse, Kryezoti, me një gotë të vogël të mbushur zakonisht me raki, u uron miqve mirëseardhjen, shpreh kënaqësinë që ata janë të ftuarit e nderit, uron për shëndetin e mirë të tyre dhe të familjarëve apo të afërmve të tyre dhe i fton të ndihen mirë, të sigurt, të qetë dhe të festojnë sikur të ishin në shtëpinë e tyre.

Në njëfarë mënyre, psikologjikisht kjo shërben për të shkrirë akujt që krijohen nga mosnjohja, nga distanca, nga takimi për herë të parë dhe nga prezenca e shumë personave.

Ka një hezitim të natyrshëm në çdo takim të ri. Pas një pauze të vogël, 4-5 minuta, fjala kalon në palën tjetër dhe me një gotë raki, Kryemiku përshëndet dhe uron palën pritëse, të zotët e shtëpisë, për pritjen e ngrohtë dhe u uron që jeta e tyre të pasojë vetëm me të mira dhe gëzime

Dollia, jo e pranueshme per të gjithë

 “Ka njerëz që dollinë e përfytyrojnë në formën dhe versionin e saj më të deformuar dhe më të pasaktë, sepse nuk kanë pasur rastin të ndjekin një ceremoni të kompletuar në të gjithë elementet e saj, ku dollia të funksionojë si mekanizëm i plotë, si mekanizmat e sahateve zvicerane. Ka edhe një kategori tjetër të tipave njerëzorë, që nuk e pëlqejnë dollinë. Janë tipat introvertë, që nuk u pëlqen të dalin në skenë, nuk u pëlqen të evidentohen, nuk kanë dëshirë të bëjnë protagonistin, pëlqejnë të qëndruarit mbrapa perdes, të heshtur, edhe pse mund të jenë shumë të aftë dhe të saktë. Sigurisht, mund të mos kenë munguar rastet kur në sofra është abuzuar me konsumin e alkoolit. Por, pikërisht abuzimi me këtë të fundit ka ardhur prej mosnjohjes apo mosrespektimit të rregullave të dollisë”.

Institucion i respektit dhe mikpritjes

Rregulli i dollisë në sofër është një institucion që garanton dhe institucionalizon vendin e nderit dhe të respektit për mikun në shtëpi, për vizitorin apo për të ftuarit në përgjithësi.

Në çdo sofër/tavolinë, në çdo gosti, në çdo dasmë, në çdo dialog, ka gjithnjë dy palë: pala pritëse dhe pala e ftuar.

Sipas traditës, pala pritëse bën maksimumin e mundshëm që të ftuarve, apo miqve, t’u bëhen të gjitha nderimet dhe ata të ndihen sikur janë në shtëpinë e tyre.

Respektin dhe nderimin maksimal ndaj mikut, tradita shqiptare e ka të kultivuar në gjenezën e saj, e ka çështje të gjenit dhe të vazhdimësisë, e ka brumin e filozofisë së ekzistencës

Marrë me shkurtime nga studimi monografik “ Dollia Shqiptare, Institucioni shpirtëror i mikpritjes” i prof. Sherif Bundo. Botim i shtëpisë botuese “MediaPrint

Sherif Bundo është Profesori i Financave në Universitetin e Tiranës, Profesor i Ftuar i Financave dhe Kontabilitetit Financiar në Universitetin e Poitiers (Puatje), Francë. U diplomua për Financë dhe Kontabilitet në Universitetin e Tiranës, në vitin 1980. Ai është drejtues i projekteve evropiane Erasmus Plus. Lektor në Universitetin Publik të Prishtinës, në Universitetin e Shkodrës, në Universitetin e Vlorës dhe në atë të Korçës.

The post Dollia shqiptare, tradita që institucionalizon respektin dhe mikpritjen appeared first on Gazeta Si.

Kolë Idromeno, themeluesi i pikturës realiste shqiptare që projektoi Shkodrën moderne…

15 August 2025 at 11:36

Nga Gazeta “SI”- Kolë Idromeno  lindi si sot 165 vjet më parë, me 15 gusht 1860. Ai është një nga figurat më të rëndësishme të historisë së artit shqiptar dhe konsiderohet themeluesi i pikturës realiste në Shqipëri. Idromeno ishte një artist poliedrik: piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, siparist, muzikant e kompozitor. Lindi në Shkodër nga një familje me origjinë çame nga Parga, e cila ishte vendosur atje pas një periudhe në Korfuz. Në moshë të vogël, u ndikua nga puna e të atit si projektues dhe nga mjedisi kulturor i qytetit. Mësimet e para në art i mori në studion e fotografit të njohur Pjetër Marubi, duke hyrë herët në kontakt me fotografinë, mediumin më të ri të kohës.

Në moshën 15–16 vjeçare (1875) shkoi në Venecia ku studioi një periudhë të shkurtër në Akademinë e Arteve të Bukura dhe në studion e një artisti vendas, duke u njohur me traditën e rilindësve italianë. Pas kthimit në Shkodër (1878), Idromeno filloi të punonte në disa fusha njëherësh: pikturë, fotografi, arkitekturë e urbanistikë.

Në fushën e projektimit, ai dha një kontribut të madh në modernizimin e Shkodrës, duke ndërtuar dhe projektuar ndërtesa të rëndësishme si “Kafja e Madhe”, “Pjaca”, Xhamia e re e Parrucës, shtëpi banimi, rrugë dhe hapësira publike. Stili i tij arkitektonik solli elementë perëndimorë që kontrastonin me ndikimet orientale të shekujve të kaluar, duke i dhënë qytetit një pamje europiane që të huajt e vërenin menjëherë.

Në fushën e fotografisë, ai krijoi një fond të pasur prej mbi 1,300 negativësh në xham, ku dokumentoi jetën e Shkodrës dhe portrete të shumta. Puna e tij fotografike tregonte jo vetëm aftësi teknike, por edhe një sy të mprehtë artistik. Në vitin 1919, Idromeno u bë i pari që solli shfaqjet kinematografike në Shqipëri, duke e zgjeruar ndikimin e tij edhe në këtë art të ri.

Si piktor, Idromeno është autor i veprave të shumta që përfaqësojnë kulmin e realizmit shqiptar. Në vitin 1883, ai realizoi “Motra Tone”, një portret i motrës së tij që konsiderohet “Monaliza” e artit shqiptar dhe e para pikturë madhore realiste e vendit. Gjatë karrierës, ai krijoi edhe vepra të tilla si “Dasma shkodrane” (1924), “Dy rrugët”, “Bardhaj”, “Lugu i kaçakëve”, “Zezaku i Beldijes” (1924–1937), “Autoportreti”, “Portreti i një fshatari” dhe “Plaku i Postribës”, duke trajtuar tema që varionin nga portreti intim, peizazhi, skena të jetës qytetare e rurale, deri te subjektet historike dhe patriotike si “12 luftëtarët e Pargës në lundër”.

Stili i Idromenos ndërthurte realizmin me elementë impresionistë, duke përdorur penelata të lira, harmoni koloristike dhe ndjeshmëri të madhe ndaj dritës e hijes. Portretet e tij dallohen për natyrshmëri, butësi dhe spontanitet, larg pozimeve të sforcuara. Ai dinte të përqendronte dritën në figurë dhe të krijonte kalime delikate nga drita në hije, duke i dhënë portretit jetë dhe karakter.

Idromeno ishte gjithashtu një figurë e angazhuar patriotike. Në vitin 1878 u bashkua me Lidhjen e Prizrenit për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë dhe dhënien e Çamërisë Greqisë. Kontributi i tij në Rilindjen Kombëtare nuk kufizohej vetëm në art, por shtrihej edhe në mbështetjen e çështjes kombëtare. Vepra e tij artistike u prezantua në ekspozita të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit: Budapest (1898), Romë (1925, 1936), Bari (1931), Nju Jork (1939) dhe në ekspozitën e parë kombëtare në Tiranë (1931).

Kafja e madhe në Shkodër, projektuar nga Kolë Idromeno

Kolë Idromeno mbetet një nga artistët më kompleks dhe të plotë, në historinë e artit shqiptar, duke kontribuar në pikturë, arkitekturë, urbanistikë, fotografi dhe muzikë. Trashëgimia e tij artistike dhe qytetare është e dukshme edhe sot në Shkodër, ndërsa veprat e tij të famshme si “Motra Tone”, “Dasma shkodrane”, “Dy rrugët”, “Shkrepi i Ulqinit” dhe “Plaku i Postribës” janë “gurë të çmuar” të pikturës shqiptare të traditës. Ai la pas një stil unik që kombinoi realizmin humanist me lirshmërinë impresioniste, duke u bërë një figurë e pavdekshme e kulturës shqiptare.

The post Kolë Idromeno, themeluesi i pikturës realiste shqiptare që projektoi Shkodrën moderne… appeared first on Gazeta Si.

Dita e Shën Mërisë, festa që simbolizon shpresën dhe dashurinë hyjnore

15 August 2025 at 10:52

Nga Gazeta “SI”- 15 gushti është një nga datat më të rëndësishme të kalendarit kishtar, e kremtuar nga besimtarët e krishterë në mbarë botën. E njohur si “Fjetja e Hyjlindëses” në traditën ortodokse dhe “Ngjitja e Zojës në Qiell” në traditën katolike, kjo festë bashkon përplotësimin shpirtëror me gëzimin e shpresës për jetën e përjetshme.

Sipas besimit ortodoks, më 15 gusht përkujtohet çasti kur Nëna e Krishtit, e njohur si Hyjlindësja Mari, u nda nga jeta tokësore dhe u bashkua me Birin e saj në mbretërinë qiellore. Festa paraprihet nga dy javë agjërimi, si përgatitje shpirtërore për këtë ditë të shenjtë. Kjo ngjarje, që shpesh quhet edhe “Marrja”, përkujton vdekjen, ngjalljen dhe lavdërimin e Virgjërës Mari, duke shpallur se ajo “u mor” nga Perëndia në përmbushjen e ekzistencës së saj trupore dhe shpirtërore.

Në Shqipëri, Kisha Orthodhokse Autoqefale ka përcaktuar kalendarin e shërbesave dhe pelegrinazheve në të gjitha kishat dhe manastiret e kushtuara Fjetjes së Hyjlindëses. Ikonografia e saj është e pranishme në afresket e shumta të kishave anembanë vendit, duke qëndruar krah skenave të tjera biblike si Lindja e Virgjërës dhe Hyrja e saj në Tempull.

Ngjitja e Zojës në Qiell në traditën katolike

Në të njëjtën ditë, besimtarët katolikë kremtojnë Ngjitjen e Zojës në Qiell apo “Zojën e Madhe” siç njihet në kulturën shqiptare , një solemnitet që simbolikisht vendoset në mes të verës si periudhë çlodhjeje e ripërtëritjeje shpirtërore.

Kishat kushtuar Zojës së Madhe janë të shumta në trojet shqiptare: nga Barbullushi në Shkodër, Mamurrasi në Tiranë, Kaçë-Naraçi në Sapa, Gruda e Kollomza në Mal të Zi, Letnica në Karadak dhe Zymi i Hasit në Kosovë. Këto vende pelegrinazhi janë dëshmi të gjalla të identitetit shpirtëror dhe trashëgimisë fetare e artistike të shqiptarëve.

Më 1 nëntor 1950, Papa Piu XII shpalli si dogmë të zbuluar prej Hyjit të vërtetën e Ngjitjes së Marisë në Qiell, duke theksuar tri të vërteta themelore: të pamëkatshmen e saj, amësinë hyjnore dhe virgjërinë e përhershme. Maria, e përjashtuar nga mëkati që nga lindja, përjetoi lavdinë e ringjalljes së trupit, jo me forcën e vet si Krishti, por e tërhequr nga dashuria e Birit të saj.

Si në traditën ortodokse ashtu edhe në atë katolike, 15 gushti më shumë se një përkujtesë historike; është një thirrje për shpresë dhe për bashkim me Hyjin. Figura e Marisë, që mori pjesë në “virtytin e ringjalljes së Krishtit”, është për besimtarët modeli i përkryer i besimit, përulësisë dhe dashurisë së pastër.

Kardinali Léon-Joseph Suenens e përshkruante këtë ngjarje si “një predikim të qëllimit të fundit, një vizion të pasur me imazhe”, duke na kujtuar se shpirti është i pavdekshëm dhe se lavdia e trupit do të përmbushet në ringjalljen përfundimtare, ashtu si te Maria.

Në çdo kishë, ikonë dhe pelegrinazh kushtuar kësaj feste, besimtarët shohin kujtimin e një ngjarjeje të shenjtë, dhe premtimin në  të gjallë se jeta e përjetme është një realitet që na i hap dyert, vetëm nëpërmjet dashurisë hyjnore.

The post Dita e Shën Mërisë, festa që simbolizon shpresën dhe dashurinë hyjnore appeared first on Gazeta Si.

Rikthimi i Nënë Terezës në atdhe, pas dekadash refuzimi

14 August 2025 at 11:53

Nga Gazeta “SI”- Më 14 gusht 1989, aeroporti i Rinasit priti një vizitore të veçantë. Një grua e vogël në trup, e veshur me sari të bardhë me vija blu, hapi me kujdes hapat mbi tokën shqiptare pas shumë dekadash malli. Nënë Tereza, gruaja më e nderuar në botë, kishte ardhur për herë të parë në vendin e origjinës së saj. Që prej viteve të largëta kishte kërkuar leje për të vizituar Shqipërinë, për të puthur tokën ku kishte lindur dhe për të lutur mbi varret e nënës dhe motrës. Por kërkesat e saj, të dërguara në forma të ndryshme, përfundonin të arkivuara si dokumente sekrete në zyrat e Tiranës dhe përgjigja e vetme ishte heshtja.

Në atë kohë, vendi ishte ende nën regjimin komunist të Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës, të cilët me justifikime të ndryshme penguan ardhjen e saj për vite të tëra. Leja u dha vetëm pasi presioni ndërkombëtar u bë i pashmangshëm dhe pas një serie negociatash të kujdesshme diplomatike. Ishte ambasadori shqiptar në Itali, Dashnor Dervishi, ai që kishte ndërmjetësuar përmes takimeve dhe bisedimeve të gjata, duke përdorur çdo mundësi që i ofronte pozicioni i tij për ta bërë të mundur vizitën. Një ndihmë të çmuar dha edhe profesori arbëresh Giuseppe Catapano, mik i hershëm i ambasadës në Romë, i cili e përmendi i pari në bisedat zyrtare emrin e murgeshës shqiptare që kishte ndërtuar një nga komunitetet më të mëdha humanitare në botë.

Atmosfera ndërkombëtare e fundviteve ’80 po ndryshonte. Selia e Shenjtë, nën drejtimin e Papa Gjon Palit II, po luante një rol aktiv në përplasjen ideologjike të Luftës së Ftohtë. Papa, që në dhjetor 1980 kishte përfshirë gjuhën shqipe në urimin e tij të Vitit të Ri, e njihte nga afër figurën e Nënë Terezës dhe e mbështeti hapur dëshirën e saj për të vizituar Shqipërinë.

Kur më në fund avionët hapën dyert atë gusht të vitit 1989, Nënë Tereza zbriti e shoqëruar nga Dom Gjergj Gashi dhe ambasadori Dervishi. Ajo shkoi menjëherë të vizitonte varret e nënës dhe motrës, duke përmbushur kështu dy nga dëshirat më të hershme të saj. Vetëm pak muaj më vonë, më 14 shkurt 1990, iu dha edhe nënshtetësia shqiptare.

Historia e saj nis më 26 gusht 1910 në Shkup, ku lindi Anjezë Gonxhe Bojaxhiu nga babai Nikollë Bojaxhiu, me origjinë nga Mirdita, dhe nëna Drane Barnaj, nga Gjakova. Ajo përfundoi shkollën fillore dhe gjimnazin në qytetin e lindjes, duke treguar prirje për mësimdhënie, poezi dhe muzikë. Më 26 shtator 1928, e nisur nga thirrja e misionit fetar, u largua për në Indi, ku në Kalkutë kaloi fillimisht si mësuese dhe më pas si drejtoreshë shkolle. Në vitin 1951 themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë”, i cili do të shtrihej në të gjithë botën për t’u shërbyer të varfërve, të sëmurëve dhe të braktisurve.

Në vitin 1979, puna e saj e palodhur u vlerësua me Çmimin Nobel për Paqen. Në mesin e viteve ’80, misionet e saj në Kalkutë kishin nën kujdes mijëra fëmijë, të sëmurë, viktima të lebrozës dhe të moshuar të braktisur, duke bërë që emri i saj të kthehej në simbol të humanizmit.

Pas ndryshimeve politike në Shqipëri, Nënë Tereza u kthye disa herë, duke hapur shtëpi të Misionareve të Dashurisë në vitin 1991 dhe duke ruajtur gjithmonë lidhjen shpirtërore me vendin e saj. Ajo u nda nga jeta më 6 shtator 1997. Më 19 tetor 2003 u lumturua nga Papa Gjon Pali II dhe më 4 shtator 2016 u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u njohur përgjithmonë si Shën Tereza e Kalkutës.

Mesazhet e saj te paqes, prekën zemrat e miliona besimtarëve nëpër botë duke u shndërruar kështu në një nga figurat më frymëzuese të historisë së njerëzimit

The post Rikthimi i Nënë Terezës në atdhe, pas dekadash refuzimi appeared first on Gazeta Si.

Historia, simbolika dhe rikthimi në kohët moderne të mjekrës Vikinge

14 August 2025 at 11:52

Nga Gazeta “Si”– Me rrënjë të thella në kulturën e popujve nordikë, mjekrat vikinge  përfaqësonin burrërinë forcën dhe statusin shoqëror. Gjithashtu ato ishin tregues i  lidhjes me kastat luftarake. Sot, ato kanë kaluar kufijtë e historisë, duke u bërë pjesë e modës dhe identitetit personal në mbarë botën.

Në shoqërinë vikinge, mjekra nuk ishte vetëm një  element estetik i pamjes. Ajo shënonte kalimin nga djalë në burrë, përfaqësonte urtësinë dhe përvojën, dhe shpesh shihej si shenjë nderi tek luftëtarët më të shquar. Në mitologjinë nordike, perënditë kryesore si Odini dhe Thori  paraqiteshin gjithnjë me mjekra madhështore që simbolizonin pushtet dhe autoritet. Këto imazhe ndikonin fuqishëm në perceptimin dhe ndikimin shoqëror të mjekrave.

Figurat historike Ragnar Lodbrok dhe Erik i Kuq njihen jo vetëm për trimërinë e tyre, por edhe për mjekrat mbresëlënëse që u bënë pjesë e legjendave.

Vikingët mbanin stile të ndryshme mjekrash , nga mjekrat e gjata të gërshetuara, tek mjekra e plotë apo goatee-ja. Çdo stil kishte kuptimin e vet dhe kërkonte kujdes të vazhdueshëm. Për mirëmbajtje, ata përdornin krehëra prej kocke ose druri, gërshërë dhe vajra natyralë. Larja e rregullt dhe përdorimi i vajrave për butësi e shkëlqim ishin pjesë e përditshme e rutinës. Gërshetimi shtonte elegancën, por edhe mbronte mjekrën nga ngatërrimi gjatë punëve apo betejave.

Rikthimi në kohët moderne

Rritja e popullaritetit të mjekrave vikinge sot është nxitur nga seriale, filma dhe video-lojëra që e kanë sjellë epokën vikinge në kulturën popullore. Nga “Vikings” te “Thor”, imazhi i luftëtarit nordik me mjekër të gjatë është bërë simbol i forcës dhe guximit.

Për të arritur një mjekër të stilit vikinge sot, nevojiten muaj të tërë rritjeje, kujdes i rregullt dhe prerje për formë të njëtrajtshme. Produktet moderne si vajrat ushqyes, balzamat dhe dylli  ndihmojnë në mirëmbajtje, por edhe në mbrojtjen e lëkurës. Shampot e posaçme pastrojnë pa tharë flokun, ndërsa përbërës si vaji i jojobës, arganit dhe gjalpi i sheas forcojnë dhe ushqejnë mjekrën.

Mjekrat vikinge kanë ndikuar dukshëm në modën moderne të mjekrave, duke rikthyer stilin e gjatë dhe të plotë si një zgjedhje tërheqëse për shumë meshkuj. Ato kanë nxitur interesin për metodat tradicionale të kujdesit dhe kanë lidhur kulturën bashkëkohore me trashëgiminë historike.

Sot, mjekrat vikinge janë  fenomen që bashkon historinë, modën dhe identitetin personal. Nga betejat e lashta nordike deri tek rrugët e qyteteve moderne, ato vazhdojnë të përfaqësojnë forcën, individualitetin dhe lidhjen me rrënjët kulturore. Rikthimi i tyre dëshmon se disa simbole historike mbeten të pavdekshme ashtu si vetë legjendat.

The post Historia, simbolika dhe rikthimi në kohët moderne të mjekrës Vikinge appeared first on Gazeta Si.

Musine Kokalari – Shkrimtarja e parë disidente shqiptare

13 August 2025 at 14:24

Nga Gazeta “Si”– Musine Kokalari lindi më 10 shkurt 1917 në Adana të Turqisë, në familjen e njohur Gjirokastrite, të etur për dije dhe të përkushtuar ndaj vlerave kombëtare. Në vitin 1920, ajo u rikthye në Gjirokastër së bashku me familjen. Si fëmija më i vogël i familjes, Musineja u rrit me përkujdes të veçantë dhe shpejt tregoi një pasion të jashtëzakonshëm për letërsinë dhe folklorin shqiptar. Libraria “Venus”, e zotëruar nga vëllai i saj Vesim Kokalari në Tiranë, u bë një vend i rëndësishëm ku Musineja zhvilloi interesat e saj kulturore gjatë viteve ’30.

Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Tiranë, duke studiuar fillimisht në institutin “Qiriazi” dhe më pas në institutin e ciklit të mesëm “Nëna Mbretëreshë”. Në vitin 1937, artikujt e saj mbi problemet sociale u publikuan në gazetën “Shtypi” nën pseudonimin “Muza”. Më 1938, Musineja nisi studimet në Fakultetin e Letërsisë Moderne në universitetin “La Sapienza” në Romë, ku një vit më vonë botoi veprën e saj të parë letrare, “Siç më thotë nënua plakë”, një koleksion rrëfenjash të frymëzuara nga kultura popullore e Gjirokastrës, duke vendosur në qendër figurën e gruas dhe sfidat e saj në një shoqëri patriarkale. Ky libër konsiderohet vepra e parë e publikuar nga një grua shqiptare.

Gjatë qëndrimit në Itali, Musineja shkroi gjithashtu një fjalor Italisht-Shqip dhe një ditar të njohur si La Mia Vita Universitaria, ku përjetoi përvojat e saj si studente në një vend të përfshirë nga lëvizja fashiste. Në vitin 1942, ajo diplomoi me rezultate të shkëlqyera dhe u rikthye në Shqipëri, duke u angazhuar në lëvizjet antifashiste dhe antikomuniste.

Në Tiranë, Musineja kontribuoi në gazetën “Gruaja Shqiptare” dhe u bë pjesë e themelimit të Partisë Social Demokrate të Shqipërisë. Në vitin 1944, bashkë me Prof. Isuf Luzi, publikoi numrin e parë të gazetës së partisë, “Zëri i Lirisë”, dhe vazhdoi të promovojë idealet demokratike përmes librarisë “Venus”, një qendër intelektuale ku mblidheshin dijetarë dhe dashamirës të letërsisë.

Veprimtaria e saj letrare u pasurua me botimin e veprave “Rreth Vatrës” dhe “Sa u tunt Jeta”, si dhe me mbledhjen e legjendave dhe rrëfenjave nga mbarë Shqipëria, duke dokumentuar trashëgiminë folklorike kombëtare. Por, kjo periudhë frytdhënëse përkon me një kohë tragjike: forcat komuniste nisën një përndjekje të egër ndaj intelektualëve dhe patriotëve, duke vrarë dy vëllezërit e saj më të mëdhenj, Vesim dhe Muntaz, më 12 nëntor 1944.

Për bindjet e saj demokratike dhe përpjekjet për pluralizëm, Musine Kokalari u arrestua dy herë në nëntor 1945 dhe më 23 janar 1946, duke iu nënshtruar torturave të vazhdueshme. Gjatë procesit gjyqësor, ajo qëndroi e palëkundur, duke mbrojtur të drejtën për zgjedhje të lira dhe pluralizëm politik. U dënua me 25 vjet burg, nga të cilat kaloi 16 vite, si dhe u internua më pas në Rrëshen, ku punoi në kushte të vështira nën vëzhgimin e rreptë të regjimit.

Edhe nën tortura dhe persekutim, Musineja nuk e ndërpreu aktivitetin intelektual. Në fshehtësi, më 1972 përfundoi librin “Si lindi Partia Social Demokrate”, duke dokumentuar vizionin e saj demokratik dhe alternativën e progresit për Shqipërinë. Ajo vdiq në gusht të vitit 1983, e sëmurë dhe e braktisur nga shërbimet shëndetësore, duke lënë pas një trashëgimi të pasur kulturore dhe politike. Ndërroi jetë si sot 42 vjet më parë, në 13 Gusht të vitit 1983.

Musine Kokalari mbetet simbol i rezistencës intelektuale dhe politike, si disidentja e parë shqiptare, e cila guxoi të sfidonte tiraninë dhe të mbrojë liritë demokratike në një kohë kur ato ishin në rrezik të madh.

The post Musine Kokalari – Shkrimtarja e parë disidente shqiptare appeared first on Gazeta Si.

Rituali i frikshëm i dervishëve Rufai që i mbijetoi edhe diktaturës

13 August 2025 at 11:47

Nga Michel Setboun- “Allah, Allah, Allah…”kënga e adhuruesve përshkon dhomën ndërsa ata lëvizin para e mbrapa në një ritëm. Një pjesë janë gjysëm të zhveshur, me kapica të bardha, ndërsa të tjerët ndodhen në trance, teksa ngulin shkopinj të shkurtër në faqe, gjuhë, veshë dhe bark. Era e djersës mbulon qafën e tyre, por asnjë pikë gjaku nuk rrjedh. Zëri i vetëm që dëgjohet është emri i shenjtë i Allahut.

Ky ritual zhvillohet në një teqe të vjetër, e cila gjatë viteve të komunizmit ishte shndërruar në magazinë . Dhoma e vogël është e mbushur me njerëz, të cilët rrethojnë adhuruesit për të parë atë ritual i cilir ngjante se kishte humbur përjetësisht në të kaluarën.

Dervishët vazhdojnë këngën e tyre, ndërsa shkopinjtë, të ngrohur deri në të bardhë, lëvizen mbi trupat e tyre. Ata nuk duket se vuajnë; janë në adhurim përpara Perëndisë së tyre, për Muhamedin dhe profetin Ali. Këta janë Rufai, një nga dhjetëra sekte shiite që ekzistonin në Shqipëri para Revolucionit Kulturor.

“Allah, Allah, Allah…” thirrja e lirisë tingëllon nëpër dhomë. Dhurimi dhe vuajtja që ata vetes ia shkaktojnë sot janë simbol i një rilindjeje të besimit, një mënyrë për t’u ndarë me 26 vite diktature ku praktika e fesë ishte e ndaluar dhe dënohej me vdekje.

Në vitin 1969, pas një Revolucioni Kulturor të shpejtë dhe të dhunshëm, diktatori Enver Hoxha e shpalli Zotin të paligjshëm. Priftërinj katolikë, ortodoksë dhe mollahë u internuan në kampet e përqendrimit dhe u ekzekutuan. Kishat dhe xhamitë u shkatërruan ose u kthyen në magazina  e palestra. Zoti dukej i braktisur, dhe drita e diktaturës ishte e vetmja që shoqëronte popullin për dekada me radhë.

Ekzistenca e këtij sekti veçohet për veprimet e frikshme që kryejnë mbështetësit e tij si shpimet me shtiza në fytyrë apo në trup, kërcimet mbi xhama etj. Ky sekt daton shumë herët në vendin tonë.

Sot, rituali i dervishëve Rufai dëshmon një kthim të fuqishëm të besimit dhe një rilindje të traditës shpirtërore që rezistoi edhe gjatë periudhave më të errëta të historisë shqiptare.

Shenim: Michel Setboun është fotograf francez, i cili ka punuar për revista të njohura ndërkombëtare, si : “Geo”, “Figaro Magazine”, “New York Times”, “Life”, “Paris Match”, “Stern”.  Filloi të punojë si fotograf në vitin 1978 duke mbuluar konflikte ndërkombëtare për agjencinë SIPA, si Revolucionin në Iran, Luftën për Pavarësi në Angola, Afganistan, Luftën Iran-Irak dhe me vone luftën civile në Liban. Ndersa në periudhën kohore 1985-1991, ai mbulon reportazhet per Korenë e Jugut, Shqipërine, Mongolinë dhe Rion për agjencinë RAPHO. Që nga viti 1991 punon si fotograf i pavarur. Ka udhëtuar në më shumë se 130 vende. Ka marë çmimin e parë në World Press për reportazhin e tij për dy milionë refugjatët e dëbuar në Nigeri. Setboun është gjithashtu autor i librave të shumtë.

The post Rituali i frikshëm i dervishëve Rufai që i mbijetoi edhe diktaturës appeared first on Gazeta Si.

Zbulim i rrallë në Ulpianë: Mozaik kushtuar Perandorit Justinian dhe Teodorës

13 August 2025 at 10:37

Nga Gazeta “SI”- Arkeologët që kanë qenë duke punuar në Ulpianë, një qytet i lashtë në rajonin e Dardanisë në Kosovë, kanë zbuluar një mozaik të rrallë me dedikim për perandorin bizantin Justinian I (527–565 të e.s.) dhe bashkëshorten e tij, Teodora.

Zbulimi, i bërë publik nga Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, është i dyti i këtij lloji që gjendet në këtë sit gjatë viteve të fundit.

Ulpiana, një qendër e lulëzuar e provincës romake të Dardanisë, kishte njohur zhvillim të madh nga shekulli i parë deri në shekullin e gjashtë të erës sonë. Qyteti u shkatërrua nga një tërmet i fuqishëm rreth vitit 518 të e.s., por u rindërtua gjatë sundimit të Justinianit, i cili kishte lindur në këtë rajon.

Dy vite më parë, arkeologët zbuluan një mbishkrim që dokumentonte rindërtimin e qytetit si “Justiniana Secunda”. Ndërkohë, mozaiku i sapo gjetur përkujton ndërtimin e një bazilike episkopale dhe përbën një nga dedikimet e rralla të njohura për Justinianin në vendin e tij të origjinës.

“Ky është një zbulim që formëson historinë,” u shpreh ministri Çeku, duke e cilësuar atë si një “dedikim të fuqishëm nga Perandori Justinian” për qytetin e Dardanisë dhe kishën e tij. Sipas tij, ky është një hap i madh në pasurimin e njohurive mbi historinë e hershme të rajonit.

Gërmimi arkeologjik është kryer nga Christophe Goddard, Arben Hajdari  dhe Milot Berisha, në kuadër të një projekti kërkimor shkencor në Vendin Arkeologjik të Ulpianës.

Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vuri në dukje rëndësinë e këtij zbulimi. “Në rrënojat e qytetit romak të Ulpianës, jo larg nga Prishtina, arkeologët kanë bërë një gjetje interesante: një mbishkrim nga Perandori Justinian.  Një dëshmi e rrallë e lidhjes së tij me Dardaninë, vendin e tij të origjinës  dhe një shembull i bashkëpunimit të suksesshëm ndërkombëtar,” tha ai.

Ministri Çeku shtoi se mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë arkeologjike të Kosovës po trajtohet me një seriozitet të paprecedentë. Gërmimet në Ulpianë dhe Dresnik po zhvillohen në tokë publike të shpronësuar vitin e kaluar, duke mundësuar kështu kërkime më të gjera.

Ai theksoi se janë duke u zhvilluar përpjekje intensive për hartimin e planeve të konservimit dhe menaxhimit, forcimin e kapaciteteve profesionale nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe përmirësimin e studimeve dhe botimeve shkencore.

“Arkeologjia vazhdon të na sjellë historinë tonë. Ne vazhdojmë me përkushtim të kërkojmë dhe ta mbrojmë atë,” përfundoi Çeku.

The post Zbulim i rrallë në Ulpianë: Mozaik kushtuar Perandorit Justinian dhe Teodorës appeared first on Gazeta Si.

Zbulime arkeologjike në vendin e shenjtë etrusk

11 August 2025 at 11:58

Nga Gazeta “SI”- Gërmimet arkeologjike në Fanum Voltumnae, vendi i shenjtë qendror i federatës etruske, kanë nxjerrë në dritë objekte fetare të rralla që datojnë më shumë se 2,500 vjet më parë.

Sipas mediave italiane, në periferi të qytetit të Orvietos janë zbuluar dy koka deshësh prej guri, një kokë luani, altarë të mëdhenj dhe një rrugë e gjerë procesioni, të gjitha të ruajtura në gjendje të shkëlqyer. Ky kompleks u ndërtua në kulmin e epokës etruske, në shekullin e 6-të para Erës sonë.

Gërmimet, të udhëhequra që nga fillimi i viteve 2000 nga arkeologia Simonetta Stopponi, kanë sjellë në dritë një sërë objektesh që zbulojnë ritualet dhe besimet e popullit etrusk, një kulturë që mbizotëroi në Italinë qendrore nga shekulli i 9-të deri në shekullin e parë para Krishtit.

Origjina e etruskëve mbetet ende mister, me teori të ndryshme që i lidhin ata me Azinë e Vogël ose si një popull vendas që zhvilloi kulturën e vet. Analizat moderne të ADN-së nga rajoni i Toskanës japin mbështetje për prejardhjen aziatike.

Sot, ky zbulim i rëndësishëm në Fanum Voltumnae ofron një dritare të re në njohjen e një prej kulturave më enigmatike të antikitetit dhe rikthen në vëmendje rëndësinë historike të këtij vendi të shenjtë.

The post Zbulime arkeologjike në vendin e shenjtë etrusk appeared first on Gazeta Si.

‘Logu i bjeshkëve’- Tradita shekullore që kurorëzon më të bukurën e malësisë

11 August 2025 at 11:02

Nga Gazeta “SI”– Në zemër të Malësisë së Madhe, në Qafën e Predelecit të fshatit Lepushë, u zhvillua një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe më simbolike të traditës malësore: Logu i Bjeshkëve. Ky manifestim kulturor dhe historik mblodhi këtë vit një numër të madh pjesëmarrësish dhe vizitorësh nga e gjithë treva, ku pas një konkurimi të fortë, Aurora Lumaj, malësore nga Vukli i Kelmendit dhe me banim në Kanada, u shpall “Miss Bjeshka 2025”.

Logu i Bjeshkëve, një traditë me rrënjë shumëshekullore është një manifestim i pasurisë shpirtërore të Malësisë së Madhe, ku përfaqësohen veshjet tradicionale me xhubleta mbi 4000 vjeçare, këngët polifonike, vallet e lashta, instrumentet e lojërat popullore.

Aurora Lumaj

Historia e Logut të Bjeshkëve

Zgjedhja e vendit të Qafës së Predelecit në Lepushë nuk është rastësore. Ky vend ka një histori mbi tre shekullore kuvendesh dhe mbledhjesh fisnore, ku vendosej për paqen dhe luftën në Malësinë e Madhe. Alabanologu dhe studiuesi Franc Nopça e ka identifikuar këtë vend si një nga vendet kryesore të kuvendeve në këtë trevë.

Pamja nga Qafa e Predelecit është mahnitëse dhe vlerësohet si një kryevepër natyrore e Kelmendit dhe perlë e Alpeve Shqiptare. Në këtë vend, për shumë vite është kremtuar festa fetare e Shna Prendes më 26 korrik, me këngë, valle dhe lojëra popullore.

Në të kaluarën, “Logu i Bjeshkëve” zhvillohej si një ngjarje fetare ku vajzat e zonës garonin në bukuri dhe hijeshi, duke u vlerësuar nga komuniteti në një atmosferë festive. Kjo traditë, e njohur dikur si “Logu i Nuseve”, kishte karakter fetar dhe kulturore, ndërsa pjesëmarrësit visheshin me kostumet kombëtare të trevës, ku spikatnin xhubleta për gratë dhe çakçirët për burrat.

Në Log zhvilloheshin edhe lojëra popullore si loja për të fituar bajrakun (flamurin), loja me shami të kuqe dhe gjuajtja e shenjit me armë, që përbënte pikën kulmore të festës.

Ndërprerja dhe Ringjallja e Traditës

Gjatë periudhës së regjimit komunist, kjo traditë u ndërpre, pasi u konsiderua e papërshtatshme dhe u zëvendësua me festa ideologjike. Megjithatë, me rënien e regjimit në vitin 1990, dhe sidomos gjatë periudhës së pluralizmit në fund të viteve ‘90, “Logu i Bjeshkëve” u ringjall , duke rifilluar traditën dhe duke i dhënë asaj edhe elemente bashkëkohore.

Sot, Logu është bërë një manifestim me vlera të mëdha kulturore dhe artistike, ku bukuria e vajzave shoqërohet me prezantimin e trashëgimisë kulturore të Malësisë, duke u kthyer në një festë që bashkon brezat dhe ruan identitetin e malësisë së veriut.

The post ‘Logu i bjeshkëve’- Tradita shekullore që kurorëzon më të bukurën e malësisë appeared first on Gazeta Si.

‘Filmi i shtetit’ i Roland Sejkos, një ditar i diktaturës shqiptare

11 August 2025 at 10:30

Nga Gian Antonio Stella– Pra, vendimi është: “Të përjashtohet pas vdekjes nga partia Mehmet Shehu për fajet e rënda në kundërshtim me vijën”. Dhe më 17 dhjetor 1981, komiteti qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë, para propozimit për të dëbuar nga Olimpi komunist kryeministrin e sapovdekur dhe të nderuar pa reshtur  për shtatë qeveri e 27 vjet rresht, nuk kundërshton aspak.

Sigurisht, askush nuk kujton diçka të ngjashme që nga koha kur trupi i Papës Formoso, njëmbëdhjetë shekuj më parë, u nxor nga varri, u lidh në një karrige që të qëndronte drejt, u gjykua nga pasardhësi Papa Stefano VI dhe u dënua me vdekje (një vendim absurd, mbi një kufomë), e më pas u hodh në lumin Tiber…

Por si mund t’i thuhej “Jo” Enver Hoxhës, diktatorit më jetëgjatë në botë, tashmë në pushtet prej 37 vjetësh , 4 më shumë se Kim Il-Sung në Kore, 15 më shumë se Fidel Kastro në Kubë, 21 më shumë se Mobutu në Kongo? Lideri  Suprem vendosi: “Votojmë: kush është pro, ta ngrejë dorën”. Të gjithë. “Kush është kundër? Askush. Rroftë Partia!”.

Të ngrin gjakun “Filmi i Shtetit” i Roland Sejkos, prodhim i Istituto Luce-Cinecittà, që do të prezantohet më 14 shtator gjatë Festivalit të Filmit në Venecia. Pa zë jashtë kornizës, pa hyrje shpjeguese. Vetëm titra për të ndihmuar ndjekjen e një parade të jashtëzakonshme videosh propagandistike që flasin vetë. Pamje të xhiruara për dekada nga shërbëtorë të bindur të regjimit për të ndërtuar epopenë e atij satrapi të egër, këngëtar i stalinizmit.

Mes këtyre shërbëtorëve, siç tregoi vetë Sejko në filmin “Makina e imazheve e Alfredo C.” (fitues i “Nastro d’Argento” si dokumentari më i mirë në 2022), aty ishte edhe Alfredo Cecchetti, një kameraman italian i Institutit “Luce” i dërguar në Shqipëri për t’i bërë shërbimet Duçes italian, por pas 8 shtatorit dhe që në ’44 kaloi në shërbim të Duçes së ri shqiptar.

Regjisori, që prej tridhjetë vitesh jeton në Itali, por i lindur dhe rritur në vendin e shqiponjave, nga ku u largua me anijen e parë që u nis nga Durrësi drejt Brindisit në mars të 91, i kujton fare mirë  ato imazhe që plazmojnë adhurimin për Enver Hoxhën.

Lotët e dëshpëruara për vdekjen e despotit në 1985. Mercedesin e stërmadh tip 600, me 6 dyer që lëvizte me perdet e mbyllura dhe i vetmuar (makina private zero, të ndaluara me rreptësi) mes rrugëve të varfra, mes karrove, gomerëve dhe njerëzve që ecnin në këmbë, vetëm në këmbë. Apo marshimet festive me të rinj me kanotiere që mbanin në duar kazmat, simbolika të punës dhe ndoshta të kafkës së thyer të Lev Trockit. Apo stërvitjet e nxënësve me maskat kundragaz për t’i shpëtuar sulmeve toksike të kapitalistëve.

Pastaj gjimnastet tipike të Ballkanit që rrotullonin flamuj të kuq dhe përkuleshin para komandës, duke shkruar me trupat e tyre urime adhuruese për regjimin. Mësueset që i mësonin fëmijët, siç tregon dokumentari i Sejkos “Anija” që Partia Komuniste ishte një “kështjellë e pathyeshme”. Spektaklet teatrale që ngrinin lart, fillimisht mbështetjen për Bashkimin Sovjetik, pastaj miqësinë për Kinën e Maos, me aktoret shqiptare që i kishin trukuar sytë sipas modelit aziatik.

Eksperimente me eksplozivë mbi qen, mace, ketra. Ushtarë që dilnin nga pusetat për të indoktrinuar popullin. Rrugë plot njerëz që bënin gjimnastikë sipas shembullit të revolucionit kulturor kinez. Pastaj mijëra shqiptarë në gjunjë për një lutje ateiste (Hoxha, në arabisht “i ditur i Islamit”, por satrapi me origjinë myslimane do t’i ndalonte të gjitha fetë) për vdekjen e Stalinit.

Dhe gjithmonë, kudo, ai Lideri Suprem. Ai që bekon turmat. Ai në pishinë. Ai në vizita në fabrika. Ai në gjueti rosash. Ai i lumtur me Josif Stalinin, me Nikita Hrushovin, me Zhou Enlain teksa, pas prishjes me Titon, ndryshonte aleanca për të mbetur në pushtet. Gati të anatemonte “tradhtarët” e radhës: “Ëndrrat e liga të imperialistëve, titistëve, hrushovianëve dhe shërbëtorëve të tyre janë pluhurosur. Ndarja e pashmangshme me revizionistët sovjetikë dhe prova që partia jonë nuk bën kompromis me tradhtarët e parimeve të marksizëm-leninizmit”.

“Nuk bëmë aleancë me Kinën për pesë lecka, por për një bashkim revolucionar.. Mao Tse Dungut dhe shefave të tjerë kinezë u dhamë disa mendime. Kur pamë se Kina po zhytej gjithnjë e më shumë në revizionizëm…” Dhe ja, në fund të viteve ’70, mijëra teknikë kinezë u ngarkuan në autobusë drejt aeroportit. Deng Xiaoping? “Një fashist i ndyrë”. Objektivi: të lavdërohej “pastërtia” e komunizmit shqiptar,  në fakt, kulti i udhëheqësit. Nëse dikush bezdisej. Edhe sikur të ishte krahu i djathtë i tij: Mehmet Shehu u vetëvra. Gabimi i tij më i madh politik ishte të aprovonte fejesën e të birit me një vajzë që ka në fis, gjashtë apo shtatë armiq të shtetit”.

Romeo dhe Zhuljeta ballkanas? Por prit: “U gjetën dokumenta dhe prova të pakundërshtueshme që tregojnë se që nga fundi i luftës së parë botërore, Shehu punonte për shërbimet sekrete amerikane. Për më tepër: Gjatë luftës u rekrutua nga shërbimet sekrete jugosllave dhe nga shërbimi i KGB”. Helmi i fundit: “U shërbeu të gjithëve me zell”. Dhe ja ku u varros edhe shoku Mehmet, partizan që nga 36, me brigadat e Garibaldit në Spanjë.

Roland Sejko

Kështu ishte Enver Hoxha, autor i 40 librave mbi marksizëm-leninizmin, i cili pretendonte (rrejshëm) se ishte diplomuar në Montpellier dhe ishte i fiksuar të ndërtonte “komunizmin e vërtetë”. E paharrueshme në “Filmin e Shtetit” mbetet një skenë ku ai dëgjonte i zbehtë raportet e ministrave për mungesën e mallrave dhe rritjen e radhëve.

“Dolën shumë probleme komplekse dhe të pazgjidhura… Sasia e mallrave është pakësuar… Radhët në dyqane janë shtuar… Disa produkte ushqimore shiten me triska…”

Plak dhe i sëmurë, ndoshta i ndërgjegjshëm se përmendorja e tij do të shkatërrohej pas vdekjes mes revoltave plot urrejte, por ende padron i një regjimi që do të zgjaste edhe 6 vjet, e mbylli jetën në vilën e tij,  nen kujdesin e  bashkëshortes  Nexhmije. I mbështetur në kolltukun e tij, me flokët e shprishur dhe shallin e madh mbi qafë, kishte diçka nga portreti i Aristide Bruant, i pikturuar nga Toulouse-Lautrec. Një mjek që e njihte që nga vitet e rinisë në Francë tha: “Gjithmonë ka folur, menduar dhe ëndërruar frëngjisht”. Por një fjalë nuk e mësoi kurrë: liria”.

Burimi: Corriere Della Sera

The post ‘Filmi i shtetit’ i Roland Sejkos, një ditar i diktaturës shqiptare appeared first on Gazeta Si.

Zbulohet në Bullgari varri ‘luksoz’ i një luftëtari thrak

11 August 2025 at 10:05

Nga Gazeta “SI”- Arkeologët në jug të Bullgarisë kanë bërë një zbulim të rrallë: një varr luksoz që i përkiste një luftëtari të elitës thrake, i datuar në shekullin e 2 para Krishtit. Zbulimi u bë pranë fshatit Kapitan Petko Voivoda, në rajonin e Topolovgradit, gjatë punimeve për vendosjen e një kablloje elektrike.

Ekipi i Akademisë Bullgare të Shkencave, i udhëhequr nga arkeologët Vladimir Staykov dhe Deyan Dichev, me mbikëqyrjen e specialistes së njohur të kulturës thrake, Dr. Daniela Agre, gjeti një gropë varrimi të ruajtur në gjendje të shkëlqyer. Në të ishin eshtrat e një burri rreth 35–40 vjeç, i varrosur bashkë me kalin e tij të luftës,  një zakon i fisnikëve thrakë.

Varri ishte i pasur me sende të çmuara si një kurorë ceremoniale prej argjendi të veshur me ar mbi kokën e të ndjerit, një byzylyk dhe unazë argjendi, si dhe një fibulë e punuar me mjeshtëri. Armatimi përfshinte një heshtë hekuri, pjesën qendrore të një mburoje dhe një shpatë të lakuar greke (machaera) me dorezë të zbukuruar me ar dhe gurë gjysmë të çmuar.  Një gjetje unike për arkeologjinë bullgare.

Edhe kali ishte zbukuruar me pajisje luksoze. Medalione ari, argjendi dhe bronzi, të veshura me ar dhe të punuara në reliev me skena nga mitologjia greke, ku shfaqej Herakliu duke luftuar me gjigandin Antaeus.

Sipas arkeologëve, ky është viti i dytë radhazi që zona përreth fshatit Kapitan Petko Voivoda nxjerr në dritë zbulime të jashtëzakonshme. Vetëm një vit më parë, aty u gjet një tjetër varr fisniku thrak, i lidhur me forcat romake, po ashtu i pasur me armë dhe bizhuteri ari.

Specialistët besojnë se bëhet fjalë për një nekropol dinastik të elitave thrake të periudhës së vonë helenistike. Zbulimet ofrojnë dëshmi të rralla mbi jetën, zakonet dhe lidhjet e kësaj shoqërie të lashtë, ku traditat vendase ndërthureshin me ndikimin grek dhe romak.

Gërmimet vazhdojnë, dhe arkeologët shpresojnë të zbulojnë më shumë për pushtetin dhe marrëdhëniet ndërkulturore në Thrakën e lashtë gjatë një prej periudhave më të rëndësishme të historisë së saj.

The post Zbulohet në Bullgari varri ‘luksoz’ i një luftëtari thrak appeared first on Gazeta Si.

❌
❌