Një debat ka shpërthyer mes aktivistes konservatore Evi Kokalari dhe aktivistes për të drejtat e komunitetit LGBTQ+, Xheni Karaj, pas protestës të zhvilluar një ditë më parë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në mbështetje të Palestinës.
Evi Kokalari ka reaguar me tone të ashpra ndaj pjesëmarrjes së Karajt në protestë, duke e quajtur një “idiotllëk të financuar nga Soros dhe e majta ndërkombëtare”, ndërsa ka përfshirë në kritikat e saj edhe aktivisten e njohur suedeze Greta Thunberg.
“Fakti që Xheni Karaj dhe Greta Thunberg janë në krye të protestës tregon shumë mirë kush e financon këtë idiotllik.
Xheni Karaj ka marrë boll para nga Soros dhe organizata të majta për të shtyrë ‘të drejtat’ e homoseksualëve në Shqipëri dhe arriti deri aty që hidhte në gjyq për ‘diskriminim’ të krishterët që refuzonin që në një familje të hiqeshin emërtimet ‘nënë dhe baba’, e të zëvëndësoheshin me ‘prindi 1’ dhe ‘prindi 2’, pra Xheni Karaj është element që përdoret për degjenerimin total të shoqërisë civile nga ata të Davos
Greta Thunberg është produkt direkt i Partise së Davos dhe u përdor që kur ishte minorene.
Shto të gjithë ata që ju bashkuan këtyre sepse mendojnë se muhamedi i lindur diku nga shekulli i 7të, ka më shumë vlerë se Konstandini i madh, Justiniani, apo se mbreti Bardhyl dhe mbreti Agron dhe Gjergj Kastrioti, që ndërtuan themelet e këtij kombi.
Jam gati ti blej Xheni Karaj një biletë avioni (madje business) për të shkuar në Gaza dhe të bëhet ‘spokeperson’ për Hamasin dhe Gazën, të cilën e shkatërroi Hamasi vet, ama kur ta hedhin nga tarraca e ndonjë pallati sepse është GAY, mos të kërkoj ndihmë për t’u kthyer në atdhe.
Boll dëme po i bën shoqërisë tonë”,- shkruan Kokalari në rrjetet sociale.
Në përgjigje, Xheni Karaj e cilëson deklaratën e Kokalarit si plot urrejtje dhe paragjykim, duke theksuar se gratë si Kokalari janë rritur me “thërrimet e pushtetit patriarkal”, dhe nuk arrijnë të kapërcejnë “mediokritetin e qenies së tyre”.
“E dashur Evi,
Gratë si ti që janë mësuar të jetojnë me thërrimet që pushteti i burrave “konservatorë” dhe patriarkal ju hedh në tavolinë si lëmoshë, duke ju dhënë vetëm iluzionin se jeni të barabarta me ta nuk e tejkalojnë dot mediokritetin e qenies së tyre.
Kur bëhet fjalë për dhunimin dhe vdekjen e mijëra fëmijëve, grave e burrave të pafajshëm, ju heshtni, ose edhe më keq, lehni pas tastierës për të sharë e për të diskredituar ata që ngrihen për ti thënë jo vrasjes dhe vdekjes.
Ironia është se ti, e cila pretendon se po mbron “themelin e kombit” duke sulmuar një grua që mbron të drejtat e njeriut, në fakt po mbron vetëm privilegjet e atyre që historikisht na kanë mohuar historikisht ne grave çdo të drejtë, çdo vend, çdo zë.
Ti zgjedh të shpërfillësh faktin që unë dhe shumë të tjerë dalim në rrugë jo për t’u pasuruar nga “fondet e Davosit” apo “Soros”, por sepse besojmë se çdo jetë ka vlerë dhe se dhuna nuk justifikohet kurrë.
Kur përmend me lehtësi dhe ligësi të frikshme se do të më blesh një biletë për në Gaza, vetëm për të përmbushur fantazinë tënde perverse ku mua më hedhin nga tarraca e një pallati sepse jam lesbike, ti nuk po më ofendon mua.
Ti në fakt po zbulon më shumë skëterrën që ke brënda vetes tënde, të cilën e ke mësuar nga pushtetet e burrave që adhuron.
Mos u shqetëso për mua Evkë. Unë do të vazhdoj të jem këtu.
Do të vazhdoj të flas për të drejtat e grave, për të drejtat e fëmijëve, për të drejtat e njerëzve që shtypen nga të gjitha regjimet.
Do të vazhdoj të luftoj për një botë ku asnjë grua të mos dhunohet, heshtë e të përkulë kokën përballë urrejtjes.
E ti, e dashur Evi, nëse një ditë vendos të lësh mënjanë thërrimet dhe të ngresh kokën, ne do të jemi këtu.
Deri atëherë, vazhdo vill vrer e ushqehu me fantazi perverse sepse ne të tjerët do të vazhdojmë të bëjmë punën që duhet bërë për të krijuar një botë më të drejtë”, shkruan Karaj. m.p.