Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 July 2025Main stream

Startup-i i Mira Muratit, deri më tani vlerësohet 12 miliardë dollarë

By: Ke Si
16 July 2025 at 14:57

“Thinking Machines Lab”, startup-i i inteligjencës artificiale i themeluar nga Mira Murati, ish-shefja e teknologjisë në OpenAI, ka njoftuar se ka siguruar rreth 2 miliardë dollarë financime te reja, duke arritur një vlerësim prej 12 miliardë dollarësh ne tregun e teknologjise.

Në këtë raund financimi morën pjesë edhe gjiganti i çipeve për AI Nvidia (en-vi-dija), si dhe kompani të tjera të mëdha si Accel, ServiceNow, Cisco, AMD dhe Jane Street.

Ky investim i jashtëzakonshëm në një kompani e krijuar vetëm në shkurt të këtij viti, pa asnjë produkt ose të ardhur aktualisht, tregon fuqinë dhe besimin që Murati ka fituar në sektorin gjithnjë e më konkurrues të Inteligjences Artificake. Pothuajse dy të tretat e ekipit themelues të Thinking Machines përbëhet nga ish-punonjës të OpenAI. Murati deklaroi se:

“Jemi të entuziazmuar që në muajt në vijim do të ndajmë produktin tonë të parë, i cili do të përfshijë një komponent të rëndësishëm open source dhe do të jetë i dobishëm për studiuesit dhe startup-et që ndërtojnë modele të personalizuara.”

Murati u largua nga OpenAI në mënyrë të papritur në shtatorin e kaluar, dhe që atëherë është bërë pjesë e një grupi në rritje ish-ekzekutivësh që kanë nisur iniciativa të reja në fushën e inteligjencës artificiale.

Sipas një raporti nga PitchBook, entuziazmi i investitorëve për startup-et e AI-së mbetet i fortë, edhe pse ka pasur pikëpyetje rreth shpenzimeve në industrinë e teknologjisë. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2025, financimi për startup-e në SHBA u rrit me 76%, duke arritur në 162.8 miliardë dollarë, ku AI përbënte rreth 64.1% të totalit të vlerës së marrëveshjeve./e.t

Miratohet rregullorja e re e Kategorisë Superiore, ja cilat janë risitë e fazës “Final 4”

By: Ke Si
16 July 2025 at 14:44

Komiteti Ekzekutiv i FSHF ka miratuar rregulloren e re për fazën “Final 4” të kategorisë “Abissnet Superiore”.

Sipas rregullores së re në fazën “Final 4” do të luhen 6 ndeshje në total në 3 javë. Në fund të javës së tretë ekipi që ka grumbulluar më shumë pikë do të shpallet kampion i Superiores

Postimi i FSHF:

Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka miratuar propozimin e ri për ndryshimin e rregullores së kampionatin “Abissnet Superiore” për fazën “Final 4”.

Pas takimit konsultues me drejtuesit e klubeve, ku shumica shprehën mbështetjen për këtë propozim, Komiteti Ekzekutiv vendosi ta miratojë. Kështu, duke nisur nga sezoni 2025-2026, faza “Final 4” do të funksionojë sipas kësaj rregulloreje:

Kampionati është me 4 faza të rregullta, vajtje – ardhje.

Renditja pas 36 javëve përcakton pjesëmarrësit në Final 4.

Katër ekipet e para kualifikohen në Final 4.

Pikët në Final 4 do të përgjysmohen, duke marrë për bazë vlerën më të ulët.

Do të luhen në total 6 ndeshje dhe skema është e tillë:

Java 1

Vendi 1 vs Vendi 4

Vendi 2 vs Vendi 3

Java 2

Vendi 1 vs Vendi 3

Vendi 2 vs Vendi 4

Java 3

Vendi 1 vs Vendi 2

Vendi 3 vs Vendi 4

Të gjitha ndeshjet zhvillohen në stadiumin “Air Albania”.

Pjesëmarrësit në kompeticionet europiane përcaktohen nga renditja e Final 4.

Vendi 9 dhe 10 i “Abissnet Superiore” bie nga kategoria.

Vendi tetë i “Abissnet Superiore” shkon në “play out”.

Në rast barazimi pikësh midis dy ose më shumë ekipeve në fazën “Final 4”, renditja përcaktohet sipas kritereve në vijim:

– Pikët e grumbulluara në ndeshjet direkte gjatë kampionatit dhe fazës Final 4;

– Diferenca e golave (shënuar – pësuar) në ndeshjet direkte gjatë kampionatit dhe fazës Final 4;

– Diferenca e përgjithshme e golave në të gjithë sezonin (kampionati + Final 4)./e.t

Dënohet me 1 vit e 8 muaj burg rivali kryesor i Erdogan

By: Ke Si
16 July 2025 at 14:41

Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu është dënuar me 1 vit e 8 muaj burg, për veprat penale “fyerje publike” dhe “kërcënim” nga një gjykatë turke, këtë të mërkurë.

Pavarësisht dënimit me burg, Imamoglu i shpëtoi kufizimeve në aktivitetin e tij politik, e po ashtu u lirua nga akuza për “shënjestrimin e individëve që kanë shërbyer në luftën kundër terrorizmit“.

Konkretisht, Imamoglu u dënua me një vit, 5 muaj e 15 ditë burgim për “fyerje publike të një zyrtari publik” dhe dy muaj e 15 ditë për “kërcënime“.

Vlen të përmendet se ai përballej me një dënim maksimal me burg prej 7 vitesh e katër muajsh. Hetimi i prokurorisë kundër tij në këtë rast u urdhërua më 20 janar për deklaratat që ai bëri në një intervistë televizive në lidhje me kreun e Prokurorisë Publike të Stambollit, Akin Gürlek, dhe familjen e tij.

Seanca dëgjimore u zhvillua në Gjykatën e 14-të të Lartë Penale të Stambollit, e vendosur në kampusin e Burgut Marmara dhe zgjati afërsisht 45 minuta.

Ish-zëvendësministri i drejtësisë, Akin Gurlek, fillimisht si gjyqtar dhe më pas si prokuror, luajti një rol të rëndësishëm në gjyqe të mëdha që përfshinin ndjekje penale të figurave të opozitës, përfshirë dënimin e bashkëkryetarit të Partisë së Drejtësisë Popullore (HDP) pro-kurde, Selahattin Demirtas, dhe ndjekjet penale të kryebashkiakut Imamoglu dhe kryetarëve të CHP në bashkitë rajonale të Stambollit./e.t

Begaj dekreton lirimin nga detyra të ambasadores së Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare

By: Ke Si
16 July 2025 at 14:32

Presidenti Bajram Begaj dekreton lirimin nga detyra të Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), Besiana Kadare.

D E K R E T PËR LIRIM AMBASADORI NGA DETYRA

Në mbështetje të nenit 92, shkronja “dh”, nenit 93 të Kushtetutës, si dhe nenit 26, pika 2 të ligjit nr. 23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozim të Kryeministrit,
D E K R E T O J:

Neni 1

Zonja Besiana Kadare lirohet nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), rezident.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Rama thirrje qytetarëve: Denonconi noterët dhe avokatët që ju kërkojnë pagesë

By: Ke Si
16 July 2025 at 14:12

Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që të denoncojnë noterët dhe avokatit që ju kërkojnë pagesë për shërbimet në e-Albania.

“Është në shkelje të ligjit dhe mund të denoncohet pranë institucioneve përkatëse e sanksionohet deri në heqjen e liçencës”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se të gjithë qytetarët që kanë nevojë për asistencë në përdorimin e platformës e-Albania për shërbime të caktuara mund t’i drejtohen në çdo qytet zyrave të bashkive, si dhe njësive administrative përkatëse, për të marrë shërbimin e kërkuar falas.

“Të gjithë qytetarët që kanë nevojë për asistencë në përdorimin e platformës e-Albania për shërbime të caktuara, mund t’i drejtohen në çdo qytet zyrave të bashkive, si dhe njësive administrative përkatëse, për të marrë shërbimin e kërkuar, FALAS

Çdo subjekt privat (noter, avokat apo zyrë tjetër) që kërkon pagesë për shërbime të ofruara nga e-Albania është në shkelje të ligjit dhe mund të denoncohet pranë institucioneve përkatëse e sanksionohet deri në heqjen e liçencës”, shkruan Rama në facebook. /e.t

Skandal ajror! Një avion merret peng, mbyllet përkohësisht aeroporti

By: Ke Si
16 July 2025 at 14:09

Një avion i vogël privat u mor peng në Kanada të martën, duke detyruar autoritetet të bllokojnë përkohësisht hapësirën ajrore mbi Aeroportin Ndërkombëtar të Vankuverit një prej aeroporteve më të ngarkuara në vend.

Avioni i tipit Cessna 172, që përdoret zakonisht për trajnim të pilotëve, u ngrit në mënyrë të paautorizuar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Viktorias, përpara se të fluturonte në drejtim të Vankuverit dhe të fillonte të qarkullonte në mënyrë të parregullt në afërsi të aeroportit.

Sipas komunikimeve të publikuara nga platforma LiveATC.net, një kontrollor ajror njoftoi avionët e tjerë në zonë për situatën emergjente: “Kemi një avion të marrë peng që ndodhet në afërsi të aeroportit. Nëse ndodh ndonjë lëvizje e rrezikshme, ju keni të drejtë të veproni sipas gjykimit tuaj.”

Dëshmitarët në tokë panë avionin duke bërë manovra teksa fluturonte ne nje lartesi te ulet, ndërsa kontrollorët e trafikut ajror manovruan avionët e tjerë për të shmangur rrezikun. Një Boeing 737 i kompanisë WestJet, që po përgatitej për ulje, u urdhërua të ndërpriste procedurën për shkak se avioni “i rrëmbyer” i kaloi përpara në distancë të rrezikshme.

Pas disa minutash tensioni, avioni u ul i sigurt në aeroportin e Vankuverit, ku u rrethua menjëherë nga policia. Personi përgjegjës për rrëmbimin, i cili ishte vetëm në bord, u arrestua në vendngjarje.

Në një deklaratë zyrtare, autoritetet e aeroportit konfirmuan incidentin:

“Një incident sigurie me një avion të vogël privat në hapësirën ajrore pranë YVR shkaktoi një ndalim të përkohshëm të uljeve. Fluturimet hyrëse u pezulluan për 39 minuta dhe nëntë avionë u devijuan drejt aeroporteve të tjera.”

Policia dhe autoritetet kanadeze nuk kanë dhënë ende asnjë informacion mbi identitetin e të dyshuarit apo motivet e mundshme të këtij akti ndersa hetimet per ngjarjen vijojnë./e.t

5-0 për të na zbritur me këmbë në tokë! Europa nuk të fal…!

By: Ke Si
16 July 2025 at 13:35

Nga ERVIN BAKU

“Kujdes euforinë”, shkruaja 10 ditë më parë. Isha ndër shumë të paktët syresh, në mos i vetmi… Egnatia shkoi në Islandë me entuziazmin e kampiones së Shqipërisë dhe me entuziazmin e fitores minimale të ndeshjes së parë në Rrogozhinë. E panë veten menjëherë në Poloni, në përballjen me Lech Poznań. Humbja në Islandë nuk është thjesht një disfatë e rëndë. Është një shuplakë e thatë realiteti, një pasqyrë e pamëshirshme që na tregon se sa larg jemi nga Europa. Jo vetëm në kilometra, por edhe në futboll. Një kujtesë brutale se Europa është realitet, jo festë. Futbolli europian nuk është as dekor për kampionët tanë, as vend për të mbajtur fjalime krenare. Është testi i vërtetë i karakterit, cilësisë, përgatitjes dhe mbi të gjitha i përulësisë. Të cilën ne nuk e njohim fare.

Egnatia e fitoi me meritë të plotë kampionatin, Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë. Është sot forca e parë e futbollit shqiptar. Por suksesi shpesh kthehet në kurth, kur nuk menaxhohet siç duhet. Shkuan në Europë me medaljet në qafë, por pa armët e duhura. Breidablik nuk i fali asgjë. Ishte shumë më i përgatitur, shumë më i shpejtë, shumë më i organizuar dhe shumë më modern. Në fushë dukej sikur ndesheshin dy epoka të ndryshme.

Opinioni publik sportiv në përgjithësi dhe ai rrogozhinasit në veçanti e nënvlerësoi shumë, po shumë fare kundërshtarin. Shumë pak analizë. Shumë shumë vetëbesim. Dhe kjo frymë u fut edhe brenda në ekip. Egnatia hyri në ndeshje sikur emri “Islandë” mjaftonte për të qenë e thjeshtë. I “vuri në gjumë” edhe fakti që Drita e Kosovës i eliminoi vjet me dy fitore në Ligën e Konferencës. Por harruan shumë gjëra thelbësore… Harruan që vjet ishte pikerisht një ekip islandez që i nxorri nga skena europiane. Harruan që islandezët janë vikingë, vrapojnë si kuaj, të marrin frymën. Harruan që klubet islandeze janë “mace e zezë” për klubet shqiptare… Dhe dinë të luajnë futboll shumë mirë. E pamë mbrëmë, Breidablik ishte një skuadër me filozofi të qartë loje dhe disiplinë taktike që rrallë shihet në futbollin shqiptar. Kot nuk kanë shkuar në grupet e Ligës së Konferencës në sezonin 2023-2024. Edhe pse në grup regjistruan 6 humbje.

Disfata e mbrëmshme na zbuloi lakuriq një të vërtetë të hidhur: Kampionati shqiptar nuk i përgatit siç duhet klubet për ndeshjet ndërkombëtare. Ritëm i ulët. Cilësi e vakët. Struktura të dobëta. Përgatitje me standarde të mangëta. Kur je mësuar të fitosh në shtëpi sepse rivalët janë më të dobët se ti, e ke të pamundur të mbijetosh në një fushë ku çdo centimetër fitohet me gjak dhe djersë, ku çdo centimetër ka vlerë. Në Shqipëri, shpesh nuk fiton më i miri. Fiton më pak i keqi.

Dhe kur flasim për Europën, duam apo nuk duam, na kap nostalgjia… Mua të parin. Si moderator i Skënderbeut Europian të Shqipërisë. Klubi i vetëm shqiptar që ka ecur në Europë. Por nuk ndodhi rastësisht. Asgjë nuk ndodh rastësisht. Ishte produkt i një pune serioze, të vazhdueshme dhe me vizion. Skënderbeu ndërtoi një klub, jo thjesht një skuadër. Ai ekip e kuptoi se Europën nuk e fiton duke qenë kampion në Shqipëri, por duke menduar dhe punuar si europian.

Dhe derisa kjo filozofi të përqafohet nga klubet e tjera, rezultatet do të jenë të njëjta. Të hidhura, të shpejta dhe të përsëritura. Egnatia duhet të reflektojë. Ashtu si gjithë futbolli shqiptar. Nuk mjafton të fitosh këtu. Duhet të ndërtosh për të qenë dikushi edhe atje. Nëse nuk ndryshon ritmi, kultura, përgatitja dhe mbi të gjitha MODESTIA, humbjet si kjo në Islandë do të na ndjekin si hije. Në futbollin europian nuk të pyet njeri sa ke fituar dje. Të gjykojnë vetëm për atë që je sot.

Mori jehonë në të gjithë botën, personi me nanizëm rrëfen çfarë ndodhi në festën e Yamal

By: Ke Si
16 July 2025 at 12:52

Festa madhështore e futbollistit të Barcelonës, Lamine Yamal, për 18-vjetorin e lindjes është vënë nën hetim nga autoritetet spanjolle, mes akuzave për diskriminim dhe përfshirje të grave të përzgjedhura sipas kritereve fizike. Ndërkohë, një nga personat me nanizëm të ftuar si pjesë e argëtimit ka folur publikisht, duke hedhur poshtë çdo pretendim për keqtrajtim apo shkelje të dinjitetit.

Festa me temë “mafia” u mbajt në një vilë private, me të ftuar futbollistët Alejandro Balde, Gavi, Lewandowski, Raphinha, dhe figura të njohura si IShowSpeed, Charles Leclerc dhe këngëtarët Chimbala e Ozuna. Yamal ndau vetëm një minutë pamje nga festa, ndërsa të ftuarve iu ndalua të përdornin telefona apo kamera.

Skandali nisi kur modelja Claudia Calvo, ish-Miss “Teenager Spain”, deklaroi se ishte kontaktuar për të marrë pjesë në festë me pagesë, bashkë me 12 vajza të tjera bionde “me madhësi të caktuar gjoksi”. Ajo tha se u ofruan deri në 20,000 euro për 24 orë prani, por hoqi dorë pasi i dukën kërkesat të dyshimta.

Ndërkohë, Shoqata ADEE (Shoqata e Personave me Akondroplazi dhe Displazi Skeletore) reagoi ashpër, duke dënuar përdorimin e personave me nanizëm si argëtim dhe paralajmëroi padi nëse konstatohet shkelje e ligjit spanjoll për mbrojtjen e dinjitetit të personave me aftësi ndryshe.

Por një nga argëtuesit me nanizëm të pranishëm në festë, në një intervistë për RAC1, mbrojti Yamal dhe theksoi: “Askush nuk na ofendoi, na lanë të punonim të qetë. Kemi firmosur marrëveshje konfidencialiteti, por bëmë shfaqje normale: vallëzuam, dhamë shishe, bëmë magji.” Ai kritikoi drejtuesit e ADEE duke shtuar: “Ne nuk jemi majmunë në shfaqe. Duam të punojmë dhe na pengojnë.”

Sipas ligjit spanjoll, çdo shfaqje që përqesh ose nënvlerëson personat me aftësi ndryshe është e ndaluar dhe mund të ndëshkohet me gjoba nga 600,000 deri në 1 milion euro. Deri tani, Lamine Yamal nuk ka bërë asnjë koment publik mbi akuzat apo hetimin në vazhdim./e.t

Emërime të reja në burgje, zyrtarizohen drejtuesit e Peqinit dhe Elbasanit

By: Ke Si
16 July 2025 at 12:42

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka emëruar drejtuesit e rinj në Burgun e Peqinit dhe në Burgun e Elbasanit.

Kështu, në Burgun e Peqinit është emëruar drejtor Altin Ago. Kujtojmë se ky institucion i vuajtjes së dënimit ka qenë me drejtues të komanduar që prej Prillit 2025, pas dorëheqjes së ish-drejtorit Florenc Doka.

Ndërsa në Burgun e Elbasanit është emëruar drejtor Qazim Hoxha.

Emërimet e reja janë bërë një ditë më parë nga Drejtoria e Burgjeve.

Në lidhje me kontrollet në burgje, mesohet se janë kontrolle rutinë dhe verifikuese, pas shkrimeve që kanë dalë në media në lidhje me disa takime në Burgun e Reçit, të cilat deri më tani nuk janë verifikuar./e.t

“Shqipëria në BE”/ Marta Kos: Objektivi, mbyllja e negociatave deri në 2027

By: Ke Si
16 July 2025 at 12:09

Bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian po përparojnë me një ritëm të paprecedentë, duke shënuar një nga momentet më optimiste në rrugëtimin e vendit drejt integrimit europian.

Gjatë një deklarate në Parlamentin Europian, eurodeputetja Marta Kos theksoi se progresi i shënuar në muajt e fundit është dëshmi e angazhimit të fortë të Shqipërisë dhe mbështetjes së palëkundur nga BE.

Ajo nënvizoi se objektivi ambicioz për përmbylljen e negociatave deri në vitin 2027 është i arritshëm, por kërkon përfshirjen dhe përkushtimin e të gjithë shoqërisë shqiptare.

Bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë në BE po ecin më shpejt se kurrë më parë.

“Javën e kaluar në Parlamentin Europian, përsërita se përparimi në negociata është një tregues i qartë i angazhimit të dhe i mbështetjes së vazhdueshme nga.

Përfshirja e gjithë shoqërisë do të jetë thelbësore për arritjen e qëllimit të Shqipërisë për të mbyllur negociatat deri në vitin 2027”, ka shkruar Marta Kos në llogarinë e saj në “Facebook”.

Eurodeputetja Marta Kos , raportuese për Ballkanin Perëndimor ka ndarë dhe një video nga deklarata në Parlamentin Europian, ku ka ka vlerësuar ritmin e përshpejtuar të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE po përparojnë me një ritëm të paprecedentë, siç dëgjuam, me disa pika të rëndësishme që janë përmbushur tashmë gjatë muajve të fundit dhe të tjera që pritet të arrihen.

Shqipëria është angazhuar seriozisht në procesin e zgjerimit, ndërkohë që BE-ja po vepron duke respektuar qasjen e bazuar në meritë.

Ne vazhdojmë të mbajmë një fokus shumë të fortë te reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. Nga Shqipëria pritet të konsolidojë më tej përparimin shumë të mirë në këtë fushë.

Përparimi i shpejtë në negociatat e anëtarësimit është një sinjal i qartë se ne qëndrojmë pranë Shqipërisë dhe jemi realisht të përkushtuar për të përcaktuar një rrugë të qartë drejt anëtarësimit në BE.

Zgjerimi është një projekt që përfshin të gjithë shoqërinë, dhe për të arritur objektivin ambicioz, por realist të Shqipërisë për të mbyllur të gjitha kapitujt e negociatave deri në fund të vitit 2027, do të nevojitet angazhim i plotë nga e gjithë shoqëria shqiptare”, tha Marta Kos./e.t

Analiza/ Si po i nxit ndryshimi i klimës zjarret në Evropë?

By: Ke Si
16 July 2025 at 12:05

Zjarre të mëdha përfshinë këtë muaj disa vende mesdhetare, duke i detyruar mijëra banorë në Katalonjë të Spanjës të izolohen dhe duke rrezikuar qytetin e dytë më të madh të Francës, Marsejën.

Sa e rëndë është situata?

Që nga fillimi i vitit, zjarret dogjën 227.000 hektarë tokë – më shumë se dyfishin e mesatares për këtë periudhë gjatë dy dekadave të fundit, sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).

Megjithëse kjo shifër është shumë mbi mesataren, nuk është rekordi më i lartë në regjistrimet e EFFIS-it, që datojnë nga viti 2002.

 

 

Evropa përjetoi sezonet më të këqija të zjarreve në vitet 2003 dhe 2017, kur ato dogjën mbi 1.100.000 hektarë në secilin prej këtyre dy viteve – një sipërfaqe kjo e barabartë me ishullin e Xhamajkës.

Nuk dihet ende nëse 2025-a do të jetë një vit i rekordeve, pasi kjo varet nga mënyra se si do të zhvillohet sezoni i zjarreve në muajt në vijim.

Numri i zjarreve në Evropë u rrit ndjeshëm këtë vit – me 1.118 zjarre të regjistruara deri më 8 korrik, krahasuar me 716 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas EFFIS-it.

Vala e nxehtësisë në Evropë këtë muaj nxiti zjarre në rajonin e Mesdheut, përfshirë Sirinë, ku ato dogjën më shumë se 3% të mbulesës pyjore të vendit, sipas OKB-së.

Në ishujt grekë të Evias dhe Kretës, zjarret detyruan mijëra njerëz të evakuohen.

Megjithatë, shkencëtarët që i monitorojnë ato, thonë se zjarret në rajonin e Mesdheut ishin relativisht të izoluara, pavarësisht dëmeve që shkaktuan.

Çka i nxit zjarret?
Shkencëtarët thonë se verat më të nxehta dhe më të thata në rajonin e Mesdheut, e bëjnë atë shumë të rrezikuar nga zjarret në natyrë.

Pasi fillojnë, bimësia e thatë dhe era e fortë në rajon bëjnë që zjarret të përhapen shpejt dhe të dalin jashtë kontrollit.

Këtë rrezik e rrisin edhe ndryshimet klimatike, duke krijuar kushte më të nxehta dhe më të thata.

Në vendet që kufizohen me detin Mesdhe, kjo ndikoi që sezoni i zjarreve të niste më herët viteve të fundit, të thyheshin rekorde për intensitetin e zjarreve dhe të digjej më shumë tokë.

Emetimet e gazrave serrë, kryesisht nga djegia e qymyrit, naftës dhe gazit, e ngrohën planetin për rreth 1.3 gradë Celsius që nga koha para-industriale.

Sipas Organizatës Botërore të Meteorologjisë, Evropa u ngroh dy herë më shumë sesa mesatarja globale që nga vitet 1980.

Ngrohja e tillë bën që gjatë valëve të nxehtësisë, temperaturat të rriten më shumë. Dhe, për shkak të ndryshimeve klimatike, këto valë të nxehtësisë janë më të shpeshta.

Këtë e konfirmoi edhe Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike – një panel global i shkencëtarëve i Kombeve të Bashkuara.

Pjesa tjetër e verës
Vendet janë duke u përgatitur për zjarre më të mëdha.

Sipas EFFIS-it, temperatura më të ngrohta se mesatarja parashikohen në të gjithë Evropën gjatë gushtit, që do të thotë se rreziku i zjarreve do të mbetet i lartë në shumë pjesë të Evropës jugore dhe lindore.

Ndërsa në Evropën jugore priten reshje normale, pjesa tjetër e kontinentit pritet të jetë më e thatë se zakonisht në gusht, duke rritur kështu rrezikun e zjarreve edhe në rajone të tjera.

Qeveritë po përpiqen të përshtaten.

Greqia mobilizoi këtë vit një numër rekord prej 18.000 zjarrfikësish dhe ndryshoi taktikat dhe patrullat e saj, për t’i zbuluar zjarret më herët dhe për t’i kufizuar dëmet.

Faktorët tjerë që rrisin rrezikun e zjarreve, përfshijnë menaxhimin e pyjeve.

Në zonat rurale të vendeve si Spanja, ku popullsia po zvogëlohet për shkak të largimit drejt qyteteve, ka më pak njerëz që merren me pastrimin e bimësisë.

Kjo bën që materiali djegës të grumbullohet, duke krijuar kushte më të favorshme për zjarret.

OKB-ja kërkoi nga qeveritë që të investojnë më shumë në parandalimin e zjarreve, në vend se të përqendrohen kryesisht te reagimi pas shpërthimit të tyre.

OKB-ja paralajmëroi, gjithashtu, se ndryshimet klimatike pritet të rrisin numrin e zjarreve të rënda në botë deri në 14% deri në fund të kësaj dekade.

Sipas OKB-së, parandalimi i zjarreve mund të përfshijë djegiet e kontrolluara para sezonit të verës, për të pastruar materialin që nxit zjarret, si dhe rikthimin e zonave të lagështa dhe moçaleve./REL

“Lufta” kundër qumështit e hirrës!/ Po ato kontenjerët me drogë që zhdoganohen si banane?

By: Ke Si
16 July 2025 at 10:52

Myslim Murrizi ka komentuar aksionin e radhës të mazhorancës, këtë radhë kundër qumështit dhe bulmetit pa faturë.

Ai thotë se përpara se të bëhet kjo betejë, mirë është që të merren me kontenjerët me drogë, që sipas tij zhdoganohen në portin e Durrësit.

“Pas urdherit te sulltan Latifit jane hedhur ne veprim te gjithe sejmenet patronazhiste qe paguhen nga taksat e shqiptareve si qentë per kërma duke shpallur si “armik” te sulltan Hajdarit çdo qytetar qe ka ne dore shishe qumeshti, kosi, dhalle, hirre, djath, gjize, gjalpi apo te ngjashme me bulmetin.

Lejohen te konsumohet vetem qumesht pluhur dhe çdo produkt tjeter blektoral qe vjen nga jashtë e qe e sjellin zagarët e pushtetit.

Ehhhh sikur te kishte kete vullnet per te kontrolluar kontenjeret me droge qe zhdoganohen si banane ne Durres sa mire do ishte”, shkruan ai./e.t

Po digjte mbeturina në oborrin e tij, i moshuari përfshihet nga flakët dhe ndërron jetë

By: Ke Si
16 July 2025 at 10:48

Një 78-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë tragjike mëngjesin e sotëm në fshatin Fushë-Milot, pasi u përfshi nga flakët teksa ishte duke djegur mbeturina në bahçen e tij.

Viktima është identifikuar si Demer Haxhiu. Sipas burimeve paraprake, zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përfshirë trupin e të moshuarit.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse të Laçit dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes./e.t

Agjentja sekrete “Trumpenko”, Melania bëhet virale pasi ndikoi tek Trump lidhur me Putin

By: Ke Si
16 July 2025 at 10:38

Melania Trump pushton vëmendjen globale, dhe këtë herë jo për ndonjë look të ri apo event mondan, por ndikim konkret në politikën e jashtme amerikane. Pasi presidenti Donald Trump deklaroi se bashkëshortja e kishte shtyrë të rivlerësonte Putinin, rrjetet sociale në Ukrainë u mbushën me postime entuziaste mbi Melanian, mes memeve ironike e gjesteve dashamirëse. Shumë e portretizojnë si një lloj agjente të fshehtë në mision kundër Moskës, duke e pagëzuar si “Agjentja Trumpenko”.

Në një prej imazheve më virale e tregon zonjën e parë me një kapelë në kokë dhe një xhaketë me simbolin e tridentit ukrainas…Në një meme tjetër Melania shfaqet pas krahëve të së shoqit teksa firmos një dekret në zyrën ovale.

“Melania më bëri të hapë sytë. Kthehem në shtëpi dhe i them. Kam folur me Putinin, ishte fantastik. Dhe ajo më thotë: Vërtet? Ndërkohë kanë bombarduar një tjetër qytet”, tha Trump.

Kjo frazë e bashkëshortes së tij, sipas presidentit e kishte shtyrë te reflektonte mbi sjelljen e liderit rus. Deklarata ka nxitur diskutime si në frontin politik ashtu edhe në media, lidhur me ndikimin në rritje të zonjës së parë te zgjedhjet e Trump.

E lindur në Slloveni dhe e rritur në ish-Jugosllavi, bashkëshortja e Trump ka treguar në disa raste vëmendje të veçantë për vuajtjet e civilëve në konflikte. Në 2022 ajo kishte ftuar ndjekësit e saj të mbështesnin Kryqin e Kuq në mbrojtjen e ukrainasve në luftë, të cilën e quante të tmerrshme. Sipas disa vëzhguesve, backgroundi dhe familjariteti me realitetin në Europën Lindore mund të kenë pasur rol jo pak të rëndësishëm, në ndryshimin e linjës së presidentit amerikan./e.t

“Do ju rrëmbejë zemrën”/ Shqipëria në fokusin e agjencive të famshme turistike

By: Ke Si
16 July 2025 at 10:32

Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e agjencive ndërkombëtare turistike, të cilat e cilësojnë vendin si një perlë të fshehur të Ballkanit dhe një nga destinacionet më të nënvlerësuara në botë.

Në një postim të fundit të platformës së njohur turistike Mirio_Travel, Shqipëria përshkruhet si një vend që “absolutisht duhet vizituar të paktën një herë në jetë”. Me një vendndodhje unike mes detit dhe malit, vendi ofron një kombinim të rrallë të plazheve të egra me ujëra kristal dhe natyrës së paprekur malore, ideale për adhuruesit e aventurës dhe hiking-ut.

“Është vendi më i nënvlerësuar në botë dhe absolutisht duhet ta shkosh atje një herë në jetën tënde. E lokalizuar mes detit dhe malit, ky destinacion ofron një mixim unik i plazheve mahnitëse dhe natyrës së paprekur. Këto plazhe janë ende të egra me ujë të pastra kristal. Malet ofrojnë pamje që të lënë pa frymë dhe mundësi për hiking për ata që duan aventurat. Më pak e njohur se destinacionet e tjera të Europës, Shqipëria ka potencialin që të fitojë zemrën”, thuhet në postim.

Vazhdon vala e dorëheqjeve në Vlorë

By: Ke Si
16 July 2025 at 10:23

Në Vlorë vazhdon vala e dorëheqjeve. Pas dorëheqjes së drejtuesve të institucioneve në varësi të bashkisë së Vlorës, si dhe atyre në varësi të ministrive të linjës, kanë dhënë tashmë dorëheqjen edhe kryetarët e 5 rajoneve të qytetit, por edhe 4 administratorët e njësive administrative të qytetit. Të parët që kanë dhënë dorëheqjen kanë qenë kryetarët e rajoneve në Vlorë dhe më pas kryetarët e njësive administrative.

Siç mësohet, dorëheqja është pranuar edhe nga kreu i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, teksa ka nisur puna për zëvendësimin e tyre.

Deri më tani, siç bëhet me dije, nuk kemi dorëheqje të nënkryetarëve të bashkisë. Theksojmë këtu faktin që një prej tyre është emëruar në muajin maj dhe ka ardhur pikërisht nga radhët e të rinjve të FRPD-së në Vlorë./e.t

“Mos u ktheni”/ Mijëra të evakuuar në Gazën veriore, Izraeli lëshon urdhër për zhvendosje

By: Ke Si
16 July 2025 at 10:12

Forcat izraelite kanë lëshuar urdhra për zhvendosje me forcë për banorët e Jabalia-s dhe zonave përreth në Gazën veriore, duke paralajmëruar palestinezët të mos kthehen në këto zona, për shkak të operacioneve të intensifikuara ushtarake.

Të martën, sulmet ajrore izraelite shkaktuan të paktën 61 viktima palestineze, shumë prej tyre fëmijë, sipas burimeve mjekësore në terren.

Disa nga sulmet më të rënda u raportuan në qytetin e Gazës dhe në kampin e refugjatëve Shati, ku humbën jetën të paktën 23 persona.

Situata në Rripin e Gazës vijon të përkeqësohet, mes përshkallëzimit të dhunës dhe krizës humanitare në rritje, ndërsa komuniteti ndërkombëtar rinovon thirrjet për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve dhe mbrojtjen e civilëve./e.t

 

 

 

Nard Ndoka: Rama është çmendur, pas aksionit së tij fshihet diçka e madhe!

By: Ke Si
16 July 2025 at 10:07

Kreu i PDK Nard Ndoka e konsideroi sjelljen e kryeministrit Edi Rama në raport me kryetarët e bashkive si tejet të rrezikshme,  jashtë kornizave ligjore dhe kushtetuese.

Ndërsa i cilësoi shembjet në Theth si çmenduri, Ndoka tha që diçka më e madhe fshihet pas këtij aksioni, e cila do të dalë shumë shpejt.

Po ashtu Ndoka vuri në dukje se në Tiranë ka pallate dhe kulla pa leje, ndërkohë që Rama merret me Thethin.

“Ajo që po bën Edi Rama është e rrezikshme, sjellja e tij. Hyn në mandatin e katërt dhe po tregohet jashtë mase i rrezikshëm, jashtë kornizave ligjore dhe kushtetuese. Po shemb pushtetin lokal, që është pushtet më vete.

Ramiz Aliaj kishte një mendësi shumë më të avancuar se sa Rama sot për pushtetin. Ne Edi Ramën e kemi patur kryetar bashkie, ku ka treguar shenja agresiviteti dhe ka qenë tip regresiv që në atë kohë.

Shoqata e kryetarëve të bashkive ka qenë një autoritet i padiskutueshëm. Ky s’e ka atributin ligjor, ndërhyn dhunshëm dhe krijon shumë probleme. Fajin për keqqeverisjen e këtij vendi e ka ky.

Çdo faj që vërehet te mungesa e funksionimit të administratës lokale, është Edi Rama pas tyre, që kërkon t’i largojë që të shfryjë tullumbacen e tij.

Është e vështirë t’i japësh një përgjigje vendimit të një të çmenduri për Thethin, se kjo s’është mendje normale! Këtu ku ndodhemi ne janë me qindra pa leje, dhe Rama i di shumë mirë. Janë pallate, kulla pa leje, edhe merret me Thethin. Kjo s’bëhet kështu siç e bën ky.

Shkoi i mashtroi, i nxiti, ju tha që kthehuni nga jashtë, zhvilloni biznesin në tokat tuaja. Unë kam përshtypjen që po fsheh diçka më të madhe, do dalë shumë shpejt. Me këtë që bëri ky s’ka shpjegim tjetër.

Ky shkërmoqi autoritetin e shtetit në Theth, e bëri bandë terroriste. Ky është peng i një loje të madhe që do dalë. Ata s’kanë rrugë tjetër veç Kanunit, Kanuni i ka mbajtur ata. Duhet të kesh një vendim gjykate që të hysh ti”, tha ai për MCN.

Ndoka denoncoi se “banorët janë detyruar të paguajnë nën dorë 1 milion për të lidhur energjinë elektrike, 500 mijë për ujin, dhe të tjera para për t’u regjistruar si biznese, apo para për policët e zonës, bashkinë dhe inspektoriatin”./e.t

“Një në 10 fëmijë, i kequshqyer”/ Situatë dramatike dhe krizë humanitare në Gaza

By: Ke Si
16 July 2025 at 09:54

Një në çdo 10 fëmijë të kontrolluar në klinikat në Gaza të drejtuara nga agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, UNRWA, është i kequshqyer, ndërsa uria tek fëmijët rritet në të gjithë territorin për shkak të bllokadës së vazhdueshme izraelite ndaj ndihmës humanitare .

Kjo deklaratë vjen ndërsa raportimet vijojnë për mungesë ushqimesh, uji dhe medikamentesh.

“Pengimi ndëshkues i Izraelit për të ndaluar hyrjen e ndihmave në Gaza ka çuar në mungesa të rënda të furnizimeve me ushqim”, tha të martën shefi i UNRWA-së, Philippe Lazzarini.

Lazzarini tha se OKB-së duhet t’i lejohet të bëjë punën e saj në Gaza, veçanërisht duke sjellë “ndihmë humanitare në shkallë të gjerë, përfshirë edhe për fëmijët”.

Drejtoresha e komunikimit të UNRWA-së, Juliette Touma, u tha gazetarëve në Gjenevë nëpërmjet një videolidhjeje nga Amani i Jordanisë se “ilaçet, furnizimet me ushqim, materialet higjienike dhe karburanti po mbarojnë me shpejtësi”.

“Ndërsa kequshqyerja midis fëmijëve përhapet në të gjithë enklavën e shkatërruar nga lufta, UNRWA ka mbi 6,000 kamionë me ushqime, furnizime higjienike, ilaçe dhe furnizime mjekësore jashtë Gazës. Të gjitha presin të hyjnë”, shtoi Touma./e.t

Yesterday — 15 July 2025Main stream

Familja bllokonte parkimin e pallatit me blloqe betoni/ Arrestohet babai, nën hetim djali

By: Ke Si
15 July 2025 at 16:00

Një situatë absurdi është regjistruar në Tiranë, në rrugën “Ali Demi”, ku një familje bllokonte një hapësirë publike me blloqe betoni, përpara hyrjes së një parkimi në pallat.

Sipas policisë, kjo familje pretendonte për pronësinë mbi këtë hapësirë publike, dhe konfliktoheshin vazhdimisht me banorët e zonës që të mos parkonin automjetet.

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet disa ditë më parë për këtë ngjarje, duke arrestuar me 7 Korrik 2025, 67-vjeçarin B.D. për 4 akuza; të falsifikimit të dokumenteve, pengimit të qarkullimit të automjeteve, vetëgjysi dhe kanosje.

Atë periudhë, policia hoqi 2 automjete që përdoreshin për të bllokuar rrugën dhe u sekuestruan. Ndërsa sot u hoqën blloqet e betonit dhe nisi hetimi për djalin e 67-vjeçarit, 25-vjeçarin E.D.

Babë e bir akuzohen se kanë falsifikuar dokumentet për pronën që pretendonin se u përkiste dhe e bllokonin me vetëgjyqësi.

Njoftimi i Policisë së Tiranës:

Vijon puna e mirorganizuar policore, në koordinim të plotë me institucionet përgjegjëse, për lirimin e hapësirave publike, të zëna në kundërshtim me ligjin.

Lirohet një hapësirë në rrugën “Ali Demi” që ishte zënë nga familjarët e një 67-vjeçari të arrestuar rreth 1 javë më parë, për këtë paligjshmëri.

Procedohet penalisht djali i 67-vjeçarit.

67-vjeçari dhe familjarët e tij e zinin vazhdimisht hapësirën, me blloqe betoni dhe me automjete, si dhe konfliktoheshin me banorët e zonës që ata të mos parkonin automjetet.

Në kuadër të një procedimi penal, të regjistruar nga Prokuroria e Tiranës, për veprat “Falsifikimi i dokumenteve”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko- Financiare në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DPPSh-së, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë dhe me shërbimet e Drejtorisë së Mirëmbajtes së Trotuarëve dhe Zgarave bashkia Tiranë, ekzekutuan urdhrin për lirimin e një hapësire publike në rrugën “Ali Demi”.

Sot, nga hapësira u hoqën blloqet e betonit, ndërkaq, më parë, nga e njëjta hapësirë janë hequr dhe sekuestruar 2 automjete.

Për këtë rast, më datë 07.07.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, kanë vënë në pranga shtetasin B. D., 67 vjeç, ndërsa sot nisi procedimi në gjendje të lirë për djalin e tij, shtetasin E. D., 25 vjeç.

Ata akuzohen se kanë falsifikuar dokumente në lidhje me pronësinë mbi këtë hapësirë publike, të cilën me vetëgjyqësi e zinin vazhdimisht, me objekte të ndryshme.

Gjithashtu, ata konfliktoheshin me banorët e një pallati në këtë rrugë, që këta të fundit të mos parkonin automjetet.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./E.T

❌
❌