Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 August 2025Main stream

Çmenduri! Foshnja lind nga një embrion i ngrirë përpara 30 vjetësh

By: el da
31 July 2025 at 22:58

Një çift nga Ohio ka sjellë në jetë një djalë të shëndetshëm nga një embrion i ngrirë për më shumë se 30 vjet, duke vendosur një rekord të ri botëror.

Lindsey, 35 vjeç, dhe Tim Pierce, 34 vjeç, mirëpritën djalin e tyre, Thaddeus Daniel Pierce, të shtunën. Znj. Pierce i tha revistës MIT Technology Review se familja e saj e konsideronte këtë ngjarje “si diçka që të kujton një film fantastiko-shkencor”.

Besohen se kjo është periudha më e gjatë që një embrion ka qëndruar i ngrirë përpara se të rezultojë në një lindje të suksesshme. Rekordi i mëparshëm mbahej nga një palë binjakësh që lindën në vitin 2022 nga embrione të ngrira në vitin 1992.

Çifti Pierce ishte përpjekur të bëhej me fëmijë për shtatë vjet përpara se të vendoste të adoptonte një nga embrionet që Linda Archerd, 62 vjeç, kishte krijuar me ish-bashkëshortin e saj në vitin 1994 përmes fertilizimit in vitro.

Në atë kohë, znj. Archerd kishte krijuar katër embrione: njëri prej tyre u bë vajza e saj, sot 30 vjeçe, ndërsa tre të tjerët u ruajtën në ngrirje. Edhe pas ndarjes me bashkëshortin, ajo nuk pranoi t’i shkatërronte embrionet, por t’i dhuronte për kërkime, apo t’i jepte në familje për adoptim.

Për dekada, znj. Archerd pagoi mijëra dollarë për ruajtjen e embrioneve, deri sa gjeti një agjenci të krishterë për birësimin e tyre, Nightlight Christian Adoptions, që drejton programin Snoëflakes – një nga iniciativat më të njohura të këtij lloji në SHBA.

Programi u jep donatorëve të drejtën të zgjedhin çiftin që do të adoptojë embrionin, sipas kritereve të tyre fetare, racore apo kombëtare. Znj. Archerd kërkoi një çift të martuar, kaukazian, të krishterë dhe banorë në SHBA. Kështu ajo u përputh me familjen Pierce.

Klinika e fertilitetit Rejoice Fertility në Tennessee, ku u krye procedura, tha se qëllimi i saj është të transferojë çdo embrion që pranohet, pavarësisht moshës apo cilësisë.

Lindsey Pierce u shpreh se ajo dhe bashkëshorti nuk synonin të thyenin rekorde: “Thjesht donim të kishim një fëmijë”. m.p.

Një mandat, dy fise, zero shpresë! Telenovela Lapaj-Shabani diskreditoi të rinjtë

By: el da
31 July 2025 at 22:41

Adriatik Lapaj ndërroi sërish mendje! Përpara ditës së zgjedhjeve tha që nëse koalicioni do merrte vetëm një mandat, ai nuk do ta pranonte atë. Pastaj, pasi koalicioni siguroi vetëm një mandat, duket se lakrorit ju hapën petët. Dhe u pa qartë që brumi i partive të të ardhmes ishte gatuar mbi aleancat e fiseve të Lapajt dhe Shabanit. Diku Lapaj ankohej për dajën e Shabanit dhe menjëherë më pas Shabani thosh që Lapaj i paskësh kërcënuar dajën.

Diku Lapaj dilte prapë me statuse publike ku i kërkonte Shabanit të lëshonin të dy mandatin e ai t’i kalonte të dytit më të votuar në listë të hapur, duke deklaruar kështu për të dytën herë publikisht që ai, Lapaj pra, nuk do e pranonte mandatin. Beteja e tezeve dhe dajave u bë argëtimi i vapës së Qershorit dhe Korrikut të të gjithëve. Mes gjithë thirrjeve që pasoheshin nga mallkimi i rradhës, sot Adriatik Lapaj ka depozituar në KQZ një ankesë ku kundërshton vendimin e marrë nga KQZ që duket se i jep mandatin një kushërire të Lapajt. Kushërira me sa duket paska dhënë dorëheqjen nga dorëheqja njësoj si daja i Shabanit. Lajmi i ri tashmë është që jo veç fisi i Shabanit, por edhe fisi i Lapajt, aplikuan të njëjtin model dorëheqje nga dorëheqja. Shef rrushi rrushin edhe piqet!

Me fjalë të tjera, nëse ndjekim kronologjitë e deklaratave, fisi i Lapajt u mblodh dhe pasi u njoh me mënyrën sesi veproi fisi i Shabanit, e vlerësoi si ligjore zgjidhjen dhe zgjodhi përfaqësuesen më të mirë mes vetes, të cilës ju dha leja të dorëhiqej nga dorëheqja. Kështu dukej deri dje. Por sot, shefi i fitueses së mandatit të “Shqipëria Bëhet” ka depozituar një ankesë në KQZ ku kërkon që të mos njihen dorëheqjet nga dorëheqja dhe që mandati t’i kalojë atij vetë. Përfshirë dorëheqjen e kushërirës nga dorëheqja. Këtu duhet thënë që është e qartë që Lapaj fisin e vet e paska më në kontroll sesa Shabani të vetin. Nëse nuk do ishim duke trajtuar një çështje kaq serioze si zgjedhjet për Kuvendin, mund ta përgëzonim Lapajn për autoritetin që gëzoka brenda fisit. Por meqë çështja është e një rëndësie kapitale, në pritje të vendimmarrjes së KQZ mbi betejën e fiseve që ka marrë trajtën e sherreve pas çdo divorci, një gjë është e qartë:

Kjo nuk po ndodh as për faj të Ramës e as do të thotë që pas kësaj Berisha është opsioni më i mirë. Ajo që u reklamua si zgjidhje e të rinjve në politikë e që do sfidonte politikën e vjetër, rezultoi si zhgënjimi më i hidhur i atyre që ju besuan. Në zgjedhje mundet edhe të humbësh, mundet edhe të mos marrësh rezultatin që shpresoje. Por kjo e Lapaj-Shabanit nuk mund të quhet më humbje, por katastrofë e cila në 95% u gatua nga vetë ata. Votuesi me inteligjencën e vet, thjesht i dha këtij koalicioni vetëm një mandat — aq sa duhej për t’i vënë në provë liderat e politikës së re. Nga kjo provë, ata dështuan për fat të keq, duke shkatërruar si dëm kolateral shinat nga mund të nisej treni i partive të reja. (Shkruar nga VNA.al) m.p.

Jahti sekret i Bill Gates del në shitje, kushton 645 milionë dollarë

By: el da
31 July 2025 at 22:33

Një nga jahtet më të jashtëzakonshme të ndërtuara ndonjëherë, i quajtur Breakthrough, pritet të dalë për herë të parë në shitje gjatë Monaco Yacht Show në muajin shtator. Me një gjatësi prej 119 metrash dhe një çmim marramendës prej 645 milionë dollarësh ky superjaht luksoz është ndërtuar nga kompania holandeze Feadship dhe është projektuar për të qenë “mjeti lundrues më miqësor me mjedisin në botë”.

I ndërtuar me teknologjinë më të fundit dhe i pajisur tërësisht me sistem lëvizës me hidrogjen të lëngshëm dhe qeliza karburanti të gjeneratës së re, Breakthrough është promovuar si jahti i parë “net zero”, që nuk lëshon ndotje në atmosferë. Hidrogjeni ruhet në bord në temperatura -253°C dhe energjia që prodhohet prej tij ngroh pishinat, dhomat me avull, dhe madje edhe peshqirët në dhomat e miqve.

Jahti ka kapacitet për të akomoduar 30 të ftuar në 15 kabina, të shërbyer nga një ekuipazh prej 43 anëtarësh. Zona e pronarit është ndërtuar si një rezidencë private katërkatëshe, e pajisur me dy dhoma gjumi, dy banja, një palestër, dy zyra me oxhakë, një bibliotekë dhe një ashensor personal. Brenda tij gjenden gjithashtu një kinema, disa vaskë me hidromasazh, një pishinë “infinity”, një fushë basketbolli dhe madje edhe një spital privat.

Pjesa e brendshme është realizuar me materiale luksoze si lëkurë, mermer dhe dru lisi të zbardhur, për të krijuar një atmosferë elegante bregdetare. Ballkonet janë të fshehura dhe dalin automatikisht me shtypjen e një butoni, ndërsa pesë kuvertat mbi ujë dhe dy nën të ofrojnë hapësira të pafundme për relaks dhe argëtim.

Edhe pse shpesh është përfolur si pronë e miliarderit Bill Gates, i cili e kishte porositur jahtin në vitin 2021, raportohet se themeluesi i Microsoft nuk ka hipur kurrë në bord. Megjithatë, lidhja e tij me projektin “821”, siç është quajtur gjatë ndërtimit, është përmendur gjerësisht në media. Sipas raportimeve më të fundit, jahti pritet të blihet nga miliarderi kanadez Patrick Dovigi, CEO i kompanisë mjedisore Green For Life Environmental. m.p.

Dikur avokati i Trump, merr në hetim dosjen “Epstein”

By: el da
31 July 2025 at 22:25

Todd Blanche, avokati personal i Donald Trump, ndodhet në qendër të një polemike të madhe pas vizitës së tij në burg për të intervistuar Ghislaine Maxwell, partneren e ndjerë Jeffrey Epstein. Blanche, që u emërua zëvendës Prokuror i Përgjithshëm nga vetë Trump, ka qenë më parë avokati i tij në çështjen e famshme për pagesën e heshtjes ndaj Stormy Daniels. Në seancën e konfirmimit në Senat, ai pranoi se do të ruante besnikërinë dhe konfidencialitetin ndaj Trump edhe pasi të merrte postin e ri. Kjo ngriti menjëherë shqetësime për një konflikt interesi, veçanërisht pasi Trump ka qenë shok i ngushtë me Epstein.

Departamenti i Drejtësisë, i udhëhequr aktualisht nga njerëz të besuar të Trump, ka filluar të rihapë dosjen Epstein një veprim që ka ngjallur dyshime politike dhe ligjore. Vizita e Blanche në burg për të marrë dëshmi nga Maxwell është parë nga demokratët si një përpjekje për të kontrolluar dëshminë e saj, ndoshta për të mbrojtur Trumpin. Senatori Chuck Schumer e akuzoi Blanche se po përpiqet të realizojë një mbulim të korruptuar të së vërtetës. Megjithëse nuk ka prova konkrete për një ndërhyrje të tillë, opozita kërkon transparencë për përmbajtjen e intervistës me Maxwell.

Blanche ka deklaruar se veprimet e tij kanë qenë profesionale dhe të udhëzuara nga drejtësia, ndërsa avokati i Maxwell tha se ajo u përgjigj sinqerisht për nëntë orë me radhë. Megjithatë, shumë ekspertë ligjorë, përfshirë etikistë nga administrata Obama, thonë se Blanche nuk duhet të ishte përfshirë fare në këtë intervistë për shkak të lidhjeve të ngushta me Trump. Disa prej kolegëve të tij të vjetër janë të tronditur nga transformimi i tij nga një prokuror i pavarur në një lojtar politik.

Mimi Rocah, ish-kolege e Blanche, tha se në të kaluarën ai vetë do të kishte protestuar kundër një ndërhyrjeje të tillë. Shumë kujtojnë që Blanche ka fituar popullaritet te Trump pasi arriti të rrëzonte akuzat ndaj Paul Manafortit në vitin 2019. Pas asaj çështjeje, Blanche nisi të afronte gjithnjë e më shumë me rrethin e Trump dhe madje themeloi firmën e tij ligjore me një tjetër mbrojtës të Trump. Ai kaloi nga të qenit demokrat në republikan në janar 2024 dhe u vendos pranë Mar-a-Lago.

Në gjyqin për paratë e heshtjes, Blanche ishte figura kryesore e mbrojtjes, ku Trump u shpall fajtor për 34 akuza, megjithatë dënimi u shty pafundësisht. Gjatë gjithë kohës, Trump e mbrojti publikisht Blanche dhe më pas e emëroi në postin e dytë më të rëndësishëm në Departamentin e Drejtësisë. Në seancën e konfirmimit, senatorët demokratë e pyetën nëse do t’i thoshte “jo” Trumpit nëse i kërkonte ndonjë veprim të paligjshëm. Blanche u përgjigj se do të ndiqte ligjin, por shtoi se nuk e besonte që Trump do i kërkonte ndonjë gjë të tillë.

Shumë ekspertë ligjorë thonë se kjo është pikërisht situata ku një person i arsyeshëm do të dyshonte përanshmërinë e tij. Edhe pse intervista me Maxwell është kryer, përmbajtja e saj mbetet e fshehtë. Pa transkripte zyrtare, nuk dihet nëse Blanche ka prekur ndonjë informacion që përfshin Trumpin. Megjithatë, Blanche ka deklaruar publikisht se është i përkushtuar ndaj drejtësisë dhe se “asnjë e vërtetë nuk është jashtë kufijve të hetimit.”

Kjo histori ka nxitur debat të fortë publik dhe politik për pavarësinë e Departamentit të Drejtësisë dhe ndikimin që Trump mund të ketë mbi të.

Gjatë kohës së fushatës dhe pas vonesave të shumta në çështje federale, çështjet për dokumentet sekrete dhe ndërhyrjen në zgjedhjet e 2020 mbetën të pazgjidhura deri në afërsi të zgjedhjeve të 2024-s. Pas fitores së Trump, ekipi i prokurorit special Jack Smith vendosi të tërhiqte ato çështje. m.p.

Spahiu: Debati për Kodin e ri Penal mund të zgjidhet me referendum nga populli

By: el da
31 July 2025 at 22:12

Juristi Kreshnik Spahiu tha për Report TV se debati për Kodin e ri penal mund të zgjidhet edhe me referendum popullor.

“Duhet që të hartohet një kod i ri penal duke qenë se jemi në një realitet të vështirë kemi një projekt që është i debatueshëm dhe debati i parë fillon që s’mund të injorohej Prokuroria Speciale, Gjykata e Lartë. Mund të kishim një projekt që të kalonte përmes referendumit popullor. Nëpërmjet referendumit popullor ka Zvicra që kalon legjislacionin penal. Edhe Italia parashikon dispozita për referendum popullor. Pra do të duhej një debat i gjerë”, tha ai. m.p.

Starmer vijon thirrjet: Situata në Gaza duhet të ndryshojë rrënjësisht

By: el da
31 July 2025 at 22:08

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Sier Keir Starmer ka bërë sërish thirrje për situatën në Gaza, duke thënë që duhet të ndryshojë rrënjësisht.

Dje ai deklaroi se Britania do të njohë shtetin palestinez në shtator, nëse Izraeli nuk ndal sulmet.

Në një intervistë për BBC të enjten, Starmer thotë “Situata në terren në Gaza duhet të ndryshojë, ka një katastrofë humanitare dhe për këtë arsye kam thënë se nëse kjo nuk ndryshon materialisht, natyrisht që do ta vlerësojmë këtë kur të arrijmë në shtator, atëherë do ta njohim Palestinën.”

Ai shton se thirrja e qeverisë për lirimin e menjëhershëm të pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gaza ka qenë e vazhdueshme.

“Ata janë mbajtur për një kohë shumë, shumë të gjatë në kushte absolutisht të patolerueshme. Pra, kjo duhet të ndodhë absolutisht”, përfundoi kryeministri britanik. m.p.

Yesterday — 31 July 2025Main stream

Regjistrohet rrufeja 829 kilometra e gjatë

By: el da
31 July 2025 at 21:55

Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) ka vendosur një rekord të ri botëror për rrufenë më të gjatë një rrufe e jashtëzakonshme prej 829 kilometrash në një zonë të njohur për stuhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Komiteti i WMO për Ekstremet e Motit njofton se rrufeja më e gjatë në botë ndodhi në tetor 2017 gjatë një stuhie të madhe në SHBA, duke përshkuar 829 km nga lindja e Teksasit deri afër Kansas City. Do të duheshin rreth 8-9 orë me veturë ose të paktën 90 minuta me avion për ta përshkuar, raporton KosovaPress.

“Vetëtimat janë të mrekullueshme, por edhe të rrezikshme, duke marrë shumë jetë çdo vit. Kjo ngjarje tregon sa larg mund të përhapen rrufetë, duke rrezikuar aviacionin dhe shkaktuar zjarre”, tha Celeste Saulo, sekretare e përgjithshme e WMO.

Komiteti i WMO për Ekstremet e Motit e konfirmoi rekordin me ndihmën e teknologjive të reja satelitore. Ky rekord është 61 kilometra më i gjatë se ai i mëparshmi në SHBA më 29 prill 2020 (768 km). Gabimi i matjes është ±8 km.

Rrufja ndodhi në Rrafshinat e Mëdha të Amerikës së Veriut, një zonë e njohur për stuhitë Mesoskalare Konvektive që mundësojnë “mega-rrufe”. Ajo u zbulua përmes analizës së përsëritur me ndihmën e satelitit GOES-16.

“Ky rekord tregon fuqinë e natyrës dhe përparimin shkencor në dokumentimin e ekstremeve. Ka të ngjarë që në të ardhmen të zbulohen edhe më të mëdha”, tha Randall Cerveny nga WMO.

Arkivi i WMO ruan të dhënat për ekstremet botërore të motit, përfshirë temperaturat, erën, reshjet, breshrin, rrufetë, tornado dhe ciklonet tropikale. m.p.

Trump mund të falë Diddy-n? Shtohen spekulimet

By: el da
31 July 2025 at 21:41

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po shqyrton seriozisht mundësinë e një faljeje presidenciale për reperin Sean “Diddy” Combs, i cili aktualisht po vuan dënimin në një burg federal në Brooklyn. Sipas burimeve për Deadline, ideja që dikur qarkullonte vetëm si thashethem, tani ka marrë trajtën e një mundësie të vërtetë.

Diddy u shpall fajtor më 2 korrik për transportim për qëllime prostitucioni, ndërsa u lirua nga akuzat më të rënda për trafikim të qenieve njerëzore dhe krijimin e një organizate kriminale. Ai ndodhet në paraburgim që prej shtatorit 2024 dhe pavarësisht përpjekjeve të shumta të mbrojtjes, përfshirë një ofertë prej 50 milionë dollarësh për lirim me kusht, kërkesat e tij janë refuzuar nga gjykata.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë nuk ka konfirmuar ekzistencën e një kërkese zyrtare për falje. Megjithatë, njerëz të afërt me rrethin personal dhe profesional të Diddy-t thuhet se kanë kontaktuar me këshilltarët e Trump, duke theksuar se asgjë nuk është përfundimtare pa firmën e ish-presidentit.

“Do të isha i interesuar për faktet, veçanërisht nëse mendoj se dikush është trajtuar padrejtësisht, pavarësisht nëse më pëlqen apo jo,” kishte deklaruar Trump në maj, duke lënë të hapur mundësinë për një falje të tillë.

Falja e mundshme për Diddy-n vjen në një moment kur administrata Trump po përballet me presion në rritje lidhur me dosjen e Jeffrey Epstein. Kjo çështje ka ndezur reagime të forta brenda lëvizjes MAGA dhe ka nxitur përplasje të profilit të lartë, përfshirë një padi prej 10 miliardë dollarësh nga Trump kundër Rupert Murdoch.

Vendimi përfundimtar për dënimin e Diddy-t pritet të shpallet më 3 tetor, ndërsa avokatët e tij po përgatiten për apel. Pritet që çdo hap i mundshëm i Trump drejt një faljeje të ngjallë reagime të forta politike dhe mediatike në javët në vijim. m.p.

Daku shkëlqen në Kupën e Rusisë, gjen rrjetën me Rubin Kazan

By: el da
31 July 2025 at 21:25

Mirlind Daku protagonist. Sulmuesi shqiptar ka realizuar gol për Rubin Kazan, në ndeshjen ndaj Orenburg, takim ky i vlefshëm për Kupën e Rusisë.

Daku mori përsipër ekzekutimin e një penalltie, duke dërguar topin pas shpinës së portierit.

Lojtari kuqezi e ka nisur mirë sezonin, teksa vetëm para disa javësh rinovoi kontratën me Rubin Kazan. Ai do të jetë pjesë e kësaj skuadre deri në vitin 2029. m.p.

Kurti akuzon opozitën për krizën politike në Kosovë: Po sabotojnë shtetin

By: el da
31 July 2025 at 21:17

Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka akuzuar sot ish-partitë opozitare për bojkot dhe sabotim të themelimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Sipas tij, “destruktiviteti opozitar” po bëhet për shkak të xhelozisë dhe lakmisë ndaj Vetëvendosjes dhe mospranimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Duke prezantuar, siç tha ai, kompromiset e bëra në këta muaj të krizës politike, Kurti deklaroi se “opozitarët as nuk po shtyhen dhe as nuk po ngrihen”.

Kanë kaluar pothuajse gjashtë muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ndërkohë që Kosova ende nuk ka themeluar institucionet e reja.

Që nga 27 korriku është vendosur një masë e përkohshme nga Gjykata Kushtetuese si pasojë e dështimit për konstituimin e legjislaturës së nëntë deri më 26 korrik – një afat i vendosur nga aktgjykimi i parë i kësaj gjykate. Masa e përkohshme vlen deri më datën 8 gusht.

Kurti, duke përmendur kompromiset që sipas tij janë bërë për konstituimin e Kuvendit, theksoi se partitë që deri tani ishin në opozitë “as nuk po shtyhen e as nuk po ngrihen”.

Kurti ka dërguar dy herë ftesë për bashkëpunim dhe bashkëqeverisje ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, por kjo e fundit ka refuzuar. Ndërkaq, negociatat me Nismën, e cila ka tre deputetë në Kuvend, nuk kanë sjellë dakordim për bashkëpunim në nivel të legjislativit, pasi kërkesa e partisë së Fatmir Limajt ka qenë posti i kryetarit të Kuvendit.

Këto komente Kurti i bëri në nominimin zyrtar të Hajrulla Çekut si kandidat për kryetar të Prishtinës nga Këshilli i Lëvizjes Vetëvendosje – Qendra në Prishtinë.

Në anën tjetër, kandidati i LVV-së për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, tha se partia e tij është e vetmja forcë që mund ta transformojë Prishtinën. Ai shtoi se në ditët në vijim do të shpalosë platformën afatgjatë – “Prishtina 2035”. m.p.

Demokracia direkte në Zvicër, kur qytetari vendos vetë për rreth 30 çështje në vit

By: el da
31 July 2025 at 21:03

Arben Jaupaj – Asnjëherë më parë se sa sot, në historinë e shoqërisë njerëzore, ndeshim raste kur qytetarë në shumë vende të botes, kanë mundesinë të votojnë dhe të marrin pjesë në vendimmarrje direkte për një numër të madh çështjesh që i shqetësojnë. Që nga fillimi i shekullit të ri, e drejta referendare po bëhet gjithmonë e më tepër pjesë e legjislacioneve dhe praktikave shoqërore, më shumë qytetarë kanë mundesi të ushtrojnë ndikimin e tyre në rrjedhën e zhvillimeve politike.

Një nga modelet më interesante në këtë fushë është modeli zviceran. Organizimi politik në Zvicër, i cili njihet me emrin demokraci direkte ka ngjallur gjithmonë interes tek studiuesit dhe politologët ndërkombëtarë. Ky sistem që dikur ngjallte dyshime, përpos lirive më të mëdha për qytetarët dhe forcimin e demokracisë së praktikuar, po shihet sot si një rrugë e pashmangshme në të ardhmen e afërt. Ajo që njohim ne më shumë sot, është demokracia përfaqësuese, por Zvicra ka një model edhe më të evoluar që është demokracia direkte.

Demokracia direkte është me të gjitha gjasat zona më demokratike dhe emocionuese e zhvillimit të demokracisë moderne. Ajo është e drejta e qytetarëve për t’u përfshirë direkt në vendimarrjen politike. Me anë të saj qytetarët shkojnë më larg se thjesht që të zgjedhin partite politike dhe përfaqësuesit e tyre, ata kanë mundësi që të influencojnë edhe axhendën e tyre politike dhe të vendosin mbi çështje të rëndësishme substanciale. Në Zvicer, kjo praktikë përfshin një proces referendar edhe pse e kërkon një grup qytetarësh, edhe pse kushtetuta e parashikon. Demokracia direkte presupozon ekzistencën dhe përdorimin e instrumenteve politike në duart e qytetareve të cilet i përdorin në shërbim të interesave të komunitetit. Demokracia direkte nuk mund te kontrollohet nga qeveria dhe parlamenti, as nga partite politike, ajo nuk mund të influencohet nga grupet e interesit.

Një tipar i rëndësishem i organizimit politik në Zvicer është hapësira dhe kujdesi që tregohet për të mundësuar maksimalisht vendimmarrjen në nivelet lokale dhe nga qytetarët direkt të përshirë në çështjet e votuara dhe vetëm në rastet e këtilla të pamundura, mundësimin në vendimmarrje në nivele trans-lokale, kanton ose konfederatë. Ky organizim mbështetet mbi parimin: centralizim sa është e nevojshme, decentralizim sa është e mundur. Edhe në vendimmarrjet në nivele kantonale, asnjë kanton pavarësisht nga roli i rëndësishëm që mund të luajë brenda konfederatës, nuk ka të drejtën e vetos në raport me vendimet e mara kolektivisht.

Por si zbatohet dhe çfarë nënkupton Demokracia Direkte? Ka tre proçedura me anë të së cilave zbatohet ajo në Zvicër: E para është Referendumi Detyrues: Nëse Parlamenti dëshiron ti shtojë diçka Kushtetutës ose ta amendoje atë, Kushtetuta vetë parashikon se projekt-amendamenti ose suplementi duhet të aprovohet në Referendum Kombëtar. E dyta është Referendumi Fakultativ: ligjet e reja ose ndryshimet në ligj, të cilat janë kaluar nga Parlamenti mund ti nënshtrohen një referendumi fakultativ, që do të thotë se do të duhet të marrin një aprovim ose refuzim final në Referendum popullor nëse këtë e kërkojnë 50 000 qytetarë. E treta është Nisma Qytetare: qytetarët kanë të drejtë të bëjnë propozime legjislative të cilat duhet të hidhen në referendum nëse propozimi mbështetet nga 100 000 qytetarë votues.

Vendimet e referendumeve mund të jenë Detyruese ose Konsultative. Kjo i jep mundësi një pjese të elektoratit që të parashtrojë para të gjithë elektoratit çështje, të cilat Parlamenti nuk dëshiron të merret ose të cilat nuk i ka vërejtur më parë. Nismat e qytetarëve të cilat kanë votat e mjaftueshme hidhen në referendum pavarësisht kërkesave, qoftë të qeverisë apo të Parlamentit.

Një rëndësi të vecantë në zhvillimin e këtij modeli zë tema e kualitetit të procesit, njohja e mire e legjislacionit nga ana e qytetarëve, kur qytetarët duhen thirrur nga qeveria për t’u konsultuar dhe kur këta të fundit vendosin të jenë të konsultuar nga qeveria. Për kryerjen e një referendumi dizenjohet me kujdes një skemë e cila ngre pyetje për iniciativë -marrësit: Sa kohë duhet për mbledhjen e firmave, reaksionin e qeverisë, debatin në parlament, fushatën referendare etj.? Me c’farë metode do t’i mbledhin firmat, me diskutime apo në mënyrë restriktive, në rrugë apo në qëndra? etj.

Përveç nivelit federal, qytetarët zviceranë mund të përfitojne nga iniciativa dhe referendumi në nivel kantonal dhe lokal, në tema jo thjesht legjislative por mbi të gjitha në ato financiare. Në Kanton Grixhone p.sh., një nga kantonet me të shtrira gjeografikisht, cdo shpenzim i ri me shumë se 10 milionë franga zvicerane, pavarësisht nga projekti që përmban, duhet te aprovohet me referendum te detyrueshëm popullor.  Një tjetër tipar i këtij modeli është se për efekt të mundësive të shumta të ushtrimit të pushtetit, mund të ndodhi që qytetaret të thirrën për të votuar njëkohësisht për një numër çështjesh. P.sh. në 18 maj 2003 qytetarët e Komunës së Fribahut, afër Zyrihut u thirën për të votuar për 23 çështje, 9 prej tyre ishin tema federale, 3 ishin kantonale, 3 ishin komunale dhe 8 ishin kërkesa nënshtetësie.

Një qytetar tipik zviceran në kalendarin e tij vjetor duhet të marrë pjesë në 6 referendume, gjatë së cilave mesatarisht vendos për 30 cështje.

Qeveria vetë nuk mund të thërrasë një referendum. Zvicra nuk e njeh plebishitin, me fjalë të tjera, nuk ekzistojnë procedura për votimet popullore që mund të lançohen dhe kryhen ekskluzivisht “nga lart” me dëshirën e autoriteteve, pavarësisht se bëhet fjalë për qeverinë, presidentin apo parlamentin. Plebishitet si procedura votimi konsiderohen nga opinion i juristëve e më gjerë si mekanizma në duart e njerëzve të pushtetit, pavarësisht nga forma e tij, që kërkojne aprovimin e popullit me qëllim konsolidimin ose shpëtimin e pushtetit personal. Votimet plebishitare, pavarësisht pjesëmarrjes, nuk duhen ngatërruar me demokracinë referendare pasi qëllimi nuk është implementimi i demokracisë. Për fat të keq, ende përdoret termi “referendum” për të dyja rastet megjithë dallimin thelbësor mes tyre.

Demokracia Direkte u themelua në Zvicër që në shekullin e XIX dhe është zhvilluar që prej asaj kohe. Burime të saj kanë qënë eksperienca dhe idetë e revolucionit amerikan dhe akoma më shumë atij francez. “E drejta” e lindur nga revolucioni francez përmbante shumë mekanizma të këtij modeli të cilat u adoptuan më vonë në Zvicër dhe u studjuan me imtësi. Në vitin 1848 Zvicra e atëhershme e formuar nga 25 shtete të vegjël indipendentë, gjendej para problemeve dhe sfidave të ngjashme me këto që ka sot Bashkimi Evropian. Zviceranët nuk formuan një shtet centralist por një konfederatë, në të cilën autoritetet federale ushtronin atë pushtet që iu jepej nga qytetaret dhe kantonet. Ata duhej të gjenin një rrugë të përshtatshme për të pajtuar në mënyrë të pranueshme si të drejtat demokratike të qytetarëve ashtu dhe interesat dhe pavarësine e kantoneve, në veçanti të atyre të vegjël kundrejt të mëdhenjve.  Gjatë më shumë se 150 viteve të drejtat e qytetarëve janë shtrirë vazhdimisht dhe tani mbulojnë të gjitha nivelet e jetës politike (kombëtare, kantonale dhe lokale) dhe të gjitha fushat e politikës (përfshirë edhe politikën e jashtme).

Ky model konsiderohet nga shumë studjues zviceranë si një konstruksion politik ende larg përsosmërisë, me të mira dhe sfida që i përcjell drejt gjeneratave të reja.

Demokracia Direkte mund të sjellë më shumë pjesëmarje në proçesin politik, më shumë kohezion social, legjitimitet më të madh, më shumë risi dhe mbrojtje më të mire të minoriteteve. Për disa ajo ngre dyshime mbi vendimet që mund të merren nga qytetarë të pakualifikuar ose të keqinformuar, mbi çështjet politike që emocionalizohen dhe që “njollosen” nga elementë populistë. Në kundërshtim me kritikët që e shoqërojnë demokracinë e drejtpërdrejtë me populizmin, shumë sociologë dhe juristë besojnë se ajo vepron më shumë si një mburojë kundër teprimeve populiste. Duke i bërë të dukshme tensionet sociale dhe duke detyruar debatin mbi çështje të ndjeshme, referendumet lejojnë një formë rregullimi demokratik.

Disa iniciativa popullore të kryera pa mbështetje të madhe financiare kanë dëshmuar se paratë nuk ndikojnë shumë në organizimin dhe rezultatet e tyre, për një shumicë në Zvicër, ato konsiderohen gjithmonë si nj proces mësimi kolektiv. Tashmë mund të thuhet me plot gojën se shembulli zviceran e ka rrëzuar mitin e “qytetarit inkompetent”.

Inisiativat referendare matin pulsin e shoqërise, shërbejne si sistem paralajmerues dhe pasqyrë e shoqërisë civile.  Ato mund të transferojnë ankthe dhe shpresa, rezistencë kundër ndryshimeve dhe prezantim të dëshirave dhe ideve të reja kundrejt sistemit politik. Ato japin një kontribut vendimtar në transformimin e demokracisë mazhoritare zvicerane në një demokraci konsensuale.

E drejta për të thirrur një referendum (duke mbledhur firmat) mbi një ligj të kaluar nga Parlamenti vendos një presion konstant mbi ata që janë në pushtet në mënyrë që ata të marrin para sysh interesat e një spektri sa më të gjerë forcash politike dhe organizatash qytetare kur të marrin vendimet e tyre.

Një tjetër efekt pozitiv i demokracisë direkte është zhvillimi i personalitetit të individit. Zvogëlimi i barazisë në raport me ushtrimin e pushtetit, ka sjellë që në shoqërine zvicerane qytetarët të ndjehen më të vlerësuar dhe me të afërt me ushtrimin e pushtetit dhe vendimmarjen dhe të jenë larg ndjesive të të qenit i përjashtuar dhe i pafuqishëm. Mekanizmi i demokracise direkte dhe pjesëmarrja qytetare lufton një rrezik prezent në kapitalizmin modern, atë të shndërrimit të individit në një qenie konsumatore të zhveshur nga humanizmi dhe kreativiteti.

Dy studjues zvicerane, Bruno Frey dhe Alois Stutzer realizuan një studim mbi raportin: lumturi -demokraci direkte në vitin 2002. Me një sociometri të thjeshtë ata testuan opinionin qytetar dhe mendimet e tyre mbi shkallen e të qenit “më shumë” ose “më pak” demokratike kantonet zvicerane ku jetonin dhe sondazhet i vunë në raport me sondazhet e kryera mbi shkallën e “gjendjes së lumturisë” në të njejtat kantone. Të njëjtën metodë e përdoren me qytetarët zvicerane dhe ata të huaj, rezidentë në Zvicër dhe respektivisht në të njëjtat kantone. Përfundimet afirmuan se një përbërës i rëndësishem i lumturisë së nje komuniteti kalon përmes pjesëmarrjes popullore direkte, të pa filtruar nga pushteti.

Rezultatet e studimeve të fundit mbi avantazhet ekonomike të demokracisë se direkte kanë ngjallur interesa të gjera dhe kanë krijuar jo pak habi. Shkenca tradicionale i është përmbajtur deri vonë opinionit se të drejta të zgjeruara të vetvendosjes kanë efekte frenuese për inovacionin dhe rritjen ekonomike. Në fakt studimet kanë treguar të kundërten, proçedurat e demokracisë së drejtpërdrejtë e forcojnë ekonominë, reduktojnë shmangien e taksave dhe ulin nivelin e borxhit publik. Nuk kanë qenë të pakta eksperiencat kur referendume që kanë synuar ulje taksash apo shkurtim të shpenzimeve publike s’kanë fituar, sepse qytetarët kanë qënë të ndërgjegjshem për faktin që është në të mirën e tyre në disa raste të paguajnë më shumë. Për këtë arsye Zvicra është quajtur edhe vendi i “humbësve të kënaqur”

Realiteti shoqëror zviceran nuk është një realitet i shkëputur, demokracia referendare njihet dhe aplikohet në shkallë të ndryshme në vende të tjera, por lëvizjet nacional -konservatore në gjirin e shoqërisë evropiane si shqetësim për emigracionin si dhe forcimi i autokracisë në disa shtete sjellin sfida për zbatimin e saj në shoqëritë e tjera.

Filozofi bashkëkohor Giorgio Agamben, në analizën e tij mbi situatat e “gjendjes së jashtëzakonshme”, shtron një kritikë të fuqishme ndaj devijimeve të demokracive bashkëkohore nga shteti i së drejtës, përmes vendosjes së masave përjashtuese që pezullojnë “de facto” rendin juridik. Ai sheh në këtë “normalizim të përjashtimit” një rrezik për shuarjen e dallimit ndërmjet demokracisë dhe totalitarizmit. Në këtë kontekst, ajo që e dallon demokracinë zvicerane -sipas tij -është përdorimi i mekanizmave të saj direkte, si iniciativa popullore, që kanë mundësuar kufizimin e këtyre masave nga vetë qytetarët, siç ndodhi me fushatën e kthimit në demokracinë direkte pas Luftës së Dytë Botërore.

Për studjues si Olivier Meuëly, demokracia e drejtpërdrejtë zvicerane është rezultat i një procesi të gjatë historik dhe kulturor, thellësisht i rrënjosur në federalizmin zviceran, kulturën e kompromisit dhe ndjenjën e dialogut. Është rezultat i një sinteze unike midis traditave popullore të “Landsgemeinde”-s dhe ideve racionale të Iluminizmit.

Sot në epokën e globalizimit ekonomik, kur janë zbehur kufijtë politikë dhe ligjorë mes shteteve, shumë individë mund të marin pjesë në çështjet e përbashkëta globale në rolin e investitorit ose të konsumatorit, por jo në atë të qytetarit vendimmarrës. Modeli i Demokracisë Direkte megjithëse thellësisht i lidhur me kontekstin kombëtar, mund të frymëzojë shoqëri të tjera që kërkojnë pjesëmarrje më të madhe qytetare në proceset e brendshme politike, sepse si shprehej filozofi franko-zviceran Jean- Jacques Rousseau: “Nëse çdo burrë dhe grua do të marrë pjesë në hartimin e ligjeve, ndaj të cilave nënshtrohen, atëhere s’duhet të bëjnë gjë tjetër veçse t’i binden vetvehtes”.

Bibliografi e konsultuar:

  1. “Guida alla democrazia diretta in Svizzera e oltre frontiera” -Bruno Kauffman, Rolf Buchi, Nadja Braun, IRI-Europe, 2009.
  2. “Economia e felicità. Come l’economia e le istituzioni influenzano il benessere”  –Bruno S. Frey & Alois Stutzer, Il Sole 24 Ore, 2006.
  3. “État d’exception, démocratie directe, exception démocratique: Le cas Suisse” – Alice El -Wakil, Rémi Baudoui et Matteo Gianni, En Jeu, (Rev) N.5, 2015”.
  4. “Comment la démocratie directe vint aux Suisses” – Olivier Meuëly, Swissinfo, 14 Octobre 2018.

Arben Jaupaj -Përgjegjës i Galerisë së Arteve “Edward Lear”, Berat.

Konispoli shpallet Ansambël Historik

By: el da
31 July 2025 at 20:51

Sot, Këshilli i Ministrave miratoi shpalljen e qytetit të Konispolit si Ansambël Arkitektonik Urban me vlera të veçanta historike dhe kulturore, një vendim që i hap rrugën mbrojtjes, restaurimit dhe promovimit të kësaj qendre me trashëgimi të rrallë.

Me banesa tradicionale që datojnë në shek. XIX-XX, gjurmë të pazarit të vjetër, arkitekturë karakteristike me gurë të punuar, rrugica me kalldrëm, e deri te lagjet me emra fisesh dhe vendbanimet antike në Qafën e Ktismave, Konispoli përfaqëson një identitet të rrallë urban dhe kulturor në jug të Shqipërisë.

Gjatë historisë, Konispoli ka qenë vatër rezistence dhe kulture kombëtare, ndërsa sot ky status i ri përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm përmes turizmit kulturor dhe mbrojtjes së trashëgimisë sonë.

Ky vendim vjen si rezultat i punës së Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, në përputhje me Ligjin Nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, për të garantuar ruajtjen dhe valorizimin e pasurive të paluajtshme me vlera të veçanta. m.p.

Senati Amerikan hedh poshtë rezolutën për bllokimin e shitjes së armëve Izraelit

By: el da
31 July 2025 at 20:44

Senati i SHBA-së ka hedhur poshtë një kërkesë për bllokimin e shitjes së armëve Izraelit.

Sipas mediave të huaja, një numër gjithnjë e në rritje demokratësh votuan për të ndaluar dërgesat, duke bërë që senatori Bernie Sanders të pretendonte se “situata po ndryshon”.

Sanders është përpjekur vazhdimisht të bllokojë shitjen e armëve sulmuese Izraelit gjatë vitit të kaluar. Ndërsa paketa dështoi të miratohej, 27 demokratë votuan në favor të njërës prej rezolutave. Kjo shënon më shumë se gjysmën e demokratëve në Senat.

Numërimi i votave pasqyron pakënaqësinë në rritje midis disa prej aleatëve ndërkombëtarë të Izraelit. Senatorja Patty Murray, e cila në të kaluarën ka rrëzuar rezoluta të ngjashme nga Sanders, tha se e mbështeti atë këtë herë.

“Si një mik dhe mbështetës i hershëm i Izraelit, po votoj pro për të dërguar një mesazh: qeveria Netanyahu nuk mund të vazhdojë me këtë strategji”, tha ajo në një deklaratë. Një tjetër senator demokrat, Dick Durbin, tha se ishte “e dhimbshme” të mos mbështetej rezoluta.

“Për shumë prej nesh që ia kemi kushtuar karrierën tonë në kongres mbështetjes së Izraelit, duke i qëndruar pranë në kohë të vështira, është e pamundur të shpjegojmë ose mbrojmë vërtet atë që po ndodh sot”, tha Durbin. m.p.

Gomonia po fundosej nga moti i keq, policia detare shpëton 5 persona

By: el da
31 July 2025 at 20:38

Gjatë patrullimeve në det pranë Gjirit të Durrësit, Njësia Policore Detare ndërhyri dhe shpëtoi 5 persona, të cilët rrezikonin të mbyteshin pasi gomonia e tyre po fundosej për shkak të erërave të forta.

Efektivët me mjete lundruese arritën në kohë dhe nxorën të gjithë në breg, ku gjendeshin në gjendje të mirë shëndetësore.

‘Durrës/ Rrezikonin të mbyteshin, pasi gomonia e tyre po fundosej për shkak të motit të keq, efektivët e trajnuar të Njësisë Policore Detare, me mjete lundruese, u shkuan në ndihmë 5 shtetasve.

Mesditën e sotme, gjatë patrullimeve në të gjithë hapësirën detare të qarkut, shërbimet e Njësisë Policore Detare konstatuan, në afërsi të Gjirit të Durrësit, 5 shtetas që kërkonin ndihmë, pasi gomonia e tyre rrezikonte të fundosej për shkak të erërave të forta.

Menjëherë pas konstatimit, efektivët e Njësisë, me mjete lundruese, ndërhynë në kohë dhe bënë të mundur nxjerrjen në breg të qytetarëve, të cilët ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore’, njoftoi policia. m.p.

“Harrohet” lufta, plas grushti në parlamentin ukrainas

By: el da
31 July 2025 at 20:25

Kaos dhe përplasje fizike në Parlamentin e Ukrainës të enjten, teksa dy deputetë u përleshën me grushte para votimit të një ligji vendimtar për rikthimin e pavarësisë së institucioneve kryesore antikorrupsion.

Incidenti ndodhi gjatë seancës për miratimin e një projektligji të ri që garanton pavarësinë e Byrosë Kombëtare Antikorrupsion dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar Kundër Korrupsionit, pas protestave masive që shpërthyen në vend. Ligji kaloi me 331 vota pro dhe asnjë kundër.

Përplasja fizike mes deputetëve ndodhi në një atmosferë të tensionuar dhe u transmetua drejtpërdrejt, në atë që ishte seanca e parë parlamentare publike që nga fillimi i luftës me Rusinë. Arsyeja e konfliktit nuk u bë e ditur.

Votimi erdhi pasi Presidenti Volodymyr Zelensky u detyrua të tërhiqej nga një ligj kontrovers, të cilin e kishte nënshkruar në heshtje një javë më parë dhe që vendoste institucionet antikorrupsion nën kontrollin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ky vendim shkaktoi reagime të ashpra nga BE-ja, SHBA dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. m.p.

“PD ka marrë pushimet, në shtator nis teatri. Berisha një i moshuar mjeran”

By: el da
31 July 2025 at 20:14

Juristja Brizida Gjikondi u shpreh se PD tashmë i takon të shkuarës dhe se sipas saj është pajtuar me fatin e trishtë të saj, “për të pasur një person me probleme në krye të saj”. Tanimë nuk u bën më përshtypje është apo jo Berisha non-grata sepse sipas saj i bashkon interesi dhe jo ideali.

Gjatë intervistës në “Tirana Live” në ABC News, Gjikondi tha se PD duket se ka marrë totalisht pushimet dhe se sipas saj, nuk do të jetë çudi që në shtator të nisin sërish “teatrin” e tyre.

“Berisha dhe e vërteta nuk janë asnjëherë në të njëjtin kah. Ata janë thjesht lobues, kanë marrë një shumë të majme pagesash. Dhe një nga arsyet për t’i treguar DASH se kanë të bëjnë me një të moshuar mjeran, këto janë histori të njohura kush merret me ligje dhe amnisti”, tha ajo. m.p.

Kreshnik Spahiu: Ka një arsye pse Rama caktoi 4 kryetarë të rinj në Bashkinë e Tiranës

By: el da
31 July 2025 at 19:55

Kreshnik Spahiu thotë se në Bashkinë e Tiranës nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.

Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme mund të zhvilloheshin në rast se kryebashkiaku Erion Veliaj do të mund të jepte dorëheqjen.

“Çështja e Bashkisë së Tiranës është aq sa juridike edhe politike. Do të ketë avancim dhe të hetimeve që lidhje me çështjen penale ndaj Veliajt këtë e ka thënë vet Dumani. Koha për paraburgimin do të zgjatet dhe do të kemi një proces të gjatë.

Lidhur me çështjen e Bashksië së Tiranës vlerësimi im është edhe fakti që qeveria ka emëruar 4 kryetarë të rinj do të thotë se s’do të ketë zgjedhje të parakohshme për Bashkinë e Tiranës, por ato do të jenë në 2027, sepse zgjedhje të parakohshme shpallen kur ka dorëheqje dhe kur ka vendim të formës së prerë dhe këto nuk janë. Pra unë mendoj se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Tiranës”. m.p.

Zbulohet shkaku i vdekjes së Hulk Hogan

By: el da
31 July 2025 at 19:42

Hulk Logan vdiq nga një infarkt akut në zemër, i njohur ndryshe si atak kardiak, që ndodh kur qarkullimi i gjakut drejt zemrës bllokohet papritur.

Përveç kësaj, u zbulua se legjenda e mundjes kishte kohë që po luftonte në heshtje me leukeminë limfocitare kronike (CLL), një formë kanceri që prek qelizat e bardha të gjakut të quajtura limfocite.

Një raport miratimi për kremacion i siguruar nga Page Six tregoi gjithashtu se Hogan ishte diagnostikuar më parë me fibrilacion atrial një gjendje e karakterizuar nga rrahje të shpejta dhe të çrregullta të zemrës, sipas përkufizimit të Klinikës Mayo.

Legjenda e mundjes ndërroi jetë më 24 korrik në Florida, në moshën 71-vjeçare.
Vdekja e tij u klasifikua zyrtarisht si për shkaqe natyrale.

Page Six shtoi se Qendra e Shkencës Forenzike e Qarkut Pinellas dha përditësime në lidhje me procesin e kremacionit të tij.

Një zëdhënës i zyrës së mjekësisë ligjore tha për median:

“Nuk jam në dijeni se kur z. Bollea do të krematohet, vetëm se kemi marrë një kërkesë për miratimin e kremacionit.”

Shkaku zyrtar i vdekjes vjen pas pretendimeve se Hogan ishte ndjerë “i dobët” dhe “i turpëruar” pak para se të ndërronte jetë.

Eric Bischoff, miku i tij i ngushtë, ndau detaje nga takimi i fundit me të. Duke folur në podkastin 83 Weeks with Eric Bischoff, ai shpjegoi:

“E kuptova që ishte i dobët. Dëgjohej i lodhur.

[Hogan] më tha: ‘Vërtet dua të të shoh, por më vjen pak turp që të më shohësh kështu, sepse kam qenë shumë keq.’

Unë i thashë:

“Kur të shoh ty, nuk shoh të njëjtën gjë që sheh ti kur shikon veten në pasqyrë, kështu që s’ka rëndësi, do vij të hënën.’”

Pavarësisht gjendjes shëndetësore, personaliteti i tij vazhdoi të shkëlqente gjatë bisedave.
Eric tregoi:

“E kishte të lodhshme edhe një bisedë, por ishte po ai njeri.”

Më herët gjatë kësaj jave, vajza e tij, Brooke Hogan, reagoi në rrjetet sociale duke i bërë homazh të atit dhe duke reflektuar mbi marrëdhënien e tyre shpeshherë të vështirë.
37-vjeçarja shkroi në Instagram:

“Kur ai e la këtë botë, ndjeva sikur një pjesë e shpirtit tim iku bashkë me të. E ndjeva para se lajmi të na arrinte. E di që tani është në paqe, pa dhimbje, dhe në një vend po aq të bukur sa e kishte imagjinuar. Ai fliste për këtë moment me aq shumë ëndje dhe shpresë. Si të takonte Zotin do të ishte kampionati më i madh që do të fitonte ndonjëherë.” m.p.

Po vijnë surprizat! Rama bën gati ministrat e rinj, kush do të “skualifikohet”?

By: el da
31 July 2025 at 19:33

Pas një serie mbledhjesh intensive që kulmuan me dorëheqjet e disa nënkryetarëve dhe një fushatë të shtrirë në terren për lirimin e hapësirave publike, pjesë e reformës për zhvillimin e territorit, qeveria ka vendosur t’i japë vetes një pauzë.

Edhe pse e prezantuar si mbledhje pune, takimi i fundit i kabinetit u përmbyll me njoftimin e kryeministrit Edi Rama se pushimet zyrtare mund të nisin, ndërsa mbledhja e radhës do të mbahet në fund të gushtit.

Kjo periudhë do të shërbejë si një reflektim për performancën e ministrave, nga e cila do të varet edhe përbërja e re e qeverisë që pritet të zyrtarizohet në vjeshtë, një sezon që, sipas sinjaleve të para, nuk pritet të jetë aspak i qetë për socialistët. m.p.

Arrestohet autori i plagosjes në Borsh, në kërkim një tjetër

By: el da
31 July 2025 at 19:26

Policia e Himarës ka arrestuar autorin e dyshuar të ngjarjes së ndodhur mëngjesin e sotëm në Borsh, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një shtetas, ndërsa shpalli në kërkim edhe një person tjetër të përfshirë në konflikt.

Në pranga u vu shtetasi H. Ç., për veprat penale “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Gjithashtu, është shpallur në kërkim dhe shtetasi E. V., për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.

Ngjarja u shënua rreth orës 02:20, në ambientet e një lokali, ku disa persona ishin duke konsumuar alkool ndërsa një konflikt verbal ka shpërthyer mes tyre, që më pas ka degjeneruar në përdorimin e armës së zjarrit.

“Shtetasi H. Ç., 42 vjeç, banues në Borsh, dyshohet se është përfshirë në një konflikt fizik, për motive të dobëta, gjatë të cilit është goditur me grushte nga shtetasi E. V., 55 vjeç, banues në Tiranë. Pas këtij momenti, shtetasi H. Ç. është larguar nga ambientet e lokalit dhe është rikthyer me një armë zjarri automatik, me të cilën ka qëlluar në drejtim të automjetit tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin E. Sh., 33 vjeç, duke e plagosur në shpatull dhe në këmbë. Ky shtetas ndodhet aktualisht në spital, jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, dyshohet se shtetasi H. Ç. ka goditur me qytën e armës edhe shtetasin A. D., 43 vjeç”, bëri me dije policia.

Në vendngjarje janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 gëzhoja dhe një krehër me fishekë, ndërsa vijon puna për gjetjen e armës së zjarrit të përdorur në këtë ngjarje. m.p.

❌
❌