Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 July 2025Main stream

Apatia që po e sfilit vendin

By: el da
21 July 2025 at 07:40

Nga Ben Andoni

Jo thjesht debati gati grotesk për mandatin e dy kryetarëve të partive të vogla, por ajo që po ndodh me opozitën në përgjithësi me ligjërimin deri cfilitës përditor të Berishës; zhgënjimi dhe boshësia që vjen nga vonesat dhe amullia e sistemit të drejtësisë, shtuar me aksionet e stërlodhshme të Ramës ndaj informalitetit po përcillen me një apati të madhe në vend. Stina e nxehtë e favorizon edhe më shumë për faktin se është stina më e vështirë e vitit, ndërsa shpresa e ndryshimit tashmë duket se është tejet i largët.

Zgjedhjet kanë pak javë që kanë mbaruar. I vetmi referim gjysmë objektiv është viti 2030, vit i mëtuar i integrimit të Shqipërisë, por që kap deri elementë grotesku, kur në ditët tona po përflitet deri për ekzistencë të kësaj status quo të BE-së dhe rrezikun gjithnjë e më të afërt të luftës. Ndërkohë apatia ka kapur çdo segment të së përditshmes, ndërsa situata në vend dhe sidomos tollovia e drejtimit nga PS-ja dhe papërgatitjes për shumë problematika të administratës së saj tregojnë se gjërat janë të vështira për t’u ndryshuar.

Studiuesit e lidhin termin “apati” sidomos në Evropën Lindore me shumë elementë kompleksë, të cilat janë të ndikuar kryesisht nga faktorë historikë, shoqërorë dhe politikë. Lajm i mirë është se nuk konsiderohet si tipar universal, por është përgjigje ndaj realiteteve tona specifike, ku tek ne ligjërohet sepse Berisha është prej 35 vitesh në fokus të Shqipërisë post ’90, kurse Rama nga viti 1998 (27 vjet) është prej gati katër mandatesh. Sëbashku, janë aktorët dhe protagonistët kryesorë politikë-shoqërorë të vendit. Duke pasur parasysh trashëgiminë e historisë së socializmit; zhvillimet ekonomike në vend, në disa momente që e ccuan vendin në zgrip; dhe mos arritjen e objektivave nga politika për demokracinë (ende s’kemi zgjedhje të pranuara), apatia tashmë është një reagim fare i arsyeshëm ndaj këtij realiteti. Dhe, pavarësisht njëfarë rritjeje ekonomike, e cila shikohet në vendet tona në Ballkan; pabarazitë e të ardhurave dhe mundësive janë të mëdha; kurse lodhja e publikut për lëvizje sociale ka përcjellë në një frustrim dhe ndjenjën që po e përjetojmë të gjithë se përpjekja individuale është fare e kotë. Nuk ndryshon asgjë. Ky realitet është fat vetëm i qeveritarëve dhe njerëzve pranë tyre që nuk i ndahen protagonizmit dhe që po ndikojnë t’i zbrazin vendet e tyre. Duke nisur me Shqipërinë dhe Kosovën, që dikur ishin krenare për popullsitë e reja në kontinent duke vazhduar me Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Federatën e Bosnje Hercegovinës, tashmë ballkanasit garojnë për të ikur.

Shqipëria e ka të gjallë trashëgiminë e autoritarizmit dhe këtë e shikon deri në diskursin e liderëve të partive që lapsuset Frojdiane u nxjerrin fjalë për fjalë shprehjet e komunizmit, tranzicionet ekonomike dhe ndjenja e pafuqisë përballë diçkaje që nuk ndryshon…po e lodh vendin. Por nuk “e kupton” as Rama dhe ca më keq dhe opozita, që pason vetëm veprimet e tij, pa asnjë ide të re, duke i shërbyer pak individëve./kb

Plani për punësimin e emigrantëve/ Zbardhet projekti i qeverisë

By: el da
21 July 2025 at 07:20

Diaspora mbetet prioritet i qeverisë shqiptare. Jo vetëm me të drejtën e votës së mundësuar për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit, por duket se ka një plan për t’i ftuar shqiptarët e larguar jashtë të rivijnë në atdhe.

Në strategjinë kombëtare për migracionin, parashikohen lehtësim politikash për rikthimin dhe riintegrimin e emigrantëve në shoqërinë shqiptare.

Në dokumentin e punuar në bashkëpunim edhe me Organizatën ndërkombëtare të migracionit theksohet një projekt që pritet të nis në 2026 si një fushatë e gjerë informuese për mundësitë e punësimit në vend, e cila do të zgjas katër vite me institucione përgjegjëse Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Jashtme dhe përfshirjen gjithashtu të Ambasadave dhe shoqatave me vlerë rreth 70 milionë lekë.

Së pari, planifikohet që deri në 2026 të jetë kryer identifikimi i kapaciteteve intelektuale dhe profesionale të emigrantëve shqiptarë. Mbi 56 milionë lek mendohen të shkojnë po ashtu për krijimin e stimujve për të promovuar kthimin e emigrantëve përkohësisht ose përgjithmonë, me qëllim transferimin e aftësive të fituara jashtë dhe për të sjellë vlera të reja kulturore në vendlindjen e tyre.

Më tej vlerësohet e nevojshme anketimi dhe konsultimi vjetor me sipërmarrësit shqiptarë që qëndrojnë jashtë vendit, për të matur nivelin e interesit të tyre për investime në Shqipëri dhe për të identifikuar pengesat kryesore që hasin institucionalisht.

E për ata që janë rikthyer kërkohet monitorimi i tyre në tregun e punës si dhe raportimi periodik në lidhje me nevojat që paraqesin në zyrat e punës, me qëllim përmirësimin e programeve të punësimit. /TCH/Kb

Horoskopi ditor, 21 Korrik 2025

By: el da
21 July 2025 at 07:02

Dashi

Gjate kësaj dite do zbuloni disa ane te tjera te karakterit te partnerit tuaj te cilat do iu pëlqejnë jashtë mase. Do ndiheni me se miri dhe do kaloni momente te këndshme se bashku. Beqaret nuk duhet te jene te turpshëm sepse ne këtë mënyrë nuk do e gjejnë dot personin e duhur. Situata financiare do filloje te konsolidohet tej mase.

Demi

Nëse jeni ne çift duhet te tregoheni sa me te hapur me personin qe keni ne krah dhe te flisni me te si për gjerat pozitive edhe për ato negativet. Beqaret me ne fund do realizojnë takimin qe kane ëndërruar prej kohesh. Ne planin financiar vërtet do përballeni me disa vështirësi, por ne fund do arrini ta stabilizoni situatën dhe do ndiheni me te qete.

Binjaket

Lidhja juaj do vazhdoje te jete e qëndrueshme edhe sot. Komunikimi do jete i mire dhe për çdo moment do ruani bashkëpunimin. Beqaret nga ana tjetër ka shume gjasa qe te fillojnë angazhime serioze te cilat do ua ndryshojnë rrjedhën e jetës. Ne planin financiar fati do jete ne anën tuaj. Te ardhurat do jene aq te mira sa ju mund te kryeni shpenzimet e domosdoshme.

Gaforrja

Çastet e lumtura do jene te shumta gjate kësaj dite ne jetën tuaj ne çift. Do ndiheni për mrekulli dhe do harroni gjithçka tjetër kur te jeni pranë atij qe dashuroni. Beqaret do kenë mundësi vetëm për aventura, asgjë me tepër sesa kaq. Ne planin financiar nuk duhet te ndërmerrni rreziqe te mëdha sepse ende situata nuk do jete ne periudhën me te favorshme.

Luani

Kënaquni me atmosferën qe do mbizotërojë sot ne jetën tuaj ne çift dhe mos kërkoni asgjë me shume nga partneri. Po e tepruar mund te keni mosmarrëveshje. Beqaret te cilët presin prej kohesh një gjest apo një fjale nga dikush qe pëlqejnë do e marrin atë. Financat nuk do jene ne gjendjen me te mire, por kjo nuk do te thotë qe te alarmohen menjëherë.

Virgjeresha

Do ketë përmirësime te ndjeshme gjate kësaj dite ne jetën tuaj ne çift. Klima do filloje dalëngadalë te ngrohet dhe ju do ndiheni akoma me mire se dikur. Beqaret duhet t’i marrin gjerat shtruar dhe te mos kërkojnë me ngulm princin e tyre te kaltër. Çdo gjë ka kohen e vet. Me paratë tregohuni sa me te arsyeshëm. Po e tejkaluat me shpenzimet do keni vështirësi.

Peshorja

Venusi do iu beje te tregoheni me te hapur ndaj ndryshimeve ne çift gjate kësaj dite dhe çdo gjë do shkoje me mire mes jush dhe atij qe keni ne krah. Vazhdoni ne këtë rruge. Beqaret mund te kenë edhe dashuri me shikim te pare nëse nuk mbyllen ne vetvete. Financat fatmirësisht nuk do përbejnë asnjë problem, përkundrazi për disa do ketë përmirësim te situatës.

Akrepi

Nëse sapo keni krijuar një lidhje, ka rrezik qe te përballeni me zhgënjime gjate kësaj dite. Asgjë nuk do shkoje ashtu si e kishit menduar. Beqaret do jene te parrezistueshem dhe do marrin propozime te shumta nga persona te ndryshëm. Duhet te marrin kohen e duhur për t’u menduar dhe për te vendosur. Ne planin financiar do keni fat me shumice.

Shigjetari

Asgjë nuk do shkoje si duhet sot ne jetën tuaj ne çift. Do keni debate te shpeshta dhe te forta me partnerin dhe pjesën me te madhe te ditës do jeni te mërzitur. Beqaret do jene gjithë kohës ne kërkim te dashurisë se madhe. Disa do e gjejnë, ndërsa te tjerët do duhet te presin ende. Ne planin financiar duhet te mendoheni njëqind here para se te kryeni ndonjë shpenzim.

Bricjapi

Tregohuni sa me realiste sot juve qe jeni ne një lidhje dhe mos kërkoni gjera te pamundura nga ai qe keni ne krah. Beqaret do jene me joshës se kurrë dhe nuk do ndalen derisa te bëjnë për vete dike. Ka shume gjasa qe ne mos sot shume shpejt te filloje një lidhje e qëndrueshme. Plutoni do iu nxite te shpenzoni pa fund dhe situata financiare do behet delikate.

Ujori

Do kaloni momente mjaft pasionante gjate kësaj dite ne jetën tuaj ne çift dhe do ndiheni shpesh si ne ëndërr. Shfrytëzojeni çdo çast dhe çdo sekonde kur te jeni pranë partnerit. Beqaret do realizojnë disa takime, por asnjeri nuk do ua mbushe mendjen sa për te hedhur hapa me tej. Shpenzimet nuk do mundeni dot t’i ndalni, por te paktën kufizojini.

Peshqit

Do i kaloni një e nga një te gjitha vështirësitë qe keni pasur ne jetën tuaj ne çift sot dhe atmosfera do behet me e ngrohte. Beqaret do kenë takime fantastike te cilat nuk duhet t’i humbasin për asnjë lloj arsyeje. Me financat vazhdoni te tregoheni te matur sepse po kryet gabimin me te vogël do keni vështirësi te mëdha edhe ne te ardhmen./kb

Yesterday — 20 July 2025Main stream

Trump donte të anulonte kontratat qeveritare me Musk. Pse ndryshoi plani?

By: el da
20 July 2025 at 22:56

Për qeverinë amerikane, ndarja me Elon Musk është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet.

Pasi Elon Musk kritikoi publikisht planin e taksave dhe buxhetit të Donald Trump, presidenti amerikan shkroi në Truth Social se mënyra më e mirë për të kursyer para federale ishte të priste të gjitha kontratat me kompanitë e Musk.

Sipas Wall Street Journal, pas kësaj Shtëpia e Bardhë nisi në heshtje një shqyrtim dhe zbuloi se pothuajse të gjitha marrëveshjet e SpaceX me qeverinë nuk mund të anulohen, pasi ato janë kritike për Pentagonin dhe NASA-n.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se shqyrtimi i kontratave qeveritare u përqendrua në një gamë kompanish me kontrata fitimprurëse qeveritare.

SpaceX u konsiderua ofruesi kryesor i lëshimeve në botë dhe një lojtar kyç në komunikimet satelitore. m.p.

Kosova cakton 1 muaj paraburgim për zyrtarin e qeverisë serbe

By: el da
20 July 2025 at 22:43

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji zëvendësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Igor Popoviq.

Ai dyshohet për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, si dhe pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale”, u tha në njoftimin e Gjykatës Themelore.

Avokati i tij, Ljubomir Pantoviq, tha se mbrojtja do ta apelojë këtë vendim të Themelores.

“Është pranuar kërkesa e prokurorisë, në të cilën pretendohet se Igor Popoviq ka nxitur përçarje dhe urrejtje në fjalimin që e mbajti para dy ditësh”, tha Pantoviq.

Popoviq u ndalua më 18 korrik në Kosovë pasi sipas autoriteteve në Kosovë gjatë një fjalimi në Hoqë të Madhe, ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste” dhe i ka krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare. m.p.

A ka filluar revolucioni në PD? Flaka e parë u ndez…

By: el da
20 July 2025 at 22:37

YLLI PATA – Deklarata e kryetarit të bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, përbën një zhvillim serioz politik.

Kryebashkiaku, është një prej figurave të pakta të opozitës shqiptare, që përveç shiritit zyrtar të postit që përfaqëson, atij kuqezi, mban edhe mantelin e fituesit. Një mantel, të cilin e kanë veshur shumë pak në “armatën” humbëse të udhëhequr nga Sali Berisha.

Qëndrimet e Qoses janë zhvillim serioz, pasi në thelb, kreu i bashkisë së Kavajës, ka kundërshtuar tërë substraktin politik të strategjisë opozitare.

Ai së pari ka kundërshtuar qartë politikën e bojkotit, dhe mos njohjes së realitetit politik. Qosja thotë se PD duhet të jetë pjesë në të gjithë zhvillimet politike në Parlament, duke përfshirë reformat e rëndësishme.

“Duhet të marrim pjesë në të gjitha reformat, në drejtësi, territoriale, parlamentare. Një parti politike duhet të jetë pjesëmarrëse, sepse nëse ti nuk je pjesëmarrës, atëherë kot që je. Një ekip po nuk luajti në fushë nuk do quhet ekip. Duhet të luash në fushë, atëherë luan mirë apo keq, atë e gjykojnë qytetarët, por ama ti duhet të luash”, deklaroi kryebashkiaku i Kavajës, në një intervistë në A2.

Një qëndrim krejt i fortë dhe në thelbin e tij, një alternativë e atij që ka ofruar opozita e Sali Berishës. Qosja, këtë qëndrim nuk e ka vetëm me fjalë, por me aksione konkrete. Ai merr pjesë thuajse në të gjithë mbledhjet e kryeministrit Edi Rama me krerët e pushtetit vendor. E kemi parë me ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro, në zonat turistike që përfshin bashkia e tij, si dhe në aktivitete të tjera së bashku me qeverinë qëndror, të cilën e kontrollon mazhoranca socialiste e Edi Ramës.

Për këtë, Qosja nuk ka fare droje, e as kompleks, por jep mendimin e tij hapur, duke qënë si pjesëmarrës i mandatuar nga qytetarët që e kanë zgjedhur.

Madje, ajo që është më e rëndësishme, është se sjellja e tij, pra mënyra “formale” është krejt brenda normave të edukatës civile. Pa sforco teatrale, e as sinjale për të treguar dhëmbë të kërcëlluar apo fytyrë të ngrysur. Përkundrazi, kryebashkiaku i Kavajës është përgjithësisht me buzë në gaz, siç duhet e ka në natyrën e tij prej “çuni të Shqipërisë së mesme”.

Por nuk mbaron këtu zhvillimi i sotëm që mban emrin e Fisnik Qoses. Ai ka rrëzuar mënyrën sesi Sali Berisha ka zgjedhur deputetët, duke thënë se duhet të ishin doemos kandidatët që fituan primaret. Nga ana tjeter ai e thotë hapur e troç se PD-së i duhen figura të reja.

Ndërkaq, përpos elaborimit të argumentit “debat” brenda PD-së dhe parashtrimit në mënyrë kirurgjike të problemeve, ka një kleçkë në mjedisin e këtyre zhvillimeve.

Përveç kryetarit të bashkisë së Kavajës që është një personazh me autoritet publik dhe politik, edhe Ervin Saljanji pas daljes nga burgu e përmendi argumentin “ndryshim”. Ndërkohë që edhe zëra të tjerë në PD, duke nisur nga Myslym Murrizi etj, kanë qenë edhe më të zëshëm e të ashpër në kritika.

Mes fjalë të tjera, në kozmosin politik të Partisë Demokratike nuk mungojnë zërat e ndryshëm, që në logjikën e opozitës janë më të lirë që të shprehen, pasi nuk kanë çfarë të humbin.

Gjithsesi, edhe në aspektin retorik, ky diskutim është shumë i rëndësishëm, pasi na paraqitet krejt i ndryshëm nga panelistët që mbështesin Berishën, të cilët stonojnë fort në vazhdimin e rrahjes së ujit në havan.

Por përtej shprehjes dhe fjalës si fuqi primare në politikë, deklaratat e shkëputura mund të mbeten gudulisje për trupin e mpirë të opozitës shqiptare.

Parashtrimi i argumenteve dhe ideve, arrijnë të jenë efektive nëse ato adresohen aty ku duhet dhe i bashkëngjitet një aksion politik, perndryshe krijojnë edhe më shumë zhgënjim edhe pesimizëm.

Logjika e përdorur këto vite, se fajin e ka delfini i radhës i doktorit e jo Sali Berisha, e ka çuar PD-në në gjendjen e të sëmurit të Bosforit para rrëzimit të Perandorisë Osmane.

Për ta ringritur, duhet një revolucion i vërtetë “qemalist”, që të themelojë një republikë të vërtetë europiane në ish-godinën e Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë Popullore. Këtë nuk e bëjnë as pasuesit e “Abdulhamitit” e as xhonturqit, duhet një mustafaqemal, qoftë edhe pa mustaqe. m.p.

Aeroportet e Moskës mbyllen pas sulmeve me dronë në Ukrainë

By: el da
20 July 2025 at 22:26

Një sulm i vazhdueshëm me dronë ukrainas ndaj Rusisë shkaktoi mbylljen e përkohshme të aeroporteve kryesore të Moskës dhe anulimin e të paktën 140 fluturimeve, thanë zyrtarët.

Më shumë se 230 dronë ukrainas u rrëzuan mbi Rusinë që nga mëngjesi i së shtunës – përfshirë 27 mbi kryeqytet – sipas ministrisë ruse të mbrojtjes.

Sipas organit mbikëqyrës të aviacionit rus, katër aeroportet kryesore që i shërbejnë kryeqytetit u ndërprenë dhe më shumë se 130 fluturime u detyruan të ridrejtoheshin. Që atëherë të gjitha kanë rifilluar operacionet normale.

Ndërkohë, të paktën tre persona u vranë gjatë sulmeve ajrore ruse në Ukrainë gjatë natës, sipas zyrtarëve rajonalë.

Shoqata e Operatorëve Turistikë të Rusisë (Ator) tha të dielën se aeroportet e Moskës u mbyllën 10 herë brenda 24 orëve për shkak të grevave.

Ministria e mbrojtjes e Rusisë tha se dronë u rrëzuan gjithashtu mbi rajonet pranë kufirit ukrainas, përfshirë Rostovin dhe Bryanskun, si dhe mbi Detin e Zi. Nuk u raportuan viktima. m.p.

Akuza tjetër e Endri Shabanit: Lapaj bëri listat në 12 të natës

By: el da
20 July 2025 at 22:15

Endri Shabani, kryetari i Nismës Thurje, tregoi në A2 CNN, se çfarë ndodhi me Dash Sulën.

“Ligji i jep të drejtën kreut të koalicionit që të dorëzojë listat. Ne thjesht propozonim lista. Ne kemi çuar listën tonë të dielën dhe ato janë dorëzuar të mërkurën në 12 të natës. Çdo punë që bëhet në mes të natës ka gabime dhe një nga këto gabime ka qenë edhe kjo e zotit Sula, që iu faturua Nismës Thurje. Edhe zoti Zeqir Kordhoni nuk është propozuar nga Nisma Thurje për listën e mbyllur. Çuam 3 kandidate për listën e mbyllur të Tiranës. Por, kishin çuar më shumë gra seç duhej dhe e zëvendësuan Majlinda Zikon e vendit të nëntë dhe futën Zeqir Kordhonin. Edhe zoti Sula u fut në 12 të natës dhe të nesërmen në mëngjes kërkonte garanci te lista e mbyllur. Negociatat me zotin Sula nuk i kam bërë unë. Unë kam pasur kundërshtitë e mia për disa kandidatë dhe parti të vjetra që donin të bëheshin pjesë e koalicionit”.

“Ka pasur parti të tjera, shumë të vjetra, të cilat donin të bëheshin pjesë e koalicionit, por unë isha kundër sepse doja të ishim të gjithë të rinj”.

Sipas tij, aktivistët e Nismës Thurje janë ndjerë të mënjanuar gjatë gjithë fushatës.

“Ku ka demokraci, ka tension. Pas kësaj që ndodhi, jemi të gjithë shumë të dëshpëruar pasi vite të tëra punë janë dëmtuar dhe na duhet shumë kohë për të rifituar besimin e publikut. Doja që debatin mos ta kishim bërë në publik, pasi edhe medias i ka shërbyer pasi ka hequr vëmendjen nga çështje më të mëdha në vend, siç është Thethi. Është telenovelë e shëmtuar, do doja ta kishim shmangur këtë”.

“Tani, duhet të gjejmë një mënyrë që Adriatiku të japë dorëheqjen, as unë nuk do e marr, por ta marrë dikush tjetër. Me zotin Pano Soko kam folur dhe do përpiqemi ta zgjidhim, duke mos rikonfirmuar tendencat autoritare që nuk i shërbejnë kauzës”, deklaroi Shabani. m.p.

Kaçinari më në fund del nga izolimi! Nis hapja e rrugëve

By: el da
20 July 2025 at 22:08

Pas shumë vitesh, Njesia Administrative e Kaçinarit në Mirditë ka dalë nga izolimi që ishte krijuar nga mungesa e infrastrukturës rrugore.

Në zbatim të kontratës së lidhur me Bashkinë Mirditë dhe banorët, kompania “Shpërdhaza-Energji” që do të ndërtoje HEC-et në Kaçinar ka zbarkuar prej muajsh në terren.

Punëtorë dhe mjete të rënda po punojnë çdo ditë, duke hapur rrugët e fshatrave dhe rehabilituar aksin Bukmir-Kaçinar, ndërhyrje që janë pritur mjaft mirë nga banorët.

Sipas tyre, mungesa e infrastrukturës ishte një faktor i rëndësishëm që solli shpopullimin e kësaj zone, duke e bërë të vështirë jetesën dhe zhvillimin e saj. m.p.

Shëngjin, 23-vjeçari bie nga ballkoni i hotelit

By: el da
20 July 2025 at 21:52

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë pasdite në Shëngjin ku një 23-vjeçar ka rënë nga ballkoni i hotelit ku po qëndronte me pushime.

23-vjeçari banues në Burrel është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë të specializuar mjekësore.

Gjendja e tij raportohet të jetë e rëndë ndërsa të tjera detaje priten në vijim nga policia. Blutë e Lezhës bëjnë me dije se grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. m.p.

Pano Soko: “Turp për ne, kam frikë t’i shoh votuesit tanë në sy”

By: el da
20 July 2025 at 21:47

Pano Soko i cili në zgjedhjet e 11 Majit garoi nën siglën e Nismës Shqipëria Bëhet ka komentuar përplasjen mes Adriatik Lapajt dhe Endrit Shabanit të Nismës Thurrje. Soko e quan të gjithë situatën të turpshme ndërsa thekson se mosrespektimi i angazhimit për listat e hapura rrezikon besimin e qytetarëve. Soko bën thirrje që të përmbushen zotimet e dhëna para votuesve si dhe i bëri thirrje individëve të cilët në mënyrë fiktive, janë paraqitur në listë të mbyllur që ti përmbahen angazhimit të tyre për të dhënë dorëheqjen dhe për të çliruar mekanizmin e listës së hapur.

“Çështja është akoma duke u zhvilluar. Kjo që ndodhi ishte një turp në dy plane: E para ishte e gjithë mospërmbushja e angazhimit tonë që morëm përpara njerëzve që na votuan, që ne do shkonim me lista të hapura duke garantuar një mekanizëm për të cilin ne dolëm garant përpara njerëzve.

I bëj thirrje të gjithë individëve të cilët në mënyrë fiktive, janë paraqitur në listë të mbyllur që ti përmbahen angazhimit të tyre për të dhënë dorëheqjen dhe për të çliruar mekanizmin e listës së hapur.

Koalicioni jonë i ka marrë votat për të çuar në Parlament ata që morën më shumë vota, jo ca njerëz fiktivë që nuk ishin për vota.

E dyta ka të bëjë me tensionet e komunikimit që kanë ekzistuar mes nesh, dhuna është e pafalshme. Komunikimi publik për gjëra që duhen zgjidhur me njëri-tjetrin, është gabim që shpesh herë rezulton fatal, sepse kur gjërat bëhen publike, “urat digjen”, prandaj gjërat mbahen në privatësi për të ruajtur urat.

Të gjitha palët e përfshira të ndërmarrin anagzhimin e tyre për të përmbushur detyrimin që kanë ndaj votuesit dhe për të çaktivizuar listën e mbyllur. E kemi të detyrueshme t’u dalim garant njerëzve, dhe është e turpshme nëse nuk e bëjmë”, deklaroi Soko.

Pano Soko thekson se janë të dënuar të gjejnë një zgjidhje, pasi së pari duhet bërë për hir të qytetarëve që i votuan.

“Nëse ne nisim rrugëtimin tonë politik me një humbje angazhimi të tillë, atëherë besimi i njerëzve nuk është një gjë që fitohet shpesh herë. Personalisht jam ndjerë shumë në siklet, në detyrim ndaj atyre njerëzve që na kanë votuar. Nuk i shof dot në sy.

Besoj se ne do gjejmë forcën për të dalë mbi veten për hir të atyre njerëzve që na kanë besuar. Jemi të dënuar të gjejmë një zgjidhje”, tha Pano Soko.

Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet fitoi mandatin në zgjedhjet e 11 Majit ndërsa marrëveshja mes palëve ishte bërë që emrat e listës së mbyllur që përbëhej nga të afërm të kandidatëve, do të jepnin dorëheqje si një artificë që kandidatët e listës së hapur të ishin ata që garonin për mandatet.

Përplasja nisi mes Adriatik Lapajt dhe Endrit Shabanit pasi daja i këtij të fundit nuk pranoi të japë dorëheqjen. Deklaratat mes Lapajt dhe Shabanit kanë qenë të ashpra ndërsa tashmë priten të tjera zhvillime. m.p.

Endri Shabani: Dajës sim i kanë bërë kërcënime te dera e shtëpisë

By: el da
20 July 2025 at 21:39

Endrit Shabani, kryetari i Nismës Thurje, tregoi në A2 CNN, kërcënimet që ka marrë daja i tij, Zeqir Kordhoni.

“Zoti Zeqir Kordhoni është ndjerë i përdorur. Ai ka thënë që nuk mund të talleni me mua. Ai është aktivist që në vitin 2023. Ka mbledhur firma, ka shpërndarë fletëpalosje… Në irritim e sipër, ai tha “unë jam burrë, jo politikan”. Ai është ndjerë se Adriatiku nuk është treguar serioz me të. Unë jam përpjekur ta bind, por kur kanë nisur kërcënimet unë nuk e bind dot më, kam humbur mundësinë për të komunikuar dhe e fundit, nuk e di a është e drejtë që ta bind. Unë kam luftuar me modelet e dhunës dhe nuk e pranoj dot si normale që në një konflikt politik, zgjidhja të jetë dhuna, kërcënimi i fëmijëve, gruas, familjes… Nuk dua të hyj në detaje, por ka marrë kërcënime me jetë”, tha Shabani.

“Ky është standard i tejkaluar edhe te partitë e vjetra që njiheshin si të dhunshme. Unë nuk dua ta përshkallëzoj më tej situatën dhe shpresoj që edhe zoti Kordhoni mos ta bëjë denoncimin. Dua ta shuaj sa më shpejt këtë. Nëse Kleana Xhuveli, e cila e ka revokuar dorëheqjen, ka dakordësinë e të gjithëve, të shkojë ajo në Parlament. Është vajzë e re, jurist dhe po aq e mirë sa Endrit Shabani dhe Adriatik Lapaj. Ajo përfaqëson “Shqipëria bëhet”. Nuk ka pasur kurrë pretendim nga Nisma Thurje për të marrë mandat. Zoti Zeqir Kordhoni nuk e ka menduar ndonjëherë të bëhet deputet duke qenë në fund të listës”, shtoi më tej Shabani.

Sipas tij, Adriatik Lapaj duhet të mbante fjalën. “Politika e vjetër këtë punë ka bërë 34 vjet. Premtime para zgjedhjeve që nuk mbaheshin pas zgjedhjeve”, theksoi Shabani.

Më tej, ai iu kthye kërcënimeve ndaj dajës së tij: “Nuk e kemi as moralin tani që t’i themi një njeriu që i është kërcënuar familja “tërhiqu ti se bënë shaka këta që të kërcënuan fëmijët”. Edhe dje një personazh publik i thonte që “publiku do t’i pështyjë fëmijët e tu kur të dalin në rrugë”. Në një situatë të tillë, zgjidhja është ligjore. Ne mund t’i kërkojmë KQZ-së që të njohë dorëheqjet e dorëzuara në 11 maj. Listën e mbyllur e mbushëm me njerëz që nuk kishin synim për t’u bërë deputet. 6500 njerëz kanë votuar për Adriatikun dhe 3100 për mua. Në asnjë rrethanë nuk ndodh që të gjithë dëshirat e votuesve të përfaqësohen në Parlament”.

“Zoti Zeqir Kordhoni ka reaguar në një moment irritimi dhe është përkeqësuar situata kur ka marrë kërcënime. Aty më pas nuk ka më pikë kthimi. Kjo është fatkeqësia. Unë besoj se pas gjithë kësaj situate, si unë, ashtu edhe zoti Lapaj, nuk besoj që pretendojmë më mandat. Nuk kam si i them zotit Kordhoni “mos i merr seriozisht kërcënimet me telefon e në shtëpi”. Ky është model që duhet ta dënojmë, nuk mund ta promovojmë”, deklaroi Shabani. M.P.

Valë “ndëshkimesh” në det, bllokohen 30 mjete lundruese në një javë

By: el da
20 July 2025 at 15:31

Në kuadër të operacionit “Siguria Detare”, vijon kontrolli në të gjithë bregdetin shqiptar dhe në hapësirat ujore të brendshme. Policia Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, ka zhvilluar gjatë kësaj jave qindra kontrolle nga Ksamili deri në Koman, duke pasur si qëllim forcimin e parametrave të sigurisë në det, liqene dhe lumenj.

Në total, janë kontrolluar 431 mjete lundruese, nga të cilat 30 janë bllokuar, për shkelje të ndryshme. Mjetet e sekuestruara përfshijnë:

18 jet ski

7 skafe

3 gomone

2 varka metalike me motorë uji të instaluar

Shkeljet kryesore ishin lundrimi brenda perimetrit të sigurisë, mungesa e dokumentacionit dhe lundrimi jashtë zonave të lejuara. Vetëm për lëvizje të rrezikshme pranë pushuesve, 12 drejtues janë ndëshkuar me gjoba nga 100 mijë lekë secili.

Ndërkohë, janë shpëtuar 13 persona (shqiptarë dhe të huaj), të cilët ndodheshin në rrezik për shkak të dallgëve të larta apo defekteve në mjete./kb

Vlorë/ Zjarr në Shashicë, flakët shumë pranë rrugës së Bypassit

By: el da
20 July 2025 at 15:16

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë zonën e Shashicës në Vlorë, shumë pranë rrugës së re të Bypass-it.

Flakët po përhapen me shpejtësi dhe rrezikojnë seriozisht zonën përreth.

Në vendngjarje ndodhet zjarrfikësja, që po punon për të vënë situatën nën kontroll.

Drejtuesit e mjeteve që kalojnë aty pranë këshillohen të tregojnë kujdes.

Rreziku për përhapje të mëtejshme është i lartë për shkak të erës dhe temperaturave të larta./kb

Muri i ndërtesës që po shembte e zë poshtë, ndërron jetë 51-vjeçari në Dimal

By: el da
20 July 2025 at 14:45

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Dimal, ku një 51-vjeçar ka ndërruar jetë, pasi është zënë poshtë nga muri i një ndërtese që po shembte.

Policia njofton se dëmtimet kanë qenë tepër të rënda dhe 51-vjeçari nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.

“Paraditen e sotme ka mbërritur në Urgjencën e Spitalit pa shenja jete shtetasi A. H., 51 vjeç, banues në fshatin Kutalli, Dimal. Nga informacionet e marra shtetasi A. H., ka qenë duke prishur një ndërtesë të vjetër në banesën e tij, muri i ndërtesës është rrëzuar dhe  e ka dëmtuar, si pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë”, njofton policia.

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave në të cilat ndodhi tragjedia./kb

Çfarë është Hawala? Si funksionon sistemi informal i transferimit të parave

By: el da
20 July 2025 at 14:28

Hawala është një metodë informale e transferimit të parave. Ky sistem konsiderohet si një “transferim parash pa lëvizje parash” dhe në thelb funksionon mbi bazën e besimit të ndërsjellë mes palëve të përfshira.

Ky mekanizëm, i cili ka origjinën në Azinë Jugore, përdoret edhe sot në mbarë botën, sidomos në komunitetet islame, si një alternativë ndaj sistemit tradicional bankar.

Në vend të transfertave bankare ndërkombëtare, paratë dërgohen përmes një rrjeti të veçantë të quajtur “hawaladars” apo tregtarë të hawala-s.

Këta tregtarë nuk përdorin dokumentacion formal, gjithçka bazohet në një sistem të paligjshëm, por i mirëorganizuar i regjistrimit të transaksioneve, ku çdo kredi apo debit shënohet në mënyrë të përmbledhur dhe diskrete. Borxhet mund të shlyhen përmes parave, pronave apo edhe shërbimeve.

Ata që nuk respektojnë marrëveshjet e nënkuptuara konsiderohen si të pabesë dhe përjashtohen nga rrjeti, një dënim që vlen më shumë se çdo ndëshkim ligjor për ta.

Për shumë emigrantë që dërgojnë para në vendet e tyre të origjinës, hawala është shpesh alternativa më praktike. Në vende ku sistemi bankar është i kushtueshëm ose i paarritshëm, hawala ndihmon në qarkullimin e fondeve me shpejtësi, kosto të ulët dhe pa burokraci. Madje, në disa raste, tregtarët nuk aplikojnë tarifa për emigrantët, për t’i nxitur të përdorin këtë kanal joformal.

Ky sistem është veçanërisht i rëndësishëm për njerëzit që nuk kanë dokumente identifikimi apo akses në një llogari bankare. Për ta, është e vetmja mënyrë për të dërguar para jashtë vendit./kb

Mbi 17 mijë vizita në qendrat shëndetësore verore, 27% e pacientëve kanë qenë të huaj

By: el da
20 July 2025 at 14:00

Që nga data 1 qershor  36 qendrat shëndetësore verore në të gjithë vendin që operojnë 24 orë në 7 ditët e javës kanë  trajtuar mbi 17 mijë pushues. Drejtori i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj thotë se një pjesë e konsiderueshme e këtij fluksi kanë qenë shtetas të huaj.

Mbi 17 mijë vizita janë kryer deri më tani në qendrat shëndetësore verore , nga të cilat 73% kanë qenë shqiptarë dhe 27 % shtetas të huaj. Predominojnë pickimet, të vjellat, gastroenteritet që kanë të bëjnë me temperaturat e larta, tipike të sezonit”, thotë Brataj.

Falë  shërbimeve në këto qendra është parandaluar shumë fluksi në spitalet rajonale.

Një gjë pozitive që është bërë këtë vit, për të cilën kemi insistuar shumë, është që në rastet e të vjellave dhe diarresë, apo humbjes së lëngjeve të ketë edhe re hidratim në këto qendra, pra marrja e një serumi që pacienti të zëvendësojë menjëherë lëngjet e humbura. Kjo ka ulur shumë numrin e personave që shkojnë drejt spitaleve të cilat janë 4-5 në bregdet dhe nuk do të mund të përballonin gjithë këtë fluks”, shprehet ai.

Të vjellat dhe problemet gastrointestinale kanë qenë ndër ankesat kryesore.

Nëse ke një diarre, ose është një virus ose një nga toksinat që krijohet. Kështu që lëre që organizmi ti eliminojë këto toksina sepse është një mekanizëm mbrojtës. Ajo që duhet të bëjmë është që ta zëvendësojmë me lëngje ose serum”, thekson drejtori i urgjencës.

Qendrat shëndetësore verore janë të vendosura pranë pikave më të frekuentuara turistike dhe plazheve, duke garantuar ndërhyrje të menjëhershme në çdo situatë emergjente me shërbime parandaluese dhe këshillimore për të ruajtur shëndetin e pushuesve./kb

Emigracioni dhe rënia e lindshmërisë, faktorët kryesorë/ Si po plaket forca e punës

By: el da
20 July 2025 at 13:40

Emigracioni dhe rënia e lindshmërisë ndër vite janë faktorë kyç që po ndikojnë te mplakja e fuqisë punëtore në vend dhe thellimi i hendekut te bizneset për mosplotësim stafesh. Fenomeni është global. Revista “The Economist”, së fundmi në një shkrim, analizonte shkaqet e rritjes së plakjes së popullsisë nga rënia e lindshmërisë.

Deri në vitin 2050 parashikohet një rënie prej 340 milionë banorësh të popullsisë në moshë pune që përbën grupmoshat nga 15 deri në 64 vjeç. Rënia do të shtrihet në shtetet e kontinenteve Amerikës, Europës, përfshirë edhe shtetet e mëdha aziatike, si Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut.

Përjashtim nga fenomeni i plakjes së forcës punëtore do të bënin vetëm shtetet e Afrikës Nënsaharine, ku ritmet e rënies së lindjeve ishin shumë të ulëta dhe ardhja e tranzicionit demografik është ende disa dekada larg.

Po si ka ndryshuar numri i popullsisë në moshë pune në dekadën e fundit në Shqipëri? Nga rezultatet e Censit të Popullsisë 2023, rezultoi se popullsia në moshë pune në vend kishte pësuar  tkurrje të thellë krahasuar me vitin 2011.

Numri total i popullsisë në moshë pune nga 1,903,987 persona në vitin 2011 arriti në 1,555,080 persona në vitin 2023, që përbën një ulje prej rreth 349 mijë vetash ose 18,3%. Rënia e numrit të popullsisë në moshë pune është më e lartë se tkurrja e totalit të popullsisë prej gati 14% që rezultoi në Censin 2023 krahasuar me rezultatet e Censit 2011.

Referuar të dhënave konstatohet se ulja e numrit të popullsisë në moshë pune është më e theksuar te grupmoshat e reja nga 15 deri në 29 vjeç. Për grupmoshën e parë, nga 15 deri në 19 vjeç, rezulton se rënia është 46,8% krahasuar me rezultatet e Censit 2011.

Për grupmoshën 20 deri në 24 vjeç, rënia është 41,2%. Ndërsa për grupmoshën nga 25 deri në 29 vjeç, tkurrja është me 24,9%. Rënia e numrit të popullsisë në moshë pune te grupmoshat e reja, sipas ekspertëve, u vlerësua se erdhi nga emigracioni masiv i të rinjve dhe rënia e lindshmërisë në dekadën e fundit.

Ndërsa te grupmoshat më të vjetra nga 55 deri në 64 vjeç ka rritje të popullsisë në moshë pune. Rritja më e lartë është për grupmoshën nga 60 deri në 64 vjeç. Rritja është 48,8%. Për grupmoshën nga 55 deri në 64 vjeç (grupmosha afër moshës së daljes në pension) numri i popullsisë në moshë pune është rritur me 9,6%.

Sipas ekspertëve kjo rritje tregon plakje të popullsisë aktive, jo sepse ka më shumë lindje, por sepse ata që kanë qenë të rinj në 2011 tani kanë kaluar në këto grupmosha.

Të dhënat e INSTAT për shkallën e pjesëmarrjes në forcat e punës në Shqipëri në periudhën 2019–2024 tregojnë një tendencë të plakjes së fuqisë punëtore. Grupi më aktiv në tregun e punës mbetet ai i moshës 25-54 vjeç, me shkallë pjesëmarrjeje të lartë dhe në rritje, nga 83,2% në 3-mujorin e parë të 2019-s, arriti në 87,6% në fund të vitit 2024.

Në të njëjtën kohë, pjesëmarrja e grupmoshës 55-64 vjeç është rritur ndjeshëm – nga 62,9% në 2019 në mbi 75% në vitin 2024, duke dëshmuar një prani gjithnjë e më të madhe të punonjësve më të moshuar në tregun e punës.

Ndërkohë, të rinjtë (15-24 vjeç) vazhdojnë të kenë pjesëmarrje të ulët dhe të paqëndrueshme, që luhatet nga 32 deri në 40%. Kjo tregon për vështirësi të kësaj grupmoshe për t’u integruar në tregun e punës, çka mund të lidhet me arsimin, papunësinë, emigracionin ose mungesën e mundësive të përshtatshme për këtë kategori.

Një zhvillim interesant është rritja e pjesëmarrjes edhe në grupmoshën mbi 65 vjeç, ku në dy tremujorët e parë të vitit 2024 arrihen nivele mbi 25%, një rritje e ndjeshme krahasuar me rreth 14-16% që ishte në vitet 2019–2020.

Krahas kësaj, edhe grupi 20-64 vjeç ka shfaqur rritje të qëndrueshme, duke arritur në mbi 81% pjesëmarrje në fund të vitit 2024, që konfirmon një tendencë të përgjithshme të zgjerimit të angazhimit të popullsisë në moshë pune./ Monitor/kb

 

Verë e paprecedentë në Itali/ Në Siçili priten temperatura deri në 49°C,

By: el da
20 July 2025 at 13:24

Tashmë është zyrtare, java e ardhshme do të ndajë Italinë në dy realitete të kundërta klimatike. Ndërsa veriu i vendit do të përballet me reshje të dendura dhe stuhi të fuqishme, pjesa qendrore dhe jugore do të goditen nga një valë të nxehti ekstrem, e përshkruar nga ekspertët si një ndër më të ashprat e dekadave të fundit, ndoshta edhe e paprecedentë në historinë e vendit.

Sipas raportimit të medias italiane La Repubblica këtë të diel, më 20 korrik, vala afrikane e të nxehtit, e njohur ndryshe si “Deveja”, ka filluar të shtrihet mbi Siçili, Sardenjë dhe Pulia, ku temperaturat kanë kapur tashmë 40°C. Madje, edhe në lartësinë 1500 metra mbi nivelin e detit, termometri tregon rreth 30°C – një vlerë jashtëzakonisht e rrallë për klimën italiane.

Megjithatë, këto shifra janë vetëm parapërgatitje për atë që do të ndodhë nga e hëna në brendësi të lindjes së Siçilisë – sidomos në zonat midis Sirakuzës, Katanias dhe Kaltanisetas. Për shkak të faktorëve si erërat e forta, lagështia e ulët dhe distanca nga deti, temperaturat pritet të ngjiten deri në 45°C. Meteorologët nuk përjashtojnë mundësinë që ato të kalojnë edhe 49°C, çka do të përbënte një rishkrim të historisë klimatike për Italinë dhe tërë kontinentin. Ky nivel do të thyente rekordin aktual evropian prej 48.8°C, i regjistruar në gusht 2021 në Floridia, provincë e Sirakuzës./kb

Përmbytje në Korenë e Jugut/ Bilanci tragjik rritet, priten rrebeshe të tjera

By: el da
20 July 2025 at 13:00

Të paktën 14 persona kanë humbur jetën dhe 12 të tjerë rezultojnë të zhdukur si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut të shkaktuara nga reshjet e dendura që kanë përfshirë Korenë e Jugut gjatë ditëve të fundit, njoftoi Zyra Kombëtare për Menaxhimin e Fatkeqësive.

Pamjet dramatike të publikuara nga qyteti turistik Gapyeong, tregojnë banorë duke kaluar mes baltës dhe urave të dëmtuara, në përpjekje për të arritur në strehimoret e evakuimit. Vetëm në këtë qytet, dy persona kanë humbur jetën dhe katër rezultojnë të zhdukur, pas një rrëshqitjeje që përfshiu disa banesa.

Në rajonin qendror të Chungcheong, një fshat i tërë u mbulua nga balta dhe rrënojat pas një tjetër rrëshqitjeje të fuqishme, raportojnë mediat vendase.

Pothuajse 10,000 persona janë evakuuar nga banesat e tyre që prej të mërkurës, kur filluan reshjet, ndërsa më shumë se 41,000 familje kanë mbetur pa energji elektrike.

 

 

Dëmet janë përhapur në shumë pjesë të vendit – mijëra ndërtesa dhe rrugë janë përmbytur ose dëmtuar rëndë, me pasoja edhe në bujqësi dhe mbarështimin e bagëtive. Rajonet jugore janë goditur më rëndë, me 6 viktima dhe 7 persona të zhdukur vetëm në qarkun Sancheong.

Ndërkohë, rajonet malore në veri afër Seulit dhe disa zona perëndimore dhe veriore kanë regjistruar gjithashtu viktima dhe dëme të konsiderueshme.

Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Provincës Gyeonggi, 63 persona janë shpëtuar, ndërsa 285 të tjerë janë evakuuar nga zona e rrezikut në Gapyeong. Autoritetet kanë lëshuar paralajmërime serioze për rrëshqitje dheu në disa rajone të tjera të vendit.

Megjithëse reshjet janë zbutur në pjesën jugore dhe qendrore, në kryeqytetin Seul dhe në veri të vendit priten rrebeshe të tjera gjatë ditës së dielë.

Qeveria koreane ka nisur një operacion të gjerë ndërinstitucional për rimëkëmbjen dhe ndihmën emergjente, në përpjekje për të minimizuar pasojat dhe për të shpëtuar ata që mund të jenë ende të bllokuar në zonat më të prekura./kb

❌
❌