Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 July 2025Main stream

“Mitrovica Neolitike”- Ekspozita që ndriçon 8 mijë vjet histori hapet sonte në Muzeun e Mitrovicës

By: Kult Plus
31 July 2025 at 12:00

Ekspozita “Mitrovica Neolitike” hap dyert sonte, më 31 korrik, duke filluar nga ora 19:00, në ambientet e Muzeut të Mitrovicës.

Ky është një rikonceptim i ekspozitës arkeologjike që hedh dritë mbi fillesat e jetës së qëndrueshme në territorin e Mitrovicës, të dokumentuar që më shumë se 8 mijë vjet më parë, duke ofruar vizitorëve një pasqyrë të pasurisë kulturore dhe historike të kësaj treve, përcjellë KultPlus.

Kuratorët e ekspozitës janë Kaltrina Igrishta dhe Lekë Shala, të cilët kanë përzgjedhur dhe prezantuar artefakte të rëndësishme që dëshmojnë për jetën neolitike, stilin e jetesës, zhvillimin bujqësor dhe përparimet e hershme shoqërore në këtë rajon.

Ekspozita vjen si një nismë për të forcuar ndërgjegjësimin mbi trashëgiminë arkeologjike të Kosovës dhe për të krijuar ura të reja mes publikut dhe së kaluarës së hershme të vendit. Vizitorët do të kenë mundësinë të njihen nga afër me objekte autentike dhe interpretime vizuale që tregojnë historinë e qytetërimit të hershëm në Mitrovicë./KultPlus.com

Parku Arkeologjik i Apolonisë, ndër më të vizituarit në vend

By: Kult Plus
31 July 2025 at 11:43

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau sot në rrjetet sociale fotografi nga një ditë e zakonshme në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, ku duket se vizitorët janë të shumtë në numër.

PAA është nga sitet tona kulturore më të vizituara. Çdo ditë janë me qindra vizitorët vendas dhe të kombësive të ndryshme që shijojnë ato çka ofron ky park arkeologjik. Sipas statistikave, nga të huajt kryesojnë vizitorët nga Evropa Perëndimore.

Apolonia është një ndër parqet arkeologjike që pret një numër relativisht të lartë vizitorësh gjatë një viti. Vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti në PAA u tejkalua shifra prej 58 mijë vizitorësh.

Vizitorët e këtij parku, përveç qytetit antik të Apolonisë dhe monumenteve të tij, mund të shohin edhe objekte të tjera të vendosura në muzeun brenda parkut. Ky muze arkeologjik është ndër më të pasurit e vendit, me objekte unike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe përtej saj./atsh/

“Everybody Calls Redjo” me premierë në Kroaci në kuadër të Brač Film Festival

By: Kult Plus
31 July 2025 at 11:23

Filmi shqiptar “Everybody Calls Redjo” do të ketë premierën e tij ndërkombëtare më 9 gusht në Kroaci, si pjesë e edicionit të 10-të të Brač Film Festival, një ndër festivalet më të njohura në rajon që mbështet autorët e rinj dhe kinemanë e pavarur.

Shfaqja e filmit do të mbahet në ambientin veror Ljetno Kino Supetar, duke filluar nga ora 21:00, ku pritet të marrin pjesë edhe figura të njohura nga bota e filmit, producentë dhe përfaqësues të industrisë kreative evropiane, shkruan KultPlus.

Pjesëmarrja e “Everybody Calls Redjo” në këtë festival përfaqëson një hap të rëndësishëm për kinemanë shqiptare, duke sjellë në vëmendjen e publikut ndërkombëtar një histori që rrëfen përditshmërinë dhe sfidat e një brezi të ri përmes një qasjeje të freskët artistike.

Filmi pritet të ngjallë interes jo vetëm për tematikën që trajton, por edhe për mënyrën kreative të realizimit, duke dëshmuar potencialin e autorëve të rinj shqiptarë në skenën kinematografike evropiane./KultPlus.com

“Nata Kulturore Epidamn”, performancë artistike në Kullën Veneciane

By: Kult Plus
31 July 2025 at 11:13

Aktiviteti “Nata Kulturore Epidamn” e shndërroi Kullën (Torra) Veneciane të Durrësit në një hapësirë ku historia dhe arti u bënë bashkë.

“Nata Kulturore Epidamn” i ftoi vizitorët, përfshirë përfaqësues nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, UNOPS, Bashkia Durrës dhe Qendra Muzeore e Durrësit, të përjetonin trashëgiminë e qytetit në një mënyrë unike dhe kreative.

Rreth 50 qytetarë ndoqën nga afër projeksionet historike në muret e kullës, artin quilling që rindërtoi Kullën fije pas fije, “Kronikat e Kullës” që i dhanë zë legjendave të qytetit nën tingujt e violonçelit dhe një performancë muzikore që vuri në dialog këngën tradicionale isopolifonike me instrumentet bashkëkohore.

Gjatë aktivitetit performuan: Emily Spahiu – solo violonçeli; Donald Llaperi – quilling live; Erdit Asllanaj – Equilibrium”; “Kronikat e Kullës” nga Alesio Hysenaj, Gjergj Doçi, Marsel Rupi, Romir Llukaçi.

Performanca “Kronikat e Kullës” ishte ajo që mbylli natën me një udhëtim teatror që lidh zërat e së kaluarës me të tashmen.

Ky aktivitet, i organizuar nga organizata Durrësi Aktiv, u mbështet përmes programit të granteve të EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./atsh/KultPlus.com

Posta e Kosovës nderon Dua Lipën me pulla postare të dedikuara

By: Kult Plus
31 July 2025 at 11:05

Posta e Kosovës ka lansuar një seri të re pullash postare me imazhin e këngëtares me famë botërore Dua Lipa, duke e kthyer atë në një simbol zyrtar të krenarisë kombëtare që “udhëton” përmes çdo letre të dërguar, transmeton KultPlus.

“Le të jetë çdo letër një kujtesë: Zëri i vendit tonë jehon në të gjithë globin,” thuhet në njoftimin e bërë nga Posta, e cila shoqëroi lansimin me hashtagun zyrtar #DuaLipaVibes.

Kjo iniciativë vjen si një tjetër nderim për artistën me prejardhje nga Kosova, e cila ka bërë që emri i vendit të dëgjohet në mbarë botën përmes muzikës dhe suksesit të saj ndërkombëtar./KultPlus.com

‘Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue’

By: Kult Plus
31 July 2025 at 10:49

Poezi nga Luigj Gurakuqi 

Me gusht shkon vapa e me djelmni kalojnë
Gjith prrallat e kohës s’re;
Si n’dimën bora dhenë, kryet na zbardhojnë
Vjetët e kujdeset ne!

Me lule t’ershme e larca m’dukej shtrue
Bota sa ishe i ri;
N’gaz shkonte jeta, s’m’epej kurr m’u ankue,
Kurr zemra s’m’ndjellte zi.

Andrra t’kandshme m’livrojshin nëpër mend
Si flutra pa ia da!
T’lum si vedin nuk njifshe tjetër kend,
Nuk dijshe kurr me kja.

Zanat tek unë shpesh zdrypshin e n’Mal Shejt
M’flakrojshin me mendim;
E vetë, sa niste Apolli me dridhë pejt,
Ia thojshe kangës me gzim.

Shum herë te bregu i prronit mbulue prej barit
Ku, rrokun dorë për dorë,
Valles ia krisshin nymfat me flokë arit,
E mblidheshin kunorë.

Shkojshe prej nadjes, e nën t’kandshmen hije
T’njij lisi veshun n’gjeth,
Për t’gjatë e shtrijshe, e t’etshëm bukurije,
Syt sillshe rreth e rreth.

Rrjedha e ujit përcillë me fyell t’barisë,
Me delet tue kullotë,
M’thirrte gjumin, un’ ndejë në prehën t’gjithsisë
Nisshe ngapak m’u kotë.

Era, tue shkelë mbi lule pa lanë gjurmë,
Me flokët e mij tue luejtë
Shkonte: vetë flejshe… Engjujt, pa ba zhurmë,
Zhdrypshin nën krahë m’ m’ruejtë!

Por! andrrat sot kaluen, prrallat djelmnore
Janë zhdukun e kanë tretë;
Ideve t’bukra, shpresavet lulzore
Veç emni u ka mbetë.

Oh! jeta përnjimend me rrena e vaj
Plot qenka n’kët botë t’lashtë!
U shueka tepër shpejt lakmimi i saj,
Si zjarmi i bam’ me kashtë.

Veç nji qëllim i naltë t’ban me durue,
E zemrën ta forcon;
Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue,
Mjer’ ai qi nuk qindron! /KultPlus.com

Julia Roberts dhe Cameron Diaz ribashkohen në vazhdimin e “My Best Friend’s Wedding”

By: Kult Plus
31 July 2025 at 10:40

Një nga filmat klasikë të viteve’90, “My Best Friend’s Wedding” do të vijojë.

Filmi origjinal me protagoniste Cameron Diaz dhe Julia Roberts, u kthye në një sukses në vitin 1997 kur u shfaq për herë të parë. Tani ai konsiderohet një nga ikonikët e zhanrit të tij.

Roberts dhe Dermot Mulroney ishin në rolet e Julianne dhe Michael, miqve të ngushtë që bënë një marrëveshje se nëse do të ishin ende beqarë kur të bënin 28 vjeç, do të martoheshin

Kur personazhi i Mulroney fejohet me një grua tjetër që luhet nga Diaz, Roberts ka vetëm katër ditë afat për ta ndaluar dasmën.

Regjisorja Celine Song, e cila është nominuar për Oscar për filmin “Past Lives”, është punësuar nga Sony për të shkruar vazhdimin e filmit.

Lajmi zyrtar vjen pas intervistës së fundit të Mulroney i cili tha për New York Post se “po bëhen bisedime për vijimin.”

“Nuk di gjë. Së fundmi dëgjova, hap thonjëza, avokatët po flisnin, mbyll thonjëza”, tha ai./ora/

Prezantohet strategjia për kinematografinë, studio për filma vendas e të huaj

By: Kult Plus
31 July 2025 at 10:30

Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka prezantuar platformën e re dixhitale dhe rregulloren e re të aplikimit dhe financimit për projektet filmike e audiovizuale.

Në një takim me kineastë dhe aktorë të industrisë, drejtori i QKK-së, Jonid Jorgji, shpalosi strategjinë e re kombëtare për zhvillimin e industrive kreative dhe audiovizuale.

“QKK është një institucion që financon filma, tani ka lindur nevoja që gama e financimeve të zgjerohet më tepër. Zgjerimi i mbështetjes financiare për serialet televizive, video-lojërat, realiteti virtual dhe i shtuar (VR/AR). Objektivi është ndërtimi i një industrie audiovizuale të qëndrueshme, konkurruese dhe të integruar në tregun evropian. Ligji i ri për audiovizualin është nevojë imediate dhe kemi nisur punë paraprake. Shpresojmë në shtator që të gjejmë konsensus dhe miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, tha Jorgji.

Ligji do të përfshijë edhe implementimin e mekanizmit “tax rebate” që do t’u kthejë deri në 31% të shpenzimeve produksioneve të huaja që xhirojnë në Shqipëri.

Në këtë kontekst, do të krijohet “Albanian Film Commission”, një strukturë që do të ketë për detyrë të promovojë Shqipërinë si destinacion filmik ndërkombëtar dhe tërheqje të studiove si Netflix, Amazon dhe Disney,transmeton euronews

Jorgji bëri të ditur se po diskutohen hapësira të dedikuara për studio të mëdha, mes tyre Kombinati Metalurgjik në Elbasan.
Rijetësimi i kinemave ekzistuese në vend dhe krijimi i një rrjeti të organizuar për shpërndarjen e filmit shqiptar është një tjetër pikë e parashikuar në strategji.

“Shteti dhe bashki të ndryshme kanë filluar të rijetësojnë kinema, jo vetëm në Tiranë por dhe në qytete të tjera. Do të krijojmë një sistem, ku prodhimet shqiptare apo bashkëprodhimet të qarkullojnë në këto kinema dhe kështu rrisim monetiziminm, të ardhurat që këta filma sjellin”, u shpreh kreu i QKK.
Mbështetje do të ketë edhe për programet mësimore në shkolla të specializuara si “Marubi” dhe “Catalyst”.

QKK është pranë finalizimit të një marrëveshjeje dypalëshe me CNC-në franceze për bashkëprodhime, si dhe pjesë e iniciativës rajonale “Balcanica” që përfshin Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Strategjia e re dhe rregulloret e përmirësuara synojnë të krijojnë një klimë të hapur, transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke e pozicionuar Shqipërinë si një qendër dinamike të industrisë audiovizuale në Ballkan.

Panairi Midi në Bruksel hap dyert për herë të 145-të, pjesë e Trashëgimisë Jomateriale të UNESCO-s

By: Kult Plus
31 July 2025 at 10:15

Parku i madh i argëtimit Panairi Midi (Foire du Midi), një nga ngjarjet më të mëdha vjetore në Bruksel të Belgjikës, ka hapur dyert për vizitorët për të 145-ën herë, duke e kthyer kryeqytetin në një qendër të madhe festive në muajt korrik dhe gusht.

Ngjarja e sivjetshme përmban mbi 120 lojëra dhe atraksione argëtuese, duke tërhequr çdo vit më shumë se 1.5 milion vizitorë nga Belgjika dhe jashtë saj, raportoi agjencia Anadolu.

Panairi po tërheq këtë vit vëmendje të shtuar pas përfshirjes së kulturës së panaireve në Belgjikë dhe Francë në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, një njohje që thekson rëndësinë kulturore dhe historike të këtij tradicioni.

Vizitorët mund të shijojnë atmosferën unike me ushqime tradicionale, argëtim për të gjitha moshat dhe aktivitete që pasqyrojnë frymën festive të komunitetit belg.

Statuja e Skënderbeut në Prizren lyhet me bojë të kuqe, reagime të ashpra dhe thirrje për protestë më 28 Nëntor

By: Kult Plus
31 July 2025 at 10:00

Një akt vandalizmi ka tronditur opinionin publik në Kosovë, pasi statuja e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, e vendosur në qytetin e Prizrenit, është lyer me bojë në përkrenare dhe shpatë.

Ky akt është dënuar ashpër nga Shoqata “Trojet e Arbrit”, e cila ka kërkuar reagim urgjent nga institucionet e drejtësisë për identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve. Deri më tani, nuk është bërë e ditur se kush fshihet pas këtij akti, ndërsa policia nuk ka dhënë ndonjë informacion zyrtar për hetimet.

Shoqata “Trojet e Arbrit” ka paralajmëruar se nëse autoritetet vazhdojnë të heshtin, përplasjet mes forcave atdhetare shqiptare dhe grupeve pansllaviste apo neotomane do të jenë të pashmangshme.

Në reagimin e saj, Shoqata ka bërë thirrje për një demonstratë gjithëpopullore më 28 nëntor 2025 në Prizren, në mbrojtje të identitetit dhe krenarisë kombëtare shqiptare, me moton: “Duam Muranën e Gjergj Kastriotit në Prizren”.

Statuja e Skënderbeut u vendos në qytetin historik më 28 nëntor 2020, në përkujtim të 577-vjetorit të ngritjes së flamurit shqiptar në Krujë dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ngjarja ka shkaktuar zemërim të madh në rrjetet sociale dhe ka nxitur reagime të shumta nga qytetarë, historianë dhe figura publike, të cilët kërkojnë ruajtjen e simboleve kombëtare dhe vlerave historike shqiptare./KultPlus.com

I huaji

By: Kult Plus
31 July 2025 at 09:47

Charles Baudelaire 

– Kë do ti më tepër, o njeri enigmatik, pa më thuaj? Babanë, nënën, motrën apo vëllanë tënd?

– Unë nuk kam as baba, as nënë, as motër, as vëlla.

– Miqtë, atëherë?

– Nuk e di ende ç’do të thotë kjo fjalë.

– Atdheun?

– As që e di fare se ku ndodhet.

– Bukurinë?

– Do të doja me gjithë qejf të ishte hyjneshë dhe e pavdek­shme.

– Arin?

– E urrej atë po aq sa ju urreni Zotin.

– Po çfarë të pëlqen ty atëherë, o i huaj i çuditshëm?

– Më pëlqejnë retë… retë që kalojnë… atje tej… retë e mreku­llueshme.

Përktheu nga frëngjishtja: Roland Çipa. Marrë nga numri 21 i revistës “Akademia”./KultPlus.com

Dua Lipa në Prishtinë me Callum Turner, pak para “Sunny Hill Festival 2025”, shijojnë jetën e natës në Prishtinë

By: Kult Plus
31 July 2025 at 09:30

Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa është parë mbrëmjen e së mërkurës në një nga ambientet më të njohura të Prishtinës, në shoqërinë e të fejuarit të saj, aktorit britanik Callum Turner.

Çifti ka kaluar një mbrëmje të ngrohtë verore, të rrethuar nga miq të afërt, kokteje dhe atmosferë relaksuese. Dua, e njohur për stilin dhe buzëqeshjen e saj, ka tërhequr vëmendje me prezencën karizmatike dhe energjinë pozitive, transmeton KultPlus.

Në video të siguruara nga Dukagjini, çifti shihet i relaksuar dhe i përkushtuar ndaj njëri-tjetrit, duke reflektuar një lidhje të fortë dhe natyrale.
Vizita e saj në qytetin e origjinës nuk ka kaluar pa u vënë re fansat dhe qytetarët janë ndjerë të emocionuar dhe krenarë, sidomos me faktin që Dua ka zgjedhur Prishtinën për momente të rëndësishme personale.
Kjo paraqitje publike vjen pak ditë para performancës së saj në “Sunny Hill Festival 2025”, ku do të ngjitet në skenën kryesore në mbrëmjen e parë, të premten./KultPlus.com

Në përvjetorin e vdekjes së Franz Liszt, përkujtojmë operën e papërfunduar të tij, “Sardanapalo”

By: Kult Plus
31 July 2025 at 09:13

Sot shënohen plot 139 vite nga vdekja e kompozitorit të njohur, Franz Liszt.

“Është 170 vjet e vjetër, por tingëllon shumë moderne”, është përshkrimi që David Trippett, profesor i asociuar në Fakultetin e Muzikës në Universitetin Cambridge i bën operës së papërfunduar të Franz Liszt, “Sardanapalo”.

Dorëshkrimi i aktit të parë të operës që do të duhej të ishte triaktëshe ka qëndruar në Arkivin e Goethes dhe të Schillerit në Weimar për më shumë se 100 vjet para se Trippett ta rizbulonte duke planifikuar diçka debutuese për të cilën “askush nuk kishte dëgjuar më parë”. Nga viti 1843 deri më 1861, Liszt (1811-1886) ishte udhëheqës i orkestrës që tash njihet si “Staatskapelle” në Gjermaninë Qendrore, në qytetin Weimar. Do të jepet premierë të shtunën Teatrin Kombëtar të Gjermanisë në këtë qytet.

Para më shumë se 10 vjetësh, Trippett që asokohe ishte student në Akademinë e Muzikës në Leipzig, kishte udhëtuar me tren për në Weimar për të parë 111 faqet e operës në arkiv.

Opera e papërfunduar ka sfiduar aftësitë dhe dijen e Trippettit, ka thënë ai. Liszt e kishte shkruar operën në vitet ‘50 të shekullit XIX dhe ishte vështirë e lexueshme dhe e papërfunduar. Kishte punuar goxha shumë dhe e kishte përmirësuar atë, duke e vështirësuar edhe më leximin.

Opera për një kohë të gjatë ishte cilësuar si e pamundur për t’u interpretuar, por profesori i Cambridge thotë: “Muzika duhet të ruhet”.

Trippett ka shpenzuar më shumë se një dekadë duke bërë bashkë pjesët si një puzzle, tri prej të cilave i kanë shkuar vetëm për orkestrim, duke pasur parasysh instruksionet e kompozitorit.

“Orkestrimi është bërë nga unë, por ai është i Lisztit”, ka thënë Trippett. “Muzika është fantastike. Liszt ka provuar të kompozojë një operë moderne italiane”.

Libreto është bazuar në tragjedinë “Sardanapalus” të Lord Byronit për mbretin e fundit të Asirisë antike, një rajon ky që tash është midis Sirisë dhe Irakut.

Sipas Kirill Karabits, dirigjentit kryesor të “Staatskapelle” në Weimar, opera e Liszt hap një kapitull të ri sa i përket historisë së muzikës së shekullit XIX. “Nuk do ta gjeni këtë operë në katalogët a veprat tjera të kompozitorit”, ka thënë. Pas një pune tejet të lodhshme të Trippett, tashmë akti i parë është kompletuar. “Do të dirigjoj diçka që askush nuk e ka bërë më përpara”, ka thënë dirigjenti. “Bëhet fjalë për diçka joshëse, por që duhet të kesh shumë përgjegjësi”. / KultPlus.com

Nënës time

By: Kult Plus
31 July 2025 at 08:59

Poezi nga Hermann Hesse

Kaq shumë kisha për të të thënë
Po mbeta larg e larg mërguar
Në këto ditë, e dashur Nënë,
Më mirë ti më ke kuptuar.

Për ty dhuratën kam menduar
Edhe punuar gjat’ e gjatë,
Porse më mbet këtu, në duar.
Ti mbylle sytë këtë natë.

Por ndjej se, duke e lexuar,
Më zbutet dhimbje e kësaj zije.
Mirësia jote e patreguar
Më lidh me ty me mija fije.
Edhe çdo natë e njëjta ëndërr

Në ëndërr ti më rri kaq larg
Si më rreh zemra, ta dish!
O Nënë, Nënë, vallë s’di
Tek unë si të vish?
E njëjta ëndërr net për net!
Si më rreh zemra, ta dish!
O Nënë, Nënë, përse nuk do
Këtu, tek unë, të vish?
Në fushat

Në qiell enden retë pafund,
Në fushat fryjnë e fryjnë thëllime,
Në fushat endet e endet gjithkund
Fëmia i humbur i nënës sime.
Në rrugë era fryn gjethet e thata,
Në pemë zogu klith me vajtim,
Atje, matanë malesh të larta,
Ndodhet, diku, atdheu im./ KultPlus.com

Henrietta Lacks, gruaja që u bë e pavdekshme pa e ditur

By: Kult Plus
30 July 2025 at 23:45

Henrietta Lacks ishte një grua me ngjyrë, e varfër, nënë e pesë fëmijëve, që jetoi në shtetin e Virxhinias në Amerikë, gjatë viteve 1920–1951. Jeta e saj ishte e zakonshme, si ajo e shumë grave të tjera, derisa në moshën vetëm 31-vjeçare, u diagnostikua me një tumor agresiv. Ajo ndërroi jetë shpejt, pa e ditur se çfarë do të ndodhte më pas me trupin e saj.

Gjatë trajtimit në spitalin “Johns Hopkins”, mjekët morën mostra nga tumori i saj, pa lejen apo dijeninë e saj, një praktikë e zakonshme për kohën dhe i dërguan në laboratorin e doktor George Otto Gey. Ajo që ndodhi me ato qeliza do të trondiste botën e mjekësisë, përcjellë KultPlus.

Deri atëherë, asnjë qelizë njerëzore nuk kishte mbijetuar për më shumë se disa ditë jashtë trupit. Por qelizat e Henriettës ishin ndryshe, jo vetëm që mbijetuan, por nisën të shumoheshin pafundësisht. Ato ishin të pavdekshme.

Këtyre qelizave iu dha një emër teknik: HeLa — duke marrë dy shkronjat e para të emrit dhe mbiemrit të saj.

Qelizat HeLa u bënë themel i mijëra zbulimeve shkencore. Falë tyre u zhvillua vaksina kundër poliomelitit. U testuan ilaçe të reja. U arritën përparime në luftën kundër kancerit, HIV-it, infertilitetit. U studiuan sëmundjet gjenetike dhe madje u analizua sjellja e qelizave në hapësirë.

Por Henrietta… nuk e mësoi kurrë këtë. As familja e saj.
Për dekada me radhë, askush nuk u tregoi atyre se një pjesë e saj jetonte ende, në miliarda qeliza të shpërndara në laboratorë të të gjithë botës.

Ajo u përdor pa leje, u harrua, u shpërfill. Por historia e saj sot është një simbol i fuqishëm: i racizmit sistemik në shkencë, i pabarazisë, i mungesës së së drejtës. Por edhe një kujtesë prekëse:
Ndonjëherë, një jetë e padukshme mund të ndryshojë fatin e njerëzimit.

Henrietta nuk ishte shkencëtare. Nuk ishte mjeke. Ishte thjesht një grua, një njeri.
Dhe pa e ditur, pa qenë asnjëherë në qendër të vëmendjes, u bë e përjetshme./KultPlus.com

Las Vegas pret shortin e Kupës së Botës 2026

By: Kult Plus
30 July 2025 at 22:31

Shorti i Botërorit 2026 në futboll do të zhvillohet më 5 dhjetor në Las Vegas, raportoi transmetuesi ESPN.

ESPN shtoi se Las Vegasi ishte vendi i mundshëm për shortin, por burime pranë vendit thanë se nuk do të zhvillohej atje.

Në vitin 1994, kur Shtetet e Bashkuara pritën për herë të fundit Kupën e Botës, shorti u mbajt në Qendrën e Konventave të Las Vegasit.

Ky vend është rezervuar tashmë për 5 dhjetor.

Organi qeverisës i futbollit FIFA nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me shortin deri më tani.

Turneu i zgjeruar do të luhet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë me 48 ekipe nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026.

Përveç tre organizatorëve të përfshirë drejtpërdrejt, 10 kombe janë kualifikuar deri më tani për Kupën e Botës.

Ato janë mbajtësit e titullit Argjentina, Brazili, Ekuadori, Zelanda e Re, Australia, Irani, Japonia, Koreja e Jugut dhe debutuesit Jordania dhe Uzbekistani.

Vetëm 42 nga 48 ekipet do të dihen deri në dhjetor.

Vendet rezervë do të përdoren në short për gjashtë ekipet e mbetura që do të kualifikohen nëpërmjet ndeshjeve “play-off” në fillim të vitit 2026./ atsh/ KultPlus.com

’New Generation’, zërat e rinj të operës shpalosin punën me maestron Ramón Vargas

By: Kult Plus
30 July 2025 at 22:21

Flonja Haxhaj

Në kuadër ‘Rame Lahaj International Opera Festival’, mbrëmë, në ambientet e Fakultetit të Arteve në Prishtinë, u zhvillua një mbrëmje e veçantë koncertale me pjesëmarrjen e të rinjve premtues në fushën e këndimit operistik në koncertin ‘New Generation’. Duke nisur nga ora 19:30, zëri i pasionit, përkushtimit dhe talentit u shpalos me elegancë përpara publikut, shkruan KultPlus.

Ky koncert prezantonte punën e masterclassit të  veçantë të ofruar nga një prej yjeve të operës botërore, mjeshtri Ramon Vargas, i cili përmes përvojës së tij u dha të rinjve një mundësi të rrallë për të kultivuar më tej potencialin e tyre artistik.

Një punë një javore kulmoi me performancën e pjesëmarrësve të kësaj masterklase, një gjeneratë e re, por me pjekurinë dhe ambicien për të lënë gjurmë në skenat ndërkombëtare të operës. Programi, i kuruar me kujdes dhe elegancë, solli një mozaik të pasur operash klasike nga repertori ndërkombëtar.

Fromba Krasniqi hapi mbrëmjen me interpretimin plot ndjeshmëri të “O mio babbino caro” nga opera Gianni Schicchi e G. Puccinit. Më pas, Elvira Mazhiqi solli gjallërinë dhe finesën e “Una voce poco fa” nga II Barbiere di Siviglia e Rossinit. Markela Jakaj preku emocionet e thella me “Depuis hier je cherche en vain mon maître” nga Roméo et Juliette e C. Gounod.

Pas saj, Fiona Llapashtica u shfaq me elegancën lirike të “Ach, ich fühl’s” nga Die Zauberflöte të  Mozart. Valeria Beliman emocionoi publikun me interpretimin e ndjerë të “Eccomi in lieta vesta… Oh, quante volte” nga opera I Capuleti e i Montecchi .

Sory Kim dhe Laura Avila bashkuan zërat në duetin delikat “Sull’aria” nga Le Nozze di Figaro e Ë.A. Mozart. Luis Hernandez Luque impresionoi me notat e larta dhe virtuozitetin e tij në “Ah! Mes amis… Pour mon âme” nga La Fille du Régiment e Donizettit.

Laura Avila riktheu atmosferën me karakterin dramatik të “Heia, heia, in den Bergen ist mein Heimatland” të Kálmán. Më pas Sory Kim shkëlqeu me “È strano… Ah, fors’è lui… Sempre libera” nga La Traviata e G. Verdit.

E pas tyre, Georgia Artemis mbushi sallën me solemnitetin e “Casta Diva” nga opera  Norma e  Bellinit.

Përmbyllja madhështore i takoi duetit të Luis Hernandez-Luque dhe Valeria Beliman, të cilët sollën “Caro elisir sei mio… Esulti pur la barbara” nga L’elisir d’amore e G. Donizettit, një interpretim i cili mbushi zemrat me dritën e shpresës dhe të së ardhmes së muzikës klasike.

Kjo mbrëmje, përveç se solli emocionin e kryeveprave të repertorit operistik, dëshmoi përpara publikut edhe potencialin e rrallë të gjeneratës së kësaj muzike në botë.

Pas këtij koncerti që ishte rezultat i punës së tij me gjeneratën e re, tenori Ramon Vargas, u shpreh për Kultlus se ndjehet i lumtur që ishte pjesë e RLIOF dhe se ky festival  është një mundësi e mirë për të ndryshuar jetën kulturore në Kosovë.

“Ishte një eksperiencë e mrekullueshme, jam i lumtur që mora pjesë. Shprsoj që ky festival të rritet akoma më shumë përgjatë viteve. Mendoj se kjo ide për të ndihmuar gjeneratat e reja është shumë e rëndësishme dhe mendoj që ëpërmjet këtij festivali mund të bëhet një ndryshim i mirë për jetën kulturore në Kosovë dhe për këtë jam shumë i lumtur. Mendoj që kjo gjeneratë ka një potencial të rrallë dhe informacionet që kanë marrë në këtë kohë kaq të shkurtë është shumë e rëndësishme dhe se do t’u ndihmojë më tutje dhe do të jetë një përparësi e madhe për ta”, u shpreh Vargas.

Pasi performoi pjesën nga ‘Berberi i Seviljes’ të Rossinit, për KultPlus foli Elvira Mazhiqi, e cila shpjegoi eksperiencën e saj në këtë masterclass, si dhe përvojën e saj me festivalin RLIOF.

“Kjo është hera ime e dytë që vij në këtë masterclass në kuadër të këtij festivali. Këtë herë ka qenë një nga më të mrekullueshmet ndonjëherë. Përjetuam një eksperiencë shumë të bukur me maestron, kemi mësuar gjëra të reja që do të na ndihmojnë gjatë gjithë karrierës tonë”, tha Mazhiqi, duke falënderuar më tutje festivalin dhe organizatorët që ia mundësuan të jenë pjesë e kësaj eksperience.

Pjesë për të dytën herë në këtë festival mori edhe sopranoja Fiona Llapashtica. Ajo e përshkruan këtë pjesëmarrje si një eksperiencë të veçantë dhe që ka mësuar shumë nga maestro.

“Unë kam qenë pjesëmarrëse e masterclassit edhe vitin e kaluar në kuadër të Rame Lahaj International Opera Festival, edhe kësaj here ka qenë një eksperiencë shumë e veçantë. Maestro Vargas është një artist që ka shumë eksperiencë dhe e ka mënyrën që të na japë edhe neve eksperiencën e tij, pjesë nga arritjet e tij, ishte vërtet një përvojë e veçantë. Veprën që interpretova e dua shumë sepse bëhet fjalë për dashurinë dhe sjell ndjenja melankolie”. theksoi Llapastica për KultPlus.

Pas disa performancave në duet dhe solo, për KultPlus foli sopranoja Sory Kim, e cila përveç se foli për punën me maestro Vargas, u shpreh e mahnitur edhe nga mirëpritja që iu bë në Prishtinë.

“Nuk kam qenë asnjëherë në Prishtinë më parë, kisha pak shqetësime për situatën, mirëpo Prishtina për mua është një qytet i mrekullueshëm dhe një nga qytetet më romantike që kam qenë ndonjëherë. Është një kënaqësi e veçantë të punoj me Ramon Vargas, është një legjendë por me këmbë në tokë në të njëjtën kohë, na ka mësuar shumë gjëra, isha e impresionuar nga gjithë puna dhe jam shumë e lumtur që isha pjesë e saj”, tha Kim.

Po ashtu, për herë të parë në Prishtinë dhe në kuadër të këtij festivali interpretoi edhe tenori Luis Hernandes – Luque. Pas koncertit ai tha për KultPlus se është i lumtur që punoi me mjeshtrin e zërit Ramon Vargas, dhe vlerësoi  lart po ashtu edhe festivalin dhe koncertin që prezantuan.

“Jam shumë i lumtur që isha pjesë e këtij festivali dhe i këtij masterclassi, sepse kisha mundësinë që të punoj sërish me maestro Vargas, i cili është një prej tenorëve më të rëndësishëm të shekullit, ai është një legjendë, jam shumë e fat sepse kisha mundësinë që të punoj me të në Vjenë. Tani,kisha mundësinë që të punoj me të për një javë  në këtë festival të mrekullueshëm, në këtë qytet të bukur, ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme për mua”, u shpreh Hernandes – Luque, duke shtuar se koncerti i sotëm me gjithë vështirësitë dhe teknikën e kërkuar, ishte më shumë një mbrëmje argëtimi e kënaqësie.

Ndërkaq, ju kujtojmë se festivai ‘Rame Lahaj International Opera Festival’, këtë vit shënoi edicionin e tij të pestë. Me moton ‘Ëndrra pa kufi, opera pa mure’, RLIOF përmbyllet me datë 2 gusht me mbrëmjen gala ‘Rame Lahaj & Friends’./KultPlus.com

Yesterday — 30 July 2025Main stream

AI në WhatsApp, Italia nis hetime ndaj Meta-s për shkelje të rregullave evropiane

By: Kult Plus
30 July 2025 at 22:00

Italia ka njoftuar hapjen e një hetimi ndaj Meta-s, pas instalimit të një mjeti inteligjence artificiale në platformën WhatsApp. Autoriteti italian i konkurrencës argumenton se kjo veprimtari mund të përbëjë shkelje të rregullave evropiane të konkurrencës.

Sipas autoriteteve, në mars 2025, Meta vendosi të integronte shërbimin e saj të inteligjencës artificiale në WhatsApp, duke krijuar shqetësime se kombinimi i dy shërbimeve mund të ndikojë negativisht në tregun konkurrues.

Sipas hetuesve, ky veprim mund të zhvendosë klientelën drejt një tregu të kontrolluar nga Meta, jo përmes garës së lirë, por përmes dominimit të platformës.

Autoriteti italian thekson se ofrimi i dy shërbimeve në një paketë të vetme mund të dëmtojë konkurrentët e tjerë në treg. Nga ana e saj, Meta deklaroi se po bashkëpunon plotësisht me autoritetet dhe se inteligjenca artificiale në WhatsApp i jep miliona përdoruesve italianë mundësinë për të përdorur teknologjinë në një ambient të njohur dhe të besueshëm.

Roma po kryen hetimet në bashkëpunim me Komisionin Evropian, për të verifikuar nëse Meta ka shkelur ligjet evropiane të konkurrencës. Autoritetet italiane paralajmërojnë se përdoruesit mund të bëhen funksionalisht të varur nga AI-ja e Meta-s, pasi shërbimi përmirësohet me kalimin e kohës duke përdorur të dhënat personale, duke rritur kështu ndikimin dhe përfitimet ekskluzive të kompanisë.

‘Lost in Generations’, ekspozita e re multimediale instalative në Korçë

By: Kult Plus
30 July 2025 at 21:31

Galeria e Artit Digjital në Korçë (GAD) sjell këtë fundjavë ekspozitën multimediale instalative “Lost in Generations” (LIG).

LIG është një projekt artistik, një thirrje për reflektim mbi marrëdhëniet mes brezave dhe mënyrën sesi e shohim të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Ky projekt vjen si bashkëpunim i Satellite Zone dhe Galerisë së Artit Digjital në Korçë.

Ekspozita sjell përvoja dhe histori të vërteta njerëzore, duke u fokusuar në lidhjet, boshllëqet dhe kontradiktat mes brezave. Ajo eksploron kujtesën, trashëgiminë dhe emocionet që na formësojnë si individë dhe si shoqëri.

GAD fton të gjithë artdashësit të përfshihen në këtë eksperiencë të re, që të bën të humbasësh e njëkohësisht të rigjesh veten mes historive të kaluara e të tashme.

Ekspozita do të çelet pasditen e së premtes (1 gusht), me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./ atsh/ KultPlus.com

Kompozitori i shquar dhe ‘Nderi i Kombit’, Tonin Harapi

By: Kult Plus
30 July 2025 at 21:00

Më 30 korrik 1992, ndërroi jetë kompozitori i shquar shqiptar, Tonin Harapi.

Studenti dhe pjesëmarrësi që në moshë të hershme në formacionet orkestrale klerikale, do të ishte një nga muzikantët më frymëzues të muzikologjisë shqiptare. Pas lufte, në vitin 1947 u bë pjesë e Liceut Artistik të Tiranës dhe figura e tij do të spikaste shpejt për harmoninë e tingujve të luajtur në piano. Harapi i përket brezit të vonë të studentëve shqiptarë, që nuk mundën t’i përfundonin studimet në Rusi pranë konservatorit “Çajkovski”.

Pas ardhjes në atdhe, u bë pjesë e degës së kompozicionit pranë Konservatorit të Tiranës. Pjesët e kompozuara prej tij në piano do të mbahen mend jo vetëm nga studiuesit e fushës, por edhe nga studentë dhe shumë dashamirës të muzikës.

Titulli veprës së tij të fundit “Requiem” do të rezultonte profetik, pasi do të vihej në skenë vetëm pas vdekjes së kompozitorit. Gjithashtu, pas vdekjes do të vlerësohej edhe për meritat e tij artistike me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”./atsh/ KultPlus.com

❌
❌