Dua Lipa, ylli shqiptar me famë botërore, ka publikuar së fundmi një video ekskluzive në platformën e saj personale Service95, ku ndan me ndjekësit momentet nga prapaskenat e festivalit Sunny Hill 2025, që u mbajt në Prishtinë.
Në këtë video, Dua flet me shumë emocion për rikthimin e saj në Kosovë dhe përgatitjet intensive për natën e parë të festivalit – ku ajo performoi për publikun vendas në një atmosferë elektrizuese.
E rrethuar nga ekipi i saj dhe familja, këngëtarja sjell një rrëfim personal që fillon nga koncerti i saj i parë në Prishtinë në vitin 2016, e deri tek transformimi i asaj ideje në një festival të përmasave ndërkombëtare.
“Koncerti im i parë në Prishtinë ishte në vitin 2016. Kisha filluar turneun tim në Europë dhe thashë me vete: nëse po bëj turne në Europë, duhet patjetër të kthehem në shtëpi dhe të jap një koncert. Babai im më ndihmoi ta organizonim si një koncert bamirësie për Fondacionin Sunny Hill”, rrëfen Dua në video.
Ajo shton se suksesi i asaj nate u kthye në nxitje për të krijuar diçka më të madhe – Sunny Hill Festivalin, që sot mbledh emra të mëdhenj të muzikës ndërkombëtare dhe artistë vendas në zemër të Prishtinës.
“Ishte një ide shumë e madhe dhe paksa frikësuese, por e ndërtuam me familjen dhe dëshiruam të ndryshonim mënyrën se si flitet për Kosovën – të sillnim diçka pozitive, të rinj, energji, dhe kulturë”.
Momenti më emocional vjen kur zbulon se në festival kishte një të ftuar shumë të veçantë: “Sonte do të këndoj një këngë në shqip – dhe kam një mysafir shumë të veçantë… babain tim. Ai është frymëzimi im më i madh”.
Ajo ndan se për të, kjo është një “homecoming” e vërtetë, kthim në rrënjë dhe ndarje e skenës me babanë e saj, Dukagjin Lipa, i cili jo vetëm ka qenë muzikant në të kaluarën, por është edhe organizatori dhe menaxheri i saj.