Thierry Burkhard, shefi në largim i Forcave të Armatosura, thotë se Europa ka shumë punë për të bërë, pasi Rusia po armatoset me një ritëm të tillë që, sipas gjeneralit Thierry Burkhard, mund të përbëjë një “kërcënim real” për Europën brenda pesë vitesh.
Kjo është ndër vlerësimet më pesimiste në mesin e kolegëve të tij në fushën ushtarake dhe të inteligjencës.
Deri në vitin 2030, thotë ai për The Economist, “Rusia do të ketë sërish kapacitetin për të paraqitur një kërcënim ushtarak ndaj vendeve perëndimore, dhe sidomos atyre europiane.”
Pas katër vitesh në krye të ushtrisë franceze, gjenerali Burkhard do të largohet nga detyra më 1 shtator.
Në vitin 2021, përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën, ai paralajmëroi në të njëjtën gazetë se Europa duhej të përgatitej për një luftë me intensitet të lartë.
Sot, ai ngre alarmin se përvoja luftarake e Rusisë, masa e saj e madhe dhe aftësia për të duruar e bëjnë atë jashtëzakonisht të rrezikshme: në një konflikt të mundshëm, populli rus do të përballonte “pesë minuta më shumë se ne”.
Megjithatë, ka edhe arsye për optimizëm. Sipas gjeneralit Burkhard, ushtria amerikane nuk do të largohet nga Europa, edhe pse mund të reduktojë praninë e saj.
Ai përmend gjithashtu forcimin e lidhjeve dypalëshe, veçanërisht mes Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, drejtuesit e të cilave janë takuar kohët e fundit, si një vizion konkret për të ardhmen e “shtyllës europiane të NATO-s”.
Në vitet e fundit, aleatët e NATO-s kanë filluar të artikulojnë plane konkrete për mbrojtjen rajonale: çfarë forcash duhen, kush do t’i ofrojë dhe ku do të përballen.
Megjithatë, pothuajse asnjë nga aleatët europianë nuk i përmbush këto objektiva. Dhe një tërheqje e mundshme e SHBA-ve vetëm do ta thellonte hendekun.
Disa, paralajmëron ai, mund ta përdorin këtë si justifikim për të thënë se “nëse nuk i kemi të gjitha këto [pajisje], nuk jemi në gjendje të veprojmë”.
Europa, sipas tij, nuk mund ta kopjojë qasjen “industriale dhe mekanike” të Amerikës ndaj luftës — e cila synon të tejkalojë kundërshtarin për të ulur rrezikun në minimum.
Ushtritë europiane do të duhet të bëjnë më shumë me më pak, “duke marrë më shumë rreziqe, duke qenë më të lëvizshme”.
Në rast se oficerët amerikanë largohen nga selia e NATO-s, nuk është e domosdoshme të zëvendësohen një për një. Europianët mund të “gjejnë mënyra për të krijuar një strukturë të re komanduese me oficerët që u kanë mbetur”.
Forcat e armatosura europiane duhet gjithashtu të përshtaten me ndryshimet në natyrën e luftës.
Fushëbetejat në Ukrainë janë më transparente se kurrë më parë: luftëtarët mund të “shohin pas çdo shkurre”.
Nga kjo ai nxjerr dy mësime. I pari ka të bëjë me ekonominë e vrasjes.
Armët me teknologji të lartë mbeten të domosdoshme, ndërkohë Franca në korrik njoftoi rifillimin e prodhimit të raketave kruz SCALP pas një ndërprerjeje 15-vjeçare, por municionet e lira janë po aq të nevojshme për të lodhur armikun.
“Na duhen Ferrarët herë pas here,” thotë ai. “Por nuk fitohet lufta me Ferrarë.”
Mësimi i dytë është se taktikat dhe organizimi janë po aq të rëndësishëm sa teknologjia. Në vitin 1940, të gjitha ushtritë europiane kishin tanke, artileri dhe avionë, por ishte Gjermania ajo që i integroi ato në mënyrë efikase.
“Sot të gjithë kanë dronë,” thotë ai. Fitorja do t’i takojë atyre ushtrive që i ndërthurin këto mjete në tokë, ajër dhe det.
Pastaj vjen çështja e parandalimit bërthamor.
Presidenti Emmanuel Macron deklaroi më herët këtë vit se dëshiron të diskutojë me aleatët europianë për “mbrojtjen që ofron forca jonë parandaluese”.
Më 10 korrik, Franca dhe Britania, dy fuqitë bërthamore të Europës, ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin, duke deklaruar se çdo “kërcënim ekstrem ndaj Europës” do të provokonte një përgjigje të përbashkët.
Forcat bërthamore të të dy vendeve do të mbeten të pavarura. Ka tashmë mekanizma për të “dekonfliktuar” patrullimet e nëndetëseve të tyre, thotë gjenerali Burkhard. Por perspektiva e një goditjeje bërthamore të përbashkët kërkon një nivel të ri planifikimi.
Ndryshe nga forca britanike, ajo franceze nuk është e lidhur me NATO-n. Të dy vendet po krijojnë një grup të përbashkët drejtues për çështjet bërthamore.
Asnjë gjeneral nuk do të tregonte publikisht se si do të reagonin në çdo skenar të mundshëm; thelbi, thotë ai, është “që kur ndodh një krizë… të shohësh cilat janë kërcënimet dhe për çfarë duhet të jesh i përgatitur”.
Gjermania dhe aleatë të tjerë europianë po pyesin çfarë do të thotë gjithë kjo për ta. Më 13 korrik, z. Macron i kërkoi gjeneralit Burkhard dhe ministrit të mbrojtjes, Sébastien Lecornu, të nisin një dialog strategjik me partnerët europianë për rolin e parandalimit francez.
“Franca nuk mund të luftojë e vetme kundër Rusisë,” thotë gjenerali. Nëse ndonjëherë ajo kërcënohet nga Rusia, “nuk do të jetë çështje armësh konvencionale, por çështje e parandalimit bërthamor”./e.t