Muzikanti Machine Gun Kelly habit fansat kur pranon se pothuajse nuk ha ushqim kurrë: Unë thjesht pi shumë ujë
Muzikanti amerikan Machine Gun Kelly ka ngritur shqetësim tek fansat pas një deklarate befasuese në një intervistë të shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ku ai pranoi se “nuk ha pothuajse fare”.
“Unë realisht nuk ha. Thjesht pij shumë ujë” – tha 35-vjeçari, duke lënë të befasuar bashkëbiseduesit e tij.
Kur ata e pyetën nëse kjo do të thoshte që ai po agjëronte, MGK e mohoi dhe sqaroi më tej: “Për shembull, hëngra një hamburger sepse po transmetonim ‘live’, dhe thashë ‘ok, do të ha’. Por po të mos ishte për transmetimin, me siguri do të kisha pirë vetëm ujë”.

Moderatorët, të habitur nga deklarata, e pyetën se si ndihej fizikisht dhe nëse përjetonte ndonjëherë ndjesi të pafuqie apo marramendjeje.
“Po, ndonjëherë ndihem keq. Por në përgjithësi ha vetëm disa herë në javë”, u përgjigj ai.
Machine Gun Kelly zbuloi se dieta e tij bazohet kryesisht në lëng kockash të zier, të cilin e kombinon me kimchi dhe lakër turshi. Kimchi është një ushqim tradicional korean me perime të fermentuara, zakonisht lakër kineze dhe rrepë koreane.

Gjatë procesit të fermentimit, mikroorganizma si bakteret ose maja fermentojnë sheqernat dhe amidonet, duke prodhuar acide, gazra dhe alkool – por me shumë pak kalori dhe lëndë ushqyese thelbësore për trupin.
Ai shpjegoi se shpesh i zjen kimchinë dhe lakrën turshi në lëngun e kockave, që përgatitet duke zier kocka kafshësh, indi lidhës dhe ndonjëherë mish.
Në listën e përditshme të konsumit të tij përfshihen edhe lëngu i selinos, uji i kokosit, kafeja dhe – siç pranoi vetë – cigaret.
Deklaratat e MGK kanë ngjallur shqetësim në rrjet, ku shumë fansa shprehen të bindur se ai mund të jetë duke u përballur me një çrregullim në të ushqyer.
Pavarësisht komenteve të shumta, vetë artisti nuk ka bërë ndonjë reagim zyrtar pas intervistës. /Telegrafi/
The post Muzikanti Machine Gun Kelly habit fansat kur pranon se pothuajse nuk ha ushqim kurrë: Unë thjesht pi shumë ujë appeared first on Telegrafi.