Gyokeres refuzoi Real Madridin dhe Man Unitedin – agjenti shpjegoi pse sulmuesi zgjodhi Arsenalin
Jonathan Chalkias, agjenti i Viktor Gyokeres, ka akuzuar Sporting Lisbonën për mungesë respekti ndaj klientit të tij gjatë negociatave të gjata dhe të ndërlikuara që çuan në transferimin e sulmuesit te Arsenali.
Gjatë kësaj sage transferimesh, Gyokeres mungoi në disa seanca stërvitore, çka shkaktoi mjaft zhurmë. Megjithatë, agjenti i tij deklaron se këto mungesa ishin pjesë e një strategjie të ndërmarrë nga vetë klubi portugez. Situata u tensionua më tej nga një përplasje e hapur mes lojtarit dhe presidentit të klubit, Frederico Varandas.
“Nëse Hugo Viana do të kishte mbetur në klub, marrëveshja do të ishte mbyllur brenda një ore. Gjithçka ishte përgatitur më parë, por nuk kishim kohë të nisnim një betejë ligjore. Nuk e kuptoj si një lojtar që shënoi kaq shumë gola dhe fitoi tre trofe nuk mori respektin që meritonte”, deklaroi Chalkias për GOAL.
Ai theksoi se industrinë e futbollit e mban në këmbë besimi: “Sakrificat që bëmë ishin ndoshta vendimtare në finalizimin e marrëveshjes. Ai iu ofrua Real Madridit dhe bëri bujë edhe me Manchester Unitedin, por që nga dita e parë, dëshira e tij ishte e qartë – vetëm Arsenali”.
Chalkias gjithashtu nënvizoi vendosmërinë e klientit të tij për t’u zhvilluar në mënyrë strategjike: “Viktor gjithmonë i ka besuar projektit të Hasan Cetinkayas. Ai pranoi me vetëdije të transferohej në një ligë me më pak vëmendje, si ajo portugeze, për të fituar trofe dhe për të siguruar rikthimin në Ligën Premier”.
Në fund, marrëveshja u përmbyll me sukses: Gyokeres nënshkroi me Arsenalin për shumën e 65.7 milionë eurove plus 10 milionë euro në formë bonusesh. /Telegrafi/
The post Gyokeres refuzoi Real Madridin dhe Man Unitedin – agjenti shpjegoi pse sulmuesi zgjodhi Arsenalin appeared first on Telegrafi.