Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 August 2025Main stream

Hagë/ Gjykata Speciale zgjat paraburgimin ndaj Thaçit. Pretendimet e gjyqtares

By: e xh
6 August 2025 at 14:23

Zgjatet paraburgimi ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Këto vendime i mori dje me 5 gusht, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, me arsyetimin se duhet të mbesin në paraburgim për arsye proporcionale dhe të nevojshme, për të cilat për Thaçin tha se ende nuk është zhdukur rreziku i pengimit të procedurave me mbylljen e çështjes së Prokurorisë në rastin për krime lufte.

Gjyqtarja e procedurës paraprake ka thënë se ende vazhdon dyshimi ndaj Thaçit për kryerjen e veprave penale për të cilat ai është i ngarkuar.

“Veprimet e Thaçit tregojnë për këmbëngulje në përpjekjet për të penguar procedurat e DhSK-së edhe nga brenda Qendrës së Paraburgimit të DhSK-së, përfshirë përmes ndikimit të tij mbi ish-pjesëtarë të UÇK-së që i qëndrojnë besnikë dhe persona nga rrethet e tij politike, si bashkë të akuzuarit në këtë çështje”, thuhet në vendim.

Sophie Menegon dhe Luka Mishetiq që paraqesin mbrojtjen e Thaçit nuk kanë parashtruar përgjigje ndaj kërkesës së Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit. Kujtojmë se Gjykata Speciale ka ngritur aktakuzën e dytë kundër Thaçit në dhjetor të vitit 2024 për pengim të drejtësisë./ Kosovapress

 

“Ua blenë votën me 100 €”/ Berisha: Pensionistët shqiptarë më pak të paguarit në..

By: e xh
6 August 2025 at 14:07

Në konferencën e sotme për mediat, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka denoncuar situatën e pensionistëve shqiptarë, duke i konsideruarit ata si më pak të paguarit në Europë.

Sipas statistikave të Eurostatit që paraqiti Berisha, pensionistët shqiptarë marrin pensione shumë më të ulëta në krahasim me vendet e tjera europiane dhe ato të rajonit. Kreu i PD theksoi se kjo situatë është rezultat i korrupsionit dhe keqmenaxhimit qeveritar.

Berisha e kritikoi gjithashtu shpërndarjen e 100 eurove nga qeveria si një “farsë elektorale” për të blerë vota.

Fjala e kreut të PD Sali Berisha

Farsa elektorale 11 maj 2025 kishte aspektet më çnjerëzore, më cinike. Edi Rama përdori dhuratën 100 euro për pensionistë, për 760 mijë pensionistë, për të ndikuar për votën në një kohë kur unë kam sjellë këtu një statistikë të Eurostatit. Dhe kjo statistikë e Eurostatit tregon se pensionistët shqiptarë në të gjithë Europën janë ata që paguhen më pak se të gjithë të tjerët.

Janë ata, të cilët në vlerë nominale mujore paguhen 50 përqind më pak se sa vendi i parafundit, se sa Turqia. Kurse në fuqi blerëse të monedhës, ata janë pothuajse tre herë nën Turqinë. Janë rreth dy herë nën Bosnjen dhe janë mbi dy herë gjer në 6.5 herë nën pensionistët e tjerë.

Pra në qoftë se me fuqi blerëse, nuk po them se me kështu janë 20-30 herë, por po marr fuqinë blerëse se ky është tregues më real, me fuqi blerëse, pensionisti shqiptar është rreth 7 herë nën një pensionist evropian. U ndala te ky grafik për dy arsye.

Për të dënuar politikën çnjerëzore që ndiqet ndaj pensionistëve, një politikë e cila bazohet kryekëput për shkak të vjedhjes dhe korrupsionit qeveritar. Mos harroni se këta 760 mijë pensionistë, që siç e shihni në fuqi blerëse marrin 2 deri në 2.5 herë më pak se dy vendet e parafundit, marrin shumë më pak se minimumi jetik i premtuar, i cili do ishte 1.6, por do ishte 2.4, më shumë se sa është sot dhe natyrisht 100 eurot e dhuruara kanë pasur efekt jashtëzakonisht të këta njerëz që marrin një mesatare në muaj prej 133 eurosh. Po të kemi parasysh çmimet, të cilat janë 117 për qind, pra 17 për qind më të larta se mesatarja e BE, i bie që hendeku midis pensionistit shqiptar dhe pensionistit evropian me mesatare pension të jetë edhe shumë herë më i madh.

E zë masivi i kromit/ Minatori humb jetën në galeritë e Bulqizës

By: e xh
6 August 2025 at 14:04

Mesditën e sotme një minator ka humbur jetën në një aksident në subjektin minerar “Jeton Dani” në Bulqizë.

Raportohet se viktimë e aksidentit ka mbetur shtetasi F. Veliu, 60 vjeç, të cilin e zuri poshtë një masiv kromi që u shemb gjatë punës në galeri. Mësohet se trupi i pajetë është nxjerrë dhe dërguar në morg, pasi aksidenti ndodhi në një zonë jo shumë të thellë.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Publikon videon, Bardhi:Kontroll nga vëzhguesit e PS mbi çdo votues në qendër votimi

By: e xh
6 August 2025 at 13:32

“Kontrolli i çdo vote të qytetarëve nga komisionerët dhe vëzhguesit e PS ishte mekanizmi kriminal që Belinda Balluku përdori në qarkun Fier për të mbajtur nën presion çdo votues”.

Kështu shkruan në një postim në rrjetin social Facebook, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ku ndër të tjera shkruan se “nëse ndonjë votues votonte vetëm, i pa shoqëruar, nxirreshin votat nga kutia për të verifikuar mënyrën sesi kanë votuar qytetarët, siç tregojnë edhe këto pamje zyrtare të kamerave të QV-së”, shkruan Bardhi.

Sipas tij ky është një krim zgjedhor i rëndë por që mbetet i pandëshkuar pasi për të, KQZ, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK, kishin për qëllim përmes Task-Forcës të bënin show dhe jo punën e tyre.

 “Ky është një krim zgjedhor i rëndë por që mbetet i pandëshkuar, sepse KQZ, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK, kishin për qëllim përmes Task-Forcës të bënin show dhe jo punën e tyre.

Shqipëria nuk mund të bëjë përpara në procesin e integrimit europian nëse nuk garanton zgjedhje të lira, të drejta dhe të barabarta. Zgjedhjet e 11 Majit nuk përmbushnin asnjë nga këto standarde. QV 2817, Njësia Administrative Dushk, Bashkia Lushnje.”, shkruan Bardhi.

Postimi i Gazment Bardhit në Facebook

Episodi 2/ VOTIM I KONTROLLUAR = FARSË ELEKTORALE

Kontrolli i çdo vote të qytetarëve nga komisionerët dhe vëzhguesit e PS ishte mekanizmi kriminal që Belinda Balluku përdori në qarkun Fier për të mbajtur nën presion çdo votues. Nëse ndonjë votues votonte vetëm, i pa shoqëruar, nxirreshin votat nga kutia për të verifikuar mënyrën sesi kanë votuar qytetarët, siç tregojnë edhe këto pamje zyrtare të kamerave të QV-së.

Ky është një krim zgjedhor i rëndë por që mbetet i pandëshkuar, sepse KQZ, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK, kishin për qëllim përmes Task-Forcës të bënin show dhe jo punën e tyre.

Shqipëria nuk mund të bëjë përpara në procesin e integrimit europian nëse nuk garanton zgjedhje të lira, të drejta dhe të barabarta. Zgjedhjet e 11 Majit nuk përmbushnin asnjë nga këto standarde.

QV 2817, Njësia Administrative Dushk, Bashkia Lushnje.

 

Me kallashnikov kanosi me jetë familjarët e tij/ Arrestohet 41-vjeçari në Krujë

By: e xh
6 August 2025 at 12:58

Arrestohet një 41-vjeçar në Qerekë të Krujës pasi kanoste me jetë familjarët e tij. Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, parandalon ngjarje kriminale në një familje. Sipas uniformave blu banesën e 41-vjeçarit u gjetën 3 armë, një .

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, sapo janë njoftuar se një shtetas po kanoste me armë zjarri kallashnikov, familjarët, në banesën e tyre, në fshatin Qerekë, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në vendngjarje. Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe veprimeve policore profesionale, u vu në pranga autori i rastit, shtetasi E. V., 41 vjeç.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjet arma e zjarrit kallashnikov me të cilën dyshohet se kanosi familjarët, si dhe 2 armë gjahu”, thuhet në njoftim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

“Nis transformimi Banjave të Bënjës”/ Rama: Po punohet për garantimin e shërbimeve..

By: e xh
6 August 2025 at 12:43

Transformimi tërësor i Banjave të Bënjës ka nisur. Kështu shkruan kryeministri Rama në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ku ndër të tjera thekson se me ndërhyrjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit po zbatohet projekti që përmirëson përvojat turistike në Ujërat Termale të Bënjës, një destinacion shumë i frekuentuar i hartës turistike të Përmetit e Këlcyrës.

Sipas Ramës është i nevojshëm rikualifikimi për të garantuar disa shërbime bazë si parkimi, furnizimi me ujë, shërbimet, por edhe një ambient më rekreativ, ndërsa me bashkitë, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe me Zyrën e Administrimit të Parkut Kombëtar të Vjosës vijon puna për një model menaxhimi të qëndrueshëm të këtij investimi.

Postimi i Kryeministrit Rama

Transformimi tërësor i Banjave të Bënjës ka nisur, ku me ndërhyrjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit po zbatohet projekti që përmirëson përvojat turistike në Ujërat Termale të Bënjës, një destinacion shumë i frekuentuar i hartës turistike të Përmetit e Këlcyrës, ku është i nevojshëm rikualifikimi për të garantuar disa shërbime bazë si parkimi, furnizimi me ujë, shërbimet, por edhe një ambient më rekreativ, ndërsa me bashkitë, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe me Zyrën e Administrimit të Parkut Kombëtar të Vjosës vijon puna për një model menaxhimi të qëndrueshëm të këtij investimi.

Zjarr në jug të Francës/ Humb jetën një grua, 9 persona mbetën të lënduar

By: e xh
6 August 2025 at 12:31

Një zjarr ka përfshirë jugun e Francës, ku një grua humbi jetën e 9 të tjerë mbetën të lënduar. Lajmi bëhet me dije nga zyrtarët lokalë, ku ndër të tjera konfirmojnë se si pasojë e zjarrit janë djegur 11.000 hektarë tokë.

Siç raportohet, zjarri ka nisur të martën pasdite dhe ka dëmtuar 25 shtëpi në Aude, ndërkohë 1.500 zjarrfikës janë angazhuar për të shuar flakët.

Mediat vendase konfirmojnë se gruaja që vdiq, ishte në shtëpinë e saj, kur ndërtesa u përfshi nga flakët,

Ndërkohë bëhet me dije se 7 zjarrfikës kanë pësuar lëndime në betejë me flakët dy prej të cilëve janë dërguar në spital.

“Zjarri po përparon në një zonë ku të gjitha kushtet janë të favorshme për përhapjen e tij. Po monitorojmë skajet dhe pjesën e pasme të zjarrit për të parandaluar vatra të reja”, tha Lucie Roesch, sekretare e përgjithshme e prefekturës së Audes.

Viteve të fundit, kjo zonë e Francës është përfshirë disa herë nga zjarret.

 

 

VIDEO/Tabaku: Fermeri penalizohet rëndë nga TVSH në bujqësi. Ja propozimi i opozitës

By: e xh
6 August 2025 at 12:01

Përmes një postimi në rrjetet sociale, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar sërish për situatën e bujqësisë, duke kritikuar qeverinë për politikat e saj të padrejta dhe joefikase në këtë sektor.

Tabaku renditi si një nga problemet kryesore që po penalizon rëndë fermerin shqiptar është mënyra si aplikohet TVSH në bujqësi. Diferenca mes TVSH-së në hyrje dhe dalje – ku importuesit përfitojnë dhe fermerët penalizohen – është kthyer në një “super taksë” që e nxjerr prodhuesin vendas nga tregu.

“Importuesit e mëdhenj preferojnë të marrin produkte nga jashtë sesa të blejnë nga fermeri shqiptar, pikërisht për shkak të kësaj pabarazie fiskale,” theksoi ajo.

Në lidhje me këtë çështje, Tabaku kujtoi se opozita ka propozuar një zgjidhje konkrete: TVSH e unifikuar në nivelin 6% si në hyrje ashtu edhe në dalje, për të formalizuar sektorin dhe për ta bërë konkurrues.

Nga ana tjetër, ajo u ndal edhe tek retorika e re e qeverisë për të nxitur fermerët të marrin kredi. “Pse duhet të marrë kredi një fermer, kur fondet IPARD janë djegur dhe bujqësia ndodhet në krizë? Një në tre produkte vjen sot nga importi! Nëse nuk ka prodhim, çfarë vlerë ka një kredi?” – pyet Tabaku.

Ajo e përmbylli reagimin e saj duke nënvizuar se sektorit të bujqësisë i duhet mbështetje reale, politika të ndershme dhe një vizion i qartë, jo masa të përkohshme dhe propagandë. Sipas saj, bujqësia është kthyer në viktimë të një politike që favorizon importin dhe ndëshkon prodhimin vendas.

 

KQZ i heq mandatin udhëheqësit të serbëve në Bosnje, Millorad Dodik

By: e xh
6 August 2025 at 11:40

Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnje dhe Hercegovinës gjatë një mbledhjeje të mbajtur në Sarajevë ka miratuar vendimin për t’ia hequr mandatin presidentit të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik.

Heqja e mandatit vjen pasi Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës e ka dënuar me vendim të formës së prerë Dodikun me një vit burg, si dhe me ndalim të ushtrimit të kësaj dhe funksioneve të tjera politike në vend për gjashtë vitet e ardhshme, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje.

Mandati do të hiqet Dodikut pas skadimit të afatit për ankesë.

Ankesë për këtë vendim mund dorëzohet në Departamentin e Apelit të Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës brenda dy ditëve nga dita e pranimit të vendimit, përmes Komisionit Qendror Zgjedhor të Bosnje dhe Hercegovinës, në përputhje me Ligjin Zgjedhor të Bosnjës.

Pas kësaj pritet të shpallen zgjedhjet e parakohshme për presidentin e entitetit Republika Sërpska, të cilat duhet të mbahen brenda 90 ditësh.

Zgjedhjet e rregullta të përgjithshme janë planifikuar për tetor të vitit 2026.

Sipas Ligjit Zgjedhor të Bosnje e Hercegovinës, një zyrtari të zgjedhur i përfundon mandati “ditën kur një aktgjykim bëhet në formë të prerë, përmes së cilit është dënuar me burgim prej gjashtë muajsh ose më shumë!

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Bosnjës, Dodik nuk do të ketë të drejtë të garojë për asnjë funksion politik deri në përfundim të ndalesës gjashtëvjeçare. Më herët, Dodik ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga posti i presidentit të RS-së, pavarësisht vendimit të formës së prerë.

Dodik, si dhe partia e tij, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), e kanë kundërshtuar aktgjykimin dhe kanë ftuar opozitën për të formuar një “qeveri të unitetit kombëtar” në Republikën Sërpska, si dhe për veprim të përbashkët në institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës deri në kthimin e statusit të RS-së në “kornizat e garantuara kushtetuese”. Mbrojtja e Dodikut ka paralajmëruar apel në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës, me qëllim që të kontestojë aktgjykimin.

Edhe Qeveria e RS-së ka njoftuar se nuk e pranojnë vendimin e shkallës së dytë të gjyqësorit në Bosnje. Nga ky ekzekutiv e kanë vlerësuar vendimin si “juridikisht të pavlefshëm, jokushtetues dhe të motivuar politikisht”.

Në një sërë përfundimesh të miratuara në një seancë të jashtëzakonshme në Banjallukë, të martën më 5 gusht, ndër të tjera u tha se “Gjykata dhe Prokuroria e Bosnjës janë jokushtetuese dhe kanë zhvilluar një proces të montuar politikisht kundër presidentit”, i cili, sipas tyre, ka vepruar vetëm në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore. Dodik u shpall fajtor për nënshkrimin e dekretit për shpalljen e ligjeve që më parë ishin anuluar nga përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt.

Përmes atyre ligjeve, organet legjislative në RS ishin përpjekur të pengonin zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe të përfaqësuesit të Lartë në territorin e këtij entiteti të Bosnjës. I akuzuari tjetër në këtë rast, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS-së, Milosh Llukiç, është liruar nga akuzat. REL

 

 

Mbi 61 mijë palestinezë të vrarë/ Netanyahu flet për ofensivë më të zgjeruar në Gaza

By: e xh
6 August 2025 at 11:22

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të martën aludoi për një ofensivë më të gjerë ushtarake në Gazën e shkatërruar, edhe pse ish-krerët e ushtrisë dhe inteligjencës izraelite kanë bërë thirrje për dhënien fund të luftës gati 22-mujore.

Presioni i ri ndaj Netanyahut vjen në kohën kur Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se numri i palestinezëve të vrarë ka tejkaluar shifrën 61.000, raporton AP.

Zyrtarët shëndetësorë në Gazë njoftuan për viktima të reja në mesin e palestinezëve të uritur që po kërkonin ushqim në qendrat e shpërndarjes së ndihmave.

Ditë më parë, përmes një letre të hapur qindra ish-zyrtarë të sigurisë, përfshirë ish-udhëheqësit e shërbimit të brendshëm të sigurisë, Shin Bet, dhe të agjencisë së spiunazhit, Mossad, kërkuan që presidenti amerikan, Donald Trump, të ndihmojë në përfundimin e luftës së Izraelit kundër

Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Ish-zyrtarët e lartë të sigurisë së Izraelit kanë lëshuar edhe video-mesazhe, duke bërë thirrje për ndaljen e luftës. Objektivat e Netanyahut në Gazë janë “një fantazi”, tha Yoram Cohen, ish-shefi i Shin Betit, përmes një videoje.

“Nëse dikush imagjinon se mund të godasim çdo terrorist, çdo strehë dhe çdo armë, dhe njëkohësisht t’i kthejmë pengjet tona në shtëpi – unë mendoj se kjo është e pamundur”, theksoi ai.

Netanyahu mblodhi Kabinetin e Sigurisë për t’i dhënë udhëzime ushtrisë lidhur me fazën e ardhshme të luftës, duke lënë të kuptohet se mund të ketë veprime edhe më të ashpra. Megjithatë, takimi përfundoi disa orë më vonë pa ndonjë njoftim për planet e Izraelit. Presidenti amerikan, Donald Trump, u pyet nga gazetarët nëse e mbështet ripushtimin e Gazës. Ai tha se nuk ishte në dijeni për një “sugjerim” të tillë, por shtoi se “kjo do të varet kryesisht nga Izraeli”.

Netanyahu tha se objektivat e tij përfshijnë mposhtjen e Hamasit, lirimin e 50 pengjeve të mbetura dhe sigurimin që Gaza të mos përbëjë më kurrë kërcënim për Izraelin, pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në vitin 2023, që nxiti luftën.

Mediat izraelite raportuan për mospajtime mes Netanyahut dhe shefit të shtabit të ushtrisë izraelite, gjenerallejtënant Eyal Zamir, lidhur me hapat e mëtejshëm në luftë. Sipas këtyre raportimeve, ku citohen zyrtarë anonimë nga zyra e Netanyahut, kryeministri po i kërkon ushtrisë – e cila tashmë kontrollon rreth tre të katërtat e Gazës – të pushtojë të gjithë territorin, një hap që mund të rrezikojë pengjet, të përkeqësojë krizën humanitare dhe ta izolojë më shumë Izraelin në arenën ndërkombëtare.

Zamir raportohet se kundërshton këtë hap dhe mund të japë dorëheqje ose të shkarkohet nëse plani miratohet. Zyrtarët izraelitë nuk kanë komentuar për këto raportime. Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Sipas zyrtarëve izraelitë, 50 pengje janë në Gazë dhe vetëm 20 prej tyre besohet se janë gjallë.

Ofensiva izraelite ka shkaktuar shkatërrime të mëdha në Rripin e Gazës dhe mbi 2 milionë banorët e kësaj enklave po përballen me krizë të rëndë humanitare. REL

Situata me zjarret/ MM: U evidentuan 25 vatra në vend, një mbetet ende aktive

By: e xh
6 August 2025 at 10:42

Gjatë orëve të fundit janë evidentuar 25 vatra zjarri, ndër të cilat vetëm një mbetet aktive.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes vatra aktive ndodhet në malin mbi fshatin Dhivër, bashkia Finiq, ku është aktivizuar zjarri në një sipërfaqe pyjore në lartësi, si pasojë e një shkarkese nga rrufeja, dhe po mbahet nën kontroll nga MZSH lokale.

Zjarre të shuar:

* Në fshatin Gryksh i Madh, bashkia Elbasan, ku në terren u angazhuan 5 mjete zjarrfikëse dhe rreth 70 forca nga të gjitha strukturat operacionale.

* Në fshatin Dhorës, njësia administrative Qendër Skrapar.

* Në fshatin Gurë-Lurë, Parkun Kombëtar Lurë, ku në terren u angazhuan rreth 60 forca.

*  Në fshatin Daullas, bashkia Fier, ku u angazhuan 4 mjete zjarrfikëse  dhe rreth 55 forca nga strukturat operacionale.

* Në fshatin Lusën, bashkia Kukës, ku u angazhuan rreth 30 forca.

* Në fshatin Blinisht, bashkia Lezhë, ku në terren u dislokuan 3 mjete zjarrfikëse dhe rreth 20 forca  operacaionale.

*Në qytetin e Leskovikut, bashkia Kolonjë.

* Në fshatin Grudë, bashkia Shkodër.

* Në fshatin Rrjoll, bashkia Shkodër.

* Në fshatin Ngjeqar, bashkia Roskovec.

-Në terren u angazhuan 39 automjete zjarrfikëse dhe 375 forca operacionale.

Përsërisim thirrjen drejtuar banorëve, të tregohen të kujdesshëm, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë në kohë vatrat!

Receta në formatin unik/ Rama: Siguri për pacientin, më pak burokraci për mjekët e..

By: e xh
6 August 2025 at 10:36

Që nga 1 gushti, receta mjekësore në formatin unik po zbatohet në të gjithë vendin.

Kështu shkruan në një postim në rrjetin social “Facebook”, kryeministri Rama ku ndër të tjera thekson se “me zërin e farmacistëve që çdo ditë janë në shërbim të qytetarëve, vjen dëshmia për një tjetër hap përpara në përmirësimin e shërbimit shëndetësor”.

Sipas kryeministri, tashmë me recetën mjekësore në formatin unik që po zbatohet në të gjithë vendin krijohet më shumë siguri për pacientin, më pak burokraci për mjekët dhe farmacistët, si dhe arrihet trajtim dhe ndjekje më e saktë.

Postimi i kryeministrit

Me zërin e farmacistëve që çdo ditë janë në shërbim të qytetarëve, vjen dëshmia për një tjetër hap përpara në përmirësimin e shërbimit shëndetësor:

Që nga 1 gushti, receta mjekësore në formatin unik po zbatohet në të gjithë vendin

-Më shumë siguri për pacientët

-Më pak burokraci për mjekët dhe farmacistët

-Trajtim dhe ndjekje më e saktë

 

SPAK mbyll hetimet/Dërgohet për gjykim avokati, kërkoi ryshfet të ndikonte te..

By: e xh
6 August 2025 at 10:20

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim avokatin Bardhi Koçi, i cili merrte para për të ndërhyrë e ndikuar te gjyqtarët. Është dërguar për gjykim edhe qytetarja Pranvera Meshi, e cila kishte paguar avokatin që ai të ndikonte të një gjyqtar i Tiranës për një çështje ndaj saj.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas përfundimit të hetimeve, dërgoi gjykim më 05.08.2025, procedimin penal, nr.229/1 viti 2021 në ngarkim të të pandehurve:

1.Bardhi Koçi, i akuzuar për veprën penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (tre episode) parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal.

2.Pranvera Meshi, e akuzuar për veprën penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me datë 27.08.2021, mbi bazën e akteve të dërguara nga Policia Gjyqësore ka regjistruar procedimin penal nr.229, për veprat penale, “Ushtrim i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim të detyrës”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248 të  Kodit Penal.

Në vijim të hetimeve për këtë procedim penal, përmes aplikimit të metodave speciale të hetimit është dokumentuar kryerja e veprës penale, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 dhe 4 i Kodit Penal, e kryer nga shtetasit, Pranvera Meshi dhe Bardhi Koçi.

Shtetasja Pranvera Meshi, në kohën e kryerjes së veprës penale po gjykohej në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve shëndetësore”, parashikuar nga neni 188/1 i Kodit Penal.

Shtetasi, Bardhi Koçi, me profesion avokat (i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ishte  i punësuar  me detyrë Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit) ka kërkuar nga shtetasja Pranvera Meshi, shumën prej 1500 (një mijë e pesëqind) euro dhe ka marrë prej saj në formën e përfitimit të parregullt, shumën paraprake prej 1000 (një mijë) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit në vendimmarrjen e gjyqtarit, i cili po shqyrtonte çështjen në ngarkim të saj.

Shtetasi, Bardhi Koçi, ka kërkuar nga shtetasi A.M., shumën prej 1300 (një mijë e treqind) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit tek dy funksionarë të sistemit të drejtësisë, me qëllim përshpejtimin e seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj shtetases N.M., e arrestuar për veprën penale, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, e parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.

Gjithashtu shtetasi Bardhi Koçi ka marrë përfitime të parregullta nga shtetasi, R.G., me qëllim ushtrimin e ndikimit tek ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore. Ky ndikim kishte të bënte me nxjerrjen e aktit të ekspertimit kimik për një sasi lënde narkotike, e cila i ishte sekuestruar shtetasit B.G, i dyshuar për veprën penale, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, e parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dokumentuar dy episode të tjera të kryerjes së veprës penale,“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal, nga shtetasi Bardhi Koçi dhe po vijon hetimet për dokumentimin e rrethanave dhe fakteve të tjera që kanë dalë nga hetimet e kryera lidhur me këtë procedim penal.

Yesterday — 5 August 2025Main stream

Arrestohet në Serbi një shtetas i Kosovës

By: e xh
5 August 2025 at 15:32

Ministria e punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar arrestimin e Behar Preniqit nga autoritetet e Serbisë.

Ai thuhet se u ndalua dje në kufirin serbo-kroat.

“Rasti i fundit i arrestimit të qytetarit Behar Preniqi, i cili u ndalua dje në pikën kufitare Batrovci, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, përbën një tjetër dëshmi të qartë të praktikave të papranueshme dhe destruktive të autoriteteve serbe, të cilat bien në kundërshtim të hapur me të drejtën ndërkombëtare dhe me standardet themelore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin e MOJD.

Tutje bëhet e ditur se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, pas kontaktit me familjen e z. Preniqi, është angazhuar përmes kanaleve diplomatike dhe zyrtare për të siguruar informacione të sakta dhe të plota lidhur me këtë rast.

“Zyra Ndërlidhëse ka adresuar një kërkesë zyrtare autoriteteve të Qeverisë së Serbisë për të konfirmuar arrestimin e z. Preniqi dhe për të sqaruar arsyet e ndalimit të tij. Përveç kësaj, rasti është përcjellë edhe te Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi si dhe te misionet diplomatike të vendeve të Quint-it”, thonë nga MPJD.

Ky institucion shton se nëse ndaj Preniqit vendoset masa e paraburgimit dhe iniciohet procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të kërkuar një vizitë zyrtare në vendin e ndalimit të tij.

MPJD u bën thirrje përsëri të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shmangin udhëtimet përmes territorit të Serbisë. Derisa i bëhet thirrje edhe Bashkësisë Ndërkombëtare që të reagojë ndaj praktikave represive të Serbisë.

BE-ja pezullon tarifat hakmarrëse pas marrëveshjes tregtare me Trumpin

By: e xh
5 August 2025 at 15:12

Bashkimi Evropian njoftoi më 5 gusht për pezullimin e tarifave hakmarrëse ndaj mallrave amerikane në vlerë prej 93 miliardë eurosh, pasi Brukseli arriti një marrëveshje me Uashingtonin muajin e kaluar.

“Komisioni Evropian ka miratuar sot procedurat e nevojshme ligjore për të pezulluar zbatimin e kundërmasave tona, të cilat pritej të hynin në fuqi më 7 gusht”, tha zëdhënësi për tregti i BE-së, Olof Gill.

Komisioni Evropian, i cili është përgjegjës për politikat tregtare të bllokut prej 27 shtetesh, kishte përgatitur një listë me mallra amerikane që do të goditeshin me tarifa nëse bisedimet me Shtetet e Bashkuara nuk do të rezultonin me marrëveshje.

Kundërmasat e BE-së kishin në shënjestër një sërë eksportesh amerikane, nga soja deri tek aeroplanët, makinat e uiski.

Por, presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, arriti një marrëveshje kornizë me presidentin amerikan, Donald Trump, më 27 korrik, teksa afati i 1 gushtit për vendosjen e tarifave të larta po afrohej.

Pas arritjes së marrëveshjes, eksportet e BE-së pritet të përballen me tarifa gjithëpërfshirëse prej 15 për qind që nga data 8 gusht – më të larta se taksat doganore para se Trump të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë, por më të ulëta se tarifat prej 30 për qind, që presidenti amerikan kishte kërcënuar se do të vendoste./ REL

Vatër zjarri në Peqin, era e fortë dhe temperaturat e larta ndihmojnë përhapjen

By: e xh
5 August 2025 at 14:29

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka shpërthyer në zonën e Grykshit, në Peqin, duke përfshirë një sipërfaqe të madhe me shkurre dhe pemë ulliri.

Sipas të dhënave nga terreni, zjarri ka avancuar me shpejtësi për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike dhe terrenit të thyer.

Në vendngjarje janë angazhuar forcat zjarrfikëse dhe banorë të zonës, të cilët po punojnë pa ndërprerje për të vënë nën kontroll flakët.

Megjithatë, përpjekjet për shuarjen e zjarrit po pengohen ndjeshëm nga era e fortë, thatësira e motit dhe vështirësitë në aksesimin e zonës malore.

Kinë/ Mbi 7,000 persona të infektuar me virusin që transmetohet nga mushkonjat

By: e xh
5 August 2025 at 14:24

Në provincën Guangdong të Kinës janë raportuar mbi 7,000 raste të virusit ‘chikungunya’, i cili transmetohet nga mushkonjat.

Qyteti Foshan është më i godituri, ku pacientët mbahen në spital nën masa të rrepta, sipas BBC.

Përveç Foshanit, të paktën 12 qytete të tjera në provincën jugore Guangdong kanë raportuar infeksione.

Gati 3,000 raste u raportuan vetëm javën e fundit.

Edhe pse rastet janë të lehta, autoritetet kineze kanë paralajmëruar për kujdes të shtuar.

Megjithatë, rastet kanë çuar në panik, duke pasur parasysh se virusi nuk është i njohur gjerësisht në vend.

Ndërkohë SHBA-të u kanë kërkuar udhëtarëve në Kinë të tregojnë “kujdes të shtuar” pas shpërthimit.

Por çfarë është ‘chikungunya’?

Shumica e njerëzve të pickuar nga një mushkonjë e infektuar do të zhvillojnë simptoma të ‘chikungunya’ brenda tri deri në shtatë ditësh.

Përveç etheve dhe dhimbjeve të kyçeve, simptoma të tjera përfshijnë skuqje, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe ënjtje të kyçeve.

Në shumicën e rasteve, pacientët do të ndihen më mirë brenda një jave. Megjithatë, në raste të rënda, dhimbja e kyçeve mund të zgjasë për muaj ose edhe vite.

Ata që janë në rrezik për sëmundje më të rënda përfshijnë të porsalindurit, të moshuarit dhe njerëzit me probleme shëndetësore themelore, të tilla si sëmundjet e zemrës ose diabeti.

Nuk ka kurë, por vdekjet nga ‘chikungunya’ janë të rralla.

Virusi u identifikua për herë të parë në Tanzani në vitin 1952. Më pas u përhap në vende të tjera në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë Juglindore.

Deri më sot, është raportuar në më shumë se 110 vende.

Mënyra më e mirë për të parandaluar përhapjen e virusit është “zvogëlimi” i pellgjeve të ujit të ndenjur që lejojnë mushkonjat të shumohen, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Irani arreston tre persona të lidhur me organizatën e Muxhahedinëve

By: e xh
5 August 2025 at 14:14

Irani ka arrestuar tre persona që dyshohet se janë pjesë e një celule sabotuese, të lidhur me opozitën në mërgim. Ata u arrestuan për prishje të rendit publik, raportuan mediat iraniane më 5 gusht.

Të dyshuarit, që pretendohet se janë të lidhur me grupin e ndaluar Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), u arrestuan nga Garda Revolucionare në Pakdasht, në juglindje të Teheranit, raportoi agjencia iraniane e lajmeve, ISNA.

“Tre anëtarë të celulave sabotuese të lidhura me MEK-un, të cilët synonin të prishnin rendin dhe sigurinë publike, u identifikuan dhe u arrestuan”, tha për ISNA, prokurori Mohammad Hassanpour.

Ai e akuzoi MEK-in se po përdorë rrjete të fshehta të propagandës për të rekrutuar individë në mënyrë që të formohen “celula sabotuese”, të cilat, sipas tij, synojnë prishjen e rendit publik.

Prokurori shtoi se forcat iraniane të sigurisë e kanë shkatërruar celulën dhe kanë arrestuar të gjithë anëtarët e saj. Ata, tha Hassanpour, do t’i nënshtrohen një “metode speciale të marrjes në pyetje” dhe hetimi për këtë rast do të vazhdojë.

Arrestimi i tyre vjen pas ekzekutimit në fund të muajit të kaluar të dy personave të dyshuar si anëtarë të kamotshëm të këtij grupi.

Ata, sipas autoriteteve iraniane, u gjetën fajtor për prodhimin e mortajave artizanale për të sulmuar civilët, shtëpitë dhe institucionet publike.

Në javët e fundit, udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, e ka akuzuar këtë grup se po përpiqet të nxisë “trazira” me synim rrëzimin e sistemit gjatë sulmit të Izraelit më 13 qershor, i cili shkaktoi një luftë 12-ditore me Iranin. I themeluar në vitet 1960 për të kundërshtuar shahun e mbështetur nga Perëndimi, MEK u shpall i jashtëligjshëm pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, për shkak se luftoi përkrah trupave të Saddam Husseinit në luftën Iran-Irak.

Më 1986, MEK-u u shpërngul në Irak. Grupi u çarmatos nga një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara pas pushtimit të Irakut në vitin 2003.

Tani, ky grup tani avokon për ndryshimin e sistemit në Iran nga jashtë vendit.

Ndërkaq, që nga viti 2013, mijëra pjesëtarë të MEK-ut janë strehuar, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara.

Njëri do marrëveshje ndërsa tjetri fitore, Trump dhe Putin drejt një përplasjeje?

By: e xh
5 August 2025 at 13:55

BBC-Steve Rosenberg
A ka dalë nga shinat marrëdhënia mes Donald Trump dhe Vladimir Putin?

Një gazetë e njohur ruse mendon se po. Ajo iu referua trenave për të ilustruar gjendjen aktuale të marrëdhënieve SHBA-Rusi.

“Një përplasje kokë më kokë duket e pashmangshme”, deklaroi së fundmi tabloidi Moskovsky Komsomolets.

“Lokomotiva Trump dhe lokomotiva Putin po lëvizin me shpejtësi drejt njëra-tjetrës. Dhe asnjëra nuk ka ndërmend të ndalojë apo të kthehet pas.”

Për “lokomotivën e Putinit”, është avull i plotë përpara me të ashtuquajturën “Operacioni Special Ushtarak”, luftën e Rusisë në Ukrainë. Kreu i Kremlinit nuk ka shfaqur asnjë dëshirë për të ndalur armiqësitë apo për të shpallur një armëpushim afatgjatë.

Ndërkohë, “lokomotiva Trump” ka rritur përpjekjet për të ushtruar presion ndaj Moskës për t’i dhënë fund luftimeve: Ka dhënë afate, ultimatume, kërcënime për sanksione shtesë kundër Rusisë dhe tarifa të rënda ndaj partnerëve tregtarë të saj, si India dhe Kina.

Shto këtu edhe dy nëndetëset bërthamore amerikane që Presidenti Trump pretendon se i ka afruar pranë Rusisë.

Kur kalon nga metaforat me lokomotiva te nëndetëset bërthamore, kuptohet që gjërat janë bërë serioze.

Por a do të thotë kjo se Shtëpia e Bardhë është realisht në një “kurs përplasjeje” me Kremlinin për çështjen e Ukrainës?

Apo vizita këtë javë në Moskë nga i dërguari i posaçëm i Donald Trump, Steve Witkoff, është një shenjë se, pavarësisht retorikës, një marrëveshje mes Rusisë dhe Amerikës për t’i dhënë fund luftës mbetet ende e mundur?

Një fillim i ngrohtë pas rikthimit të Trump
Në javët e para të mandatit të dytë të Trump si president, Moska dhe Uashingtoni dukeshin në rrugë të mbarë për të rindezur marrëdhëniet mes tyre.

Asnjë shenjë përplasjeje. Përkundrazi. Në disa momente dukej sikur Vladimir Putin dhe Donald Trump ndodheshin në të njëjtin vagon, duke udhëtuar në të njëjtin drejtim. Në shkurt, Shtetet e Bashkuara dolën në krah të Rusisë në Kombet e Bashkuara, duke kundërshtuar një rezolutë të hartuar nga Evropa që dënonte “agresionin” e Rusisë në Ukrainë.

Në një telefonatë gjatë atij muaji, të dy presidentët diskutuan për vizita në vendet e njëri-tjetrit. U krijua ndjesia se një samit Putin-Trump mund të ndodhte nga momenti në moment.

Ndërkohë, administrata Trump po ushtronte presion ndaj Kievit, jo ndaj Moskës, dhe po përplasej me aleatë tradicionalë të Amerikës, si Kanadaja dhe Danimarka. Në fjalime dhe intervista televizive, zyrtarët amerikanë ishin shumë kritikë ndaj NATO-s dhe udhëheqësve evropianë.

E gjitha kjo ishte muzikë për veshët e Kremlinit.

“Amerika tani ka më shumë të përbashkëta me Rusinë sesa me Brukselin apo Kievin”, deklaroi në mars për gazetën Izvestia, Konstantin Blokhin, nga Qendra për Studime të Sigurisë në Akademinë Ruse të Shkencave.

Po ajo gazetë shkruante në prill:

“Trumpistët janë revolucionarë. Janë përmbysës të sistemit. Ata vetëm mund të mbështeten për këtë. Uniteti i Perëndimit nuk ekziston më. Gjeopolitikisht nuk është më një aleancë. Trumpizmi e ka shkatërruar konsensusin transatlantik me vendosmëri dhe shpejtësi.”

Ndërkohë, i dërguari i Trumpit, Steve Witkoff, ishte bërë një vizitor i rregullt në Rusi. Ai bëri katër vizita në pak më shumë se dy muaj, duke kaluar orë të tëra në bisedime me Putinin. Pas një takimi, lideri i Kremlinit i dhuroi një portret të Donald Trump për ta çuar në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Trump thuhet se ishte “ndjerë i emocionuar” nga gjesti.

Por ai kërkonte më shumë sesa një pikturë nga Moska. Donte që Presidenti Putin të pranonte një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar në Ukrainë.

Zhgënjimi në rritje i Trump

I sigurt në avantazhin e tij në fushëbetejë, Vladimir Putin ka qenë i papërkulur për të ndalur luftën, pavarësisht pretendimeve të tij se Moska është e hapur për një zgjidhje diplomatike.

Kjo është arsyeja pse Donald Trump është gjithnjë e më i zhgënjyer me Kremlinin.

Në javët e fundit, ai ka dënuar sulmet e pandalshme të Rusisë ndaj qyteteve ukrainase si “të neveritshme”, “të turpshme” dhe ka akuzuar Putin se flet “një mal me marrëzira” për Ukrainën.

Muajin e kaluar, Trump shpalli një ultimatum 50-ditor ndaj Putin për t’i dhënë fund luftës, duke kërcënuar me sanksione dhe tarifa. Më pas, ai e shkurtoi atë afat në vetëm dhjetë ditë. Ky afat skadon në fundjavën që vjen. Deri tani, nuk ka asnjë shenjë se Putin do t’i nënshtrohet presionit të Uashingtonit.

Por, sa presion ndjen realisht Vladimir Putin?

“Pasi Trump i ka ndryshuar aq shumë herë afatet dhe është kthyer sa në një drejtim sa në një tjetër, nuk besoj se Putin e merr seriozisht”, thotë Nina Khrushcheva, profesore e marrëdhënieve ndërkombëtare në New School, New York.

“Putini do të luftojë sa të mundet, përveç nëse Ukraina thotë: ‘Jemi lodhur, jemi të gatshëm të pranojmë kushtet tuaja’. Besoj se Putin rri në Kremlin dhe mendon se po realizon ëndrrat e carëve rusë dhe të sekretarëve të përgjithshëm si Stalini, duke i treguar Perëndimit se Rusia nuk duhet trajtuar me përçmim.”

Një marrëveshje është ende e mundur
Nga tabloja që kemi paraqitur deri tani, mund të duket sikur përplasja mes lokomotivave Trump dhe Putin është e pashmangshme.

Por jo domosdoshmërisht.

Donald Trump e sheh veten si mjeshtër të marrëveshjeve dhe, nga sa kuptohet, ende nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të siguruar një të tillë me Vladimir Putin.

Steve Witkoff pritet të kthehet këtë javë në Rusi për bisedime me kreun e Kremlinit. Nuk dihet çfarë oferte mund të sjellë me vete.

Por disa komentues në Moskë parashikojnë se do të ketë më shumë karrota sesa shkopinj. Nuk kaloi pa u vënë re fakti që të dielën, Presidenti Trump tha se Rusia “duket se është shumë e aftë për të shmangur sanksionet”.

Të hënën, Ivan Loshkarev, pedagog i teorisë politike në Universitetin MGIMO në Moskë, i tha Izvestia-s se, për të nxitur dialogun, Witkoff mund të paraqesë “oferta bashkëpunimi të favorshme [për Rusinë], që do të mundësoheshin pas një marrëveshjeje për Ukrainën”.

A do të mjaftojë kjo për të bindur Kremlinin të pranojë paqen pas tre vitesh e gjysmë lufte?

Nuk ka asnjë garanci.

Sepse deri tani, Vladimir Putin nuk ka lëvizur asnjë hap nga kërkesat e tij maksimale për territore, për neutralitetin e Ukrainës dhe për përmasat e ushtrisë ukrainase.

Donald Trump kërkon një marrëveshje. Vladimir Putin kërkon një fitore.

VIDEO/ Ministri serb pëson goditje në tru gjatë intervistës “live”

By: e xh
5 August 2025 at 13:54

Ministri serb, Darko Glisiç ishte i ftuar në programin e mëngjesit të Televizionit Pink kur papritmas u ndje keq.

Sipas mediave vendase, ai pësoi një goditje në tru dhe ndodhety në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ministri i Investimeve Publike Darko Glisiç nuk mundi ta përfundonte intervistën, ndaj programi u ndërpre.

Glisiç është dërguar në spital, ku ka mbërritur edhe Presidenti Vuçiç. Ndryshe, Glisiç konsiderohet si bashkëpunëtori më besnik dhe më i ngushtë i Presidentit serb.

UDARNO: Hitno prekinut program na Pinku! Glišić se šlogirao u sred emisije?!

Ministru za javna ulaganja Darku Glišiću naglo je pozlilo uživo u jutarnjem programu na Pinku. pic.twitter.com/otIuN977tP

— Mario ZNA (@MarioBojic) August 5, 2025

❌
❌