GJERMANI – Merz mbështet embargo të pjesshme të armëve për Izraelin mes përçarjeve në parti
BERLIN, 11 gusht /ATSH-DPA/ – Embargoja e pjesshme e Gjermanisë për eksportin e armëve drejt Izraelit mund të ketë ndikim të kufizuar praktik, pasi Berlini tashmë ka vendosur kufizime për shitjen e armëve dhe pajisjeve që përdoren nga ushtria izraelite në Gaza, sipas një dokumenti të brendshëm të bërë sot public.
Shënimi me gjashtë pika nga kancelari Friedrich Merz, drejtuar drejtuesve të partisë së tij konservatore CDU, tregon se”vendimi për mallrat e tjera ushtarake kufizohet shprehimisht vetëm për një përdorim të mundshëm në Gaza; ai bazohet në kushtet aktuale atje”.
Ndalimi i eksporteve të armëve që mund të përdoren në Gaza u njoftua të premten, pasi kabineti i sigurisë i Izraelit miratoi një plan për zgjerimin e operacioneve ushtarake në këtë territor.
Lëvizja e papritur e Merz-it, që shënon një largim nga mbështetja e pakushtëzuar e Gjermanisë për Izraelin në luftën kundër Hamasit, ka shkaktuar përçarje brenda bllokut të tij qendror të djathtë.
Kancelari ka nxituar të sigurojë aleatët se kjo politikë nuk nënkupton braktisjen e sigurisë së Izraelit, e cila konsiderohet një “arsye shtetërore” për Gjermaninë.
Dokumenti sqaron se embargoja nuk zbatohet për “armët për mbrojtjen ajrore dhe detare, të cilat janë thelbësore për vetëmbrojtjen e Izraelit”.
“Ky përshkallëzim ndikon gjithashtu në përkeqësimin e konflikteve shoqërore në Gjermani dhe Evropë, të cilat duhet t’i shmangim edhe për shkak të detyrimit tonë ndaj shtetit të Izraelit”, shkruan ai. /Ad.Ab./
The post GJERMANI – Merz mbështet embargo të pjesshme të armëve për Izraelin mes përçarjeve në parti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.