Drejtuesi i SPAK kërkon shkarkimin e prokurorit Genci Mane
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të enjten më 24 korrik me bisedimet përfundimtare në çështjen e vetingut të prokurorit të Fierit Genci Mane. Prokurori Adnan Xholi që përfaqëson në këtë proces drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, u qëndroi shkaqeve të ankimit në të tre kriteret e rivlerësimit, pasurisë, figurës dhe profesionalizmit dhe kërkoi shkarkimin e Manes nga detyra, ndërsa ky i fundit i kundërshtoi gjetjet duke i cilësuar të pabazuara dhe kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit.
Genci Mane u konfirmua në detyrë më 13 dhjetor 2022, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se ai justifikonte plotësisht me burime të ligjshme krijimin e pasurive dhe kryerjen e shpenzimeve; se ka arritur nivel të besueshëm në kontrollin e figurës dhe nivel kualifikues për profesionalizmin.
Vendimmarrja e KPK-së u ankimua prej Komisionerit Publik, që kërkoi shkarkimin e këtij magjistrati për probleme në kriterin pasuror dhe në vlerësimin e përgjithshëm të gjetjeve për profesionalizmin.
Fillimisht palët paraqitën qëndrimet e tyre lidhur me konstatimin e emrit të prokurorit Mane si abonent i degës së OSHEE-së dhe Ujësjellës-Kanalizimeve Fier. Prokurori Xholi vërejti se këto institucione kishin dërguar përgjigje për herë të dytë, duke sqaruar se nuk dispononin kopje të ndonjë kontrate të nënshkruar me prokurorin Mane.
Prokurori Mane theksoi se përgjigjet konfirmojnë atë që ai ka shpjeguar dhe më parë, se emri i tij është vendosur në mënyrë fiktive nga OSHEE. Sipas subjektit, në dijeninë e tij ka pasur dhe procedime penale ndaj punonjësve të OSHEE të cilët shkarkonin të dhëna fiktive në sistem.
Mane u pyet nga Kolegji, nëse kishte një qëndrim pasi të dhënat ngrinin dyshime për posedimin e një pasurie. subjekti deklaroi se është indiferent ndaj këtyre rrethanave, pasi veç emrit e mbiemrit që përkojnë me emrin dhe mbiemrin e tij, nuk ka të dhëna të tjera si datëlindja e atësia që do të tregonin se është ai. Sipas subjektit, të dhënat tregojnë se nuk lidhen me atë.
I pyetur nga Kolegji nëse kishte bërë verifikime për persona të tjerë që mbajnë të njëjtin emër e mbiemër, Mane tha se nga sa kishte dijeni figurojnë dhe dy persona të tjerë që kanë emrin Genci Mane.
Në vijim, prokurori Adnan Xholi paraqiti konkluzionet përfundimtare. Ai tha se u qëndronte shkaqeve dhe kërkimit të ankimit për ndryshimin e vendimmarrjes së Komisionit dhe shkarkimit të subjektit. Sipas drejtuesit të SPAK, prindërit e subjektit nuk kanë pasur mundësi t’i japin atij 1.7 milionë lekë në këmbim të pjesës takuese të banesës në Berat. Xholi solli në vëmendje se prindërit kishin kryer një investim në vitin 2004, që kishte vlerë dukshëm më të lartë nga mundësia e kursimeve të tyre.
Veç pamundësisë për dhënien e kësaj shume, të deklaruar nga subjekti si burim për pagesën e një kësti të një apartamenti në Fier, Xholi konstatoi dhe gjetjet e tjera që sipas tij lidhen me pamundësinë. Sipas SPAK, banesa në Berat është vlerësuar disa vjet pasi subjekti deklaron se ka marrë vlerën 1.7 milionë lekë nga prindërit, ndërkohë që sipas këtij vlerësimi pjesa takuese e Manes rezulton në shumën 600 mijë lekë. “Subjekti pretendon se ka marrë disa vjet para vlerësimit një shumë disa herë më të madhe nga sa i takonte”, tha Xholi ndër të tjera.
Xholi konstatoi po ashtu, se kontrata e dhurimit të pjesës së tij takuese është kryer pas ushtrimit të ankimit.
Tjetër fakt që duhet analizuar sipas drejtuesit tw SPAK, është dhe blerja e apartamentit në Fier për një çmim poshtë vlerës së tregut, si dhe se e ka disponuar kohë para se të shlyente këstet e kësaj pasurie.
Duke iu referuar akteve të administruara, Xholi tha se në vitin 2013 duhet konsideruar se subjekti ka paguar 1.7 milionë lekë dhe jo 1.6 milionë lekë sa ka përfshirë Komisioni në analizë. Bazuar në këto rrethana, Xholi konstatoi se subjekti nuk arrin nivel të besueshëm për pasurinë.
Prokurori Genci Mane vërejti në fillim të shpjegimeve të tij se apartamenti në Fier është pasuria e vetme që zotëron familja e tij. Lidhur me konstatimin e Komisionerit Publik dhe SPAK për pamundësinë e prindërve për dhënien e shumcës 1.7 milionë lekë në 2013-ën, Mane ritheksoi dhe gjatë bisedimeve përfundimtare se i ati ishte një prej restauratorëve më të mirë të monumenteve të kulturës dhe për këtë arsye kishte marrë edhe licencë nga Ministria e Kulturës. Ai tha se babai ka punuar në restaurimin e monumenteve të kulturës derisa ka pasur mundësi fizike ta kryejë këtë aktivitet.
Mane deklaroi se kjo provohej me aktet e Ministrisë së Kulturës dhe të një shoqërie me të cilën kishte punuar babai. Sipas tij, të gjitha këto fakte tregojnë se i ati ka krijuar të ardhura të konsiderueshme në vite dhe se ka pasur mundësi për dhënien e shumës 1.7 milionë lekë.
Ai solli në vëmendje dhe një akt-ekspertimi financiar prej nga prindërit rezultonin me bilanc pozitiv për kryerjen e shpenzimeve dhe kursimin e vlerës së dhënë atij në 2013-ën.
Mane deklaroi se pretendimet e Komisionerit Publik dhe drejtuesit të SPAK lidhur me pamundësinë financiare të prindërve të tij, bien ndesh me provat.
Subjekti nënvizoi se për vlerën e dhënë ishte nënshkruar konrtatë noteriale që në vitin 2013, kur ende nuk kishte filluar as të diskutohej në publik për reformën në drejtësi.
Lidhur me konstatimin për shumën e dhënë në vlerë më të madhe se ajo e tregut, Mane argumentoi se çmimet vendosen me marrëveshje mes palëve dhe se nuk ka ndonjë normë që t’i rregullojë ato. Subjekti solli në vëmendje faktin se banesa gjendet në qytetin e Beratit që mbrohet nga UNESCO dhe se ka një zhvillim të vrullshëm në tregun e shitblerjeve të pasurive të paluajtshme.
Po ashtu, shtoi se ai kishte kryer dhe investime në banesë, duke theksuar se e kishte deklaruar një fakt të tillë dhe kredinë që kishte marrë për të kryer përmirësimet në shtëpinë në Berat.
Për konstatimin e drejtuesit të SPAK se apartamenti në Fier është blerë për një vlerë më të ulët nga ajo e tregut, subjekti deklaroi se porosia ishte kryer në vitin 2009. Ai shtoi dhe faktin se banesa gjendej në dy kullat e pallatit dhe për rrjedhojë kishte dëmtime të vazhdueshme. Mane pohoi se nuk kishte pasur ndonjë çështje me palë shoqërinë ndërtuese apo pronarin e saj. Subjekti tha në vijim se kishte dorëzuar dhe kontrata të tjera që janë me çmim të njëjtë si ai i apartamentit të tij.
Lidhur me gjetjet për kontratat e furnizimit me energji elektrike, subjekti deklaroi se të katër përgjigjet e OSHEE vërtetojnë fiktivitetin në vendosjen e emrit të tij në një kontratë që nuk ekziston.
Lidhur me konstatimet në kriterin e figurës, prokurori Xholi deklaroi se subjekti nuk arriti dot të provonte të kundërtën për përdorimin e automjeteve të personave për të cilët rezultojnë dy episode me të dhëna problematike.
Prokurori Mane deklaroi se pretendimet e drejtuesit të SPAK janë të pabazuara, pasi nga verifikimet ka rezultuar se të gjithë personat, mjetet e të cilëve ka përdorur rezultojnë pa procedime penale.
Në aspektin profesional, Xholi paraqiti qëndrimet për disa çështje penale të hetuara nga subjekti. Sipas Xholit, rezulton se subjekti nuk ka ndërmarrë veprime hetimore logjike dhe nuk ka zbatuar urdhërimet e gjykatës. Në një rast të zgjatjes së hetimeve nuk ka përcaktuar veprimet hetimore që duhej të kryente.
Xholi kërkoi që mangësitë profesionale të konsiderohen së bashku me gjetjet e tjera për pasurinë që sipas tij çojnë në shkarkimin e subjektit nga detyra.
Mane i kundërshtoi si të pabazuar edhe gjetjet për profesionalizmin. Ai tha se çështjet janë ende në gjykim në Apel. Po ashtu, subjekti shtoi se për këto çështje është kryer ankim dhe në ILD dhe ky institucion ka konkluduar se nuk gjendeshin shkelje disiplinore.
Në përfundim, prokurori Genci Mane kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për konfirmimin e tij në detyrë.
Trupi gjykues i Kolegji u tërhoq për marrjen e vendimit që njoftoi se do e shpallë më datë 29 korrik, në orën 14:00./Reporter.al
The post Drejtuesi i SPAK kërkon shkarkimin e prokurorit Genci Mane appeared first on Albeu.com.