Përmirësimi i Sallës së Periodikut: Biblioteka Kombëtare ofron kushtet e reja për përdoruesit

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka nisur një projekt për përmirësimin e kushteve të shërbimit në Sallën e Periodikut, duke e rikthyer këtë hapësirë në një ambient më të këndshëm dhe funksional për lexuesit dhe hulumtuesit.
Pas një periudhe pune intensive, janë larguar materialet e vjetra dhe është kryer një pastrim i plotë i sallës. Gjithashtu, gjatë javës së kaluar dhe kësaj jave, janë ndërmarrë hapa për përmirësimin e hapësirës, duke përfshirë lyerjen e mureve dhe përmirësimin e ndriçimit, transmeton KultPlus.
Salla e periodikut është një nga hapësirat më të frekuentuara të Bibliotekës Kombëtare, ku çdo ditë shërbehen dhjetëra numra të gazetave dhe revistave për lexuesit, të cilët kanë mundësinë të studiojnë materiale të ndryshme për kërkime shkencore, profesionale dhe informacione ditore.
Tani, falë përmirësimeve, ky ambient do të ofrojë kushte më të mira për lexim dhe hulumtim. Lexuesve do t’u ofrohet një hapësirë e qetë, komode dhe tërheqëse për të kaluar orë të tëra në kërkim të informacionit dhe leximin e materialeve periodike.
Përveç pastrimit dhe lyerjes, është parashikuar një rritje e kapaciteteve të ndriçimit për të krijuar një atmosferë të përshtatshme për studim, duke u kujdesur për shëndetin dhe komoditetin e përdoruesve. Puna do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme për të mundësuar që biblioteka të jetë një vend ku vizitorët mund të kenë mundësinë të zhvillojnë kërkime dhe të kenë qasje në informacionin më të fundit.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” vazhdon të investojë në përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve të saj për të krijuar kushte optimale për të gjithë ata që kërkojnë informacion dhe burime për punë kërkimore e studimore./KultPlus.com