Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 August 2025Main stream

Kush është shefi i Forcave izraelite që kundërshton planin për të pushtuar Gazën?

By: Ke Si
5 August 2025 at 20:59

Muaji i mjaltit midis Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura të Izraelit, Gjeneral Eyal Zamir, dhe Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili shkurtin e kaluar e zgjodhi atë për të zëvendësuar Herzi Halevi, duket se ka qenë jetëshkurtër.

Zamir, shefi i 24-t i Forcave të Armatosura të Izraelit, ka shprehur dyshime dhe rezistencë ndaj planit të Netanyahut për të pushtuar Gazën. “Nëse ai nuk është dakord, duhet të japë dorëheqjen”, thanë burime në zyrën e kryeministrit.

Megjithatë, sipas Netanyahut dhe ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, Zamir ishte gjithmonë favoriti për të zëvendësuar Halevi-n, i cili, duke dhënë dorëheqjen në janar, kishte marrë përgjegjësinë për dështimin e 7 tetorit.

Ai arriti të mbizotërojë mbi dy kandidatët e tjerë, Gjeneralin Amir Baram, zëvendësin e Halevi-t, dhe Gjeneralin Tamir Yadai, kreun e forcave tokësore të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit. Kjo falë përvojës së tij të konsiderueshme në menaxhimin e sistemeve të sigurisë dhe sfidave të sigurisë kombëtare.

Më parë, Zamir ka shërbyer si Zëvendës Shef i Shtabit, Shef i Komandës Jugore të Forcave të Armatosura të Izraelit dhe Sekretar Ushtarak i Kryeministrit. I emëruar Drejtor i Ministrisë së Mbrojtjes në vitin 2023 nga Ministri i atëhershëm Yoav Gallant, Zamir kishte shprehur qëllimin e tij për të dhënë dorëheqjen në nëntor të vitit të kaluar, por më pas u tërhoq me kërkesë të Katz.

Në prag të lirimit të tre pengjeve të para, Zamir udhëzoi Ministrinë e Mbrojtjes që të vinte në dispozicion të gjitha burimet për zbatimin e marrëveshjes, pritjen e pengjeve të kthyera dhe mbështetjen për familjet e tyre. /E.T

Ledri Vula tërheq vëmendjen e aktores turke në Sunny Hill/Reperi i përgjigjet në turqisht

By: Ke Si
5 August 2025 at 20:48

Sunny Hill Festival përmbylli me sukses edicionin e sivjetmë, duke sjellë në skenë emra të njohur dhe performanca të paharrueshme për një publik të entuziazmuar.

Festivali pati pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, me një prani të veçantë të një numri të madh fansash nga Turqia, të cilët u bënë pjesë e atmosferës unike që ofron kjo ngjarje.

Një nga pjesëmarrëset e këtij festivali ishte edhe aktorja dhe influencerja Müge Boz, e cila ndau në rrjetet e saj sociale disa përshtypje të sinqerta për përvojën e saj dhe për artistët që performuan gjatë festivalit.

Në mesazhet e saj, ajo veçoi po ashtu reperin shqiptar Ledri Vula si një nga emrat që i tërhoqën më shumë vëmendjen. Në një postim të shkurtër, Müge shkroi:

“Ledri Vula ishte nga emrat që më tërhoqën vëmendjen. Ai konsiderohet reperi më i mirë i Kosovës. Edhe pse nuk jam fanse e rap-it, muzika e tij më pëlqeu shumë, ndaj vendosa ta përfshij në sugjerimet e mia për ju”.

Por ajo që e bëri momentin edhe më special ishte reagimi i vetë Ledri Vulës. Për habinë e ndjekësve, reperi komentoi në postimin e Müge Boz, duke i shprehur falënderimet e tij në gjuhën turke.

Ai gjithashtu shtoi me një mesazh në anglisht: “Shihemi vitin tjetër,” duke treguar entuziazmin për një rikthim të mundshëm në Sunny Hill Festival./E.T

Historia e Amirit që tronditi botën/ Familja ende po kërkon trupin e tij

By: Ke Si
5 August 2025 at 20:40

Familja e një djali 10-vjeçar i cili u vra ndërsa përpiqej të merrte ndihmë nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) i mbështetur nga Izraeli dhe SHBA, ende nuk e ka marrë trupin e tij, më shumë se dy muaj pasi ai u zhduk.

Javën e kaluar, ushtari në pension i Ushtrisë Amerikane Anthony Aguilar, i cili punonte si mercenar për GHF-në, tha se pa forcat izraelite të vrisnin Abdulrahim ‘Amir’ al-Jaraba më 28 maj ndërsa punonte në një pikë shpërndarjeje ndihmash të GHF-së në jug të Gazës.

“Ky djalë i ri, Amiri, erdhi tek unë zbathur dhe me rroba të grisura që i vareshin nga trupi i tij i dobët. Ai kishte ecur 12 km për të shkuar atje, dhe kur arriti atje, na falënderoi për mbetjet dhe thërrimet e vogla që i kishin dhënë. Ai i vendosi në tokë, la ushqimin e tij poshtë, dhe vendosi duart në fytyrën time, në anët e fytyrës sime, në faqet e mia, këto duar të brishta, të dobëta i vendosi në fytyrën time, dhe më puthi. Ai më puthi dhe tha faleminderit në anglisht, faleminderit. Dhe ai mblodhi gjërat e tij dhe u kthye te grupi”, tha Aguilar.

Pastaj e qëlluan me sprej piperi, gaz lotsjellës, granata zhurmuese dhe plumba në këmbë dhe pastaj në ajër, dhe ai iku me vrap nga frika, ndërsa ushtria izraelite qëlloi në turmë.

“Ata qëlluan në këtë turmë dhe palestinezët – civilë, qenie njerëzore – bien përtokë, qëllohen. Dhe Amiri ishte një prej tyre”, tha ai.

Kushëriri i Amirit, Qusai al-Jarabe’a, tha se familja kishte shpresuar që ai të ishte ende gjallë pavarësisht se ishte zhdukur më shumë se dy muaj më parë.

“Ai është ende i zhdukur, fati i tij është i panjohur”, tha Qusai, duke iu referuar faktit se trupi i tij nuk është gjetur ende.

“Të gjithë janë zemërthyer. Por ai nuk është fëmija i parë, as nuk do të jetë i fundit që zhduket. Izraeli synon fëmijët”, shtoi ai.

Që nga 28 maji, kur thuhet se Amiri vizitoi një vend ndihme të GHF në jug të Gazës, njerka e tij Siham al-Jarabe’a tha se kishte kontaktuar çdo klinikë dhe spital funksional duke kërkuar ndonjë shenjë jete.

“Ai shkoi për të marrë ushqim dhe nuk u kthye më kurrë. Nëse qeni do të ishte zhdukur kështu, njerëzit do të kishin pyetur se ku shkoi – por për shkak se është një fëmijë palestinez, bota hesht”, tha ajo. /e.t

Jo ekzotik, jo i shtrenjtë: Ky është fruti më i shëndetshëm në botë, sipas shkencës

By: Ke Si
5 August 2025 at 19:50

Me shumë gjasë e keni në kuzhinë

Studiuesit nga Universiteti William Paterson në New Jersey kanë analizuar 41 lloje të ndryshme frutash, duke i renditur në bazë të përmbajtjes së lëndëve ushqyese esenciale për kalori. Në krye të listës ka dalë pikërisht ai frut i thjeshtë që shumë prej nesh e përdorin çdo ditë: limoni.

Kur mendojmë për frutin më të shëndetshëm në botë, shumica prej nesh do të parashikonin ndonjë frut tropikal, të rrallë apo të kushtueshëm. Por, rezultati befasues i këtij studimi nxjerr në pah rëndësinë e ushqimeve të zakonshme me vlera të jashtëzakonshme.

Çfarë kanë zbuluar shkencëtarët?

Ekipi hulumtues e vlerësoi çdo frut në bazë të asaj që quhet “dendësi ushqyese”, pra, sasia e lëndëve ushqyese të rëndësishme që ofron një ushqim për çdo 100 kalori. Kjo metodë, e përdorur edhe nga CDC (Centers for Disease Control and Prevention), synon të promovojë ushqime që ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve kronike.

Limonët, vitaminë C dhe shumë më tepër

Në vend të parë u rendit limoni, falë përmbajtjes së lartë të vitaminës C, një antioksidant i fuqishëm që ndihmon në forcimin e sistemit imunitar dhe në rigjenerimin e indeve. Vetëm një limon mbulon mbi 50% të nevojës ditore për vitaminë C, transmeton Telegrafi.

Por përfitimet nuk mbarojnë me kaq.

▪ Redukton lodhjen dhe përmirëson lëkurën, falë antioksidantëve që luftojnë dëmet e shkaktuara nga radikalet e lira, stresi oksidativ, ndotja dhe mungesa e gjumit.

▪ Ndihmon tretjen – aciditeti i limonit stimulon prodhimin e acidit klorhidrik në stomak, duke përmirësuar tretjen dhe thithjen e lëndëve ushqyese.

▪ Pastron mëlçinë – përbërësit bioaktivë në limon, si limonoidet, ndihmojnë në detoksifikimin natyral të organizmit.

Vlera të mëdha në një frut të vogël

Limoni përmban gjithashtu kalium, i cili ndihmon në mbajtjen e presionit të gjakut në nivele të shëndetshme, si dhe flavonoide, që njihen për efektin pozitiv në shëndetin kardiovaskular. Po ashtu, fibra si pektina ndihmojnë në uljen e kolesterolit dhe mbështesin florën e zorrëve.

Ndryshe nga shumë fruta të tjerë, limoni ka pak sheqer dhe një indeks glikemik të ulët – një kombinim ideal për ata që kujdesen për nivelet e sheqerit në gjak.

Përfundim

Në një kohë kur tregu ushqimor ofron pafundësisht produkte “superfood” të shtrenjta dhe të reklamuar, ky studim rikujton se ndonjëherë zgjidhja më e shëndetshme gjendet në më të thjeshtën. Limoni është i lirë, i gjithanshëm dhe, sipas shkencës, ndër frutat më të fuqishëm për shëndetin tonë./e.t

Kopshti zoologjik kërkon të dhuroni kafshët shtëpiake si ushqim për grabitqarët

By: Ke Si
5 August 2025 at 19:40

Një kopsht zoologjik në Danimarkë ka vendosur të bëjë thirrje publike për një “donacion ndryshe”.

Ai po kërkon kafshë shtëpiake “të padëshiruara, por të shëndetshme” – si pula, lepuj, madje edhe kuaj – për grabitqarët që strehohen aty.

Në vend të lodrave për kafshët, tani ata po kërkojnë “ushqim të freskët dhe me gëzof”.

Sipas kopshtit zoologjik Aalborg, kjo është mënyra më “natyrale” për t’i bërë qejfin një tigri që ka menduar gjithë ditën “për një vakt të shijshëm”.

Kështu, për ata pronarë që vendosin të bëjnë një gjë të tillë, kafshët e tyre mund të përfundojnë në barkun e ndonjë luani të uritur. /E.T

Parashikimi i Baba Vangës për alienët për vitin 2025/ Disa besojnë se po bëhet realitet

By: Ke Si
5 August 2025 at 19:29

Baba Vanga, një parashikuese bullgare e ndjerë që ndërroi jetë më shumë se një çerek shekulli më parë, mbetet një trend aktiv në rrjetet sociale për shkak të parashikimeve të saj.

Emri i saj u bë trend kohët e fundit për shkak të një parashikimi të lidhur me alienët që bëri për vitin 2025.

Baba Vanga ka bërë një sërë parashikimesh ogurzeza për vitin 2025, shumica e të cilave përfundojnë në një lloj shkatërrimi masiv dhe vdekjesh.

Mistikja parashikoi se “alienët” do të vizitojnë Tokën në vitin 2025.

Parashikimi ka krijuar një bujë në rrjetet sociale dhe disa përdorues besojnë se profecia po bëhet realitet me zbulimin e një objekti misterioz, 3I/ATLAS, i cili po shkon drejt Tokës.

Sipas raportimeve, Vanga paralajmëroi: “Njerëzimi do të bëjë kontakt me jetën jashtëtokësore, duke çuar ndoshta në një krizë globale ose apokalips.”

Objekti misterioz, 3I/ATLAS vlerësohet të jetë afërsisht sa madhësia e një qyteti të madh si Manhattan.

Shkencëtarët zbuluan 3I/ATLAS duke përdorur një teleskop në Kili, dhe shpejtësia dhe trajektorja e tij kanë ngjallur interes në origjinën e tij dhe kërcënimin e mundshëm për Tokën.

A është një anije kozmike aliene?

Disa shkencëtarë, përfshirë profesorin e Harvardit Avi Loeb, kanë pohuar se 3I/ATLAS mund të jetë një anije kozmike aliene për shkak të karakteristikave të tij të pazakonta.

Ndërkohë, të tjerë thonë se mund të jetë një asteroid ose kometë.

Agjencia hapësinore NASA tha se 3I/ATLAS do të arrijë pikën e tij më të afërt me Diellin rreth 30 tetorit 2025, në një distancë prej rreth 210 milionë kilometrash.

Do të mbetet brenda orbitës së Marsit.

Sipas raportimeve, 3I/ATLAS pritet t’i afrohet Tokës në nëntor 2025, por NASA tha se nuk përbën kërcënim për Tokën dhe do të mbetet larg. /e.t

Izraeli planifikon pushtim të plotë të Gazës, Zyra e Benjamin Netanyahut jep njoftimin

By: Ke Si
5 August 2025 at 19:18

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu thirri sot një takim të kufizuar sigurie, sipas mediave në vend, por mbledhja e kabinetit të sigurisë mësohet se është shtyrë pa një vendim.

Channel 12 raportoi se Benjamin Netanyahu e ka thirrur këtë takim të ngushtë me ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz, shefin e shtabit të IDF-së, gjenerallejtënant Eyal Zamir dhe ministrin e çështjeve strategjike, Ron Dermer përpara një mbledhjeje të plotë të kabinetit të sigurisë më vonë këtë javë.

Në mbledhjen e sigurisë, mësohet se do të diskutoheshin disa mundësi për vazhdimin e luftës në Gaza.

Qëllimi i këtij takimi ishte të finalizohej një plan për ta paraqitur më vonë këtë javë në takimin më të gjerë të kabinetit, shtoi Channel 12.

Por zyra e Benjamin Netanyahut ka njofutar se Mbledhja e kabinetit të sigurisë është shtyrë.

“Kryeministri Benjamin Netanyahu zhvilloi sot një diskutim të kufizuar për sigurinë që zgjati rreth tre orë, në të cilin shefi i shtabit paraqiti opsionet për vazhdimin e fushatës në Gaza.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit janë të përgatitura të zbatojnë çdo vendim të marrë nga Kabineti Politik dhe i Sigurisë.

Mbledhja e plotë e kabinetit të sigurisë pritet më vonë këtë javë, ndërsa Netanyahu dhe ekipi i tij thuhet se planifikojnë një “pushtim të plotë” të Gazës”, thuhet në njoftimin e kabinetit të kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu./e.t

Gjenerali më i lartë francez paralajmëron: Rusia mund të sulmojë brenda pesë vitesh

By: Ke Si
5 August 2025 at 17:44

Thierry Burkhard, shefi në largim i Forcave të Armatosura, thotë se Europa ka shumë punë për të bërë, pasi Rusia po armatoset me një ritëm të tillë që, sipas gjeneralit Thierry Burkhard, mund të përbëjë një “kërcënim real” për Europën brenda pesë vitesh.

Kjo është ndër vlerësimet më pesimiste në mesin e kolegëve të tij në fushën ushtarake dhe të inteligjencës.

Deri në vitin 2030, thotë ai për The Economist, “Rusia do të ketë sërish kapacitetin për të paraqitur një kërcënim ushtarak ndaj vendeve perëndimore, dhe sidomos atyre europiane.”

Pas katër vitesh në krye të ushtrisë franceze, gjenerali Burkhard do të largohet nga detyra më 1 shtator.

Në vitin 2021, përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën, ai paralajmëroi në të njëjtën gazetë se Europa duhej të përgatitej për një luftë me intensitet të lartë.

Sot, ai ngre alarmin se përvoja luftarake e Rusisë, masa e saj e madhe dhe aftësia për të duruar e bëjnë atë jashtëzakonisht të rrezikshme: në një konflikt të mundshëm, populli rus do të përballonte “pesë minuta më shumë se ne”.

Megjithatë, ka edhe arsye për optimizëm. Sipas gjeneralit Burkhard, ushtria amerikane nuk do të largohet nga Europa, edhe pse mund të reduktojë praninë e saj.

Ai përmend gjithashtu forcimin e lidhjeve dypalëshe, veçanërisht mes Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, drejtuesit e të cilave janë takuar kohët e fundit, si një vizion konkret për të ardhmen e “shtyllës europiane të NATO-s”.

Në vitet e fundit, aleatët e NATO-s kanë filluar të artikulojnë plane konkrete për mbrojtjen rajonale: çfarë forcash duhen, kush do t’i ofrojë dhe ku do të përballen.

Megjithatë, pothuajse asnjë nga aleatët europianë nuk i përmbush këto objektiva. Dhe një tërheqje e mundshme e SHBA-ve vetëm do ta thellonte hendekun.

Disa, paralajmëron ai, mund ta përdorin këtë si justifikim për të thënë se “nëse nuk i kemi të gjitha këto [pajisje], nuk jemi në gjendje të veprojmë”.

Europa, sipas tij, nuk mund ta kopjojë qasjen “industriale dhe mekanike” të Amerikës ndaj luftës — e cila synon të tejkalojë kundërshtarin për të ulur rrezikun në minimum.

Ushtritë europiane do të duhet të bëjnë më shumë me më pak, “duke marrë më shumë rreziqe, duke qenë më të lëvizshme”.

Në rast se oficerët amerikanë largohen nga selia e NATO-s, nuk është e domosdoshme të zëvendësohen një për një. Europianët mund të “gjejnë mënyra për të krijuar një strukturë të re komanduese me oficerët që u kanë mbetur”.

Forcat e armatosura europiane duhet gjithashtu të përshtaten me ndryshimet në natyrën e luftës.

Fushëbetejat në Ukrainë janë më transparente se kurrë më parë: luftëtarët mund të “shohin pas çdo shkurre”.

Nga kjo ai nxjerr dy mësime. I pari ka të bëjë me ekonominë e vrasjes.

Armët me teknologji të lartë mbeten të domosdoshme, ndërkohë Franca në korrik njoftoi rifillimin e prodhimit të raketave kruz SCALP pas një ndërprerjeje 15-vjeçare, por municionet e lira janë po aq të nevojshme për të lodhur armikun.

“Na duhen Ferrarët herë pas here,” thotë ai. “Por nuk fitohet lufta me Ferrarë.”

Mësimi i dytë është se taktikat dhe organizimi janë po aq të rëndësishëm sa teknologjia. Në vitin 1940, të gjitha ushtritë europiane kishin tanke, artileri dhe avionë, por ishte Gjermania ajo që i integroi ato në mënyrë efikase.

“Sot të gjithë kanë dronë,” thotë ai. Fitorja do t’i takojë atyre ushtrive që i ndërthurin këto mjete në tokë, ajër dhe det.

Pastaj vjen çështja e parandalimit bërthamor.

Presidenti Emmanuel Macron deklaroi më herët këtë vit se dëshiron të diskutojë me aleatët europianë për “mbrojtjen që ofron forca jonë parandaluese”.

Më 10 korrik, Franca dhe Britania, dy fuqitë bërthamore të Europës, ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin, duke deklaruar se çdo “kërcënim ekstrem ndaj Europës” do të provokonte një përgjigje të përbashkët.

Forcat bërthamore të të dy vendeve do të mbeten të pavarura. Ka tashmë mekanizma për të “dekonfliktuar” patrullimet e nëndetëseve të tyre, thotë gjenerali Burkhard. Por perspektiva e një goditjeje bërthamore të përbashkët kërkon një nivel të ri planifikimi.

Ndryshe nga forca britanike, ajo franceze nuk është e lidhur me NATO-n. Të dy vendet po krijojnë një grup të përbashkët drejtues për çështjet bërthamore.

Asnjë gjeneral nuk do të tregonte publikisht se si do të reagonin në çdo skenar të mundshëm; thelbi, thotë ai, është “që kur ndodh një krizë… të shohësh cilat janë kërcënimet dhe për çfarë duhet të jesh i përgatitur”.

Gjermania dhe aleatë të tjerë europianë po pyesin çfarë do të thotë gjithë kjo për ta. Më 13 korrik, z. Macron i kërkoi gjeneralit Burkhard dhe ministrit të mbrojtjes, Sébastien Lecornu, të nisin një dialog strategjik me partnerët europianë për rolin e parandalimit francez.

“Franca nuk mund të luftojë e vetme kundër Rusisë,” thotë gjenerali. Nëse ndonjëherë ajo kërcënohet nga Rusia, “nuk do të jetë çështje armësh konvencionale, por çështje e parandalimit bërthamor”./e.t

Rusia tërhiqet nga traktati bërthamor i Luftës së Ftohtë, ç’do të thotë kjo?

By: Ke Si
5 August 2025 at 17:35

Rusia shpalli të hënën se nuk do të respektojë më një traktat çarmatimi bërthamor të nënshkruar me SHBA-në që nga viti 1987, duke shtuar frikën për një rikthim të garës së armatimeve në stilin e Luftës së Ftohtë. Fjala është për Traktatin për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme (INF), i cili ndalonte prodhimin dhe vendosjen e raketave tokësore me rreze nga 500 deri në 5.500 km.

SHBA-të u tërhoqën zyrtarisht nga traktati në vitin 2019 gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump, duke akuzuar Rusinë për shkelje të tij. Moska, megjithëse vazhdoi nominalisht të ishte pjesë e marrëveshjes, deklaroi se nuk do të vendoste raketa të tilla nëse edhe Uashingtoni do të qëndronte brenda kufijve. Por sipas Kremlinit, kjo marrëveshje “morale” nuk ka më kuptim.

Tërheqja e Rusisë erdhi disa ditë pasi Trump urdhëroi zhvendosjen e dy nëndetëseve bërthamore amerikane si kundërpërgjigje ndaj deklaratave “kërcënuese” të Dmitry Medvedev, ish-president dhe aktualisht nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë. Medvedev, gjithashtu aktiv në rrjetet sociale, reagoi ashpër, duke i quajtur lëvizjet e SHBA-së provokuese dhe paralajmëroi masa të tjera nga Moska.

Çfarë është traktati INF?

Traktati INF u firmos në 1987 nga presidenti amerikan Ronald Reagan dhe udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbaçov. Marrëveshja ndalonte prodhimin dhe testimin e raketave tokësore me rreze të mesme, qoftë bërthamore apo konvencionale. Në bazë të traktatit, SHBA shkatërroi 846 raketa dhe Rusia 1.846.

Pse u tërhoq Rusia tani?

Ministria e Jashtme ruse deklaroi se vendosja e platformave raketore amerikane në Europë, Filipine dhe Australi përbën një kërcënim direkt për sigurinë e saj. “Kushtet për të ruajtur një moratorium të njëanshëm nuk ekzistojnë më,” thuhet në deklaratë.

Për Moskën, tërheqja është një lëvizje për të ruajtur ekuilibrin strategjik. Medvedev shkoi më tej, duke e quajtur vendimin “një realitet të ri që të gjithë duhet ta pranojnë.”

Çfarë ndodhi me SHBA-në dhe INF?

SHBA u tërhoq në 2019, duke akuzuar Rusinë për shkelje përmes zhvillimit të sistemit të raketave Novator 9M729 (i quajtur SSC-X-8 nga NATO), që sipas Washingtonit tejkalon kufijtë e traktatit. Rusia i mohoi akuzat dhe pretendoi se raketa ka rreze më të shkurtër.

Trump gjithashtu përmendi faktin që Kina, një superfuqi e re ushtarake, nuk ishte pjesë e traktatit, duke i dhënë fund zyrtarisht një marrëveshjeje që ishte jetike në fundin e Luftës së Ftohtë.

A ka mbetur ndonjë marrëveshje tjetër bërthamore mes dy vendeve?

Po, marrëveshja e fundit e mbetur është Traktati i ri START, i nënshkruar në vitin 2010, që kufizon numrin e ogiveve strategjike bërthamore dhe raketave të vendosura. Por edhe kjo marrëveshje është në rrezik: në vitin 2023, Putin njoftoi pezullimin e pjesëmarrjes së Rusisë, duke akuzuar SHBA-në për mosrespektim të kushteve dhe për kërcënime ndaj sigurisë ruse. Marrëveshja skadon në vitin 2026.

Ndërkohë, Rusia ka vendosur të vendosë raketa balistike në Bjellorusi dhe ka ulur pragun për përdorimin e armëve bërthamore në doktrinën e saj ushtarake.

Ku e çon kjo botën? 

Me të dyja superfuqitë që tashmë janë tërhequr nga shumica e traktateve të kontrollit të armëve, rreziku për një garë të re armatimesh është real. Ndërsa bota përballet me konflikte në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe tensione në Paqësor, zhbërja e mekanizmave të kontrollit bërthamor e bën skenarin global më të pasigurt se kurrë më parë.

Al Jazeera

Pranimet në universitet përmes e-Albania/ Për herë të parë aplikim online për provimet

By: Ke Si
5 August 2025 at 17:33

Të gjithë maturantët që konkurrojnë përmes provimit në programet e studimit: Mjekësi e Përgjithshme dhe Arkitekturë & Urbanistikë kanë mundësi të aplikojnë online nga data 11 deri më 13 Gusht, përmes portalit zyrtar e-albania.al

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ka bërë më dije se është hera e parë që aplikimi për provimet e pranimit kryhet në mënyrë tërësisht elektronike, duke lehtësuar dhe thjeshtuar procesin për të gjithë maturantët./e.t

Berisha dënon thirrjet antishqiptare në Kumanovë/ Nacionalizëm primitiv dhe akt racist!

By: Ke Si
5 August 2025 at 17:28

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar me tone të ashpra përmes një postimi në Facebook ndaj thirrjeve antishqiptare të bëra gjatë një ngjarjeje në qytetin e Kumanovës në Maqedoninë e Veriut, duke i cilësuar ato si shfaqje të një nacionalizmi primitiv dhe akt racist kundër shqiptarëve.

“Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe thirrjet barbare primitive antishqiptare në Kumanovë si dëshmi e racizmit dhe nacionalizmit primitiv kundër etnisë shqiptare në shekuj e mijëvjeçarë në trojet e veta,” shkruan Berisha, duke e cilësuar ngjarjen si sulm jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj rendit kushtetues të Maqedonisë së Veriut.

Berisha shprehu gjithashtu mbështetjen e Partisë Demokratike për qëndrimin e mbajtur nga forcat politike shqiptare dhe autoritetet shtetërore të Maqedonisë së Veriut ndaj këtyre incidenteve./e.t

Spanjollët i kapin vetë emigrantët që mbërrijnë me gomone dhe i dhunojnë

By: Ke Si
5 August 2025 at 17:21

Një skenë e pabesueshme u regjistrua të dielën pasdite në plazhin Sotillo, në zonën Castel de Ferro të Granadës, kur një varkë që mbante rreth 13 emigrantë, që besohet se ishin nga Maroku, iu afrua bregut para syve të habitur të turistëve dhe vendasve.

Incidenti ndodhi rreth orës 14:00 sipas orës lokale, kur një varkë me të rinj u pa duke iu afruar plazhit të mbushur me njerëz. Sipas pamjeve që qarkullojnë në mediat sociale, njerëzit në bord filluan të hidheshin në det dhe të notonin drejt bregut, duke habitur pushuesit.

Menjëherë pas zbritjes, shumica e njerëzve filluan të vraponin për të humbur përmes turmës. Megjithatë, disa vendas i ndoqën, duke arritur t’i ndalonin e t’i mbanin disa derisa mbërritën autoritetet.

Në njërën nga videot, një burrë me rroba banje duket se ka hedhur një burrë në tokë, ndërsa emigranti duket se po i lutet atij ta lërë të shkojë.

Disa nga personat që zbritën nga gomonia arritën të shpëtonin, ndërsa pjesa tjetër u arrestua kur mbërriti Garda Civile Spanjolle. Sipas policisë lokale, u gjetën dhe u arrestuan gjithsej nëntë persona.

Pronari i një restoranti në zonë i përshkroi ngjarjet gazetës lokale Ideal.

“Ne ngelëm aty pa kuptuar se çfarë po ndodhte. Mendonim se ishte një varkë argëtimi, por kur filluan të hidhnin objekte në ujë dhe njerëzit filluan të dilnin, kuptuam se nuk ishte normale. 

Ajo që na habiti më shumë ishte se varka po lëvizte shumë ngadalë, sikur të mos kishin nxitim ose frikë. Ata u ndalën pesë metra larg bregut, në pikën më të ngarkuar në plazh, dhe filluan të hidheshin në ujë një nga një. Të katër personat që mbetën në varkë, disa me kapuçë, u larguan me qetësi”, tha ai. /e.t

Vetëdeklarimi i adresës së banimit, detyrim online në e-Albania nga kryefamiljari

By: Ke Si
5 August 2025 at 16:00

Çdo qytetar me vendbanim apo vendqëndrim në Shqipëri ka detyrimin të bëjë vetëdeklarimin e adresës së banimit nëpërmjet e-Albania.

Por me qëllim vërtetimin e adresës së deklaruar, qytetari ka detyrimin të ngarkojë dokumentin e pronësisë së apartamentit apo të kontratës së qirasë për ata që banojnë me qira. E njëjta procedurë do të zbatohet edhe për rastet e ndryshimit të adresës së vendbanimit, ku qytetarët do të duhet të ngarkojnë çdo dokument të ligjshëm që provon vendbanimin apo vendqëndrimin e tyre në adresën e deklaruar.

Çdo kryefamiljar ka të drejtë të bëjë kërkesën për ndryshimin e vendbanimit apo saktësimin e vendbanimit, duke pasqyruar në portalin e-Albania një dokument certifikatë pronësie, kontratë qiraje, një kontratë hua-përdorje ose çdo dokument ligjor tjetër që vërteton vendbanimin e tij. Kjo kërkesë merret në shqyrtim nga ana e zyrës sonë dhe brenda 24 orëve, në rast se shohim një pasaktësi në dokumente, e njoftojmë online qytetarin që të plotësojë dokumentet e nevojshme dhe brenda 72 orëve, zyra jonë kryen veprimet për ndryshimin apo saktësimin e vendbanimit,” thotë Jurgen Qirici, përgjegjës i Zyrës së Gjendjes Civile në Bashkinë Korçë.

Zyrat e Gjendjes Civile, nga ana tjetër, janë të detyruara të verifikojnë saktësinë e adresave dhe të njoftojnë qytetarët brenda 24 orëve në rast të mungesës së dokumentacionit, të cilin qytetarët duhet ta plotësojnë brenda tri ditëve.

Vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili është tashmë në fuqi, po ashtu përcakton se të gjithë anëtarët e një familjeje duhet të kenë të njëjtën adresë vendbanimi që plotëson të gjitha elementet e adresës sipas dispozitave të parashikuara nga legjislacioni për sistemin e adresave në Republikën e Shqipërisë.

Në rastet kur një person kërkon të regjistrohet në një familje ekzistuese, kërkesa duhet të konfirmohet online nga kryefamiljari. Ndryshimi i adresës nga një anëtar i rritur i familjes kërkon gjithashtu shkëputjen nga familja ekzistuese në sistemin elektronik./e.t

Ministri serb në gjendje të rëndë, Vuçiç: S’ka dorëzim

By: Ke Si
5 August 2025 at 15:57

Ministri i Investimeve Publike dhe Kryetari i Bordit Ekzekutiv të Partisë Nacional Socialiste Serbe, Darko Glisiç, u sëmur papritur këtë të martë, teksa ishte i ftuar në Programin e Mëngjesit të TV Pink.

Ministri nuk ka mundur të përfundojë dot intervistën e tij, dhe programi ndërpreu transmetimin menjëherë pasi ai është ndjerë keq.

Ministri i Shëndetësisë, Zlatibor Lonçar konfirmoi më vonë se ai kishte pësuar një goditje në tru dhe se ishte në gjendje të rëndë.

“Ai u sëmur gjatë emisionit televiziv e u dërgua në urgjencë pa ndjenja. Ajo që dihet tani është se është në gjendje të rëndë”, ishin fjalët e Lonçar për televizionet sebe.

Ministri i Shëndetësisë theksoi se Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka qenë me të që nga minuta e parë.

Vuçiç përcolli një mesazh mbështetjeje për Glisiç në rrjetet sociale. “Guxo, prit! Nuk ka dorëzim”, shkroi ai në Instagram./e.t

BE-ja pezullon tarifat hakmarrëse pas marrëveshjes tregtare me Trumpin

By: Ke Si
5 August 2025 at 15:47

Bashkimi Evropian njoftoi më 5 gusht për pezullimin e tarifave hakmarrëse ndaj mallrave amerikane në vlerë prej 93 miliardë eurosh, pasi Brukseli arriti një marrëveshje me Uashingtonin muajin e kaluar.

“Komisioni Evropian ka miratuar sot procedurat e nevojshme ligjore për të pezulluar zbatimin e kundërmasave tona, të cilat pritej të hynin në fuqi më 7 gusht”, tha zëdhënësi për tregti i BE-së, Olof Gill.

Komisioni Evropian, i cili është përgjegjës për politikat tregtare të bllokut prej 27 shtetesh, kishte përgatitur një listë me mallra amerikane që do të goditeshin me tarifa nëse bisedimet me Shtetet e Bashkuara nuk do të rezultonin me marrëveshje.

Kundërmasat e BE-së kishin në shënjestër një sërë eksportesh amerikane, nga soja deri tek aeroplanët, makinat e uiski.

Por, presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, arriti një marrëveshje kornizë me presidentin amerikan, Donald Trump, më 27 korrik, teksa afati i 1 gushtit për vendosjen e tarifave të larta po afrohej.

Pas arritjes së marrëveshjes, eksportet e BE-së pritet të përballen me tarifa gjithëpërfshirëse prej 15 për qind që nga data 8 gusht – më të larta se taksat doganore para se Trump të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë, por më të ulëta se tarifat prej 30 për qind, që presidenti amerikan kishte kërcënuar se do të vendoste./ REL

Rama promovon atraksionet kulturore të Dropullit/ Udhëtime që të rrëmbejnë (FOTOT)

By: Ke Si
5 August 2025 at 15:46

Bashkia e Dropullit në Gjirokastër ofron atraksione kulturore për të eksploruar për të gjithë të apasionuarit pas historisë.

Kryeministri Edi Rama ka promovuar këto site arkeologjike të Dropullit, që nga qyteti antik i Adrianopolit deri te kisha e Lindjes së Virgjëreshës.

Por jo vetëm kaq, edhe bukuritë natyrore janë një tjetër atraksion turistik, sikurse është Ujëvara e Selckës.

“Pasuritë turistike të Dropullit nuk janë thjesht atraksione për t’u vizituar, por janë udhëtime kulturore që të rrëmbejnë nën rrënojat e historisë në qytetin antik të Adrianopolit në Sofratikë, nën kupolat magjepsëse të kishave si ajo e Lindjes së Virgjëreshës, si dhe mes peizazheve unike, ku natyra ka skalitur monumente të gjalla si Ujëvara e Selckës”, ka shkruar Kryeministri Rama në një postim në Facebook./e.t

Proda pret diplomatin e Kinës/ Luftë kundër krimit të organizuar mes 2 vendeve

By: Ke Si
5 August 2025 at 15:43

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, priti në një takim zyrtar Ministër-Këshilltarin e Ambasadës së Kinës në Shqipëri, Huang Xuehu.

Fokusi i këtij takimi, i cili u zhvillua në ambientet e institucionit, me pjesëmarrjen e drejtuesve të lartë të strukturave qendrore, ishte ‘ndërtim i urave të reja të bashkëpunimit bilateral’, nëpërmjet nënshkrimit të një marrëveshjeje të përbashkët dhe krijimit të pikës së kontaktit të Policisë kineze, në Policinë e Shtetit.

“Drejtor Proda dhe Ministër-Këshilltar Huang u dakordësuan se këto elemente do të jenë përgjigjja më efikase kundër krimit të organizuar ndërkontinental. Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua për operacionet e fundit të Policisë së Shtetit, kundër shfrytëzimit për prostitucion, objekt i të cilave kanë qenë shtetase kineze të rekrutuara për të ushtruar këtë veprimtari të kundërligjshme, në apartamente me qira, në vendin tonë. Në vijim të angazhimit policor për ndjekjen penale të shtetasve përgjegjës, ka pasur një qasjeje të integruar institucionale, për t’iu ofruar asistencë shtetaseve të përfshira në këto raste”, njoftoi zyra e kryepolicit për tematikën e bisedimeve.

Proda, gjatë takimit theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit, nëpërmjet shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit nga agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, me qëllim parandalimin dhe goditjen më efikase të krimit ndërkombëtar.

“Nga ana e tij,  Ministër-Këshilltar Huang falënderoi Policinë e Shtetit për bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehu angazhimin e agjencive ligjzbatuese kineze, për intensifikimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët policor ndërkombëtar”, mbyllet njoftimi zyrtar./e.t

Hekurudha Durrës-Rrogozhinë, BERZH miraton huanë 30 milionë euro

By: Ke Si
5 August 2025 at 15:31

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim  do të mbështesë ndërtimin dhe elektrifikim e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë. Me anë të një njoftimi në faqen zyrtare ky institucion ka bërë me dije se ka aprovuar kredinë me vlerë 30 milionë euro. Këto fonde do të përdoren për rehabilitimin e hekurudhës Durrës – Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII.

Kjo hua  plotëson një kredi sovrane prej 30 milionë eurosh nga BEI dhe 60 milionë euro grante investimi dhe asistence teknike nga BE përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor, të cilat u nënshkruan në fillim të këtij viti. Në total fondi për ndërhyrjen në këtë segment hekurudhor është mbi 120 milionë euro.

Projekti strategjik parashikon që  të rehabilitojë dhe elektrifikojë afërsisht 34 km hekurudhë midis qytetit portual të Durrësit dhe Rrogozhinës në Shqipëri, duke përfshirë rindërtimin e ndërtesave të stacioneve. Pas realizimit të këtij investimi, trenat do të mund të udhëtojnë me shpejtësi deri në 120 km/h. Ai shënon një hap të rëndësishëm  në përpjekjet e Shqipërisë për të modernizuar rrjetin e saj hekurudhor, për të përmirësuar lidhjen rajonale dhe për t’u përshtatur me standardet e transportit dhe mjedisit të BE-së.

BERZH bëri me dije se së bashku me Bashkimin Evropian, po mbështesin projektin e tyre të tretë të madh hekurudhor në Shqipëri. Kjo, pas linjave Tiranë – Durrës – Rinas dhe Vorë – Hani i Hotit.

Realizimi i projekteve hekurudhore pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme mjedisore duke zhvendosur trafikun e mallrave dhe pasagjerëve nga rruga në hekurudhë, duke ulur emetimet e karbonit dhe duke mbështetur tranzicionin e gjelbër të Shqipërisë./e.t

Alarm në Kinë! Mbi 7,000 të infektuar me virusin ‘chikungunya’

By: Ke Si
5 August 2025 at 15:28

Në provincën Guangdong të Kinës janë raportuar mbi 7,000 raste të virusit ‘chikungunya’, i cili transmetohet nga mushkonjat.

Qyteti Foshan është më i godituri, ku pacientët mbahen në spital nën masa të rrepta, sipas BBC.

Përveç Foshanit, të paktën 12 qytete të tjera në provincën jugore Guangdong kanë raportuar infeksione.

Gati 3,000 raste u raportuan vetëm javën e fundit.

Edhe pse rastet janë të lehta, autoritetet kineze kanë paralajmëruar për kujdes të shtuar.

Megjithatë, rastet kanë çuar në panik, duke pasur parasysh se virusi nuk është i njohur gjerësisht në vend.

Ndërkohë SHBA-të u kanë kërkuar udhëtarëve në Kinë të tregojnë “kujdes të shtuar” pas shpërthimit.

Por çfarë është ‘chikungunya’?

Shumica e njerëzve të pickuar nga një mushkonjë e infektuar do të zhvillojnë simptoma të ‘chikungunya’ brenda tri deri në shtatë ditësh.

Përveç etheve dhe dhimbjeve të kyçeve, simptoma të tjera përfshijnë skuqje, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe ënjtje të kyçeve.

Në shumicën e rasteve, pacientët do të ndihen më mirë brenda një jave. Megjithatë, në raste të rënda, dhimbja e kyçeve mund të zgjasë për muaj ose edhe vite.

Ata që janë në rrezik për sëmundje më të rënda përfshijnë të porsalindurit, të moshuarit dhe njerëzit me probleme shëndetësore themelore, të tilla si sëmundjet e zemrës ose diabeti.

Nuk ka kurë, por vdekjet nga ‘chikungunya’ janë të rralla.

Virusi u identifikua për herë të parë në Tanzani në vitin 1952. Më pas u përhap në vende të tjera në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë Juglindore.

Deri më sot, është raportuar në më shumë se 110 vende.

Mënyra më e mirë për të parandaluar përhapjen e virusit është “zvogëlimi” i pellgjeve të ujit të ndenjur që lejojnë mushkonjat të shumohen, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë./e.t

BE kundër planit të Netanjahut për pushtimit e Gazës

By: Ke Si
5 August 2025 at 15:25

BE-ja ka kundërshtuar ndryshimet territoriale ose demografike në Gaza, qëndrim ky në përgjigje të planeve të Kryeministrit izraelit Netanyahu, i cili ka vendosur për pushtimin e plotë të Rripit të Gazës.

“BE-ja hedh poshtë çdo përpjekje për të ndryshuar situatën demografike dhe territoriale në Gaza, përfshirë edhe pushtimin nga Izraeli“, tha zëdhënësja e Çështjeve të Jashtme të Komisionit Evropian, Anitta Hipper.

Sipas saj, “Gaza duhet të jetë një pjesë integrale e shtetit të ardhshëm palestinez”.

Në të njëjtën linjë, ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani tha se plani i Izraelit që pritet të urdhërojë ushtrinë ta kryejë pushtimin e Gazës, nuk do të ishte “përgjigjia e duhur”.

Për situatën, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, diskutoi me homologët e tij në Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë lidhur me përpjekjet për të arritur një armëpushim dhe lirim të pengjeve./e.t

❌
❌