Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 August 2025Main stream

Shtrohet tapeti i kuq për Putinin në Alaska, i pari mbërrin Donald Trump

By: Ke Si
15 August 2025 at 20:58

Skena është bërë gati në pistën e Bazës Ajrore Elmendorf për mbërritjen e Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin.

Një qilim i kuq është shtruar në formë L-je që udhëheqësit të ecin drejt një platforme që është etiketuar si “ALASKA 2025”. Një mal i mbuluar me re në sfond plotëson tablonë.

Por karakteristika më mbresëlënëse është se ka katër avionë luftarakë F-22 Raptor janw rreshtuar pranë tapetit të kuq, ku do të parakalojnë dhe shtrëngojnë duart dy liderët.

Shtrohet tapeti i kuq për Putinin në Alaska, i pari mbërrin

Presidenti i SHBA-ve ishte i pari që zbriti në Alaska, përpara takimit historik që pritet të vulosë fatet e luftës në Ukrainë.

Donald Trump zbarkoi në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson në Alaska me avionin presidencial, Air Force One, rreth orës 8:30.

Sakaq, autokolona e delegacionit rus me ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov, Siluanovin, Dmitrievin dhe Belousovin u largua nga hoteli në Anchorage, me sa duket për t’u drejtuar drejt sallës ku do të zhvillohet samiti./e.t

Defekt teknik në Ujësjellës, ndërpritet furnizimi me ujë në disa zona të Sarandës!

By: Ke Si
15 August 2025 at 20:49

Ujësjellësi i Sarandës ka njoftuar sot (15 gusht) banorët se një defekt teknik është shfaqur në saraçineskën kryesore të depos së ujit që furnizon qytetin.

Si pasojë, disa zona të qytetit do të përballen me ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë.

Ekipet teknike janë në terren dhe po punojnë me intensitet për riparimin e defektit, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të normalitetit.

“Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin e krijuar dhe ju falënderojmë për mirëkuptimin,” thuhet në njoftimin zyrtar të ujësjellësit./e.t

Kush na urren, fillimisht: Kosova apo Qeveria?

By: Ke Si
15 August 2025 at 20:26

Frrok Çupi

Desha të them direkt se i vetmi shtet dhe e vetmja qeveri në botë që nuk i dha një ndihmë Shqipërisë me rastin e zjarreve më vdekatarë në histori. Shqipëria, për herë të parë, u regjistrua në vendin e parë në botë si shtet i fatkeqësisë më të lartë.

As këmbë njeriu, asnjë fjalë nga Kosova për ‘vllaznit’. Vetëm lajme se në kufi me Kosovën ka fluks të madh peshuesish që vijnë drejt Shëngjinit dhe Velipojës.

… Por nisa me fjalën ‘fillimisht’, sepse ka një kuptim, ose kuptimin kryesor në këtë rast. Kuptimi kryesor do të thotë synim ose qëllim i fundit. Qeveria e Kosovës po manifeston ndarje dhe urrejtje kundër Shqipërisë me qëllim që një ditë të mos ketë më ‘fillimisht’, por të jetë ‘përfundimisht’.

Përfundimisht, qeveria e Albin Kurtit në Kosovë, po tenton të arrijë që shqiptarët e Shqipërisë dhe shqiptarët e Kosovës të hyjnë në një rreth urrejtjeje e konflikti mes vedi. Atë ditë Kurti do ta ketë arritur atë që i kërkojnë padronët dhe atë që vetë dëshiron. Agjenda e qeverisë Kurti duket qartë që është shurdhimi i Kosovës si shtet, islamizimi i politikës qeveritare dhe krijimi i idesë fatkeqe se shqiptarë të Shqipërisë dhe shqiptarë të Kosovës nuk bëjnë bashkë.

Këtu çarmatoset gjithë ushtria e ideve të Rilindasve tanë, gjithë përpjekja e NATO-s dhe e aleatëve të mëdhenj për çlirimin e Kosovës dhe për vendosjen e shtetit kushtetues në Kosovë. Po u bë kjo, nuk ka më vlerë historia e deritanishme; aq më pak e ardhmja.

Albin Kurti, dukej se prej kohësh po priste në shteg ku t’i dilte Shqipëria. Dhe i doli para një jave kur në vendin tonë shpërthyen zjarret më të tmerrshme.

U dogjën qytete si Delvina, Gramshi, Poliçani; disa fshatra u zhdukën, një spital u vu në rrezik që t’i digjeshin mjekë e pacientë, mijëra kokë bagëti u dogjën të gjalla, miliona bletë, Riviera u përcëllua, mijëra hektarë me pemë, Syri i Kaltër u mbyll si syri i një perëndie të vdekur. Bota vuri gjithë vëmendjen dhe konstatoi se Shqipëria zinte vendin e parë në këtë fatkeqësi. Qeveria dhe shteti shqiptar lëshuan thirrje dhe u përgjigjen shtete fqinje dhe shtete përtej globit. /e.t

Borë, akullnaja e kafshë të egra, ky është vendi ku Trump do presë Putinin për bisedime

By: Ke Si
15 August 2025 at 20:16

Donald Trumpit do t’i duhen rreth shtatë orë për të arritur në Bazën e Përbashkët të largët Elmendorf-Richardson në Alaska – dhe Vladimir Putin përballet me një udhëtim po aq të gjatë.

Instalimi ushtarak amerikan në Anchorage kombinon bazën Elmendorf të Forcave Ajrore dhe Fort Richardson të Ushtrisë Amerikane.

Është baza më e madhe ushtarake e Alaskës dhe është shtëpia e më shumë se 32,000 njerëzve – rreth 10% e popullsisë së Anchorage.

Zona është gjithashtu e rëndësishme për Rusinë: SHBA-të blenë Alaskën nga Perandoria Ruse 158 vjet më parë, shkruan skynews.

Në fakt, Ishulli i Vogël Diomede i Alaskës është më pak se 4.8 kilometra nga Ishulli i Madh Diomede i Rusisë në Ngushticën e Beringut, duke treguar se sa afër janë gjeografikisht të dy vendet.

Këshilltari i çështjeve të jashtme i Vladimir Putinit, Yuri Ushakov, tha: “Duket plotësisht logjike që delegacioni ynë thjesht të fluturojë përtej Ngushticës së Beringut, dhe që një samit kaq i rëndësishëm dhe i pritur i udhëheqësve të dy vendeve të mbahet në Alaska.”

Mbajtja e bisedimeve atje përqendron bisedën aty ku energjia globale dhe rreziqet territoriale janë të larta, dhe presidenti amerikan lulëzon në spektakël.

Por administrata Trump ka qenë gjithashtu duke menaxhuar pritjet për një marrëveshje paqeje.

Të martën, Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e përshkroi takimin si një “ushtrim dëgjimi” për të kërkuar një “kuptim më të mirë” të situatës.

Gjatë Luftës së Ftohtë, baza konsiderohej si “veçanërisht e rëndësishme” në mbrojtjen e SHBA-së kundër Bashkimit Sovjetik të atëhershëm, sipas Bibliotekës së Kongresit.

Pavarësisht kësaj, Putin do të jetë presidenti i parë rus që do të vizitojë Anchorage.

Disa e kanë kritikuar vendimin e presidentit amerikan për të zhvilluar bisedime mbi konfliktin Rusi-Ukrainë në Alaska.

Ndryshe, edhe pse ky do të jetë udhëtimi i parë i Trumpit në Alaska që nga fillimi i mandatit të tij të dytë, ai bëri disa vizita në Elmendorf-Richardson gjatë mandatit të tij të parë.

Joe Biden dhe Barack Obama vizituan gjithashtu; në vitin 2015, Obama u bë presidenti i parë amerikan që shkeli në veri të Rrethit Arktik gjatë udhëtimit të tij.

Departamenti i mbrojtjes i SHBA-së e përshkruan zonën si të pasur me “male piktoreske, madhështore, të mbuluara me borë, liqene, lumenj, akullnaja dhe shumë kafshë të egra”. /e.t

Sherr mes bashkëfshatarëve në Korçë, i riu në gjendje të rëndë

By: Ke Si
15 August 2025 at 20:00

Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në fshatin Dvoran, pak kilometra larg nga qyteti i Korçës.

Një 27 vjeçar dhe një 40 vjeçar, të dy banorë të zonës janë përfshirë në një sherr të dhunshëm. Gjithçka ka ndodhur në qendër të fshatit, pranë një lokali.

Pasi konflikti mes tyre ka degjeneruar në dhunë, 27-vjeçari ka marrë plagë të rënda dhe ndodhet në gjendje kritike në spitalin e Korçës.

Motivi i sherrit mes bashkëfshatarëve është i paqartë, por bëhet me dije se 40-vjeçari sapo kishte lënë qelinë e burgut.

Ndërkohë policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit./e.t

Trump: Europianët nuk do të më tregojnë se çfarë të bëj me Putin

By: Ke Si
15 August 2025 at 19:58

Evropa nuk do më tregoj çfarë duhet të bëj, tha Presidenti i SHBA-së Donald Trump, vetëm pak para samitit të tij me Vladimir Putin në Anchorage të Alaskës.

Dy ditë më parë Trump zhvilloi edhe një videokonferencë me udhëheqësit evropianë përpara bisedimeve me Putinin. Gjatë këtij takimi viral, udhëheqësit europiane i paraqitën kërkesat e tyre, presidentit amerikan.

Së pari: Ukraina në tryezën e negociatave dhe një marrëveshje e ardhshme trepalëshe me Zelenskyn.

Së dyti: Kievi është gati të “negociojë për çështjet territoriale, por nevojitet një ngrirje në frontin aktual, pa njohur pushtimin rus”.

Së treti: “Kievi duhet të jetë në gjendje të mbështetet në garanci efektive për sigurinë e tij, duke përfshirë forca të armatosura të pakufizuara të afta për të ruajtur sovranitetin e tij”.

Së katërti: “Negociatat duhet të jenë pjesë e një strategjie të përbashkët transatlantike”.

Dhe së pesti: “Presioni i sanksioneve duhet të ruhet”, ndërsa BE-ja përgatit paketën e saj të 19-të./e.t

Detet evropiane thyejnë rekorde temperaturash, si paraqiten shifrat?

By: Ke Si
15 August 2025 at 19:55

Në gusht 2024, temperatura e Detit Mesdhetar arriti një rekord prej 28.7°C, një shenjë e qartë e valëve të nxehtësisë detare që kërcënojnë jetën detare dhe përkeqësojnë fenomenet ekstreme të motit në Evropë.

Turistët shpesh drejtohen drejt bregdetit mesdhetar për plazhet e mrekullueshme dhe ujërat e ngrohtë, por këto temperatura të këndshme fshehin një trend afatgjatë ngrohjeje, i cili nxit shirat e rrëmbyeshëm dhe stuhi të forta.

Sipas të dhënave të Copernicus Climate Change Service, temperaturat mesatare të sipërfaqes së deteve evropiane kanë shënuar rritje që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1979, ndërsa tre vitet e fundit kanë qenë dukshëm më të ngrohta se çdo vit tjetër më parë.

“Po na vr*sin dhe në ditën e negociatave”, Zelensky ngre alarmin para takimit Trump-Putin
Në vitin 2024, temperatura mesatare vjetore e deteve evropiane arriti 13.73°C, rreth 0.7°C mbi mesataren dhe 0.06°C mbi rekordin e mëparshëm të vitit 2023.

Valët e nxehtësisë detare, të njohura edhe si “zjarre nënujore”, shkaktojnë zbardhjen e koraleve dhe vdekjen masive të specieve detare, si dhe pasoja socio-ekonomike.

Ato ndikojnë në peshkim, akuakulturë dhe turizëm, duke sjellë humbje financiare.

Temperaturat e larta të Detit Mesdhetar lidhen gjithashtu me stuhi më të forta dhe reshje ekstreme.

Sipas Mediterranean Centre for Environmental Studies, temperatura e sipërfaqes së detit luan një rol kyç në formësimin e modeleve të motit, duke përfshirë erërat detare në muajt e verës dhe reshjet e rrëmbyeshme në vjeshtë.

Shkencëtarët theksojnë se ujërat e ngrohtë të Detit Mesdhetar dhe të Detit të Zi gjatë gushtit 2024 mund të kenë rritur avullimin e lagështisë dhe përkeqësuar stuhinë Boris, që shkaktoi përmbytje të mëdha në Evropën Qendrore dhe Lindore në shtator, si dhe në rajonin e Valencias në Spanjë në tetor./e.t

Dëmet nga zjarri, Rama: Kush humbi shtëpinë do t’ia rindërtojmë falas

By: Ke Si
15 August 2025 at 19:54

Kryeministri Edi Rama thotë se vlerësimi dhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga zjarret do të realizohet në çdo bashki të prekur, sipas një procedure të veçantë që nis me evidentimin e tyre nga Grupi i Konstatimit për inventarizimin e dëmeve.

Pas këtij hapi, bashkitë do të hartojnë listat e subjekteve të dëmtuara dhe dokumentacionin shoqërues për vlerësim financiar. Në bazë të vlerësimit, çdo bashki do të përcaktojë koston e kompensimit, që do të mbulohet nga fondet e saj përmes fondit për mbrojtjen civile.

Rama thekson në postimin e tij në Facebook se “Kujt humbi shtëpinë do t’ia rindërtojmë falas” dhe se “Kujt humbi krerët do t’ia rifinancojmë një më një”.

Ky plan synon të sigurojë mbështetje të menjëhershme dhe të plotë për qytetarët që u prekën nga zjarret, duke rikthyer normalitetin dhe duke garantuar ndihmë të drejtpërdrejtë nga shteti./e.t

Niveli më i ulët historik! Rënia e euros në këmbim me lekun, thyen rekorde të reja

By: Ke Si
15 August 2025 at 19:52

Rënia e Euros në kursin e këmbimit me Lekun po thyen rekorde të reja. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, të enjten monedha europiane u këmbye me 97.15 lekë, niveli më i ulët i shënuar ndonjëherë.

Kursi vazhdon të jetë në rënie edhe me bazë vjetore. Krahasuar me të njëjtën ditë të vitit të kaluar, kursi Euro-Lek është në rënie me 2.7%.

Sipas ekspertëve të këmbimit valuator, kursi i këmbimit vazhdon të jetë nën efektet sezonale të lidhura me turizmin. Muajt e verës shoqërohen me ofertë të shtuar valutore, për shkak të rritjes së numrit të vizitorëve të huaj.

Oferta e lartë valutore në treg vazhdon të zhvendosë kursin e Euros në rënie, pavarësisht madje edhe ndërhyrjeve të vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë. Duke filluar nga tremujori i dytë i vitit, Banka Qendrore ka rifilluar blerjet e valutës për të frenuar mbiccmimin e monedhës vendase. Megjithatë, as kjo nuk ka mjaftuar për të shmangur forcimin e mëtejshëm të Lekut.

Shifrat e blerjeve në tregun valutor publikohen me një tremujor vonesë dhe për momentin nuk ka një informacion lidhur me volumin e valutës që po tërheq Banka e Shqipërisë nga tregu. Në periudhën korrik-gusht të vitit të kaluar. Banka e Shqipërisë pati blerë 176 milionëeuro, blerje që mjaftuan vetëm për ta mbajtur kursin pak më lart kufirit të 98 lekëve.

Për tremujorin e parë të vitit, statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se deficiti i llogarisë korrente ra në vlerën e 212 milionë eurove, 41% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tkurrja e deficitit të jashtëm në tremujorin e parë erdhi paralelisht nga rënia e deficitit në mallra dhe zgjerimi i mëtejshëm i suficitit në shërbime.

Kontributin kryesor në llogarinë e shërbimeve e dha përsëri turizmi, që solli të ardhura neto në vlerën e 295 milionë eurove, në rritje me 10.5% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Përveç efektit të zakonshëm sezonal, të lidhur me pushimet verore, flukset hyrëse të valutës në ekonominë shqiptare ngelen të larta edhe nga investimet e huaja, sidomos në pasuri të paluajtshme. Agjentët e tregut të pasurive të paluajtshme shprehen se blerjet nga subjektet nga jashtë vendit vazhdojnë të jenë të larta, veçanërisht në zonat bregdetare.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se investimet e huaja në pasuri të paluajtshme po rriten edhe këtë vit. Për tremujorin e parë, ato arritën vlerën e 104 milionë eurove, 24% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nga ana tjetër, edhe politika fiskale shtrënguese e qeverisë, e karakterizuar nga suficite buxhetore, vlerësohet se po vazhdon të luajë një rol shtesë në forcimin e monedhës vendase.

Të dhënat e Ministrisë së Financave treguan se buxheti e mbylli 6-mujorin 2025 me suficit në shumën e 33.1 miliardë lekëve, në rënie sidoqoftë me 36% krahasuar me suficitin e regjistruar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Leku i fortë vazhdon të jetë një faktor me ndikim në nivelete ulëta të inflacionit të ulët të importuar në ekonominë shqiptare. Në raportin e fundit të politikës monetare, Banka e Shqipërisë evidenton se inflacioni i ulët në ekonominë shqiptare vazhdon të jetë kryesisht efekt i faktorëve të jashtëm, ndërsa presionet rritëse mbi çmimet në ekonominë e brendshme ngelen të larta.

Nga ana tjetër, forcimi i vazhdueshëm i Lekut vazhdon të ndikojë negativisht eksportet e mallrave dhe shërbimeve, duke filluar nga turizmi, që po bëhet gjithnjë e më shumë sektor themelor për ekonominë shqiptare./Monitor

Mbase e meritojmë shkatërrimin!

By: Ke Si
15 August 2025 at 19:50

Ben Andoni

Shqipëria ishte një nga vendet më të angazhuara për nënshkrimin e Traktatit të Mjedisit në 2015. Asokohe, plot 197 vende e vunë firmën mbi marrëveshjen e Parisit të 2015-ës, dokument i cili vuri si objektiv parandalimin e rritjes së temperaturave mesatare të globit 2 gradë celcius mbi mesataren e periudhës para-industrializimit. SHBA-të u integruan menjëherë dhe fill në presidencën e parë të Trump dhe, u tërhoqën nga Marrëveshja që hyri në fuqi më 4 nëntor 2020, ndërkohë që presidenti Biden e ktheu vendin në marrëveshje më 19 shkurt 2021. Së fundi, Shtetet e Bashkuara e njoftuan zyrtarisht Sekretarin e Përgjithshëm për tërheqjen e saj nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, akt që hyn në fuqi më 27 janar 2026.

Edhe ky dokument është një nga ato që Shqipëria i ka firmosur gati symbyllazi, por pa marrë parasysh se duhej të merrte masa serioze. Në dy dekadat e fundit, komuniteti i mbrojtjes së mjedisit ka apeluar vazhdimisht, duke nisur nga fakte të thjeshta dhe shqetësuese dhe duek i amplifikuar por zotërinjtë e mjedisit tallen.

Tallen dhe tallen pafund. Qysh më shumë se një dekadë më parë u paralajmërua për kushtet pse deti po merrte aq tokë; pse zjarret po bëheshin një ngjarje e zakonshme dhe sesi duhet të alarmoheshim për shkretimin e hapësirave pyjore; për tharrjen e burimeve ujore; pse duhet t’i ruanim zonat e mbrojtura; deri te fakte që lidheshin me faunën dhe florën, ku shumë insekte vizitonin vendet veriore tek ne, ndërsa më përpara as nuk mund të kalonin; apo ku në qytete Betoni është një pushtues i frikshëm dhe ku ndërkohë, “qytetet shqiptare – me Tiranën në krye – janë shndërruar në ishuj termikë, ku diferenca e temperaturave mes lagjeve shkon deri në 6°C, për shkak të dendësisë së ndërtimeve dhe mungesës së hapësirave të gjelbra, po sipas një raporti të Bankës Botërore” (Monitor, 2025).

Nuk po flasim për minimizimin e hapësirave të gjelbra dhe shuarjen e parqeve apo planeve hapësinore. Korrupsioni në planifikimin urban fillon me krijimin ose ndryshimet e planeve hapësinore. Këto i kemi para syve. Shikoni çfarë i është bërë Parkut të Liqenit Artificial dhe ku do të shkojë makutëria… Dhe, ndaj Shqipërinë e kemi të mbjellë me kulla e kulla që nuk mbarojnë përballë një popullsie që po tkurret dhe po na çon gati në popullsinë e Shqipërisë së pas Luftës së Dytë Botërore.

Me të gjitha këto, problemi një dhe i vetëm është sesi jemi të mësuar me shkatërrimin dhe tashmë që po na digjet diçka, vazhdojmë të përsërisim të njëjtat gabime për çdo vit. Ku mungojnë reflektimet për infrastrukturën, ku piromanët argëtohen me kafshërinë e tyre, kurse bashkitë vegjetojnë pa kuptim. Ndërkohë “Monitor” rreshton dhe një sërë faktorësh që duhen pasur parasysh: nga Bankat (rreziqet klimatike për kreditë), bujqësinë (periudhat e ndryshme të kultivimeve dhe pjekjeve, industrisë dhe mbi të gjitha turizmit. Shqipëria nuk duhet të jetë kaq familjare me shkatërrimin, por duhet të mendojë mbijetesën përballë natyrës. Po ku ta dish, mbase e meritojmë shkatërrimin.

P.S. Në kronika u regjistrua se për 4 piromanët e Beratit u la vetëm “detyrim paraqitje”?!/e.t

Vrasja e 14-vjeçarit në Maliq/ Reagon Luiz Ejlli: Fëmijët po mbyten në dhunë!

By: Ke Si
15 August 2025 at 18:58

Këngëtari Luiz Ejlli ka reaguar në lidhje me vrasjen e 14-vjeçarit, Erald Xhejo. Ejlli përmes një instastory shprehet se fëmijët në vendin tonë janë të rrethuar nga dhuna dhe mungesa e dashurisë. Sipas tij këto faktorë kanë ndikuar në sjelljen e të rinjtve të cilët mendojnë se konfliktet zgjidhen me gjak.

Ai më tej tha se autoritetet mbyllin sytë përballë këtij fenomeni dhe shkollat e prindërit flenë duke lënë fëmijët të mbyten në dhunë. Sipas tij për sa kohë do të ketë heshtje në lidhje me këtë çeshtje raste të tilla do të përsëriten.

“Dy nëna që sot nuk dinë ku të gjejnë frymën dhe dy familje që nuk do të jenë më të njëjta. Këta fëmijë janë të uritur, mes dhunës, inatit, mungesës së dashurisë dhe mungesës së kujdesit. Shkollat flenë, prindërit nuk e kanë mendjen, shteti mbyll sytë, fëmijët po mbyten në dhunë.

Nuk janë tragjedi të rastit, janë pasqyra e shoqërisë që ne kemi ndërtuar dhe po e vazhdojmë, ku dashuria është opsionale. Dhe fëmijët mësojnë nga rruga që konfliktet zgjidhen vetëm me thikë ose me gjak. Dhe për sa kohë ne heshtim, thika është në duart tona. Nëse sot nuk çohemi, nesër e ka radhën ai tjetri që mund ta njohim personalisht,” u shpreh ai.

Si ndodhi ngjarja

Ngjarja tragjike ka ndodhur pasditen e 14 gushtit në ambientet e jashtme të lokalit në fshatin Pirg të Maliqit. Erald Xhejo 14 vjeç është vrarë nga bashkëmoshatari i tij gjatë një sherri në një lokal. I mituri nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra nga thika dhe fatkeqësisht ndërroi jetë në spital. Dy të miturit, autori Enedio Guri dhe viktima Erald Xhejo kanë qenë duke folur fillimisht e më pas kanë nisur të debatojnë, duke vijuar më tej me përdorimin e armëve të ftohta, përkatësisht thikë. Autori Enedio Guri ende nuk ka dhënë asnjë dëshmi për ngjarjen. /e.t

Zjarret shkrumbuan pyjet, vetëm “detyrim paraqitje” për 4 piromanët e Beratit

By: Ke Si
15 August 2025 at 18:50

Katër shtetasit e arrestuar dy ditë më parë, të dyshuar për zjarrvënie në zona të ndryshme në Berat, kanë dalë ketë të premte para togave të zeza në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat.

Zaçe Merkaj, Shefqet Dodoveci, Safet Manaj dhe Lefter Begaj u përballën me drejtësinë, nën akuzën “Shkatërrim prone me zjarr”, parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal. Sipas hetimeve paraprake, këta shtetas dyshohet se janë përgjegjës për ndezjen e zjarreve që përfshinë sipërfaqe të mëdha në zona të ndryshme të Beratit.

Pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë, gjyqtari i çështjes Ervis Koxhaj vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për të katër të dyshuarit.

Ndërkohë, hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa policia po punon për të identifikuar edhe persona të tjerë të përfshirë në ndezjen e zjarreve në zonat me rrezikshmëri të lartë./e.t

“Lamtumirë, ylli ynë i ndritur Erald”/ Shkolla ku studionte 14-vjeçari homazhe për djalin

By: Ke Si
15 August 2025 at 18:46

Shkolla, ku studionte Eraldi, që humbi jetën një ditë më parë gjatë sherrit me bashkëmoshatarin e tij, ka bërë një reagim prekës në rrjetet sociale.“Lamtumirë, ylli ynë i ndritur Erald! Sot zemrat tona janë më të rënda se kurrë. Humbëm jo thjesht një nxënës, por një djalë të mrekullueshëm, plot ëndrra, buzëqeshje dhe mirësjellje. Ti ishe shembull i përkushtimit, i dashurisë për dijen dhe i shpirtit të pastër.

Shkolla nuk do të jetë më e njëjta pa ty. Banka ku uleshe do të mbetet bosh, por kujtimet tona do të jenë gjithmonë plot me dritën që ti fale. Fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur dhimbjen, por ti do të mbetesh përjetësisht në zemrat tona

U prehsh në paqe! Ti nuk u largove, por u bëre engjëlli më i bukur i Parajsës! Ngushëllime familjarëve! Jemi bashkë me ju në këtë dhimbje të madhe“, shkruhet në postimin e shkollës së mesme të bashkuar, “Tafil Rexhepi”.

14-vjeçari u vra nga bashkëmoshatari i tij gjatë një sherri në një lokal. Ai nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra nga thika, për pasojë ndërroi jetë në spital.

Të miturit kanë qenë duke folur fillimisht e më pas kanë nisur të debatojnë, duke vijuar më tej me përdorimin e armëve të ftohta, përkatësisht thikë. Sipas të dhënave, të dy 14-vjeçarët u takuan rastësisht ditën e djeshme në lokalin e fshatit Pirg.

Të dyja palët kanë qenë të shoqëruar me shokët e tyre, të cilët pas veprimeve hetimore u arrestuan për veprën penale moskallëzim i krimit dhe veprime që pengojnë të vërtetën.

Mësohet se konflikti i tyre ka nisur rreth 1 vit më parë dhe ka qenë pikërisht takimi i rastësishëm dje, i cili ka nisur me fjalë të tipit “pse më shikon”, që çoi në përdorimin e thikës që 14-vjeçari posedonte.

Lidhur me ngjarjen, policia njoftoi sot se ka arrestuar tetë persona, mes tyre babanë dhe xhaxhanë e autorit, të cilët fshehën thikën./E.T

Porsche dhe çanta luksoze: surpriza e Ronaldos për Georginën pas fejesës

By: Ke Si
15 August 2025 at 18:38

Cristiano Ronaldo besohet se e ka festuar fejesën e tij me të dashurën e tij prej shumë kohësh, Georgina Rodriguez, duke i dhuruar dhurata të shtrenjta me vlerë qindra mijëra paund yllit të reality show-t.

Superylli portugez i propozoi martesë partneres së tij prej më shumë se nëntë vitesh me një unazë fejese mahnitëse këtë jave.

Ronaldo dhe Rodriguez kanë pesë fëmijë së bashku, dy prej tyre – Alana dhe Bella – biologjikisht, me njerkën 31-vjeçare të Cristiano Jnr, dhe binjakët Mateo dhe Eva.

40-vjeçari shpesh ka ndezur spekulime se çifti ishte martuar privatisht, duke iu referuar shpesh Rodriguez si ‘gruaja’ e tij në ngjarjet publike. Por zbulimi i së martës i dha fund thashethemeve, me Ronaldon që konfirmoi deklaratën e tij romantike me një diamant që vlen rreth disa milionë paund.

Megjithatë, sulmuesi i Al-Nassr nuk besohet të jetë ndalur me kaq, duke zgjedhur një numër dhuratash të tjera luksoze. Ronaldo i ka dhuruar të fejuarës së tij të re edhe një Porsche Taycan elektrik të bardhë, me vlerë mbi 78,000 paund.

Duke e ditur prirjen e saj për modën e firmave të njohura, ish-lojtari i Manchester United bleu gjithashtu një numër artikujsh nga shtëpitë franceze të modës Christian Dior dhe Louis Vuitton, duke përfshirë çanta dore dhe rroba me një vlerë totale mbi 25,000 paund.

Ronaldo e çoi totalin e shpenzimeve të tij për dhurata shtesë në mbi një çerek milioni paund me dy orë: një orë Patek Phillippe që kushton 42,000 paund dhe një orë tjetër Audemars Piguet me vlerë 53,000 paund./E.T

Putin, paradë force makinash të blinduara drejt Alaskës

By: Ke Si
15 August 2025 at 18:34

Presidenti rus Vladimir Putin ka udhëtuar sot nga Moska për në Bregun e Paqësorit me një limuzinë të blinduar përpara samitit të tij të shumëpritur me Donald Trump në Alaskë. Mediat ruse kanë publikuar pamjet e eskortës së blinduar me dhjetëra makina të tipit “Aurus Senat”, që përdoret për të transportuar Presidentin e Rusisë, teksa rrugët duken të bllokuara.

Pamjet tregojnë një varg të gjatë automjetesh të zeza që lëvizin me shpejtësi përgjatë një rruge në Magadan, të shoqëruara nga dhjetëra makina policie dhe të ndjekura nga ajo që duket të jetë një ambulancë.

Pikërisht në Magadan, lideri i Kremlinit ka vizituar një pistë hokeji në akull dhe një fabrikë peshku, përpara se të fluturonte drejt Alaskës.

Duket se Putin nuk e ka pasur aspak me nxitim që të përshëndetet me Donald Trump dhe është fotografuar duke vizituar fëmijët që po luanin hokej në akull në qytetin rus në lindjen e largët.

Ndërsa ishte në Magadan, media shtetërore raportoi gjithashtu se ai vendosi lule në një memorial të Luftës së Dytë Botërore për të shënuar Ditën e Fitores.

Siguria e rreptë për Presidentin Putin shfaqet teksa ai përgatitet të ulet me Trumpin të rreth orës 21:00 me orën në Shqipëri, për takimin e tyre të parë ballë për ballë që nga viti 2018.

Sakaq sipas mediave ruse bisedimet midis Donald Trump dhe Vladimir Putin nuk do të jenë të shkurtra dhe se ato mund të zgjasin të paktën gjashtë deri në shtatë orë.

Agjencia shtetërore e lajmeve RIA raporton se takimi në Alaska do të zhvillohet edhe me pjesëmarrjen e ndihmësve dhe se Moska pret që ai të sjellë rezultate.

Donald Trump ndërkaq është nisur drejt Alaskës nga Uashington DC dhe para se të hipte në avionin presidencial iu mburr gazetarëve me aftësinë e tij në arritjen e marrëveshjeve.

“Unë jam president dhe ai nuk do të luajë me mua”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të enjten.

“Nëse është një takim i keq, do të përfundojë shumë shpejt, dhe nëse është një takim i mirë, do të përfundojmë duke arritur paqe në një të ardhme shumë të afërt”, tha Trump, ndër të tjera.

Trump ka premtuar të konsultohet me udhëheqësit evropianë dhe Zelenskyn, duke thënë se çdo marrëveshje përfundimtare do të vijë në një takim trepalësh midis tij, Putin dhe presidentit ukrainas për të “ndarë” territorin./E.T

Dëmi nga zjarret, ministri Vëngu shpjegon procedurat për dëmshpërblimin

By: Ke Si
15 August 2025 at 18:27

E teksa kryeministri Edi Rama premtoi dëmshpërblim për të gjithë personat e prekur nga zjarret dhe shtëpi të reja, për banorët që kanë mbetur pa to, ministri i mbrojtjes, Pirro Vëngu ka dhënë detaje të mëtejshme sesi do të realizohet kjo gjë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vëngu shkruan se në çdo bashki do të ngrihet Grupi i Konstatimit me urdhër të kryetarit që do të verifikojë dëmet dhe do të plotësojë formularët me kostot financiare.

Më pas do të përgatiten lista për subjektet e dëmtuar dhe dokumentacionin përkatës dhe pas vlerësimit financiar çdo bashki përcaktohen koston e kompensimit, i cili kryhet nga fondet e bashkisë së prekur, përmes fondit për mbrojtjen civile./E.T

Shqipëria ‘shkundet’ nga tërmeti, lëkundjet ndjehen edhe në Tiranë, ja sa ishte magnituda

By: Ke Si
15 August 2025 at 18:10

Shqipëria është goditur pasditen e kësaj të premteje nga tërmeti. Lëkundjet janë ndjerë edhe në kryeqytet ndërsa mësohet se magnituda ka qenë 3.1 ballë.

Nuk ka raportime për dëme apo të lënduar ndërsa lëkundjet kanë krijuar panik tek qytetarët.

Shqipëria 'shkundet' nga tërmeti, lëkundjet ndjehen

Fentanil i kontaminuar në spitale, 100 viktima në Argjentinë

By: Ke Si
15 August 2025 at 18:08

Numri i të vdekurve nga fentanili i kontaminuar i administruar në spitalet argjentinase ka arritur në mbi 100. Qeveria njoftoi lajmin, duke përmendur një laborator farmaceutik lokal si burimin e masakrës.

Që nga maji, vendi është përpjekur të përcaktojë se sa vdekje lidhen me furnizimet e kontaminuara të përdorura në spitalet në katër provinca dhe kryeqytetin, Buenos Aires.

Pas një hetimi, agjencia rregullatore farmaceutike e Argjentinës e mbylli laboratorin tre muaj para se të ndodhnin vdekjet e para./E.T

BE kritikon planin izraelit në Gazë

By: Ke Si
15 August 2025 at 17:53

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi se plani izraelit për ngritjen e ngulimeve dhe të vendbanimeve të reja nuk është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe u bëri thirrje autoriteteve izraelitetë mos i vazhdojnë punimet.

Ministri i financave të Izraelit, Bezalel Smotrich, që i përket ekstremit të djathtë, njoftoi se do të fillojë puna për ngritjen e një ngulimi të vonuar prej kohësh, i cili do të ndajë Bregun Perëndimor dhe do ta shkëpusë atë nga Jerusalemi Lindor.

“Vendimi i autoriteteve izraelite për të çuar përpara planin e ngulimeve minon më tej zgjidhjen me dy shtete, dhe përbën edhe një shkelje të ligjit ndërkombëtar”, tha Kallas në një deklaratë. “BE-ja përsërit thirrjen e saj ndaj Izraelit për të ndaluar ndërtimin e ngulimeve”, shtoi ajo.

Reagime nga Gjermania dhe Turqia

Edhe Gjermania i bëri thirrje Izraelit të ‘ndalojë ndërtimin e ngulimeve’ në Bregun Perëndimor.

Turqia e dënoi planin e Izraelit për ngulime të reja që synojnë ndarjen e Bregut Perëndimor dhe shkëputjen e tij nga Jerusalemi Lindor, tha Ministria e Jashtme turke, duke shtuar se vendimi ishte një shkelje e plotë e ligjit ndërkombëtar.

“Ky hap… shpërfill plotësisht të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara; godet integritetin territorial të Shtetit të Palestinës, bazën për një zgjidhje me dy shtete, dhe shpresat për paqe”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Turqisë. Në deklaratë përsëritet se krijimi i një shteti të pavarur palestinez është e vetmja mënyrë për të arritur paqe të qëndrueshme. DW

Skandal në Shkodër/ Gurorja ndot lumin, banorët pa ujë të pijshëm

By: Ke Si
15 August 2025 at 16:58

Banorët e Postribës në Shkodër kanë dalë sot në protestë. As investimi i ujësjellësit një vit më parë nuk ka zgjidhur problematikën e ujit të pijshëm për ta. Ata theksojnë se investimi ka dalë i kotë, pasi përsëri nuk ka ujë të pijshëm dhe është bërë për t’u mbyllur gojën për guroren në zonë.

“Kemi bërë ankesën për guroret qysh në 2018 që kanë hyrë pa leje dhe lejet i kanë marrë në mënyrë korruptive. Një vit më parë kanë bërë një investim duke bërë kaptazhin në ujëra sezonal që humbin në mars dhe dalin në fund të shtatorit. Ne i kemi kërkuar që të vendosin një filtër që të shkojë uji pak më i pastër tek banorët për shkak të ndotjes nga banorët. Nisur nga protestat tona, i kanë shfrytëzuar për të nxjerrë fondin për këtë investim që ka kushtuar 165 milion lekë duke ndërtuar kaptazhin. Ky kaptazh ka shkatërruar atë të parin. Këto janë ujëra sezonal që dalin mbi burime dhe burimet janë në mes të lumit. Kur guroret ulin ndotjen, lumi e merr atë ndotje dhe pluhurin e imët dhe i shkon fëmijëve tanë. Tubi që kanë vendosur nuk e nxjerr asnjë pikë ujë. Ky investim është bërë i kotë”,-thotë një banor.

Banorët e Postribës në protestë: Duam ujë, shteti

“Si mund të vendoset interesi i një personi përpara banorëve për të shfrytëzuar gjithë këtë mal, gjithë këtë pasuri natyrore. Nuk mund të vihet interesi i një personi ndaj interesit të 8 mijë banorëve që ushqehen nga ky ujë. Kemi 8 vite që i kërkojmë shtetit vetëm drejtësi. Ne kërkojmë largimin e dy guroreve nga këtu. Kam ndërtuar shtëpinë me bimë medicinale të malit, tani nuk mund ta nxjerr gruan e vajzën më në mal sepse janë kurdistanët e gurores dhe të na bllokojnë në këtë mënyrë nuk është e mirë”,-shprehet një nga banorët.

Banorët e Postribës në protestë: Duam ujë, shteti

Banorët i kërkojnë Qeverisë që të ndërhyjë për zgjidhjen e çështjes.

“Shteti nuk funksionon. I kemi shkruar një mesazh Edi Ramës dhe na ka sjellë drejtorin e policisë këtu, por asgjë. Do ta kërkojmë deri në Hagë të drejtën tonë. Disa fshatra nuk kanë ujë dhe disa të tjera e kanë të reduktuar. Uji nuk është i pijshëm. Është shtet hajn. Do të na detyrojnë që të bëjmë skandal dhe do ta bëjmë. Do t’i zhdukim ne nëse nuk vendos dorë shteti dhe ligji. Sa më parë firmat e gurores të tërhiqen ose do t’i heqim ne”,-shprehet një banor.

Ankesat për ujin e pijshëm janë prej rreth 8 vitesh nga banorët e zonës, kjo për shkak të punës që kryen gurorja në këtë zonë. Pavarësisht çështjeve gjyqësore, ende nuk kanë marrë asnjë zgjidhje./e.t

❌
❌