E pabazë dëshmia e virologut kinez për krijimin e Covid-19 nga Fauci
Pretendimi: Dr. Chao Shan dëshmoi nën betim se Dr. Anthony Fauci bashkëpunoi fshehurazi me PKK dhe Aleancën EcoHealth për të krijuar dhe lëshuar Covid-19 si armë biologjike.
Verdikti: E paprovuar
————————————————————
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi i pazakontë se një virolog nga Wuhan ka dëshmuar se këshilltari kryesor mjekësor i presidentit amerikan Biden gjatë viteve të pandemisë, Anthony Fauci kishte bashkëpunuar me Partinë Komuniste të Kinës dhe Aleancën EcoHealth për të krijuar Covid-19 si armë biologjike.

Si zakonisht, postimi i mësipërm nuk përmban ndonjë referencë apo ndonjë burim për të mbështetur pretendimin e jashtëzakonshëm.
Postimi duket se i referohet një artikulli të botuar më 10 maj 2025 në portalin amerikan “The People’s Voice”, i njohur më parë si “News Punch”.
Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, “NewsPunch” ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.
Artikulli i The People’s Voice, si zakonisht, nuk ofron asnjë lloj prove për këtë pretendim të pazakontë. Ai i referohet një virologu nga Insitituti i Virologjisë së Wuhan të quajtur Dr. Chao Shan, që pretendohet se është zhdukur pas kësaj dëshmie.
Chao Shan është vërtet një virolog nga Instituti i Virologjisë së Wuhan.
Megjithatë, nuk ka prova se ai ka pretenduar ndonjëherë se Fauci, PKK dhe EcoHealth kanë bashkëpunuar për të krijuar një armë biologjike në Covid-19.
Në 2023, një gazetare kineze pretendoi se Dr. Chao Shan kishte pranuar se Covid-19 ishte dizenjuar is armë biologjike. Megjithatë, Fauci, PKK dhe EcoHealth nuk përmenden në këtë pretendim.
Gjithsesi, edhe pretendimi se Chao kishte thënë se Covid-19 ishte armë biologjike është i pakonfirmuar. Si provë për këtë pretendim u soll një intervistë 30-minutëshe, jo me Chao, por me një figurë të errësuar, i cili pretendon se Chao e kishte quajtur koronavirusin një “armë biologjike”.
The post E pabazë dëshmia e virologut kinez për krijimin e Covid-19 nga Fauci appeared first on Faktoje.al.