Marcus Rashford zbulon se cili lojtar i Barcelonës e ka befasuar më shumë që kur u transferua nga Man Utd
Marcus Rashford ka zbuluar ndryshimin më të madh që ka vënë re te talentet e rinj të Barcelonës, duke veçuar si shembull mesfushorin Pedri.
Sulmuesi anglez iu bashkua kampionëve të La Ligës në formë huazimi nga Manchester United, pasi trajneri Ruben Amorim i bëri të qartë se nuk ishte pjesë e planeve të tij në “Old Trafford”. Barcelona ka mundësinë ta transferojë përfundimisht për rreth 35 milionë euro.
Rashford ka shkëlqyer gjatë fazës përgatitore, duke luajtur si në krahun e majtë ashtu edhe në qendër të sulmit, dhe është përshtatur shpejt në skuadrën e drejtuar nga Hansi Flick. Ai do të bëjë debutimin zyrtar këtë fundjavë, kur katalanasit të përballen me Mallorcën.
Në intervistë për podkastin The Rest is Football me Gary Lineker dhe Micah Richards, Rashford u shpreh: “Sinqerisht, është shumë lehtësuese të luash me ta. Çdo ditë ata janë plot energji dhe kjo të mban edhe ty me energji. Të gjithë janë shumë të talentuar, por ajo që më habiti më shumë është pjekuria e tyre në fushë. Ata luajnë me ritmin e tyre, është thjesht mënyra se si janë zhvilluar. Është ndryshe nga Anglia, ku theksi vihet tek shfaqja e aftësive individuale në çdo moment”.
Rashford veçoi Pedrin si shembull të këtij formimi: “Shikoni Pedrin. Ka vetëm 22 ose 23 vjeç, por ka mbi 200 paraqitje me Barcelonën dhe përvojë të madhe në ndeshjet më të rëndësishme në botë.”
Sulmuesi zbuloi gjithashtu se mbrojtësi francez Jules Kounde, me të cilin udhëtoi pranë gjatë turneut parasezonal në Azi, e ka ndihmuar të ndihet rehat në ambientin e ri.
“Kounde flet anglisht, ashtu si edhe Frenkie de Jong. Kjo më ka ndihmuar shumë ndërsa po mësoj bazat e spanjishtes. Në dhomën e zhveshjes flitet kryesisht spanjisht dhe shumë lojtarë përdorin katalanisht, por shumica e kuptojnë anglishten”, ka shtuar ai.
Barcelona e nis mbrojtjen e titullit të La Ligës këtë të shtunë ndaj Mallorcës, me Rashfordin që shpreson të lërë gjurmë që në debutim, duke ndjekur shembullin e Gary Lineker, i cili shënoi në ndeshjen e tij të parë me katalanasit. /Telegrafi/
The post Marcus Rashford zbulon se cili lojtar i Barcelonës e ka befasuar më shumë që kur u transferua nga Man Utd appeared first on Telegrafi.