Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 August 2025Main stream

Zjarret, Vengu: Ndërhymë për shpëtimin e banesave dhe hidrocentralit të Bistricës

By: e xh
10 August 2025 at 08:24

Disa vatra zjarri kanë përfshirë zonën e Finiqit. Flakët, të favorizuara nga era e fortë kanë rrezikuar banesa, biznese dhe objekte strategjike mes fshatrave Velahovë, Livinë, Ardhasovë, Bistricë dhe Krongj.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, njoftoi se forcat zjarrfikëse të bashkive përreth, të mbështetura nga Forcat e Armatosura dhe efektivët e Policisë së Shtetit, ndërhynë gjatë gjithë natës për të përballuar situatën.

Janë kryer evakuime të përkohshme, është garantuar mbrojtja e popullatës dhe objekteve, ndërsa në orët e para të mëngjesit është zhvilluar një operacion i suksesshëm për të shpëtuar Hidrocentralin e Bistricës nga përhapja e flakëve. Ndërhyrjet në terren dhe nga ajri pritet të vijojnë, ndërkohë që qarkullimi në aksin Muzinë – Bistricë mbetet i kufizuar për arsye sigurie.

“Natë tepër sfiduese në Finiq ku ekipet zjarrfikëse të Bashkive Finiq, Delvinë, Konispol, Sarandë, të mbështetura nga 5 zjarrëfikëse dhe 70 efektivë të FA, si dhe 20 efektivë të Policisë së Shtetit, u përballën pareshtur me vatrat që u përhapën të favorizuara nga era e fortë mes fshatrave: Velahovë, Livinë, Ardhasovë, Bistricë, Krongj.

U realizuan evakuimet e përkohshme të banorëve në Livinë dhe Ardhasovë, si dhe u morën masa për ofrimin e asistencës mjeksore për personat e moshuar, ndërkohë që forcat operacionale dhe ato vullnetare siguruan mbrojtjen e çdo banese dhe biznesi të rrezikuar.

Në orët e para të mëngjesit, u realizua një operacion i suksesshëm për të parandaluar përhapjen e flakëve që rrezikonin Hidrocentralin e Bistricës, ku në këto momente pritet të ndërhyhet gjithashtu nga ajri.

Për arsye sigurie, qarkullimi i mjeteve në aksin Muzinë – Bistricë do të vijojë të mbetet i kufizuar deri në përmbyllje të operacioneve.  Forcat operacionale vijojnë punën në terren për të kontrolluar çdo hapësirë që mund të riaktivizohet nga era dhe temperaturat e larta që pritet të mbizotërojnë në orët në vijim”, ka shkruar ministri i Mbrojtjes.

“Jo tokë Rusisë”, Europa kundër Trump: Paraqesin propozim alternativ në SHBA

By: e xh
10 August 2025 at 08:12

Pas reagimit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky që hodhi poshtë idenë për dhënien e territorit Rusisë, gazeta amerikane Wall Street Journal raportoi se zyrtarët ukrainas dhe evropianë i kanë paraqitur Uashingtonit një propozim të ri.

Kjo erdhi pasi Kremlini për armëpushimin sugjeroi shkëmbimin e territoreve ukrainase të Donetskut dhe Luhanskut. Duke cituar dy zyrtarë evropianë Wall Street Journal raportoi të shtunën se propozimi, i paraqitur Zëvendëspresidentit të SHBA-së JD Vance, Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, të dërguarit të Ukrainës Keith Kellogg dhe Steve Witkoff, përsërit se Ukraina dhe Evropa duhet të përfshihen në çdo negociatë të zhvilluar me Rusinë, ndërsa kërkon gjithashtu që një armëpushim të zbatohet para se të ndërmerren hapa të mëtejshëm.

Sipas zyrtarëve, kjo u propozua në një takim me zyrtarë të lartë amerikanë në Mbretërinë e Bashkuar të shtunën. Udhëheqësit evropianë dolën në anën e Zelenskyy-t me deklarata të postuara në mediat sociale. Presidenti francez Emmanuel Macron në një postim në X shkroi se “e ardhmja e Ukrainës nuk mund të vendoset pa ukrainasit”, duke shtuar se “evropianët gjithashtu domosdoshmërisht duhet të jenë pjesë e zgjidhjes, pasi siguria e tyre është në rrezik”. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ishte në të njëjtën linjë, duke shtuar se “ne duhet të arrijmë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme që respekton pavarësinë dhe sovranitetin e Ukrainës”.

Zelensky foli gjithashtu me Presidentin finlandez Alexander Stubb, duke e falënderuar atë për mbështetjen e tij. “Ukraina dhe Finlanda kanë kufijtë më të gjatë me Rusinë në Evropë dhe populli ynë e di shumë mirë se çfarë kërcënimesh sjell kjo”, tha ai në një postim në X.

Reagimet erdhën pasi Trump njoftoi se do të takojë në Alaskë të premten homologun rus Vladimir Putin për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë, ku pritet të përfshihen disa shkëmbime territoriale për të mirën e të dy vendeve.

John Cena tregon arsyen e transplantit të flokëve: Më ndryshoi jetën…

By: e xh
10 August 2025 at 08:10

Aktori dhe ylli i wrestling-ut, John Cena, ka folur për herë të parë rreth vendimit për t’iu nënshtruar një transplanti flokësh.

Në një intervistë të fundit, 48-vjeçari pranoi se komentet për pamjen e tij, sidomos ato që i referoheshin rënies së flokëve, e shtynë të ndërmarrë këtë hap.

”Pashë tabela ku shkruhej ‘Bald John Cena’. Kjo më bëri të mendoj për opsionet që kisha”.

Cena shpjegoi se procedura përfshinte zhvendosjen e qimeve një nga një nga një zonë e kokës në tjetrën dhe theksoi se nuk ka asnjë pendesë për këtë vendim.

”Do ta kisha bërë 10 vite më parë nëse nuk do të ishte kaq e sikletshme. Mendoja se isha i vetëm, por shtatë ose tetë nga dhjetë burra vuajnë nga rënia e flokëve. Nuk ka pse të turpërohemi. Kjo më ndryshoi jetën”, u shpreh ai.

Ku interesat takohen, pse Trump zgjodhi Alaskën për takimin me Putin?

By: e xh
10 August 2025 at 08:09

“Vendndodhja ka rëndësi”, është një rregull i artë për agjentët e pasurive të paluajtshme. Duke zgjedhur Alaskën si vend për samitin e tij të parë me Vladimir Putinin, Donald Trump mbetet besnik ndaj kodit të tij gjenetik. Ai e detyron kreun e Kremlinit të bëjë një lëshim shumë simbolik, duke e detyruar të shkojë në territorin amerikan. Por, duke e pritur në shtëpinë e tij, i kthen statusin dhe lirinë e veprimit ndërkombëtar liderit të një vendi agresor, nën sanksione dhe mbi të gjitha subjekt i një urdhër-arresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare e Hagës.

Marrëveshja

Kur thuhet Alaska në kontekstin e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Amerikës, preken tela të thellë. Aty ku historia, kujtesa, gjeopolitika dhe projeksionet strategjike ndërthuren në një ngërç të pazgjidhshëm dhe shumë emocional. Në fund të fundit, për Vladimir Putinin, të kalojë katër kilometrat e Ngushticës së Beringut – rripi i detit që ndan në veri-perëndim dy vendet – do të jetë si të kthehet në shtëpi. Alaska, në fakt, iu shit në vitin 1867 nga Rusia Shteteve të Bashkuara, që paguan 7,2 milionë dollarë, rreth 120 milionë të sotëm, për një sipërfaqe mbi 1 milion e 518 mijë kilometra katrorë.

Vendimi i marrë nga Cari Aleksandër II, i mbërthyer nga borxhet pas humbjes në Krime, u prit keq nga të dyja palët: “shitje e popullit rus” ose “humbje” për inteligjencën e Moskës; “marrëzia e Seward” (nga emri i sekretarit të Shtetit amerikan që firmosi kontratën) për amerikanët. Por, nëse ende sot nacionalistët rusë nuk ndalen së qari për marrëveshjen e gabuar, blerësit u bindën shumë shpejt për të kundërtën, falë etheve të arit të filluara në vitin 1897, që në pak dekada do t’i sillnin SHBA-së një fitim njëqind fish të investimit. Por le të ndalemi me historinë. Për Putinin, një samit me Trumpin vlen gjysmën e përuljes që përfaqëson udhëtimi në Amerikë. “Samiti në Alaskë, larg nga Evropa dhe Kina, certifikon totalisht bilateralizmin e këtij takimi dhe faktin se vetëm Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, së bashku, mund të gjejnë një zgjidhje për krizën e Ukrainës”, shpjegon Dmitrij Suslov, zëvendësdrejtor i Qendrës për Studime Evropiane dhe Ndërkombëtare pranë Shkollës së Lartë të Ekonomisë.

Gara drejt së ardhmes

Jo vetëm kaq. Siç thamë më herët për parashikimet strategjike, ka më shumë sesa simbolizëm historik apo diplomatik në zgjedhjen e Alaskës. “Vendndodhja ka rëndësi”, pra. Nuk është rastësi që të premten, më 1 gusht, Shtetet e Bashkuara nisën stërvitjen Arctic Edge 2025, manovrën vjetore ushtarake të destinuar të demonstrojë dhe forcojë aftësinë e forcave amerikane për të frenuar, garantuar sigurinë dhe mbrojtur Amerikën e Veriut nga kërcënimi i vazhdueshëm që paraqet Rusia në Arktik.

Moska, në fakt, mban një prani të fortë në rajonin e Veriut të Madh, hapësira gjigante mbi Rrethin Polar, ku ngrohja globale po shkrin gradualisht perden e akullit që deri tani ka ndarë kufirin polar të Rusisë nga NATO-ja, duke hapur rrugë të reja detare. Këto rrugë mund të përgjysmojnë kohën e transportit të mallrave dhe lëndëve të para nga Evropa në Azi, përveç se të bëjnë të arritshme rezerva të mëdha nëndetare nafte, gazi dhe metalesh të çmuara.

Trekëndëshi strategjik

Në vitin 2014, Rusia krijoi një Komandë të Veriut, që bëri operativë rreth 50 zona të vjetra ushtarake nga epoka sovjetike dhe baza të reja detare mbi Rrethin Polar, aq sa aktualisht numërojnë më shumë se NATO-ja. Flota ruse po zhvillon gjithashtu nëndetëse bërthamore të reja për operacione në Arktik, si klasa Arcturus, e aftë të përdorë dronë dhe raketa hipersonike nënujore. Mbi të gjitha, Federata mund të mbështetet tek flota e saj e famshme e akullthyesve, më e madhja në botë me mbi 50 njësi, ndërsa po planifikohen po aq të tjera për dekadën e ardhshme.

Në këtë garë mes akujve, Moska nuk është e vetme. Edhe Kina, megjithëse nuk është një vend që ka dalje në Arktik, që nga viti 2018 ka shpallur një interes strategjik në zonë, është pajisur tashmë me tre anije akullthyese– njëra prej tyre më e madhja e ndërtuar ndonjëherë – dhe po bashkëpunon me Rusinë për të krijuar një “rrugë të Mëndafshit polar”. Ky është ndoshta elementi që shqetëson më shumë Trumpin dhe Komandën Veriore të SHBA-së. “Në samit nuk do të flitet vetëm për Ukrainën – thotë Suslov, një nga këshilltarët më të dëgjuar të Kremlinit – por edhe për Arktikun, që është vendimtar për të ardhmen e marrëdhënieve ruso-amerikane, teatër përballjesh ushtarake, por edhe zona më premtuese për bashkëpunimin e ardhshëm mes Moskës dhe Uashingtonit: energjia, shfrytëzimi i lëndëve të para, rrugët tregtare”. Alaska, në qendër të botës./Corriere della sera

Temperaturat arrijnë deri në 42 gradë, parashikimi i motit për sot

By: e xh
10 August 2025 at 08:07

Ditën e diel, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme, duke sjellë mot të kthjellët dhe të nxehtë në të gjithë territorin.

Era do të fryjë nga veriperëndimi në jugperëndim me shpejtësi mesatare deri në 7 m/sek, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë bregdetit hera-herës do të arrijë 8-14 m/sek, duke shkaktuar dallgëzim të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat pritet të regjistrojnë vlera të larta, duke arritur deri në 42°C në disa zona të vendit.

Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

By: e xh
10 August 2025 at 08:06

Dashi – Kjo ditë sjell një zgjim të rëndësishëm të brendshëm. Pas javësh me lodhje apo përgjegjësi të rënda, rikthehet një shtysë më e fortë drejt të ardhmes. Në dashuri, kush ka pasur një pauzë apo konflikt mund të gjejë fjalët e duhura për sqarim. Mbaje krenarinë nën kontroll, por dëshira për pajtim është e sinqertë. Në punë, vijnë përgjegjësi të reja që, edhe pse të lodhin, të bëjnë të ndihesh i vlerësuar. Kujdes të mos e teproni me ngarkesën. Ditë e mirë për rikthim emocional.

Demi – Hëna të ndihmon të ruash qetësinë dhe të reflektosh. Në dashuri, çiftet e qëndrueshme mund të planifikojnë hapa konkretë për vjeshtën: shtëpi, familje, udhëtime. Beqarët duhet të dalin jashtë rutinës së zakonshme dhe të mos përpiqen të kontrollojnë çdo gjë. Në punë, je në fazë ndërtimi të sigurt, por mund të vijë një propozim që ia vlen të merret në konsideratë. Një ndryshim i vogël mund të të surprizojë pozitivisht.

Binjakët – Je ndër shenjat më të favorizuara të ditës. Mendja punon shpejt dhe nga ide të vogla mund të krijosh projekte të mëdha. Në dashuri je tërheqës dhe i komunikueshëm; mund të kesh kontakte edhe nga e kaluara, por vendos ti nëse do t’i hapësh apo mbyllësh dyert. Në punë, është momenti të shprehësh idetë e tua dhe të shfrytëzosh bashkëpunimet. Kujdes të mos shpërndash energjinë në shumë drejtime njëkohësisht.

Gaforrja – Mund të nisësh ditën me pak mërzi, por më pas arrin një kuptim më të thellë të ndjenjave të tua. Në dashuri, çiftet duhet të rikthejnë komunikimin; për beqarët, mos e detyroni veten në lidhje të reja, gjërat do vijnë natyrshëm. Në punë, nuk je i predispozuar për presion ose provokime; vendimet e rëndësishme më mirë shtyji. Në mbrëmje, një gjest i ngrohtë nga dikush i afërt të përmirëson humorin.

Luani – Këtë të diel energjia jote duket se është e lartë sajë Diellit në shenjën tënde. Ke vendosmëri dhe dëshirë të madhe për të marrë kontrollin e jetës tënde. Në dashuri, është momenti ideal për të fituar zemrën e dikujt ose për të rindërtuar një lidhje. Kujdes të mos bëhesh dominues me partnerin. Në punë, një mundësi e mirë mund të shfaqet së shpejti, ndaj qëndro gati. Këtë të diel gjithçka duket se shkon në favorin tënd.

Virgjëresha – Ke nevojë për rregull dhe këtë ditë të fundit të javës arrin të zgjidhësh çështje të mbetura pezull. Në dashuri, zakonisht je racional, por këtë 10 gusht mund të ndjekësh zemrën. Çiftet forcojnë lidhjen, ndërsa beqarët duhet të jenë më të hapur. Në punë, saktësia jote është në kulm, gjë që të ndihmon sidomos në detyra organizative apo financiare. Kujdes të mos jesh shumë kritik ndaj të tjerëve. Kjo e diel është ditë e mirë për të vënë qartësi në çdo fushë.

Peshorja – Je në kërkim të ekuilibrit dhe të dielën mund ta gjesh aty ku nuk e pret. Në dashuri, lidhjet e reja po marrin formë, por kërkojnë ende durim. Çiftet afatgjata duhet të zgjidhin një çështje praktike së bashku, por me komunikim të mirë gjithçka ecën pa pengesa. Në punë, rikthehet dëshira për ndryshim: një projekt i lënë mënjanë mund të bëhet sërish aktual. Ke nevojë për stimuj të rinj dhe universi po fillon të t’i sjellë. Humori përmirësohet pasdite, sidomos nëse i kushton kohë artit apo kujdesit për pamjen.

Akrepi – Ditë e ngarkuar me emocione të forta, siç të pëlqen ty. Në dashuri je pasional, por edhe kërkues: kujdes të mos kesh pritshmëri tepër të larta nga partneri. Beqarët janë shumë tërheqës dhe mund të tërheqin vëmendjen me një shikim. Në punë, arrin të përballosh çështje të ndërlikuara me qartësi dhe intuitë. Këtë të diel mund të zbulosh prapaskena ose lojëra të fshehura. Përdore intuitën me zgjuarsi. Humori është i thellë, por i fuqishëm.

Shigjetari – Ke një dëshirë të fortë për arratisje: udhëtime, plane dhe horizonte të reja të tërheqin. Në dashuri, nevojitet më shumë lehtësi; jo çdo gjë duhet analizuar. Lidhjet e reja duhen ushqyer me entuziazëm, por pa presion. Në punë, mund të të vijë një ofertë interesante, sidomos nëse je në kërkim të ndryshimit. Kujdes të mos veprosh me tepër besim pa parë detajet. Humori është i mirë, por energjia mund të shpërndahet; fokusoje në objektiva të qarta.

Bricjapi – Ditë ndërtimi dhe stabiliteti, tipike për natyrën tënde. Në dashuri je praktik dhe i qëndrueshëm, dhe partneri e di që mund të mbështetet tek ti. Nëse ka pasur tensione, është momenti i duhur për t’i zgjidhur me qetësi. Beqarët mund të takojnë një person serioz që tërheq vëmendjen e tyre. Në punë, je shumë i fokusuar në objektiva afatgjata; tani është koha për të mbjellë, edhe pse rezultatet do të vijnë më vonë. Humori është pozitiv dhe i qetë.

Ujori – Ditë dinamike dhe plot surpriza. Në dashuri, ke dëshirë të bësh gjëra të reja; nëse marrëdhënia ka hyrë në rutinë, befaso partnerin me diçka ndryshe. Beqarët janë në kërkim të autenticitetit dhe jo thjesht stimujsh sipërfaqësorë. Në punë, idetë kreative vlerësohen dhe mund të marrësh një propozim interesant, edhe jashtë planeve të zakonshme. Ke nevojë për liri që të japësh maksimumin. Humori është i luhatshëm, por kurrë i mërzitshëm.

Peshqit – Je shumë i ndjeshëm këtë të diel 10, edhe më tepër se zakonisht. Emocionet janë në plan të parë dhe mund t’i përdorësh si udhërrëfyes për vendimet e tua. Në dashuri, gjithçka ka intensitet: një fjalë apo një shikim mund të të ndryshojë ditën. Kujdes të mos idealizosh tepër personin përballë. Në punë, ke një ide apo ndjesi të fortë që ia vlen ta ndjekësh, edhe nëse të tjerët nuk e kuptojnë. Humori është poetik, me pak melankoli. Moment i mirë për art, muzikë apo meditimin.

Izraeli nuk ndal sulmet, 34 të vrarë në Gaza

By: e xh
9 August 2025 at 22:40

Agjencia e mbrojtjes civile e Gazës tha se të paktën 34 persona u vranë të shtunën, përfshirë edhe ata që prisnin të merrnin ndihma.

Mijëra palestinezë mblidhen çdo ditë pranë pikave të shpërndarjes së ushqimit në Gaza, përfshirë katër të menaxhuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës i mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli. Që nga nisja në fund të majit, operacionet e saj janë shoqëruar me raportime pothuajse të përditshme se forcat izraelite qëllojnë mbi ata që presin të marrin ndihma.

Kufizimet izraelite për hyrjen e furnizimeve në Gaza që nga fillimi i luftës gati dy vjet më parë kanë çuar në mungesë të ushqimit dhe produkteve thelbësore, duke përfshirë ilaçet dhe karburantin, të cilat spitalet i kërkojnë për të furnizuar me energji gjeneratorët e tyre.

Kryeministri Benjamin Netanyahu përballet me presion në rritje për të rënë dakord për një armëpushim për të shmangur një katastrofë humanitare për mbi dy milionë banorë të territorit.

Të premten në mëngjes, kabineti izraelit i sigurisë miratoi planet për një operacion të madh për të ndërhyrë në Gaza, duke shkaktuar një valë zemërimi në të gjithë globin. Në një postim në mediat sociale të premten vonë, Netanjahu tha se “nuk do të pushtojë Gazën – por do ta çlirojë nga Hamasi.

Yesterday — 9 August 2025Main stream

Greqia i vjen në ndihmë Gazës, lëshon 8.5 ton ushqime për palestinezët

By: e xh
9 August 2025 at 21:45

Forcat e Armatosura Greke, pas bashkëpunimit dhe koordinimit të Ministrive të Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes Kombëtare me autoritetet kompetente jordaneze, kanë kryer sot hedhjen në zona të veçanta të ndihmës humanitare prej 8.5 ton ushqimesh, në Rripin e Gazës, një zonë e shkatërruar dhe në prag të urisë.

Operacioni u përfundua me pjesëmarrjen e dy avionëve transportues (C-130H dhe C-27J) të Forcave Ajrore Helene (HAF) me personelin e tyre përkatës, si dhe personelin nga Komanda e Luftës Speciale (SWCC).

Greqia do të vazhdojë të ndërmarrë iniciativa për ndërprerjen e menjëhershme të konfliktit të armatosur, lirimin e pengjeve dhe rrjedhën e papenguar të ndihmës humanitare në Gaza. Është detyrë e të gjithëve ne të ndalojmë menjëherë vuajtjet njerëzore”, ka deklaruar me një postim në rrjetin Facebook kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis .

Sipas tij, operacioni në fjalë u organizua në bashkëpunim me vendet e Bashkimit Evropian dhe Lindjes së Mesme dhe synonte të mbështeste nevojat themelore të njerëzve në  një rajon, banorët e të cilit vuajnë tejmase.

“E ardhmja nuk vendoset pa ukrainasit”, Macron do Zelenskyn në tryezën Trump-Putin

By: e xh
9 August 2025 at 21:18

“E ardhmja e Ukrainës nuk mund të vendoset pa ukrainasit”, përsëriti Emmanuel Macron , i cili foli sot në telefon me Volodymyr Zelensky përpara samitit midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump  dhe homologut të tij rus Vladimir Putin në Alaska më 15 gusht, që synon t’i jepte fund luftës në Ukrainë.

“Edhe evropianët do të jenë të detyruar të marrin pjesë në zgjidhje, sepse siguria e tyre është në rrezik”, shkroi gjithashtu presidenti francez në platformën ‘X’.

Ai më pas sqaroi se kishte folur më herët gjatë ditës me kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrin britanik Keir Starmer.

Po në një postim, këtë herë në Telegram, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se kishte folur në telefon rreth situatës ku ndodhet Ukraina përpara samitit Putin-Trump, me homologun e tij francez Emmanuel Macron.

“Shkëmbyem pikëpamjet tona mbi situatën diplomatike”, theksoi Zelensky, duke shtuar se “është me të vërtetë e rëndësishme që rusët të mos arrijnë të mashtrojnë askënd përsëri”.

Britanikët protestojnë kundër strehimit të azilkërkuesve në hotele

By: e xh
9 August 2025 at 20:51

Pas një rasti të dyshuar sulmi seksual nga një azilkërkues në Epping, qytete në të gjithë Britaninë janë përfshirë nga një valë protestash kundër përdorimit të hoteleve për strehimin e burrave azilkërkues.

Aktivistë lokalë, kryesisht banorë të zakonshëm, shprehin shqetësime për sigurinë e komuniteteve, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë për rritje të retorikës raciste dhe dhunës së ekstremit të djathtë.

Rreth 200 hotele në Britani po përdoren aktualisht për të strehuar azilkërkues, një vendim i qeverisë që ka ngjallur pakënaqësi të thellë në disa komunitete. Në hotelin “Bell” në Epping, ku qëndronin azilkërkues burra, protestat shpërthyen pas arrestimit të një shtetasi etiopian, i akuzuar për sulm seksual. Rasti ndezi reagime të forta dhe organizime protestash në të gjithë vendin.

Një prej protestueseve, Orla Minihane, një banore vendase dhe anëtare e partisë Reform UK, thotë se “nuk ndihet e sigurt për fëmijët” dhe e quan situatën të papranueshme. “Nëse kjo më bën të djathtë ekstreme, atëherë le të jetë kështu”, shprehet ajo.

Protestat janë shoqëruar nga pankarta me slogane si “Mbroni komunitetin tonë” dhe “Siguria e grave para të huajve”, ndërsa organizata antifashiste “Stand Up To Racism” ka paralajmëruar për praninë e grupeve të ekstremit të djathtë në disa prej tyre. Në disa raste, janë raportuar edhe përplasje fizike dhe kërcënime ndaj azilkërkuesve.

Nga ana tjetër, vetë azilkërkuesit thonë se kërkojnë vetëm mundësinë për një jetë të sigurt dhe punë të ndershme. Wael, një azilkërkues nga Libia që jeton në “The Bell”, thotë: “Njerëzit këtu na respektojnë. Dua të punoj, të luaj futboll, të ndërtoj jetën time.”

Megjithatë, për disa të rinj të tjerë azilkërkues, përvoja është më e vështirë. Ata raportojnë për ngacmime nga të rinj me motoçikleta dhe një atmosferë të frikshme jashtë hotelit. Një kalimtar madje thirri “Digjeni!” në drejtim të hotelit – një kujtim i hidhur i dhunës së verës së kaluar pas vrasjeve në Southport.

Iran/ Dhunohet një grua, autori e godet pasi nuk kishte vënë shaminë

By: e xh
9 August 2025 at 20:21

Pamje tronditëse të publikuara nga aktivistja iraniane Masih Alinejad tregon momentin kur një burrë në Iran shkelmon brutalisht një grua, vetëm pse nuk mbante hixhab, duke e hedhur përtokë me forcë.

Pamjet, të kapura nga një kamerë sigurie, tregojnë burrin e panjohur të veshur me pantallona kamuflazh teksa afrohet me dy gra që po ecnin në trotuar. Në një akt të paprovokuar dhune, ai shkelmon njërën prej tyre dhe largohet menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa gruaja rrëzohet dhunshëm në tokë.

Aktivistja Alinejad, e cila jeton në SHBA dhe është një nga zërat më të fortë për të drejtat e grave në Iran, shpërndau videon në rrjetet sociale, duke e komentuar:

“Kjo është siguria që demokracia iraniane u ofron grave.”

Ngjarja ka shkaktuar zemërim të gjerë në rrjetet sociale dhe te komuniteti ndërkombëtar, duke rikthyer vëmendjen mbi presionin ndaj grave në Iran dhe dhunën e institucionalizuar kundër atyre që sfidojnë ligjet e detyrueshme për mbulimin.

Ndërhyrja e policisë në ambientet e News 24, reagon MEKI: Është konform ligjit

By: e xh
9 August 2025 at 19:34

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka reaguar sa i përket ndërhyrjes së policisë së shtetit në ambientet e punës së Focus Group, ku ushtrojnë aktivitetin televizionet News 24, Panorama, BalkanWeb dhe Gazeta Shqiptare.

MEKI sqaron përmes një deklarate për mediat çështjen e pronësisë dhe kontratës së qerasë për ambientet në të cilat ushtron aktivitetin e tij grupi mediatik në fjalë.

Ministria rrëzon pretendimet e grupit mediatik “Focus Group” se për ambientet në fjalë posedojnë një kontratë qiraje që afat përfundimtar ka vitin 2033 dhe nënvizon se veprimet për marrjen në posedim faktik të kësaj prone janë në përputhje të plotë me ligjin dhe me vendimet e gjykatave.

“Pasuria është e regjistruar qartësisht si njësi e veçantë pronësore, pa lidhje me asnjë pronë tjetër të dhënë me qira përmes kontratave të ndryshme”, thekson Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

DEKLARATA PER SHTYP E MEKI:

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në vijim të interesit të lartë publik dhe për sqarimin e opinionit mbi pretendimet e paraqitura nga Shoqëria “Fokus Media News” lidhur me të ashtuquajturën vazhdimësi të kontratës së qirasë deri në vitin 2033, bën me dije sa vijon:

Pretendimi i shoqërisë se kontrata e saj e qirasë ka afat deri në vitin 2033 lidhet me një pasuri tjetër shtetërore, e ndryshme dhe pa asnjë lidhje juridike apo faktike me pasurinë e kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a.

Pasuria në fjalë është gjithashtu në pronësi të shtetit dhe ndodhet në zonën kadastrale nr. 8170, pasuria nr. 10/304, me sipërfaqe trualli 13,922 m², pranë ish-“Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve” në Shkozë. Për këtë pronë ekziston një tjeter kontratë qiraje e lidhur në vitin 2013 dhe e ndryshuar me aneks në vitin 2016 ndërmjet MFE, sot Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Shoqërisë Panorama Group Sha. me kohëzgjatje deri në 2033.

Në dallim nga kjo, pasuria që i është kaluar shoqërisë “KAYO” sh.a. me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 158, datë 12.3.2025, ishte fillimisht e dhënë me qira në vitin 2002 për një afat deri në vitin 2022 dhe ka qenë objekt i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, duke patur kundërpalë Shoqërinë “Focus Media News”.

Kontrata e qirasë e pretenduar si e vlefshme deri në vitin 2033 i referohet një pasurie tjetër, me numër dhe kufij të ndryshëm nga pasuria objekt i vendimeve gjyqësore dhe që nuk i është kaluar “KAYO” sh.a. Ky fakt konfirmohet nga dokumentacioni zyrtar i regjistrit kadastral dhe nga planet e rilevimit, të cilat tregojnë qartë se bëhet fjalë për njësi pronësore të ndryshme.

Çdo përpjekje për të paraqitur këto pasuri si të njëjta ose të lidhura, përfshirë referencat ndaj kontratave të tjera të qirasë, përveçse e pabazë është edhe një dizinformim nga ana e një media-je që duhet të tregojë të vërtetën. Asnjë interes material i pronarëve nuk e justifikon keqinformimin!

Pra janë dy gjëra e dy kontrata krejt të ndryshme dhe kjo e dyta nuk ka asnjë ndikim mbi vlefshmërinë, legjitimitetin apo ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë që detyrojnë lirimin e menjëhershëm të pasurisë së kaluar nga Këshilli i Ministrave shoqërisë “KAYO” sh.a., për realizimin e objektit të saj të aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit rikonfirmon se veprimet për marrjen në posedim faktik të kësaj prone janë në përputhje të plotë me ligjin dhe me vendimet e gjykatave, si dhe se pasuria është e regjistruar qartësisht si njësi e veçantë pronësore, pa lidhje me asnjë pronë tjetër të dhënë me qira përmes kontratave të ndryshme.

MEKI mbetet e hapur për çdo sqarim e informacion në interes të informimit korrekt të opinionit publik dhe të gjithë të interesuarve.

Shkoi si turist në Zvicër, 23-vjeçari shqiptar kapet në shitje kokaine

By: e xh
9 August 2025 at 19:03

Një 23-vjeçar shqiptar kishte shkuar si turist në Zvicër, por është kapur në trafik të kokainës.

I riu ishte bërë pjesë e një rrjeti shpërndarësish të drogës, teksa gjatë kontrollit të banesës iu zbuluan sasi kokainë, mijëra franga dhe euro cash, të ardhura nga aktiviteti kriminal.

Policia zviceranë ndërhyri menjëherë pas informacioneve të siguruara në Bellizona, teksa sekuestroi si provë materiale dhjetëra doza lëndë narkotike, 1 mijë franga dhe qindra euro në dhomë. Ai u arrestua të hënën në Bellinzona me akuzën e shkeljes së ligjit federal për narkotikët.

Sipas policisë dhe zyrës së prokurorit publik, i riu dyshohet se është përfshirë në trafikimin e drogës te klientët vendas, informon media.

Ai akuzohet gjithashtu për pastrim parash dhe shkelje të ligjit federal për të huajt. Arrestimi i tij është konfirmuar tashmë nga gjyqtari përgjegjës për masat shtrënguese.

Rusia i bashkohet vendeve të tjera, dënon planin e Izraelit për të pushtuar Gazën

By: e xh
9 August 2025 at 18:58

Pas vendeve të BE-së dhe OKB-së, është Rusia që dënon dhe hedh poshtë planin e Izraelit për të zgjeruar operacionet e tij ushtarake në Rripin e Gazës.

Deklarata u bë nga Ministria e Jashtme e Rusisë.

“Zbatimi i këtyre vendimeve dhe planeve, të cilat janë pritur me dënim dhe refuzim, rrezikon të përkeqësojë situatën tashmë jashtëzakonisht dramatike në enklavën palestineze, e cila mbart të gjitha shenjat e një katastrofe humanitare”, tha Moska në një deklaratë.

Gjithashtu ministrat e Jashtëm të Francës, Kanadasë, Austrisë dhe Norvegjisë nënshkruan deklaratën e përbashkët, së bashku me homologët e tyre nga Italia, Australia, Gjermania, Zelanda e Re dhe Mbretëria e Bashkuar, duke hedhur poshtë me forcë vendimin e Kabinetit të Sigurisë Izraelite për të nisur një operacion të mëtejshëm ushtarak në shkallë të gjerë në Rrip.

Zelensky flet në telefon me Macron, Starmer dhe liderë të tjerë evropianë

By: e xh
9 August 2025 at 18:53

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zhvilluar biseda telefonike me disa prej liderëve kryesorë evropianë, përfshirë Presidentin e Francës Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe Kryeministrin britanik Keir Starmer.

Në një postim në platformën X, Macron shkruan se ka folur si me Zelenskyn, ashtu edhe veçmas me Merz dhe Starmer, duke theksuar përkushtimin e tyre për të mbështetur Ukrainën. “Ne qëndrojmë të bashkuar dhe të përkushtuar në mbështetjen e Ukrainës, duke vazhduar punën brenda Koalicionit të të Vullnetshmëve,” shkruan Macron.

Ai shton se e ardhmja e Ukrainës nuk mund të vendoset pa pjesëmarrjen e ukrainasve, por edhe evropianët janë pjesë e domosdoshme e zgjidhjes, pasi siguria e tyre është e lidhur ngushtë me këtë proces.

Në orët e fundit, Zelensky ka zhvilluar biseda edhe me udhëheqës të tjerë evropianë:

Spanjë: Presidenti ukrainas foli me Kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, duke theksuar se “gjëja më e rëndësishme tani është të sigurohemi që Rusia të mos imponojë përsëri kushtet e saj jorealiste.” Ai shtoi se është thelbësore që udhëheqësit evropianë të kenë një qëndrim të unifikuar. “Zëri i Evropës duhet të merret seriozisht dhe ne po koordinojmë qëndrimin tonë të përbashkët,” tha Zelensky.

Finlandë: Zelensky zhvilloi bisedë edhe me Presidentin finlandez Alexander Stubb, ku u diskutua nevoja për veprime të mençura dhe të koordinuara për të kundërshtuar qëllimin e Rusisë për të zgjatur konfliktin dhe për të përvetësuar territore.

Zbulohet shënimi i fundit, çfarë shkroi dy ditë para vdekjes Mbretëresha Elizabeth

By: e xh
9 August 2025 at 18:46

Shënimi i fundit në ditarin personal të Mbretëreshës Elizabeth II, shkruar vetëm dy ditë para ndarjes së saj nga jeta, është zbuluar në faqet e një biografie të re mbretërore.

Sipas autorit britanik Robert Hardman, monarkja e ndjerë shkroi në ditarin e saj më 6 shtator 2022, ndërsa ndodhej në rezidencën e saj në Balmoral, vetëm dy ditë para se të ndërronte jetë në moshën 96-vjeçare. Detajet janë publikuar në versionin e përditësuar të librit “Charles III: New King. New Court. The Inside Story”, që doli në treg më 7 nëntor.

Shënimi i fundit: “Edward erdhi të më takonte”

Mbretëresha, e njohur për përpikmërinë e saj në mbajtjen e ditarit gjatë gjithë mbretërimit 70-vjeçar, kishte shënuar me dorë ngjarjet e ditës edhe në momentet kur shëndeti i saj po përkeqësohej.

Shënimi i fundit ishte i shkurtër dhe praktik: “Edward erdhi të më takonte”, një referencë për sekretarin e saj privat, Sir Edward Young, i cili e ndihmoi Mbretëreshën të përgatitej për betimin e ministrave të qeverisë së re të Liz Truss. Kjo ishte edhe detyra e saj e fundit publike, në 6 shtator, para se të ndërronte jetë më 8 shtator.

Ditarët mbretërorë: një zakon i pandalshëm

Mbretëresha nuk i përdorte ditarët si formë vetë-analize, por si regjistër të ngjarjeve ditore. “Nuk kam kohë të regjistroj biseda, vetëm ngjarje”, i kishte thënë ajo dikur sociologut Kenneth Rose.

Sipas burimeve nga Pallati Mbretëror, Elizabeth shkruante gjithmonë me stilolaps dhe bojë të zezë, në fletore të lidhura me lëkurë. Çdo hyrje shënohej me shifrën e saj dhe numërim romak. Ishte një rutinë që ajo nuk e anashkalonte kurrë, edhe në netët e vona apo në kushte të lodhjes fizike. “Ajo e bënte gjithmonë në tavolinë, kurrë në shtrat”, kujton një ish-punonjës i stafit për The Sun në vitin 2019.

Tradita e ditarit vazhdon me Mbretin Charles

Edhe djali i saj, Mbreti Charles III, mban një ditar, por në një formë më personale dhe reflektuese. Ndihmësit e tij thonë se ai nuk shkruan më në stilin narrativ si dikur, por përmbledh mendimet dhe përjetimet e ditës në fund të çdo mbrëmjeje.

Ndërtimet pa leje, Rama: Së shpejti masa të reja për shkelësit e ligjit

By: e xh
9 August 2025 at 18:33

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përsëri në lidhje me lirimin e hapësirave publike dhe ndërtimet pa leje.

Në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ka publikuar një video nga shembja e një objekti pa leje, ndërsa krahas saj shkruan; “Kjo video është për ata që kanë merakun e gabuar se s’po ndëshkohen shkelësit e mëdhenj, si edhe për të ritheksuar faktin që kjo ngrehinë këtu nuk është as e pari e as e fundit që rrafshohet për paligjshmëri, ndërkohë që të tjera procese sekuestrimesh po bëhen në Vlorë e jo vetëm, për shkelje brutale të lejeve të ndërtimit.  Njëkohësisht pakoja e re e masave që do të miratojmë së shpejti do të jetë një mesazh i qartë për të gjithë, ata që shkelin ligjin duke lënduar mjedisin e përbashkët po edhe ata që mbyllin sytë përpara shkelësve.”

Rama vlerëson aktet heroike të 2 efektivëve Troci e Mustaj:Mirënjohës për shembullin

By: e xh
9 August 2025 at 18:27

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar aktin heroik të efektivëve të policisë gjatë kohëve të fundit, i pari Agim Troci që u plagos duke luftuar me flakët në Sarandë dhe i dyti Klajdi Mustaj, që shpëtoi 3 udhëtarë teksa makina e tyre pas aksidentit mori flakë në aksin Levan-Fier.

Kreu i qeverisë tha sot nëpërmjet një postimi në rrjetin Instagram, se Policia e Shtetit nuk përfaqësohet nga ata që e turpërojnë, por ehde nga gra, vajza, djem dhe burra që punojnë me përkushtim dhe nga heronj si dy rastet e mësipërme.

“Kur një punonjës policie turpëron uniformën, me të drejtë të gjithë revoltohemi dhe padrejtësisht shumëkush shan të tërë policinë, por Policia e Shtetit nuk përfaqësohet nga ata që e turpërojnë, po nga mijëra burra, djem e vajza që punojnë me përkushtim, në mes të të cilëve ka edhe heronj si Agim Troci, i cili u hodh në zjarr për të shpëtuar nga zjarri të tjerët apo si Klajdi Mustaj, të cilit i jemi të gjithë mirënjohës për forcën e madhe të shembullit në shpëtimin e tre qytetarëve të dëmtuar gjatë një aksidenti në aksin rrugor Levan-Fier”, shkruan kryeministri.

Paqe mes Armenisë e Azerbajxhanit, Irani:Të mos ketë ndërhyrje të huaj pranë kufijve

By: e xh
9 August 2025 at 17:30

Ministria e Jashtme e Iranit përshëndeti të martën marrëveshjen e paqes të ndërmjetësuar nga SHBA-të midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, por paralajmëroi kundër “çdo ndërhyrjeje të huaj” dhe çdo prishjeje të sigurisë pranë kufijve të vendit.

Irani mirëpret “finalizimin e tekstit të marrëveshjes së paqes nga të dy vendet” në Uashington dje, por “shpreh shqetësimin e tij për pasojat negative të çdo ndërhyrjeje të huaj, në çdo formë, veçanërisht pranë kufijve të përbashkët”, tha ministria në një deklaratë.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Lamy gjithashtu përshëndeti “hapat e guximshëm” për paqen pas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA-të midis Jerevanit dhe Bakusë për të “normalizuar” marrëdhëniet e tyre.

“Urime Armenisë dhe Azerbajxhanit për hapat e guximshëm të ndërmarrë në Uashington drejt paqes. E përgëzoj presidentin e SHBA-së, Donald Trump për rolin e tij jetësor në këtë zhvillim vendimtar”, shkroi Lamy në X, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar “është e gatshme të mbështesë paqen në Kaukazin e Jugut, me kusht që të dyja palët të respektojnë angazhimet e tyre”.

Gaza/ Italia u vjen në ndihmë banorëve që vuajnë nga uria

By: e xh
9 August 2025 at 17:23

Teksa të paktën 1 milion banorë të gazës po vuajnë nga uria dhe kequshqyerja, në një prej krizave humanitare më të mëdha të shkaktuara nga lufta që Izraeli po i bën Hamasit prej më shumë se dy vitesh, nuk mungojnë përpjekjet e OKB-së dhe vendeve të ndryshme për të ndihmuar sadopak dhe zbutur këtë skamje.

Mes tyre është edhe Italia. Pamjet nga Ministria e Mbrojtjes tregojnë ushtrinë italiane duke u përgatitur për të hedhur ndihmë humanitare nga ajri në Rripin e Gazës, e ndjekur nga fluturimi i avionëve C-130 të Forcave Ajrore dhe shpërndarja e ushqimit nga ajri.

Kjo është faza e dytë e iniciativës humanitare “Operacioni Shtegu i Solidaritetit”, një mision i Mbrojtjes Italiane për të krijuar një transport ajror midis Jordanisë dhe Rripit të Gazës.

❌
❌