Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 11 August 2025Main stream

BERLIN –  Gjermania rrit tregtinë me vendet e  Lindjes, Polonia në krye

11 August 2025 at 12:21

BERLIN, 11 gusht /ATSH-DPA/ – Eksportuesit gjermanë shohin potencial të madh në tregtinë me Evropën lindore dhe juglindore mes pasigurisë globale, me Poloninë që po shfaqet si partner i veçantë, sipas Komitetit Gjerman për Marrëdhëniet me Evropën Lindore.

Ndërsa eksportet totale të Gjermanisë ranë me 0,1% në 786 miliardë euro (916 miliardë dollarë) në gjysmën e parë të vitit 2025, dërgesat drejt 29 vendeve të Evropës Qendrore e Lindore dhe Azisë Qendrore të ndjekura nga komiteti u rritën me 2,2%, duke arritur në 144 miliardë euro.

Rritja u nxitur nga shtimi i dukshëm i tregtisë dypalëshe me Poloninë, e cila arriti një rekord prej mbi 90 miliardë euro në gjysmën e parë të 2025-ës, një rritje prej 4.6 miliardë euro ose 5.4% krahasuar me një vit më parë.

Eksportet gjermane drejt Polonisë u rritën me mbi 2,6 miliardë euro (5,7%), duke tejkaluar eksportet drejt Kinës, ndërsa importet nga Polonia u rritën me 2 miliardë euro (5,2%).

Polonia është partneri i pestë më i madh tregtar i Gjermanisë, shumë afër Francës.

Partnerët kryesorë në gjysmën e parë të 2025-ës ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina dhe Holanda. /Ad.Ab./

 

 

The post BERLIN –  Gjermania rrit tregtinë me vendet e  Lindjes, Polonia në krye appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump kërkon largim të menjëhershëm të të pastrehëve nga Uashingtoni

11 August 2025 at 10:29

UASHINGTON, 11 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti i amerkan Donald Trump, ka kërkuar largimin e menjëhershëm të personave të pastrehë nga Uashingtoni.

“Të pastrehët duhet të largohen menjëherë”, shkroi mbrëmë Trump në rrjetin e tij social Truth Social, duke postuar foto që tregonin çadra dhe mbeturina përgjatë rrugës.

“Do t’ju japim vende ku të qëndroni, por larg nga kryeqyteti. Kriminelë, nuk keni pse të largoheni.  Do t’ju fusim në burg, aty ku e keni vendin”, shtoi ai.

Trump përmendi gjithashtu një konferencë shtypi të planifikuar për sot  ku do të trajtonte çështjet e krimit dhe të  pastërtisë në kryeqytet. Ai tha se qyteti duhet të bëhet  “më i sigurt dhe më i bukur se kurrë më parë”.

Uashingtoni, si kryeqytet i SHBA-së, është unik pasi qeveriset nga një kryebashkiake dhe një këshill vendor, por mbetet nën mbikëqyrje të konsiderueshme federale.

Sipas mediave amerikane, qeveria federale po harton plane për të dislokuar qindra trupa të Gardës Kombëtare për të zbatuar synimet e presidentit Trump, por ende nuk është marrë një vendim përfundimtar. /Ad.Ab./

The post SHBA – Trump kërkon largim të menjëhershëm të të pastrehëve nga Uashingtoni appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZË –  Pesë gazetarë të “Al Jazeera”-s vriten në një sulm izraelit

11 August 2025 at 07:52

TEL AVIV, 11 gusht /ATSH/  – Pesë gazetarë të “Al Jazeera”-s janë vrarë në një sulm izraelit pranë spitalit “Al-Shifa” të qytetit të Gazës, sipas BBC-së.

Korrespondentët Anas al-Sharif dhe Mohammed Qreiqeh, së bashku me kameramanët Ibrahim Zaher, Mohammed Noufal dhe Moamen Aliwa, ishin në një tendë për gazetarët në portën kryesore të spitalit kur u goditën për vdekje, raportoi “Al Jazeera”.

“Vrasja  ishte në tjetër sulm i hapur dhe i paramenduar ndaj lirisë së shtypit”, tha Al Jazeera” në një deklaratë.

Menjëherë pas sulmit, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) konfirmuan se kishin  goditur Anas al-Sharif, duke shkruar në një postim në Telegram se ai kishte “shërbyer si kreu i një qelize terroriste në Hamas”.

IDF nuk përmendi asnjë nga gazetarët e tjerë që u vranë.

Në total, shtatë persona vdiqën në sulm, raporton “Al Jazeera”. Transmetuesi fillimisht tha se katër nga stafi i tij ishin vrarë, por e ndryshoi atë në pesë disa orë më vonë.

Redaktori i saj menaxhues, Mohamed Moawad, i tha BBC-së se al-Sharif ishte një gazetar i akredituar i cili ishte “zëri i vetëm” që bota të dinte se çfarë po ndodhte në Rripin e Gazës.

Gjatë gjithë luftës, Izraeli nuk i ka lejuar gazetarët ndërkombëtarë të hyjnë në Gaza të raportojnë lirisht. Prandaj, shumë media mbështeten te gazetarët vendas brenda territorit për mbulim.

“Ata u goditën në tendën e tyre, nuk po mbulonin nga vija e frontit,” tha Moawad për sulmin izraelit.

“Fakti është se qeveria izraelite po dëshiron të heshtë mbulimin e çdo kanali raportimi nga brenda Gazës,” tha ai për programin “The Newsroom”. /Ad.Ab./

The post GAZË –  Pesë gazetarë të “Al Jazeera”-s vriten në një sulm izraelit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 10 August 2025Main stream

ART – Ekspozita e Edward Munch hapet në Chemnitz, kryeqyteti evropian i Kulturës për vitin 20025

10 August 2025 at 08:36

CHEMNITZ/GJERMANI, 10 gusht  /ATSH-DPA/ – Koleksionet e Artit të Chemnitz-it në Gjermaninë lindore i dedikohen artistit norvegjez Edward Munch me një ekspozitë që do të çelet sot.

Rreth 140 vepra do të ekspozohen, duke përfshirë pothuajse 100 vepra të vetë Munch-it, si dhe punë të artistëve të tjerë si Andy Warhol, Neo Rauch dhe Karl Schmidt-Rottluff, të cilat lidhen me pikturat dhe grafikët e Munch-it, thanë kuratorët.

Ekspozita e Munch-it konsiderohet një nga pikat kulmore të programit të Chemnitz-it gjatë vitit të tij si kryeqytet Evropian i Kulturës, së bashku me Nova Gorica-n e Sllovenisë, në kufi me Italinë.

Përveç motivit shumë të njohur botëror të Munch-it, “Krik”, i cili shfaqet si një litografi, një pikturë e shitur nga nazistët në vitin 1937 po kthehet në Chemnitz.

“Two people.The Lonely Ones”  (Dy njerëz, Të vetmuarit), e blerë për koleksionin në vitin 1928, tregon një grua dhe një burrë në një plazh nordik duke parë drejt detit. Midis tyre ekziston një distancë jo vetëm fizike, por edhe emocionale.

Pas pothuajse 90 vjetësh, ajo po shihet përsëri në Gjermani dhe për herë të parë në Chemnitz, tha drejtoresha e përgjithshme e koleksioneve të artit, Florence Thurmes.

Munch (1863-1944) konsiderohet një pionier i rëndësishëm i modernizmit. Ai kaloi disa javë në Chemnitz në vitin 1905 me ftesë të një sipërmarrësi të industrisë tekstile.

Gjatë kësaj kohe, u krijuan disa piktura dhe vizatime, dy prej të cilave janë në ekspozitë: portreti i Herbert Esche dhe piktura peizazhi “Pamje e Luginës së Chemnitz-it.”

Ekspozita mund të vizitohet deri më 2 nëntor në koleksionet e artit në sheshin Theaterplatz përpara operas së qytetit. /Ad.Ab./

The post ART – Ekspozita e Edward Munch hapet në Chemnitz, kryeqyteti evropian i Kulturës për vitin 20025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Kina hap dyqanin e parë në botë ku shiten vetëm … robotë

10 August 2025 at 08:03

PEKIN, 10 gusht /ATSH/ – Kina sapo ka hapur një qendër të re tregtare me katër kate që shet vetëm robotë… në rast se jeni në kërkim të tyre, sipas BBC-së

Kjo qendër ka gjithçka që ju duhet me një gamë të gjerë robotësh të disponueshëm. Ka një robot humanoid në madhësi reale që i ngjan fizikantit Albert Einstein, një robot që luan shah, qen robotë shtëpiakë dhe më shumë se 100 robotë të ndryshëm gjithsej.

Mbi 40 marka kineze, si “Ubtech”, “Robotics”, “Unitree Robotics”, dhe “Qendra Inovative e Robotëve Humanoidë” të Pekinit, kanë nxjerrë produktet e tyre në shitje në këtë qendër tregtare.

Sipërfaqja e prej mbi 43,000 metra katrorë, është vendosur në distriktin E-Town (Yizhuang) të Pekinit.

Sipas gazetës “Global Times”, robotët që shiten në këtë qendër mbulojnë fusha të ndryshme, duke përfshirë robotët mjekësorë, industrialë, bionikë dhe humanoidë.

Çmimet e robotëve variojnë nga 2 000 juanë (rreth 278 dollarë) deri në disa milionë juanë. (Roboti humanoid që flet dhe ngjan me Albert Einstein kushton 700,000 juanë, rreth 97,473 dollarë).

“Nëse robotët do të hyjnë në mijëra shtëpi, nuk mjafton të mbështetemi vetëm te kompanitë e robotikës,” tha Wang Yifan, drejtues i qendrës.  Qendra e Robotëve ndjek modelin “4S”,duke ofruar shitje, pjesë këmbimi, shërbim dhe sondazhe, shumë siç veprojnë tregtarët e makinave. /Ad.Ab./

 

The post SOFT NEWS – Kina hap dyqanin e parë në botë ku shiten vetëm … robotë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

BERLIN – Përçarje të konservatorëve gjermane pas ndalimit të armëve për Izraelin

9 August 2025 at 18:44

BERLIN. 9 gusht /ATSH-DPA/ – Vendimi i kancelarit gjerman Friedrich Merz për të pezulluar furnizimet me armë për Izraelin ka nxjerrë në pah përçarje brenda bllokut të tij konservator qeverisës, duke e shtyrë grupin e punës për çështjet e jashtme të caktojë një mbledhje urgjente për nesër.

Sipas burimeve nga grupi parlamentar, ekspertët e politikës së jashtme do të diskutojnë ndryshimin e kursit ndaj Izraelit.

Takime të tilla janë të zakonshme kur ndodhin zhvillime të rëndësishme, por burime të partisë thanë se organizimi i menjëhershëm i një takimi të dielën gjatë pushimeve verore tregon sa delikate është çështja.

Merz, i cili u bë kancelar në maj, njoftoi dje  se Gjermania do të ndalojë eksportet e pajisjeve ushtarake për Izraelin që mund të përdoren në fushatën 22-mujore në Rripin e Gazës.

Ky hap, një ndryshim i madh për një nga mbështetësit më të afërt të Izraelit, erdhi pasi kabineti i sigurisë së Izraelit miratoi planet për një ofensivë të re për të marrë nën kontroll qytetin e Gazës, qendra urbane më e madhe në territorin palestinez të shkatërruar.

Megjithatë, brenda vetë partisë së tij CDU, si edhe në partinë simotër bavareze CSU, ka përçarje.

Deputeti i CDU-së dhe eksperti i politikës së jashtme Norbert Röttgen i tha sot gazetës “Rheinische Post” se ai e mbështet ndalimin e eksporteve.

“Ky reagim është i drejtë dhe fatkeqësisht është bërë i pashmangshëm për shkak të vendimeve të fundit të qeverisë izraelite”, tha ai

Ndërkohë, kolegu i tij në parti Carsten Müller shkroi në X se e dënon “me termat më të ashpra” vendimin e qeverisë federale.

Rinia e CDU-së e quajti lëvizjen një “shkëputje” nga parimet e partisë, ndërsa nënkryetari i grupit të punës për politikën e jashtme, ligjvënësi i lartë Roderich Kiesewetter, e cilësoi atë si “gabimin serioz politik dhe strategjik të Gjermanisë”. /Ad.Ab./

 

The post BERLIN – Përçarje të konservatorëve gjermane pas ndalimit të armëve për Izraelin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjermani – Një muzeum organizon mbrëmje “nudo” në ekspozite

9 August 2025 at 18:03

SHTUTGART, 9 gusht /ATSH-DPA/ – Vizitorët e muzeut “House of History” (Shtëpia e Historisë”  në Shtutgart do të ftohen të zhvishen deri te këpucët për të marrë pjesë në ekspozitën “Not i lire së bashku” në dy mbrëmje të ardhshme.

Muzeu, i vendosur në kryeqytetin e landit jugperëndimor Baden-Württemberg, synon të theksojë ndryshimin e qëndrimeve ndaj notit dhe trupit të njeriut.

“Në pishinë pasqyrohet shoqëria. Një shumëllojshmëri njerëzish me mënyra jetese dhe koncepte morale të ndryshme takohen në pishinat publike , ndonjëherë më në harmoni e ndonjëherë më pak”, thuhet në faqen e tij zyrtare.

Muzeu kujton se dikur të pasurit dhe të varfrit laheshin veçmas, ashtu si gratë dhe burrat. “Gjatë periudhës naziste, popullsia hebreje dhe ‘të huajt’ përjashtoheshin. Edhe më herët, invalidët e luftës nuk lejoheshin të hynin. Pamja e tyre konsiderohej e papranueshme”, vazhdon njoftimi.

Duke iu referuar kufizimeve të sotme, thuhet se liria dhe lëvizja e lirë janë sërish tema debati. “A kanë nevojë gratë dhe personat me aftësi të kufizuara për një ‘hapësirë të mbrojtur’? A e ndihmon apo e dëmton toplessi feminismin? A është pranimi i mbulimit maksimal prapakthim apo përparim”?, shtrohet  pyetja nga muzeu.

Shoqata gjermane “Get Naked” beson se ka ardhur koha që nudoja të mos shihet më si diçka e jashtëzakonshme dhe të mos lidhet automatikisht me seksin.

“Shtëpia e Historisë” po prezanton një ekspozitë me mbi 200 artefakte dhe fotografi, e cila do të zgjasë deri më 14 shtator, për të treguar se si seksizmi dhe racizmi, konceptet morale, përjashtimi dhe paragjykimet kanë lënë gjurmë në larjen publike, krahas të drejtave të barabarta dhe demokracisë.

Ngjarje të ngjashme janë zhvilluar më herët në Paris, Marsejë, Bruksel dhe Hanover. /Ad.Ab./

 

The post Gjermani – Një muzeum organizon mbrëmje “nudo” në ekspozite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Lammy,Vance dhe aleatë europiane të sigurisë takohen për Ukrainën  

9 August 2025 at 17:47

LONDËR. 9 gusht /ATSH-DPA/ – Sekretari i Jashtëm britanik David Lammy do të presë sonte një takim të këshilltarëve të sigurisë kombëtare të aleatëve, ndërkohë që  presidenti amerikan Donald Trump po përpiqet të arrijë një marrëveshje paqeje për Ukrainën.

“Downing Street” njoftoi se në takimin që do të zhvillohet në rezidencën zyrtare në Chevening do të marrin pjesë këshilltarë nga SHBA-ja, Evropa dhe Ukraina për të “diskutuar progresin drejt sigurimit të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”.

Takimi organizohet me kërkesë të SHBA-së dhe bashkëpritës do të jetë gjithashtu  zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, i cili po qëndron në Kent për pushime.

Ky zhvillim vjen pas njoftimit të presidentit Trump se ai do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë më 15 gusht për të diskutuar rreth përfundimin të luftës në Ukrainë.

Presidenti amerikan kishte sugjeruar më parë se çdo marrëveshje paqeje mund të përfshijë “disa shkëmbime territori,” me raporte që sugjerojnë se Ukraina mund të dorëzojë rajonin e Donetskut.

Por presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka refuzuar çdo propozim që do të komprometonte integritetin territorial të Ukrainës, duke thënë se Kievi “nuk do t’i japë Rusisë asnjë shpërblim për atë që ka bërë” dhe se “ukrainasit nuk do t’i japin tokën e tyre pushtuesit.”

Kushtetuta e Ukrainës ndalon dorëzimin e territoreve.

Zelensky paralajmëroi gjithashtu se çdo marrëveshje paqeje që do të përjashtonte Ukrainën do të çonte në “zgjidhje të vdekura”. /Ad.Ab./

The post BM – Lammy,Vance dhe aleatë europiane të sigurisë takohen për Ukrainën   appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ARKEOLOGJI – Studiuesit: Pompei u ripopullua pas shpërthimit të vitit 79

9 August 2025 at 17:09

ROMË, 9 gusht /ATSH/ – Zbulime të reja arkeologjike në qytetin e lashtë të Pompeit kanë hedhur dritë mbi një nga misteret më të mëdha të historisë romake. Studiuesit kanë gjetur prova konkrete që sugjerojnë se qyteti, i cili u shkatërrua nga shpërthimi katastrofik i malit Vezuv në vitin 79 pas Krishtit, është ripopulluar pjesërisht pas fatkeqësisë, sipas “The Guardian”.

Për dekada me radhë, historianët dhe arkeologët kanë debatuar nëse ndonjë pjesë e qytetit ishte banuar përsëri pas shpërthimit. Tani, gërmime të fundit kanë zbuluar struktura të ndërtuara mbi rrënojat e mëparshme, si dhe objekte që datojnë dekada pas vitit 79, duke përfshirë monedha, vegla bujqësore dhe mbetje të aktivitetit të përditshëm.

Sipas ekspertëve, këto zbulime tregojnë se, ndonëse qyteti nuk u rindërtua plotësisht, zona të caktuara të Pompeit mund të jenë përdorur sërish, ndoshta për bujqësi, tregti apo si vendbanime të përkohshme. Kjo provon se jeta në këtë pjesë të Italisë nuk u ndal plotësisht nga tragjedia.

Ky zbulim është një hap i rëndësishëm për të kuptuar më mirë si reaguan njerëzit ndaj katastrofave natyrore në antikitet dhe si përpiqeshin të rindërtonin jetën në zonat e prekura. /Ad.Ab./

 

The post ARKEOLOGJI – Studiuesit: Pompei u ripopullua pas shpërthimit të vitit 79 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Qindra protestues  në Londër sfidojnë  ndalimin e “ Palestine Action”

9 August 2025 at 16:09

LONDËR, 9 gusht  /ATSH-DPA/ – Qindra persona pritet të rrezikojnë arrestimin sot në Londër, për të treguar mbështetje për “Palestine Action”, duke sfiduar nxjerrjen e saj jashtë ligjit si grup terrorist.

Policia Metropolitane tha se ka thirrur oficerë nga forca të tjera për të ndihmuar në krijimin e një “pranie të konsiderueshme policore” në kryeqytet, për shkak të një fundjave të ngarkuar me protesta.

Më shumë se 500 persona pritet të mbajnë pankarta në mbështetje të “Palestine Action” në sheshin e Parlamentit, pasi organizatorët e “Defend Our Juries” njoftuan për zhvillimin e kësaj proteste.

Ndalimi nënkupton se anëtarësimi ose mbështetja për “Palestine Action” është vepër penale e dënueshme deri në 14 vite burg, sipas “Ligjit për Terrorizmin” të vitit 2000.

Një zëdhënës i ministrisë së Brendshme tha se “nxerrja jasht[ ligjit e ‘Palestine Action’ nuk ka të bëjë me Palestinën dhe nuk ndikon në lirinë për të protestuar mbi të drejtat palestineze. Ai zbatohet vetëm për këtë organizatë specifike, e cila nuk përfaqëson mijëra njerëz në vend që ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar për çështje të ndryshme”.

“Vendimi u mor mbi bazën e këshillave të forta të sigurisë dhe rekomandimit unanim të grupit qeveritar për rishikimin e ndalimeve, pas sulmeve serioze që grupi ka kryer, duke përfshirë dhunë, lëndime të rënda dhe dëme të mëdha materiale. Gjithashtu, u mor parasysh edhe vlerësimi i Qendrës së Përbashkët të Vlerësimit të Terrorizmit, se ‘Palestine Action’ përgatitet për akte terroriste, si dhe informacione shqetësuese për plane dhe ide për sulme të tjera, detajet e të cilave nuk mund të bëhen publike për shkak të procedurave gjyqësore në vazhdim”,  shtoi zëdhënësi

Ngjarje të tjera të mëdha në Londër këtë fundjavë përfshijnë ndeshjen e “Community Shield” mes Liverpool-it dhe Crystal Palace në stadiumin “Wembley,” e cila kërkon gjithashtu një prani të madhe forcash të policisë. /A.Ab./

 

The post BM – Qindra protestues  në Londër sfidojnë  ndalimin e “ Palestine Action” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

POLONI – Presidenti i ri Nawrocki i ftuar në Shtëpinë e Bardhë në shtator

9 August 2025 at 15:02

VARSHAVË, 9 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti i ri polak Karol Nawrocki, ka marrë një ftesë për t’u takuar me presidentin amerikan Donald Trump gjatë një vizite pune në Shtëpinë e Bardhë muajin e ardhshëm, njoftoi sot zyra e Nawrockit.

Ftesa u shoqërua me mesazhin e urimit të Trump-it me rastin e ardhjes në detyrë të Nawrockit, thuhet në njoftim.

Nawrocki, një konservator i krahut të djathtë dhe kundërshtar politik i kryeministrit polak Donald Tusk, është një admirues i hapur i  presidentit Trump.

Nawrocki, me profesion historian, është zyrtarisht i pavarur, por shihet si i afërt me partinë nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS). Ai doli fitues në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në fillim të qershorit.

Trump e priti Nawrockin, një “diletant” në skenën politike botërore, në maj gjatë fushatës zgjedhore polake, në Shtëpinë e Bardhë dhe publikoi një foto ku të dy shihen në “Zyrën Ovale” duke bërë shenjën “thumbs-up”.

Vizita dhe fotografia u panë si një shtysë për shanset e Nawrockit për zhjedhjen e tij në postin  e presidentit. /Ad.Ab./

 

The post POLONI – Presidenti i ri Nawrocki i ftuar në Shtëpinë e Bardhë në shtator appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Ruanda do të pranojë deri në 250 emigrantë nga SHBA-ja

8 August 2025 at 22:50

KIGALI, 8 gusht /ATSH/ – Qeveria e Ruandës tha se do të pranojë deri në 250 emigrantë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas një marrëveshjeje të arritur me Uashingtonin, por pa dhënë detaje mbi kategoritë e personave që mund të zhvendosen në vend, sipas ”The Guardian”.

Fushata e dëbimeve e administratës Trump ka përfshirë edhe marrëveshje për të dërguar persona në vende të treta, ndër të cilat Sudanin e Jugut dhe Esvatinin.

 “Ruanda ka rënë dakord me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të pranojë deri në 250 emigrantë,” tha zëdhënësja e qeverisë, Jolande Makolo.

Sipas saj, marrëveshja u pranua sepse pothuajse çdo familje ruandeze kishte përjetuar vështirësitë e zhvendosjes.

Emigrantëve që mbërrijnë do t’u ofrohet trajnim, kujdes shëndetësor dhe strehim.

Nuk ka ende një afat kohor për zbatimin e planit, ndërsa qeveria tha se detaje të tjera do të jepen më vonë.

Që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump ka ndërmarrë disa hapa për të përshpejtuar dëbimin e emigrantëve të paligjshëm drejt vendeve që nuk janë vendlindja e tyre.

Administrata e tij e ka mbrojtur këtë praktikë duke thënë se disa shtete nuk pranojnë kthimin e shtetasve të tyre. /Ad.Ab./

The post FOKUS – Ruanda do të pranojë deri në 250 emigrantë nga SHBA-ja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRLANDË – Dublini drejt ndalimit të tregtisë me vendbanimet izraelite

8 August 2025 at 22:28

DUBLIN, 8 gusht /ATSH-DPA/ – Irlanda synon të vazhdojë me miratimin e një ligji që ndalon importin e mallrave nga vendbanimet izraelite të paligjshme në territoret e pushtuara palestineze.

Kjo vjen pasi më shumë se dhjetra anëtarë të kongresit amerikan kanë kërkuar që Irlanda të futet në listën e vendeve që bojkotojnë Izraelin nëse miratohet ligji.

Zëvendëskryeministri irlandez Simon Harris deklaroi se, pavarësisht kundërshtimeve, Irlanda ka për qëllim të miratojë projektligjin.

Vendimi vjen mes kritikave globale ndaj Izraelit, pas miratimit nga kabineti i sigurisë i Izraelit të një plani për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës.

Koalicioni qeveritar irlandez, i përbërë nga Fine Gael, Fianna Fail  dhe një grup të pavarurish, ishte zotuar për ndalimin e importit të mallrave nga territoret palestineze të pushtuara në programin e qeverisë së janarit.

“Njerëzit në Irlandë, në Evropë dhe në gjithë botën ndihen jashtëzakonisht të shqetësuar për aktivitetet gjenocidi që po shohim në Gaza, për fëmijët që po vdesin nga uria, dhe ne do të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion”, u shpreh Harris sot për gazetarët.  /Ad.Ab./

The post IRLANDË – Dublini drejt ndalimit të tregtisë me vendbanimet izraelite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Shtëpia e Bardhë: Azerbajxhani dhe Armenia do të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje

8 August 2025 at 22:15

UASHINGTON, 8 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump planifikon të presë sot në Shtëpinë e Bardhë, një “samit paqeje” mes kundërshtarëve të hershëm, Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Trump e njoftoi takimin në platformën e tij “Truth Social”, duke thënë se presidenti azerbajxhanas Ilham Aliyev dhe kryeministri armen Nikol Pashinyan do të merrnin pjesë në këtë samit.

Zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane thanë se dy liderët do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët për ndërtimin e një rruge tregtare në jug të Armenisë – e cila do të quhet “Trump Route for International Peace and Prosperity”,  (Rruga Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar).

Kjo rrugë do t’i japë Azerbajxhanit qasje të pakufizuar në eklavën e tij autonome të Nakhçivanit.

Kjo enklavë është e shkëputur nga pjesa tjetër e Azerbajxhanit dhe rrethohet nga Armenia, Irani dhe Turqia.

Projekti, që SHBA-ja e sheh si pjesë të një traktati më të gjerë paqeje, synon të nxisë tregtinë, tranzitin dhe transportin e energjisë në Kaukazin e Jugut.

Zyrtarët amerikanë thanë se do të vendosen garanci për të siguruar përdorimin paqësor të rrugës.

Presidenti Trump tha se SHBA-ja do të nënshkruajë gjithashtu marrëveshje bilaterale me të dy vendet për të zgjeruar mundësitë ekonomike dhe për të çliruar plotësisht potencialin e rajonit të Kaukazit të Jugut. /Ad.Ab./

 

The post SHBA – Shtëpia e Bardhë: Azerbajxhani dhe Armenia do të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BJELLORUSI – Lukashenko: Nuk do të kandidoj sërish për president

8 August 2025 at 22:07

MINSK, 8 gusht /ATSH-DPA/ – Udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, deklaroi se nuk ka ndërmend të kërkojë një tjetër mandat presidencial.

“Jo, nuk kam ndërmend ta bëj këtë”, tha Lukashenko në një intervistë me video të publikuar sot nga revista amerikane “Time”në Minsk.

Lukashanko ka qenë president i Bjellorusisë që nga viti 1994, duke e afruar vendin ngushtë me Moskën nën udhëheqjen e presidentit rus Vladimir Putin.

Ai pritet të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2030, pasi fitoi një tjetër mandat në janar, zgjedhje të cilat u konsideruan nga komuniteti ndërkombëtar si as të lira dhe as të ndershme.

Ai mohoi që djali i tij më i vogël, Nikolai, 20 vjeç, të mund ta pasojë një ditë si president.

Edhe pse nuk e përjashtoi mundësinë që pasardhësi i tij të ndjekë një kurs tjetër politik, ai theksoi se “njeriu që do të udhëheqë Bjellorusinë nuk duhet t’i hedhë gjërat poshtë menjëherë”.

Intervista me një media amerikane shihet si shenjë e një zbutjeje të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara nën presidentin Donald Trump, i cili pritet të takohet me Putinin në ditët e ardhshme për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë. /Ad.Ab./

 

The post BJELLORUSI – Lukashenko: Nuk do të kandidoj sërish për president appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MUZIKË – Fansat e Taylor Swift mblidhen në Vjenë, një vit pas alarmit për terrorizëm

8 August 2025 at 21:40

VJENË, 8 gusht /ATSH-DPA/ – Disa qindra fansa të Taylor Swift u mblodhën sot në Vjenë, një vit nga alarmi për terrorizëm që shoqëroi koncertet e planifikuara të yllit amerikan në kryeqytetin austriak.

Fansat kënduan së bashku, shkëmbyen byzylykë miqësie dhe zbuluan një pllakë përkujtimore që promovon miqësinë dhe dënon urrejtjen.

Tubimi u zhvillua në rrugën “Corneliusgasse”, emri i së cilës lidhet me këngën e Swift “Cornelia Street”.

Frika nga një sulm i afërt detyroi organizatorët të anulonin tre koncerte të Swift në Vjenë në gusht 2024.

Një vit më parë, “Corneliusgasse” ishte bërë pikë takimi për shumë fansa që kishin udhëtuar në qytet për koncertet dhe vazhduan të festonin pavarësisht anulimeve të eventit muzikor.

“Pllaka përkujtimore shërben si kujtesë që urrejtja nuk ka vend këtu, dhe nuk do të lejojmë që terrori dhe urrejtja të na marrin gëzimin e muzikës dhe jetës”, tha organizatori i klubit të fansave, Lex Dimitrijevic.

Swift kishte planifikuar të performonte përpara 65 000 fansa në stadiumin “Ernst Happel” më 8, 9 dhe 10 gusht si pjesë e turneut të saj “Eras”.

Pak para koncertit të parë, një i dyshuar dhe bashkëpunëtorët e tij u arrestuan.

I dyshuari kryesor, tani 20 vjeç, po planifikonte një sulm terrorist islamik  ndaj koncertit. /Ad.Ab./

 

The post MUZIKË – Fansat e Taylor Swift mblidhen në Vjenë, një vit pas alarmit për terrorizëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Netanyahu kritikon Gjermaninë për ndalimin e armëve ndaj Izraelit

8 August 2025 at 20:53

TEL AVIV, 8 gusht  /ATSH-DPA/  Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka akuzuar Gjermaninë se po “shpërblen” Hamasin me vendimin e saj për të ndaluar eksportin e armëve drejt Izraelit, të cilat mund të përdoreshin në luftën 22-mujore në Rripin e Gazës.

Zyra e tij njoftoi se ai e shprehu zhgënjimin në një bisedë sot me kancelarin gjerman Friedrich Merz.

“Sipas deklaratës, në vend që të mbështesë luftën e drejtë të Izraelit kundër Hamasit, i cili kreu sulmin më të rëndë ndaj hebrenjve që nga Holokausti , Gjermania po shpërblen terrorizmin e Hamasit me një embargo armësh ndaj Izraelit”,  thuhet në njoftim.

Netanyahu i ka thënë Merz se qëllimi i Izraelit nuk është marrja nën kontroll e Rripit të Gazës, por çlirimi i tij nga Hamasi.

Vendimi i Merz, që përbën një ndryshim të madh në politikën e jashtme gjermane, u mor disa orë pasi Këshilli i Sigurisë i Izraelit ra dakord për një ofensivë të re ushtarake për të marrë nën kontroll qytetin e Gazës. /Ad.Ab./

 

The post TEL AVIV – Netanyahu kritikon Gjermaninë për ndalimin e armëve ndaj Izraelit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – JD Vance: SHBA-BM mospërputhje për Gazën, por ndajnë të njëjtin qëllim

8 August 2025 at 19:14

LONDËR, 8 gusht /ATSH-DPA/ Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha se SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë “mospërputhje” mbi mënyrën se si t’i përgjigjen krizës në Gaza, por ndajnë një qëllim të përbashkët për t’i dhënë fund luftës, gjatë takimit sot me ministrin e Jashtëm britanik, David Lammy, për çështjet e Lindjes së Mesme dhe të Ukrainës.

Vance konfirmoi se Uashingtoni nuk ka “asnjë plan” për të njohur Palestinën, të cilën Britania e Madhe ka premtuar ta njohë nëse Izraeli nuk pranon një armëpushim.

Ai lavdëroi “mikun e tij të mirë” Lammy dhe tha se Britania e Madhe  dhe SHBA-ja duhet të punojnë bashkë për të “sjellë më shumë paqe” në botë, pasi “kanë shumë gjëra të përbashkëta”.

Megjithatë, Vance u shpreh qartë se ekzistojnë dallime në qëndrimet mes dy qeverive mbi mënyrën e trajtimit të luftës dhe krizës humanitare në Gaza.

I pyetur nga gazetarët mbi planet britanike për të njohur Palestinën, ai tha se “qartësisht, Britania e Madhe do të marrë vendimin e vet. Ne nuk kemi plane për të njohur shtetin palestinez. Nuk e di se çfarë do të thotë realisht ta njohësh një shtet palestinez duke pasur parasysh mungesën e një qeverie funksionale atje”.

Ai shtoi se të dy palët duan ta “zgjidhin problemin” e Gazës, por “mund të kenë disa mospërputhje mbi mënyrën e realizimit të atij qëllimi Është një situatë e vështirë dhe nuk mund të dimë saktësisht si ta zgjidhim një problem kaq kompleks”. /Ad.Ab./

The post LONDËR – JD Vance: SHBA-BM mospërputhje për Gazën, por ndajnë të njëjtin qëllim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KALIFORNI – Zjarri detyron evakuimin e mijëra banorëve në veri të Los Anxhelesit

8 August 2025 at 18:34

LOS ANXHELES, 8 gusht /ATSH/ – Një zjarr i madh në zonat në veri të Los Anxhelosit ka detyruar mijëra njerëz të evakuohen, sipas Ap-së

“Canyon Fire”, që nisi dje pasdite, u përhap me një shpejtësi mbi 19.7 km² deri në orën 23:00 dhe po përparon drejt lindjes, duke hyrë në Los Anxhelos, sipas departamentit të zjarrfikësve të kontesë Ventura.

Të paktën 400 forca zjarrfikëse, si dhe avionë e helikopterë, janë angazhuar në përballjen me flakët. Zjarri është afër liqenit “Piru” dhe pranë zonës rekreative “Lake Castaic”, që u prek më parë nga zjarri “Hughes” në janar.

Kushtet atmosferike janë të favorshme për përhapjen e flakëve; mot me diell, i nxehtë dhe i thatë, temperatura rreth 38°C dhe lagështi minimale.

Dymijë e shtatëqind persona janë evakuuar, ndërsa 700 struktura janë nën urdhër evakuimi. Mbi 14 000 banorë dhe 5 000 struktura janë nën paralajmërim evakuimi.

Zyrtarët paralajmërojnë se rreziku nga zjarret do të mbetet i lartë në Kaliforni gjatë fundjavës, ndërsa një tjetër zjarr masiv në “Los Padres National Forest” është aktualisht më i madhi i këtij viti në shtet, duke djegur një sipërfaqe mbi 402 km²  dhe duke kërcënuar qindra shtëpi. /Ad.Ab./

 

The post KALIFORNI – Zjarri detyron evakuimin e mijëra banorëve në veri të Los Anxhelesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ANALIZË – Ushtarët ukrainas skeptikë për paqe, ndërsa skadon afati i Trump për Rusinë  

8 August 2025 at 17:54

DNIPROPETROVKS, 8 gusht /ATSH/ – Ushtarët ukrainas në fushën e betejës  u shprehën sot skeptikë  për një zgjidhje diplomatike të luftës, ndërsa afati i presidentit amerikan Donald Trump për Kremlinin që të bëjë paqe mbërriti, dhe ai po shqyrton një samit të mundshëm me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar mbi pushtimin e Ukrainës, sipas AP-së.

I zhgënjyer  që Putin nuk iu përgjigj thirrjeve të tij për të ndaluar bombardimin e qyteteve ukrainase, Trump, gati dy javë më parë, e afroi ultimatumin e tij për vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj Rusisë dhe vendosjen e tarifave dytësore ndaj vendeve që blejnë naftë ruse, nëse Kremlini nuk ndërmerr hapa drejt një marrëveshjeje.

Nuk ishte e qartë se çfarë hapash kishte ndërmend të ndërmerrte sot presidenti  Trump. Kur u pyet dje nëse afati do të zbatohej, Trump duke iu referuar  Putinin tha se “varet nga ai. Do të shohim çfarë do të thotë. Varet nga ai.  Jam shumë i zhgënjyer”.

Përpjekjet e Trump për të ushtruar presion mbi Putinin që të ndalojë luftimet nuk kanë sjellë deri tani asnjë përparim. Ushtria më e madhe e Rusisë po avancon ngadalë më thellë në Ukrainë me kosto të mëdha në trupa dhe pajisje, ndërsa vazhdon të bombardojë qytetet ukrainase.

Rusia dhe Ukraina janë ende shumë larg në kushtet e tyre për paqe.

Ushtarët ukrainas thonë se janë gati të vazhdojnë luftën

Forcat ukrainase janë të angazhuara në beteja intensive përgjatë një vije fronti  prej 1 000 kilometrash  që shtrihet nga verilindja në juglindje të Ukrainës.

Zona e Pokrovskut në rajonin lindor të Donetskut po merr goditjen kryesore, ndërsa Rusia kërkon të depërtojë në rajonin fqinj të Dnipropetrovskut. Ukraina ka mungesë të konsiderueshme të fuqisë punëtore ushtarake.

Luftime të ashpra po zhvillohen gjithashtu në rajonin verior të Sumit, pranë kufirit, ku forcat ukrainase po përballen me ushtarët rusë për të penguar dërgimin e përforcimeve nga aty drejt Donetskut.

Në zonën e Pokrovskut, një komandant tha se beson që Moska nuk është e interesuar për paqe.

“Është e pamundur të negociohet me ta. Opsioni i vetëm është t’i mposhtim”, tha Buda, komandant i brigades” Spartan”.. Ai përdori vetëm nofkën e tij, në përputhje me rregullat e ushtrisë ukrainase.

“Do të doja që ata të bien dakord dhe që e gjithë kjo të ndalet, por Rusia nuk do të pajtohet. Nuk dëshiron të negociojë. Pra, opsioni i vetëm është t’i mposhtim”, shtoi ai.

Në rajonin jugor të Zaporizhjës, një komandant i artilerisë me nofkën “Varshava “ tha se trupat janë të vendosura të zmbrapsin pushtimin rus.

“Ne jemi në tokën tonë, nuk kemi ku të shkojmë”, tha ai. “Kështu që qëndrojmë, nuk kemi zgjedhje”.

 Putin zhvillon një sërë telefonatash

Kremlini njoftoi sot se presidenti Putin pati një bisedë telefonike me liderin kinez Xi Jinping, gjatë së cilës ai e informoi atë për rezultatet e takimit të tij më herët këtë javë me të dërguarin e Trump, Steve Witkoff.  Zyrtarët rusë thanë se Xi “shprehu mbështetje për zgjidhjen afatgjatë të krizës ukrainase”.

Putin pritet të vizitojë Kinën muajin e ardhshëm. Kina, së bashku me Korenë e Veriut dhe Iranin, kanë ofruar mbështetje ushtarake për përpjekjet e Rusisë në luftë, sipas SHBA-së.

Kryeministri indian Narendra Modi tha në X se kishte zhvilluar gjithashtu  një telefonatë me Putinin për të folur mbi zhvillimet e fundit në Ukrainë. Trump nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv për të vendosur një tarifë shtesë prej 25% ndaj Indisë për blerjet e saj të naftës ruse, të cilat, sipas presidentit amerikan, po ndihmojnë në financimin e luftës së Rusisë.

Telefonatat e Putinit pasuan bisedat e tij me liderët e Afrikës së Jugut, Kazakistanit, Uzbekistanit dhe Bjellorusisë, tha Kremlini.

Analistët thonë se Putin po synon të lodhë Perëndimin

Trump  njoftoi dje se do të takohej me Putinin edhe nëse ky i fundit nuk pranon të takohet me homologun ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Kjo ka ngjallur frikë në Evropë se Ukraina mund të anashkalohet në përpjekjet për të ndalur konfliktin më të madh në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore.

Komentet e Trump pasuan një deklaratë të Putinit se ai shpreson të takohet me Trumpin që javën e ardhshme, ndoshta në Emiratet e Bashkuara Arabe. Shtëpia e Bardhë tha se ende po punon për detajet e çdo takimi të mundshëm.

“Instituti për Studimin e Luftës” në Uashington u shpreh dje në një vlerësim se “Putin mbetet i painteresuar për t’i dhënë fund luftës dhe po përpiqet të marrë lëshime bilaterale nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës paa u angazhuar në mënyrë domethënëse në një proces paqeje”.

“Putin vazhdon të besojë se koha është në anën e Rusisë dhe se ajo mund të lodhë Ukrainën dhe Perëndimin”, shtoi instituti .

Orban dëshiron që Evropa të përfshihet më shumë në zgjidhjen e  konfliktit

Kryeministri hungarez Viktor Orban tha sot  se Evropa duhet të marrë drejtimin në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit.

Orban tha se liderët e Gjermanisë dhe Francës duhet të shkojnë në Moskë “për të negociuar në emër të Evropës”. Përndryshe, “do të mbetemi jashtë menaxhimit të çështjeve të sigurisë së kontinentit tonë”,  tha Orbán për kanalin shtetëror hungarez.

Orban, një kritik i ashpër i Bashkimit Evropian, tha se shqetësimet e Evropës se një samit Trump–Putin mund të mos adresojë interesat e kontinentit, do të thotë se ajo duhet të marrë iniciativën diplomatike. /Ad.Ab./

 

The post ANALIZË – Ushtarët ukrainas skeptikë për paqe, ndërsa skadon afati i Trump për Rusinë   appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌