Klipi “Levitating” i Dua Lipës tejkalon shifrën e një miliard klikimeve në YouTube – kënga e saj e tretë që kap këtë sukses
Hiti i Dua Lipës, “Levitating”, vazhdon të ngjitet në majat e suksesit, pasi videoja plot energji e këngës ka kaluar tashmë shifrën e një miliard shikimeve në YouTube. Ky është klipi i tretë i artistes me prejardhje kosovare që arrin këtë sukses, pas “New Rules” (2017) dhe “No Lie”.
Videoklipi, i realizuar nga regjisori Warren Fu në bashkëpunim me TikTok-un, e sjell këngëtaren në një portal galaktik që duket si një ashensor retro. E veshur me një fustan blu me shkëlqim dhe grim me xixa në sy – në përputhje me vargjet “Glitter in my eye, shining just the way you like” – Dua dhe miqtë e saj vallëzojnë mbi ritmet e hitit.
Në video shfaqet edhe reperi DaBaby, me të cilin Lipa publikoi remiksin e këngës, duke e çuar atë deri në vendin e dytë të Billboard Hot 100 në vitin 2021. Në fund të udhëtimit, grupi zbret nga “ashensori” në një pistë vallëzimi futuriste në hapësirë, të formuar si një unazë që sfidon gravitetin, shkruan Billboard.
“Levitating”, pjesë e albumit Future Nostalgia (2020), u shndërrua në një nga këngët më përfaqësuese të atij viti. Sipas të dhënave të 2025-ës, ky hit është renditur si kënga e nëntë më e madhe e shekullit në Hot 100, duke lënë pas super-suksese si “As It Was” e Harry Styles dhe “Circles” e Post Malone.
Që nga ajo kohë, shumë gjëra kanë ndryshuar për Dua Lipën. Pas fejesës me aktorin Callum Turner dhe publikimit të albumit të vitit 2024, albumi “Radical Optimism”, këngëtarja është distancuar edhe nga DaBaby, pasi ky i fundit bëri deklarata homofobike gjatë festivalit ‘Rolling Loud’ në vitin 2021.

“Jam e habitur dhe e tmerruar nga komentet e DaBaby-t”, shkroi Dua në një reagim publik. “Nuk e njoh më këtë njeri si atë me të cilin kam punuar”, shkroi ajo aso kohe në Instagram.
Ndërkohë, “Levitating” vazhdon të dëgjohet dhe të shënojë rekorde. Nëse ende nuk e keni parë, mund t’i bashkoheni mbi një miliard shikuesve që kanë klikuar videon në YouTube. /Telegrafi/
The post Klipi “Levitating” i Dua Lipës tejkalon shifrën e një miliard klikimeve në YouTube – kënga e saj e tretë që kap këtë sukses appeared first on Telegrafi.