E pabazë teoria e Antarktidës që kufizon “tokën e sheshtë”
Pretendimi: Toka është e sheshtë dhe kjo na është fshehur që ne të mos shkojmë në kontinentet e tjera përtej Antarktidës
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————–
Publicisti Alfred Cako ka ndarë në rrjetet e tij sociale pretendimin se “s’na tregojnë që toka është e sheshtë […] sepse nuk duan që ne të shkojmë në kontinentet e tjera përtej Antarktidës.” Ky pretendim shoqërohet me një hartë të Tokës së Sheshtë në fjalë, ku duket një mur akulli i etiketuar “Antarktida” që ndan kontinentet e njohur nga një sërë masash tokësore që mbajnë emra kontinentesh legjendare, mitike dhe fantastike.

Pretendime të tilla të jashtëzakonshme duhet, detyrimisht, të shoqërohen me prova të jashtëzakonshme. Megjithatë, si zakonisht, konspiracionistët nuk ofrojnë asnjë provë, aq më pak të jashtëzakonshme.
Harta që shoqëron postimin është marrë nga një libër i autorit Claudio Nocelli.
“Muri i akullit”, ose ideja se Antarktida nuk është një kontinent në fund të globit, por në të vërtetë një mur që rrethon Tokën, është një koncept i konspiracionistëve të Tokës së Sheshtë, që besojnë se Toka nuk është një planet i rrumbullakët, por një rrafsh i sheshtë.
Pretendimet rreth çka shtrihet jashtë murit të akullit variojnë. Disa thonë se vazhdon pafundësisht, ndërsa një teori tjetër është se ka kontinente të fshehura përtej murit.
Në vitin 2019, Konferenca Ndërkombëtare e Tokës së Sheshtë thuhet se u përpoq të organizonte një lundrim në Antarktidë për të provuar teorinë e tyre. Lundrimi, megjithatë, nuk ndodhi.
Antarktida ndodhet në jug të planetit tonë, dhe rrethohet nga Oqeani Jugor.
Platformat e akullit ekzistojnë në Antarktidë, dhe kërkimet tregojnë se ato luajnë një rol kyç në ruajtjen e temperaturave të oqeanit, gjë që stabilizon klimën.
Megjithatë, këto nuk janë mure që rrethojnë skajin e një Toke të sheshtë.
Sipas Qendrës Kombëtare të të Dhënave të Dëborës dhe Akullit në SHBA, platformat e akullit janë “pllaka të përhershme lundruese akulli që lidhen me tokën” me platformat më të mëdha të akullit “të mëdha sa Teksasi apo Franca” të vendosura në Antarktidë.
Platforma e Akullit Ross në Antarktidë ngrihet deri në 60 metra, ndërsa të tjerat kanë një fund të përparmë deri në 100 metra të lartë.
Gjeologia akullnajore Bethan Davies tha për USAToday se nuk do të ishte e mundur që muri i pretenduar i akullit të ekzistonte pa një masë tokësore të lidhur me të.
Antarktida “është e rrethuar nga platformat lundruese të akullit, të cilat më parë janë ngatërruar nga teoricienët e Tokës së Sheshtë me mure akulli”, tha ajo. “Platformat e akullit duhet të ngjiten në kontinent… Një mur rrethor akulli do të ishte i paqëndrueshëm dhe për shkak të mungesës së rrjedhës së akullnajës, akulli i akullnajave do të hollohej me shpejtësi dhe do të shpërbëhej.”
Sipas Shkollës Klimatike të Columbia University, “nëse Toka do të ishte e sheshtë, do ta dinit, sepse shumë gjëra do të funksiononin ndryshe.”
Studiuesit vunë në dukje se, nëse Toka do të ishte e sheshtë, gjëra si graviteti, dielli dhe fushat magnetike nuk do të silleshin siç sillen aktualisht.
James Davis, një gjeofizikant në Columbia, thotë se shërbime të tilla si GPS nuk do të ishin të mundshme në një tokë të sheshtë, sepse satelitët nuk do të ishin në gjendje të rrotulloheshin rreth planetit.
Në fakt, në vitin 2019, fizikantët u sfiduan në American Journal of Physics për të zhvilluar një “përgjigje të thjeshtë, të drejtpërdrejtë” për të hedhur poshtë ‘provat’ e një Toke të sheshtë.
Fizikanti në pension Bruce Sherwood përdori një simulim 3D të një Toke të sheshtë për të treguar se si gjërat do të dukeshin me sy të lirë nëse do të jetonim atje në vend të një Toke sferike.
Ai zbuloi se një nga mospërputhjet kryesore midis një Toke të sheshtë dhe një ‘Tokë të rrumbullakët’ do të ishte ndryshimi i madhësisë së diellit dhe yjeve të tjerë, si dhe rritja e dukshmërisë së yjësive që tani shfaqen vetëm në hemisferat jugore ose veriore.
Këto efekte nuk vërrehen sepse Toka nuk është e sheshtë: ajo është një sferoid.
The post E pabazë teoria e Antarktidës që kufizon “tokën e sheshtë” appeared first on Faktoje.al.