E dashura 24-vjeçare e trajnerit legjendar të futbollit, 73-vjeçarit Bill Belichick po hap biznes me emrin “E sponsorizuara”
Jordan Hudson (24), ish-tifoze dhe e dashura e trajnerit legjendar të futbollit amerikan, Bill Belichick (73), ka ndërmarrë një hap të pazakontë biznesi, i cili duket sikur lidhet drejtpërdrejt me kritikat që kanë marrë për lidhjen e tyre. Sipas revistës People, kompania e saj ka paraqitur kërkesë për ta regjistruar si markë tregtare termin “gold digger” që në zhargonin popullor përkthehet si “E sponsorizuara”.
Dokumentet e siguruara nga People tregojnë se kompania TCE Rights Management, e drejtuar nga Hudson, më 25 gusht dorëzoi kërkesën për të mbrojtur këtë term si markë. Sipas aplikimit, fjala do të përdorej për produkte si bizhuteri apo varëse çelësash. Aktualisht, kërkesa është në pritje të shqyrtimit nga autoritetet përkatëse. Hudson ende nuk ka komentuar për këtë zhvillim.
Hudson dhe Belichick u bënë lajm kryesor në vitin 2023 me romancën e tyre të papritur, e cila nisi pak kohë pasi trajneri i njohur i dha fund një lidhjeje 16-vjeçare me Linda Holliday. Historia e tyre ka ngjallur diskutime të shumta, sidomos në prill, pas një interviste për CBS News, kur Hudson shmangu një pyetje për mënyrën se si ishte njohur me Belichick.
Në atë periudhë, disa lojtarë dhe miq të çiftit shprehën hapur shqetësimin e tyre për këtë marrëdhënie, si dhe për faktin që Hudson punon si publiciste e partnerit të saj.
Ndërkohë që lidhja e tyre vazhdon të tërheqë vëmendje, Belichick, pas një karriere të gjatë me New England Patriots, po përgatitet për debutimin e tij si trajner i ekipit universitar të North Carolina. Ndeshja e parë do të luhet më 1 shtator kundër TCU.
“Gjithmonë kam dashur të jem pjesë e futbollit universitar”, tha Belichick për The Boston Globe. “Kam kaluar fëmijërinë në këtë mjedis. Ky universitet është fantastik, është një mundësi e madhe. Studentët janë të përkushtuar, duan të përmirësohen dhe punojnë shumë. Jam me njerëz që i respektoj dhe më pëlqen të punoj çdo ditë me ta. Kjo është një cilësi e rëndësishme e jetës”.
Interesant është fakti se kompania TCE Rights Management ka paraqitur edhe disa kërkesa të tjera për marka tregtare të lidhura me karrierën e re të Belichick, përfshirë termat: “Chapel Bill (Bill’s Version)”, “No Days Off (Bill’s Version)” dhe “Belecast”. Përdorimi i shprehjes “Bill’s Version” shihet si një aludim ndaj tensioneve të tij publike me pronarin e Patriots, Robert Kraft, të cilin e la pas ndarjes nga ekipi në janar 2024.
Lajmi për këtë nismë vjen pak ditë pasi Hudson dhe Belichick u panë së bashku në Chapel Hill, më 21 gusht, të veshur me rroba të bardha të kombinuara. Çifti u fotografua duke ecur dorë për dore, ndërsa mbanin me vete ushqimin e mbetur nga darka. Po ashtu, këtë javë u bë e ditur se sezoni i parë i Belichick si trajner universitar do të jetë subjekt i një dokumentari në Hulu, i cili do të transmetohet këtë vjeshtë. /Telegrafi/
The post E dashura 24-vjeçare e trajnerit legjendar të futbollit, 73-vjeçarit Bill Belichick po hap biznes me emrin “E sponsorizuara” appeared first on Telegrafi.