Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 26 August 2025Main stream

Situata e zjarreve në vend, janë raportuar 12 vatra zjarri, 8 janë shuar, 4 ende aktive

By: Fax Web
26 August 2025 at 20:16

*Situata e zjarreve në vend*

Qendra Kombëtare Operacionale te Emergjencave Civile (QKOEC) në AKMC raporton se prej orës 09:00, datë 26.08.2025 deri në orën 19:30, datë 26.08.2025 , janë raportuar 12 vatra zjarri nga të cilat 8 janë shuar, 4 janë aktive dhe 1 është në monitorim.

Ditën e djeshme datë 25.08.2025, rreth orës 15:00, në fshatin Delisuf, njësia administrative Novoselë, bashkia Vlorë, është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe pyjore me pishë dhe bimësi të përzier. Zjarri i favorizuar nga intensiteti i erës ka marrë një shtrirje të madhe duke depërtuar në pyllin e Pishë-Poros. Me gjithë punën e bërë nga forcat në terren dhe ndërhyrja nga ajri nga helikopterët e Forcës Ajrore dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe, zjarri mbetet aktiv. Vatra e zjarrit gjatë natës ka zgjeruar perimetër në gjatësi dhe gjerësi. Sot në terren janë të angazhuara 3 automjete MZSH dhe 20 efektiv BMEC, 3 automjete dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura, ⁠3 automjete dhe 18 efektivë nga MZSH Vlorë, ⁠6 forca nga AdZM, 23 forca bashkiake, 10 forca policore. Sot operuan sërish 2 helikopterët e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe 2 helikopterët e Forcës Ajrore. Të gjitha forcat po punojnë për të penguar kalimin e vatrës së zjarrit në kanalin e hidrovorit.

Ditën e djeshme datë 25.08.2025 rreth orës 16:30, në fshatin Bogovë, njësia administrative Bogovë, bashkia Skrapar, është aktivizuar një vatër zjarri në një hangar ku më pas është shpërndarë në një sipërfaqe pyjore me pishë. Ditën e sotme vijoi puna për shuarjen e zjarrit me 7 automjet zjarrfikëse më 22 efektivë nga MZSH-të, Skrapar, Berat, Poliçan, 5 forca nga Shërbimi Pyjor, 35 forca bashkiake dhe 30 trupa nga Forcat e Armatosura. Sipërfaqja e përshkuar deri në këto momente është rreth 18 ha. Si rezultat i erës janë riaktivizuar disa vatra të vogla brenda asaj kryesore. Janë vetëm dy vatra të vogla brenda zonës së djegur me prezencë tymi, nuk ka rrezik për banesa.

Në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik, zarri është riaktivizuar në afërsi të piramidës 15. Në terren gjatë ditës u angazhuan forcat zjarrfikëse nga MZSH Kolonjë të cilët punuan midis piramidave 14 dhe 15, në kufi me Greqinë. Ditën e sotme situata paraqitet më e normalizuar. Zona do vashdojë të mbahet në monitorimi nga forcat MZSH Kolonjë.

Në fshatin Pezë Helmës, njësia administrative Pezë, vazhdon të jetë aktiv zjarri në disa vatra në një terren pa rrugëkalime dhe me bimësi të dendur që nuk mundëson ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Në terren ndodhen 4 efektivë me 1 automjet zjarrfikës që po qëndrojnë në gatishmëri të pandërprerë 24 orë, kryesisht pranë disa banesave që ndodhen më afër zonës, por larg vatrës së zjarrit.

Është bërë izolimi i plotë dhe shuarja e zjarreve në:

1.      Fshatin Vrepckë (Shelegur), njësia administrative Qendër Leskovik, bashkia Kolonjë
2.      Në rrugën “Bilal Troksi”, zona “Fushë Farkë”, njësia administrative Dajt, bashkia Tiranë
3.      Në fshatin Stajke, njësia administrative Bushat, bashkia Vau – Dejës
4.      Në fshatin Shtoi i Ri, njësia administrative Rrethina, bashkia Shkodër
5.      Në fshatin Peshtan i Madh, njësia administrative Levan, bashkia Fier
6.      Në autostradën Laç-Lezhë, njësia administrative Shënkoll, bashkia Lezhë
7.      Në fshatin Shumbat, njësia administrative Sllovë, bashkia Dibër
8.      Në fshatin Portgorcë, njësia administrative Maqellarë, bashkia Dibër

Mbledhja me anëtarët e kabinetit, Trump: Të vendoset dënimi me vdekje në Uashington. Harvardi të paguajë 500 mln dollarë!

By: Fax Web
26 August 2025 at 19:58

Presidenti Donald Trump tha se administrata e tij do të kërkojë dënimin me vdekje në rastet e vrasjeve në Uashington, DC.

“Kushdo që vret në kryeqytet, të gjithë thërrasin të dënohet me vdekje, dënim me vdekje. Nëse dikush vret dikë në kryeqytet, Uashington DC, ne do të kërkojmë dënimin me vdekje”, tha presidenti gjatë një takimi me anëtarët e kabinetit sot.

Ai tha se është një masë “shumë e fortë parandaluese”. “Nuk e di nëse jemi gati për këtë në këtë vend…nuk kemi zgjidhje tjetër”, tha Trump. Ai tha se masa do të zbatohet në Uashington DC, ndërsa “shtetet do të duhet të marrin vendimin e tyre”.

Nuk ishte menjëherë e qartë se si do të funksiononte dekreti i Trump. Uashingtoni DC, nuk e ka dënimin me vdekje, por qeveria federale e ka. Ndryshe nga vendet e tjera, prokurorët – madje edhe ata që merren me çështjet lokale të vrasjeve në Gjykatën e Lartë të DC – punojnë për Prokurorin e SHBA-së të emëruar nga qeveria federale.

Ndërkohë, Presidenti Donald Trump i bëri thirrje Universitetit të Harvardit të paguajë një shumë prej 500 milionë dollarësh për t’i dhënë fund padive dhe për të rivendosur financimin federal, duke thënë se universiteti elitar ka qenë “shumë i keq”.

“Ne nuk duam asgjë më pak se 500 milionë dollarë nga Harvardi. Mos negocio, Linda”, i tha Trump Sekretares së Arsimit, Linda McMahon, gjatë një takimi të kabinetit të martën.

Harvardi është një nga objektivat më të mëdhenj të administratës Trump dhe një marrëveshje midis dy partive deri më tani ka rezultuar e pamundur.

Zjarri në pyllin e Poros, jashtë kontrollit! Përkeqësohet situata, flakët shkrumbojnë masivet pyjore

By: Fax Web
26 August 2025 at 18:25

Vijon të jetë kritik zjarri në pyllin e Poros.

Flakët kanë përparuar duke djegur masive pyjore, kryesisht me pisha, dhe po afrohen drejt zonës së hidrovorit në njësinë administrative Novoselë.

Në këto momente, në terren ndodhen forca të shumta të zjarrfikëses dhe emergjencave civile, ndërsa një helikopter po operon duke marrë ujë nga deti dhe duke e hedhur mbi vatrat e zjarrit.

Itali, 26-vjeçari nga Gambia përdhunon 60-vjeçaren në një park në Romë: Isha i droguar

By: Fax Web
26 August 2025 at 18:17

Një 26-vjeçar me origjinë nga Gambia ka përdhunuar një grua 60-vjeçare në një park në Romë. I riu është arrestuar dhe ka pranuar krimin.

Gjatë marrjes në pyetje, ai ka thënë se kishte vepruar nën ndikimin e substancave narkotike, të cilat i kishte blerë vetëm disa minuta para se të kryente aktin e rëndë.

Hetimet nisën pas dëshmisë së gruas së abuzuar dhe analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë përgjatë rrugës ku kishte kaluar autori. Këto prova kanë ndihmuar autoritetet të identifikojnë dhe të lokalizojnë të dyshuarin.

26-vjeçari, i cili qëndronte ilegalisht në Itali, u ndalua pranë stacionit Termini në Romë.

Ai u identifikua nga karabinierët falë veshjeve që kishte në momentin e ngjarjes; një palë këpucë dhe një kapele. 26-vjeçari u identifikua gjithashtu edhe nga e abuzuara.

I riu përballet tani me akuzat për përdhunim dhe grabitje.

“Plotësisht e papranueshme”, BE dënon sulmin vdekjeprurës të Izraelit në spitalin e Gazës: Civilët dhe gazetarët duhet të mbrohen

By: Fax Web
26 August 2025 at 18:06

Komisioni Evropian e përshkroi si “krejtësisht të papranueshëm” sulmin e dyfishtë të Izraelit në Spitalin Nasser në Gaza, në të cilin u vranë të paktën 20 persona, përfshirë pesë gazetarë.

“Civilët dhe gazetarët duhet të mbrohen sipas ligjit ndërkombëtar”, tha zëdhënësi i Komisionit, Anwar al-Anuni, në një konferencë për shtyp.

“Civilët në Gaza kanë vuajtur për një kohë shumë të gjatë dhe shumë, dhe është koha për të thyer ciklin e dhunës”, shtoi zëdhënësi i Komisionit Evropian.

Nga ana e tij, kancelari gjerman Friedrich Merz tha se aktualisht nuk beson se sulmi izraelit ndaj një spitali në Gaza që vrau 20 persona kishte në shënjestër gazetarët. “Por ushtria izraelite dhe qeveria izraelite premtuan të kryejnë një hetim të plotë për këtë incident”, tha Merz në një konferencë për shtyp në Berlin. “Dhe do të doja të prisja rezultatet e këtij hetimi përpara se të jepja një vendim përfundimtar”, shtoi ai.

Izraeli goditi Spitalin Nasser në Rripin jugor të Gazës të hënën, duke vrarë të paktën 20 persona, përfshirë pesë gazetarë që punonin për Reuters, Associated Press, Al Jazeera dhe media të tjera.

Osmani mirëpret zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit: Të procedohet sa më parë për qeverinë e re të Kosovës

By: Fax Web
26 August 2025 at 17:56

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur hapjen e rrugës për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm në drejtim të rikthimit të funksionalitetit institucional në vend.

Në një deklaratë për media, Osmani ka shprehur shpresën që ky proces të përmbyllet sa më shpejt, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe normat demokratike.

Ajo ka uruar për punë të mbarë kryetarin e ri të Kuvendit, Dimal Basha, si dhe nënkryetarët e zgjedhur: Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku, Kujtim Shala dhe Emilija Rexhepi, duke theksuar se pret nga udhëheqja e re e Kuvendit që të punojë në interes të qytetarëve dhe forcimit të institucioneve demokratike.

Presidentja ka bërë thirrje që Kuvendi të vijojë me hapat e radhës kushtetues dhe të procedojë, sa më parë, me votimin e Qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.

“Respektimi i vullnetit të qytetarëve dhe përmbushja e detyrimeve kushtetuese janë thelbësore për stabilitetin dhe funksionimin demokratik të vendit,” thuhet ndër të tjera në reagimin e Presidencës.

Pas tarifave të Trump, 25 shtete pezullojnë dërgesat postare drejt SHBA-së

By: Fax Web
26 August 2025 at 17:45

Unioni Postar Universal , një agjenci e Kombeve të Bashkuara, njoftoi se 25 nga shtetet anëtare të saj kanë ngrirë dërgesat për në Shtetet e Bashkuara, në përgjigje të pasigurisë së shkaktuar nga tarifat e reja të vendosura nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump.

Agjencia promovon bashkëpunimin midis shërbimeve postare në 192 vendet e saj anëtare, tha se kishte përcjellë shqetësimet e saj në lidhje me këto pezullime në një letër drejtuar Sekretarit të Shtetit Marco Rubio të datës 25 gusht 2025. 

“Operatorët postarë në 25 vende anëtare kanë njoftuar tashmë pezullimin e shërbimeve të tyre postare në Shtetet e Bashkuara, duke përmendur pasiguri që lidhen veçanërisht me shërbimet e tranzitit”, tha agjencia e OKB-së në një deklaratë. 

Ajo nuk i përmendi vendet, megjithëse Australia, Norvegjia dhe Zvicra, ndër të tjera, tashmë i kanë njoftuar publikisht pezullime të tilla.

Muajin e kaluar, administrata Trump njoftoi se po eliminonte përjashtimin global “de minimis”, i cili lejonte mallra me vlerë deri në 800 dollarë të hynin në Shtetet e Bashkuara pa taksa dhe gjithashtu kishte burokraci minimale. Masa pritet të hyjë në fuqi më 29 gusht.

Zelensky u drejtohet ushtarakëve: Nevojitet forcimi i frontit në Donetsk dhe Zaporizhia

By: Fax Web
26 August 2025 at 17:36

Takimi që Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pati me udhëheqjen ushtarake të vendit u përqendrua në përforcimin ushtarak të rajoneve të Donetskut dhe Zaporizhias, si dhe në proceset për garancitë e sigurisë që duhen “përshpejtuar”.

Siç deklaron ai në postimin e tij në X, situata në front dhe në zonat kufitare u diskutua me ushtrinë.

“Ne po i kushtojmë vëmendjen e duhur rajoneve të Donetskut dhe Zaporizhzhisë”, pohon ai. Ndërsa lidhur me kontaktet me aleatët vëren se ato do të vazhdojnë në periudhën e ardhshme, dhe lidhur me garancitë e sigurisë, nënvizon “ritmi i punës duhet të përshpejtohet”.

Postimi i detajuar i presidentit ukrainas:

Zhvillova një takim me ushtarakët: situata në front dhe në zonat kufitare, formimi i rezervave dhe bashkëpunimi me partnerët për të siguruar sigurinë.

Diskutuam në detaje nevojat themelore të secilit sektor dhe njësi. Është shumë e rëndësishme që njësitë tona të jenë ato që përcaktojnë situatën në zonat kufitare të rajoneve Sumy dhe Kharkiv. Do të doja të vlerësoja veçanërisht Regjimentin e 225-të Sulmues, Brigadën e 71-të të Pavarur Jaeger dhe njësitë tona të Forcave Speciale. Faleminderit!

Sigurisht, po i kushtojmë vëmendjen e duhur edhe rajoneve të Donetskut dhe Zaporizhzhesë. Diskutuam nevojën për furnizime shtesë posaçërisht për këto zona. Komandanti i Përgjithshëm iu referua zbatimit të vendimeve të Shtabit të Përgjithshëm për sigurimin e rezervave për Forcat e Mbrojtjes.

Gjithashtu, u raportua mbi bashkëpunimin me të gjithë partnerët në kuadër të Aleancës së të Gatishmëve: Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë. Takime dhe kontakte pune përkatëse do të mbahen gjatë gjithë javës. Vërejtëm se ritmi i punës duhet të përshpejtohet. Komponenti mbrojtës i garancive të sigurisë duhet të sqarohet në detaje në të ardhmen e afërt.

Rubio takim me europianët, përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

By: Fax Web
26 August 2025 at 17:24

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio ka zhvilluar ditën e djeshme një diskutim me homologët e tij evropianë, me temë kryesore përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Rubio zhvilloi bisedime me Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar David Lammy, Ministrin e Jashtëm të Ukrainës Andriy Sibiha dhe Shefen e Politikës së Jashtme të BE-së Kaja Kallas.

Sibiha tha, nga ana e tij, se Ukraina është mirënjohëse ndaj Rubios për përpjekjet e tij dhe ndaj Trump për udhëheqjen e tij paqësore.

“Unë përsërita qëndrimin e Ukrainës se garancitë e sigurisë duhet të jenë konkrete, ligjërisht të detyrueshme dhe efektive. Ato duhet të jenë shumëdimensionale, duke përfshirë nivele ushtarake, diplomatike, ligjore dhe të tjera.

Ne të gjithë ndajmë besimin se ushtria ukrainase është niveli themelor i çdo garancie të tillë, kështu që përforcimi i saj maksimal është përparësia jonë kryesore.”, tha Sibiha në një postim në “X”.

Itali/ Turisti shqiptar kapet në trafik kokaine, rrezikoi të aksidentonte edhe patrullën e karabinierëve!

By: Fax Web
26 August 2025 at 17:16

Kishte shkuar në Itali për turizëm, por u kap duke trafikuar kokainë. Karabinierët e Ternit pikasën të riun teksa qarkullonte me makinën që kishte marrë me qira.

Lëvizjet e tij të dyshimta bënë që të kërkonin kontrollin e mjetit, ku u gjetën 28 ​​doza kokainë, me një peshë totale prej afërsisht 18 gramë, së bashku me shumën prej gati 1000 eurosh, që u sekuestruan.

Por arrestimi i tij nuk ka qenë i lehtë, pasi për pak sa nuk është përfshirë në përplasje me patrullën. Aksidenti u shmang në kohë dhe efektivët bënë bllokimin e mjetit.

21-vjeçari që nuk mundi dot të arratisej, u arrestua dhe u dërgua në burg. Pas seancës dëgjimore, gjyqtari, duke vërtetuar arrestimin dhe duke miratuar kërkesën e prokurorit, urdhëroi që i riu të ndalohej të qëndronte në rajonin e Umbrias, informon media italiane.

Autoritetet kërkuan edhe dëbimin e tij nga vendi, ndëra hetimet po vijojnë nga prokuroria deri në fund të procesit.

Ndërpritet seanca konstituive në Kosovë, nuk arrin të zgjidhet nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb

By: Fax Web
26 August 2025 at 17:05

Sot nga ora 11:00, deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur sërish për konstituimin e Kuvendit. Deputetët me 73 vota për kanë zgjedhur për kryetar të Kuvendit, Dimal Bashën.

Basha u zgjodh kryeparlamentar pas gjashtë muajve të ngërçit politik, gjersa i propozuari i LVV-së u votua edhe nga disa deputetë të PDK-së dhe AAK-së.

Më herët, LVV kishte propozuar edhe Albulena Haxhiun, Donika Gërvallen dhe Hekuran Muratin, por asnjëri nuk mori mbështetjen e nevojshme në Kuvend.

Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha. ka ndërprerë seancën e Kuvendit në mungesë konsensusi për emrin e nënkryetarit serb.

Duke qenë se asnjëri prej kandidatëve të dalë nga shorti nuk i kanë siguruar votat e nevojshme, ai ka kërkuar ndërprerjen e punimeve, për t’u mbledhur sërish të enjten në orën 11:00.

Kryetari i Partisë Serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiç ka qenë propozimi i radhës për nënkryetar Kuvendi. Ai siguroi vota 55 pro, një kundër dhe 17 abstenime, duke mos u zgjedhur nënkryetar.

 

 

 

Australia akuzon Iranin për sulme antisemite në Sydney dhe Melbourne, i jep ambasadorit iranian 7 ditë kohë për tu larguar

By: Fax Web
26 August 2025 at 16:56

Australia i ka dhënë ambasadorit të Iranit shtatë ditë për t’u larguar nga vendi, pas akuzave se Teherani qëndron pas sulmeve antisemite në Sydney dhe Melbourne.

Një seri sulmesh antisemite kanë ndodhur në Australi gjatë vitit të kaluar, duke përfshirë një sulm zjarrvënieje në një kafene hebraike në Sydney në tetor dhe një tjetër në një sinagogë në Melbourne në dhjetor, ndër të tjera.

Kryeministri australian, Anthony Albanese tha në një konferencë për shtyp të martën se shërbimet e inteligjencës së vendit e kishin lidhur Iranin me të paktën dy nga incidentet, të cilat ai i përshkroi si “përpjekje për të minuar kohezionin shoqëror dhe për të mbjellë përçarje në komunitetin tonë.

Ambasadori Ahmad Sadeghi dhe tre zyrtarë të tjerë u urdhëruan nga qeveria të largoheshin nga Australia, e cila ka tërhequr diplomatët e vet nga Teherani. Irani “i hodhi poshtë kategorikisht” akuzat. Përveç kësaj, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane shtoi se vendimi për të dëbuar ambasadorin e tyre “është për shkak të politikave të brendshme të Australisë”.

Megjithatë, shefi i Shërbimit Australian të Inteligjencës së Sigurisë (ASIO), Mike Burgess, tha se ekipet e tij kishin zbuluar lidhje “midis krimeve të dyshuara dhe komandantëve të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit”, pas një hetimi “të kujdesshëm” që zgjati muaj.

“Ata thjesht përdorin ndërmjetës, duke përfshirë kriminelë dhe anëtarë të bandave të krimit të organizuar, për të zbatuar urdhrat e tyre ose për të drejtuar urdhrat e tyre”, u tha Burgess gazetarëve. Ai shtoi se IRGC “përdori një rrjet kompleks ndërmjetësish për të fshehur përfshirjen e saj” në sulmet ndaj Lewis Continental Kitchen në Sydney më 20 tetor dhe sinagogës Adass Israel në Melbourne më 6 dhjetor.

Agjencitë australiane të inteligjencës kanë gjetur gjithashtu prova që sugjerojnë se Irani mund të jetë pas incidenteve të tjera antisemite në Australi, ku ka pasur sulme ndaj shkollave, shtëpive, automjeteve dhe sinagogave hebraike që nga sulmi i 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit nga Hamasi, aleat i Iranit dhe lufta pasuese në Gaza.

Gjetjet e zbuluara të martën ishin “thellësisht shqetësuese”, tha Albanese, duke i përshkruar dy incidentet si “akte të jashtëzakonshme dhe të rrezikshme agresioni”. Gjatë zjarrvënies së sinagogës, disa besimtarë u detyruan të largoheshin nga sinagoga, e cila u ndërtua nga të mbijetuarit e Holokaustit në vitet 1960.

Ministrja e Jashtme, Penny Wong tha se ishte hera e parë që nga Lufta e Dytë Botërore që Australia kishte dëbuar një ambasador, ndërsa Burgess theksoi se ambasadori nuk kishte lidhje me sulmet.

Wong tha se Australia do të vazhdonte të mbante disa marrëdhënie diplomatike me Teheranin, por kishte pezulluar aktivitetet e ambasadës së saj në Iran për sigurinë e stafit të saj.

Ajo gjithashtu u bëri thirrje australianëve të mos udhëtonin në Iran dhe u bëri thirrje qytetarëve në vend të largohen tani nëse munden dhe është e sigurt ta bëjnë këtë.

Albanese tha se qeveria e tij do ta caktojë gjithashtu IRGC-në si një organizatë terroriste.

Ambasada e Izraelit në Canberra mirëpriti veprimet kundër Iranit, me të cilin Izraeli luftoi një luftë 12-ditore në qershor.

“Regjimi iranian nuk është vetëm një kërcënim për hebrenjtë ose Izraelin, ai rrezikon të gjithë botën e lirë, përfshirë Australinë”, shkruhej në një deklaratë në X.

Shtohen aksidentet në Fier, 3 viktima dhe 9 të plagosur rëndë në gusht

By: Fax Web
26 August 2025 at 15:44

Muaji gusht ka shënuar një numër të lartë aksidentesh në qarkun e Fierit, me pasojë tre humbje jete dhe 9 të plagosur rëndë.

Shkaqet kryesore të këtyre aksidenteve lidhen me shpejtësinë e lartë dhe parakalimet e gabuara

Autoritetet vendore rendisin si akset më problematike “Pushimin e Shoferit”, “ Kryqęzimin e Savrës” dhe aksin “Savër-Çermë,” “Rrethrrotullimi Savër- Ura e Kuçit, “ Kryqëzimi i Vajkanit”, “ Rrethrrotullimi i Parkut- Qëndër”, “ Qëndër-QTU” , ku kontrollet kanë vijuar në mënyrë të pandërprerë me patrullë dhe shërbim të përforcuar.

Vetëm gjatë muajit gusht në qarkun e Fierit janë vendosur 6088 masa administrative, nga të cilat 4185 për shpejtësi, për parakalim të gabuar ka 416 gjoba, për përdorim alkooli 22, 122 drejtues kanë qenë pa rri sigurimi ndërsa 12 të tjerë për përdorim celular, por nuk mungojnë as shkeljet e tjera si përdorimi i automjeteve nga adoleshentët.

Edhe pse kjo periudhë shënon fundin e sezonit veror, trafiku në të gjithë qarkun e Fierit vijon të jetë tepër i rënduar prandaj edhe apeli për të gjithë përdoruesit e rrugës është i njëjtë, tregohuni të kujdesshëm dhe respektoni rregullat e qarkullimit rrugor.

 

Vijon zjarri pranë lagunës së Nartës, ndërhyjnë edhe dy helikopterë për shuarjen e flakëve

By: Fax Web
26 August 2025 at 15:32

Vijon zjarri për të dytën ditë radhazi në zonën e pyllit të Poros, pranë lagunës së Nartës.

Bëhet me dije se vatrat e shumta janë përhapur në të gjithë sipërfaqen pyjore, ndërsa forcat zjarrfikëse, ushtria dhe emergjencat civile po punojnë për shuarjen e flakëve.

Në ndihmë janë angazhuar edhe dy helikopterë që po kryejnë ndërhyrje nga ajri. Megjithatë, era e fortë gjatë pasdites ka riaktivizuar disa vatra, të cilat ishin shuar më herët nga zjarrfikësit.

Retë e tymit po mbulojnë zonën duke shkuar drejt qytetit të Vlorës.

Vuçiç: Bisedova me Lavrovin për Kosovën, Bosnjë Hercegovinën dhe Dodikun!

By: Fax Web
26 August 2025 at 15:30

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, njoftoi se më 26 gusht ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov, për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe për situatën politike në rajon.

Vuçiç tha se e ka njoftuar shefin e diplomacisë ruse për situatën në Kosovë dhe, siç shkroi ai, për “përpjekjet e vazhdueshme për dëbimin e popullsisë sonë nga vatrat shekullore, si dhe për heshtjen e shumicës së bashkësisë ndërkombëtare”.

Temë bisede, sipas Vuçiçit, ishte edhe situata në Bosnje e Hercegovinë.

“Diskutuam mbi situatën në Bosnje e Hercegovinë, krizën e shkaktuar nga jashtë, me sulme të vazhdueshme ndaj (entitetit) Republika Sërpska”, shkroi Vuçiq në Instagram.

Ai, më herët, pas vendimit në Bosnje e Hercegovinë për t’ia hequr mandatin Millorad Dodikut si president i atij entiteti (i shpallur non grata nga SHBA-të, sikurse Sali berisha në Shqipëri), kishte deklaruar se Beogradi “gjithmonë do të qëndrojë pranë popullit tonë dhe Republikës Sërpska”.

Dodikut iu hoq mandati pasi u dënua me një vit burgim dhe me gjashtë vjet ndalim për të ushtruar funksione publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë.

Ky lider prorus, që drejton partinë kryesore të serbëve në Bosnje, gëzon mbështetjen e Moskës.

Vuçiç ka thënë se, gjatë një “bisede të gjatë dhe miqësore” me Lavrovin, u ra dakord që të vazhdohet me zhvillimin e marrëdhënieve në fusha të ndryshme dhe të thellohet komunikimi në forume, organizata dhe institucione ndërkombëtare.

Beogradi ka vazhduar të mbajë marrëdhënie të ngushta me Moskën edhe pas vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Edhe pse Serbia është kandidate për anëtarësim në BE, autoritetet refuzojnë t’i bashkohen sanksioneve kundër Rusisë.

Nga Kremlini, Beogradi zyrtar ka marrë mbështetje edhe përballë protestave kundër qeverisë, ku demonstruesit kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

236 mijë nxënës të arsimit bazë, libra shkollorë falas! Manastirliu: Konkurs Kombëtar për teatrin dhe komunikimin! Festival për shkencën në gjimnaze

By: Fax Web
26 August 2025 at 15:07

Mbi 236 mijë të arsimit bazë në rang vendi do të përfitojnë libra falas për vitin e ri shkollor. Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu zgjodhi shkollën “Lidhja e Prizrenit” për të dhënë një mesazh lidhur me këtë proces, si dhe njoftoi disa risi në këtë vit shkollor.

“Program i qeverisë për shpërndarjen e teksteve shkollore falas për 236 mijë nxënës në të gjithë vendin në arsimin parauniversitar ka nisur ditën e sotme dhe është një program mbështetje për të garantuar jo vetëm barazi në arsim, por gjithashtu edhe një lehtësi për familjet.

Është një program i cili financohet nga qeveria shqiptare përmes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Janë rreth 9 milion euro të cilat vihen ne dispozicion për të garantuar që nxënësit të kenë librat shkollor falas nga klasa e parë deri në klasën e nëntë dhe gjithashtu edhe në gjimnaze për kategoritë specifike, të cilët kanë pamundësi sociale dhe ekonomike”, bëri me dije Manastirliu.

Ndër risitë e vitit të ri shkollor 2025-2026, Manastirliu përmendi edhe Konkursin Kombëtar të Teatrove për nxënësit e klasave të teta dhe të nënta, Festivalin Kombëtar të Shkencës për gjimnazet, si dhe vijimin e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe për nxënësit e klasave të nënta.

Incident në Francë/ Helikopteri rrëzohet në liqen gjatë përpjekjeve për shuarjen e zjarrit, shpëtojnë mrekullisht pasagjerët

By: Fax Web
26 August 2025 at 14:55

Një incident ndodhi të dielën në Rosporden të Francës kur një helikopter u rrëzua në një liqen ndërsa përpiqej të mbushej me ujë për të shuar një zjarr. 

Incidenti u filmua nga dëshmitarë okularë, të cilët tregojnë momentin kur helikopteri afrohet për t’u furnizuar me karburant dhe humbet papritur lartësinë, duke përfunduar në liqen. Pasagjerët e helikopterit u dërguan në spital, dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet kompetente franceze po kryejnë një hetim për shkaqet e rrëzimit.

Trump paralajmëroi tarifa shtesë, rafineritë e naftës në Indi binden dhe ulin blerjet nga Rusia

By: Fax Web
26 August 2025 at 14:35

Rafineritë në Indi thuhet se po planifikojnë të ulin blerjet e naftës ruse në javët e ardhshme, si pjesë e një lëshimi ndaj Uashingtonit.

Donald Trump njoftoi tarifa shtesë prej 25% për Indinë – importuesja e tretë më e madhe e naftës bruto në botë – si ndëshkim për blerjet e rritura të naftës ruse nga Nju Delhi në fillim të gushtit.

Detyrimet e reja pritet të hyjnë në fuqi nga nesër, megjithëse Bloomberg raporton se përpunuesit indianë pritet të ulin pak blerjet e naftës ruse si përgjigje.

Duke cituar burime të paidentifikuara, tha se përpunuesit shtetërorë dhe privatë pritet të blejnë 1.4 milion deri në 1.6 milion fuçi në ditë për ngarkimin e tetorit dhe më tej. Kjo krahasohet me një mesatare prej 1.8 milion fuçi në ditë në gjysmën e parë të vitit 2025.

Raporti shton se vëllimet mund të ndryshojnë nëse India arrin një marrëveshje tregtare me Trump dhe SHBA-të lehtësojnë presionin mbi Indinë për ndihmën në financimin e luftës së Rusisë me Ukrainën.

Si do të organizohet PD në shtator? Berisha zbulon skenarët: Ripërtëritje e partisë dhe…

By: Fax Web
26 August 2025 at 13:49

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dhënë një deklaratë të fortë për mobilizimin e PD-së me nisjen e sesionit të ri parlamentar në shtator.

Ai theksoi se opozita do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për t’i rezistuar asaj që e cilësoi si “narkodiktaturë” dhe “narkoshtet”, duke u ripërtërirë dhe duke u riorganizuar.

“PD do ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për t’i rezistuar kësaj narkodiktature, këtij narkoshteti, duke u ripërtërirë, duke u riorganizuar”, u shpreh Berisha, duke paralajmëruar një fazë të re politike për opozitën.

Ai e krahasoi situatën aktuale me diktaturën komuniste, duke theksuar se sot nuk është më ideologjia marksiste-leniniste që sundon, por droga, të cilën e quajti “forcën misterioze lëvizëse të shoqërisë”. Berisha ngriti akuza të drejtpërdrejta për lidhje të krimit me pushtetin, duke përmendur emra të njohur të botës së krimit dhe shifrat e mëdha të trafikut të drogës.

Rekord emigrantësh drejt Britanisë, rritet me 46% numri i hyrjeve me varka

By: Fax Web
26 August 2025 at 12:56

Një numër rekord prej 28,076 emigrantësh kanë hyre ne Britaninë e Madhe me varka të vogla këtë vit, një rritje prej 46% krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2024, treguan të dhënat qeveritare, duke shtuar presionin mbi qeverinë e kryeministrit Keir Starmer për mënyrën e trajtimin të emigracionit.

Rekordi u arrit të dielën pasi 212 migrantë mbërritën me kater varka të ndryshme ne Britaninë e Madhe, treguan të dhënat. Rritja e ndjeshme vjen mes shqetësimit në rritje të publikut mbi imigracionin, i cili në sondazhe po konsiderohet shqetësimi kryesor i publikut, me protestat kundër emigrantëve që vazhdojnë jashtë hoteleve që strehojnë azilkërkues.

Qeveria britanike është e detyruar ligjërisht të strehojë azilkërkuesit. Përdorimi i hoteleve për ta bërë këtë kishte qenë një problem i dorës së parë deri në vitin 2020, kur numri i azilkërkuesve u rrit ndjeshëm dhe qeveria e atëhershme konservatore duhej të gjente mënyra të reja për t’i strehuar ata.

Qeveria laburiste e Keir Starmer është zotuar të rishikojë sistemin e azilit. Të dielën ajo njoftoi reforma për të përshpejtuar kerkesat për azil dhe për të zvogëluar një grumbull kerkesash prej më shumë se 100,000 rastesh.

 

 

Nigel Farage, udhëheqësi i partisë së krahut të djathtë Reform UK, e cila kryeson sondazhet e fundit përshkroi planet e tij për deportime masive te emigranteve që mbërrijnë me anije të vogla. Ai i tha gazetës The Times se do të arrinte marrëveshje riatdhesimi me vende si Afganistani dhe Eritrea, dhe do të organizonte fluturime ditore deportimi.

❌
❌