Java e katërt fillon nesër, me derbin e vjetër Shkupi – Vardari
Të premten fillon java e katërt e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, ndërsa më pas kampionati do të marrë një pauzë dhjetëditëshe për shkak të angazhimeve të përfaqësueses së vendit, e cila do të zhvillojë një miqësore dhe më pas ndeshjen kualifikuese për Botëror kundër Lihtenshtajnit, njofton Telegrafi.
Java hapet me derbin e vjetër të futbollit vendor, Shkupi – Vardari. Ky duel që dikur mbushte stadiumet, këtë herë e gjen Shkupin në krizë të thellë, si në aspektin organizativ ashtu edhe në përbërjen e skuadrës. Përveç kësaj, problemi me sistemin VAR në Çair, sipas njoftimit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë ka bërë që ndeshja të zhvendoset në Strumicë.
Të shtunën zhvillohen dy përballje interesante. Në Kumanovë luhet derbi shqiptar Bashkimi – Struga. Kumanovarët kanë treguar se dinë të befasojnë, por Struga deri më tani ka qenë perfekte, me 3 fitore në 3 ndeshje. Ndërkohë në Gostivar, Arsimi i Çegranit, që ende kërkon fitoren e parë në elitë, do të përballet me Sileksin, skuadra e vetme që nuk ka pranuar gol dhe ka pikë të plota pas tri xhirove.
Të dielën, më 31 gusht, Shkëndija e Tetovës zbret në Shkup për t’u përballur me Rabotniçkin. Kuqezinjtë do të kenë një sfidë të vështirë, duke pasur parasysh edhe lodhjen nga udhëtimi evropian në Razgrad përballë Ludogoretsit. Po atë ditë luhen edhe duelet Makedonija Gj.P – Pelisteri dhe Tikveshi – AP Brera. Të gjitha ndeshjet e javës së katërt nisin në orën 16:30. /Telegrafi/
Programi i plotë:
- 29. 08. 16:30 | Shkupi – Vardari
- 30.08. 16:30 | Bashkimi – Struga; Arsimi – Sileksi
- 31.08. 16:30 | Rabotniçki – Shkëndija; Makedonija Gj.P – Pelisteri; Tikveshi – AP Brera
The post Java e katërt fillon nesër, me derbin e vjetër Shkupi – Vardari appeared first on Telegrafi.