Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Shkupi e thyen heshtjen dhe prezanton përforcimin e parë

25 June 2025 at 00:02

Pas një vere të qetë dhe pa lëvizje të mëdha në tregun e transferimeve, ish-kampioni i vendit, FC Shkupi, më në fund e ka thyer heshtjen duke njoftuar për përforcimin e parë për sezonin e ri, njofton Telegrafi.

Bëhet fjalë për mbrojtësin e ri, Emre Kadri, i cili vjen nga skuadra e Rabotniçkit.

Kadri është 21 vjeç dhe më herët ka luajtur edhe për Bregallnicën e Shtipit, ndërsa karrierën e ka nisur në akademinë e Adana Demirspor në Turqi. Megjithëse është pjesë e kampionatit prej disa kohësh, ende nuk ka debutuar në mënyrë të rregullt në elitën e futbollit vendor.

Përkundër pritshmërive të tifozëve për një emër të njohur në këtë fillim merkatoje, drejtuesit e klubit kanë vendosur të investojnë te një talent i ri në mbrojtje.

Vlen të theksohet se klubi nga Çairi, i cili sezonin e kaluar e mbylli në vendin e shtatë dhe mbeti jashtë garave evropiane, ka qenë në heshtje të plotë deri tani. Pavarësisht largimeve të shumta të futbollistëve gjatë javëve të fundit, klubi nuk ka publikuar asnjë njoftim zyrtar për ndonjë prej tyre – gjë që ka shtuar paqartësinë rreth gjendjes së brendshme të skuadrës. /Telegrafi/

The post Shkupi e thyen heshtjen dhe prezanton përforcimin e parë appeared first on Telegrafi.

Bashkimi blindon bazën, pritet ardhja e Armend Alimit

22 June 2025 at 11:51

Anëtari i ri i Ligës së Parë të Maqedonisë në futboll, KF Bashkimi nga Kumanova ka vazhduar me kompletimin e ekipit për sezonin e ri, duke rinovuar me shtatë futbollistë, ndërsa janë në pritje të transferimeve të reja, njofton Telegrafi.

Pas emërimit të trajnerit të ri, Muarem Muaremi, drejtuesit e KF Bashkimi nga Kumanova kanë nisur me intensitet punën për ndërtimin e një skuadre konkurruese për edicionin 2025/26 në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut.

Skuadra zi e gjelbër është në pritje të finalizimit të marrëveshjes me mesfushorin e njohur Armend Alimi, ndërsa paralelisht ka zyrtarizuar vazhdimin e bashkëpunimit me shtatë lojtarë nga përbërja ekzistuese. Bëhet fjalë për, Filip Aleksovski, Samet Rexhepi, Amir Jashar, Ardit Demiri, Borjan Panovski, Muarem Mislimi dhe Emir Asani, të cilët edhe në sezonin e ardhshëm do të jenë pjesë e ekipit kumanovar në Ligën e Parë.

Burime pranë klubit konfirmojnë se Bashkimi është në negociata të avancuara me disa futbollistë të tjerë, për të cilët pritet të ketë zhvillime konkrete në ditët në vijim. Synimi është i qartë, një skuadër e fortë dhe e qëndrueshme që të garantojë një paraqitje dinjitoze në rikthimin e shumëpritur mes më të mirëve të futbollit vendas. /Telegrafi/

The post Bashkimi blindon bazën, pritet ardhja e Armend Alimit appeared first on Telegrafi.

Zyrtare: Bledi Shkëmbi trajner i ri i Struga Trim Lum

20 June 2025 at 12:59

Struga Trim Lum ka zyrtarizuar Bledi Shkëmbin si trajner të ri, duke pasuar Ilço Gjorgjioskin në pankinën bardhekuq, njofton Telegrafi.

Shkëmbi, emër i njohur në futbollin shqiptar si lojtar dhe trajner, vjen pas dy periudhave në krye të KF Tiranës. Pas ndarjes me bardheblutë, ai nis një sfidë të re në Strugë me objektiva afatgjatë.
Kontrata me trajnerin korçar është dyvjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Ndihmës i tij do të jetë Sabien Lilaj, ish-mesfushor i Skënderbeut.

Pjesa tjetër e stafit teknik mbetet e pandryshuar: Meriton Gega dhe Dejan Leskaroski si ndihmës, Stefan Meçkarovski trajner kondicional, dhe Dardan Miftari trajner i portierëve. /Telegrafi/

The post Zyrtare: Bledi Shkëmbi trajner i ri i Struga Trim Lum appeared first on Telegrafi.

Sezoni i ri i futbollit në Maqedoni fillon me 8 gusht

19 June 2025 at 15:43

Bordi drejtues i Federatës së Futbollit të Maqedonisë ka miratuar zyrtarisht kalendarin e garave për Ligën e Parë dhe të Dytë, si dhe për Kupën e Maqedonisë për sezonin garues 2025/26, njofton Telegrafi.

Ndeshjet e Ligës së Parë do të zhvillohen gjatë fundjavës, të shpërndara në tre ditë: e premte, e shtunë dhe e diel. Ndeshjet e Ligës së Dytë do të luhen të shtunave, ndërsa ndeshjet e Kupës do të zhvillohen gjatë ditëve të punës – të martën, të mërkurën ose të enjten.

Pjesa e parë e sezonit në Ligën e Parë do të nisë mes datave 8 dhe 10 gusht, ndërsa sezoni në Ligën e Dytë fillon më 23 gusht.

Edicioni i ri i Kupës së Maqedonisë nis me rrethin e parë më 26/27 gusht. Finalja e madhe e Kupës është caktuar të luhet më 30 maj 2026./Telegrafi/

The post Sezoni i ri i futbollit në Maqedoni fillon me 8 gusht appeared first on Telegrafi.

Besa e Dobërdollit tërhiqet nga gara në Ligën e Dytë – fokusi mbetet te akademia

25 May 2025 at 19:51

Pas eliminimit nga Bashkimi i Kumanovës për ndeshjen e balotazhit për Ligën e Parë, klubi Besa njofton dorëheqjen nga gara me ekipin e parë. Pronarët e klubit konfirmojnë se nga tani e tutje do të përkushtohen vetëm në zhvillimin e akademisë së të rinjve, njofton Telegrafi.

Pas përfundimit të sezonit dhe eliminimit nga Bashkimi i Kumanovës në ndeshjet e balotazhit për mbijetesë, klubi futbollistik Besa nga Dobërdolli ka dalë me një deklaratë zyrtare ku ka njoftuar tërheqjen nga garat në Ligën e Dytë të Maqedonisë së Veriut.

Në një komunikatë të shpërndarë në rrjetet sociale, drejtuesit e klubit bëjnë të ditur se nuk do të vazhdojnë më me ekipin e parë, ndërsa fokusi i vetëm do të jetë tek akademia, e cila ka qenë ndër pikat më të forta të klubit gjatë viteve të fundit.

“Pas një periudhe të gjatë angazhimi, përkushtimi dhe sakrifice për klubin tonë të zemrës, është marrë vendimi që nga sot e tutje ekipi të mos garojë më në Ligën e Dytë. Fokusi do të jetë i përqendruar vetëm te Akademia”, thuhet në deklaratë.

Nga Besa kanë falënderuar të gjithë ata që ishin pjesë e rrugëtimit disavjeçar – lojtarë, trajnerë, tifozë, sponsorë dhe bashkëpunëtorë – duke shprehur mirënjohje për mbështetjen në të gjitha fazat, si në ngritje ashtu edhe në vështirësi.

Ky vendim shënon një kthesë për klubin, i cili në vitet e fundit ka qenë një ndër skuadrat më të organizuara në futbollin vendor, veçanërisht në promovimin e talenteve të rinj nëpërmjet strukturave të akademisë. /Telegrafi/

The post Besa e Dobërdollit tërhiqet nga gara në Ligën e Dytë – fokusi mbetet te akademia appeared first on Telegrafi.

Besa – Bashkimi garë për elitën, Shkëndija e Haraçinës kërkon ringritjen

24 May 2025 at 11:30

Ndeshja e shumëpritur e balotazhit për një vend në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut për sezonin e ardhshëm do të zhvillohet mes dy ekipeve shqiptare,  Besës nga Dobërdolli dhe Bashkimit nga Kumanova, njofton Telegrafi.

Federata e Futbollit të Maqedonisë ka konfirmuar se kjo sfidë vendimtare do të luhet në stadiumin e qytetit në Kavadar, pas një rekomandimi nga Ministria e Punëve të Brendshme për arsye sigurie dhe organizative.

Kjo përballje, që do të përcaktojë se cila skuadër do të jetë pjesë e elitës së futbollit vendor në sezonin e ardhshëm, është caktuar të zhvillohet të dielën, duke filluar nga ora 17:00. Për drejtësinë në fushë do të kujdeset arbitri Stojançe Trpçevski nga Shkupi. Kujtojmë se Besa e përfundoi sezonin në Ligën e Parë në pozitën e dhjetë, duke kërkuar që përmes balotazhit të sigurojë vazhdimësinë në elitë, ndërsa Bashkimi, që u rendit i treti në Ligën e Dytë, synon rikthimin historik në mesin e më të mirëve pas një sezoni të suksesshëm.

Sot me fillim në ora 17:00 në Kavadar, Shkëndija e Haraçinës përballet me Osogovën në ndeshjen vendimtare të balotazhit për inkuadrim në Ligën e Dytë të Maqedonisë së Veriut. Kjo sfidë paraqet një nga momentet më të rëndësishme për klubin nga Haraçina, që pas shumë viteve kërkon të rikthehet në Ligën e Dytë të vendit. /Telegrafi/

The post Besa – Bashkimi garë për elitën, Shkëndija e Haraçinës kërkon ringritjen appeared first on Telegrafi.

Reforma në futbollin e Maqedonisë: Nga sezoni 2026/27 zvogëlohen ligat

21 May 2025 at 17:42

Në mbledhjen e fundit të Bordit Drejtues të Federatës së Futbollit të Maqedonisë janë miratuar disa vendime të rëndësishme, ndër të cilat spikat ndryshimi i sistemit të garave në futbollin vendor, njofton Telegrafi

Nga sezoni 2026/27, do të ketë një ristrukturim të ligave me qëllim që të rritet niveli i konkurrencës dhe cilësia e ekipeve. Kjo nismë vjen si reagim ndaj disa ngjarjeve që tronditën kampionatin, si tërheqja e Renovës para dy vitesh dhe përjashtimet e fundit të Voskës dhe Gostivarit.

Kështu, sezoni i ardhshëm (2025/26) do të jetë i fundit me 12 skuadra në elitën e futbollit – Liga e Parë. Nga sezoni pasues, vetëm 10 ekipet më të mira do të kenë të drejtë të garojnë në këtë rang, duke ngritur nivelin sportiv dhe menaxherial të klubeve.

Ndryshime do të ketë edhe në Ligën e Dytë, e cila nga 16 ekipe do të kalojë në 14, duke nisur nga i njëjti sezon.

FFM njoftoi gjithashtu se është krijuar një komision i posaçëm me emra të njohur si Agim Ibraimi, Igor Frangovski dhe Sasho Zdravevski, të cilët do të kryejnë një analizë të thelluar dhe do të japin rekomandimet e tyre për mënyrën e rënies nga liga dhe ngjitjes në rang më të lartë për sezonin 2025/26. /Telegrafi/

The post Reforma në futbollin e Maqedonisë: Nga sezoni 2026/27 zvogëlohen ligat appeared first on Telegrafi.

Shkëndija të dielën e feston titullin e pestë me tifozë

12 May 2025 at 17:23

KF Shkëndija njofton se ndeshja e fundit e sezonit ndaj Sileksit do të zhvillohet me praninë e tifozëve, njofton Telegrafi.

KF Shkëndija do ta mbyllë sezonin në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut me praninë e tifozëve në stadiumin e qytetit në Tetovë. Ndeshja e fundit e kampionatit kundër Sileksit, e planifikuar për të dielën më 18 maj, do të jetë edhe momenti i kurorëzimit me trofeun e kampionit për herë të pestë në histori – dhe kjo do të ndodhë me mbështetjen e zjarrtë të publikut vendas.

Fillimisht, pas incidentit të ndodhur në përballjen ndaj Brerës, ku një grup tifozësh nuk respektuan një minutë heshtje para ndeshjes, Komisioni i Disiplinës e ndëshkoi klubin kuqezi me pesë ndeshje pa praninë e publikut. Një vendim që rrezikonte t’ua mohonte tifozëve momentin e rëndësishëm të festimit të titullit.

Por KF Shkëndija nuk u dorëzua. Klubi dërgoi ankesë zyrtare në Komisionin e Apelit pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë, i cili vendosi ta zbusë masën disiplinore, duke e ulur dënimin nga pesë në katër ndeshje pa tifozë. Si rrjedhojë, tribuna e stadiumit do të jetë e hapur për ndeshjen përmbyllëse të sezonit.

Klubi ka bërë thirrje për mobilizim të përgjithshëm, duke ftuar të gjithë dashamirët e Shkëndijës që të jenë të pranishëm në këtë ndeshje historike, për të krijuar një atmosferë madhështore që i shkon për shtat një kampioni të vërtetë. /Telegrafi/

The post Shkëndija të dielën e feston titullin e pestë me tifozë appeared first on Telegrafi.

Shkëndija shpallet kampione e Maqedonisë së Veriut për herë të pestë

7 May 2025 at 19:00

Dy javë para përfundimit të kampionatit, kuqezinjtë nga Tetova siguruan titullin pas fitores ndaj Rabotniçkit, duke ia marrë fronin kampionit të kaluar, Strugës, njofton Telegrafi.

Shkëndija e Tetovës është kampionja e re e Maqedonisë së Veriut. Skuadra kuqezi siguroi matematikisht titullin e pestë në historinë e klubit vetëm dy javë para fundit të kampionatit, pas një fitoreje të merituar ndaj Rabotniçkit me rezultat 2:1. Me këtë sukses, tetovarët ia morën epitetin e kampionit ekipit të Struga Trim Lum, i cili e mbante titullin që nga sezoni i kaluar.

Ndeshja nisi në mënyrë të furishme nga ana e Shkëndijës, që tregoi qartë ambiciet për të mbyllur kampionatin sa më shpejt. Në minutën e 5-të, Liridon Latifi zhbllokoi rezultatin pas një aksioni të shpejtë. Epërsia u dyfishua në pjesën e parë me një gol spektakolar nga Fabricio Tamba, pas një asisti të shkëlqyer nga Adamu Alhassan. Pavarësisht një penalltie të kontestuar që i dhuroi Rabotniçkit një gol përmes Cristojaye Daley, Shkëndija ruajti epërsinë deri në fund, duke festuar titullin me tifozët e saj.

Ndërkohë, fundjava solli edhe befasi në duelet tjera. Tikveshi mundi Besën me 1:0, duke e shtyrë këtë të fundit drejt pozitës që çon në balotazh. Në Strumicë, Shkupi humbi në mënyrë dramatike ndaj Brerës me rezultat 4:3, pavarësisht se kishte epërsi 1:3. Ndeshjet Pelisteri – Voska dhe Sileksi – Gostivari përfunduan me rezultat zyrtar 3:0 për vendasit. Barazim pa gola u regjistrua në duelin mes Vardarit dhe Strugës.

Shkëndija, me një sezon të dominuar nga cilësia, stabiliteti dhe përkrahja e tifozëve, rikthehet në fronin e futbollit të Maqedonisë. Me titullin e pestë të kampionit, kuqezinjtë konfirmojnë se janë një fuqi e pandalshme në skenën vendore dhe një pretendent serioz për suksese edhe në garat ndërkombëtare. /Telegrafi/

The post Shkëndija shpallet kampione e Maqedonisë së Veriut për herë të pestë appeared first on Telegrafi.

Shkëndija në prag të titullit, java e 31-të hapet sot me duelin Vardari – Struga

6 May 2025 at 09:58

Java e 31-të e kampionatit mund të jetë vendimtare për fatin e titullit kampion, ku Shkëndija ka mundësinë ta sigurojë matematikisht trofeun me një fitore ndaj Rabotniçkit. Në anën tjetër, gara për mbijetesë është përqendruar mes Brerës dhe Besës që ndajnë të njëjtin fat pikësh, njofton Telegrafi

Java e 31-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut starton sot me përballjen ndërmjet Vardarit dhe Strugës, ndërsa tre ndeshjet e tjera luhen të mërkurën me fillim nga ora 17:00, ku në qendër të vëmendjes është dueli në Tetovë mes Shkëndijës dhe Rabotniçkit.

Skuadra kuqezi ka shansin e artë për të siguruar titullin kampion dy javë para fundit, por përballë do të ketë një ekip që tani ka siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane. Edhe pse ndeshja zhvillohet në Tetovë, Shkëndija do ta luajë atë pa praninë e tifozëve për shkak të dënimit nga federata, çka e bën sfidën pak sa më të vështirë psikologjikisht.

KF Besa Dobërdoll

Ndërkohë në Strumicë, FC Shkupi do të përballet me AP Breran. Skuadra nga Çairi tashmë e ka siguruar mbijetesën dhe do të luajë pa presion, por për Breran kjo është një ndeshje jetike në luftën për të ruajtur vendin që çon në balotazh. Në një tjetër duel të rëndësishëm për fatin e sezonit, Tikveshi pret Besën nga Dobërdolli. Tikveshi është i sigurt për qëndrimin në elitë, ndërsa Besa kërkon me çdo kusht pikët për të mos rënë nga liga – apo të paktën për të qëndruar në garën për vendin e balotazhit.

Me epilogun e sezonit që po afrohet, java e 31-të pritet të sjellë emocion dhe vendime të mëdha. Sytë janë kah Tetova, ku Shkëndija mund ta mbyllë garën për titullin, ndërsa poshtë në tabelë lufta për mbijetesë vazhdon mes Besës dhe Brerës.

Vlen të rikujtojmë se nga gara tashmë janë larguar dy skuadrat shqiptare, Voska Sport dhe Gostivari, duke ndikuar dukshëm në dinamikën e këtij sezoni. /Telegrafi/

The post Shkëndija në prag të titullit, java e 31-të hapet sot me duelin Vardari – Struga appeared first on Telegrafi.

Zyrtare: Gostivari tërhiqet nga kampionati – akuzon FFM-në për padrejtësi sistematike

3 May 2025 at 19:33

Klubi i Futbollit Gostivari ka njoftuar tërheqjen e menjëhershme nga kampionati, duke akuzuar Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM) për qasje të padrejtë dhe ndëshkime të qëllimshme ndaj klubit, njofton Telegrafi.

Në një reagim public në faqen zyrtare tw klubit, drejtuesit e Gostivarit shprehen se vendimi është marrë pas një sërë padrejtësish të akumuluara gjatë sezonit, përfshirë dënime të rënda disiplinore, gabime të përsëritura të gjyqtarëve dhe trajtim të pabarabartë të lojtarëve, veçanërisht atyre të huaj.

“Nuk kemi marrë ende asnjë dokument zyrtar nga FFM. Të gjitha informacionet i kemi nga faqja e tyre. Ndëshkimet janë të ashpra dhe të papreceden, ndërsa sjellja e federatës synon të heshtë zërin tonë dhe të pengojë përparimin tonë sportiv,” thuhet në deklaratë.

Klubi e përmend si shembull rastin e futbollistit turk, Alper Potuk, i cili është pezulluar për dy vite aktivitet, pavarësisht sqarimeve të dhëna në FFM dhe kontributit të tij në promovimin e futbollit vendor dhe në Turqi.

Drejtuesit e Gostivarit theksojnë se vendimi për moszhvillimin e ndeshjes së fundit nuk ishte i papritur, por rezultat i padrejtësive të vazhdueshme dhe mungesës së reagimit institucional.

“Me keqardhje, por me bindje të plotë se po veprojmë drejt, njoftojmë tërheqjen e klubit tonë nga kampionati. Kërkojmë rishqyrtim të vendimeve dhe anulimin e dënimeve për kapitenin dhe lojtarët tanë,” thuhet në fund të komunikatës. KF Gostivari u shpreh gjithashtu mirënjohje klubeve të tjera për garën dhe uroi suksese të mëtejshme. /Telegrafi/

The post Zyrtare: Gostivari tërhiqet nga kampionati – akuzon FFM-në për padrejtësi sistematike appeared first on Telegrafi.

Të shtunën derbi Shkupi – Vardari, duel për titull të dielën në Strugë

2 May 2025 at 14:55

Kampionati i Ligës së Parë të Maqedonisë hyn në fazën vendimtare, ku çdo pikë ka peshë të madhe dhe çdo duel mund të ndryshojë rrjedhën e renditjes. Java e 30-të sjell katër ndeshje mjaft të rëndësishme që pritet të na japin një pasqyrë më të mirë për tre javët e fundit, njofton Telegrafi.

Derbi i përjetshëm Shkupi – Vardari, dueli mes Strugës dhe Shkëndijës, që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në garën për titullin, sfida me shumë rëndësi Sileksi – Rabotniçki, ku të dyja skuadrat synojnë Evropën, si dhe përballja për mbijetesë mes AP Brerës dhe Besës, që luftojnë për të kapur vendin e balotazhit, janë paralajmërim për futboll atraktiv.

Java e 30-të fillon me superduelin mes dy rivalëve të përjetshëm, Shkupit dhe Vardarit, që do të përballen të shtunën, më 3 maj, në stadiumin e Çairit, me fillim nga ora 16:00. Edhe pse këtë sezon të dy skuadrat nuk kanë pretendime për titull apo dalje në Evropë, lufta për tri pikët do të jetë më shumë për krenari. Shkupi ndodhet në vendin e shtatë me 35 pikë, ndërsa Vardari ka vetëm një pikë më shumë dhe mban pozitën e gjashtë.

Të gjitha ndeshjet e tjera të javës së 30-të do të zhvillohen të dielën, më 4 maj, me fillim nga ora 16:00. Në një tjetër duel të zjarrtë, Struga pret Shkëndijën, ku kuqezinjtë nga Tetova janë të detyruar të fitojë për të ruajtur epërsinë ndaj ndjekësit kryesor, Sileksit. Ky i fundit ka një ndeshje mjaft të vështirë në udhëtim kundër Rabotniçkit, që tashmë është përfshirë fuqishëm në garën për një vend që të çon në arenën ndërkombëtare dhe synon edhe pozitën e dytë në tabelë, meqë deri në fund mbeten edhe 12 pikë në lojë.

Një duel tjetër i rëndësishëm për mbijetesë është ai mes Besës dhe AP Brerës, që luftojnë për pozitën e 10-të, e cila siguron të paktën ndeshjen e balotazhit për qëndrim në elitë. Gostivari, ndërkohë, do të kërkojë tri pikë të arta përballë Pelisterit. Skuadra e Tikveshit është e lirë këtë javë, pasi Voska Sport i ka mbyllur tashmë para kohe garat në kampionat. /Telegrafi/

Dyshet për javën e 30-të: E shtunë – 3 maj, ora 16:00: Shkupi – Vardari

E diel – 4 maj, ora 16:00: Struga – Shkëndija, Besa– AP Brera, Gostivari – Pelisteri dhe Rabotniçki – Sileksi.

The post Të shtunën derbi Shkupi – Vardari, duel për titull të dielën në Strugë appeared first on Telegrafi.

MPB ndryshon ditën e derbit FC Shkupi dhe Vardari

30 April 2025 at 18:39

Edhe pse këtë sezon asnjëra nga skuadrat nuk është në garë për trofeun e kampionatit, përballja mes FC Shkupit dhe Vardarit mbetet derbi më i zjarrtë dhe me rivalitetin më të madh në futbollin vendor, njofton Telegrafi.

Bëhet fjalë për ndeshjen më të rëndësishme mes dy skuadrave më të mëdha të kryeqytetit – dhe të vendit – që, pavarësisht pozicioneve në renditje, gjithmonë tërheq vëmendje të jashtëzakonshme.

Sipas njoftimit zyrtar, ky duel do të zhvillohet të shtunën (03.05.2025), dhe jo të dielën siç kishte kërkuar FC Shkupi, për shkak të vlerësimit të lartë të rrezikshmërisë nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme. MPB-ja ka insistuar në ndërrimin e datës për arsye sigurie, duke e klasifikuar takimin si një “ndeshje me rrezik të lartë”.

Sfida mes FC Shkupit dhe Vardarit do të luhet në stadiumin e Çairit dhe është caktuar të nisë në orën 16:00. Tifozët, si çdoherë, pritet ta mbushin stadiumin dhe të krijojnë atmosferë unike për një ndeshje që tejkalon futbollin dhe është simbol i krenarisë, identitetit dhe historisë në Shkup. /Telegrafi/

The post MPB ndryshon ditën e derbit FC Shkupi dhe Vardari appeared first on Telegrafi.

Shkëndija ruan epërsinë, Struga ndali Sileksin

28 April 2025 at 11:50

Java e 29-të në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut nuk solli ndryshime në krye të tabelës, pasi Shkëndija dhe Sileksi, dy rivalët për titull, barazuan ndeshjet e tyre dhe ruajtën të pandryshuar diferencën prej katër pikësh, njofton Telegrafi.

Në derbin shqiptar të javës, në Tetovë, Shkëndija dhe Shkupi u ndanë në një barazim spektakolar 3-3. Ndeshja u karakterizua nga tre autogola, por edhe gola të bukur, me Shkëndijën që edhe pse u rikthye në ndeshje pas një disavantazhi prej dy golash, nuk arriti të marrë më shumë se një pikë.

Nga ana tjetër, Sileksi nuk përfitoi nga hapi fals i liderit, duke barazuar pa gola (0-0) në duelin ndaj Strugës. Ky rezultat bën që katër javë para fundit të kampionatit, Shkëndija të mbetet me një epërsi jo dhe shumë komode prej katër pikësh.

Në duelin mes Gostivarit dhe Rabotniçkit, që u zhvillua në stadiumin “Boris Trajkovski” në lagjen Maxhari të Shkupit, u regjistrua një tjetër episod negativ. Pas një përmbysjeje në rezultat (nga 1-0 në 1-2 për Rabotniçkin), drejtuesit e Gostivarit urdhëruan futbollistët të largoheshin nga fusha, duke mos përfunduar ndeshjen. Klubi i Gostivarit përmes një reagimi zyrtar në rrjetet sociale theksoi se:

“Incidenti që ndodhi nuk është kundër kundërshtarit tonë Rabotniçkit. Reagimi ynë është ndaj gjyqtarit të ndeshjes, Igor Stojçevski! Ky gjyqtar njihet për menaxhim skandaloz të ndeshjeve dhe nuk është i dëshiruar nga asnjë ekip. Sa i përket deklaratës së FFM-së, çdo fjali e saj do të marrë përgjigje NJË E NGA NJË. Siç e thamë edhe në konferencën për shtyp dje, ne jemi të pastër, nuk ka asgjë që nuk mund ta sqarojmë!” – thuhet në deklaratën e FC Gostivarit.

Në ndeshjet tjera, Vardari mposhti Besën e Dobërdollit me rezultat 3-1, Pelisteri siguroi fitore të rëndësishme për mbijetesë duke mundur Tikveshin 1-0. Ndërsa ndeshja AP Brera – Voska Sportit është regjistruar me rezultat zyrtar 3-0, pasi dueli nuk u zhvillua për shkak të tërheqjes së kësaj të fundit nga kampionati. /Telegrafi/

Rezultatet e javës së 29-të: Shkëndija – Shkupi 3-3, Gostivari – Rabotniçki 1-2 (e ndërprerë), Sileksi – Struga 0-0, Vardari – Besa 3-1, Pelisteri – Tikveshi 1-0, AP Brera – Voska Sport (3-0 zyrtarisht)

Standings provided by Sofascore

 

The post Shkëndija ruan epërsinë, Struga ndali Sileksin appeared first on Telegrafi.

Shkëndija nuk ndalet, pa përfundim në Ohër, arrestime në Strugë

20 April 2025 at 11:34

Java e 28-të në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut solli emocione të shumta, duele të atraktive, gola spektakolarë dhe tensione brenda e jashtë fushës, ngjarje që tejkalojnë kornizat sportive, njofton Telegrafi.

Në Gostivar, Besa, një ndër skuadrat më të rrezikuara për rënie, priti liderin Shkëndija në një ndeshje me ritëm të lartë dhe shumë gola. Besa kaloi e para në epërsi me golin e Selmanit, por Shkëndija reagoi fuqishëm me golin e Ibraimit nga penalltia dhe më pas me Tamban. Pjesa e dytë solli një tjetër barazim nga Selmani, por Merxhani vulosi fitoren për tetovarët në minutat e fundit. Shkëndija mban kreun, ndërsa Besa vijon të luftojë për mbijetesë.

Çairasit nuk ia dolën të rikthehen te fitorja para tifozëve të vet, duke u mposhtur nga Sileksi në një ndeshje të tensionuar. Ansah realizoi një gol të bukur, por Sileksi barazoi me një gol të diskutueshëm për pozitë jashtë loje. Fitoren e siguroi Aliç, pas një gabimi të rëndë të portierit Denkovski. Pas ndeshjes, FC Shkupi reagoi ashpër ndaj arbitrimit, duke e quajtur vendimin për golin e barazimit “skandaloz” dhe duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet përkatëse.

Ndeshja ndërmjet Struga Trim Lum dhe Gostivarit ishte dramatike deri në fund, me rezultat përfundimtar 1-1. Mysafirët kaluan në epërsi me Kalanoskin, por në fund, zëvendësuesi Kehinde barazoi për Strugën. Diata i Gostivarit u ndëshkua me të kuq në minutat e fundit, duke shtuar tensionin. Pas ndeshjes, ndodhi një përplasje fizike mes futbollistëve të dy skuadrave. Klubi i Gostivarit njoftoi se tre lojtarë dhe një anëtar i stafit teknik u ndaluan nga policia lokale për disa orë, pa pasur mundësi të komunikojnë me familjarët apo ekipin. Incidenti është dënuar ashpër nga klubi, që kërkon trajtim më korrekt dhe hetim të plotë të rastit.

Një nga episodet më të përfolura të javës ndodhi në Ohër, ku dueli mes Voskës dhe Vardarit u ndërpre në minutën e 76-të, me rezultatin 1-1. Voska kaloi e para në epërsi me Osein, por Vardari barazoi me një gol të kontestuar të Duranskit, që shkaktoi protesta të mëdha. Në shenjë pakënaqësie ndaj arbitrimit, skuadra vendase u tërhoq nga fusha. Klubi i Voska Sport reagoi më pas me një deklaratë të ashpër ndaj Federatës së Futbollit të Maqedonisë, duke e cilësuar gjykimin si tendencioz dhe të dëmshëm për integritetin e garës. Ata kërkojnë masa konkrete për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.

Në përballjet e tjera të javës, Rabotniçki fitoi me rezultat 2-1 ndaj Pelisterit, ndërsa Tikveshi mposhti AP Brerën po me të njëjtin rezultat./Telegrafi/

Rezultatet e plota të javës së 28-të: Besa– Shkëndija 2-3, Shkupi – Sileksi 1-2, Struga – Gostivari 1-1, Voska Sport – Vardari (ndërprerë në minutën e 76-të, 1-1), Rabotniçki – Pelisteri 2-1, Tikveshi – AP Brera 2-1

Java e 29-të (27 prill, ora 16:00): Shkëndija – Shkupi, Sileksi – Struga, Vardari – Besa, AP Brera – Voska, Gostivari – Rabotniçki dhe Pelisteri – Tikveshi.

The post Shkëndija nuk ndalet, pa përfundim në Ohër, arrestime në Strugë appeared first on Telegrafi.

Shkëndija nuk ndalet, Gostivari dhe Struga rikthehen në garë për Evropën

14 April 2025 at 13:14

Java e 27-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut dhuroi emocione të shumta, zhvillime të rëndësishme në kreun e tabelës dhe tension në fundin e saj, njofton Telegrafi.

Me vetëm gjashtë xhiro të mbetura deri në fund të sezonit, gara për titull, për Evropë dhe për mbijetesë po hyn në fazën më vendimtare.

Shkëndija e Tetovës konfirmoi edhe një herë se është pretendente serioze për titull, duke mposhtur në mënyrë bindëse Voska Sportin me rezultat 4-0. Me këtë fitore, kuqezinjtë ruajtën pozitën e parë dhe distancën prej katër pikësh ndaj ndjekësit më të afërt, Sileksit, që gjithashtu ishte i pamëshirshëm ndaj Besës, duke fituar me rezultatin e thellë 5-0 në Kratovë.

Gara mes këtyre dy skuadrave po zhvillohet në mënyrë dramatike, ku çdo pikë pritet të jetë vendimtare. Shkëndija ka përpara disa ndeshje ku duhet të ruajë ritmin, ndërsa Sileksi po pret çdo hap të gabuar për të marrë kreun.

Në luftën për pozitën e tretë, që siguron pjesëmarrje në garat evropiane, ndodhi një ndryshim i madh. Rabotniçki, që deri tani kishte komoditet në këtë vend, u mposht në shtëpi nga kampionët në fuqi Struga, me rezultat 0-1. Kjo humbje ka rihapur garën, pasi tani Gostivari (dy pikë) dhe Struga (katër pikë), janë afruar ndjeshëm, duke e bërë betejën për Evropë shumë më interesante në javët e mbetura.

Ndërkohë, edhe Gostivari bëri një hap të madh përpara, duke triumfuar me rezultat 3-1 ndaj Shkupit, në një ndeshje ku tregoi forcë karakteri.

Lufta për mbijetesë, është bërë më e ashpër se kurrë. Në fundin e tabelës, tensioni është i lartë. Katër skuadra ndodhen brenda vetëm dy pikëve dhe secila prej tyre po lufton për të shmangur zonën e rrezikshme. AP Brera mori fitore shumë të rëndësishme në transfertë ndaj Pelisterit, ndërsa Tikveshi ndau pikët me Vardarin, por mbetet i përfshirë në betejë.

Besa, Tikveshi, AP Brera dhe Voska Sport janë skuadrat më të rrezikuara, me çdo ndeshje që mund të jetë vendimtare për fatin e tyre në elitë.

Të dielën, më 20 prill, me fillim nga ora 16:00, na presin sfida të tjera kyçe që pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në të gjitha zonat e tabelës. Kjo xhiro pritet të japë më shumë përgjigje, por ndoshta edhe të hapë rrugën për befasi të tjera në një kampionat që po shkon drejt një fundi dramatik. /Telegrafi/

Java e 28-të: Besa – Shkëndija, Struga – Gostivari, Shkupi – Sileksi, Voska Sport – Vardari, Rabotniçki – Pelisteri dhe Tikveshi – AP Brera.

Standings provided by Sofascore

 

 

 

The post Shkëndija nuk ndalet, Gostivari dhe Struga rikthehen në garë për Evropën appeared first on Telegrafi.

Shkëndija kërkon tri pikë për të ruajtur fronin, tri duele luhen në Shkup

12 April 2025 at 11:52

Java e 27-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, sjellë duelin në Tetovë, ku Shkëndija mbron kreun, Struga dhe Shkupi do të kenë përballje dramatike në Shkup, njofton Telegrafi.

E diela sjell emocione të mëdha në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut, ku do të luhen përballjet e javës së 27-të. Në qendër të vëmendjes do të jenë ekipet shqiptare, të cilat luftojnë në pole të ndryshme të tabelës – për titull, për Evropë dhe për mbijetesë.

Shkëndija e Tetovës, që aktualisht kryeson tabelën, do të luajë në shtëpi ndaj Voska Sport, një përballje shqiptare ku tetovarët janë të vendosur të marrin tri pikët për të ruajtur epërsinë ndaj ndjekësve dhe për të hedhur një hap më pranë titullit. Përballë tyre do të jetë një skuadër e rrezikuar nga zona e rënies, ku Voska kërkon pikë shpëtimi dhe pritet të bëjë gjithçka për të ndalur liderin.

Në Kratovë zhvillohet një tjetër duel me peshë, ku Sileksi, ndjekësi më i afërt i Shkëndijës, pret Besën e Dobërdollit. Sileksit i nevojitet fitorja për të mos lejuar shkëputjen e kuqezinjve, ndërsa Besa synon pikë të vlefshme në luftën për mbijetesë – duke e bërë këtë sfidë një përplasje mes ambicieve të kundërta, por me qëllim të njëjtë: grumbullimin e pikëve.

Në kryeqytet do të luhen dy duele shumë interesante. Rabotniçki pret Strugën në një sfidë direkte për zonën evropiane. Të dyja skuadrat janë në garë për vendet që çojnë në garat ndërkombëtare dhe kjo përballje mund të jetë vendimtare për fatin e tyre në këtë sezon.

Po në Shkup, në lagjen Maxhari, Gostivari përballet me Shkupin, në një duel shqiptar ku të dyja skuadrat kanë nevojë për pikë – njëra për të siguruar pozitë më të mirë në mes të tabelës, tjetra për të shmangur çdo rrezik të mëtejmë. Dy përballjet e tjera të kësaj jave janë: Pelisteri – AP Brera, si dhe Vardari – Tikveshi, që plotësojnë javën e 27-të. /Telegrafi/

Java e 27, E diel ora 16:00: Gostivari – Shkupi, Rabotniçki – Struga, Shkëndija – Voska Sport, Sileksi – Besa, Pelisteri – AP Brera dhe Vardari – Tikveshi.

The post Shkëndija kërkon tri pikë për të ruajtur fronin, tri duele luhen në Shkup appeared first on Telegrafi.

Shkëndija e Sileksi në duel titulli, katër ekipe në “zonën e kuqe”!

7 April 2025 at 09:59

Java e 26-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut ka vulosur edhe më shumë ndarjet në tabelë, duke nxjerrë në pah dy fronte të nxehta: garën për titull dhe betejën dramatike për mbijetesë, njofton Telegrafi.

Shkëndija e Tetovës vazhdoi serinë e fitoreve, duke mposhtur Tikveshin edhe pse për më shumë se 25 minuta luajti me një lojtar më pak. Kjo fitore e mban skuadrën kuqezi në krye të tabelës me katër pikë më shumë se ndjekësi më i afërt, Sileksi, i cili gjithashtu regjistroi fitore dramatike ndaj Voska Sportit. Me këtë ritëm, duket se titulli i këtij sezoni do të vendoset mes këtyre dy skuadrave, të cilat janë të vendosura t’ia rrëmbejnë fronin kampionit aktual, Strugës.

Në anën tjetër të tabelës, beteja për mbijetesë ka hyrë në fazën më kritike. Katër skuadra tashmë janë ndarë në fundin e klasifikimit dhe do të luftojnë me çdo kusht për të qëndruar në elitë: Besa e Dobërdollit, Voska Sport, Tikveshi dhe AP Brera. Çdo pikë nga këtu e tutje do të ketë peshën e artë për to.

Ndërkohë, nuk mungon as gara për një vend në arenën evropiane. Aktualisht, Rabotniçki mban pozitën e tretë, e ndjekur nga Gostivari dhe Struga, të cilat po tentojnë të përfitojnë nga çdo hap fals i rivalëve. Në grupin e mesëm të renditjes ndodhen Shkupi, Pelisteri dhe Vardari, që për momentin janë larg rrezikut, por nuk kanë luksin të qetësohen. Ata synojnë të ruajnë pozitat stabile që sigurojnë mbetje në elitë, ndërsa njëkohësisht mund të përgatiten për më shumë ambicie në sezonin e ardhshëm.

Rezultatet e plota të javës së 26-të: Besa – Gostivari 2-1, Shkupi – Rabotniçki 0-0, Tikveshi – Shkëndija 0-1, Voska Sport – Sileksi 1-2, AP Brera – Vardari 0-2, Struga – Pelisteri 4-1. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

 

 

The post Shkëndija e Sileksi në duel titulli, katër ekipe në “zonën e kuqe”! appeared first on Telegrafi.

Struga nis me fitore javën e 26-të, mposht Pelisterin me rezultat të pastër

5 April 2025 at 17:00

Java e 26-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut është hapur sot me ndeshjen ndërmjet Strugës dhe Pelisterit, e zhvilluar buzë liqenit në Strugë, ku vendasit arkëtuan tri pikë të rëndësishme me një fitore të pastër 4-1, njofton Telegrafi.

Pjesa e parë solli raste nga të dyja anët, ndërsa të dyja golat u shënuan nga pika e bardhë. Fillimisht, në minutën e 22-të, sulmuesi nigerian Kehinde kaloi Strugën në epërsi, duke realizuar nga penalltia. Por vetëm tetë minuta më vonë, Pelisteri reagoi dhe barazoi shifrat, kur Ristevski ekzekutoi saktë një tjetër penallti për mysafirët.

Në minutat e fundit të pjesës së parë, Pelisteri mbeti me një lojtar më pak në fushë, pasi Boshkovski u ndëshkua me karton të kuq, duke i komplikuar gjërat për skuadrën nga Manastiri.

Këtë epërsi numerike, Struga e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë të mundshme dhe menjëherë në fillim të pjesës së dytë, në minutën e 47-të, Vllajkoviq riktheu avantazhin për vendasit. Nga ai moment, struganët morën kontrollin e plotë të lojës dhe nuk lejuan që fitorja t’u ikë nga duart. Në minutën e 75-të, mesfushori Bunjamin Shabani shënoi golin e tretë. Në minutën e pestë të kohës shtesë, përsëri në skenë doli nigeriani Kehinde, i cili shënoi një gol të bukur me kokë, duke vulosur fitoren dhe duke e konfirmuar dominimin e skuadrës strugane.

Struga me këtë fitore vazhdon ndjekjen e pozicioneve të para në renditje dhe mban të gjallë shpresat për një vend që siguron pjesëmarrje në garat evropiane.

Kampionati vazhdon nesër me ndeshjet e tjera të javës së 26-të, ku nga ora 15:00 zhvillohen takimet: Besa – Gostivari, Shkupi – Rabotniçki, Tikveshi – Shkëndija, Voska Sport – Sileksi dhe AP Brera – Vardari. /Telegrafi/

 

 

The post Struga nis me fitore javën e 26-të, mposht Pelisterin me rezultat të pastër appeared first on Telegrafi.

Java e 26-të në Ligën e Parë të Maqedonisë: Shkëndija kërkon pikë në Kavadar

5 April 2025 at 11:36

Liga e Parë e Maqedonisë së Veriut po hyn në fazën më të nxehtë të sezonit, ndërsa këtë fundjavë zhvillohen ndeshjet e javës së 26-të, me shumë skuadra që luftojnë për objektiva të ndryshëm – titullin kampion, mbijetesën dhe pjesëmarrjen në garat evropiane, njofton Telegrafi.

Ekipet shqiptare, si gjithnjë në qendër të vëmendjes, do të kenë sfida vendimtare. Java nis me përballjen buzë liqenit, ku Struga, tashmë larg garës për titull, kërkon të ruajë gjallë shpresat për një vend që e dërgon në arenën evropiane. Fitorja ndaj Pelisterit është detyrim për skuadrën e trajnerit Ilço Gjorgjioski.

Të dielën, në Gostivar, Besa do të kërkojë pikët e shpresës për të mbetur në elitë, por përballë ka një Gostivar që edhe pse ka humbur hapin për titull, synon të përfitojë nga ndonjë gabim i rivalëve për një vend evropian.

Të kaltrit e Shkupit “Pëllumbat” do të përballen me një kundërshtar të vështirë siç është Rabotniçki, por objektivi është i qartë – mbajtja e pozitës që siguron qëndrimin në elitë edhe për sezonin e ardhshëm.

Shkëndija si lidere vazhdon garën për titull dhe nuk ka luksin të humbasë pikë. Ndeshja në Kavadar kundër Tikveshit është test serioz për kuqezinjtë, të cilët kërkojnë fitoren për të mos i lënë Sileksin dhe Rabotniçkin të afrohen në krye.

Një tjetër duel për mbijetesë luhet në Ohër. Voska, e mbështetur nga tifozët e saj, kërkon me ngulm një fitore ndaj Sileksit për t’u larguar nga fundi i tabelës. Por skuadra nga Kratova është një nga pretendentët për titull, andaj nëse dëshirojnë të jenë në garë me Shkëndijën, duhet mundur Voska. Emocione të forta priten në këtë përballje direkte.

Vardari do të përballet me një skuadër të paparashikueshme si Brera. Të dye ekpet janë në zonën e rrezikut, dhe kërkojnë tri pikë, por në këtë rast Vardari edhe piluan si mysafir, është favorit për të fituar. /Telegrafi/

Sot 05.04.2025 – Ora 15:00 Struga – Pelisteri

Nesër 06.04.2025 – Ora 15:00 Besa – Gostivari, Shkupi – Rabotniçki, Tikveshi – Shkëndija, Voska Sport –Sileksi dhe AP Brera – Vardari.

The post Java e 26-të në Ligën e Parë të Maqedonisë: Shkëndija kërkon pikë në Kavadar appeared first on Telegrafi.

❌
❌