Shkëndija e Tetovës ka kaluar me sukses pengesën e parë në Ligën e Kampionëve, pasi mposhti TNS-in pas vazhdimeve me rezultat 2-1 në “Todor Proeski” të Shkupit, njofton Telegrafi.
Pas barazimit 0-0 në ndeshjen e parë në Uells, dueli i kthimit solli emocione që nga minuta e parë. Në aksionin e parë serioz, Latifi goditi shtyllën, ndërsa portieri i mysafirëve bëri disa pritje vendimtare në fillim.
Goli i parë erdhi në minutën e 18-të, kur kapiteni Besa Ibraimi asistoi bukur për Tamban, i cili nga kaloi Shkëndijën në epërsi.
Në minutën e 28-të, Ibraimi u afrua shumë pranë një goli spektakolar me një lëvizje të bukur dhe tentim lobimi, por topi kaloi ngjitur me shtyllën.
Kur pritej fundi i pjesës së parë, TNS barazoi në minutën e 44-të pas një gabimi të mbrojtjes dhe një goditjeje të saktë nga Williams.
Pjesa e dytë solli disa raste për Shkëndijën, ndërsa në minutën e 82-të gjyqtari akordoi penallti për “kuqezinjtë”, por pas rishikimit me VAR u konstatua pozicion jashtë loje.
Ndeshja shkoi në vazhdime, ku vendimtari ishte një autogol për TNS. Në minutën e 116-të, pas një krosimi të Ademit, mbrojtësi Bodenham e devijoi topin në rrjetën e vet dhe Shkëndija avancoi në raundin tjetër.
Skuadra tetovare tani do të përballet me gjigantin rumun, Steaua Bukuresht, në raundin e dytë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/
Bordi drejtues i Federatës së Futbollit të Maqedonisë ka miratuar zyrtarisht kalendarin e garave për Ligën e Parë dhe të Dytë, si dhe për Kupën e Maqedonisë për sezonin garues 2025/26, njofton Telegrafi.
Ndeshjet e Ligës së Parë do të zhvillohen gjatë fundjavës, të shpërndara në tre ditë: e premte, e shtunë dhe e diel. Ndeshjet e Ligës së Dytë do të luhen të shtunave, ndërsa ndeshjet e Kupës do të zhvillohen gjatë ditëve të punës – të martën, të mërkurën ose të enjten.
Pjesa e parë e sezonit në Ligën e Parë do të nisë mes datave 8 dhe 10 gusht, ndërsa sezoni në Ligën e Dytë fillon më 23 gusht.
Edicioni i ri i Kupës së Maqedonisë nis me rrethin e parë më 26/27 gusht. Finalja e madhe e Kupës është caktuar të luhet më 30 maj 2026./Telegrafi/
KF Shkëndija njofton se ndeshja e fundit e sezonit ndaj Sileksit do të zhvillohet me praninë e tifozëve, njofton Telegrafi.
KF Shkëndija do ta mbyllë sezonin në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut me praninë e tifozëve në stadiumin e qytetit në Tetovë. Ndeshja e fundit e kampionatit kundër Sileksit, e planifikuar për të dielën më 18 maj, do të jetë edhe momenti i kurorëzimit me trofeun e kampionit për herë të pestë në histori – dhe kjo do të ndodhë me mbështetjen e zjarrtë të publikut vendas.
Fillimisht, pas incidentit të ndodhur në përballjen ndaj Brerës, ku një grup tifozësh nuk respektuan një minutë heshtje para ndeshjes, Komisioni i Disiplinës e ndëshkoi klubin kuqezi me pesë ndeshje pa praninë e publikut. Një vendim që rrezikonte t’ua mohonte tifozëve momentin e rëndësishëm të festimit të titullit.
Por KF Shkëndija nuk u dorëzua. Klubi dërgoi ankesë zyrtare në Komisionin e Apelit pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë, i cili vendosi ta zbusë masën disiplinore, duke e ulur dënimin nga pesë në katër ndeshje pa tifozë. Si rrjedhojë, tribuna e stadiumit do të jetë e hapur për ndeshjen përmbyllëse të sezonit.
Klubi ka bërë thirrje për mobilizim të përgjithshëm, duke ftuar të gjithë dashamirët e Shkëndijës që të jenë të pranishëm në këtë ndeshje historike, për të krijuar një atmosferë madhështore që i shkon për shtat një kampioni të vërtetë. /Telegrafi/
Dy javë para përfundimit të kampionatit, kuqezinjtë nga Tetova siguruan titullin pas fitores ndaj Rabotniçkit, duke ia marrë fronin kampionit të kaluar, Strugës, njofton Telegrafi.
Shkëndija e Tetovës është kampionja e re e Maqedonisë së Veriut. Skuadra kuqezi siguroi matematikisht titullin e pestë në historinë e klubit vetëm dy javë para fundit të kampionatit, pas një fitoreje të merituar ndaj Rabotniçkit me rezultat 2:1. Me këtë sukses, tetovarët ia morën epitetin e kampionit ekipit të Struga Trim Lum, i cili e mbante titullin që nga sezoni i kaluar.
Ndeshja nisi në mënyrë të furishme nga ana e Shkëndijës, që tregoi qartë ambiciet për të mbyllur kampionatin sa më shpejt. Në minutën e 5-të, Liridon Latifi zhbllokoi rezultatin pas një aksioni të shpejtë. Epërsia u dyfishua në pjesën e parë me një gol spektakolar nga Fabricio Tamba, pas një asisti të shkëlqyer nga Adamu Alhassan. Pavarësisht një penalltie të kontestuar që i dhuroi Rabotniçkit një gol përmes Cristojaye Daley, Shkëndija ruajti epërsinë deri në fund, duke festuar titullin me tifozët e saj.
Ndërkohë, fundjava solli edhe befasi në duelet tjera. Tikveshi mundi Besën me 1:0, duke e shtyrë këtë të fundit drejt pozitës që çon në balotazh. Në Strumicë, Shkupi humbi në mënyrë dramatike ndaj Brerës me rezultat 4:3, pavarësisht se kishte epërsi 1:3. Ndeshjet Pelisteri – Voska dhe Sileksi – Gostivari përfunduan me rezultat zyrtar 3:0 për vendasit. Barazim pa gola u regjistrua në duelin mes Vardarit dhe Strugës.
Shkëndija, me një sezon të dominuar nga cilësia, stabiliteti dhe përkrahja e tifozëve, rikthehet në fronin e futbollit të Maqedonisë. Me titullin e pestë të kampionit, kuqezinjtë konfirmojnë se janë një fuqi e pandalshme në skenën vendore dhe një pretendent serioz për suksese edhe në garat ndërkombëtare. /Telegrafi/
Java e 31-të e kampionatit mund të jetë vendimtare për fatin e titullit kampion, ku Shkëndija ka mundësinë ta sigurojë matematikisht trofeun me një fitore ndaj Rabotniçkit. Në anën tjetër, gara për mbijetesë është përqendruar mes Brerës dhe Besës që ndajnë të njëjtin fat pikësh, njofton Telegrafi
Java e 31-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut starton sot me përballjen ndërmjet Vardarit dhe Strugës, ndërsa tre ndeshjet e tjera luhen të mërkurën me fillim nga ora 17:00, ku në qendër të vëmendjes është dueli në Tetovë mes Shkëndijës dhe Rabotniçkit.
Skuadra kuqezi ka shansin e artë për të siguruar titullin kampion dy javë para fundit, por përballë do të ketë një ekip që tani ka siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane. Edhe pse ndeshja zhvillohet në Tetovë, Shkëndija do ta luajë atë pa praninë e tifozëve për shkak të dënimit nga federata, çka e bën sfidën pak sa më të vështirë psikologjikisht.
KF Besa Dobërdoll
Ndërkohë në Strumicë, FC Shkupi do të përballet me AP Breran. Skuadra nga Çairi tashmë e ka siguruar mbijetesën dhe do të luajë pa presion, por për Breran kjo është një ndeshje jetike në luftën për të ruajtur vendin që çon në balotazh. Në një tjetër duel të rëndësishëm për fatin e sezonit, Tikveshi pret Besën nga Dobërdolli. Tikveshi është i sigurt për qëndrimin në elitë, ndërsa Besa kërkon me çdo kusht pikët për të mos rënë nga liga – apo të paktën për të qëndruar në garën për vendin e balotazhit.
Me epilogun e sezonit që po afrohet, java e 31-të pritet të sjellë emocion dhe vendime të mëdha. Sytë janë kah Tetova, ku Shkëndija mund ta mbyllë garën për titullin, ndërsa poshtë në tabelë lufta për mbijetesë vazhdon mes Besës dhe Brerës.
Vlen të rikujtojmë se nga gara tashmë janë larguar dy skuadrat shqiptare, Voska Sport dhe Gostivari, duke ndikuar dukshëm në dinamikën e këtij sezoni. /Telegrafi/
Kampionati i Ligës së Parë të Maqedonisë hyn në fazën vendimtare, ku çdo pikë ka peshë të madhe dhe çdo duel mund të ndryshojë rrjedhën e renditjes. Java e 30-të sjell katër ndeshje mjaft të rëndësishme që pritet të na japin një pasqyrë më të mirë për tre javët e fundit, njofton Telegrafi.
Derbi i përjetshëm Shkupi – Vardari, dueli mes Strugës dhe Shkëndijës, që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në garën për titullin, sfida me shumë rëndësi Sileksi – Rabotniçki, ku të dyja skuadrat synojnë Evropën, si dhe përballja për mbijetesë mes AP Brerës dhe Besës, që luftojnë për të kapur vendin e balotazhit, janë paralajmërim për futboll atraktiv.
Java e 30-të fillon me superduelin mes dy rivalëve të përjetshëm, Shkupit dhe Vardarit, që do të përballen të shtunën, më 3 maj, në stadiumin e Çairit, me fillim nga ora 16:00. Edhe pse këtë sezon të dy skuadrat nuk kanë pretendime për titull apo dalje në Evropë, lufta për tri pikët do të jetë më shumë për krenari. Shkupi ndodhet në vendin e shtatë me 35 pikë, ndërsa Vardari ka vetëm një pikë më shumë dhe mban pozitën e gjashtë.
Të gjitha ndeshjet e tjera të javës së 30-të do të zhvillohen të dielën, më 4 maj, me fillim nga ora 16:00. Në një tjetër duel të zjarrtë, Struga pret Shkëndijën, ku kuqezinjtë nga Tetova janë të detyruar të fitojë për të ruajtur epërsinë ndaj ndjekësit kryesor, Sileksit. Ky i fundit ka një ndeshje mjaft të vështirë në udhëtim kundër Rabotniçkit, që tashmë është përfshirë fuqishëm në garën për një vend që të çon në arenën ndërkombëtare dhe synon edhe pozitën e dytë në tabelë, meqë deri në fund mbeten edhe 12 pikë në lojë.
Një duel tjetër i rëndësishëm për mbijetesë është ai mes Besës dhe AP Brerës, që luftojnë për pozitën e 10-të, e cila siguron të paktën ndeshjen e balotazhit për qëndrim në elitë. Gostivari, ndërkohë, do të kërkojë tri pikë të arta përballë Pelisterit. Skuadra e Tikveshit është e lirë këtë javë, pasi Voska Sport i ka mbyllur tashmë para kohe garat në kampionat. /Telegrafi/
Dyshet për javën e 30-të: E shtunë – 3 maj, ora 16:00: Shkupi – Vardari
E diel – 4 maj, ora 16:00: Struga – Shkëndija, Besa– AP Brera, Gostivari – Pelisteri dhe Rabotniçki – Sileksi.
Java e 29-të në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut nuk solli ndryshime në krye të tabelës, pasi Shkëndija dhe Sileksi, dy rivalët për titull, barazuan ndeshjet e tyre dhe ruajtën të pandryshuar diferencën prej katër pikësh, njofton Telegrafi.
Në derbin shqiptar të javës, në Tetovë, Shkëndija dhe Shkupi u ndanë në një barazim spektakolar 3-3. Ndeshja u karakterizua nga tre autogola, por edhe gola të bukur, me Shkëndijën që edhe pse u rikthye në ndeshje pas një disavantazhi prej dy golash, nuk arriti të marrë më shumë se një pikë.
Nga ana tjetër, Sileksi nuk përfitoi nga hapi fals i liderit, duke barazuar pa gola (0-0) në duelin ndaj Strugës. Ky rezultat bën që katër javë para fundit të kampionatit, Shkëndija të mbetet me një epërsi jo dhe shumë komode prej katër pikësh.
Në duelin mes Gostivarit dhe Rabotniçkit, që u zhvillua në stadiumin “Boris Trajkovski” në lagjen Maxhari të Shkupit, u regjistrua një tjetër episod negativ. Pas një përmbysjeje në rezultat (nga 1-0 në 1-2 për Rabotniçkin), drejtuesit e Gostivarit urdhëruan futbollistët të largoheshin nga fusha, duke mos përfunduar ndeshjen. Klubi i Gostivarit përmes një reagimi zyrtar në rrjetet sociale theksoi se:
“Incidenti që ndodhi nuk është kundër kundërshtarit tonë Rabotniçkit. Reagimi ynë është ndaj gjyqtarit të ndeshjes, Igor Stojçevski! Ky gjyqtar njihet për menaxhim skandaloz të ndeshjeve dhe nuk është i dëshiruar nga asnjë ekip. Sa i përket deklaratës së FFM-së, çdo fjali e saj do të marrë përgjigje NJË E NGA NJË. Siç e thamë edhe në konferencën për shtyp dje, ne jemi të pastër, nuk ka asgjë që nuk mund ta sqarojmë!” – thuhet në deklaratën e FC Gostivarit.
Në ndeshjet tjera, Vardari mposhti Besën e Dobërdollit me rezultat 3-1, Pelisteri siguroi fitore të rëndësishme për mbijetesë duke mundur Tikveshin 1-0. Ndërsa ndeshja AP Brera – Voska Sportit është regjistruar me rezultat zyrtar 3-0, pasi dueli nuk u zhvillua për shkak të tërheqjes së kësaj të fundit nga kampionati. /Telegrafi/
Rezultatet e javës së 29-të: Shkëndija – Shkupi 3-3, Gostivari – Rabotniçki 1-2 (e ndërprerë), Sileksi – Struga 0-0, Vardari – Besa 3-1, Pelisteri – Tikveshi 1-0, AP Brera – Voska Sport (3-0 zyrtarisht)
Java e 28-të në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut solli emocione të shumta, duele të atraktive, gola spektakolarë dhe tensione brenda e jashtë fushës, ngjarje që tejkalojnë kornizat sportive, njofton Telegrafi.
Në Gostivar, Besa, një ndër skuadrat më të rrezikuara për rënie, priti liderin Shkëndija në një ndeshje me ritëm të lartë dhe shumë gola. Besa kaloi e para në epërsi me golin e Selmanit, por Shkëndija reagoi fuqishëm me golin e Ibraimit nga penalltia dhe më pas me Tamban. Pjesa e dytë solli një tjetër barazim nga Selmani, por Merxhani vulosi fitoren për tetovarët në minutat e fundit. Shkëndija mban kreun, ndërsa Besa vijon të luftojë për mbijetesë.
Çairasit nuk ia dolën të rikthehen te fitorja para tifozëve të vet, duke u mposhtur nga Sileksi në një ndeshje të tensionuar. Ansah realizoi një gol të bukur, por Sileksi barazoi me një gol të diskutueshëm për pozitë jashtë loje. Fitoren e siguroi Aliç, pas një gabimi të rëndë të portierit Denkovski. Pas ndeshjes, FC Shkupi reagoi ashpër ndaj arbitrimit, duke e quajtur vendimin për golin e barazimit “skandaloz” dhe duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet përkatëse.
Ndeshja ndërmjet Struga Trim Lum dhe Gostivarit ishte dramatike deri në fund, me rezultat përfundimtar 1-1. Mysafirët kaluan në epërsi me Kalanoskin, por në fund, zëvendësuesi Kehinde barazoi për Strugën. Diata i Gostivarit u ndëshkua me të kuq në minutat e fundit, duke shtuar tensionin. Pas ndeshjes, ndodhi një përplasje fizike mes futbollistëve të dy skuadrave. Klubi i Gostivarit njoftoi se tre lojtarë dhe një anëtar i stafit teknik u ndaluan nga policia lokale për disa orë, pa pasur mundësi të komunikojnë me familjarët apo ekipin. Incidenti është dënuar ashpër nga klubi, që kërkon trajtim më korrekt dhe hetim të plotë të rastit.
Një nga episodet më të përfolura të javës ndodhi në Ohër, ku dueli mes Voskës dhe Vardarit u ndërpre në minutën e 76-të, me rezultatin 1-1. Voska kaloi e para në epërsi me Osein, por Vardari barazoi me një gol të kontestuar të Duranskit, që shkaktoi protesta të mëdha. Në shenjë pakënaqësie ndaj arbitrimit, skuadra vendase u tërhoq nga fusha. Klubi i Voska Sport reagoi më pas me një deklaratë të ashpër ndaj Federatës së Futbollit të Maqedonisë, duke e cilësuar gjykimin si tendencioz dhe të dëmshëm për integritetin e garës. Ata kërkojnë masa konkrete për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.
Në përballjet e tjera të javës, Rabotniçki fitoi me rezultat 2-1 ndaj Pelisterit, ndërsa Tikveshi mposhti AP Brerën po me të njëjtin rezultat./Telegrafi/
Rezultatet e plota të javës së 28-të: Besa– Shkëndija 2-3, Shkupi – Sileksi 1-2, Struga – Gostivari 1-1, Voska Sport – Vardari (ndërprerë në minutën e 76-të, 1-1), Rabotniçki – Pelisteri 2-1, Tikveshi – AP Brera 2-1
Java e 29-të (27 prill, ora 16:00): Shkëndija – Shkupi, Sileksi – Struga, Vardari – Besa, AP Brera – Voska, Gostivari – Rabotniçki dhe Pelisteri – Tikveshi.
Java e 27-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut dhuroi emocione të shumta, zhvillime të rëndësishme në kreun e tabelës dhe tension në fundin e saj, njofton Telegrafi.
Me vetëm gjashtë xhiro të mbetura deri në fund të sezonit, gara për titull, për Evropë dhe për mbijetesë po hyn në fazën më vendimtare.
Shkëndija e Tetovës konfirmoi edhe një herë se është pretendente serioze për titull, duke mposhtur në mënyrë bindëse Voska Sportin me rezultat 4-0. Me këtë fitore, kuqezinjtë ruajtën pozitën e parë dhe distancën prej katër pikësh ndaj ndjekësit më të afërt, Sileksit, që gjithashtu ishte i pamëshirshëm ndaj Besës, duke fituar me rezultatin e thellë 5-0 në Kratovë.
Gara mes këtyre dy skuadrave po zhvillohet në mënyrë dramatike, ku çdo pikë pritet të jetë vendimtare. Shkëndija ka përpara disa ndeshje ku duhet të ruajë ritmin, ndërsa Sileksi po pret çdo hap të gabuar për të marrë kreun.
Në luftën për pozitën e tretë, që siguron pjesëmarrje në garat evropiane, ndodhi një ndryshim i madh. Rabotniçki, që deri tani kishte komoditet në këtë vend, u mposht në shtëpi nga kampionët në fuqi Struga, me rezultat 0-1. Kjo humbje ka rihapur garën, pasi tani Gostivari (dy pikë) dhe Struga (katër pikë), janë afruar ndjeshëm, duke e bërë betejën për Evropë shumë më interesante në javët e mbetura.
Ndërkohë, edhe Gostivari bëri një hap të madh përpara, duke triumfuar me rezultat 3-1 ndaj Shkupit, në një ndeshje ku tregoi forcë karakteri.
Lufta për mbijetesë, është bërë më e ashpër se kurrë. Në fundin e tabelës, tensioni është i lartë. Katër skuadra ndodhen brenda vetëm dy pikëve dhe secila prej tyre po lufton për të shmangur zonën e rrezikshme. AP Brera mori fitore shumë të rëndësishme në transfertë ndaj Pelisterit, ndërsa Tikveshi ndau pikët me Vardarin, por mbetet i përfshirë në betejë.
Besa, Tikveshi, AP Brera dhe Voska Sport janë skuadrat më të rrezikuara, me çdo ndeshje që mund të jetë vendimtare për fatin e tyre në elitë.
Të dielën, më 20 prill, me fillim nga ora 16:00, na presin sfida të tjera kyçe që pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në të gjitha zonat e tabelës. Kjo xhiro pritet të japë më shumë përgjigje, por ndoshta edhe të hapë rrugën për befasi të tjera në një kampionat që po shkon drejt një fundi dramatik. /Telegrafi/
Java e 28-të: Besa – Shkëndija, Struga – Gostivari, Shkupi – Sileksi, Voska Sport – Vardari, Rabotniçki – Pelisteri dhe Tikveshi – AP Brera.
Java e 27-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, sjellë duelin në Tetovë, ku Shkëndija mbron kreun, Struga dhe Shkupi do të kenë përballje dramatike në Shkup, njofton Telegrafi.
E diela sjell emocione të mëdha në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut, ku do të luhen përballjet e javës së 27-të. Në qendër të vëmendjes do të jenë ekipet shqiptare, të cilat luftojnë në pole të ndryshme të tabelës – për titull, për Evropë dhe për mbijetesë.
Shkëndija e Tetovës, që aktualisht kryeson tabelën, do të luajë në shtëpi ndaj Voska Sport, një përballje shqiptare ku tetovarët janë të vendosur të marrin tri pikët për të ruajtur epërsinë ndaj ndjekësve dhe për të hedhur një hap më pranë titullit. Përballë tyre do të jetë një skuadër e rrezikuar nga zona e rënies, ku Voska kërkon pikë shpëtimi dhe pritet të bëjë gjithçka për të ndalur liderin.
Në Kratovë zhvillohet një tjetër duel me peshë, ku Sileksi, ndjekësi më i afërt i Shkëndijës, pret Besën e Dobërdollit. Sileksit i nevojitet fitorja për të mos lejuar shkëputjen e kuqezinjve, ndërsa Besa synon pikë të vlefshme në luftën për mbijetesë – duke e bërë këtë sfidë një përplasje mes ambicieve të kundërta, por me qëllim të njëjtë: grumbullimin e pikëve.
Në kryeqytet do të luhen dy duele shumë interesante. Rabotniçki pret Strugën në një sfidë direkte për zonën evropiane. Të dyja skuadrat janë në garë për vendet që çojnë në garat ndërkombëtare dhe kjo përballje mund të jetë vendimtare për fatin e tyre në këtë sezon.
Po në Shkup, në lagjen Maxhari, Gostivari përballet me Shkupin, në një duel shqiptar ku të dyja skuadrat kanë nevojë për pikë – njëra për të siguruar pozitë më të mirë në mes të tabelës, tjetra për të shmangur çdo rrezik të mëtejmë. Dy përballjet e tjera të kësaj jave janë: Pelisteri – AP Brera, si dhe Vardari – Tikveshi, që plotësojnë javën e 27-të. /Telegrafi/
Java e 27, E diel ora 16:00: Gostivari – Shkupi, Rabotniçki – Struga, Shkëndija – Voska Sport, Sileksi – Besa, Pelisteri – AP Brera dhe Vardari – Tikveshi.
Sot janë zhvilluar ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë së Veriut, ku gjithë vëmendja ishte e përqendruar në përballjen shqiptare mes Shkëndijës së Tetovës, lider aktual i kampionatit, dhe Struga Trim Lum, kampione në fuqi e vendit, njofton Telegrafi.
Dueli i zhvilluar në stadiumin e qytetit të Tetovës, për shkak të dënimit të Shkëndijës me pesë ndeshje pa tifozë, u luajt pa praninë e publikut, por kjo nuk pengoi që të zhvillohej një ndeshje me ritëm të lartë.
Shkëndija ishte skuadra që e nisi më mirë ndeshjen dhe kaloi në epërsi në minutën e 36-të, kur Florent Ramadani realizoi një super gol direkt nga rivënia këndore, duke befasuar portierin Qoshevski. Edhe pse të dyja skuadrat kishin përpjekje për të gjetur rrjetën, pjesa e parë u mbyll me epërsi minimale të kuqezinjve.
Në pjesën e dytë, Struga reagoi fuqishëm. Një lëshim në mbrojtjen e vendasve në minutën e 53-të u shfrytëzua nga Ukpa, i cili me një finalizim të saktë barazoi rezultatin në 1-1.
Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt një barazimi, kampionët në fuqi goditën sërish. Në minutën e 82-të, pas një kundërsulmi të rrjedhshëm, Krivanjeva shërbeu për Ukpan, i cili këtë herë asistoi bukur për Radeskin – ish-lojtarin e Shkëndijës, që shënoi për përmbysjen 1-2.
Drama vazhdoi deri në fund, kur në minutën e fundit të shtesës Adonis Shala pati një rast të artë për të barazuar rezultatin, por goditja e tij u bllokua në momentin vendimtar nga mbrojtësi Radiq.
Në ndeshjen tjetër gjysmëfinale të zhvilluar në Shkup, Vardari siguroi një fitore bindëse 3-0 ndaj AP Brera, duke hedhur një hap të madh drejt finales.
Ndeshjet e kthimit do të zhvillohen më 23 prill, kur do të mësohet edhe dy finalistët që do të luftojnë për trofeun e dytë më të rëndësishëm në futbollin vendor – Kupën e Maqedonisë së Veriut. /Telegrafi/
E mërkura sjell emocione të forta në futbollin e Maqedonisë së Veriut, me zhvillimin e ndeshjeve të para gjysmëfinale të Kupës, njofton Telegrafi. Vëmendja do të jetë e përqendruar në Tetovë, ku Shkëndija pret kampionët në fuqi, Struga Trim & Lum, në një përballje që premton spektakël.
Kuqezinjtë e Tetovës hyjnë në këtë sfidë me moral të lartë, pas dy fitoreve radhazi në kampionat ndaj AP Brerës dhe Tikveshit. Në anën tjetër, edhe Struga vjen pas triumfit të rëndësishëm ndaj Pelisterit, ndonëse pozita në tabelë nuk është aspak e favorshme për ta.
Për këtë ndeshje, trajneri i Shkëndijës Jeton Beqiri nuk do të mund të llogarisë në mbrojtësin Mevlan Adili, i cili është i pezulluar pas kartonit të kuq të marrë në sfidën e fundit kampionale. Ndërkohë, mesfushori Kamer Qaka vazhdon të jetë jashtë fushës për shkak të lëndimit.
Ndryshe për Strugën ky duel ka peshë të veçantë. Të eliminuar praktikisht nga gara për titull dhe jashtë zonës që garanton pjesëmarrjen në garat evropiane, Kupa mbetet shansi i vetëm për një biletë drejt Evropës. Prandaj pritet që skuadra struganët të japin maksimumin në këtë sfidë.
Ndeshja mes Shkëndijës dhe Strugës zhvillohet nesër (e mërkurë) në stadiumin e qytetit në Tetovë, me fillim nga ora 16:00, ku do të mungojnë tifozët duke e ditur se kuqezinjtë janë të dënuar pesë ndeshje të luajnë pa praninë e tyre. Në të njëjtën orë, në Shkup, do të përballen edhe Vardari dhe AP Brera në gjysmëfinalen tjetër të Kupës. /Telegrafi/
Java e 26-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut është hapur sot me ndeshjen ndërmjet Strugës dhe Pelisterit, e zhvilluar buzë liqenit në Strugë, ku vendasit arkëtuan tri pikë të rëndësishme me një fitore të pastër 4-1, njofton Telegrafi.
Pjesa e parë solli raste nga të dyja anët, ndërsa të dyja golat u shënuan nga pika e bardhë. Fillimisht, në minutën e 22-të, sulmuesi nigerian Kehinde kaloi Strugën në epërsi, duke realizuar nga penalltia. Por vetëm tetë minuta më vonë, Pelisteri reagoi dhe barazoi shifrat, kur Ristevski ekzekutoi saktë një tjetër penallti për mysafirët.
Në minutat e fundit të pjesës së parë, Pelisteri mbeti me një lojtar më pak në fushë, pasi Boshkovski u ndëshkua me karton të kuq, duke i komplikuar gjërat për skuadrën nga Manastiri.
Këtë epërsi numerike, Struga e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë të mundshme dhe menjëherë në fillim të pjesës së dytë, në minutën e 47-të, Vllajkoviq riktheu avantazhin për vendasit. Nga ai moment, struganët morën kontrollin e plotë të lojës dhe nuk lejuan që fitorja t’u ikë nga duart. Në minutën e 75-të, mesfushori Bunjamin Shabani shënoi golin e tretë. Në minutën e pestë të kohës shtesë, përsëri në skenë doli nigeriani Kehinde, i cili shënoi një gol të bukur me kokë, duke vulosur fitoren dhe duke e konfirmuar dominimin e skuadrës strugane.
Struga me këtë fitore vazhdon ndjekjen e pozicioneve të para në renditje dhe mban të gjallë shpresat për një vend që siguron pjesëmarrje në garat evropiane.
Kampionati vazhdon nesër me ndeshjet e tjera të javës së 26-të, ku nga ora 15:00 zhvillohen takimet: Besa – Gostivari, Shkupi – Rabotniçki, Tikveshi – Shkëndija, Voska Sport – Sileksi dhe AP Brera – Vardari. /Telegrafi/
Liga e Parë e Maqedonisë së Veriut po hyn në fazën më të nxehtë të sezonit, ndërsa këtë fundjavë zhvillohen ndeshjet e javës së 26-të, me shumë skuadra që luftojnë për objektiva të ndryshëm – titullin kampion, mbijetesën dhe pjesëmarrjen në garat evropiane, njofton Telegrafi.
Ekipet shqiptare, si gjithnjë në qendër të vëmendjes, do të kenë sfida vendimtare. Java nis me përballjen buzë liqenit, ku Struga, tashmë larg garës për titull, kërkon të ruajë gjallë shpresat për një vend që e dërgon në arenën evropiane. Fitorja ndaj Pelisterit është detyrim për skuadrën e trajnerit Ilço Gjorgjioski.
Të dielën, në Gostivar, Besa do të kërkojë pikët e shpresës për të mbetur në elitë, por përballë ka një Gostivar që edhe pse ka humbur hapin për titull, synon të përfitojë nga ndonjë gabim i rivalëve për një vend evropian.
Të kaltrit e Shkupit “Pëllumbat” do të përballen me një kundërshtar të vështirë siç është Rabotniçki, por objektivi është i qartë – mbajtja e pozitës që siguron qëndrimin në elitë edhe për sezonin e ardhshëm.
Shkëndija si lidere vazhdon garën për titull dhe nuk ka luksin të humbasë pikë. Ndeshja në Kavadar kundër Tikveshit është test serioz për kuqezinjtë, të cilët kërkojnë fitoren për të mos i lënë Sileksin dhe Rabotniçkin të afrohen në krye.
Një tjetër duel për mbijetesë luhet në Ohër. Voska, e mbështetur nga tifozët e saj, kërkon me ngulm një fitore ndaj Sileksit për t’u larguar nga fundi i tabelës. Por skuadra nga Kratova është një nga pretendentët për titull, andaj nëse dëshirojnë të jenë në garë me Shkëndijën, duhet mundur Voska. Emocione të forta priten në këtë përballje direkte.
Vardari do të përballet me një skuadër të paparashikueshme si Brera. Të dye ekpet janë në zonën e rrezikut, dhe kërkojnë tri pikë, por në këtë rast Vardari edhe piluan si mysafir, është favorit për të fituar. /Telegrafi/
Sot 05.04.2025 – Ora 15:00 Struga – Pelisteri
Nesër 06.04.2025 – Ora 15:00 Besa – Gostivari, Shkupi – Rabotniçki, Tikveshi – Shkëndija, Voska Sport –Sileksi dhe AP Brera – Vardari.
KF Shkëndija ka reaguar përmes një komunikate zyrtare pas incidentit të ndodhur gjatë ndeshjes kundër AP Brera, ku një grup tifozësh nuk e respektoi minutën e heshtjes për 59 viktimat e tragjedisë në Koçan, njofton Telegrafi
Klubi tetovar është distancuar nga kjo sjellje, duke theksuar se ky akt nuk përfaqëson as Shkëndijën dhe as tifozërinë në tërësi.
Në njoftimin e saj, Shkëndija thekson se skuadra e ka përjetuar thellë tragjedinë dhe ka respektuar plotësisht vendimin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut për të mbajtur një minutë heshtje. Sipas klubit, në stadium ndodheshin rreth 3,000-4,000 spektatorë, ndërsa sjellja e papërshtatshme erdhi nga një grup i vogël prej rreth 20 individësh. Klubi gjithashtu ka vënë në dukje se shumica e tifozëve reaguan me fishkëllima ndaj atyre që prishën momentin e heshtjes.
Nga Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut kanë konfirmuar hapjen e një procedure disiplinore lidhur me këtë incident. Sipas burimeve, pritet që Shkëndija të ndëshkohet me gjobë dhe mund të përballet me ndalimin e zhvillimit të ndeshjeve në stadiumin e saj për pjesën e mbetur të sezonit.
Ky zhvillim vjen në një moment kur Shkëndija kryeson renditjen në Ligën e Parë dhe synon titullin kampion. Megjithatë, pasojat disiplinore mund të ndikojnë në rrugëtimin e skuadrës drejt objektivave të saj sezonale. /Telegrafi/
Liga e Parë e Maqedonisë së Veriut rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e javës së 23-të, ku fillon rrethi i tretë dhe vendimtar i kampionatit, njofton Telegrafi.
Vëmendja kryesore e javës është e përqendruar te dy përballjet mes ekipeve shqiptare. Në Çair të Shkupit, FC Shkupi pret Besën në një duel të fortë që pritet të ketë duel mjaft të fortë, me. “Bardhekaltërit” synojnë fitore për të qëndruar në mesin e tabelës, ndërsa Besa do të kërkojë rezultat pozitiv për të filluar largimin nga fundi i tabelës.
Ndërkaq, në Strugë zhvillohet një duel po aq interesant, ku kampionët në fuqi të Strugës janë nikoqir të Voska Sportit. Struga synon të vazhdojë të mbledh pikë në kërkim të mbrojtjes së titullit, ndërsa Voska Sport është në pozitë krej tjetër, për të shmangur zonën e rrezikut.
Shkëndija, e cila vazhdon luftën për titull, do të përballet me Pelisterin në Tetovë. Kuqezinjtë janë favoritë dhe një fitore do të ishte thelbësore në objektivin e tyre për të mbajtur ose eventualisht për të rritur diferencën në pikë me ndjekësit e saj.
Një sfidë me peshë është edhe ajo mes Gostivarit dhe AP Brerës. Gostivari, pas fitores së fundit, synon ta vazhdojë ecurinë e mirë. Ndër ndeshjet e tjera të kësaj jave, Sileksi pret Vardarin në Kratovë, ndërsa të hënën, Rabotniçki do të matë forcat me Tikveshin në një përballje që mbyll javën e 23-të. Kjo javë pritet të sjellë rivalitet dhe zhvillime të rëndësishme në garën për titull dhe mbijetesë.
Java e 23-t, dyshet: Gostivari – AP Brera, Shkëndija – Pelisteri, Shkupi – Besa, Struga – Voska Sport, Sileksi – Vardari dhe të hënën Rabotniçki – Tikveshi. Të gjitha takimet do të luhen në orarin e njëjtë, me fillim nga ora 14:00. /Telegrafi/
Java e 22-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut ka sjellë derbin shqiptar, ku Struga i është rikthyer fitores, edhe atë duke i dhënë disfatën e parë në sezonin e ri Shkëndijës, për t’i ndalë hovin drejt titullit kampion, njofton Telegrafi.
Struga Trim Lum i është rikthyer te fitorja në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut, duke triumfuar bindshëm ndaj Shkëndijës me rezultat 3-0 në derbin e xhiros së 22-të.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e Strugës nisi me baraspeshë, ku pjesa e parë u mbyll pa gola. Mirëpo, në pjesën e dytë, vendasit dominuan duke realizuar tre herë. Filip Radiq hapi serinë e golave, ndërsa Marjan Radeski dyfishoi epërsinë, para se Radiq të shënonte për herë të dytë dhe të vuloste rezultatin përfundimtar 3-0.
Kjo ishte fitorja e parë e Strugës në gjysmë sezonin pranveror, duke i dhënë fund serisë prej tre humbjesh radhazi. Nga ana tjetër, për Shkëndijën kjo shënon disfatën e parë për vitin 2025.
Edhe Gostivari doli me tri pikë të rëndësishme nga udhëtimi kundër AP Brerës, falë një goli vendimtar të shënuar nga Ervin Tushaj. Kjo fitore e konsolidon pozitën e Gostivarit në mesin e tabelës dhe jep sinjale pozitive për vazhdimësinë e kampionatit.
Edhe Shkupi është mundur për herë të parë në këtë sezon, edhe atë falë një goli të vonshëm në minutën e 89 nga Sadiku që i dha fitoren Tikveshit. Kujtojmë se Shkupi luajti më shumë se 45 minuta me një lojtar më pak, pasi me të kuq u ndëshkua Florian Kadriu.
Besa ka pësuar debakël si nikoqir në duelin ndaj Sileksit, me rezultat 5-0. Edhe Voska Sport ka marrë disfatë, në udhëtimin në Manastir nga Pelisteri, ndeshje që u vendos me rezultatin 1-0.
Vardari ka marrë tri pikë të mëdha në luftën për mbijetesë, duke fituar duelin e qytetit ndaj Rabotniçkit me rezultat 0-2. /Telegrafi/
E mërkura sjell emocione të forta në futbollin vendor, pasi luhen ndeshjet çerekfinale të Kupës së Maqedonisë së Veriut. Katër duelet pritet të jenë tejet interesante, me ndeshjen mes Strugës dhe Gostivarit që spikat si derbi i kësaj faze, njofton Telegrafi.
Struga në krizë, Gostivari synon përsëritjen e triumfit
Një nga përballjet më të forta do të zhvillohet mes dy skuadrave shqiptare, Strugës dhe Gostivarit. Struga po kalon një periudhë të vështirë pas dy humbjeve radhazi në fillim të sezonit në kampionat, që çuan në dorëheqjen e trajnerit Qatip Osmani. Drejtimin e ekipit për këtë ndeshje do ta marrë Meriton Gega, që synon ta rikthejë skuadrën në rrugën e fitoreve.
Ndërkaq, Gostivari ka vetëm një synim – të përsërisë suksesin e fundit ndaj Strugës. Kujtojmë se në ndeshjen e parë të gjysmësezonit, Gostivari triumfoi me rezultat minimal 1-0, dhe tani synon kalimin në gjysmëfinale.
Arsimi kërkon befasinë ndaj AP Breras
Një sfidë interesante do të jetë edhe ajo mes AP Breras dhe Arsimit. Ekipi nga Çegrani, që garon në Ligën e Dytë, do të udhëtojë në Strumicë për të sfiduar Breran. Arsimi ka shfaqur formë solide këtë sezon dhe synon të befasojë duke kaluar në gjysmëfinale.
Shkëndija favorit ndaj Detonit Plaçkovicës
Shkëndija e Tetovës, që po kalon një formë të shkëlqyer në fillim të sezonit, do të përballen me Detonit Plaçkovicën nga Liga e Dytë. Kuqezinjtë janë në garë për dy trofe këtë sezon dhe do të tentojnë kualifikimin pa befasi në gjysmëfinale.
Vardari dhe Sileksi në duel të ekuilibruar
Dueli i fundit i çerekfinaleve do të zhvillohet mes Vardarit dhe Sileksit. Të dyja skuadrat synojnë kalimin në fazën tjetër dhe për shkak të formatit të garës, ku luhet vetëm një ndeshje, gjithçka mbetet e hapur. Në rast barazimi, fituesi do të përcaktohet nëpërmjet goditjeve nga pika e bardhë.
Orari i ndeshjeve (26 shkurt 2025, ora 14:00): Struga – Gostivari, Detonit – Shkëndija, AP Brera – Arsimi dhe Vardari – Sileksi
Liga e Parë e futbollit të Maqedonisë së Veriut rikthehet sot me duelin e parë të xhiros së 20-të, njofton Telegrafi.
Ndeshja e parë zhvillohet sot, ku Struga do të përballet me Vardarin nga ora 14:00. Ky është një takim që pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë sa i përket Strugës për të mbajtur hapin me kreun, ndërsa Vardari kërkon pikë shpëtimi për ti ikur fundit.
Ndërkohë, katër ndeshje të tjera do të luhen të dielën, me disa përballje mjaft interesante. Lideri i renditjes, Shkëndija e Tetovës, pret në shtëpi Sileksin, një duel mes dy ekipeve që ndahen vetëm me dy pikë në tabelë – Shkëndija ka 40 pikë, ndërsa Sileksi 38. Kjo ndeshje pritet të jetë shumë dinamike, me të dyja skuadrat që kërkojnë tri pikë të plota.
Në Gostivar, do të zhvillohet një tjetër derbi, ku Besa e Dobërdollit do të përballet me Gostivarin, me këta të fundit që gjithashtu kanë ambicie të larta, ndërsa Besa po vazhdon luftën për të ikur nga pozita e parafundit në renditje.
Shkupi, një nga skuadrat që sezonin e nisi me fitore ndaj Rabotniçkit, këtë javë është mysafire në Strumicë, ku do të ndeshet me ekipin e Breras. Kjo do të jetë një sfidë e vështirë për Shkupin, që synon të ruajë vendin e tij në mesin e tabelës.
Nga ana tjetër, Voska Sport do të udhëtojë drejt kryeqytetit, Shkupit, për të luajtur ndaj Rabotniçkit, një ndeshje ku të dyja skuadrat do të luftojnë për të përmirësuar pozitat e tyre në renditje. Në fund, Tikveshi do të përballet me Pelisterin. /Telegrafi/
Java e 20-të:
Sot e shtunë ora 14:00 Struga – Vardari
Te dielën ora 14:00: Shkëndija – Sileksi, Besa – Gostivari, Brera – Shkupi, Rabotniçki – Voska Sport dhe Tikveshi – Pelisteri.
Pas një pauze të gjatë dimërore, Liga e Parë e Maqedonisë së Veriut rikthehet këtë të diel, më 16 shkurt, me ndeshjet e javës së 19-të, njofton Telegrafi. Ndërsa sezoni vjeshtor do të përmbyllet më 5 mars me javën e 22-të, ekipet kanë pasur mjaft kohë për përgatitje, përforcime dhe ndryshime në përbërje.
Gara për titullin mbetet e hapur
Tre ekipet shqiptare, me kampionin në fuqi Struga Trim & Lum, Shkëndija dhe Gostivari, mbeten në luftë të drejtpërdrejtë për titullin kampion, ku në këtë garë përfshihen edhe Sileksi dhe Rabotniçki. Struga dhe Shkëndija nuk kanë bërë ndryshime të mëdha në përbërje, ndërsa Gostivari ka pasur lëvizje të dukshme në merkato.
(Prurjet e reja)
KF ShkëndijaKF GostivariFC Struga
Struga T.L: Pape Fall (Liepaja – Letoni), Memetriza Hamza (Bashkimi), Maudo Jarjue (Sanderfjord – Norvegji), Vebi Islami (Shkëndija).
Shkëndija: Fabrice Tamba erdhi nga Shkupi, braziliani Victor nga Nasaf Qarshi, portieri Risto Jankov nga Tikveshi dhe Aleksander Trumci nga Bylisi
Gostivari: Aias Aosman (Gençlebirligi – Turqi), Baki Aliu (Bashkimi), Li Ervan (Helsinki – Finlandë), Antonio Kalanoski (Brera) dhe Viktor Krstevski (Bregallnica).
Shkupi përballet me probleme
Nga ana tjetër, Shkupi është në një situatë delikate. FIFA ka hequr ndalesën për transferime, por për shkak të detyrimeve të papaguara ndaj UEFA-s, mbetet e paqartë nëse futbollistët e afruar do të mund të regjistrohen. Me një situatë të vështirë financiare dhe konkurrencë të fortë për mbijetesë, skuadra nga Çairi do ta ketë tepër të vështirë qëndrimin në elitë.
FC Shkupi
Lufta për mbijetesë sa vjen e bëhet më e ashpër
Në fundin e tabelës, Besa e Dobërdollit dhe Voska Sport do të luftojnë për të siguruar mbijetesën, por gara është më e fortë se kurrë. Të dyja skuadrat kanë bërë disa përforcime të rëndësishme, por mbetet për t’u parë nëse do të mjaftojnë për të shmangur rënien nga elita.
Besa: Umemi Kanda (Shkupi), Vllatko Stojanovski (Rabotniçki), Shefit Shefiti (Arsimi), Aleksandar Angjelkovski (?), Nikolla Gavric (?), Ersin Shabani (?).
Voska Sport: Ilirid Ademi (Besa), Toni Vinogradac (Trigllav – Slloveni), Marko Zhulj (Kustoshija – Kroaci), Babukar Gaje (?), David Mateski (Sileks), Hristijan Dragarski (?), Darko Grozdanovski (Kozhuv).
Ndryshime të shumta në disa ekipe, stabilitet në të tjera
Skuadra si Vardari, Tikveshi dhe AP Brera kanë bërë lëvizje të shumta në merkato, me largime dhe afrime të shumta, duke sjellë një fytyrë të re për pjesën e dytë të sezonit. Ndërkohë, Sileksi dhe Rabotniçki kanë mbajtur një bosht të qëndrueshëm, duke bërë vetëm disa përforcime strategjike.
Ndeshjet e javës së 19-të:
Të gjitha ndeshjet e kësaj jave do të luhen të dielën, më 16 shkurt, duke filluar nga ora 14:00:
Gostivari – Struga
Vardari – Shkëndija
Shkupi – Rabotniçki
Voska Sport – Besa
Pelisteri – AP Brera
Sileksi – Tikveshi
Me rikthimin e kampionatit, emocionet dhe rivaliteteti për objektivat do të marrin hov të ri. Jo vetwm tifozët port w gjithw sporttwdashwsist presin me padurim betejat e ardhshme, ndërsa çdo pikë do të jetë vendimtare për fatin e sezonit 2024/25. /Telegrafi /