Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 August 2025Main stream

Aksioni ndaj punonjësve të IMT, policia: U kërkonin para lokaleve që të mos u hiqnin tendat

28 August 2025 at 14:29

Nga Gazeta ‘Si’- Policia e Shtetit ka dhënë detaje lidhur me një operacion të zhvilluar nën drejtimin e SPAK, ku një punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit Tiranë u arrestua, dy persona të tjerë u proceduan, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.

Sipas policisë, u arrestua në flagrancë shtetasi Gerald Fuçia., 33 vjeç, punonjës i IMT në Tiranë si dhe nisi procedimi penal për shtetasit Edmond Çela., 48 vjeç, po punonjës i IMT në Tiranë dhe A. E., 26 vjeç, menaxher i një lokali në Tiranë.

Policia njofton gjithashtu se u shpall në kërkim shtetasi Klajdi Zhilla, 35 vjeç, banues në Tiranë, inspektor i IMT, bashkia Tiranë.

“Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, gjatë kontrolleve në subjekte (lokale), për evidentimin dhe lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin, iu kanë kërkuar para pronarëve të subjekteve, që të mos i hiqnin çadrat/tendat që zinin hapësirat publike përreth subjekteve”, tha policia.

Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3000 euro dhe 27 000 lekë, që dyshohet se janë përfituar nga korrupsioni aktiv i punonjësve të IMT, një automjet tip “Audi A6“ si dhe 4 celularë.

The post Aksioni ndaj punonjësve të IMT, policia: U kërkonin para lokaleve që të mos u hiqnin tendat appeared first on Gazeta Si.

Pas akuzave të Trump, Berisha i bën thirrje SHBA-së: Hetoni veprimtarinë e Sorosit në Shqipëri

28 August 2025 at 14:09

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës të hetojnë veprimtarinë e miliarderit George Soros në Shqipëri, një ditë pasi Presidenti Donald Turmp tha se ai dhe i biri, Alex Soros, duhet të hetohen në bazë të ligjit kundër organizatave kriminale (RICO) për atë që kanë bërë në SHBA.

Në konferencën për mediat, Berisha tha se FBI duhet të shtrijë hetimet dhe të gjejë se si sipas tij Soros dhe djali i tij përdorën çdo lloj influence kundër një force politike në favor të ekstremit të majtë të Ramës.

“Në një akt historik, presidenti i SHBA, akuzoi dje bazuar në aktin ligjor të RICO-s, George Soros-in dhe djalin e tij, ekstremist të majtë, Aleksis Soros si organizatë kriminale që kanë ushtruar një veprimtari intensive kundër rendit dhe sigurisë së SHBA. George Soros dhe i biri i tij janë sot mbështetja kryesore e grupeve kryesore dhe ideologjisë marksiste dhe post-marksiste në SHBA dhe në botë. Unë vij sot edhe për të rikujtuar se 8 vite më parë e kam shpallur Sorosin një monstër të njerëzimit.

I kam kërkuar publikisht Senatit dhe Kongresit të SHBA që të ndalojnë me ligj veprimtarinë e tij kriminale, antidemokratike jashtë SHBA. Të njëjtën kërkesë i kam paraqitur publikisht edhe Parlamentit Europian.

Për Shqipërinë, e kam konsideruar dhe e konsideroj atë një armik të egër të demokracisë shqiptare. E vërteta është se po në këtë fjalë publike, unë kërkova shpalljen e tij non-grata. Gjatë këtyre viteve ai përdori të gjithë fuqinë e tij politike, monetare kundër demokracisë në Shqipëri, në mbështetje të një organizate kriminale që kryesohet nga Edi Rama”, tha Berisha në konferencë për mediat.

The post Pas akuzave të Trump, Berisha i bën thirrje SHBA-së: Hetoni veprimtarinë e Sorosit në Shqipëri appeared first on Gazeta Si.

KQZ shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, Berisha: Nuk e njohim 11 majin

28 August 2025 at 13:37

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar sërish se PD nuk e njeh rezultatin e dalë nga zgjedhjet e 11 majit.

Në një deklaratë për shtyp nga selia blu, Berisha ripërsëriti se 11 maji sipas tij ishte një farsë elektorale.

“PD nuk i njeh zgjedhjet. Përfaqësuesit tanë mbajtën qëndrim dinjitoz në komision. Këto ishin farsë e vërtetë elektorale”, tha Berisha.

Deklarata e Berishës vjen ndërkohë që vetëm pak më parë Komisioni Rregullator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka miratuar sot me tre vota pro dhe dy kundër projektvendimin për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Ky akt shënon mbylljen zyrtare të procesit zgjedhor dhe hap rrugën për konstituimin e Kuvendit të ri.

Pas shpalljes së rezultatit, hapi i radhës do të jetë mbledhja e parë e Kuvendit, ku pritet të zhvillohet seanca e konstituimit.

The post KQZ shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, Berisha: Nuk e njohim 11 majin appeared first on Gazeta Si.

Rama kritika një tjetër gjyqtari: Nuk lejoi çlirimin e pallateve nga ngrehina pa leje

28 August 2025 at 13:05

Nga Gazeta ‘Si‘- Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas një vendimi të gjyqtarit Ligoraq, i cili vendosi që të mos hapet kalimi i mbyllur nga një strukturë pa leje një ndërtim me kupolë xhami mes dy pallateve, nën të cilën ndodhet një dyqan.

Ky ndërtim, sipas Ramës, po kryen veprimtari tregtare në kurriz të komunitetit dhe paraqet rrezik serioz për banorët në rast emergjencash, si zjarri.

Rama e akuzoi gjyqtarin për shpërfillje të interesit publik dhe vuri në dukje se vendimi i tij i bashkohet një sërë rastesh të ngjashme që tashmë janë pjesë e një dosjeje të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë dhe që do t’i përcillet organeve të kontrollit dhe vetëqeverisjes së gjyqësorit.

“Atyre që komentojnë apo bëjnë deklarata publike për gjasme presion nga ana ime mbi gjyqësorin, u them se për të mbrojtur interesin publik, të drejtën e komunitetit dhe të drejtat e liritë e njerëzve nga shpërdoruesit e detyrës në radhët e gjyqësorit, ne as do të heshtim më, as do të ndalemi së adresuari rastet e shpërdorimit në organet përkatëse të cilat Kushtetuta e ligji i ngarkojnë edhe me mbrojtjen e interesave të popullit e të shtetit, nga prokurorë e gjykatës të paaftë, të papërgjegjshëm, të dyja bashkë apo edhe më keq, pa atdhe fare.

Por askush të mos ngatërrojë qëndrimin ndaj këtyre individëve, me qëndrimin tonë të palëkundur në mbështetje të drejtësisë dhe institucioneve të saj, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe lirive e të drejtave të njerëzve”, shkruan Rama.

The post Rama kritika një tjetër gjyqtari: Nuk lejoi çlirimin e pallateve nga ngrehina pa leje appeared first on Gazeta Si.

Certifikohen zgjedhjet parlamentare të 11 majit

28 August 2025 at 12:44

Nga Gazeta ‘Si’- Komisioni Rregullator miratoi në parim me 3 vota pro dhe dy kundër rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

PS me 83 mandate, PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore me 50 mandate, PSD me 3 mandate, Mundësia me 2 mandate, Lëvizja Bashkë me 1 mandat dhe Shqipëria Bëhet me 1 mandat.

Pas miratimit të rezultatit zgjedhor, do të jetë presidenti Bajram Begaj, i cili do të dekretojë fillimin e legjislaturës së 11-të brenda 10 ditëve nga përfundimi i Kuvendit të vjetër.

Pritet mbledhja e parë të Kuvendit të ri, e cila do të shënojë edhe fillimin zyrtar të legjislaturës së re për katër vitet e ardhshme.

The post Certifikohen zgjedhjet parlamentare të 11 majit appeared first on Gazeta Si.

Dështon konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Rashiç nuk merr votat e duhura për nënkryetar

28 August 2025 at 12:41

Nga Gazeta ‘Si’- Deputeti nga pakica serbe, Nenad Rashiç, ka dështuar të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

Kjo është hera e dytë që ai nuk votohet për këtë post. Rashiqi i mori 56 vota pro, 1 kundër dhe 20 abstenime. Ai ka të drejtë të nxirret në votim vetëm edhe një herë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, e ndërpreu seancën dhe tha se administrata e Kuvendit do të njoftojë se kur mund të vazhdojë ajo.

Ai i thirri partitë parlamentare për konsultime për zgjedhjen e nënkryetarit nga pakica serbe, që është hapi i fundit për ta konstituuar Kuvendin përfundimisht.

The post Dështon konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Rashiç nuk merr votat e duhura për nënkryetar appeared first on Gazeta Si.

Operacioni me dy të arrestuar në Durrës, policia: U kapën me pistoletë gati për qitje! (emrat)

28 August 2025 at 10:30

Nga Gazeta ‘Si’- Policia e Durrësit ka dhënë detaje lidhur me aksionin e ditës së djeshme(27 gusht) në Shkozet të Durrësit, ku u vunë në pranga Arbi Haxhiu dhe Aldi Mustafa, për armëmbajtje pa leje.

Policia njoftoi se në momentin e arrestimit iu është gjetur një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole gati për qitje.

39-vjeçari Mustafa konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e krimeve.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim policor, i dyshuar si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 13 gusht 2025, në lagjen nr. 14, Durrës, ku i është vënë lëndë eksplozive një banese.  Mustafa rezulton i dënuar për drogë në Gjermani, ndërsa në 2021 u kap në Durrës pasi planifikoi një vrasje. Ai gjithashtu mësohet se është pjesë e grupit të “Rrumit të Shijakut”.

Mustafa i shpëtoi një atentati me  tritol në makinë në 2023.

The post Operacioni me dy të arrestuar në Durrës, policia: U kapën me pistoletë gati për qitje! (emrat) appeared first on Gazeta Si.

Ashpërsohen protestat në Serbi, policia përplaset dhunshëm me studentët (video)

28 August 2025 at 10:09

Nga Gazeta ‘Si’- Studentët dhe policia u përleshën të mërkurën vonë në hyrje të Fakultetit të Filozofisë në qytetin verior të Novi Sadit në Serbi, teksa protestat e dhunshme vijojnë prej kohësh.

Përleshjet ndodhën pasi studentët protestues u përpoqën të thyenin kordonin e policisë dhe të hynin në fakultet, duke protestuar ndaj vendimit të udhëheqjes së fakultetit për të mos lejuar studentët të hyjnë në ndërtesë që nga dje.

Sakaq, studentët vazhdojnë t’i bëjnë thirrje presidentit autoritar Aleksandar Vuçiç të caktojë një datë për zgjedhje të parakohshme parlamentare përmes protestave të vazhdueshme.

Në Serbi, që nga nëntori i vitit 2024, demonstratat masive të popullsisë nuk kanë ndalur pasi një tendë u shemb në stacionin hekurudhor në Novi Sad. Kjo çoi në vdekjen e 15 personave. Kjo fatkeqësi u bë pika fillestare për një valë pakënaqësie publike, të shprehur në veprime të rregullta në rrugë.

Në të njëjtën kohë, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç thekson se demonstratat masive paraqesin rreziqe shtesë për stabilitetin e shtetit dhe përkeqësojnë vështirësitë ekzistuese të brendshme.

The post Ashpërsohen protestat në Serbi, policia përplaset dhunshëm me studentët (video) appeared first on Gazeta Si.

Rusia shënjestron gjatë natës Kievin, disa të vrarë. BE: Po tall përpjekjet për paqe!

28 August 2025 at 10:05

Nga Gazeta ‘Si’- Kievi është përballur me bombardime të rënda ruse gjatë natës.

Moska shënjestroi me 629 dronë dhe raketa në Kiev, duke rikthyer sulmet që i kishte ndalur në kryeqytetin ukrainas pak ditë para samitit të Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaskë.

12 persona raportohet se janë vrarë, mes të cilëve tre fëmijë, ndërsa 48 të tjerë janë plagosur. Ndërtesa banimi u dëmtuan ndërsa sulmet prekën 20 zona të kryeqytetit.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se sulmet i treguan botës përgjigjen diplomatike të Rusisë mes përpjekjeve të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’i dhënë fund luftës.

“Rusia zgjedh balistikën mbi tryezën e negociatave”, tha Zelensky në X, duke bërë thirrje për sanksione të reja kundër Rusisë. 

Nga sulmet ruse në Kiev, ka pësuar dëmtime edhe zyra e delegacionit të BE-së. Në një reagim në rrjete sociale, Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos tha se sulmet janë një shenjë e qartë që Rusia refuzon paqen.

“Delegacioni i BE-së në Kiev është dëmtuar nga sulmet e sotme ruse në zonat civile. I dënoj fuqimisht këto sulme brutale, një shenjë e qartë se Rusia refuzon paqen dhe zgjedh terrorin. Solidariteti ynë i plotë shkon për stafin e BE-së, familjet e tyre dhe të gjithë ukrainasit që po vuajnë nga ky agresion.”, ka shkruar Kos krahas fotove të ndërtesës së dëmtuar. 

The EU Delegation in Kyiv was damaged by today’s Russian strikes on civilian areas.

I strongly condemn these brutal attacks, a clear sign that Russia rejects peace & chooses terror.

Our full solidarity goes to EU staff, their families, & all Ukrainians enduring this aggression. pic.twitter.com/FA9hKMq3LJ

— Marta Kos (@MartaKosEU) August 28, 2025

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se ishte i tmerruar nga sulmet vdekjeprurëse ruse në Kiev, të cilat goditën gjithashtu edhe zyrën e delegacionit të BE-së. Në një reagim në rrjete sociale, Costa shkroi se BE nuk do të frikësohet, duke ritheksuar vendosshmërinë në mbështetje të Ukrainës. 

“Mendimet e mia janë me viktimat ukrainase dhe gjithashtu me stafin e delegacionit të BE-së në Ukrainë, ndërtesa e të cilit u dëmtua nga ky sulm i qëllimshëm rus. BE-ja nuk do të frikësohet. Agresioni i Rusisë vetëm sa forcon vendosmërinë tonë për të qëndruar pranë Ukrainës dhe popullit të saj”, tha ai. 

Edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas tha se Rusia po tall përpjekjet për paqe. 

“Ndërsa bota kërkon një rrugë drejt paqes, Rusia përgjigjet me raketa. Sulmi i natës në Kiev tregon një zgjedhje të qëllimshme për të përshkallëzuar dhe për të tallur përpjekjet për paqe. Rusia duhet të ndalojë vrasjet dhe të negociojë”, shkroi në rrjetet sociale Kallas.

The post Rusia shënjestron gjatë natës Kievin, disa të vrarë. BE: Po tall përpjekjet për paqe! appeared first on Gazeta Si.

Yesterday — 27 August 2025Main stream

Aksion policor në Shkozet të Durrësit, shoqërohen disa persona

27 August 2025 at 20:10

Nga Gazeta ‘Si’- Një aksion policor po zhvillohet në Durrës nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku. Aksioni po kryhet në zonën e Shkozetit, ku janë shoqëruar disa persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Efektivë policie nga sektorë të ndryshëm të Policisë së Durrësit janë të angazhuar në këtë operacion.

Shkaqet e aksionit nuk dihen ende, teksa informacione më të detajuara pritet të mësohen në vijim.

The post Aksion policor në Shkozet të Durrësit, shoqërohen disa persona appeared first on Gazeta Si.

Arrestimet e inspektorëve për korrupsion, IMT: Distancohemi plotësisht! I shkarkuam nga detyra

27 August 2025 at 19:22

Nga Gazeta ‘Si’- Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit në Tiranë ka reaguar pas një aksioni të SPAK dhe Policisë së Shtetit që çoi në pranga dy inspektorë të dyshuar për korruspion, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim.

Në reagim, IMT distancohet nga ngjarja duke thënë se veprimet korruptive të punonjësve janë veprime individuale, duke bërë thirrje gjithashtu që institucionet ligjzbatuese të veprojnë.

IMT thekson se ka marrë masa duke i shkarkuar edhe nga detyra punonjësit e akuzuar.

“Sjellje të tilla janë të papranueshme dhe IMT distancohet plotësisht nga këto veprime individuale. Ndaj personave të përfshirë janë marrë menjëherë të gjitha masat e nevojshme administrative, duke i shkarkuar nga detyra.

Theksojmë se ky rast nuk përfaqëson punën dhe misionin e IMT-së. Institucioni ynë mbetet i përkushtuar të vijojë punën me integritet, transparencë dhe profesionalizëm, në shërbim të interesit publik dhe në mbrojtje të territorit.

IMT inkurajon organet ligjzbatuese për bashkëpunim të plotë dhe ndëshkimin e rastit sipas ligjit, si edhe inkurajon çdo qytetar të denoncojë raste të ngjashme, në mënyrë që të mos mbetet asnjë hije dyshimi mbi integritetin e institucionit dhe misionin e tij”, shkruan IMT.

The post Arrestimet e inspektorëve për korrupsion, IMT: Distancohemi plotësisht! I shkarkuam nga detyra appeared first on Gazeta Si.

Operacion nga SPAK/ Arrestohen dy punonjës të IMT-së të akuzuar për korrupsion, dy të tjerë në kërkim (emrat)

27 August 2025 at 18:08

Nga Gazeta ‘Si’- Policia e Shtetit dhe SPAK kanë ndërmarrë një operacion për arrestimin e disa personave, punonjës të IMT-së, të dyshuar për korrupsion.

Deri më tani mësohet se dy persona janë arrestuar, ndërsa të paktën 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Të arrestuarit janë Gerald Fuçia dhe Edmond Çela. Ata ndodheshin së bashku në një lokal në zonën e Kombinatit në kryeqytet në momentin kur u arrestuan. 

Ndërsa në kërkim është Klajdi Zhilla dhe një punonjës tjetër i IMT. Klajdi Zhilla është shoferi i drejtorit të IMT-së së Tiranës.

Operacioni vjen pas denoncimit të bërë më herët në polici se këta persona merrnin para tek biznese të ndryshme, duke i favorizuar në zabtimin e ambienteve publike.

Më herët gjatë ditës së sotme, policia ka vënë në pranga ish-kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Durrës, Ardian Halili, i akuzuar për ndërtim të paligjshëm në një zonë bregdetare në fshatin Shetaj të Ishmit.

Kujtojmë se gjatë muajve të fundit, qeveria ka ndërmarrë një aksion për shembjen e objekteve pa leje dhe shtesave të lokaleve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme.

Ky aksion i IKMT-së nisi fillimisht me shembjen e disa objekteve pa leje në Theth, të cilat shërbenin si bujtina për turistët dhe më pas u shtri edhe në qytete të tjera si Tiranë, Vlorë.

The post Operacion nga SPAK/ Arrestohen dy punonjës të IMT-së të akuzuar për korrupsion, dy të tjerë në kërkim (emrat) appeared first on Gazeta Si.

SHBA / Të shtëna me armë në një shkollë katolike në Minneapolis, raportohet për viktima

27 August 2025 at 17:15

Nga Gazeta ‘Si’- Viktima të shumta raportohen nga të shtënat me armë zjarri që ndodhën gjatë nisjes së mësimit në Shkollën Katolike Annunciation në Minneapolis.

Paraprakisht, raportohet për të paktën dy të vdekur dhe 20 të plagosur.

Autori është “i neutralizuar” dhe nuk ka “asnjë kërcënim aktiv për komunitetin”, thanë zyrtarët e qytetit. I dyshuari besohet të ketë vdekur nga një plagë me armë zjarri e shkaktuar vetë, thanë burimet.

Nxënësit nga parashkollorja deri në klasën e tetë ndjekin shkollën te ky institucion. Fëmijë të vegjël të veshur me uniformat e tyre u panë duke dalë nga shkolla duke mbajtur duart e prindërve të tyre.

“Po lutem për fëmijët dhe mësuesit tanë, java e parë e shkollës së të cilëve u njollos nga ky akt i tmerrshëm dhune”, shkroi Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, në mediat sociale.

Walz tha se autoritetet shtetërore janë në vendngjarje. Agjentë nga FBI dhe Byroja e Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve gjithashtu iu përgjigjën thirrjes.

Presidenti Donald Trump shkroi në Truth Social se është “informuar plotësisht për të shtënat tragjike”.

“Shtëpia e Bardhë do të vazhdojë të monitorojë këtë situatë të tmerrshme. Ju lutem bashkohuni me mua në lutje për të gjithë të përfshirët!” shkroi ai.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare po monitoron të shtënat, tha në një deklaratë Sekretarja e DHS-së Kristi Noem.

“Po lutem për viktimat e këtij sulmi të neveritshëm dhe familjet e tyre”, tha ajo.

The post SHBA / Të shtëna me armë në një shkollë katolike në Minneapolis, raportohet për viktima appeared first on Gazeta Si.

Trump sulmon Soros dhe të birin: Psikopatë! Kanë shkatërruar Amerikën

27 August 2025 at 16:22

Nga Gazeta ‘Si’– Donald Trump nisi një sulm ndaj George Soros dhe djalit të tij, Alexander Soros në një postim në platformën “Truth Social”, duke i bërë thirrje sistemit të drejtësisë amerikane të ngrejë akuza kundër tyre për mbështetjen e tyre për protesta të dhunshme dhe aktivitete të tjera.

“George Soros dhe djali i tij i mrekullueshëm i ekstremit të majtë duhet të akuzohen sipas Aktit RICO për mbështetjen e tyre për protesta të dhunshme dhe shumë më tepër në të gjithë vendin”, shkroi Trump, duke iu referuar ligjit që lejon ndjekjen penale të organizatave kriminale.

Presidenti amerikan akuzoi gjithashtu Sorosin dhe ekipin e tij për dëmtimin e vendit, duke i quajtur ata “psikopatë”. Teksa i referohej miqve të Sorosit në Bregun Perëndimor të SHBA-së, Trump tha: “Kujdes, ne po ju vëzhgojmë!”.

Trump: George dhe Alex Soros duhet të akuzohen për organizatë

“Ne nuk do t’i lejojmë këta të çmendur ta shkatërrojnë Amerikën, pa i dhënë kurrë asaj një shans për të ‘marrë frymë’ dhe për të qenë e LIRË”, shtoi ai në postimin e tij.

I mbijetuari i Holokaustit, 95-vjeçari George Soros, përdori pasurinë që grumbulloi në vitet 1970 dhe 1980 për të krijuar Fondacionet e Shoqërisë së Hapur, të cilat mbështesin një gamë të gjerë kauzash dhe OJQ-sh në të gjithë botën, nga qeverisja e mirë dhe programet e ndërtimit të demokracisë deri te iniciativat liberale të politikave publike.

Djali i tij, Alexander Soros, ka menaxhuar aktivitetet filantropike të babait të tij që nga viti 2023.

The post Trump sulmon Soros dhe të birin: Psikopatë! Kanë shkatërruar Amerikën appeared first on Gazeta Si.

Europa do përjetojë një ‘shekull poshtërimi’… falë Trumpit

27 August 2025 at 12:38

Nga Gazeta ‘Si’- Pas disfatës nga britanikët në Luftën e Parë të Opiumit, dinastia Qing nënshkroi një traktat në vitin 1842 që e dënoi Kinën me më shumë se 100 vjet shtypje të huaj dhe kontroll kolonial të politikës tregtare.  

Ishte e para nga ato që u njohën si “traktate të pabarabarta”, ku fuqia ushtarake dhe teknologjike ngacmuese e kohës imponoi kushte të njëanshme në përpjekje për të ulur deficitin e saj masiv tregtar.

Tingëllon e njohur?

Vrapimi i Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në resortin e golfit Turnberry të Donald Trump në Skoci muajin e kaluar për të nënshkruar një marrëveshje tregtare shumë të pabalancuar ka ngjallur frikë midis politikanëve dhe analistëve se Europa ka humbur ndikimin që dikur mendonte se kishte si një fuqi kryesore tregtare globale. 

Kritikët e Von der Leyen nxituan të pohonin se pranimi i tarifës prej 15 për qind të Trump për shumicën e mallrave europiane përbënte një akt “nënshtrimi”, një “disfatë të qartë politike për BE-në” dhe një “kapitulim ideologjik dhe moral”.

Nëse ajo kishte shpresuar se kjo do ta mbante presidentin amerikan larg, një zgjim i ashpër e priste. Me bojën që mezi ishte tharë për marrëveshjen tregtare, Trump dyfishoi presionin duke kërcënuar se do të vendoste tarifa të reja ndaj BE-së për shkak të rregulloreve digjitale që do të godisnin gjigantët e teknologjisë së Amerikës. Nëse BE nuk do të bindej në përputhje me këtë, SHBA-të do të ndalonin eksportimin e teknologjive jetësore të mikroçipave, paralajmëroi ai.

Trump mund ta përdorë këtë avantazh shtrëngues sepse – ashtu si imperialistët britanikë të shekullit të 19-të – ai mban kartat ushtarake dhe teknologjike, dhe është i vetëdijshëm se homologu i tij mbetet shumë prapa në të dy sektorët.

Ai e di që Europa nuk dëshiron të përballet me Presidentin rus Vladimir Putin pa mbështetjen ushtarake amerikane dhe nuk mund të përballojë pa teknologjinë amerikane të çipave, kështu që ai mendon se mund të diktojë axhendën tregtare.

Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maroš Šefčovič, nënkuptoi fuqishëm muajin e kaluar se marrëveshja me SHBA-në ishte një pasqyrim i dobësisë strategjike të Europës dhe nevojës së saj për mbështetjen e SHBA-së.

“Nuk ka të bëjë vetëm me… tregtinë: Ka të bëjë me sigurinë, ka të bëjë me Ukrainën, ka të bëjë me paqëndrueshmërinë aktuale gjeopolitike”, shpjegoi ai.

Marrëveshja tregtare është një “funksion i drejtpërdrejtë i dobësisë së Europës në frontin e sigurisë, që ajo nuk mund të sigurojë sigurinë e saj ushtarake dhe që dështoi të investonte, për 20 vjet, në sigurinë e saj”, tha Thorsten Benner, drejtor në Institutin Global të Politikave Publike në Berlin, i cili gjithashtu vuri në dukje dështimet për të investuar në “forcën teknologjike” dhe për të thelluar tregun e vetëm. 

Ashtu si udhëheqja Qing, edhe Europa i përçmoi shenjat paralajmëruese për shumë vite.

“Po paguajmë çmimin për faktin se e injoruam thirrjen e zgjimit që morëm gjatë administratës së parë Trump – dhe u kthyem në gjumë. Dhe shpresoj që kjo të mos jetë ajo që po bëjmë tani”, tha Sabine Ëeyand, drejtoreshë e përgjithshme për tregtinë në Komisionin Europian.

Është e qartë se loja e paqëndrueshme e tarifave të Trump është larg të qenit e mbaruar, dhe blloku 27-vendesh është i destinuar të përballet me sfida të mëtejshme politike dhe rezultate të pabarabarta negociatash këtë vjeshtë.

Ujëra të turbullt

Traktati i Nankingut, i nënshkruar nën presion në vitin 1842 në bordin e HMS Cornëallis , një anije luftarake britanike e ankoruar në lumin Jance, i detyroi kinezët t’ua linin territorin e Hong Kongut kolonizatorëve britanikë, t’u paguanin atyre një dëmshpërblim dhe të bien dakord për një tarifë “të drejtë dhe të arsyeshme”.

Tregtarët britanikë ishin të autorizuar të tregtonin në pesë “porte të traktatit” – me këdo që dëshironin. 

Lufta e Opiumit nisi atë që Kina filloi ta quante “shekulli i poshtërimit” i saj. Britanikët i detyruan kinezët të hapeshin ndaj tregtisë shkatërruese të opiumit për të ndihmuar Londrën të rikuperonte deficitin e madh të argjendit me Kinën. Është një epokë që ende e përndjek vendin dhe drejton politikëbërjen e tij strategjike si në vend ashtu edhe në nivel ndërkombëtar.

Një faktor kyç që e detyroi dinastinë Qing të nënshtrohej ishte dështimi i saj për të investuar në përparimin ushtarak dhe teknologjik. Perandori Qianlong i Kinës u tha britanikëve në vitin 1793 se Kina nuk kishte nevojë për “prodhimet barbare” të kombeve të tjera.

Ndërsa baruti dhe armët e zjarrit ishin shpikje kineze, mungesa e eksperimentimit dhe inovacionit ngadalësoi zhvillimin e tyre – që do të thotë se armët Qing ishin rreth 200 vjet prapa armëve britanike në dizajn, prodhim dhe teknologji.  

Në mënyrë të ngjashme, BE-ja tani po ndëshkohet për dekada prapa SHBA-së. Shkurtimi i shpenzimeve të mbrojtjes pas Luftës së Ftohtë i mbajti vendet europiane të varura nga ushtria amerikane për siguri; vetëkënaqësia në lidhje me zhvillimet teknologjike do të thotë që BE-ja tani është prapa rivalëve të saj globalë në pothuajse të gjitha teknologjitë kritike.

Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së, Jamieson Greer, nga ana e tij, ka shpallur fillimin e një rendi të ri botëror — një rend të cilin ai e quajti “sistemi Turnberry” — duke krahasuar marrëveshjen tregtare SHBA-BE me sistemin financiar të pasluftës të hartuar në vendpushimin e Bretton Ëoods në Anglinë e Re në vitin 1944.   

Priten turbulenca

Trump tregoi pak konsideratë për dëshirën e BE-së për të përjashtuar çështjet e ndjeshme nga deklarata e përbashkët jo-detyruese e javës së kaluar. Ndërkohë, paqartësia e tekstit prej katër faqesh i lë hapësirë ​​atij për të kërkuar kërkesa të reja ose për të kërcënuar me hakmarrje nëse gjykon se BE-ja nuk po e mban anën e saj të marrëveshjes. 

Më shumë poshtërim mund të pasojë, ndërsa të dyja palët përpiqen të përcaktojnë detaje të ndryshme – nga një sistem kuotash tarifore për çelikun dhe aluminin deri te përjashtimet për sektorë të caktuar – të cilat ende duhen zgjidhur.  

“Kjo marrëveshje është aq e paqartë sa ka kaq shumë pika ku konfliktet mund të përshkallëzohen lehtësisht për t’u përdorur më pas si justifikim pse gjërat e tjera nuk do të zbatohen”, tha Niclas Poitiers, një studiues në grupin e ekspertëve Bruegel. 
 
I pyetur se çfarë do të ndodhte nëse BE-ja nuk do të investonte 600 miliardë dollarët e premtuar në SHBA, Trump tha më parë këtë muaj : “Epo, atëherë ata paguajnë tarifa prej 35 për qind.” 

Është një rrezik për të cilin BE-ja është shumë e vetëdijshme. Komisioni Evropian argumenton se shifra prej 600 miliardë dollarësh thjesht pasqyron qëllime të gjera nga sektori i korporatave që nuk mund të zbatohen nga burokratët në Bruksel.
 
“Ne presim turbulenca të mëtejshme”, tha një zyrtar i lartë i BE-së, i cili mbeti anonim për të folur sinqerisht. Por “ne mendojmë se kemi një politikë sigurimi shumë të qartë”.

Por çfarë mund të bëjë blloku për të shmangur zgjatjen e periudhës së dobësisë gjeopolitike? 

Në prag të marrëveshjes, Von der Leyen theksoi vazhdimisht se strategjia e BE-së në marrëdhëniet me SHBA-në duhet të ndërtohet mbi tre elementë: përgatitjen e masave hakmarrëse, diversifikimin e partnerëve tregtarë dhe forcimin e tregut të vetëm të bllokut.  
 
Për disa, BE-ja duhet ta shohë marrëveshjen si një thirrje zgjimi për të sjellë ndryshime të thella dhe për të rritur konkurrueshmërinë e bllokut përmes reformës institucionale, siç u përshkrua vitin e kaluar në raportet historike të shkruara nga ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, dhe ish-kryeministri italian Enrico Letta.   

Në përgjigje të marrëveshjes, Draghi lëshoi ​​një paralajmërim të fortë se aftësia e dukshme e Trump për ta detyruar bllokun të bëjë urdhrat e tij është provë bindëse se ai përballet me mungesën e rëndësisë, ose më keq, nëse nuk mund të veprojë.

“Europa është e pajisur dobët në një botë ku gjeoekonomia, siguria dhe stabiliteti i burimeve të furnizimit, në vend të efikasitetit, frymëzojnë marrëdhëniet tregtare ndërkombëtare”, tha ai.  

Tregtia e lirë

Për të tjerët, përgjigjja qëndron në thellimin dhe diversifikimin e lidhjeve tregtare të bllokut – Brukseli këmbëngul se publikimi i marrëveshjes së tij tregtare me bllokun Mercosur të vendeve të Amerikës së Jugut është shumë afër, dhe po synon marrëveshje me Indonezinë, Indinë dhe të tjerë këtë vit.

Ai gjithashtu ka sinjalizuar hapje për intensifikimin e tregtisë me bllokun CPTPP të fokusuar në Azi, i cili numëron Kanadanë, Japoninë, Meksikën, Australinë dhe të tjerë si anëtarë. 
 
“Përveç modernizimit të Organizatës Botërore të Tregtisë, BE-ja duhet të përqendrohet në vazhdimin e ndërtimit të rrjetit të saj të marrëveshjeve tregtare me partnerë të besueshëm”, tha Bernd Lange, një socialdemokrat gjerman i cili kryeson komitetin e tregtisë të Parlamentit Europian.  

“Për të stabilizuar sistemin tregtar të bazuar në rregulla, duhet të gjejmë një qëndrim të përbashkët me vendet e konstituuara në mënyrë demokratike”, shtoi Lange.  

Europa, tha Drumm, përballet me një zgjedhje. 

«A do ta përforcojë pozicionin e saj si një qendër e tregtisë së lirë në një botë ku globalizimi po dobësohet?» pyeti ai. «Apo do të jetë thjesht një fushë beteje ku do të zhvillohet konkurrenca në rritje midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara?» 

Burimi: Politico/Përshtati Gazeta Si

The post Europa do përjetojë një ‘shekull poshtërimi’… falë Trumpit appeared first on Gazeta Si.

Rama: Ka gjykatës që kanë dhënë vendime në favor të zjarrvënësve, do vihen para përgjegjësisë

27 August 2025 at 12:02

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në ceremoninë për nderimin e zjarrfikësve që luftuan më flakët, u ndal sërish te kritikat për disa gjyqtarë dhe prokurorë që sipas tij kanë vepruar jo në interes të publikut.

Rama tha se i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja që të përcjellë pranë organeve drejtuese të gjyqësorit ankesat që ai ka shprehur për gjyqtarët e përmendur së fundmi.

“Nuk do të lëmë gur të shtratit ligjor të kësaj republike për të vendosur përpara përgjegjësisë publike dhe institucionale çdo prokuror apo gjykatës që do të sulmojë haptazi shtetin dhe interesin publik në proces me zjarrvënës, zaptues apo gllabërues të të mirave dhe pasurive publike të këtij vendi”, tha Rama.

Nga ana tjetër, shtoi se nuk do kursejë çdo mbështetje institucionale për prokurorët e gjykatësit që i shërbejnë misionit kombëtar të Shqipërisë në BE, duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Disa personave që nuk iu dihen emrat e nuk iu njihet fytyra me ndjeshmëri njerëzore zero, dhe integritet moral zero me xhufkë, në ajër të kondicionuar mbuluar me tyrbën e zezë të gjykatësit përqeshin sakrificat dhe shkelin me të 4 këmbët interesat e vendit, duke dhënë vendime të ububushme jo në mbrojte të republikës, por në favor të zjarrvënësve. I kam kërkuar ministrit të Drejtësisë t’i përcjellë organet e qeverisjes së gjyqësorit rastet e mësipërme. Nuk janë shumë por mjaft për të vënë duar në kokë“, tha Rama.

The post Rama: Ka gjykatës që kanë dhënë vendime në favor të zjarrvënësve, do vihen para përgjegjësisë appeared first on Gazeta Si.

Beteja me zjarret/ Rama: Së shpejti do të kemi dy avionë zjarrfikës. Do ndërtojmë flotën tonë

27 August 2025 at 11:50

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e Mirënjohjes Kombëtare për forcat e angazhuara në operacionet e shpëtimit ndaj zjarreve, tha se Shqipëria arriti të reagojë me efikasitet ndaj betejës me zjarret.

Rama tha se avionët zjarrfikës janë ndihmës të rëndësishëm, por theksoi se forca kryesore mbetet ajo në tokë. Ai shtoi se së shpejti Shqipëria do të ketë në zotërim dy avionë zjarrfikës duke i hapur rrugën ngritjes së flotës përkatëse.

“Avionët nuk janë magjistarë ata janë ndihmës të fuqishëm që nuk na kanë munguar falë mekanizmit evropian, por nuk janë asesi të plotfuqishëm. 22 avionë të gjeneratës së fundit nuk e penguan dot përbindëshin e flakëve ta digjte dhe përcëllonte gjirin e Izmirit duke hapur një plagë të dhimbshme në tokën e Turqisë mike. Avionët janë krah i fuqishëm në betejë edhe në do të kemi së shpejti flotën e avionëve tanë që do të nisë të ndërtohet me dy avionë zjarrfikës por magjia është bashkërendimi dhe sakrifica në tokë”, tha Rama.

Rama më tej kërkoi që të nisë në shkollat e vendit një program për edukimin dhe ndërgjegjësimin për pyjet, me fokusin te mbrojtja dhe ripërtëritja e tyre.

“Ne mund të bëjmë më shumë dhe më mirë me parandalim më të mençur, pastrim pyjesh, krijim korridoresh natyrore, futje në përdorim të më shumë dronëve për monitorim me kamera termike dhe futjen në përdorim gjerësisht të dronëve për mbjelljet e reja në sipërfaqet e djegura, teknologji me sisteme alarmi të hershëm dhe një funksionim më i mirë i qendrave të integruara të kontrollit për reagim më të shpejtë me mjete tokësore. Këto nuk na çojnë larg pa ndërgjegjësimin dhe edukimin. Çdo shkollë do të bëhet pjesë e vëmendjes, mbrojtjes dhe ripërtëritjes kombëtare për pyjet, ku nxënësit do të marrin pjesë në mbjellje dhe përkujdesje”, deklaroi Rama.

The post Beteja me zjarret/ Rama: Së shpejti do të kemi dy avionë zjarrfikës. Do ndërtojmë flotën tonë appeared first on Gazeta Si.

Pse Vuçiç dhe Dodiku po ‘vrapojnë’ pas presidentit amerikan

27 August 2025 at 10:40

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti serb Aleksandar Vuçiç prej muajsh është përpjekur me ngulm të kontaktojë Presidentin e SHBA-së Donald Trump.

Pas dështimit total në muajin maj në Florida, nga ku ai u kthye papritur në Serbi në rrethana ende misterioze për shkak të “dhimbjeve në gjoks”, fushata diplomatike që mund të quhet edhe “dua të takoj Trumpin” ka vazhduar.

Udhëheqësit e qeverisë serbe kanë folur vazhdimisht për një lloj dialogu strategjik me Amerikën dhe kthimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në “nivelin e tyre të mëparshëm”. Kështu, në fillim të gushtit, u zhvillua një takim midis Ministrit të Jashtëm serb Marko Gjuriç dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, të cilin pala amerikane praktikisht nuk e komentoi, por megjithatë Gjuriç e vlerësoi takimin si “historik”.

Dëshirave të Presidentit serb iu bashkua edhe ish-Presidenti i Republika Srpska Milorad Dodik, i cili gjithashtu dëshiron të takohet me Trumpin dhe i cili e përshkroi shkarkimin e tij si “një përpjekje për ta penguar atë të flasë me Trumpin”.

Kjo kulmoi në kohën kur Asambleja e RS po thërriste një “referendum për Dodikun”, anëtarja serbe e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviç, nisi një propozim për t’i dhënë Trumpit Çmimin Nobel për Paqen.

Dodik beson se “po minohet” nga të ashtuquajturit “Bidenistë” dhe se gjithçka do të ishte ndryshe nëse do ta kishte informuar Trumpin për të gjitha detajet e ngjarjeve në rajon.

Bazuar në disa veprime të mëparshme, është e mundur të supozohet se Vuçiç dhe Dodik do të përpiqeshin të paraqiteshin në Amerikë si “evropianë konservatorë të MAGA-s” të cilët, ashtu si Trumpi, po ngacmohen nga forcat globaliste të krahut të majtë.

Trumpi – mbrojtësi i autokracisë

Komentatori i politikës së jashtme, Boshko Jakshiç, i thotë DW-së se Aleksandar Vuçiç është kaq i etur për të takuar Trumpin “sepse e sheh atë mbi të gjitha si mbrojtësin e autokracisë”. Ndërsa Bashkimi Evropian, “pavarësisht nga qasja ndonjëherë llogaritëse e Gjermanisë dhe Francës”, ende këmbëngul në disa vlera të demokracisë liberale.

“Pas presidentëve rusë dhe kinezë, edhe Vuçiç e sheh Trumpin si një aleat ideologjik dhe kjo është arsyeja pse Vuçiç po distancohet nga Evropa. Por këtu ka një pengesë, sepse Trump është pragmatik dhe i orientuar drejt biznesit dhe nuk është i interesuar për afërsinë ideologjike. Ndërsa në këtë fushë biznesi, Serbia praktikisht nuk ka asgjë për të ofruar”, thekson Jakshiç.

Milorad Dodik përdor të njëjtin model si Vuçiç, vazhdon bashkëbiseduesi ynë, duke shtuar, “se ata e shohin Trumpin si një lloj shpëtimtari, por unë kam paralajmëruar më parë se do të ketë zhgënjim pas sloganeve ‘Trump, serb’. Kur shikon faktin se Serbia është ndëshkuar me një tarifë mjaft të lartë prej 35 përqind, që është pasojë e afërsisë së Serbisë me Kinën, shohim se ka shumë pak hapësirë ​​për manovrim për të ndryshuar diçka në mënyrë domethënëse”, thekson Boshko Jakshiç.

Sa mund të ndihmojë Trumpi?

Asgjë nuk mund të rregullohet ose ndryshohet vetëm nga takimi i Vuçiçit dhe Dodikut me Trumpin, thotë historiani dhe ish-ambasadori në Uashington Milan St. Protiq. Sipas tij, Amerika ka gjëra shumë më të rëndësishme për të bërë në botë sesa të takohet me Vuçiçin e Dodikun.

Edhe po të ndodhte në takim i tillë, Milan St. Protiç nuk e ka të qartë se çfarë duan ata nga Trumpi dhe shton se kjo është parë edhe në takimin e Vuçiçit me Trumpin në mandatin e parë.

“Vuçiçi as nuk guxoi të kërkonte një karrige të mirë, por u ul në një stol dhe dukej i humbur në hapësirë. Mendoj se ata vetëm sa do të na turpëronin më tej, sepse me punën e tyre deri më tani kanë treguar se nuk janë të denjë për pozicionin që mbajnë”, beson Protiç.

Izraeli si një portë anësore

Si pjesë e këtyre përpjekjeve, ka pasur një kthesë gjithnjë e më të madhe drejt Izraelit, në përpjekjet për të fituar një mbështetje më të fortë amerikane. Aleksandar Vuçiç pothuajse u mburr se Serbia ishte i vetmi vend evropian që furnizonte me armë Izraelin, dhe zbuloi se ka një kontratë të rëndësishme ushtarake për blerjen e armëve nga Izraeli me vlerë 1.64 miliardë dollarë.

Në fillim të korrikut, Kryetarja e Parlamentit serb, Ana Brnabiq, gjithashtu shkoi në një vizitë tre-ditore në Izrael, duke deklaruar se ky ishte fillimi i një bashkëpunimi më intensiv politik dhe ekonomik midis dy vendeve.

Supozimi i autoriteteve në Beograd është ndoshta ky: Trump mbështet pa kompromis Izraelin, dhe kështu ne do të fitojmë favorin amerikan në mënyrë të tërthortë. Të dy bashkëbiseduesit tërheqin vëmendjen te edhe në takimin e parë midis Vuçiç dhe Trump, i cili supozohej t’i kushtohej Kosovës, në fund rezultoi se tema kryesore ishte Izraeli.

Boshko Jakshiq beson se kjo është një përpjekje e Vuçiçit që të arrijë te Trumpi përmes një dere të pasme, por kjo mund t’i kushtojë seriozisht Serbisë.

“Mburrja e Vučić-it se Serbia është i vetmi vend që i shet armë Izraelit, në një kohë kur shumë thonë se në Gazë po ndodh një ‘gjenocid’, kërcënon ta bëjë Serbinë bashkëpunëtore në të. Ky është një çmim shumë i lartë për t’u paguar për t’u afruar me Trumpin. Unë mund ta imagjinoj se Izraeli dhe Uashingtoni nuk janë fare të intereusar për Vuçiçin”, thotë Jakshiq për DW.

Pse Vuçiçi po injoron Evropën?

Evropa po kritikon akoma pak, por me zë gjithnjë e më të lartë represionin në Serbi. Prandaj autoritetet serbe po i drejtohen gjithnjë e më shumë Amerikës. Anëtarët e regjimit nuk hezitojnë më t’u përgjigjen ashpër zyrtarëve evropianë, gjë që mund të jetë një shenjë se ata nuk e konsiderojnë më Evropën një aktor serioz politik. Ata shpresojnë se do të mbeten në pushtet me ndihmën e Trumpit dhe Amerikës.

Milan St. Protiq thotë se kjo është një llogari e gabuar. “Evropa është mjedisi ynë dhe një faktor vendimtar për ne. Trump do ta përfundojë mandatin e tij, politika amerikane do të kthehet shpejt në normalitet, ndërsa Evropa do të mbetet aty ku është. Si Vuçiç ashtu edhe Dodik janë kundërshtarë të demokracisë dhe për këtë arsye po kërkojnë bashkëbisedues aty ku mendojnë se ka një bazë për një marrëveshje, pavarësisht nga institucionet demokratike”, paralajmëron ish-ambasadori serb në Amerikë.

Një injorim kaq gjithnjë e më i dukshëm i Evropës, të cilin Vuçiç po e tregon, “është i rrezikshëm dhe strategjikisht shumë i gabuar”, thotë Jakshiq. “Jo vetëm për shkak të gjeografisë, por në rregullimin aktual të marrëdhënieve botërore, nuk ekziston vetëm një detyrim politik dhe ekonomik, por edhe moral për të qenë në anën e Evropës në vend të Amerikës, Rusisë apo Kinës.

Vuçiç ka vetëm një llogaritje këtu – si të mbetet në pushtet dhe që askusht të mos e dënojë represionin në Serbi. Pra, kjo është një tendencë shumë e rrezikshme për të cilën Serbia tashmë po paguan, dhe ndoshta do të vazhdojë të paguajë një çmim të lartë”, përfundon Jakshiq./DW

The post Pse Vuçiç dhe Dodiku po ‘vrapojnë’ pas presidentit amerikan appeared first on Gazeta Si.

Netanyahu i pandikuar nga protestat masive, vazhdon ofensivën në Gaza

27 August 2025 at 09:46

Nga Gazeta ‘Si’- Pavarësisht zërave të mijëra protestuesve që mbushën sheshet e Tel Avivit duke kërkuar përfundimin e luftës dhe kthimin në shtëpi të pengjeve izraelite, kryeministri Benjamin Netanyahu mbetet i vendosur në planet e tij për vazhdimin e ofensivës në Gaza.

Protestat përfshinë bllokime rrugësh, sit-in që ndaluan autostradën kryesore të vendit, dhe manifestime pranë banesave të ministrave. Edhe përballë kritikave të ashpra ndërkombëtare, Netanyahu nuk ka dhënë asnjë shenjë tërheqjeje.

Në mbledhjen e shumëpritur të kabinetit të sigurisë, e mbajtur në Jeruzalem, nuk u mor asnjë vendim lidhur me propozimin për një armëpushim 60-ditor, një ofertë e pranuar nga Hamasi, por që ende nuk ka marrë përgjigje zyrtare nga Izraeli.

Sipas mediave vendase, mbledhja tre-orëshe përfundoi “pa asnjë diskutim konkret për marrëveshjen dhe pa votime formale për çështje të tjera”.

Kjo vjen në një moment kur Izraeli po përballet me një valë kritikash pas sulmit të së hënës ndaj spitalit Nasser në Khan Younis, ku u vranë 22 persona dhe u plagosën mbi 50 të tjerë.

Ndër të vrarët ishin edhe pesë fotoreporterë palestinezë që punonin për agjenci ndërkombëtare si Reuters dhe Associated Press. Sipas dëshmitarëve, ata u goditën nga dy predha tanku, të lëshuara me pesë minuta diferencë.

Në Jeruzalem, qindra manifestues marshuan drejt zyrës së kryeministrit të shoqëruar nga forca të shumta policore. Në mëngjes, në kuadër të të ashtuquajturit “Dita e bllokimit”, u mbajt një protestë që ndërpreu trafikun mes Tel Avivit dhe Jeruzalemit, me goma të djegura dhe thirrje kundër ministrave të ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir.

Kabineti i sigurisë pritet të mblidhet sërish të dielën. Mbledhja e djeshme përfundoi para kohe, pasi ministrat kishin një darkë gala me Këshillin Rajonal Binyamin institucioni që përfaqëson kolonët dhe vendbanimet në Bregun Perëndimor. Në këtë aktivitet, ata u pritën me protesta të reja dhe thirrje: “Festoni, ndërsa pengjet po vdesin nga uria”.

Kjo darkë vështirë se do të shërbejë për të ulur tensionet në territoret e pushtuara, ku dhuna nga kolonët ekstremistë ndaj fshatrave palestineze vazhdon. Një sulm i tillë u raportua dje në fshatin Qawawis, në zonën Masafer Yatta, ndërsa Ramallah u bë shënjestër e një operacioni të gjerë ushtarak.

Sipas raportimeve, forcat izraelite sulmuan qendrën e qytetit në mes të ditës, duke përdorur gaz lotsjellës dhe armë zjarri. Dëshmitarët thonë se ushtarët u pozicionuan edhe në çatitë e ndërtesave. Sipas Gjysmëhënës së Kuqe palestineze, 58 persona u plagosën, përfshirë një 13-vjeçar në gjendje të rëndë pasi u qëllua në bark. Ushtria izraelite deklaroi se operacioni kishte për qëllim goditjen e një rrjeti të fshehtë të financimit të Hamasit.

Gjatë bastisjes, u arrestuan pesë palestinezë dhe u sekuestrua një shumë e madhe parash në një zyrë këmbimi valutor.

The post Netanyahu i pandikuar nga protestat masive, vazhdon ofensivën në Gaza appeared first on Gazeta Si.

Financial Times: Trump premton mbrojtje ajrore për Ukrainën e pasluftës

27 August 2025 at 09:42

Nga Gazeta ‘Si’- Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetje kritike në sigurinë e Ukrainës pas një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, përfshirë mjete të avancuara të inteligjencës, mbikëqyrjes dhe kontrollit të fushëbetejës, si edhe të marrin pjesë në një mburojë mbrojtëse ajrore të udhëhequr nga Europa, me një zonë ndalim-fluturimi.

Financial Times raporton se plani i kryeqyteteve perëndimore do të përfshinte një zonë të çmilitarizuar, ndoshta të patrulluar nga paqeruajtës neutralë nga një vend i tretë, për të cilin kanë rënë dakord Kievi dhe Moska.

Përtej saj, një kufi shumë më i fuqishëm, i mbrojtur nga trupa ukrainase të armatosura dhe të trajnuara nga NATO. Më në brendësi të vendit, si një linjë e tretë mbrojtjeje, një forcë parandaluese e udhëhequr nga Europa.

Sipas raportit të Financial Times që citon burime amerikane dhe ukrainase thuhet se SHBA mund të marrë pjesë në një plan të përbashkët me vendet europiane për të garantuar mbrojtjen e Ukrainës ndaj agresioneve të ardhshme.

Uashingtoni do të ishte gati të kontribuonte me “mundësues strategjikë “, duke përfshirë inteligjencën, mbikëqyrjen dhe zbulimin, komandën dhe kontrollin, dhe asete të mbrojtjes ajrore, për të mbështetur çdo vendosje të udhëhequr nga evropianët në terren. Ndihma amerikane do të ishte vendimtare për mbikëqyrjen e armëpushimit dhe funksionimin e forcave perëndimore në terren.

Donald Trump u tha udhëheqësve europianë javën e kaluar se Amerika do të jetë pjesë e “koordinimit” të garancive të sigurisë për Ukrainën e pasluftës, diçka që Kievi e ka kërkuar për të penguar një sulm të ardhshëm nga Rusia pas një marrëveshjeje paqeje të mundshme.

Zyrtarët europianë kanë pranuar privatisht se çdo vendosje mund të ndodhë vetëm me mbështetjen e SHBA-së për të mundësuar, mbikëqyrur dhe mbrojtur trupat europiane.

Uashingtoni tashmë i siguron Ukrainës raketa mbrojtëse ajrore Patriot, por mbështetja pas luftës do të përfshinte avionë amerikanë, logjistikë dhe radarë tokësorë për të mbështetur dhe mundësuar një zonë ndalim-fluturimi të imponuar nga Europa dhe një mburojë ajrore për Kievin.

Në çdo marrëveshje paqeje, inteligjenca, mbikëqyrja dhe aftësitë superiore të komandës dhe kontrollit të SHBA-së do të lejonin monitorimin satelitor të një armëpushimi dhe koordinimin efektiv të forcave perëndimore në vend.

Oferta amerikane, e cila doli në një seri takimesh midis zyrtarëve të sigurisë kombëtare dhe udhëheqësve ushtarakë nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e mëdha evropiane në ditët e fundit, është e kushtëzuar nga angazhimi i kryeqyteteve evropiane për të vendosur dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë, thanë burimet e FT, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara mbeten kundër vendosjes së trupave të veta në Ukrainë, shtuan burimet.

Anëtarë të tjerë të administratës Trump, përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, janë skeptikë ndaj çdo pjesëmarrjeje në garancitë e pasluftës, nga frika se kjo mund ta fusë SHBA-në në një konflikt të ardhshëm.

The post Financial Times: Trump premton mbrojtje ajrore për Ukrainën e pasluftës appeared first on Gazeta Si.

❌
❌