Reading view

AMP sekuestron armën e policit të Durrësit! Efektivi mohon njohjen me të kërkuarin nga SPAK

Edison Gjuzi, i cili u dhunua me qytën e pistoletës nga Tafili, pretendon se ka parë efektivin e policisë disa herë nën shoqërinë e Tafilit dhe personit tjetër që e dhunuan.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka sekuestruar armën e zjarrit të efektivit të policisë në Durrës, Leonard Xhamollari, me funksion ndihmës specialist në sallën e komandimit, i cili dyshohet se është përfshirë në një sherr, pjesë e të cilit u bë edhe 41-vjeçari Denis Tafili, i kërkuar nga SPAK.

Polici ka qenë prezent në lokal kur ka ndodhur sherri, por në deklarimet e tij para agjentëve të AMP-së është shprehur se nuk ka lidhje me të kërkuarin e SPAK, Denis Tafili.

Edison Gjuzi, i cili u dhunua me qytën e pistoletës nga Tafili, pretendon se ka parë efektivin e policisë disa herë nën shoqërinë e Tafilit dhe personit tjetër që e dhunuan.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore është duke verifikuar kamerat e sigurisë për të mësuar nëse efektivi ka favorizuar të kërkuarin e SPAK, Denis Tafili.

Një njoftim i policisë, shpjegon se konflikti ka nisur për motive të dobta, ku Gjuzi është goditur me sende të forta (qytë pistolete) nga shtetasit Tafili dhe një 27 vjeçar me inicialet G. M. Të dy banues në Shkallnur, Durrës, të cilët pas ngjarjes janë larguar me automjet. Pavarësisht postblloqeve të ngritura nga policia, dyshja nuk është arritur të kapet.

Në maj të këtij viti Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për grupin e Elvis Doçit, pjesë e të cilit është dhe Tafili. Grupi u godit një vit më parë falë operacionit të përbashkët me autoritetet italiane, “Ura”. Ndaj 24 anëtarëve të grupit rëndojnë akuzat për trafik ndërkombëtar kokaine, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash. gjatë ekzekutimit të këtij operacioni janë sekuestruar edhe 4 milionë euro cash dhe 12 milionë euro pasuri, kryesisht prona.

Në 21 maj të vitit të kaluar, kur u ndërmor edhe operacioni, u vendos sekuestro për miliona euro pasuri, përfshirë 2 kompani ndërtimi, 4 restorante luksoze, 1 agjenci imobiliare, 1 televizion në Vlorë, të dyshuara se ishin financuar nga trafiku ndërkombëtar i drogës. Ndërkohë, në vendin fqinj janë sekuestruar 9 apartamente, 4 kompani, 7 llogari bankare dhe 3 makina.

  •  

Ministrja Sala për median gjermane: Reformat kërkojnë fokus

Ministrja e Shëndetësisë, Prof. Evis Sala, në një intervistë për median gjermane, ka ndarë vizionin e saj për transformimin e sistemit shëndetësor shqiptar, duke theksuar se reformat e suksesshme ndërtohen mbi prioritete të qarta, fokus dhe zbatim të qëndrueshëm, e jo mbi premtime të shumta.

Duke folur për përvojën e saj pas rikthimit në Shqipëri pas 29 vitesh, Prof. Sala u shpreh se objektivi fillestar ishte rishikimi i të gjithë sistemit shëndetësor, bazuar në eksperiencën e fituar në zbatimin e reformave dhe të inteligjencës artificiale në vende të ndryshme të Europës dhe në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, ajo theksoi se transformimi i një sistemi nuk mund të realizohet menjëherë, por kërkon analizë të kujdesshme, përcaktim prioritetesh dhe zbatim hap pas hapi.

Sipas Ministres, prioritetet kryesore të reformës janë modernizimi i kujdesit spitalor, përshpejtimi i digjitalizimit dhe integrimi i inteligjencës artificiale në shërbimet shëndetësore. Ajo vlerësoi se kujdesi parësor në Shqipëri është i organizuar mirë dhe i digjitalizuar, ndërsa sfida kryesore mbetet ndërtimi i një sistemi spitalor më modern, të integruar dhe të koordinuar.

  •  

Radio shtetërore franceze: Pavarësisht shtypjes, ‘Revolucioni i Flamingove’ nuk dorëzohet!

RADIO FRANCE INTERNATIONAL (RFI)

 

Policia shqiptare përdori gaz lotsjellës dhe topa uji kundër protestuesve që të enjten, më 23 korrik, u përpoqën t’i afroheshin godinës së Parlamentit në Tiranë. Gjatë protestës u arrestuan disa demonstrues.

Shoqëria civile shqiptare, e cila po udhëheq protestat, po përballet me një fushatë të koordinuar shpifjesh në internet, dezinformimi dhe intimidimi personal, ku sipas raportimit marrin pjesë edhe autoritetet shtetërore dhe drejtues politikë.

Protestat në Shqipëri dhe Serbi duken të ngjashme dhe sikur i përgjigjen njëra-tjetrës. Megjithatë, pas këtyre lëvizjeve popullore të krahasueshme fshihen dy regjime të ndryshme politike, sipas analizës së Veton Surroit.

 

 

Kush është Artur Shehu? Ai është biznesmeni që shiti toka Jared Kushnerit në jug të Shqipërisë. I akuzuar se ka falsifikuar dokumentet e pronësisë, Shehu, i cili jeton në Miami, është nën hetim jo vetëm nga drejtësia shqiptare, por edhe nga autoritetet italiane.

  •  

“Rama përdori forcën e kartonëve për t’i dhënë 4.3 mln euro Kanye West”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër qeverinë e Edi Ramës, duke akuzuar kryeministrin se ka përdorur shumicën parlamentare për të miratuar vendime në favor të oligarkëve dhe interesave private.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u ndal te vendimi për financimin e koncertit të Kanye West, duke pretenduar se qeveria përdori paratë e qytetarëve shqiptarë për t’ia dhënë një miliarderi.

“Edi Rama përdori kartonët e tij për të votuar në parlament dhuratën e parave që u grabiti pensionistëve dhe qytetarëve shqiptarë, për t’ia dhuruar miliarderit Kanye West”, u shpreh Berisha, duke e cilësuar koncertin si një përpjekje për të zbehur protestën qytetare që vijon prej javësh.

 

 

Sipas kreut të PD-së, qeveria ka përdorur edhe dhunë ndaj protestuesve paqësorë, duke akuzuar policinë për përdorim të lëndëve kimike dhe mjeteve të rënda gjatë përballjeve me qytetarët.

“E trajtoi protestën si një llogore lufte, duke përdorur dhunë policore, por dallgët e kësaj lëvizjeje jo vetëm që nuk po shuhen, por po bëhen gjithnjë e më tronditëse për Edi Ramën dhe regjimin e tij”, deklaroi Berisha.

Berisha iu referua edhe deklaratave të Ramës për luftën kundër korrupsionit, duke thënë se ato janë të pavërteta dhe se historia e tranzicionit shqiptar ka pasur zyrtarë të lartë të dënuar për korrupsion.

  •  

E FUNDIT: PLAGOSJE ME THIKE NË LUSHNJE, POLICIA ARRESTON AUTORIN

Lushnjë

Plagosi rëndë me mjet prerës (thikë) kushëririn e tij, pas një konflikti për motive të dobëta, falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë kapet dhe vihet në pranga autori.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin I. Y., 60 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Ditën e djeshme, në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, ky shtetas dyshohet se, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë) kushëririn e tij, shtetasin F. Y., 71 vjeç.

Si pasojë e dëmtimeve të marra, 71-vjeçari u transportua në spitalin e Traumës dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar, si dhe sekuestrimi i mjetit prerës (thikë) të përdorur gjatë ngjarjes.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

  •  

Kishte tentuar të shiste makinat që i çonin për t’i rregulluar, arrestohet

Tiranë  – Një pronar i një servisi makinash në zonën e Astirit është arrestuar për mashtrim

 

 

Mirjan Hasa kishte tentuar disa herë që t’i shiste makinat që qytetarët i kishin çuar për t’i rregulluar.

Arrestimi i 37-vjeçarit u krye pas kallëzimit të disa qytetarëve që pavarësisht se u kishin dhënë paratë, ai nuk ia kishte riparuar automjetet.

Policia:

Tiranë/Finalizohet nga Komisariati Nr. 6, operacioni i koduar “Skema”.

Arrestohet pronari i një servisi automjetesh në Astir, për mashtrim.
Dokumentohen 6 raste të kësaj veprimtarie kriminale, të kryera nga ky shtetas.

I arrestuari, përveçse nuk ka riparuar automjetet për të cilat është paguar, në disa raste ka tentuar t’i shesë ato.

Sekuestrohen nga ambientet e subjektit, 5 automjete, të cilat iu lanë në ruajtje pronarëve të tyre.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera menjëherë pas kallëzimeve të disa qytetarëve, se nuk kishin iu ishin riparuar automjetet, pavarësisht se i kishin paguar paratë, pronarit të një subjekti në këtë fushë, në zonën e quajtur “Astiri”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 finalizuan operacionin e koduar “Skema”.

Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, M. H., 37 vjeç, si dhe u dokumentuan 6 raste të kësaj veprimtarie kriminale. Përveç mashtrimit, nga hetimet dyshohet se në disa raste, 37-vjeçari ka tentuar të shesë automjetet që i ishin lënë për riparim.

Punohet për dokumentimin e rasteve të tjera në këtë fushë, që mund të ketë kryer shtetasi M. H.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

  •  

Trump: Irani është “shumë më serioz” në bisedime

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Uashingtoni dhe Teherani ende po zhvillojnë negociata për t’i dhënë fund konfliktit mes tyre, edhe pse sulmet janë intensifikuar në të gjithë rajonin, duke rritur më shumë rrezikun që konflikti të përshkallëzohet në një luftë të plotë në Lindjen e Mesme.

“Po bisedojmë me ta. Mendoj se po tregohen seriozë”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, duke iu referuar negociatorëve iranianë.

“Mendoj se… janë shumë më seriozë se sa i kemi parë ndonjëherë më parë, por kjo nuk do të thotë se do të arrijmë një marrëveshje. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi ai më 24 korrik.

Trump ka folur shpesh për negociatat mes SHBA-së dhe Iranit, duke pretenduar herë pas here se një marrëveshje paqeje është afër që të arrihet, por bisedimet kanë dështuar dhe veprimet ushtarake kanë rifilluar.

I pyetur nëse kishte marrë një vendim për rifillimin e sulmeve në shkallë të plotë, mes raportimeve të mediave se po takohej me këshilltarët e tij për këtë çështje, Trump u përgjigj: “Jo, nuk kam marr një vendim të tillë”.

“Jemi plotësisht të përgatitur dhe gati për të vepruar. Por, po bisedojmë me ta, kështu që mendoj se derisa po bisedojmë, do të shohim se çfarë do të dalë prej kësaj. Besoj se… ata janë shumë seriozë. Duhet të jenë”, tha Trump, pa sqaruar se si po zhvilloheshin bisedimet.

Komentet e tij erdhën pas një dite gjatë së cilës forcat amerikane goditën objektiva në mbarë Iranin, ndërsa më herët Trump ishte zotuar për “ndëshkim të madh ushtarak” ndaj Iranit, pasi tre ushtarakë amerikanë u vranë në Jordani dhe një tjetër humbi jetën në Irak.

Komentet e Trumpit erdhën po ashtunë kohën kur sulmet u zgjeruan në të gjithë rajonin në orët e para të 25 korrikut. Forcat e udhëhequra nga Arabia Saudite goditën pozicionet e rebelëve Huthi, që mbështeten nga Irani, në Jemen, pasi ky grup sulmoi anije saudite në Detin e Kuq, veprime që rrezikuan ta përfshijnë në konflikt edhe Pakistanin, aleat të Arabisë Saudite.

“Organizata terroriste ushtarake Huthi… shënjestroi anije tregtare në Detin e Kuq”, tha zëdhënësi i ushtrisë saudite, Turki al-Maliki, në platformën X.

Ai shtoi se koalicioni kishte “ndërmarrë një përgjigje vendimtare dhe të fuqishme”, duke goditur objektet ushtarake të rebelëve që përdoreshin për të kërcënuar lundrimin në Detin e Kuq, si dhe se “operacioni ushtarak tashmë ka përfunduar”.

Aleati i Shteteve të Bashkuara tha se do të vazhdojë të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të mbrojtur anijet e tij dhe interesat e tjera. Ai nuk specifikoi se cilët janë anëtarët e koalicionit, megjithëse ai zakonisht përbëhet nga aleatët rajonalë të Riadit.

Pas sulmeve saudite, rebelët Huthi pretenduan se kishin lëshuar një raketë drejt qytetit jugor saudit, Jizan, ndërsa autoritetet e mbretërisë lëshuan paralajmërime të shkurtra për banorët e atjeshëm.

Pakistani dënoi sulmet e rebelëve Huthi ndaj anijeve të lidhura me Arabinë Saudite. Gjithashtu paralajmëroi se çdo veprim agresiv ndaj anijeve me flamur pakistanez ose interesave detare të vendit do të konsiderohej një “kërcënim serioz”, i cili mund të çojë në “përdorim të ligjshëm të forcës”.

Pakistani, një ndërmjetës kyç në konfliktin mes SHBA-së dhe Iranit, është gjithashtu aleat i Arabisë Saudite. Marrëveshja Strategjike e Mbrojtjes së Ndërsjellë, e nënshkruar mes Arabisë Saudite dhe Pakistanit në shtator të vitit 2025, përcakton se “çdo agresion ndaj njërës prej dy vendeve do të konsiderohet agresion ndaj të dyja vendeve”.

Sulmet saudite erdhën pasi rebelët Huthi njoftuan se po vendosnin një bllokadë detare ndaj anijeve me flamur saudit në Ngushticën Bab al-Mandeb, në Detin e Kuq.

Rebelët goditën dy cisterna saudite më 23 korrik dhe sipas raportimeve, sulmuan edhe një tjetër vonë më 24 korrik.

  •  

Tirana dhe Elbasani “nën pushtetin” e pluhurit, raporti nxjerr ndotësit e ajrit

Tirana dhe Elbasani vijojnë të kenë nivele të larta të grimcave PM10 (pluhur i imët që qëndron pezull në ajër dhe mund të depërtojë në rrugët e frymëmarrjes) duke tejkaluar kufijtë vjetorë të lejuar.

 

 

Elbasani rezulton gjithashtu qyteti i vetëm ku është tejkaluar norma për dioksidin e azotit (NO₂). Të paktën kështu rezulton në Raportin e Gjendjes në Mjedis 2025 të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM).

Raporti bazohet në monitorimin e cilësisë së ajrit në nëntë stacione në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Korçë dhe Fier. Matjet përfshijnë ndotësit kryesorë të ajrit, si grimcat e pluhurit PM10 dhe PM2.5, dioksidin e azotit (NO₂), dioksidin e squfurit (SO₂), ozonin (O₃), monoksidin e karbonit (CO) dhe benzenin, për të vlerësuar nëse ajri përmbush standardet kombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian.

Sipas AKM-së, PM10 janë grimca pluhuri me diametër deri në 10 mikrometra, të cilat krijohen kryesisht nga trafiku rrugor, aktivitetet industriale, ngrohja me lëndë djegëse dhe burime të tjera. Raporti thekson se këto grimca mund të shkaktojnë ose të përkeqësojnë sëmundjet e zemrës dhe mushkërive, ndërsa ekspozimi afatgjatë lidhet edhe me rreziqe më të larta për shëndetin.

 

 

Gjatë periudhës korrik-dhjetor 2025, norma vjetore për PM10 u tejkalua në dy stacione monitorimi. Në stacionin “Tirana Higjena” u regjistrua një mesatare prej 57.66 mikrogramë për metër kub, ose 44% mbi kufirin e lejuar, ndërsa në Elbasan vlera arriti në 59.72 mikrogramë për metër kub, 49% mbi normë.

Raporti evidenton gjithashtu se në stacionin “Tirana Higjena” u regjistruan 33 ditë me përqendrime të PM10 mbi kufirin ditor të lejuar, nga maksimumi prej 35 ditësh që lejon standardi brenda një viti.

Për grimcat edhe më të imëta PM2.5, të cilat depërtojnë më thellë në mushkëri, AKM raporton se nuk është konstatuar tejkalim i normës vjetore në asnjë prej stacioneve të monitoruara, megjithëse vlerat në Korçë rezultuan pranë kufirit të lejuar.

Sa i përket dioksidit të azotit (NO₂), një ndotës që lidhet kryesisht me gazrat e automjeteve dhe aktivitetin industrial, tejkalim i vlerës kufi vjetore është regjistruar vetëm në Elbasan, ku mesatarja arriti në 40.18 mikrogramë për metër kub.

Për ndotësit e tjerë, AKM konstaton se nuk janë regjistruar tejkalime të kufijve për dioksidin e squfurit (SO₂). Ndërkohë, tejkalime të normës tetëorëshe për ozonin janë evidentuar në Fier, Korçë, Shkodër dhe në dy stacionet e Tiranës, ndërsa për monoksidin e karbonit tejkalimi është regjistruar vetëm në Fier. Për benzenin nuk është konstatuar tejkalim i normës vjetore në asnjë stacion.

Në përfundimet e raportit, AKM vlerëson se “cilësia e ajrit në qytetet e monitoruara nuk është e një niveli shumë të mirë”. Sipas institucionit, ndotësi kryesor mbeten grimcat PM10, veçanërisht në stacionet “Tirana Higjena” dhe Elbasan, ku burimi kryesor i ndotjes identifikohet trafiku rrugor. Monitorimet shumëvjeçare tregojnë se burimet kryesore të ndotjes së ajrit në Shqipëri lidhen me trafikun, aktivitetet e ndërtimit dhe përdorimin e lëndëve djegëse fosile për ngrohje./Monitor

  •  

Të shtëna me armë në Shkallnur të Durrësit, përplasen i shumërkuari Denis Tafili dhe Edison Gjuzi. Në konflikt i përfshirë edhe një polic

Një incident i rëndë është regjistruar në zonën e Shkallnurit, në Durrës, ku raportohet për të shtëna me armë pas një konflikti mes Denis Tafilit dhe Edison Gjuzit.

Sipas informacioneve paraprake, në konflikt është përfshirë edhe një punonjës policie, ndërsa në vendngjarje është qëlluar me armë zjarri.

Denis Tafili rezulton person në kërkim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

  •  

Rama publikon analizën e ChatGPT për “Paketën e Maleve”: Ligji nuk është për oligarkët apo të huajt

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një analizë  mbi “Paketën e Maleve” sipas ChatGPT, duke reaguar ndaj kritikave dhe akuzave se kjo nismë ligjore është hartuar për t’u shërbyer investitorëve të mëdhenj apo oligarkëve.

Në postimin e tij, Rama sjell një shpjegim të dispozitave të ligjit, duke argumentuar se qëllimi i tij është t’u japë mundësi familjeve që jetojnë në zonat malore të formalizojnë dhe zhvillojnë pasuritë e trashëguara, të cilat për shkak të historisë së pronësisë në Shqipëri nuk kanë pasur dokumentacion të plotë.

LIGJI I “PAKETËS SË MALEVE” SIPAS CHATGBT, THJESHT E QARTË FARE

Shumica e kritikave për “Paketën e Maleve” nisen nga ideja se ligji u krijua për investitorë të mëdhenj, të huaj ose “oligarkë”. Nëse lexohet ligji, këto teza nuk qëndrojnë.

1. “Është bërë për oligarkët.”

Kjo është ndoshta kritika më e përhapur, por edhe më e vështira për t’u mbështetur juridikisht.

Një oligark nuk ka nevojë për një ligj që kërkon të provosh posedimin faktik të tokës për të paktën 10 vjet siç thotë shprehimisht ky ligj. Paketa e Maleve nuk u krijon një rrugë të re investitorëve të mëdhenj; ajo krijon një rrugë për njerëzit që prej dekadash jetojnë mbi një truall të trashëguar pa mundur ta formalizojnë atë.

Nëse një familje në Theth, Vermosh, Zagori, Lunxhëri apo Mokër ka punuar tokën e trashëguar prej brezash, por nuk ka një titull pronësie për shkak të historisë së ndërlikuar të regjimit komunist, tranzicionit dhe legjislacionit ekzistues të tokës, atëherë ky ligj i jep një mekanizëm për ta zhvilluar atë pronë.

Ky është subjekti real i ligjit

2. “Është bërë për të huajt.”

As kjo nuk rezulton nga ligji. Ligji nuk krijon një kategori të privilegjuar për shtetasit e huaj.

Madje, kushti më i rëndësishëm i tij – posedimi faktik shumëvjeçar i tokës – është pikërisht ai që shumica dërrmuese e investitorëve të huaj nuk mund ta plotësojnë.

Një investitor i huaj që vjen sot në Shqipëri nuk mund të deklarojë se ka poseduar tokën për dhjetë vjet.

Pra ai nuk hyn fare në mekanizmin kryesor të Paketës së Maleve.

3. “Është bërë për të pasurit.”

Edhe kjo tezë ka një problem logjik.

Nëse një person ka kapital të madh, ai mund të investojë edhe pa Paketën e Maleve.

Ligji nuk i krijon një privilegj të ri.

Ndërsa një familje që ka një kullë malesh, një stan, një fermë ose një truall të trashëguar, por nuk ka mundur kurrë ta formalizojë, pa këtë ligj nuk mund të marrë kredi, nuk mund të ndërtojë ligjërisht, nuk mund të zhvillojë agroturizëm dhe shpesh as nuk mund t’ua lërë fëmijëve të sigurt juridikisht.

Paketa synon pikërisht të zhbllokojë këtë situatë.

4. “Po pse 1 euro?”

Sepse shteti nuk po shet tokë për të mbledhur para, por po ia jep me kontratë ligjore tokën shtetërore poseduesit. Pasi ai realizon ndërtimin hipotekon edhe pronën.

Ky është një instrument i përdorur edhe në vende të tjera për të zhvilluar zona të braktisura.

5. “Po ua fal tokën.”

Jo.

Ligji nuk thotë se kush aplikon bëhet automatikisht pronar.

Duhet:

të provohet posedimi;

të verifikohet ligjshmëria;

të miratohet projekti;

të përmbushen kushtet kontraktore;

të realizohet investimi.

Nëse këto nuk ndodhin, mekanizmat ligjorë parashikojnë pasoja sipas kontratës dhe legjislacionit përkatës dhe toka mbetet shtet.

6. “Po favorizohen vetëm resortet.”

Kjo bie ndesh me vetë filozofinë e ligjit.

Projektet që synohen janë shumë më të gjera:

agroturizëm;

bujtina;

ferma;

punishte artizanale;

përpunim produktesh vendase;

aktivitete sportive e natyrore;

turizëm familjar.

Pra modeli është ekonomia lokale, jo vetëm investimi i madh.

7. “Po u merret prona pronarëve.”

Ligji nuk shpronëson pronën private të regjistruar.

Ai operon mbi prona shtetërore me posedues faktik ose mbi situata ku nuk ekziston një titull i formalizuar pronësie dhe ku legjislacioni i mëparshëm nuk ka dhënë zgjidhje për trashëgimtarët. Çdo konflikt pronësie vazhdon të trajtohet sipas mekanizmave ligjorë përkatës.

Në thelb, çfarë është Paketa e Maleve?

Nëse dikush thotë se është ligj për oligarkët, pyetja e thjeshtë është:

Cili oligark ka pritur dhjetëra vite duke jetuar në një stan, në një kullë mali apo në një pemëtore të trashëguar pa certifikatë pronësie?

Sepse ky është personi që ligji ka në mendje.

Paketa e Maleve nuk është një ligj për ata që kanë shumë kapital. Është një ligj për ata që kanë pasur tokë, kujtime, punë dhe rrënjë, por nuk kanë titull juridik pronësie. Ajo përpiqet ta kthejë atë kapital të fjetur në ekonomi reale: në bujtina, ferma, punishte, shtigje turistike, vende pune dhe jetë të rikthyer në zonat malore.

  •  

Rreth 47 mln euro të ardhura, mbi 37 mijë aplikime për rivlerësimin e pronave në 6 muaj

Mbi 37 mijë aplikime janë regjistruar në gjashtë muaj për rivlerësimin e pronave, ndërsa në arkën e shtetit janë arkëtuar rreth 47 milionë euro.

Sipas ekspertëve të tregut të pasurive të paluajtshme, procesi i rivlerësimit ka sjellë një zhbllokim të kontratave dhe marrëveshjeve të shitblerjes, duke i dhënë një frymëmarrje tregut. Megjithatë, kjo nuk është reflektuar ende në rritjen e numrit të transaksioneve, por kryesisht në shtimin e pronave të nxjerra në shitje.

Të dhënat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës tregojnë se interesi më i madh për rivlerësimin është në Tiranë dhe Durrës, dy qarqet ku çmimet e pronave kanë shënuar rritjen më të madhe. Rreth 70% e rivlerësimeve janë kryer me qëllim shitblerjen e pronës. Ekspertët u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos e lënë procesin për momentin e fundit, pasi afati përfundimtar është 31 dhjetori.

Megjithatë, procesi vijon të shoqërohet me vështirësi teknike. Nga njëra anë, vlerësuesit e pasurive po hasin probleme me përdorimin e vulave elektronike, ndërsa nga ana tjetër shumë qytetarë nuk po arrijnë të ngarkojnë ose të finalizojnë dokumentacionin në e-Albania.

Sipas vlerësuesve të pasurive të paluajtshme, që në fazat e para u vu re se do të kishte pengesa teknike. Platforma ka pasur ndërprerje dhe mosfunksionime të herëpashershme, ndërsa procedurat elektronike nuk kanë qenë gjithmonë të qarta për përdoruesit. Këto vështirësi kanë sjellë vonesa, radhë pritjeje dhe pasiguri si për profesionistët, ashtu edhe për qytetarët.

Në disa raste, edhe pse dokumentacioni është i plotë dhe tarifat janë paguar, sistemi nuk e finalizon aplikimin për shkak të problemeve me verifikimin ose me vulat elektronike. Si pasojë, aplikantët detyrohen të përsërisin disa hapa të procedurës, duke shtuar kohën dhe kostot e procesit.

Afati për aplikimet për rivlerësimin e pronave është deri më 31 dhjetor. Tarifat e Kadastrës variojnë nga 3.500 deri në 10.000 lekë, në varësi të vlerës së rivlerësimit të pronës.

  •  

Terrori në Roskovec/ U plagos nga ish-dhëndri, ndërron jetë në spital 55-vjeçarja

Thellohet tragjedia në Roskovec. U plagos nga ish-dhëndri, ndërron jetë në spital 55-vjeçarja. Kujtojmë autori i krimit, Refit Buzi, pas disa orësh i ngujuar ka vrarë vetën, duke mos iu dorëzuar efektivëve.

Rrethimi i Refit Buzit nga Policia në fshatin Kurjan të Roskovecit zgjati rreth 8 orë.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në Roskovec. Buzi, vrau me armë zjarri ish-vjehrrin. Ndërsa rrëmbeu për disa orë ish-partnerën, të cilën e liroi pas disa orësh.

  •  

Terrori në Roskovec/ U plagos nga ish-dhëndri, ndërron jetë në spital 55-vjeçarja

Thellohet tragjedia në Roskovec. U plagos nga ish-dhëndri, ndërron jetë në spital 55-vjeçarja.

Kujtojmë autori i krimit, Refit Buzi, pas disa orësh i ngujuar ka vrarë vetën, duke mos iu dorëzuar efektivëve.

Rrethimi i Refit Buzit nga Policia në fshatin Kurjan të Roskovecit zgjati rreth 8 orë.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në Roskovec. Buzi, vrau me armë zjarri ish-vjehrrin. Ndërsa rrëmbeu për disa orë ish-partnerën, të cilën e liroi pas disa orësh.

  •  

Stuhia e shiut dhe breshërit godet Elbasanin/ Evidentohen dëme në qytet dhe në zonat rurale

Moti i keq i shoqëruar me reshje intensive shiu, erëra të forta dhe breshër ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në qytetin e Elbasanit dhe në disa zona rurale të bashkisë. Sipas të dhënave paraprake nga Zyra e Emergjencave Civile pranë Bashkisë Elbasan, stuhia ka rrëzuar dhe dëmtuar disa pemë dekorative, ndërsa erërat e forta kanë shkatërruar tenda biznesesh dhe kanë rrëzuar vazo nga ballkonet e banesave, duke krijuar rrezik për kalimtarët.

Reshjet me intensitet të lartë kanë sjellë përmbytjen e disa bodrumeve dhe të disa akseve rrugore kryesore të qytetit. Po ashtu, një pjesë e kolektorëve nuk kanë përballuar sasinë e madhe të ujit, duke dalë përkohësisht jashtë funksionit dhe duke vështirësuar kullimin.

Pasoja janë regjistruar edhe në zonat rurale, ku breshëri ka dëmtuar kultura të ndryshme bujqësore. Sipas vlerësimeve të para, dëmet më të mëdha janë shkaktuar në parcelat e mbjella me duhan, ku prodhimi ka pësuar goditje të ndjeshme. Strukturat e Emergjencave Civile kanë nisur evidentimin në terren të të gjitha dëmeve të shkaktuara nga moti i keq, ndërsa janë angazhuar ekipet e shërbimeve emergjente për pastrimin e rrugëve, largimin e pemëve të rrëzuara dhe normalizimin e situatës në zonat më të prekura.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, pasi moti i paqëndrueshëm mund të vijojë të krijojë probleme edhe në orët në vijim.

  •  

Hyjnë në fuqi tarifat e reja doganore të SHBA-së, preken rreth 60 partnerë tregtarë evropianë

Kanë hyrë në fuqi tarifat e reja doganore të shpallura nga administrata e presidentit Donald Trump ndaj një numri të madh partnerësh tregtarë evropianë.

Tarifat e reja hynë në fuqi menjëherë pas skadimit të tarifës së përkohshme prej 10%, e cila ishte vendosur nga administrata Trump pasi Gjykata e Lartë kishte shfuqizuar tarifat e mëparshme në fillim të muajit shkurt.

Sipas administratës amerikane, këto masa janë ndërmarrë ndaj vendeve që akuzohen se nuk kanë marrë masa të mjaftueshme për të luftuar praktikat e punës së detyruar në zinxhirët tregtarë me Shtetet e Bashkuara.

Tarifat e reja prekin gjithsej 60 partnerë tregtarë dhe mbulojnë 99.4% të tregtisë së Shteteve të Bashkuara, sipas një dokumenti informues të publikuar nga Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së.

“Ky është veprimi ndërkombëtar më i gjerë i ndërmarrë ndonjëherë nga Shtetet e Bashkuara, dhe nga çdo vend tjetër, në fushën e mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve”, deklaroi një zyrtar i lartë i administratës Trump gjatë një konference për shtyp me gazetarët.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian reagoi duke theksuar se ka marrë në dijeni publikimin nga SHBA-ja të masave korrigjuese të miratuara në kuadër të hetimit sipas Seksionit 301.

“BE-ja e vlerëson pozitivisht faktin që këto masa janë në përputhje me angazhimet tarifore të Shteteve të Bashkuara, të dakordësuara në deklaratën e përbashkët. Bashkimi Evropian tashmë ka përmbushur pjesën e tij të marrëveshjes dhe pret që edhe SHBA-ja të vazhdojë të respektojë kushtet e deklaratës së përbashkët BE–SHBA, përfshirë çdo masë korrigjuese që mund të ndërmerret në kuadër të hetimeve të tjera sipas Seksionit 301”, deklaroi një zëdhënës i Komisionit Evropian.

  •  

Netanyahu viziton Washingtonin, pritet të takohet me Trump në Shtëpinë e Bardhë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të udhëtojë të hënë për në Uashington ku do të zhvillojë një takim me Presidentin e SHBA-së Donald Trump. Mësohet se Netanyahu do të marrë pjesë gjithashtu në funeralin e senatorit amerikan Lindsey Graham si pjesë e vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, Presidenti amerikan siguroi se Benjamin Netanyahu nuk do të arrestohet gjatë qëndrimit të tij në vend, pavarësisht urdhër-arrestit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Sakaq, Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar një urdhër arresti për kryeministrin izraelit, i cili dyshohet se ka kryer krime lufte në Gaza, akuza që Izraeli i mohon.

  •  

E KRYER/ Italia firmos me një legjendë, ish-trajneri i Juventusit ulet në stolin e axurrëve

Andrea Pirlo do të prezantohet si trajneri i ri i Italisë. Marrëveshja është arritur me ish-futbollistin legjendar, pikërisht pasi Pep Guardiola refuzoi të ulej në stolin e axurrëve.

Kontrata e Pirlos pritet të zgjasë deri në vitin 2030 për Kupën e Botës. Po ashtu bëhet fjalë edhe për okazion sa i përket pagës.

Pirlo nuk do të fitojë më shumë se 1,5 milionë euro në vit. Për herë të fundit, Pirlo drejtoi Junajtid FC në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Më parë ulej në stolin e Juventusit, Karagumruk dhe Sampdoria. Italia e konsideron si zgjedhje të guximshme, ndërsa ishte edhe Mançini si opsion.

 

 

 

  •  

Finalja/ De La Fuente për sjelljen e argjentinasve: E papranueshme dhe e pafalshme

Trajneri i Spanjës, De La Fuente ka reaguar për herë të parë për sjelljen e lojtarëve të Argjentinës, pas finales së Botërorit. Për të, gjëra të tilla janë të papranueshme, pasi bëhet fjalë vetëm për futboll.

“Ajo që pamë ishte e papranueshme dhe e pafalshme. Futbollistë të atij niveli, të udhëhequr nga një trajner i shkëlqyer, jam i bindur se edhe vetë ndihen keq për mënyrën se si u sollën. Skena të tilla nuk kanë vend në futboll”.

“Dua të përgëzoj sjelljen e lojtarëve tanë gjatë atyre sulmeve dhe provokimeve. Ata e ruajtën qetësinë dhe treguan sportivitet deri në fund”.

  •  

55 ditë revoltë! Dhuna dhe arrestimet nuk e ndalin revoltën, qytetarët sërish sot në shesh për dorëheqjen e Ramës

Qytetarët do të mblidhen sërish këtë mbrëmje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në ditën e 55-të të protestës antiqeveritare, duke përsëritur se nuk do të ndalen deri në, sipas tyre, “rrëzimin e kësaj kaste politike”.

Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve nga i gjithë vendi t’i bashkohen protestës, duke deklaruar se presioni ndaj qeverisë do të vijojë çdo ditë deri në arritjen e objektivave të tyre politike. Ata akuzojnë qeverinë për korrupsion, kapje të shtetit dhe shpërfillje të kërkesave të qytetarëve.

Një ditë më parë, paraditen, protesta u zhvendos para Kuvendit, ku pati tensione të forta me forcat e policisë. Protestuesit goditën me vezë automjetet që transportonin deputetët, ndërsa efektivët ndërhynë duke përdorur gaz lotsjellës dhe spraj djegës për të shpërndarë turmën dhe për të krijuar korridor për hyrjen dhe daljen e parlamentarëve.

Gjatë incidenteve pati edhe përplasje fizike, ndërsa disa protestues u shoqëruan nga policia.

Në mbrëmje, protesta vijoi përpara Kryeministrisë, ku qytetarët marshuan më pas në rrugët e Tiranës, duke brohoritur vazhdimisht “Rama, jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëri e re” dhe “Revolucion”. Organizatorët deklaruan se protesta nuk është më vetëm kundër qeverisë, por kundër gjithë klasës politike që, sipas tyre, ka mbajtur peng vendin prej vitesh.

Edhe sot pritet një pjesëmarrje e konsiderueshme në tubimin e radhës, ndërsa organizatorët kanë përsëritur se protestat do të vijojnë pa ndërprerje deri në largimin e qeverisë dhe, sipas tyre, në nisjen e një ndryshimi të ri politik në vend.

  •  

“Kulmi i cinizmit”/ Zhupa reagon pas deklaratës së Ramës: Detyra e një shteti është të mbrojë më të pambrojturit, jo t’i poshtërojë ata. I ka ardhur fundi

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, reagoi ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për protestën e djeshme ku mori pjesë një nënë me fëmijën e saj me autizëm, duke i cilësuar ato si “kulmi i cinizmit”. Zhupa akuzoi qeverinë se ka braktisur familjet që përballen me autizmin, ndërsa dënoi edhe ndërhyrjen e Policisë së Shtetit ndaj protestuesve, duke theksuar se problemi nuk është protesta, por një qeverisje që, sipas saj, ka humbur ndjeshmërinë ndaj qytetarëve më në nevojë.

Reagimi i plotë i Ina Zhupës:

Kulmi i cinizmit!

Kur një nënë del në protestë me fëmijën e saj me autizëm, nuk e bën për politikë. E bën sepse nuk ia del më të jetojë, sepse shteti e ka lënë vetëm, sepse ndihma nuk mjafton dhe dinjiteti i është mohuar.
Nuk e morën në proteste as korbat e as sorrat. Paratë e saj dhe të mijëra familjeve sot në nevojë, i kanë marrë derrat e majmur të pushtetit, ata që prej vitesh qeverisin pa u interesuar për hallet e qytetarëve. Dhe pasi u kanë vjedhur të ardhmen, tani duan t’u mohojnë edhe të drejtën kushtetuese për të protestuar, duke i dhunuar me polici.

Vetë prania e asaj nëne me fëmijën e saj dëshmoi qartë se protestuesit nuk përbënin asnjë rrezik. Asgjë nuk e justifikon sjelljen brutale dhe të paligjshme të Policisë së Shtetit ndaj qytetarëve që ushtronin një të drejtë demokratike.

Një kryeministër që duhet të mbante përgjegjësi pse një nënë me një fëmijë me autizëm detyrohet të dalë në rrugë për t’u dëgjuar, zgjedh të sulmojë qytetarët që i dhanë mbështetje dhe ta etiketojë atë si të manipuluar. Kjo nuk është vetëm mungesë përgjegjësie; është humbje e plotë e ndjeshmërisë njerëzore.

Detyra e një shteti është të mbrojë më të pambrojturit, jo t’i poshtërojë ata. Kur një nënë me një fëmijë me autizëm ndihet e detyruar të protestojë për të kërkuar minimumin për një jetë me dinjitet, problemi nuk është protesta. Problemi është qeverisja. Problemi është Edi Rama që nuk do ta kuptojë që i ka ardhur fundi”, shkruan ajo.

  •  
❌