Reading view
Pas 9 vitesh, Cristiano më në fund u bind: Georgina mori “po”-në që priste dhe unaza po çmend rrjetin!
Artikulli i “Wanderlust” për Shqipërinë,Rama:Një realtitet ku koha ka ngadalësuar…
Kryeministri Edi Rama ka ndarë pasditen e sotme në rrjetet sociale artikullin e “Wanderlust”, i cili i dedikohet Shqipërisë.
Rama shkruan se “Wanderlust” e zbulon vendin tonë përmes përvojave që ofrojnë komunitetet lokale, si dhe prek të gjitha shijet dhe ndjesitë që përcjell Shqipëria.
“Revista e njohur e udhëtimeve “Wanderlust” zbulon vendin tonë të përjetuar përmes përvojave që ofrojnë komunitetet lokale, që nga eksplorimi i natyrës së egër, qyteteve historike, zonave të mbrojtura, lagunave, jetës baritore e deri tek rituali i kafesë turke – një realtitet ku koha ka ngadalësuar për të prekur një Shqipëri përtej detit dhe plazhit, në të gjitha shijet dhe ndjesitë e saj”, shkruan Rama.
Në artikullin e shkruar nga revista ‘Wanderlust’, rrëfehet udhëtimi nëntë ditor në Shqipëri i Jessica Reid, e cila vizitoi kryeqytetin, Divjakën, Vlorën, Beratin, me qëllim për të prekur nga afër historitë e tyre.
Sot dita më e nxehtë, 42 gradë Celsius në hije
Kjo e martë ka shënuar ditën më të nxehtë të valës afrikane, me temperaturë 42 gradë në hije, ndërsa në diell ato arrijnë në 47 gradë.
Sipas sinoptikanëve, kjo valë e të nxehtit ka sjellë temperatura 10 gradë mbi normalen.
“Kjo e martë ka sjellë temperatura ekstremisht të larta, 10 gradë mbi normalen për sa i përket muajit gusht, duke bërë që maksimumet të jenë regjistruar 42 gradë në qarkun e Beratit, Shkodrës, kryeqytetin, po ashtu edhe Elbasani, ku janë regjistruar 40-41 gradë,” tha Hakil Osmani.
Duke nisur nga e mërkura, kemi tërheqje të valës së të nxehtit afrikan, duke bërë që minimumet të sjellin një natë dhe mëngjes më të freskët.
“Duke filluar nga e mërkura në vijim kemi rënie graduale të temperaturave, ku deri në fundjavë do të zbresin në 37-38 gradë.”
Muaji gusht pritet të na shoqërojë me kthjellime të shumta dhe temperatura që luhaten mes 36-38 gradëve.
“Moti i qëndrueshëm… gushti me temperatura të nxehta 36-39°C.”
Këto temperatura ekstreme vijnë si pasojë e ndryshimeve klimatike, duke sjellë ditë të nxehta, thatësirë dhe mungesë reshjesh.
Tv Klan
Vendim i ri për Dodikun: Burgimi zëvendësohet me gjobë
Gjykata e Bosnje-Hercegovinës e ka miratuar kërkesën që dënimi me burgim ndaj Millorad Dodikut të ndryshohet në dënim me gjobë, në përputhje me ligjet që e parashohin këtë gjë.
Dodiku ishte kryetar i Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, deri kur iu hoq mandati nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditë më parë.
Gjykata ka bërë të ditur të martën se “në përputhje me dispozitat ligjore, është marrë vendimi që, pas deklarimit të Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës, të miratohet propozimi i mbrojtjes dhe dënimi me burg i shqiptuar ndaj të dënuarit Millorad Dodik të zëvendësohet me gjobë”.
Kodi Penal i Bosnje – Hercegovinës parasheh mundësinë e zëvendësimit të dënimit me burgim që shkon deri në një vit, ku një ditë burg llogaritet 100 marka (50 euro). Për shlyerje të një viti burgim, Dodiku do t’i paguajë rreth 36.500 marka, që janë pak më shumë se 18.000 euro.
Dodiku është dënuar me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë për mbajtje të ndonjë pozite publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të komunitetit ndërkombëtar në Bosnje-Hercegovinë, Christian Schmidt.
Pas publikimit të vendimit përfundimtar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bosnje e ka anuluar mandatin e tij si president i Republikës Sërpska, i zgjedhur në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2022.
Ekipi ligjor i Dodikut e ka apeluar vendimin më 12 gusht dhe Gjykata e Apelit pritet ta publikojë vendimin final brenda tri ditësh. Sipas ligjeve në fuqi, pas përfundimit të mandatit të Dodikut, për shkak të vendimit të gjykatës, Komisioni Zgjedhor duhet t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme për pozitën e kryetarit të Republikës Sërpska, të cilat mund të bllokohen apo pengohen nga ky entitet serb.
Menjëherë pas vendimit të Komisionit Zgjedhor, Dodiku e ka bërë publike idenë e mbajtjes së një referendumi në Republikën Sërpska, përmes së cilit banorët do të vendosnin për mandatin e presidentit të entitetit, apo për refuzim të vendimit të gjykatës.
Ekipi i tij ligjor ka nisur ankesë edhe në Gjykatën Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, të cilën Dodiku nuk e njeh, duke kërkuar nga ajo një masë të përkohshme që ndalon ekzekutimin e vendimit, derisa Kushtetuesja ta thotë fjalën e fundit. Avokati i Dodikut, Goran Bubiq ka thënë se vendimi është marrë me qëllim të krijimit të rrugës ligjore për apel në Gjykatën Evropiane për të Drejta të Njeriut.
Një hap i tillë është i mundshëm vetëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Dodiku është shpallur fajtor për nënshkrimin e një dekreti që Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje, Christian Schmidt, paraprakisht e ka anuluar. Përmes këtyre ligjeve, trupat legjislativë në Republikën Sërpska kanë tentuar ta parandalojnë zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushteteuse dhe të Schmidit në territorin e entitetit serb. REL
Zjarret në vend, Begaj:Banorët të bashkëpunojnë me strukturat për të mbrojtur jetën
‘Me shqetësim të thellë po ndjek situatën kritike të shkaktuar nga zjarret, me të cilat po përballet vendi ynë.’ Kështu shkruan në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ku ndër të tjera ai shkruan se ‘në këto momente sfiduese dua të bëj thirrje për ndërgjegjësim maksimal nga secili prej nesh, duke treguar kujdes, angazhim dhe përgjegjësi’.
‘Ftoj të gjithë qytetarët, veçanërisht banorët e Bashkisë Gramsh, Njësisë Administrative Skënderbegas, ku situata është edhe më kritike, të bashkëpunojnë e të kontribuojnë krah për krah me strukturat e emergjencave civile, zjarrfikësit, Forcat e Armatosura dhe policinë, të cilët po punojnë dhe sakrifikojnë për të mbrojtur jetën, pronën, pasurinë.
Mbështetja jonë për ta, me çdo formë të mundshme, është jetike’, shkruan Begaj.
Në këtë postim Presidenti ka falenderuar të gjithë efektivët e angazhuar si dhe ka shprehur mirënjohjen për ndihmën që po japin vendet mike në përballimin e situatës.
‘Në emër të të gjithë shqiptarëve, falënderoj të gjithë efektivët e angazhuar, si dhe shpreh mirënjohje të thellë për ndihmën që po marrim nga vendet mike, përfshirë dërgimin e helikopterëve dhe pajisjeve të specializuara’, shkruan Begaj.
Zjarret në Gramsh,MM:Dhjetëra mjete në dispozicion, 4 helikopterë operojnë nga ajri
Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë tërësisht të angazhuara në menaxhimin e situatës së rënduar nga zjarret në bashkinë Gramsh, me trupa të FA në terren, së bashku me zjarrfikës lokalë, forca policie, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat bashkiake.
‘Dhjetëra mjete janë vënë në dispozicion, përfshirë zjarrfikëse, autoambulanca dhe mjete transporti, ndërkohë që 4 helikopterë po operojnë nga ajri për shuarjen e flakëve në zonat më të vështira. Prioritet mbetet evakuimi i banorëve nga zonat në rrezik’, thuhet në njoftimin e MM.
Për shkak të situatës, Ministria e Mbrojtjes i bën thirrje banorëve të fshatrave Ërmenj, Harunas dhe Zenelas të largohen menjëherë nga banesat e tyre dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.
Kosovë/ Arrestohet një person, dyshohet se ka kryer krime lufte në Malishevë
Prokuroria Speciale njoftoi se është arrestuar një person, që dyshohet se ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim të Malishevës. R.M., u arrestua në Prishtinë dhe ai dyshohet për veprën penale: krime lufte kundër popullatës civile.
Sipas njoftimit, R.M. dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, më 29-31 mars 1999, “në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës”.
Prokuroria tha se kundër të akuzuarit ka siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe të mbijetuarve.
“Brenda afatit të paraparë ligjor, Prokuroria Speciale do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore të Prishtinës”, tha Prokuroria Speciale.
Së fundi, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur disa aktakuza për krimet që janë kryer gjatë luftës më 1998/99. Po ashtu, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).
Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore. Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-1999 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë. REL
’10 mln € të fshehura në vetëm 2 vite!’ DPT: Kryente evazion, zbulohet subjekti në..
Zbulohet një subjekt në periferi të Tiranës që kryente evazion fiskal gjatë tregtimit të prodhimeve blegtorale.
Sipas një njoftimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, subjekti kishte fshehur në dy vite rreth 10 milionë Euro.
‘Në periferi të Tiranës, gjatë kontrollit të përbashkët të Task Forcës së Administratës Tatimore dhe strukturave të Ministrisë së Bujqësisë, u zbulua një subjekt qe kryente evazion fiskal gjatë tregtimit të prodhimeve blegtorale. Zero tolerancë për raste të kësaj natyre!’, thuhet në njoftim.
Gjithashtu DPT u ka bërë thirrje subjekteve të zbatojnë ligjin dhe qytetarëve të denoncojnë çdo abuzim për sigurinë ushqimore dhe formalizimin e tregut.
Zjarret në Gramsh,MM:Banorët në Ërmenj, Harunas dhe Zenelas të largohen nga banesa..
Ministria e Mbrojtjes ka bërë një tjetër njoftim urgjenT për evakuim për shkak të situatës me zjarret në zonën e Gramshit.
Tashmë për shkak të përkeqësimit të situatës, në njofimin e fundit Ministria iu bën thirrje banorëve e fshatrave Ërmenj, Harunas dhe Zenelas të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.
‘NJOFTIM URGJENT PËR EVAKUIM! Gramsh, për shkak të zjarreve, banorët e fshatrave Ërmenj, Harunas dhe Zenelas të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt’, thuhet në njoftimin e MM.
‘Heronj në zjarre’/Ekipet e emergjencës e FA evakuojnë banorët në Spanesh dhe Kazie
Në fshatrat Spanesh dhe Kazie të Tiranës, ekipet e emergjencës dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë po evakuojnë banorët nga banesat për shkak të përkeqësimit të situatës nga zjarret. Kështu shkruan në një postim në rrjetet sociale, Ministria e Mbrojtjes, ku ndër të tjera thuhet se:
‘Terreni është i vështirë dhe flakët po përhapen me shpejtësi, ndërsa po bëhen përpjekje maksimale për të garantuar sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve’.
Situata me zjarret vazhdon të jetë problematike ku është kërkuar evakuimi i banorëve në tre fshatra të Gramshit: Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë.
Në terren janë dislokuar 80 trupa të Forcave të Armatosura në mbështetje të forcave vendore, të cilat po punojnë pa ndërprerje për izolimin e flakëve.
Postimi i fundit i MM
Tiranë
Në fshatrat Spanesh dhe Kazie, ekipet e emergjencës dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë po evakuojnë banorët nga banesat për shkak të përkeqësimit të situatës nga zjarret.
Terreni është i vështirë dhe flakët po përhapen me shpejtësi, ndërsa po bëhen përpjekje maksimale për të garantuar sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve.
Hysenbelliu: E paprecedentë mbyllja e sinjalit
Drejtuesi i grupit mediatik “Focus Group”, ku bëjnë pjesë News24, Panorama TV, Gazeta Panorama, Panorama Sport dhe Gazeta Shqiptare Online, ka reaguar pas ndërprerjes së sinjalit të televizionit dhe sekuestrimit të godinës nga shteti për t’i kaluar kompanisë shtetërore të prodhimit të armëve, “KAYO”.
Në deklaratën publike, Irfan Hysenbelliu e ka cilësuar veprimin si të paprecedentë dhe një shkelje flagrante të lirisë së shtypit.
“Pa asnjë paralajmërim, pa urdhër gjykate dhe pa asnjë bazë ligjore të justifikuar, forca të shumta të policisë dhe ushtrisë kanë bllokuar hyrjen në ambientet e televizionit, kanë ndërprerë me forcë sinjalin e transmetimit dhe kanë ndërhyrë në mënyrë të papranueshme në punën e gazetarëve tanë dhe stafit teknik. Ky nuk është një incident i zakonshëm. Ky është një akt brutal dhe përbën një shkelje flagrante të lirisë së shtypit dhe të të drejtës themelore të qytetarëve për t’u informuar.”
Drejtuesi i grupit mediatik “Focus Group” garanton gazetarët se media nuk do të mbyllet.
“Ju drejtohem të gjithë punonjësve të News24 dhe grupit mediatik “Panorama”: Mos u dorëzoni! Qëndroni të fortë, të qetë dhe krenarë për misionin tuaj. Ne kemi raportuar me ndershmëri, profesionalizëm dhe integritet dhe nuk do të lejojmë që dhuna apo presioni ta shuajë zërin tonë. News24 nuk mbyllet. E vërteta nuk zhduket.”
Ndër të tjera, ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të veprimeve që i ka quajtur “represive” dhe rikthimin e sinjalit televiziv, si dhe lejimin e gazetarëve të kthehen në punë. Më herët, ministria e Ekonomisë ka sqaruar se pretendimet e Panorama Group, që pretendon se ka kontratë qeraje deri në 2033, ka një borxh prej 2 milionë eurosh të akumuluar që nga viti 2017 për mospagimin e qirasë së objektit. Klan News