Reading view

Turistët e huaj mahniten nga Rugova: Është si të jesh në Alpe



Turizmi në Kosovë po zgjon gjithnjë e më shumë interesin e vizitorëve të huaj, veçanërisht për destinacionet malore dhe turizmin në natyrë. Ndër destinacionet që po tërheqin vëmendje të veçantë është edhe Lugina e Rugovës.

Turistë nga Belgjika dhe Gjermania, të cilët pas një udhëtimi disa mujor nëpër Ballkan vendosën ta vizitojnë edhe Kosovën, thonë se natyra e paprekur, qetësia dhe mikpritja janë ndër arsyet kryesore pse Rugova meriton të vizitohet nga shumë më tepër turistë.

“Kur vozit nëpër Grykë është spektakolare. Pastaj ngjitesh në Parkun Kombëtar dhe është sikur të jesh në Alpe, por me shumë më pak njerëz. Dje ecëm për pesë orë dhe takuam vetëm një person”, ka thënë një turist nga Belgjika.

Për çiftin, Kosova ishte destinacioni më pak i njohur i udhëtimit. Pikërisht mungesa e informacionit për vendin i bëri kureshtarë që ta vizitonin dhe ta eksploronin vetë.

“Nuk kishim lexuar shumë për Kosovën, sepse pak njerëz udhëtojnë këtu. Kjo na bëri kureshtarë të vinim dhe ta eksploronim vetë”, ka thënë turistja nga Gjermania.

Përveç peizazheve, vizitorët thonë se përshtypje të veçantë u ka lënë edhe mikpritja. Nga kampingu në Gjakovë e deri te banorët e Rugovës, ata thonë se janë ndier të mirëpritur që në ditën e parë të udhëtimit.

“Na pëlqyen shumë njerëzit këtu. Janë jashtëzakonisht mikpritës. Që ditën e parë në kamping na bënë të ndihemi si në shtëpi. Edhe pse nuk kishte vend për kampim, brenda pak minutash na ofruan edhe birrë”, ka rrëfyer turistja gjermane.

Në Rugovë, vizitorët nuk provuan vetëm shtigjet malore. Turisti belg, 65-vjeçar, përfundoi edhe tri Via Ferrata, duke e cilësuar zonën si të sigurt dhe të përshtatshme për adhuruesit e aventurës, pavarësisht moshës.

“Jam 65 vjeç dhe ende po e shijoj këtë aventurë. Bëmë tri Via Ferrata dhe shpresoj ta vazhdoj këtë edhe për 20 vjet të tjera”, ka thënë ai.

Sipas turistëve, potenciali i Kosovës për zhvillimin e turizmit në natyrë ende nuk është shfrytëzuar plotësisht. Ata vlerësojnë se zhvillimi duhet të fokusohet më shumë në kampingje dhe përvoja në natyrë, sesa në ndërtimin e hoteleve.

“Ka shumë njerëz që udhëtojnë me furgonë kampingu, por këtu ka pak vende për ta. Nuk ka nevojë për shumë hotele. Mjafton të krijohen hapësira për kampim dhe parkim, që njerëzit ta shijojnë natyrën”, ka thënë turisti belg.

Përveç natyrës dhe aventurës, vizitorët provuan edhe ushqimet tradicionale shqiptare. Ndër gatimet që u lanë përshtypje ishte byreku me spinaq dhe djathë.

“Hëngrëm një lloj byreku me spinaq dhe djathë. Nuk ia dinim emrin, por ishte shumë i shijshëm”, ka thënë turistja nga Gjermania.

Në fund të vizitës, mesazhi i tyre për Kosovën ishte i qartë.

“Nga të gjitha vendet që kemi vizituar, Kosova dhe shqiptarët janë ndër njerëzit më mikpritës që kemi takuar. Kjo është e rrallë sot dhe është arsyeja pse do ta rekomandojmë këtë vend edhe për të tjerët”, ka thënë turisti belg.

Përvojat e këtyre vizitorëve tregojnë se natyra, mikpritja dhe autenticiteti mbeten ndër asetet më të forta të Kosovës në fushën e turizmit. Sfida, megjithatë, mbetet zhvillimi i infrastrukturës për turizmin në natyrë, pa humbur pikërisht ato vlera që i bënë turistët ta krahasojnë Luginën e Rugovës me Alpet./RTK

- YouTube youtu.be

  •  

Prishtina premton mbrojtje nga stuhitë, fermerët dyshojnë në mbrojtjen nga breshëri



Stuhitë e fuqishme të kësaj vere shkaktuan dëme në shumë zona të Kosovës. Autoritetet në Prishtinë thonë se kryeqyteti ka kapacitete të mjaftueshme për menaxhimin e emergjencave, ndërsa fermerët kërkojnë zgjidhje më efektive për mbrojtjen e kulturave bujqësore nga breshëri.

Vera nuk solli vetëm temperatura përvëluese.

Në shumë zona të Kosovës, moti ndryshoi brenda pak minutash, duke u shndërruar në stuhi të forta me reshje intensive, erëra të fuqishme e breshër, që lanë pas dëme të konsiderueshme.

Për Prishtinën, fatkeqësi të tilla natyrore vlerësohet se janë të përballueshme.

Sipas Drejtorit për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica, kapacitetet ekzistuese bëjnë të mundur stabilizimin e kryeqytetit në situata të tilla.

“Kryeqyteti e ka Brigadën Profesionale të Zjarrfikësve me afro 110 zjarrfikës, policinë e kryeqytetit që asiston çdo herë, e kemi shoqatën Vullnetare të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca, kompania për intervenim në emergjenca me të gjithë makinerinë e rëndë, kamionë, bolduzherë, eskavatorë. E kemi ndërmarrjen publike të gjelbër, pastrimin”, ka thënë Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca, Prishtinë.

Fushtica thekson se në vazhdimësi merren masa që dëmet nga dukuritë e tilla të minimizohen.

“Largimi i drunjve me rrezikshmëri, pastrimi i pusetave, kontrolli i fasadve, pastrimi i rrugëve, pastrimi i shtretërve të lumenjve”, ka thënë Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca, Prishtinë.

Megjithatë, moti i paqëndrueshëm vazhdon të jetë kërcënim për sektorin e bujqësisë.

Për këtë arsye, Ministria e Bujqësisë ka paralajmëruar zgjerimin e mbështetjes për vendosjen e rrjetave mbrojtëse kundër breshrit.

Por, fermerët thonë se kjo është vështirë e realizueshme.

“Është e pamundur me i siguru rrjetat, ose mbrojtjet e të gjitha kulturave kundër breshërit, sepse ato janë të dedikuara vetëm për pemëtari e jo për perime…Ajo është kosto, nuk e di qysh e ka llogarit ministri Muja”, ka thënë Gani Dobratiqi, fermer.

Ndërkohë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës u ka sugjeruar qytetarëve të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive, të mos strehohen nën pemë, pranë shtyllave elektrike ose objekteve metalike./Tv Dukagjini

  •  

​Dy punëtorë të lënduar rëndë në kantier ndërtimi në Slloveni, janë nga Mamusha



Në kantierin e ndërtimit të një spitali privat pranë Bezhigradit në Slloveni, janë lënduar rëndë dy punonjës.

Gjatë lëvizjes së materialeve me vinç, mbi ta kanë rënë rrjeta të rënda armature. Pas aksidentit, të dy janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Lubjanës (UKC Ljubljana), ndërsa jeta e tyre është në rrezik, raporton Televizioni i Sllovenisë.

Policia tani po heton rrethanat.

Raortohet se dy të lënduarit janë nga Kosova, pikërisht nga komuna e Mamushës.

  •  

Shtet me ushtrues detyre, cilat janë pasojat e mosformimit të institucioneve?



Mos krijimi i institucioneve të Kosovës me kohë, po shkakton pasoja të shumta, ndër to edhe lënien e institucioneve të pavarura me numër të ulët të anëtarëve. Gjykata Kushtetuese rrezikon të humb kuorumin nëse njëri prej gjyqtarëve largohet, ndërkohë që vitin e ardhshëm iu skadon mandati 5 prej tyre.

Që nga mbajtja e zgjedhjeve të rregullta parlamentare të datës 9 shkurt më 2025 partitë politike nuk po arrijnë të formojnë institucione të qëndrueshme.

Deputetët e legjislaturës së kaluar mbajtën 60 seanca për ta konstituuar Kuvendin, por nuk arritën të kryejnë punët për të cilat u zgjodhën në atë pozitë.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se pasojat janë të mëdha dhe se nëse vazhdohet me ngërçin politik të krijuar, Kosova rrezikon të mbetet edhe pa Gjykatën Kushtetuese.

“Kemi edhe shumë institucione të pavaruara të cilat presin qe të zgjidhen nga Kuvendi i republikës që këto institucione mundet shumë lehtë që të jenë jo funksionale nëse veç anëtarëve momental ju skadon afati apo japin dorëheqje apo ndonjë arsye tjetër dhe nuk kemi Kuvend funksional që mund ti emërojë këta anëtarë të rinj”, ka thënë Melos Kolshi- IKD.

Ndërkohë që analisti politik Afrim Kasolli thotë se mosfunksionimi i institucioneve me përgjegjësi të plota ndikon edhe në aspektin e raporteve ndërkombëtare, si dhe më shumë në aspektin ekonomik.

“Një gjendje që duhet të jetë vetëm kalimtare po shndërrohet në gjendje të vazhdueshme, e dyta janë edhe në planin ndërkombëtar Kosova është pa adresë legjitime sa i përket përfaqësimit ndërkombëtar po i shohim se për shkak të dështimit të institucioneve të Kosovës për t’iu përgjigjur kërkesave dhe kritereve nga bashkimi evropian thuajse deri më tani i kemi humbur 40 milionë euro”, ka thënë Afrim Kasolli – analist politik.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare u mbajtën më 7 qershor të këtij viti, meqë partitë politike nuk arritën të merren vesh mes vete për zgjidhjen e çështjes së presidentit.

Në fillim të muajit gusht është fundi i afatit kushtetues, për konstituimin e Kuvendit, e që më pas i hapet rruga votimit të qeverisë e zgjedhjet së presidentit të ri./Tv Dukagjini/

- YouTube youtu.be

  •  

Sërish valë e të nxehtit javën që po vjen, të premten parashikohet deri 38 gradë



Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar çfarë moti do të mbajë në pesë ditët në vazhdim.

Në njoftim thuhet se gjatë javës temperatura minimale e ditës do të jetë 12 gradë Celsius, ndërsa më e larta do të jetë të premten 38 gradë.

E hënë 27 korrik

Temperaturat minimale: 13–15°C

Temperaturat maksimale: 26–30°C

Era do të fryjë nga drejtimet veriperëndimore dhe veriore, me shpejtësi mesatare 1–8 m/s, ndërsa gjatë zhvillimit të vranësirave konvektive mund të ketë fuqizime të përkohshme.

E martë, 28 korrik 2026

Moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara, me intervale të gjata me diell. Reshje të izoluara mund të jenë të mundshme kryesisht në zonat malore.

Temperaturat minimale: 13–16°C

Temperaturat maksimale: 27–32°C

Era kryesisht e lehtë deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor, 1–7 m/s.

E mërkurë, 29 korrik 2026

Moti do të jetë kryesisht me diell dhe stabil. Temperaturat do të shënojnë rritje graduale.

Temperaturat minimale: 12–15°C

Temperaturat maksimale: 27–33°C

Era e lehtë deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor dhe perëndimor, 1–6 m/s.

E enjte, 30 korrik 2026

Moti do të jetë kryesisht me diell dhe i nxehtë. Temperaturat do të vazhdojnë të rriten.

Temperaturat minimale: 12–15°C

Temperaturat maksimale: 29–36°C

Era kryesisht e dobët, me shpejtësi 1–5 m/s. Në disa zona gjatë pasdites mund të ketë erëra lokale.

E premte, 31 korrik 2026

Moti do të jetë me diell dhe i nxehtë, me temperatura të larta në shumicën e territorit.

Temperaturat minimale: 13–16°C

Temperaturat maksimale: 30–38°C

Era e dobët deri mesatare nga drejtimi perëndimor dhe veriperëndimor, 1–6 m/s.


  •  

Haxhiu i ofroi ndihmë Francës, i reagon deputetja e LDK-së: Deklaratë fyese, ne ende varemi nga KFOR-i për zjarre



Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar ndaj deklaratës së ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, se Kosova është e gatshme t’i ofrojë ndihmë Francës në përballjen me zjarret.

Ymeri ka kritikuar institucionet e Kosovës, duke thënë se vendi ende varet nga kapacitetet e KFOR-it për përballimin e zjarreve, ndërsa ka theksuar edhe kushtet e, siç i ka cilësuar ajo, jo të mira për zjarrfikësit.

“E ranë për besë. Nashta duhet me ja rikujtu Presidencës e Qeverisë që ne vet ende varemi nga kapacitetet e KFOR-it për zjarre. Jo vetëm kjo, por edhe që kushtet e zjarrfikësve janë aspak të mira”, ka shkruar Ymeri.

Ajo e ka cilësuar deklaratën si fyese për qytetarët që, sipas saj, janë përballur me zjarre ndër vite pa pasur kapacitete të mjaftueshme, përfshirë mungesën e helikopterëve.

“Fyese kjo deklaratë për neve që i kem pa zjarret që sa vjet, për të cilat as helikopter nuk ka pas, e që investimet në Mjedis nga VV janë më të ulëtat që 10 vjet”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.

Ymeri ka kritikuar gjithashtu qasjen e institucioneve ndaj mbrojtjes së mjedisit, duke ironizuar deklaratën për ofrimin e ndihmës ndaj Francës.

“E ranë për inteligjencën tonë edhe deklarata e UD Presidentes nga kritika e mësimdhënies për BE-në në ofrim të ndihmës për Francën, kur vet si Qeveri janë në stadin që mbrojtjen e mjedisit e manifestojnë me marrjen e tërfurkave e tepsiave në Prevallë. Ndihma për Francë nga tërfurkat e tepsiat”, ka shkruar Ymeri./Telegrafi/

  •  

Edhe të hënën nuk do të ketë kufizime për kamionët mbi 20 tonë



Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se të hënën, më 27 korrik 2026, nuk do të ketë kufizim të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.

Sipas ministrisë, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave, nuk pritet të plotësohen kushtet e përcaktuara në vendimin për zbatimin e kufizimeve të përkohshme të qarkullimit.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se do të vazhdojë të monitorojë çdo ditë parashikimet meteorologjike dhe do t’i njoftojë me kohë qytetarët dhe operatorët ekonomikë për çdo rast kur plotësohen kushtet për zbatimin e kufizimeve.

  •  

Trafik i rënduar drejt Shëngjinit, fluksi i pushuesve krijon radhë të gjata



Edhe këtë të diel, qarkullimi në aksin Lezhë-Shëngjin dhe në rrugët hyrëse të qytetit është shoqëruar me trafik të rënduar, si pasojë e fluksit të lartë të automjeteve që i drejtohen bregdetit dhe atyre që vijnë nga Kosova.

Radhët e gjata të mjeteve kanë vështirësuar lëvizjen e drejtuesve të automjeteve, ndërsa pikat më problematike mbeten hyrja në Lezhë dhe aksi drejt Shëngjinit, ku gjatë fundjavave krijohen shpesh bllokime.

Sipas ekspertëve të transportit, një nga zgjidhjet më efektive për lehtësimin e këtij fluksi është ndërtimi i autostradës Milot-Balldren, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian.

Ky segment pritet të devijojë trafikun tranzit jashtë qytetit të Lezhës, duke ulur ndjeshëm ngarkesën në rrugët ekzistuese dhe duke përmirësuar qarkullimin, veçanërisht gjatë sezonit turistik./Vizion+

  •  

Shqipëria me 68 mijë të papunë, por tregu nuk gjen punëtorë - flasin ekspertët



Edhe pse numri i të papunëve ka shënuar një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë, mbi 68 mijë persona vijojnë të jenë në kërkim të një vendi pune. Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive tregojnë se sfida kryesore nuk është mungesa e vendeve të punës, por mospërputhja mes aftësive të punëkërkuesve dhe kërkesave të tregut.

“Kjo shpjegohet për faktin që një pjesë e mirë e të diplomuarve nuk plotësojnë kriteret për të qenë pjesë e kërkesave të sektorit privat, në fakt, por edhe sektorit publik. Nga ana tjetër, niveli i pagave nuk përkon me atë çka të diplomuarit kanë si pritshmëri të tyre dhe pikërisht kjo, ndoshta, mungesa e dëshirës për ato sektorë që kanë kërkesë pune, bën që një pjesë e mirë e të papunëve të mbeten përsëri të papunë, pavarësisht se ka kërkesa në tregun e punës”, tha ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi.

Ndërkohë, për eksperten, sektorët që po kontribuojnë më së shumti në përthithjen e kapitalit njerëzor janë pikërisht ata që po kontribuojnë në rritjen ekonomike.

“Në Shqipëri janë pikërisht sektori i ndërtimit, sektori i turizmit dhe sektorët që kanë lidhje me tregtinë, të cilët kanë edhe kërkesë të shtuar për punonjës”, tha ajo.

Ekspertja rendit një sërë grupimesh mes punëkërkuesve.

“Të diplomuar, të sapodiplomuar, të cilët kanë aftësi teorike, jo praktike, nuk kanë eksperiencë pune dhe ndaj nuk përkojnë, pikërisht, nuk janë konkurrues në tregun e punës. Individë të cilët nuk kanë aftësi teknologjike, është shumë e rëndësishme, sepse mund të kenë eksperiencë pune, por nuk kanë aftësi teknologjike”, renditi ajo.

Ndërkohë, Radonshiqi vëren një rikthim të pensionistëve në tregun e punës.

“Dikur ka qenë mosha, por sot po shohim rikthimin e pensionistëve si profesionistë të lirë, si nga nevoja që ata kanë për të qenë pjesë e tregut të punës për shkak të nivelit të ulët të pensioneve, por edhe nga nevoja që ka vetë tregu i punës për individë të kualifikuar”, tha ajo.

Përveç kësaj, plakja e fuqisë punëtore është një sfidë madhore, ku 47% e punëkërkuesve janë mbi 45 vjeç, me një përqendrim të lartë prej 24,261 individësh mbi 50 vjeç, të cilët kanë nevojë për rikualifikim për t’u përshtatur me kërkesat e reja teknologjike./RTSH

  •  

Drejtori i KRU “Mitrovica”: Nga 1 tetori nis faturimi në veri



Drejtori i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, Bashkim Kurti, ka bërë të ditur se procesi i shtrirjes së shërbimeve në katër komunat veriore po zhvillohet sipas planit, ndërsa ka njoftuar për interesim të madh të profesionistëve për t`u bërë pjesë e kompanisë.

Në një intervistë për RTK-në, Kurti tha se për 115 pozitat e hapura janë regjistruar mbi 900 aplikime.

“Fatmirësisht, thirrjes sonë, shpalljes së konkurseve dhe videomesazheve të kompanisë, por edhe të kryeministrit që ftoi profesionistët të aplikojnë, iu përgjigj një numër i madh i profesionistëve të fushës. Për 115 pozitat që kemi rekrutuar kemi pasur mbi 900 aplikime”, tha Kurti.

Ai vlerësoi punën e stafit të kompanisë dhe mbështetjen e institucioneve vendore e ndërkombëtare në realizimin e këtij procesi.

“Ka qenë një punë e jashtëzakonshme e stafit tonë dhe e një ekipi të shkëlqyeshëm në kompani. Mbështetje kemi pasur edhe nga Ministria e Ekonomisë, GIZ-i gjerman dhe Zyra e Bashkimit Evropian, dhe po e mbyllim këtë proces në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh ai.

Kurti theksoi se KRU “Mitrovica” ka përmirësuar ndjeshëm kushtet e punës për punonjësit, duke rritur pagat dhe përfitimet.

“Kushtet e punës në kompani janë mbi mesataren e Kosovës. Kemi rritur të hyrat e stafit për rreth 53 për qind, kemi rritur shujtën dhe kemi siguruar sigurim shëndetësor. Stafi është shumë i kënaqur. Me 115 punonjësit e rinj tashmë jemi një ekip prej rreth 380 punonjësish”, deklaroi ai.

Drejtori bëri të ditur se ka nisur edhe vendosja e ujëmatësve në Mitrovicën e Veriut dhe Zveçan, ndërsa institucionet në këto komuna tashmë kanë pranuar faturat e para.

“Faturat e para për institucionet në këto dy komuna i kemi dërguar në muajin maj dhe presim pagesat e para zyrtare. Më pas do të vazhdojmë me bizneset në të katër komunat veriore dhe faza e tretë do të jetë për amvisëritë”, tha Kurti.

Sipas tij, procesi i furnizimit me ujëmatës për pjesën veriore tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare.

“Me ndihmën e Ministrisë së Ekonomisë kemi përmbyllur procesin e tenderimit për blerjen e ujëmatësve. Nëse gjithçka shkon sipas planit, nga 1 gushti do të fillojë vendosja e tyre edhe nëpër amvisëri. Ndërsa nga 1 tetori do të fillojë arkëtimi i pagesave edhe nga bizneset, edhe nga amvisëritë”, bëri të ditur ai.

  •  

Dallgë të mëdha dhe erë e fortë në Vlorë, ngrihet flamuri i kuq në plazhe



Era e fortë dhe dallgët e mëdha kanë përfshirë mesditën e kësaj të diele plazhet e Vlorës, duke detyruar qindra pushues që kishin zgjedhur bregdetin e qytetit të largohen nga uji për të shmangur rrezikun.

Për shkak të përkeqësimit të kushteve në det, rojet e stacioneve të plazheve kanë ngritur flamurin e kuq, duke ndaluar hyrjen e pushuesve në ujë.

Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe turistëve të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e rojeve bregdetare, pasi dallgët e fuqishme dhe rrymat detare paraqesin rrezik serioz për jetën.

Autoritetet apelojnë që të shmangen noti dhe aktivitetet në det deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.

Pas fillimit të largimit të pushuesve, janë krijuar radhë kilometrike automjetesh nga Zvërneci në drejtim të qytetit të Vlorës./Euroneews Albania

  •  

Haxhiu: Kosova e gatshme ta mbështesë Francën në shuarjen e zjarreve



Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur solidaritetin e Kosovës me Francën, e cila po përballet me zjarre, duke thënë se vendi është i gatshëm të ofrojë ndihmë brenda kapaciteteve të saj shtetërore.

Haxhiu ka deklaruar se Kosova mund të mbështesë Francën në përpjekjet për shuarjen e zjarreve, si dhe në operacionet e kërkim-shpëtimit.

“Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin francez dhe me të gjithë ata që po punojnë për të mbrojtur jetët e njerëzve dhe komunitetet e prekura nga zjarret”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka theksuar se Kosova është e gatshme të ofrojë mbështetjen e saj në përputhje me kapacitetet shtetërore./Telegrafi/

  •  

Zbardhet plagosja e 22-vjeçarit në Kurbin, shkak u bë një vajzë



Detaje të reja kanë dalë në lidhje me plagosjen e 22-vjeçarit, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e kaluar, 25 korrik, në Gjorm të Kurbinit.

Sipas burimeve, policia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes. Dyshohet se konflikti ka ndodhur për motive të dobëta, të lidhura me një vajzë.

Burimet bëjnë me dije se autori i dyshuar dhe 22-vjeçari Veron Pasha fillimisht janë përfshirë në një konflikt fizik, ndërsa më pas është përdorur edhe arma e zjarrit. Si pasojë, i riu ka mbetur i plagosur me një plumb në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për kapjen e autorit të dyshuar dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./Tv Klan

  •  

Mbingarkesa e klinikave në QKUK, kërkohet referim më i drejtë



Përveç personave të lënduar në aksidente, Qendra Emergjente në QKUK vazhdon të përballet me fluks të madh pacientësh, ndërsa drejtuesit e saj apelojnë që qytetarët fillimisht t`u drejtohen qendrave të mjekësisë familjare dhe spitaleve rajonale. Sipas tyre, vetëm rastet urgjente duhet të referohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve dhe për të ulur mbingarkesën.

Klinika Emergjente është një nga klinikat në QKUK, ku çdo ditë qindra pacientë marrin shërbime urgjente.

Megjithatë, sipas drejtorit të kësaj klinike, Naser Syla, shumë prej këtyre rasteve do të duhej të trajtoheshin nëpër qendrat e mjekësisë familjare dhe në spitalet rajonale.

Ndaj, ai rekomandon që vetëm rastet që janë të domosdoshme të referohen në këtë klinikë, për të ulur mbingarkesën dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve.

“Të ndiqet rruga dhe mënyra e trajtimit të pacientëve. Gjithsesi, më së pari të shkojnë në mjekësinë familjare, pastaj në spitalet rajonale, e vetëm rastet që duhet të trajtohen dhe janë të domosdoshme të sillen këtu. Apeli është që të mos ngarkohet Emergjenca dhe QKUK-ja..”, thekson Naser Syla, drejtor i Klinikës Emergjente në QKUK.

Fluksi i pacientëve nuk mungon as nëpër qendrat e mjekësisë familjare. Megjithatë, theksohet se në shumicën e rasteve, porta e parë për qytetarët duhet të jetë mjekësia familjare.

“Të them të drejtën, të gjithë jemi të mbingarkuar, pavarësisht se kemi staf profesional dhe ia dalim ta menaxhojmë këtë situatë. Shumica kërkojnë ndihmë në qendrat e mjekësisë dhe qendrat e tjera. Ne ofrojmë gjitha shërbime. Megjithatë, ne e theksojmë që porta e parë është mjekësia familjare dhe ne i kemi të gjitha për të ofruar ndihmë. Në raste të rralla i referojmë që të shkojnë atje, por u themi që të mos shkojnë direkt atje”, tha Rushit Ismajli, specialist i mjekësisë familjare.

Megjithëse thanë se pavarësisht numrit të lartë të rasteve të trajtuara, mjekët kanë ofruar kujdes të pandërprerë për të gjithë pacientët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore./RTK

  •  

Bllokada politike paralizon institucionet, 24 agjenci funksionojnë me mandate të skaduara ose jo të plota



Bllokada politike dhe mungesa e institucioneve të reja kanë bërë që dhjetëra institucione shtetërore të udhëhiqen nga ushtrues detyre. Njohësit e çështjeve kushtetuese paralajmërojnë se kjo gjendje po rrezikon funksionimin normal të shtetit dhe të institucioneve të pavarura.

Kosova tash e një kohë të gjatë po funksionon me ushtrues detyre në shumë institucione. Pozita kryesore e shtetit, ajo e presidentit, është me ushtrues detyre, ku këtë pozitë e ka Albulena Haxhiu, e cila po ashtu ka edhe pozitën e kryetares së Kuvendit në detyrë, pas shpërndarjes së Kuvendit.

Kryeministri Albin Kurti vazhdon ta ushtrojë detyrën në cilësinë e kryeministrit në detyrë, deri në formimin e institucioneve të reja që dalin nga zgjedhjet e 7 qershorit. Me ushtrues detyre funksionojnë edhe një sërë institucionesh në kuadër të Ministrisë së Financave, përfshirë Thesarin, Njësinë për Inteligjencë Financiare dhe Agjencinë Qendrore të Prokurimit. Edhe në Ministrinë e Drejtësisë, disa institucione udhëhiqen nga ushtrues detyre, si Avokatura Shtetërore, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Situatë e ngjashme është edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe Agjencia e Regjistrimit Civil funksionojnë me ushtrues detyre.

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerësojnë se, përveç pozitave të mbajtura me ushtrues detyre, shqetësues mbetet fakti se një numër institucionesh funksionojnë me përbërje jo të plotë, ndërsa të tjera rrezikojnë të bllokohen nëse nuk konstituohen institucionet e reja.

“E shohim që shumë institucione, shumë pozita janë duke u mbajtur me ushtrues detyre dhe kjo është jashtëzakonisht problematike, mbajtja e pozitave me ushtrues detyre duhet të jetë vetëm si rast përjashtimor që mos të krijohet ndonjë vakuum. Bazuar në gjetjet e Institutit të Kosovës për Drejtësi janë gjithsej 24 institucione apo agjenci të pavarura të cilat funksionojnë në përbërje jo të plotë apo në përbërje që pritet tu skadoj mandate”, tha Gzim Shala nga IKD.

Edhe Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se kjo gjendje është pasojë e drejtpërdrejtë e bllokadës politike dhe mungesës së një Kuvendi funksional.

“Aktualisht rrezikon nëse vazhdon kjo bllokada e konstituimit të Kuvendit dhe e zgjedhjes së qeverisë që ne të përfundojmë pa zgjedhjen e dy gjyqtarëve në gjykatë Kushtetuese, vitin e ardhshëm i skadon mandati edhe pesë të tjerëve që pastaj në mungesë të parlamentit do të bllokohet në tërësi edhe puna e gjykatës kushtetuese, po ashtu kemi të bëjmë edhe me skadimin e Avokatit të Populli”, Vullnet Bugaqku nga KDI.

Sipas raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, 24 institucione dhe agjenci të pavarura aktualisht funksionojnë me përbërje jo të plotë ose me mandate që kanë skaduar apo pritet të skadojnë së shpejti.

Në mesin e tyre janë Gjykata Kushtetuese, Organi Shqyrtues i Prokurimit, Institucioni i Avokatit të Popullit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Zyra e Rregullatorit për Energji, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, bordi i KOSTT-it, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit dhe Zyra Kombëtare e Auditimit./RTK

  •  

“65 mijë minoritarë në Shqipëri”/ PS kërkon që Dropulli, Finiqi dhe Pusteci të mos preken nga Reforma Territoriale



Në Shqipëri jetojnë mbi 65 mijë qytetarë që janë vetëdeklaruar pjesë e pakicave kombëtare, ndërsa komuniteti më i madh mbetet ai grek me 23.485 banorë.

Këto të dhëna janë pjesë e raportit për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0, të hartuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar dhe të paraqitur në Kuvend nga deputetët socialistë.

Sipas raportit, nga 2.402.113 banorë të regjistruar në vend, 2.186.917 janë deklaruar me përkatësi etnike shqiptare. Pas pakicës greke, komunitetet më të mëdha janë ai egjiptian me 12.375 banorë, rom me 9.813, bullgar me 7.057, boshnjak me 2.963, arumun me 2.459, maqedonas me 2.281, serb me 584 dhe malazez me 511 banorë.

Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë, 134.451 persona, nuk kanë të dhëna të disponueshme për përkatësinë etnike, ndërsa 13.507 kanë zgjedhur të mos përgjigjen. Raporti thekson se reforma e re administrativo-territoriale nuk duhet të bazohet vetëm në tregues ekonomikë, financiarë apo demografikë, por duhet të garantojë edhe mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe ruajtjen e identitetit të tyre.

Në dokument nënvizohet se kufijtë administrativë ndikojnë drejtpërdrejt në përfaqësimin vendor, përdorimin e gjuhës, aksesin në shërbime dhe ushtrimin e të drejtave të komuniteteve minoritare. Për këtë arsye, çdo ndryshim në hartën territoriale duhet të shoqërohet me konsultim të komuniteteve dhe me një analizë të ndikimit që mund të ketë mbi jetën e tyre. Socialistët veçojnë tre bashki ku pakicat kombëtare janë të përqendruara dhe që, sipas raportit, kërkojnë trajtim të veçantë: Dropullin në qarkun e Gjirokastrës, Finiqin në qarkun e Vlorës dhe Pustecin në qarkun e Korçës.

Raporti paralajmëron se, edhe nëse në të ardhmen do të propozohet reduktimi i numrit të bashkive për shkak të popullsisë së ulët apo performancës financiare, këto njësi vendore nuk duhet të analizohen vetëm përmes treguesve ekonomikë. Ligji shqiptar parashikon gjithashtu që, në njësitë vendore ku pakicat kombëtare përbëjnë mbi 20% të popullsisë, ato mund të kërkojnë përdorimin e gjuhës së tyre në marrëdhëniet me institucionet vendore dhe vendosjen e emërtimeve dygjuhëshe për rrugët, njësitë administrative dhe treguesit topografikë.

Dokumenti përmend edhe bashki me profil të fortë identitar, si Hasi dhe Konispoli, duke kërkuar që çdo vendimmarrje për hartën e re territoriale të mos dëmtojë kohezionin social, traditat historike dhe të drejtat e pakicave kombëtare./Top Channel

  •  

Të shtëna me armë zjarri në Gjorm të Kurbinit, plagoset një 22-vjeçar



Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e së shtunës në fshatin Gjorm, në Bashkinë Kurbin, ku janë regjistruar të shtëna me armë zjarri.

Sipas informacioneve paraprake, V. P., 22 vjeç ka mbetur i plagosur nga të shtënat.

I riu është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, ku po merr ndihmë mjekësore.

Forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.

Kurbin/Informacion paraprak

Më datë 25.07.2026, rreth orës 19:00, është dërguar në spital shtetasi V. P., 22 vjeç, banues në fshatin Sanxhak, Kurbin, i dëmtuar në këmbë, dyshohet me armë zjarri, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

  •  

Barnatoret “roje të natës”, nis planifikimi i orarit të kujdestarisë në nivel vendi



Kanë kaluar gati dy vjet prej kur është larguar nga implementimi orari i kujdestarive gjatë natës për barnatoret në Prishtinë. Mirëpo, kjo synohet të rikthehet sërish në funksion. Ndërkohë, Oda e Farmacistëve të Kosovës tashmë është pjesë e një grupi punues me Ministrinë e Shëndetësisë, përmes së cilit po synohet që të bëhet orari i kujdestarisë së barnatoreve në gjithë vendin.

Orarin gjatë së cilit i ofrojnë shërbime pacientëve e kanë të vendosur në derë.

Ndërkohë pas kësaj ore, kjo farmaci në kryeqytet mbyllet, por ka të tjera që punojnë 24 orë, ndonëse nuk e kanë të përcaktuar me ndonjë rregullore.

Kësisoj, ka më shumë se dy vite që orari i kujdestarisë së barnatoreve në Prishtinë është larguar.

Por, drejtori i shëndetësisë, Bujar Gashi bën të ditur shërbimet do të rikthehen në 24 orë.

“Po në planifikimet tona, në të ardhmen është e planifikuar që të mbahen takime të grupeve punuese me grupet e interesit edhe qytetarët po edhe farmacistët e kryeqytet që formula e cila do të bëhet të jetë e përshtatshme me në rend të parë për qytetarët e pastaj edhe për barnatoret”, ka thënë Bujar Gashi, drejtor i Shëndetësisë në Prishtinë.

Por, a kanë pranuar kërkesa nga farmacistët deri më tani?

“Jo deri më tani nuk kemi marr ndonjë kërkese sepse është edhe fillimi i mandatit tim por në të ardhmen do të mundohemi të gjejmë një formulë të arsyeshme, e cila do të jetë e arsyeshme”, ka thënë Bujar Gashi, Drejtor i Shëndetësisë në Prishtinë.

Veç komunës së Prishtinës, një orar kujdestarie po planifikohet në nivel nacional.

Nënkryetarja e Odës së Farmacistëve, Jehona Hakaj dha detaje.

“Është duke u bërë plotësim-ndryshimi i ligjit 11/2015 për qarkulluesit me pakicë pra barnatoret. Ministri ka formu një komision ku unë jam e deleguar nga Oda e Farmacistëve dhe kemi përpilu një orar që është për të mirën e qytetarëve, por edhe farmacistëve”, ka thënë Jehona Hakaj, Nënkryetare e Odës së Farmacistëve.

Numri dy i përfaqësuesëve të farmacistëve tha se janë në fazën e shqyrtimit të ankesave dhe kërkesave.

“Po besoj që deri tek mesi i gushtit do të jetë edhe finalizimi i këtij plotësim-ndryshimi i këtij ligji, do të shohim se cilat kanë qenë kërkesat e palëve të pakënaqura në këtë rast”, ka thënë Jehona Hakaj, Nënkryetare e Odës së Farmacistëve.

Pas plotësim-ndryshimit të ligjit do të nevojitet një muaj kohë për implementimin fillestar të orarit të kujdestarive dhe se sipas Odës, 97% e farmacistëve janë pro rregullimit të orarit./Tv Dukagjini

- YouTube youtu.be

  •  

Rama paralajmëroi rishikimin e bashkëpunimit me BIRN-in, Kallxo.com sqaron rastin “Lule Gjeli”



Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se Kryeqyteti do të rishqyrtojë çdo formë të bashkëpunimit dhe mbështetjes institucionale me BIRN Kosovën, pas publikimit të një opinioni me pseudonimin “Lule Gjeli” në Kallxo.com.

Rama ka kërkuar nga BIRN Kosova, Kallxo.com, Internews Kosova dhe drejtoresha Jeta Xharra sqarime për autorin e opinionit, kohën dhe natyrën e bashkëpunimit, si dhe nëse autori është paguar për publikimet.

Ai ka kërkuar që sqarimet të bëhen publike deri të hënën, duke paralajmëruar ndërprerjen e bashkëpunimit institucional nëse përgjigjet nuk i përmbushin, sipas tij, standardet e transparencës.

Ndërkohë, Kallxo.com ka sqaruar se opinioni me pseudonimin “Lule Gjeli” është publikuar më 27 gusht 2020, me kërkesë të autorit, identiteti i të cilit, sipas mediumit, nuk është i panjohur për redaksinë.

Kallxo.com ka deklaruar se, përveç publikimit të këtij opinioni, nuk ka pasur bashkëpunim tjetër me autorin apo me profilin “Lule Gjeli”, ndërsa ka mohuar se autori është paguar për publikimin.

Mediumi ka shtuar se ka verifikuar si të rreme dhjetëra postime të faqes “Lule Gjeli” dhe se edhe vetë Kallxo.com është sulmuar nga ky profil.

  •  

Zbulohet një shpellë me thellësi 70 metra në Parkun e Llogarasë



Një ekspeditë speleologjike në shpellën “Sterra e Kujunxhiut”, brenda Parkut Kombëtar të Llogarasë, ka zbuluar një zgavër me thellësi rreth 70 metra, pothuajse tërësisht vertikale.

Sipas eksploruesve, në fund të shpellës u gjet një grumbull i madh gurësh, i cili dyshohet se ka bllokuar vazhdimin e galerisë.

Po ashtu, u konstatua prania e një numri të madh eshtrash kafshësh të egra, mes tyre të derrit të egër, drerit, ujkut, dhelprës dhe specieve të tjera.

Zbulimi pritet të nxisë eksplorime dhe studime të mëtejshme për të përcaktuar nëse shpella ka vazhdim, si edhe për të dokumentuar vlerat e saj natyrore dhe speleologjike.


  •  
❌