TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Gjatë sezonit turistik veror, 36 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, nga veriu në jug, janë në funksion të plotë për të garantuar shërbim mjekësor 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për të gjithë pushuesit, vendas apo të huaj.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se qendra shëndetësore verore në Shëngjin ndodhet në një nga plazhet më të frekuentuara të sezonit, e dedikuar për të ofruar kujdes dhe ndihmë të menjëhershme në çdo rast urgjence shëndetësore.
Sipas Koçiut, “në të gjithë bregdetin shqiptar, nga veriu në jug, janë hapur 36 qendra shëndetësore verore që garantojnë shërbim mjekësor 24/7 për pushuesit vendas dhe të huaj, me ekipe të përkushtuara mjekësh dhe infermierësh”.
“Për çdo nevojë shëndetësore, jemi pranë jush”, shprehet Koçiu në një postim në rrjetet sociale.
Mjekja Erisa Biba, e angazhuar në këtë QSHV në Shëngjin thotë se ndihet e privilegjuar që punon në këtë qendër.
“Ne trajtojmë urgjencat verore, urgjencat që përfshijnë alergjinë, lezionet, etj. Kemi kryer matje tensioni, kemi trajtuar gjendje hipertermie, dhe jemi në gatishmëri të plotë edhe nga baza materiale për të trajtuar rastet e mbytjeve apo ato me kod të kuq”, thotë ajo.
Gjithashtu, disa pacientë shprehen të kënaqur që marrin shërbimet në këtë qendër shëndetësore, ndërsa shijojnë pushimet në bregdet.
Përveç qendrave shëndetësore, Urgjenca Kombëtare do të vendosë në dispozicion të pushuesve 20 vendqëndrime fikse me autoambulanca në zonat më të frekuentuara turistike. Gjithashtu do të përdoren edhe motoambulancat, të cilat ndihmojnë në përshpejtimin e ndërhyrjeve mjekësore duke shmangur trafikun e rënduar të sezonit.
Këto qendra shëndetësore do të qëndrojnë të hapura deri në 30 shtator 2025 për një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë pushuesit vendas dhe ata të huaj.
/e.i/j.p/
The post Koçiu: Qendra shëndetësore verore në Shëngjin, ndihmë në çdo rast urgjence appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.