Licencimi i vëllait nga ZRRE për furnizim me energji, reagon Luan Dalipi
Luan Dalipi, shef i stafit të Kryeministrit Albin Kurti, ka reaguar ashpër ndaj disa lajmeve të publikuara në media për përfshirjen e tij apo të familjarëve të tij në përfitime të padrejta nga licencimi për tregti me energji.
Në një deklaratë publike, Dalipi i cilësoi këto raportime si “trillime dhe insinuata dashakeqe” nga portale dhe politikanë opozitarë, të cilët – sipas tij – janë rritur në një kohë kur korrupsioni ishte normë.
Ai theksoi se po tentohet të krijohet një barazim i padrejtë midis qeverisjes së tanishme dhe qeverive të mëparshme të korruptuara.
“Ka nga ata që, me zell të veçantë dhe motivim politik, bëjnë çmos për të shpikur skandale – jo për interesin publik, por për ta njollosur Qeverinë Kurti, qeverisjen më të ndershme dhe transparente që ka pasur ndonjëherë jo vetëm Kosova, por mbarë rajoni i Ballkanit Perëndimor,” ka shkruar Dalipi.
Ai ka përmendur disa tituj të portaleve që e përmendin atë dhe vëllain e tij në kontekst të licencimit nga ZRRE për tregti me energji, duke i quajtur si shembuj të gazetarisë që udhëhiqet nga interesa të ngushta financiare dhe nostalgji për kontratat njëburimore të së kaluarës.
Për të sqaruar publikun, Dalipi ka renditur disa fakte:
Numri i licencave për tregti me energji nuk është i kufizuar.
Blerja dhe shitja e energjisë bëhet brenda sektorit privat, pa ndërhyrje politike.
Më shumë kompani të licencuara rrisin konkurrencën dhe ulin çmimet.
Bizneset zgjedhin vetë furnizuesin e energjisë.
Ai ka theksuar gjithashtu se, ndryshe nga qeveritë e kaluara, Qeveria Kurti ka ulur ndjeshëm shpenzimet për media. Sipas tij, gjatë qeverisjes së partive tjera si AAK, PDK dhe LDK, shpenzimet për kontrata njëburimore me media kanë qenë shumë më të larta sesa në kohën e Vetëvendosjes.
“Qeveria nuk blen heshtjen, dhe kjo duket i shqetëson disa,” shkroi Dalipi.
Në fund të reagimit, ai fton qytetarët të mos bien pre e manipulimeve mediatike dhe thekson se historia e tij profesionale është ndërtuar mbi integritet dhe punë të ndershme, përfshirë edhe përvojën në Departamentin Amerikan të Tregtisë.
“Mos lejoni që të manipulohet me emocione dhe tituj bombastikë,” përfundon ai.
The post Licencimi i vëllait nga ZRRE për furnizim me energji, reagon Luan Dalipi appeared first on Telegrafi.