Mungesa e reshjeve përgjatë verës dhe temperaturat e larta kanë shtuar ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike e si pasojë edhe importin e saj. Të dhënat e Korporatës Elektroenergjitike shqiptare tregojnë se për periudhën 25 deri në 31 gusht është blerë energji në vlerën e 8.3 milionë eurove.
Sasia e energjisë së nevojshme është siguruar nëpërmjet tre loteve dhe është blerë me një çmim mesatar që varion nga 115 euro deri në 125 euro për megavator. Moti i nxehtë ka bërë që konsumi i energjisë elektrike të pësoj rritje nxitur edhe nga përdorimi i kondicionerëve jo vetëm nga konsumatorët familjarë por edhe në biznese.Madje sipas të dhënave tashmë në Shqipëri konsumi më i lartë regjistrohet gjatë verës duke tejkaluar periudhën e dimrit dhe periudhën e festave të fundvitit.
Të dhënat e rrjetit tregojnë një rritje të vazhdueshme të konsumit të energjisë në vend nga viti në vit, në të gjithë elementët e tij, referuar të dhënave të Operatorit të Shpërndarjes të Energjisë, konsumi i energjisë elektrike, krahasuar me një vit më parë, me vitin 2024, u rrit me 2.2% ose me mbi 41,885 megavatorë. Krahasuar me vitin 2023 u rrit me 10.3% ose me 18,4151 megavatorë.
Për të ulur varësinë nga prodhimi i energjisë hidro, tashmë fokusi është vendosur në prodhimin energjisë elektrike nga dielli. Nga të dhënat zyrtare konfirmohet se gjatë vitit të fundit ka pasur një rritje të ndjeshme te prodhimit të energjisë nga parqet Fotovoltaike të cilat prodhuan një sasi prej prej 489 mijë mëh, ose rreth 16% të prodhimit total./abcnews.al
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) përmes një komunikate drejtuar mediave sqaron opinionin publik se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është një detyrim ligjor, i përcaktuar me ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2016.
Në sqarim thuhet se në atë kohë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në ligjet e sektorit të energjisë ka transpozuar direktivat Evropiane për energjinë, duke përcaktuar se duhet të bëhet liberalizimi i tregut të energjisë elektrike. Pra, procesi i derregullimit dhe liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në ligjet e sektorit të energjisë derivon nga obligimet kontraktuale që ka Republika e Kosovës si palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë.
“Duhet theksuar se nga viti 2017, ZRRE ka ndërmarrë të gjitha veprime ligjore dhe rregullative për krijimin e kushteve për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, dhe në funksion të saj në vitin 2017 ka filluar procesin e derregullimit dhe liberalizimit të tregut të energjisë, me daljen në treg të konsumatorëve industrial”, thuhet në njoftimin e tyre.
Tutje, thuhet se zbatimi i mëtutjeshëm i procesit të liberalizimit të tregut të energjisë për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme ka pasur vonesa, si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe krizës energjetike ndërkombëtare.
“Pas kësaj, ZRRE ka vendosur që nga data 1 Qershor 2025 të vazhdoj zbatimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, si detyrim ligjor dhe në të mirë të konsumatorëve fundor. Duhet theksuar se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është i rëndësishëm jo vetëm për përafrimin me Direktivat Evropiane, por edhe sepse krijon konkurrencë në një treg që deri më tani ka funksionuar si monopol”, theksohet më tej në komunikatë.
Po ashtu, bëhet e ditur se ZRRE ka të licencuar 23 kompani për aktivitetin e furnizimit me energji elektrike.
“Aktualisht, në tregun e hapur të energjisë elektrike janë 23 kompani të licencuara për furnizim me energji elektrik, prej të cilave 7 furnizues janë aktivë, të cilët kanë nënshkruar kontrata me konsumatorët”, vijon njoftimi.
Më tej, ZRRE ka sqaruar opinionin publik se 9,963 pika matëse të ndërmarrjeve ekonomike i plotësojnë kriteret ligjore për të dalur në tregun e hapur të energjisë elektrike, ku prej tyre:
· 9,212 pika matëse (92%) janë duke u furnizuar me kontrata komerciale;
· 751 pika matëse (8%) ende janë pa furnizues.
“Duhet theksuar se edhe këto pika matëse të cilët kanë mbetur pa furnizues, kanë qenë duke u furnizuar me energji elektrike që nga data 1 Qershor 2025, dhe se nga ajo periudhë kanë pasur mundësi të zgjedhin furnizuesin me energji elektrike dhe të nënshkruajnë kontratë”, sqaron ZRRE.
Në komunikatë thuhet se “Për të lehtësuar kalimin e konsumatorëve që i plotësojnë kriteret për të dal në treg të hapur, ZRRE sipas dispozitave ligjore të Ligjit për Energji Elektrike, ka përcaktuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) si Furnizues i Mundësisë Fundit (FMF), dhe këta konsumator që deri më 1 Qershor 2025 nuk kishin lidhur ende kontrata komerciale, janë furnizuar përmes FMF për një periudhë gjashtëdhjetë (60) ditore”.
Gjithashtu, duhet njoftuar se sipas dispozitave ligjore të Ligjit për Energjinë Elektrike, konsumatorët të cilët dështojnë të hyjnë në marrëveshje me një nga furnizuesit e licencuar, operatori i sistemit është i obliguar të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për ta.
“ZRRE do të vazhdojë mbikëqyrjen e procesit dhe inkurajon të gjithë konsumatorët që i plotësojnë kriteret për të dal në treg të hapur, e të cilët ende nuk kanë nënshkruar kontrata komerciale, sa më shpejt të lidhin kontratë me njërin nga furnizuesit e licencuar, për të garantuar furnizim të qëndrueshëm”, thekson ZRRE.
Në sqarim thuhet se ZRRE mbetet e përkushtuar të zbatojë këtë reformë në mënyrë transparente, të drejtë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet evropiane. /Telegrafi/
TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve kanë ndikuar negativisht në prodhimin e energjisë nga kaskada e lumit Drin, burimi kryesor i energjisë në vend.
Si pasojë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka ndërhyrë në tregun ndërkombëtar për të garantuar furnizimin me energji elektrike në vend.
KESH ka realizuar blerjen e 71 561 megavat-orë (MWh) energji elektrike për periudhën 18–24 gusht, për të përballuar kërkesën në rritje dhe reduktimin e prodhimit vendas për shkak thatësirës së zgjatur.
KESH arriti të blejë këtë sasi energjie në tre lote.
Në lotin e parë KESH bleu 45 696 MWh energji elektrike me çmim të ponderuar 138,31 euro/MWh.
Çmimi më i lartë i kontraktuar ishte 142,50 euro/MWh, ndërsa çmimi më i ulët i kontraktuar ishte 119,30 euro/MWH.
Në lotin e dytë, KESH bleu 20 825 MWh me çmim të ponderuar 136,24 euro/MWh. Çmimi më i lartë i kontraktuar ishte 139,40 euro/MWh, ndërsa çmimi më i ulët i kontraktuar ishte 132,88 euro/MWh.
Në lotin e tretë, KESH bleu 5 040 MWh me çmim të ponderuar 126,06 euro/MWh. Çmimi më i lartë i kontraktuar ishte 139,70 euro/MWh, ndërsa çmimi më i ulët i kontraktuar ishte 109 euro/MWh.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes parashikon të investojë në linjë të re tensioni 35 kV, si dhe në një nënstacion të ri në veri të vendit. Procedurat e prokurimit, me vlerë totale 7.7 milionë euro, u çelën këtë të premte.
Konkretisht, kontrata e parë parashikon: “Ndërtim i linjës së re 35 kV N.St. Vukpalaj – Tamarë dhe Nënstacion i ri 35/10 kV në Tamarë”, kurse e dyta: “Ndërtim i linjës 35 kV N.St. Koplik 220 kV – N.St. Vukpalaj me dy qarqe”.
Kontrata e parë, sipas relacionit teknik, ka si qëllim ndërtimin e një linje të re elektrike 35 kV në dalje të Nënstacionit Vukpalaj/Hani i Hotit deri në zonën e Tamarës, në Malësinë e Madhe, si dhe ndërtimin e një Nënstacioni të ri elektrik 35/10 kV në Tamarë me fuqi 7.5 MVA.
“Linja do të jetë e re me një qark 35 kV, me shtylla me konstruksione metalike të reja, model 110 kV (izolacion 110 kV në perspektivë), me një gjatësi totale rreth 19–20 km, sipas projekt-idesë së mëposhtme, e mbrojtur me përcjellës trosi OPGW gjatë gjithë gjatësisë së saj, dhe Nënstacioni i ri 35/10 kV, 1 x 7.5 MVA në Tamarë që do të jetë i kompletuar me pajisje klasike të reja”, thuhet në dokument.
Të dhënat kryesore të projektit:
a) Linjë e re 35 kV nga degëzimi i linjës Nënstacioni Vukpalaj – Hani i Hotit deri në Nënstacionin e ri Tamarë, me një qark, me gjatësi rreth 20 km.
b) Nënstacion i ri 35/10 kV, 1 x 7.5 MVA në Tamarë.
Kontrata e dytë ka si qëllim ndërtimin e një linje të re elektrike 35 kV me dy qarqe nga Nënstacioni 220 kV Koplik në Vukpalaj dhe degëzimi drejt Hanit të Hotit.
“Linja do të jetë e re me dy qarqe 35 kV, me shtylla me konstruksione metalike të reja, model 110 kV (izolacion 110 kV në perspektivë), me një gjatësi totale rreth 15 km, sipas projekt-idesë së mëposhtme, e mbrojtur me përcjellës trosi OPGW gjatë gjithë gjatësisë së saj.
Të dhënat kryesore të projektit:
1. Linjë e re 35 kV me dy qarqe nga Nënstacioni 220 kV Koplik deri në degëzimin e linjës Nënstacioni Vukpalaj – Hani i Hotit. Linja do të jetë me shtylla 110 kV (perspektivë izolacioni për kalim në nivel tensioni 110 kV) dhe përçjellës ACSR 120/20 mm² për të dy qarqet”, thuhet në dokument.
Enti Rregullator i Energjisë nisi procedurat për licencimin në prodhim të energjisë së një tjetër impianti fotovoltaik me kapacitet 35.6 MW. Në mbledhjen e fundit të Bordit, të mbajtur këtë javë, u njoftua edhe kjo procedurë.
“Në mbledhjen e tij të datës 12.08.2025, Bordi i ERE-s vendosi të fillojë procedurën për licencimin e shoqërisë “Infotelecom-Albsolar 4” shpk në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga centrali fotovoltaik, me kapacitet të instaluar 35.6 MWac, me vendndodhje në rrugën “Gjorica e Poshtme”, Njësia Administrative Gjoricë, Bashkia Bulqizë, Qarku Dibër” – nënvizoi ERE.
Enti Rregullator i Energjisë licencoi deri në fund të korrikut të paktën 13 subjekte, ku një prej tyre me kusht. Në total, kapaciteti i instaluar i projekteve që kanë marrë një licencë prodhimi si fotovoltaikë është 125 MW, nga ku 11 prej tyre i takojnë kategorisë së impianteve me fuqi të instaluar deri në 2 MW.
Impianti kryesor që duket se ka marrë licencën në prodhim është ai që parashikohet me një fuqi 100 MW nga “Sunny Side Energy”, i parashikuar për ndërtim në zonën e Darzezës në Fier.
Në total, deri më tani janë dhënë 65 licenca në prodhimin e energjisë fotovoltaike nga ERE, duke nisur që nga projekti i parë i zbatuar disa vite më herët nga Ujësjellësi i Korçës. Interesi për fotovoltaikët nisi në vitin 2017, kur u miratua edhe kuadri i parë ligjor për burimet e rinovueshme të energjisë, por mori nxitjen reale në vitet 2021 dhe 2022 me nisjen e krizës së energjisë.
Deri më tani në vend janë zbatuar disa projekte, por ato që dominojnë janë impiantet e vogla deri në 2 MW, teksa më i madhi është Karavastaja, i fituar përmes ankandit të qeverisë nga Voltalia, që ka nisur prodhimin prej vitit 2024.
Projekte të tjera private, të orientuara drejt shitjes në treg të lirë, po zbatohen në disa rajone, teksa shumica e projekteve të propozuara mbeten në hallka të ndryshme institucionale pa filluar ende punimet në terren.
Shqipëria synon të diversifikojë prodhimin e energjisë duke rritur peshën e energjisë diellore dhe asaj nga era, për të shmangur varësinë e madhe që ka aktualisht nga hidro, e cila e ekspozon vendin ndaj importeve në vite hidrike jo të favorshëm.
Rritja e kapacitetit të instaluar është lakuar njëkohësisht si një mënyrë për ta kthyer vendin në eksportues neto të energjisë deri në vitin 2030, sikurse është theksuar nga përfaqësues të qeverisë herë pas here./N.Maho
TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Në Mbrakull të Poliçanit u rikthye energjia elektrike, pas dëmtimit të linjës së tensionit të mesëm nga zjarri.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes bëri të ditur sot se punonjësit e Drejtorisë Rajonale OSSH_Berat pavarësisht kushteve me temperatura të larta 42 gradë, përfunduan në kohë punën duke rikthyer energjinë elektrike në të gjithë zonën”.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes theksoi se “jemi në gatishmëri të plotë në të gjithë vendin, për të minimizuar sadopak problemet që mund të shfaqen në rrjetin elektrik, në kushtet kur zjarret dhe rritja e konsumit mund të pengojnë ecurinë normale të furnizimit me energji elektrike”.
Zona e Poliçanit u përfshi dje nga flakët ndërsa forcat zjarrfikëse punuan për izolimin e vatrës.
Teksa jemi në kulmin e sezonit turistik, Velipoja mbrëmjen e kësaj t marte ndodhet në errësirë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Sipas raportimeve nga banorët dhe pushuesit, mungesa e energjisë ka nisur që prej orës 19:00 dhe po shkakton shqetësim të madh, veçanërisht për bizneset që funksionojnë gjatë orëve të mbrëmjes. Aktualisht, nuk […]
Shoqërimi i dy banorëve të fshatit Kurdari nga Policia e Matit të hënën riktheu përplasjet mes banorëve dhe kompanisë që po kërkon të ndërtojë hidrocentralin “Doma” në lumin Lusë. Banorët akuzohen nga kompania “Global Enterprise Group” se kanë penguar nisjen e punimeve për gjurmën e projektit. Banorët deklarojnë se i kanë kundërshtuar paqësisht punëtorët e […]
TIRANË, 10 gusht/ ATSH/ Strukturat e grupeve të emergjencës së Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSH) janë në gatishmëri të plotë dhe po punojnë intensivisht në terren për të garantuar furnizimin me energji elektrike në zonat e prekura nga zjarret.
Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri të ditur sot se ekipet e specializuara janë angazhuar maksimalisht për të ndjekur nga afër situatën dhe për të ndërhyrë aty ku nevojitet, sidomos në ato zona ku për shkak të flakëve është rrezikuar infrastruktura energjetike.
“Kemi ndërhyrë për të zgjidhur problemet në rrjet në zonat e Bistricës, Livadhjas dhe Konispolit, ku prania e zjarreve ka ndikuar në funksionimin normal të linjave të transmetimit”, tha Balluku.
Sipas saj, vëmendje e shtuar po i kushtohet veçanërisht objekteve dhe linjave 110/35 kV, të cilat për shkak të afërsisë me vatrat e zjarrit, kërkojnë ndërhyrje të kujdesshme dhe të koordinuar nga ekipet e elektricistëve në terren.
“Gatishmëria është rritur edhe në pjesë të tjera të vendit, si në Çorovodë dhe Ballaj (Divjakë), ku ekipet tona janë të vendosura dhe të përgatitura për të reaguar në çdo moment”, shtoi Balluku.
Ndërkohë që strukturat e zjarrfikësve vijojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve në disa zona të vendit, elektricistët e OSSH dhe OST ndodhen në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë sa më shpejtë në rikthimin e energjisë elektrike pasi qetësohet situata me zjarret.
TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Një tjetër ndërhyrje e suksesshme u realizua nga ekipet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), të cilët përfunduan me efikasitet punimet për zgjidhjen e avarisë në nënstacionin e Fushë-Kuqes.
OSHEE njofton se, në përputhje me planin teknik, u krye zëvendësimi i transformatorit të traktit të linjës 35 kV, që shkon në drejtim të Rrilës (Lezhë), duke mundësuar rikthimin e energjisë elektrike brenda një kohe të shkurtër.
Ky nënstacion ka rëndësi strategjike, pasi siguron edhe funksionimin normal të stacionit të pompave për furnizimin me ujë të pijshëm për qytetin e Durrësit, një hallkë kyçe në garantimin e shërbimeve bazë për qytetarët.
OSHEE bën të ditur se ekipet e specialistëve, janë në gatishmëri për të ndërhyrë në kohë me riparime, në çdo rast që paraqitet avari në rrjetin energjetik të vendit.
EDINBURG, 6 gusht /ATSH-DPA) – Mijëra njerëz kanë kaluar natën e dytë pa energji elektrike pasi stuhia “Floris” përfshiu të hënën Skocinë.
Dhjetëra mijëra njerëz mbetën pa energji elektrike pas erërave të forta në fillim të javës.
Kompania e shpërndarjes së Rrjeteve të Energjisë Elektrike Skoceze tha se që nga ora 8:30 e mëngjesit (07:30 GMT) e ditës së sotme, 68 000 njerëzve ju është siguruar energjia elektrike.
Puna vazhdon për të rilidhur 3 900 njerëz të tjerë që janë ende pa energji.
Ajo tha se 95% e personave që humbën furnizimin me energji elektrike për shkak të stuhisë “Floris” kanë marrë sërish shërbim.
Andy Smith, drejtori i operacioneve të klientëve të “SSEN” për veriun e Skocisë, tha mbrëmë se “stuhia Floris ka qenë jashtëzakonisht e fuqishme, veçanërisht për një stuhi në këtë kohë të vitit”.
“Janë rrëzuar shumë pemë që kanë duruar disa stuhi të mëparshme dhe janë shkaktuar disa dëme në rrjet”, tha ai. “Dua të falënderoj klientët tanë për mirëkuptimin dhe durimin e tyre ndërsa ne vazhdojmë këtë detyrë të madhe; po bëjmë çmos për t’u dhënë njerëzve vlerësime realiste dhe të informuara se kur do t’u rikthejmë energjinë elektrikee”, shtoi ai.
“U jam gjithashtu mirënjohës ekipeve nga partnerët tanë të kontratës dhe operatorët e tjerë të rrjetit për mbështetjen e përpjekjeve tona”, theksoi Smith.
Stuhia shkaktoi gjithashtu ndërprerje të konsiderueshme në rrjetin hekurudhor të Skocisë.
Rrjeti Hekurudhor njoftoi se ekipet kanë punuar “pa u lodhur” për të riparuar dëmet në infrastrukturë. /Ad.Ab./
Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën në orët e para të mëngjesit të sotëm para Prefekturës në Vlorë për të kërkuar largimin e dy termocentraleve (TEC) lundruese nga porti i peshkimit. Kjo është e disata herë që protestohet për këtë çështje që prej vitit 2022.
Protesta, e thirrur nga mjedisori Lavdosh Ferruni, nisi me thirrje për anulimin e kontratave të qirasë dhe largimin e dy anijeve që prodhojnë energji me djegie.
“Gjiri i Vlorës është i yni, TEC-et janë të maskarenjve”, apo “SPAK ndalo peshkaqenët me kravatë!” ishin disa nga pankartat e grupimit qytetar të quajtur “Aleanca për Vlorën”.
“Këto TEC-e nuk duhen për Shqipërinë, sepse nuk ka nevojë, ka energji hidrike, energji djellore, ere, këto duhen që të shkojnë në Itali, Greqi, pra Shqipëria të punojë për vendet e tjera,” tregoi Ferruni për Citizens.al, teksa theksoi se kjo qasje është një lloj kolonializmi ndaj shtetit shqiptar.
“Protestoj për të mirën e Vlorës, për pastërtinë e saj dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, ekonominë e tyre, sepse këto përbindsha korruptues tërheqin para nga buxheti i shtetit,” u shprej aktivistja Lela Qejvani për Citizens.al
Grupi i qytetarëve kërkoi takim me Prefektin, Plator Nesturi, apo përfaqësues tjetër, por nuk mori përgjigje pozitive.
Pas kësaj ata marshuan drejt portit të peshkimit ku janë ankoruar dy TEC-et lundruese. Njësoj, edhe atje, qytetarët nuk u pritën nga asnjë përfaqësues i kompanive, pavarësisht thirrjeve.
Dy TEC-et e mbiquajtura “Tigri 1” dhe “Tigri 3” mbërritën në Gjirin e Vlorës në janar 2022. Ato u ankoruan në portin e peshkimit, njohur edhe si Triport, që ndodhet në Pyllin e Sodës, pranë zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë.
Ardhja e tyre nga Bangladeshi u justifikua nga qeveria si zgjidhje për krizën energjetike që parashikohej të kaplonte Evropën pas përshkallëzimit të konfliktit ushtarak Rusi-Ukrainë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, premtoi se dy anijet e marra me qira për dy vite nga kompanitë Excelerate Energy dhe Renco do të ishin të mjaftueshme për ta përballuar krizën. Në media u raportua se marrëveshja u mbështet nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas marrëveshjes, qiraja dhe mirëmbajtja kushtojnë përkatësisht 63,000 dhe 31,500 dollarë në ditë, për një total prej 94,500 dollarësh çdo ditë, edhe nëse nuk prodhojnë energji.
Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) ka deklaruar se pagesat do të nisnin vetëm pas “komisionimit të suksesshëm” të pajisjeve, por ajo nuk ka publikuar ndonjë verifikim zyrtar nëse ky moment është arritur apo jo.
Ndërkohë, dy ndezje prove janë raportuar deri më sot: në gusht 2024 dhe shkurt 2025, por në asnjërën prej tyre nuk është raportuar prodhim energjie për rrjetin, teksa mjedisorët kanë ngritur shqetësim për mungesë transparence për procedurën.
Sipas Ferrunit, pagesat kanë nisur prej shtatorit 2024. Për këtë ai i referohet një dalje televizive të ministres Balluku, pas “komisionimit” të TEC-eve. Prej asokohe, sipas tij, qeveria paguan sistematikisht qiranë.
“Çdo muaj bëhet një pagesë ‘off-shore’ rreth 3 milionë euro,” u shpreh Ferruni për Citizens.al.
Mjedisorë dhe qytetarë të Vlorës e kanë paditur marrëveshjen e TEC-eve në gjykatë dhe seanca e radhës, e cila pritet të jetë përfundimtarja, parashikohet të zhvillohet më 22 shtator.
Ilustrim grafik nga protesta kundër TEC-eve lundruese, Vlorë/Citizens.al
Rreziku mjedisor dhe paditë ndaj aktivistëve
Aktivistët dhe organizatat mjedisore kanë denoncuar që në fillim potencialin ndotës të TEC-eve lundruese, të cilat funksionojnë me naftë të rëndë dhe ndodhen pranë vijës bregdetare.
Sipas tyre, bloza e sedimentuar në tokë rrezikon Pyllin e Sodës, po ashtu edhe produktet bujqësore të fshatrave pranë.
Mjedisori Lavdosh Ferruni ka shprehur shqetësimin e impaktit që TEC-et mund të kenë edhe në botën e gjallë ujore, pasi uji që përdoret për ftohjen e motorëve të anijeve shkarkohet në det. Kjo mund të shtojë temperaturën e ujrave duke rrezikuar faunën detare në një hapësirë të gjerë.
“Nuk e japim Vlorën!“ apo “TEC fosil, largohu!“ kanë qenë disa nga thirrjet e para të protestave, të cilat kanë qenë të vazhdueshme që pas projekteve me rrezikshmëri të ngjashme si Petrolifera apo dhe vetë TEC-i i Vlorës, i cili ndodhet rreth 500 metra larg portit të peshkimit.
Por, përveç shqetësimeve mjedisore, disa prej aktivistëve janë përballur edhe me sulme personale dhe paditje.
Në vitin 2022, Ferruni u padit nga kompania italiane Renco për shpifje, pas një artikulli ku ai ngrinte shqetësime për lidhje të mundshme të kompanisë me struktura mafioze në Itali.
Por në vitin 2024, gjykata vendosi në favor të Ferrunit, duke e shpallur të pabazë padinë ndaj tij.
Justin Timberlake ka ngritur shqetësime serioze mes fansave pas një paraqitjeje të dobët në koncertin e tij të fundit në Georgia, vetëm pak ditë para se të përfundojë turneun botëror. Këngëtari 44-vjeçar u kritikua ashpër për performanca të cilësuara si “të lodhura”, “minimaliste” dhe “pa energji”.
Në rrjetet sociale, shumë fansa janë shprehur të zhgënjyer duke thënë se Timberlake “vështirë se këndon” dhe se sjellja e tij në skenë është “dembelë dhe pa përkushtim”. “Imagjino të paguash 600 dollarë për një karaoke të ftohtë,” shkruan një komentues i irrituar. Të tjerë e akuzuan se performanca e tij po trajtohet si “një punë anësore”.
Pamje nga koncertet e fundit tregojnë Timberlake duke ecur i përhumbur në skenë, me syze dhe kapelë, duke shmangur kontaktin me publikun dhe duke kënduar vetëm disa fjalë nga çdo këngë. Në Dublin, ai u pa duke lëshuar mikrofonin dhe duke qëndruar pasiv gjatë gjithë shfaqjes, larg lëvizjeve energjike që e bënë të famshëm.
Burime pranë këngëtarit thonë për Daily Mail se ai është i bllokuar në një rutinë të lodhshme dhe ka nevojë për ndryshim. Madje, thuhet se bashkëshortja e tij, Jessica Biel, po e inkurajon të tërhiqet nga skena pas reagimeve të ashpra.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në një konferencë për media, ka shprehur shqetësimin e madh të komunitetit të biznesit për pasojat që po sjell kalimi në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Rafuna përmes një konference për media i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që ta pezullojë zbatimin e këtij sistemi deri më 1 shkurt, duke theksuar se shumë biznese nuk kanë arritur të sigurojnë oferta të favorshme për furnizim me energji.
“Përkundër kërkesave të vazhdueshme, nuk kemi hasur në mirëkuptim. Pasojat tashmë kanë filluar të ndihen dhe do të jenë të rënda për prodhuesit dhe bizneset, të cilat nuk do të mund t’i përballojnë kostot në rritje,” tha Rafuna.
Ai theksoi se importi është rritur me 12 për qind dhe se rritja e çmimit të energjisë do të ndikojë drejtpërdrejt në çmimin e prodhimeve vendore, duke i bërë ato jokonkurrente në raport me produktet e importit.
Sipas Rafunës, eksporti tashmë ka filluar të bie dhe rrezikohet pozita e bizneseve në tregjet ndërkombëtare. Ai shtoi se shumë kompani janë detyruar të lidhin kontrata për energji në kushte të pafavorshme për shkak të mungesës së ofertave.
“Ky vendim i ZRRE-së nuk është në interes të bizneseve. Kërkojmë që institucionet të marrin përgjegjësinë e tyre, ndërsa ne do të ndjekim rrugën ligjore për të kërkuar pezullimin e këtij procesi. Bizneset duan të jenë pjesë e një tregu të lirë me konkurrencë të drejtë, por jo në rrethana të papërgatitura”, tha Rafuna. /Telegrafi/
Francezja Voltalia, një kompani ndërkombëtare e pranishme edhe në tregun shqiptar nëpërmjet parkut fotovoltaik të Karavastasë, tashmë në prodhim dhe atij të Spitallës, ende në procedura, duket se synon të zgjerojë më tej aktivitetin.
Prej disa kohësh në rrjetin social Facebook në faqen e saj zyrtare, kompania ka aktivizuar një thirrje në gjuhën shqipe që synon të tërheqë pranë vetes individë apo subjekte të interesuara për të dhënë tokën e tyre me qira për një periudhë të gjatë ku kompania do të zbatojë projekte të saj impianteve diellorë.
“Fushata e sponsorizuar thotë: Keni tokë të lirë që nuk po e shfrytëzoni? Ne kemi një ofertë për ju? Ofrojmë një çmim konkurrues qiraje për çdo hektar. Afati i qirasë: 30 vjet.
Të ardhura të garantuara afatgjata, pa kosto apo rreziqe për ju. Bëhuni partner me një kompani të energjisë së rinovueshme” thuhet në disa foto) të publikuara ku ndër të tjera jepen edhe të dhëna mbi personin e kontaktit.
Investimet në energjinë diellore po vijojnë të mbeten një fushë e gjerë interesi për bizneset me aplikime që paraqiten vazhdimisht pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë edhe pse numri i projekteve të analizuara mbetet ende i vogël në raport me projektet në letër.
Konkretisht Karavasta Solar që është pjesë e Voltalias që ka nën menaxhim impiantin e Karavastasë me një kapacitet 140MW është një ndër më të mëdhenjtë që ka përfunduar dhe po prodhon energji nga fundi i vitit 2023.
Voltalia fitoi ankandin e parë të qeverisë për Karavastanë ku ofroi një çmim 24,89 euro për megavat. Sipas marrëveshjes 70 megavat janë të ndara për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar.
Çmimi i rregulluar zgjat për 15 vjet dhe do të blihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë. Sa i takon Spitallës, gara u mbyll me çmim 29.89 euro/MWh.
Parku Fotovoltaik i Spitallës do të ketë kapacitet të instaluar 100 MW, nga të cilat 70 MW do të blihen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, nëpërmjet një kontrate për blerjen e energjisë me çmim të paracaktuar dhe 30 MW do të tregtohen në treg të lirë. Por ky projekt nuk ka avancuar me ritmet e pritshme.
Impianti i Karavastasë prodhoi vitin e shkuar 258,383 MW energji që përbënte 3.2 për qind të prodhimit neto vendas./ N.Maho
TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Një paketë prej 87,7 milionë eurosh për investime në energjinë e pastër në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi u miratua nga Bordi Operacional i WBIF (Kuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor).
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë bëri të ditur sot se në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, këto investime do të ndihmojnë për të forcuar rrjetet e energjisë.
Po ashtu, ato do të ndihmojnë për të përmirësuar hidrocentralet ekzistuese, si dhe për të ofruar zgjidhje diellore për ngrohje.
Nga ky fond Shqipëria do të përfitojë për investime në sistemin e transmetimit të energjisë elektrike, konkretisht për digjitalizimin e nënstacioneve, për rritjen e kapaciteteve dhe uljen e humbjeve të energjisë.
Po ashtu fondet do të përdoren në HEC-in e Fierzës për përmirësimin e pajisjeve dhe sistemeve për sigurimin e funksionimit afatgjatë.
Gjithashtu do të investohet edhe në linjën ajrore të transmetimit Rrashbull-Unaza e Tiranës, në kuadër të zgjerimit për plotësimin e kërkesës dhe përmirësimin e sigurisë energjetike.
“Pas lajmit të mirë nga Belshi, vjen edhe një tjetër zhvillim pozitiv për rajonin tonë”, thuhet në njoftimin e Delegacionit të BE-së në Tiranë.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka siguruar financimin për ndërtimin e impiantit fotovoltaik të Belshit me një kapacitet të instaluar 50 MW dhe këtë të martë u nënshkruan marrëveshja për kredinë dhe grantin e këtij projekti.
Në një ceremoni të mbajtur me këtë rast zëvendëskryeministrja, njëkohësisht Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha se pjesa e grantit u sigurua falë pjesëmarrjes së Shqipërisë në një thirrje të Bashkimit Europian dedikuar projekteve energjetike të rinovueshme.
“Kjo thirrje rezultoi e suksesshme për ne, pasi arritëm të përfitojmë një mbështetje financiare për zhvillimin e këtij projekti në Parkun Fotovoltaik të Belshit, një mbështetje që vjen nga Bashkimi Europian në formën e grantit me 9.58 milionë euro, që është rreth 23% e vlerës së investimit, ndërkohë e shoqëruar me një hua nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që ekuivalon në 30 milionë euro. BERZH-i, që tashmë është një partner i yni i konsoliduar në sektorin energjetik”, tha Balluku.
Në fjalën e saj nënvizoi se projekti do të ketë afate të mirëpërcaktuara dhe se tashmë me sigurimin e financimit do të hapet thirrja ndërkombëtare për ndërtimin.
“Projekti ka afate të mirëcaktuara. Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes ne do të përgatitemi për thirrjen ndërkombëtare të ndërtimit të këtij parku, dhe në një periudhë gjashtëmujore kompania fituese duhet të dorëzojë projektin e detajuar dhe më pas 12 muaj janë të mjaftueshëm për ndërtimin e kësaj vepre”, tha zv.Kryeministrja.
Impianti fotovolatik i Belshit është projekti më i madh i deritanishëm i KESH sa i takon energjisë diellore. Aktualisht Korporata ka zbaruar dhe po zbaton edhe një sërë projektesh të tjera por të një shkalle më të ulët dhe të vendosura në kaskadën e Drinit.
Impianti në Belsh synon ndërtimin e një parku fotovoltaik në bregun verior të liqenit të Thanës. Ky park do të ofrojë energji për 16 mijë e 100 abonentë ndërkohë që kapacitetet e tij vjetore do të jenë 79 gigavat.
TIRANË- Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u shpreh se Shqipëria ka fituar një emër të mirë në tregun ndërkombëtar sa i takon ankandeve për fushën e energjisë së rinovueshme.
Ajo paralajmëroi se në bashkëpunim me bashkitë e vendit do të listojnë të gjithë ato pronat që janë në inventar dhe që nuk përdoren për qëllime bujqësore apo prodhimi do vihen në ankande ndërkombëtare dhe përmes kësaj të bëhet investimi, ku mund të përfitojnë bashkitë ashtu dhe banorët e saj.
“Kemi krijuar një emër të mirë në tregun ndërkombëtar për sa i përket ankandeve të energjisë së rinovueshme në vendin tonë. Kemi arritur që ato toka e pafrytshme duhet të vendosen në dispozicion të ankandeve publike duke u bërë pjesë edhe vetë bashkitë në këto ankande.
E them këtë, pasi shpeshherë na vijnë kërkesa që merren me qira nga privatët nga baskitë e vendit, ndërkohë bashkitë s’kanë kapacitet për të ngritur ankande.
Në bashkëpunim me bashkitë e vendit kemi nisur një proces, për të identifikuar ato prona, që janë në regjistrat apo inventarët e bashkisë, të cilat janë të pafrytshme dhe nuk mund të kontribuojnë në sektorin bujqësor, të cilat duhet të vendosen në dispozicion të ministrisë. Ne mund të arrijmë që të gjithë këto sipërfaqe të disponohen për ankande ndërkombëtare, por duke bërë bashkitë e vendit partner në këtë proces përfitimin që i takon”, tha ajo./abcnews.al
Banorët e gjashtë fshatrave të Kaçinarit në Mirditë u mblodhën sot në shenjë proteste para Gjykatës së Lezhës ku pritej të shqyrtohej vijimi ose jo i hetimeve për mënyrën se si iu dha e drejta për të ndërtuar katër hidrocentrale në këtë zonë kompanisë “Shpërdhaza-Energji”.
Pasi e shtyu fillimisht seancën për mungesë dokumentacioni të plotë, nga ora 11:30 në 15:30, gjykata vendosi që ta shtyjë përfundimisht shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë për mbyllje të çështjes për më 15 shtator ora 9:00.
Banorët pretendojnë se kompania e ka përfituar koncesionin me shkelje, pa konsultim publik dhe madje duke falsifikuar firmat e banorëve. Për këtë, në vitin 2019 ngritën kallëzim kundër kompanisë.
Prej asokohe, ata janë endur dyerve të gjykatës duke kërkuar drejtësi. Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dy herë pushimin e çështjes, teksa gjykata i ka kërkuar rihetimin. Por situata duket të ketë ngecur këtu.
“Jemi munduar me mbi 32 protesta paqësore në harkun kohor të gjashtë viteve si në Kaçinar dhe Tiranë, dhe sot jemi para gjykatës së Lezhës për të njëjtën gjë, të rihetohet çështja dhe të dalin personat përgjegjës për falsifikimet e të gjithë koncesionit,” u shpreh paraditen e së hënës para gjykatës Gjon Pjetri.
Gjergj Deda, kryetar i fshatit Simon, i bëri thirrje gjykatës të mos të pranojë pushimin e çështjes, por të detyrojë prokurorinë për t’i çuar përgjegjësit para drejtësisë.
“I bëj thirrje prokurorisë e gjykatës së rrethit gjyqësor Lezhë mos ta lerë problemin ta zgjidhë komuniteti. Nëse do të bëhet puna ta zgjidhë komuniteti do të jetë fatale për zonën e Kaçinarit”, u shpreh Deda.
Për Tonin Beqirin, banor i fshatit Simon kjo është një çështje që prek interesat e një komuniteti prej 3 mijë banorësh, për të cilin nuk mund të vendosin firmat e disa personave.
“Preket interesi i shumëkujt, jo i dikujt. Nuk kërkojmë kurrgjë, kërkojmë vetëm drejtësi,” theksoi Beqiri.
Për banorët që jetojnë në fshatrat e njësisë administrative të Kaçinarit, uji është jetësor për përditshmërinë e tyre.
“Nëse do ta fusin ujin nëpër tuba nuk do të ketë më burime. Nuk do ketë ku të pinë ujë gjallesat e natyrës. Çdo gjë do të shkretohet do të bëhet Sahara”, u shpreh Gjok Beqiri për Citizens.
Avokati Marash Logu denoncoi mungesën e dokumenteve dhe shtyrjen e seancave prej katër vitesh. Sipas tij, hetimi nuk ka qenë i thelluar, por tentativë për ta mbyllur rastin teksa banorët protestojnë prej dhjetë vitesh.
Njësoj si një javë më parë, seanca u shty për mungesë dokumentacioni. Logu tregoi se prokuroria paraqiti një akt-ekspertizë të paplotë me mungesë të shumtë faqesh.
“Të gjitha faqet tek mungojnë. Pra kemi faqen 1-2, mungon faqja tre, kemi faqen katër, mungon pesa… si mund ta kuptojmë një akt ekspertimi, të cilit i mungojnë 27 faqe dhe kjo mbetet një pikëpyetje e madhe,” argumentoi avokat Logu.
Ndërkohë banorët janë të shqetësuar pasi kompania ka vazhduar punimet pavarësisht se, sipas avokatit Logu, asaj i kanë përfunduar leja e ndërtimit, leja mjedisore dhe leja për shfrytëzimin e burimeve ujore.
Banorët dhe bashkia Mirditë kanë kërkuar pezullim të punimeve deri në sqarimin e plotë të situatës ligjore, por makineritë në Kaçinar vazhdojnë të dëmtojnë terrenin.
Kundërshtitë ndaj projektit të katër hidrocentraleve të “Shpërdhaza-Energji” vijojnë prej vitesh.
Në fund të marsit të 2025 banorët e Kaçinarit protestuan në Qafën e Vorres, ndërsa makineritë ishin ngjitur në atë zonë. Ata kërkuan zmbrapsjen e tyre teksa kompania kishte nisur të ndërtonte fillimisht rrugën, për të vijuar më pas me ndërtimin e HEC-eve.
Me 15 prill banorët organizuan protestën tjetër në bjeshkë, ndërsa u panë forca të shumta policie që shoqëronin përkrah makineritë e rënda të kompanisë.
Në 2 maj, banorët protestuan para ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ku kërkuan ndërhyrje të institucioneve për të ndalur punimet. Por deri më sot duket se protestat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët.
Një linjë e re tensioni 35 kilovolt që nis nga nënstacioni 220 në Elbasan si dhe rikonstruksioni i disa nënstacioneve të tjera të këtij rajoni pritet të zënë vend së shpejti.
Ky investim synon që të përshtate rrjetin me zhvillimet në terren që lidhen me projektet e burimeve të reja gjeneruese si në hidro edhe fotovoltaikë.
Një procedurë e hapur këtë të hënë në Agjencinë e Prokurimit Publik që ka në objekt kontrate këtë projekt parashikon një fond limit prej 599 milionë lekë apo 6 milionë euro.
“Ky projekt ka si qëllim idenë e ndërtimit të linjës së re 35kV me shtylla 110kV, me dy qarqe dhe do të fillojë nga N.Stacioni Radio – Elbasan, Banjë – Cerrujë – Gramsh dhe përfundon në Mjekës – Elbasan dhe fuqizimi rikonstruksion në N.Stacionet Gramsh, Cërruje Banjë.
Ideja dhe qëllimi i kësaj linje të është gjithashtu edhe mundësia në perspektivë për kalimin e një qarku me nivel tensioni 110kV duke u përshtatur me zhvillimet dhe rritjen e prodhimit të energjisë elektrike si nga HEC ashtu edhe nga impiantet fotovoltaik në këtë zonë. Ndërsa N.stacionet do të rikonstruktohen dhe fuqizohen me trakteve 35kV ne N.Stacionet Gramsh, Cërruje, Banje”
Linja do të ndërtohet në trasë të re, do te jetë me dy qarqe 35kV, me shtylla 110kV” thuhet në relacionin teknik të projektit. I njëjti nënvizon se qarku i parë 35kV do të jetë me përcjellës ACSR 120/20mm2 , dhe qarku i dytë me përcjellës ACSR 1×240/40mm2
Kështu qarku i parë 35kV nga N.Stacioni 35kV Radio në drejtim te N.Stacionit Banjë – N.Stacionit Cërruje dhe do të përfundojë në N.Stacionin Gramsh. Qarku i dyte i ri 1×240/40mm2, nga Gramshi deri në afersi të N.Stacionit Banjë do të jetë në shtylla 110 kV dhe do të vazhdojë me tek qark deri ne N.Stacioni Mjekes Elbasan.
“Traktet 35kV ne N.Stacionet Gramsh dhe Cerruje do të jenë të rinj, hyrje dalje, me cela të brendshme 35kV dhe ne N.Stacionin Banjë do të ndërtohet një portal i ri 35kV dhe ndarës i ri 35kV.
Qarku i dytë 1x 240mm2, në N.Stacioni 35/6kV Mjekes – Elbasan do të lidhet aty ku hyn linja ekzistuese nga N.Stacioni i Banjës” thuhet në relacion.