TIRANË, 1 maj /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim elektoral në qytetin e Kuçovës.
Në fjalën e tij Rama u shpreh se, “kini parasysh që kur ne e morëm detyrën Shqipëria ishte në fund fare, ishte, kur i thonë “vrima e fundit e kavallit””.
“Në fillimet e kësaj rruge kur unë takoja udhëheqësit e Bashkimit Evropian ndjehesha tamam si kur takon dikë që gati sa s’ta thotë: mbaro tani se kam punë tjetër. Shqipërinë nuk e besonin. Shqipërinë nuk e respektonin. Shqipërinë nuk e vlerësonin”, tha Rama.
Sot, theksoi Rama, “Shqipërinë e besojnë, e respektojnë dhe e vlerësojnë”.
Rama nënvizoi se, 11 maji është një takim me historinë për popullin shqiptar dhe se ky është momenti kur shqiptarët duhet të bëhen bashkë që t’i japin një shtysë shumë të fortë negociatave dhe shtoi ai, “që të hyjmë në BE pa lënë që dera të na mbyllet dhe të mbetemi jashtë për vite të tëra”.
Negociatat, u shpreh Rama, “nuk janë aspak një punë e lehtë. Ne kemi 1 mijë njerëz nga ana jonë që punojnë çdo ditë për negociatat. 1 mijë njerëz që do jenë të ndarë në shumë grupe që mbulojnë çdo sektor, ekonominë, drejtësinë, arsimin, shëndetësinë, gjithçka, mjedisin, ajrin, ujërat, peshqit, zogjtë, të tëra. Nga ana e tyre, 1 mijë të tjerë, në Bruksel edhe ata ndarë, ulur në tavolinë dhe janë mbi çerek milion faqe me rregulla me standarde me kritere, me masa me ligje, për të cilat ne duhet të biem dakord dhe pasi biem dakord atje duhet të vijmë këtu në Tiranë edhe duhet t’i bëjmë, t’i vulosim këtu si rregulla, si vendime, si masa, si kritere, si ligje”.
Tani, shtoi Rama, “e parafytyroni ju që ne negociojmë në Bruksel, biem dakord atje, vijmë këtu, shkojmë në Kuvend edhe duhet t’i shkojmë pas avazit disa të tjerëve, atyre që do të nxjerrë këneta në breg, apo atyre që shfaqen nëpër Shqipëri si parti të reja, që të re kanë vetëm moshën e kryetarëve të tyre”.
“Parti të reja që në lista të mbyllura kanë xhaxhallarë, kanë teze, kanë halla, kanë krushqira edhe thonë i kemi vënë aty se s’kemi besim ne tek njëri-tjetri. Parti të reja që thonë, nëse ne do të na vijë në dorë kjo punë ne do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme nuk do të lejojmë që Shqipëria të ketë qeveri”, tha Rama.
E kuptoni ju, vijoi Rama, “domethënë nga një anë ne duhet të fusim Shqipërinë në BE, duke dëshmuar këtu vendosmëri, shpejtësi, unitet. Nga ana tjetër, çfarë do bëjmë do i themi atyre shikoni se kemi me kënetën disa probleme. Çfarë kënete? – do thonë ata. Po çfarë t’i bëjmë, kemi një kënetë me një specie të veçantë dhe kemi dhe disa të tjerë që duan zgjedhje të parakohshme”.
Kjo gjë, theksoi Rama, “do të bëjë vetëm një gjë, do të mbyllet dera, edhe pastaj, kushedi sa vite mund të presim”.
Prandaj, shtoi Rama, “këto zgjedhje dhe ky mandat nuk është për mua personalisht, nuk është për karrigen time, nuk është për shumicën tonë të thjeshtë. Është për shumë më tepër sesa kaq. Dhe arsyeja pse unë ju them që duhet një mandat i katërt për PS-në, është sepse këtu bëhet fjalë për të përmbushur një mision historik”.
Një mision, theksoi Rama, “i cili e ka zanafillën e vetë tek profecia e heroit tonë kombëtar Skënderbeut, i cili është profeti i historisë sonë dhe i cili duke vënë barrikadën për të mbrojtur Perëndimin nga Lindja e përcaktoi edhe fatin tonë, si fat të lidhur me Perëndimin dhe jo me Lindjen. Pastaj shekull pas shekulli profecia vajti në duart dhe në mendjet e rilindësve. Ata na e lanë me shkrim, për ne shqiptarët: dielli lind andej nga perëndon”.
“Pastaj kaluan të tjera kohëra shumë të vështira, deri sa ne gjendemi sot këtu, një hap larg realizimit të një ëndrre, e cila lidhet me diçka të drejtpërdrejt konkrete shumë të thjeshtë, me dinjitetin e barabartë si evropianë që jemi ndër popujt këtu në mes të Evropës dhe që ne jetë të jetëve fati, rruga jonë, komplikimet e historisë sonë, mendjet e mbrapshta brenda nesh na kanë bërë që të mbetemi si popull i dorës së dytë, i parë nga lart-poshtë nga të tjerët”, tha Rama.
Ndërkohë, shtoi Rama, “me hyrjen në BE ne bëhemi përfundimisht një popull i barabartë evropian, me popujt e tjerë evropian, jo vetëm me zakon, por edhe me ligj”.
/r.e/a.f/
The post Rama: Mandati i katërt për integrimin e Shqipërisë në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.